Nga XHORXH FRED UILLIAMS*
Pjesa e tretë
Memorie.al / “Bah! Shikoni këto barbarë!” ka thirrur çdo tiran që ka shtyrë në fatkeqësi viktimën e vet, kur më në fund e ka pa të pamundshme me e bërë skllav. Ngjarja e dhimbshme e Shqipërisë nuk i është treguar popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo ka qenë zhdukur në vendin e vet të Bajronit dhe të shteteve të mëdha, të cilët kanë vendosur të zhdukin nga faqja e dheut këtë popull heroik. Në sallat e errta të diplomacisë Europiane për shekuj me radhë, ka qenë mbyllure munduar fati i Shqipërisë. Edhe tani, me lot ndër sy dhe krejt e dobësuar nga robërija dhe padrejtësia e shekujve, ajo po nxjerr përpara duart thatanike për të kërkuar drejtësi dhe liri; por akoma më kot. Po, shpërblimi i mëkateve është vdekja dhe kujdesi i drejtë i Perëndisë nxjerr përpara faktin se gjendja e keqe e sotme e Europës rrjedh drejtpërsëdrejti po nga ajo politikë që e përdori për Shqipërinë.
Përkundrejt të sotmes që janë të varfër e të shkatërruar prej luftash të vijueshme, të cilat janë shkaktuar vetëm e vetëm pse kërkonin të liroheshin nga zgjedha. Shqipëria tani do të mund të ishte një shtet i lulëzuar e i përparuar. Ndoshta kur diplomacia e zezë, që ka rrënjët në shekujt e errët e që bën çdo shtet të shihet me tjetrin me një armiqësi të madhe, të jetë zhdukur dhe ndonjë mënyrë simpatie njerëzore dhe vëllazërore të përdoret, atëhere do të kujtojmë faktin që suksesi i një populli nuk është nevoja të bëhet me humbjen e një tjetri. Atëhere sllavet, gjermanët, anglezet, turqit dhe shqiptarët, mund të përfitojnë shumë më mirë nga përparimi, lulëzimi dhe lumturia e njëri-tjetrit.
DIPLOMACIA E SHASTISUR E EVROPËS
Ndërkaq Shqipëria, viktima kryesore e kësaj diplomacie, mbetet e lodhur, e kërrusur dhe e zhytur në gjak sepse, edhe mbas lirimit të shteteve tjera të Ballkanit nga zgjedha, kjo u la akoma nën Turqi. Bashkë me Shqipërinë mbeti nën zgjedhë edhe Maqedonia. Po të kishte mbetur ndopak simpati njerëzore në politikën e Europës dhe ndonjë ndjenjë për të shpaguar mëkatet që ka bërë gjatë shekujve, këto fuqi do t’u kishin dhënë rastin shqiptarëve për të formuar një qeveri dhe për të zbatuar një statut të vetin. Edhe një dhenzë e truve të kalit, do të kishte menduar që një popull trim dhe luftëtar si ky nuk do të pranonte një zgjedhë tiranie të re, në vendin e së parës.
Por diplomacia e shastisur vendosi të zbatojë forcën dhe tiraninë për të sunduar këtë popull; por ky vendim doemos do të binte poshtë sikurse u pa. Shtetet e Europës kanë bërtitur dhe kanë shpallur se shqiptarët janë popull i pabindur, i egër e barbar. Por në anën tjetër deshën të krijojnë mbi ta një qeveri pa pyetur dëshirat e tyre, pa iu siguruar ndonjë farë lirie ose të drejta trashëgimore dhe biles pa asnjë këmbë ushtari për të vënë në zbatim programin e tyre: sollën vetëm disa oficerë, kurse ushtarë jo. Por, po të ishin të vërteta deklaratat e tyre, ata do të kishin sjellë fuqi të madhe të armatosur për të përkulur shqiptarët; por këto të bërtitura ishin vetëm për të justifikuar sjelljet e tyre.
Ata prenë copa me rëndësi nga toka shqiptare dhe ia dhanë fqinjëve në Veri, në Jugë dhe në Lindje, duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes të këtyre shteteve. Copën që mbeti nga “gërshëra” e tyre e quajtën shteti i pavarur i Shqipërisë. Gabimin më të madh të planeve të tyre do ta përshkruaj në kreun që vijon. Shqipëria është bërë lëmi i ndikimeve të shumëllojshme që e tërheqin në drejtime të ndryshme. S’ka vullnet, s’ka program e as autoritet të njohur në këtë tokë. Propaganda, intriga dhe shpifjet e fshehin të vërtetën. Këtë e raporton Dr. Dillone nga Durrësi.
Kur gjashtë fuqitë e mëdha hartuan një plan qeverimi për Shqipërinë, vepra e tyre tregoi një pazotësi të çuditshme, sepse ai qe një plan që i nuk përshtatesh një shteti si ky. Marrëveshja e Londrës përmbante nenet:
1) Një principatë autonome, sovrane, me të drejtë trashëgimi të fronit nga të paslindurit dhe nën sigurimin e gjashtë Fuqive të Mëdha.
4) Kontrollimi i administratave qytetare dhe i financave i jepet një komisioni ndërkombëtar të përbërë prej delegatësh të gjashtë Fuqive të Mëdha dhe një delegati të Shqipërisë.
7) Emërimi i princit, formimi i një qeverie kombëtare përfundimtare, funksionet e autoriteteve të vendit, që ndodhen si dhe qetësia e popullit i lihen në dorë komisionit në fjalë.
8) Sigurimi i popullit dhe rregulli do të bëhet prej një organizate xhandarmërie e policie ndërkombëtare, që do të jetë në dorë të oficerëve tëhuaj të cilët do të kenë në dorë komandën vepruese dhe eprore të policisë e të xhandarmërisë, dhe të gjithë elementëve të nevojshëm për të siguruar qetësinë e popullit. I lutem lexuesit me i studiu këto pika, që të formojë një vet-gjykim, se si mund të formohet një shtet mbi një plan si ky? Tre funksionet e një shteti janë: ekzekutivi, legjislativi dhe administrimi i gjyqësorit.
Shihet se dy të fundit nuk janë përmendur, veçse si një lloj autoriteti i lënë Komisionit Ndërkombëtar për të formuar një qeveri kombëtare me autoritet. Funksioni ekzekutiv natyrisht përfshin një kryetar ekzekutues, që do të ketë kontrollimi nga ana administratave qytetare dhe të sigurimit të popullit. Marrëveshja (e Londrës) përmban një princ, por ia dha Komisionit Ndërkombëtar kontrollimin e administratave qytetare dhe të financave. Dhe në njërën anë e vendos sigurimin e popullit nën Komisionin Ndërkombëtar, kurse në anën tjetër thotë: “Komanda vepruese dhe eprore për të mbajtur qetësinë e popullit, i jepet një organizate ndërkombëtare të kryesuar prej oficerësh të huaj”.
Se çfarë fuqirash i mbeten princit nuk kuptohet, kurse administratat, financat dhe sigurimi i popullit, iu dhanë duarve të tjera. Sipas vendimit të marrëveshjes (së Londrës), princi do të zgjidhesh pa pyetur dëshirat e popullit dhe funksionet e autoriteteve të vendit e sigurimi i popullit u hoqën nga duart e popullit. Nuk qe vënë përpara ndonjë statut në bazë të cilit të qeverisej ky popull dhe asnjë premtim nuk i qe bërë për një liri të plotë, ose për të ushtruar të drejtat tradicionale. Këtu qe vetëm një sundim tiranik dhe një despotizëm të deklaruar me urgjencë. Mesa gjykohet, kjo qe një anarki për të shkaktuar kryengritje.
Po të mos ngrihesh populli shqiptar në formën e quajtur rebelizëm, për shqiptarët nuk do të besohej mjaft dhe do të thuhej se këta nuk kanë ide mbi lirinë që kërkojnë. Nga kjo marrëveshje e Londrës, doli një ngatrresë sa nuk bëhesh më e madhe dhe më e keqe. Fuqitë e Mëdha pastaj vijuan programin e tyre, duke zgjedhur për anëtarë të Komisionit gjashtë persona, me pozita konsujsh. Pa e fyer këtë pozitë diplomatike, kjo vepër qe një punë e keqe sepse lëshimi i një shteti në duar të tilla nuk qe në duar të njerëzve me përvoje diplomatike. Sigurisht, që formimi një shteti nuk u vendos në duar të përshtatshme, tregohet nga fryti i veprës së tyre.
QEVERIA E VIDIT
Si princ i kësaj principate u zgjodh Uilliami i Vidit, major i gardës Potsdam Lancers, një zotëri pa farë përvoje në qeverisje dhe pa vetitë e duhura për një kryetar shteti. Ai qe nip i Mbretëreshës së Rumanisë, e quajtur Karmen Silvia, dhe duhet shënuar se përkrahja financiare dhe shtyrja e saj si dhe detyrimi i gruas se tij ambicioze, u bënë shkak që ky të pranojë këtë detyrë. Tragjedia e gabimeve filloi para se të vinte Princi në Durrës. Esad Pasha, kryetar i ca fiseve të Shqipërisë së Mesme, pa pasur autorizim prej popullit, shkoi në mënyrë solemne dhe i dhuroi kurorën Princit Vid, në emër të Shqipërisë. Që në ditët e para tërhoqi vërejtjen një zënie midis nëpunësit të Pallatit me mjekun e Oborrit, e cila përfundoi me ikjen e shpejtë e shumë zemëroheshe të mjeku nga Shqipëria.
Komisioni Ndërkombëtar në bazë të marrëveshjes së Londrës priste që princi të vinte me bashkëpunu me të, për të zgjidhur problemet e ndryshme të shtetit. Por shpejt e mësua se Vidi po vinte si Mbret dhe kishte kërkuar që të pritet me gjithë madhështitë që i kanë hije një pritjeje mbretërore. Kur ata deshën të bëjnë ca paraqitje dhe për këtë deshën të bashkëpunojnë me nëpunësin e Pallatit, ai u përgjigj se nuk kishte kohë me humbë me ta. Se me ç’të drejtë Princ Vidi e mori titullin Mbret, askush s’ka qenë i zoti ta shpjegojë. Ai në marrëveshjen e Londrës, figuron si Princ.
Në fjalimin e tij mbretëror (!?) Princi theksoi se do të mund të kishte rast për të bashkëpunuar me Komisionin Ndërkombëtar, kurse marrëveshja (e Londrës) e thotë që ai duhet të bashkëpunojë. Qeverimi ose mbretërimi filloi duke i ofenduar haptazi përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, të cilët kishin në dorë portofolin dhe pothuaj gjithë autoritetin, (sepse ata kishin kontrollin e financave dhe të administratave – shën. përkth.). Princi emëroi një kabinet, por ministrat e tij nuk kishin autoritet të caktuar ose të dalluar dhe në këtë mënyrë çdo gjë që morën përsipër komisioni e kundërshtoi. Ndërkaq epirotët, që zënë Shqipërinë e Jugut, deklaruan pavarësinë e tyre. Esad Pasha kërkoi 25.000 vetë të armatosur për t’i shtruar këta, por ushtarë nuk kish.
Koloneli holandez Tompson që kishte komandën e xhandarmërisë u ngarkua me mision prej Princit për të bërë marrëveshje me “epirotet”. Ai fitoi besimin e tyre dhe erdhi në një marrëveshje shumë të mirë, por Esadi siguroi mohimin e misionit të kolonelit nga ana e kabinetit dhe ky mision u flak edhe prej Princit. Më vonë kur Komisioni Ndërkombëtar bëri marrëveshje në Korfuz me kryengritësit e Jugut, anëtarët protestuan se ky Komision nuk dinte kurrgjë mbi marrëveshjen e kolonelit Tomson, e as mbi misionin e tij. Kur unë erdha në Durrës, njëri prej anëtarëve të Komisionit më mohoi pikat më kryesore të marrëveshjes së Korfuzit, një kopje të së cilës ia paraqita të vërtetuar prej sekretarit të Komisionit. Në këtë mënyrë vijonin punët në krijimin e një shteti.
Mbledhjet e Komisionit bëheshin edhe më të vështira nga mosmarrëveshjet dhe ngatërresat në mes të përfaqësuesve të Austrisë dhe Italisë, të cilët mundoheshin me ia hedh fajin njëri-tjetrit. Kabineti edhe ky u nda dhe në maj të vitit 1914, Esad Pasha, ministër i Luftës, u arrestua si komplotist kundër qeverisë, u vu në një luftanije të Austrisë dhe u dërgua në Itali. Në anën tjetër, shqiptarë kryengritës, rebelet, me armë në dorë u dukën para dyerve të Durrësit. E vetmja kërkese e tyre ishte që Princi të lejë Shqipërinë dhe prej asaj kohe e deri në fund, ajo ka qenë britma e tyre për çdo marrëveshje që thirreshin me bërë.
DUKE VËNË FENË SI SHKAK PËR LËVIZJE LUFTARAKE
Një njeri me mend nuk do të kishte pranuar detyrën me ushtrua tiraninë mbi një popull luftëtar si ky, pa qenë i siguruar nga Fuqitë e Mëdha se do t’i japin forca ushtarake, sepse gjithë themeli i kësaj pune ishte forca. Biles, edhe kur vendasit u ngritën me armë në dorë kundër tij, e para gjë që duhej të bënte, qe që të kërkonte fuqi të armatosur ose të linte Shqipërinë, duke u kthyer në vendin e tij. Por kur vendasit muhamedanë e kundërshtuan atë me armë, ai mori me pagesë malësorë katolikë të Veriut, për të mbrojtur Durrësin. Edhe muhamedanë te Vlorës u vunë në ndihmën e Princit, ca nga të cilët u lanë për të kundërshtuar kryengritësit e Jugut dhe të tjerët u prunë në ndihmë të Durrësit, kundër kryengritësve të Shqipërisë së Mesme.
Problemi më i madh i një qeverinë këtë vend, është për të prurë në marrëveshje ose për të bashkuar elementët e besimeve të ndryshme me qëllim që të zhduket sa më parë kundërshtia në mes tyre, e cila ka qenë futur prej sundimtarëve turq. Brenda pak javësh sundimi të Princ Vidit, gjendja u bë shumë e keqe. Në Shqipërinë e Jugut muhamedanët vritnin ortodoksët e në Durrës malësorët katolikë, thernin muhamedanët brenda ambienteve të Pallatit të Princit, i cili ishte i sigurtë vetëm nën grykat e zjarrit të topave të luftanijeve të Fuqive të Mëdha që ishin në molin e Durrësit vetëm për të mbrojtur Princin dhe familjen e tij. Dukej haptazi se pa u bashkuar për bashkëpunim elementët e besimeve të ndryshme, qeveria e tij ishte më kot.
Vidi u ngul në Durrës më 21 shkurt 1914 dhe më 24 maj të këtij viti, mbas një mësymje nga kryengritësit, ai me familjen e tij “fluturoi” në kryqëzorin italian “Misurata”. Megjithatë të nesërmen u kthye prapë në Pallatin e vet, por ikja që kish bërë një ditë më parë prej qyteti në luftanije, ia humbi rëndësinë dhe e bëri të pamundur që ai të kishte pamjen si sundimtar i një populli ndaj të cilit burrëria, zemra dhe trimëria janë gjëra fare të zakonshme. Një veprim i vogël i komedisë u luajt më 5 qershor, kur në drekën e kësaj dite luftanija “Tegelhoff” duhej të dëfrente Princin. Një ceremoni mbretërore qe paramenduar dhe ministrat e pranuan, por atë ditë Komisioni Ndërkombëtar po mundohej për të ardhur në marrëveshje me kryengritësit e, për këtë kishin frikë se mos alarmoheshin dhe dëshpëroheshin këta nga krismat e topave. Komisioni doli fitues në ndalimin e ceremonisë, por jo me kryengritësit të cilët nxirrnin të vetmen fjalë: “Princi lipset të shkojë nga toka e jonë”.
Në anën tjetër të gjithë degët e fuqive sunduese çdo minutë vinin në mosmarrëveshje më të mëdha dhe ngatërroheshin më keq në mes tyre. Disa ia ngarkonin gjithë shkakun e ngatërresave oficerëve holandezë, të cilët kërkonin me pasur fuqinë eprore dhe jepnin urdhra mbi ata të qeverisë së rregullt. Prandaj më 22 maj, anëtarët e kabinetit shkuan si një grup dhe i dhanë dorëheqjen Mbretit, duke thënë haptazi se nuk durojnë të përdoren më si kukulla në duart e oficerëve holandezë dhe të marrin përsipër gabimet trashanike dhe keqbërëse të tyre. Por në anën tjetër në këtë kohë, oficerët holandezë ishin të vetmit mbrojtësit e Durrësit, duke komanduar malësorët shqiptarë, gjuhën e të cilëve as që e kuptonin. Ditën e 15 qershorit 1914, komandant kolonel Tompson u vra dhe me qindra njerëz u vranë në kënetë.
NGATËRRESA NË DURRËS
Mbërrita në Durrës me datën 18 qershor. Gjatë një jave që kalova në Gjirokastër me kryetarët e kryengritësve, unë pata mësuar për vrasjen e 70 muhamedanëve të pa armatosur, të cilën Komisioni e kishte vërtetuar por kryengritësit e mohuan dhe e pata vënë veten në dijeni me gjithë mosmarrëveshjet që qëndronin në mes të “epirotasve” dhe Komisionit Ndërkombëtare, për të bërë paqe. Unë jo vetëm që u habita, por edhe u tmerrova për ngatërresat që gjeta në Durrës. Secili anëtar i Komisionit ishte me armë në dorë kundra tjetrit dhe në vend që të dëgjonin lajmet e dobishme që solla unë, secili e shkonte kohën duke më pëshpëritur në vesh gjërat pa mend dhe keq bërjet e tjetrit.
Asnjeri nuk kishte as më të voglën ide se kush e kishte sundimin ose komandën më të lartë, e cila kërkohej me njëfarë autoriteti nga Princi, nga Komisioni, nga oficerët holandezë dhe nga kabineti. (Sepse marrëveshja e Londrës e kishte zhytur këtë punë duke ia dhënë në njërën anë komandën njërit e, në një tjetër tjetrit, herë Komisionit e here Princit e herë oficerëve holandezë – shën. përkth.). Me i përshkrua hollësirat e ngatërresave që çdo ditë u bënë edhe më të këqija në Durrës, nuk do të ishte edhe aq e dobishme. Qeveria shkoi një herë në Vlorë dhe iu desh me u kthye prapë në Durrës, për arsye komplotesh dhe aty gjeti kryengritjen e Esad Pashës. Një oficer italian u zu natën në Durrës duke i bërë shenjë kryengritësve e, në këtë mënyrë duke iua drejtuar udhët e operacionit. Kur e arrestuan u gjet se ai qe duke bashkëpunuar me oficerin që kish pas qenë ngarkuar me mision nga Princi për të mbrojtur Durrësin nga kryengritësit; atëhere misioni u pezullua.
Një oficer holandez më tha se Princit nuk mund t’i mbushej mendja kurrsesi për t’i prirë ushtrisë e, as me u duk më para luftës. Luftanijet e gjashtë Fuqive rrinin në një qetësi të vdekur në port. Kur qyteti u mësy, komandantët e tyre u thirrën për të shtirë ca topa sa me trembur kryengritësit, por ato kundërshtuan, duke thënë se kanë urdhra të rrepta me vepru vetëm për mbrojtjen e personit të Princit e të familjes së tij. Kjo tregoi qartazi se Fuqitë e Mëdha kishin vendosur mos me shtirë asnjë top për mbrojtjen e qeverisë që kishin marrë përsipër me themelua. Përvoja ime e fundit në Durrës qe një natë para se të largohesha, kur qeshë zgjuar prej një krisme të tmerrshme pushkësh në kënetë, pothuaj nën dritaret e mia./ Memorie.al
*George Fred Williams (1852-1937) diplomati amerikan, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi, në vitet 1913-1914.
Vijon numrin e ardhshëm














