Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al / CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të de klasifikuara tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti. Po kështu një vend të veçantë në dokumentet që CIA ka de klasifikuar, janë edhe ato ku flitet për emigrantët politikë shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë të inkuadruar në Komitetin e Prizrenit e kryesuar fillimisht prej Apostol Tanefit dhe nën presionet e UDB-së, që i rekruton me masa shtrënguese., siç është kthimi në Shqipëri, etj.
Ka gjithashtu shumë armiq të fshehur në qeverinë tonë që punojnë sipas urdhrave direkte të sovjetikëve, si dhe lëvizje disidente që ekzistojnë në zonat malore të vendit. Por frika jonë e madhe është braktisja e mundshme nga Perëndimi. Ne shpresojmë që ish-qytetarët sllavë në Shtetet e Bashkuara të ruajnë presionin maksimal mbi qeverinë e SHBA-ës për të vazhduar mbështetjen dhe për të shpëtuar Jugosllavinë nga një e ardhme katastrofike.
Shtetet e Bashkuara duan që ne të formojmë një qeveri koalicioni, por kjo është e vështirë në një kohë kur ne jemi tërësisht të angazhuar në mbrojtjen e vendit nga Bashkimi Sovjetik.
Ne kemi parë në vendin tonë pro-sovjetikë që janë bashkuar me komunistë italianë për të kryer aktivitete terroriste. Jemi të sigurt që sabotimi i anijes “Partizanka” do të kryhej në bashkëpunim me komunistët italianë, dhe kudër këtyre kërcënimeve të reja duhet të përgatisim ushtrinë tonë për çdo eventualitet. Nën udhëheqjen e Titos ne duhet të jemi gati të përballemi me çdo armik, si nga jashtë dhe nga brenda”.
Pas komenteve të Markoviç, njëfarë major Stojan Bruiç nisi t’i thoshte të pranishmëve se Jugosllavia ka nisur prej disa muajsh marrjen e masave kundër armiqve. Ai raportoi se morali i ushtrisë është i lartë, por gjithsesi ka ende njëfarë simpatie të mbetur ndaj sovjetikëve. Emisarët politikë të ushtrisë po punonin për riorientimin e forcave drejt linjës së pastër nacionaliste. Bruiç tha se Bashkimi Sovjetik ishte duke i dhënë ndihmë të madhe Shqipërisë fqinje.
Sipas tij edhe Shqipëria po lodhej nga dominimi i Kominform, dhe me ndihmën e Jugosllavisë do të kuptonte shfrytëzimin e pamasë që bëhet nga sovjetikët. Jugosllavia aktualisht është duke dhënë shembullin për partitë dhe vendet satelite sovjetike, duke u treguar se një vend mund njëkohësisht të jetë komunist dhe të ruajë liritë e tij.
Bashkimi Sovjetik është shumë i shqetësuar për këtë pasi përshtypja që ka dhënë Jugosllavia në vendet rreth saj i ka detyruar të marrë masa të veçantë për të mbajtur nën kontroll vendet e varura.
Problemet e fuqisë punëtore në Shqipëri
Dhjetor 1952
Në Shqipëri ekziston një mungesë e personelit të kualifikuar punëtor, sipas raportimeve të medias. Koço Theodhosi, presidenti i Komisionit Shtetëror të Planifikimit, ka deklaruar se sektorët e industrisë, minierave, transportit e bujqësisë, nuk kanë arritur të sigurojnë personelin e trajnuar, të nevojshëm për zgjerimin e tyre.
Rrapo Dervishi, ministër i Ndërtimit, ka sugjeruar punësimin e grave në këtë sektor. Për këtë janë cituar disa shembuj të punësimit të grave në bujqësi, si dhe faktin se 16 për qind e punëtorëve në Kombinatin e Naftës “Stalin” janë gra.
Koço Theodhosi, duke folur para Këshillit të Popullit më 20 maj 1952, njoftoi se gjatë dy viteve të para të planti pesë-vjeçar, 6.700 punonjës të kualifikuar ishin trajnuar. Por ai shtoi se me gjithë përpjekjet, puna e trajnimit të personelit nuk ka qenë e mjaftueshme.
Megjithëse kishte rritje të ndjeshme në industri, miniera, transport dhe bujqësi, nevojat për personel nuk ishin plotësuar, veçanërisht me punonjës me kualifikime të larta. Nuk kishte gjithashtu ndihmë të mjaftueshme të mesme teknike për përvetësimin e teknikave të makinerive të ardhura nga BRSS-ja.
Kjo mungesë e personalit të kualifikuar, Theodhosi tha se ishte bërë evidente në vitin 1951. Për shembull, punonjësit e kualifikuar në një fushë, hiqeshin prej ndërmarrjeve të tyre për të hapur ndërmarrje të reja dhe kjo shkaktonte çrregullime të organizimit.
Theodhosi tha se kishte shembuj të shumtë të zhvillimit me përmasa të diferencuara të industrisë, minierave, komunikimeve dhe bujqësisë, si dhe të pamjaftueshmërisë së punonjësve të kualifikuar. Për arsye të këtyre mangësive, kombinati i naftës Stalin në tremujorin e parë të 1952 ka përdorur vetëm 50 për qind të makinerive të tij dhe sondat e tij operonin vetëm për 55 për qind të ditës së punës.
Për të njëjtën arsye fabrika e sharrave në Tiranë operon vetëm 49 për qind të makinerive dhe e njëjta gjë vlen për fabrikat e makaronave, sapunit dhe gomës. Mangësitë shkaktojnë gjithashtu cilësi të dobët të mallrave. Rrugët janë asfaltuar me material të gradës së ulët. Theodhosi theksoi se problemi i trajnimit të personelit është thelbësore për plotësimin e planit por nuk ishte konsideruar si i tillë.
Ai përmendi gjithashtu se në shumë fabrikë kishte punonjës analfabetë. Për të tejkaluar këtë keq-proporcion të kërkesave të industrisë për krahë pune të kualifikuar ose jo, plani pesë-vjeçar ka programuar trajnim teknik të forcës punëtore në masën 81 për qind deri në 1955, në krahasim me rreth 31 për qind në vitin 1950.
Ministri i Ndërtimit Rrapo Dervishi, duke folur para Kuvendit Popullor mbi plani pesëvjeçar në 20 maj 1952, tha se brenda 5 vjetësh duhet të trajnohen 5.300 punonjës dhe specialistë më shumë. Por ai shtoi se deri tani, progresi ka qenë i pamjaftueshëm. Ai nxiti personelin e ndërmarrjeve të mos prisnin miratimin e ministrive për marrjen e trajnimit, për rastet kur nuk ishte nevojë për diçka të tillë.
Më shumë iniciative duhej treguar nga drejtuesit e ndërmarrjeve, tha ai, dhe gjithashtu ministria duhej të reduktonte pengesat të cilat të maskuara si kuadër koordinimi, vetëm kufizojnë të drejtat e tyre. Pa eliminimin e këtyre pengesave në sektorin e ndërtimit, ai tha se do të ishte e pamundur të realizoheshin objektivat e planit pesë-vjeçar.
Gratë në prodhimin bujqësor (“Zëri i Popullit”)
Gratë në rrethin e Kukësit janë një shembull i punës në bujqësi. Në fshatrat e këtij rrethi, gjatë sezonit të mbjelljeve, 1.118 gra kanë marrë pjesë në 47 ferma kolektive, shumica e të cilave kanë punuar përkrah burrave në mbjelljet.
Të tjera kane mbledhur mbetjet që përdoren për të fertilizuar tokën. Gratë e fshatit Surrel kanë fertilizuar tokat e tyre me 1.210 fuçi me fertilizues organik, ndërsa to në fshatrat Barje e Zagori, kanë fertilizuar rreth 90 për qind të tokave të tyre.
Në Kombinatin e Naftës “Stalin”, 16 për qind e forcës punëtore janë gra. Pjesëmarrja e grave në sektorin industrial po rritet nga dita në ditë. Në krahasim me vitin 1950, në 1952 përqindja e grave në industrisë është rritur me 300 për qind. Sot, 92 gratë e uzinës “Stalin”, mbajnë tituj punë dhe 27 janë dekoruar me “Medalje Trimërie”.
Fuqia punëtore në bujqësi
Krijimi i forcës punëtore është një nga problemet më të rëndësishme në realizimin e planit pesëvjeçar. Për këtë arsye partia dhe qeveria i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë këtij problemi në bujqësi. Komiteti Ekzekutiv i rrethit të Kolonjës ka dërguar një plan tre-mujor për mbushjen e vendeve të forcës punëtore.
Por fshati Qinan nuk e realizoi planin në tremujorin e parë të 1952. Madje edhe në dy muajt e parë të tremujorit të dytë fshati nuk arriti të dërgonte 11 punonjësit e kërkuar prej tij. Arsyeja për këtë situatë qëndron në mungesën e shembujve personalë të komunistëve vendorë si dhe në punë e dobët politike të organizatës së partisë së Qinan.
Dështimi i sekretarit të organizatës së partisë Ramadan Ibrahimi, në marrjen e hapave të nevojshëm ka ushtruar influencave negative mes komunistëve vendorë si dhe mes atyre jo-anëtarë partie. Vetë familja e tij mund të kishte furnizuar me 11 punëtorët e kërkuar, pesë bura e gjashtë gra, por asnjëri nuk u regjistrua për punë. Kjo është e vërtetë edhe për komunistë të tjerë në Qinan.
Mungesa e shembujve personalë nga vet komunistët ka sjellë punë të dobët politike mes fshatarëve, të cilët nuk po luftojnë sa duhet mendësinë e gabuar mes fermerëve si Qani Zylfo. Gjithashtu për këtë mungon dhe fryma e autokritikës. Plotësimi i fuqisë punëtore ka të bëjë dhe me përfshirjen e grave në forcën punëtore.
Kongresi i Dytë i Partisë e konsideroi diçka të tillë si një nga detyrat kryesore. Por organizata e partisë në Qinam mbeti neglizhonte dhe nuk dha shembullin e duhur, siç ishte mos-regjistrimi i asnjë punëtori nga familja e madhe e Ibrahimit. Kulaku Sulo Tefiku nuk regjistroi asnjë nga gratë e shtëpisë së tij për pjesëmarrje në punën bujqësore, duke thënë se ato ishin gra shtëpie dhe jo punëtore fushe.
Këto fjalë u përhapën dhe në fshatra të tjera dhe si rezultat edhe Zeni Mesareja dhe Gani Veterniku ndaluan gratë të regjistroheshin për punë bujqësore. Vlen të theksohet se dhe komiteti i partisë në Qinan nuk ndihmoi për situatën e krijuar, prandaj ai duhet të analizojë situatën dhe të bëjë autokritikë. Më pas duhet të marrë masa për të forcuar unin politike me fshatarët, pasi janë komunistët ata që duhet të japin shembullin të parët.
Komiteti ekzekutiv, forca punëtore (“Zëri i Popullit”)
Problemi i forcës punëtore nuk po shikohet me rëndësinë e duhur dhe nga disa komitete ekzekutive të rretheve. Rrjedhimisht ka një mungesë të forcës në qendrat industriale në dëm të prodhimit. Justifikimi që jepet zakonisht është se sezoni është për punë në fusha, por arsyeja e vërtetë është mungesa e organizimit. Disa komitete ekzekutive ia kanë arritur të gjejnë forcën e nevojshme punëtore të industrisë dhe bujqësisë, por ka ende ndryshime të thella midis rretheve.
Gramshi, Rrësheni, Skrapari, Berati dhe Elbasani kanë qenë të organizuar me keq, kurse rrethet e Krujës, Gjirokastrës, Sarandës dhe Durrësit, kanë dhënë rezultate më të kënaqshme. Meqenëse është fshati burimi kryesor i forcës punëtore, detyrat e autoriteteve lokale janë me rëndësi të madhe për zgjidhjen e problemit. Por gjithsesi përgjegjësi më e madhe qëndron me komitetet ekzekutive të rretheve. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













