Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Ajo është e para dhe e vetmja, asnjëherë në të kaluarën dhe as më vonë një sfidë e tillë e regjistruar në arkivin e përballjeve midis tyre. Ka qenë 20 qershor 2011, miqësore, ora 20.00, në “River Plate” -Stadium të Buenos Airesit, kuqezinjtë i pret një ndeshje epokale, ajo ndaj Argjentinës së Leo Mesit, protagonist edhe në atë 90-të minutash, pa harruar të shënojë edhe ndaj shqiptarëve në atë takim historik.
Argjentinë-Shqipëri 4-0 (2-0)
Argjentina: Sergio Romero, Marcos Rojo (’46 Pablo Zabaleta), Nicola Burdiso, Gabriel Milito, Javier Zanetti, Lucas Biglia (’46 Carlos Tevezz), Javer Mascherano, Angel Di Maria (’46 Fernanado Gago), Ever Banega, Ezequiel Lavezzi (’61 Sergio Aguerro), Lionel Mesi. Trainer, Sergio Batista.
Shqipëria: Arjan Beqaj (’73 Isli Hidi), Kristi Vangjeli, Endri Vrapi (’80 Renato Arapi), Franc Veliu, Andi Lila, Sokol Bulku (’66 Agonit Sallaj), Emiljano Vila (’46 Jahmir Hyka), Igli Allmuça (’57 Gilman Lika), Elis Bakaj (’66 Armando Vajushi), Gjergji Muzaka, Edmond Kapllani. Trainer, Josip Kuzhe. (Ditmar Bicaj).
Arbitër: Jorge Larrionda (Argjnetinë – Fifa).
Spektatorë: 20.000.
Golat: 5’Lavezi, ‘42 Mesi, ‘74 Aguero, ’90 Tevezzi.
Çfarë ishte ajo sfidë, ajo përballje e zhvilluar në qershorin e 15 viteve më parë, një muaj që koincidon me botërorin që sapo uli siparin, edicionin e 23 të tij. Ka qenë fund maji, kur papritur, u hap lajmi se Shqipëria do të zhvillojë një takim miqësor në Buenos Aires me Argjentinën. Për mjedisin futbollistik, ishte vërtet një befasi.
Cilët do të ishin ata futbollistë që do të kishin fatin të udhëtonin për herë të parë në kontinentin latin, në Argjentinën e largët, për t’u ndeshur me një kundërshtar të përmasave kolosale, disa herë kampione bote dhe me lojtarë kalibri në përbërje, si kapitenin e “Interit”, Zaneti, 37 vjeç, takimi 139 me kombëtaren, Burdison e “Romës”, Di Maria-n e “Realit” të Madridit, Lavezin e “Napolit”, Tevez te “Manchester Citty” dhe Lionel Mesin e “Barcelonës”, vetëm 23 vjec, ndeshja e 56 me ekipin përfaqësues.
Tek ekipi shqiptar, që drejtohet nga Josip Kuzhe, spikat portieri Beqaj 35 vjeç, Igli Allmuça, Ervin Bulku 30-vjeç, Endi Vrapi 29-të. Më i riu Franc Veliu 22 vjeç, bashkë me Elis Bakajn dhe Emiljano Vilën, nga 23 vjeçarë. Ndeshja: Ajo do të fitohet 4-0 nga “Albiceleste” apo “Seleccion” me dy gola të shënuar në pjesën e parë nga Lavezi e Mesi dhe në të dytën Aguero e Tevez.
Komenti i shtypit vendas
Ndeshja e zhvilluar ditën e hënë, me Argjentinën që aktivizoi pjesën më të madhe të yjeve të saj, ndonëse trajneri la në stol, tre ndër më të mirët sulmues: Tevez (“Manchester Citty”), Gonzalo Higuain (“Real Madrid”) dhe Aguero (“Atletiko Madrid”). Lavezi e kaloi në avantazh Argjentinën në minutën 6, duke shfrytëzuar një mundësi, situatë të krijuar nga Mesi, i cili tërhoqi disa futbollistë kundërshtarë duke servirur me një assit të saktë për Lavezin, që ka konkretizuar nga një distancë e afërt.
Mesi kishte tri raste në pjesën e parë, por portierë Arjan Beqja e ndaloi të shënonte. “Ylli” i Barcelonës, mundi të realizojë në minutën e 43, pas një topi të marrë në zonë nga Lavezi, me të majtën nga 12 metra bëri që topi të ndalë në fund të rrjetës. Në fillim të së dytës, u aktivizua Aguero, që shënoi në të 75 minutë me një “palloneto” nga distanca e afërt, pasi mori një pasim nga 15 metra prej Mesit. Tevez që nuk luante në kombëtare nga viti i kaluar, i futur në fushë, shënoi në minutën e 90-të pas një furnizimi me një assit deciziv të Mesit.
Shqipëria, jo në lartësinë e Argjentinës, pasoi mjaft lojtarë të thirrur nga trajneri Kuzhe, nuk ishin në dispozicion. Shqipëria luajti me mungesa në formacion, pasi i mungonin disa futbollistë kryesorë, ndër të cilët mesfushori i “Gallatasarjt” Lorik Cana dhe sulmuesi Erion Bogdani i “Cezenës”, Hamdi Salihi, që nuk ishte lejuar nga klubi tij austriak, “Rapid”, ndërsa mbrojtësi qendror Lorik Cana, ishte në tratativa me disa klube, me mundësinë për t’u larguar nga “Gallatasaraj”.
Pas takimit Batista, trajneri argjentinas, do të deklaronte: “Më pëlqen si luan Mesi. Ai luajti një ndeshje të madhe, duke kontrolluar topin ashtu siç di ai. Jam i kënaqur për të. Ai dhe tre assist vendimtarë për shokët e tij”. Për më shumë rreth kësaj ndeshje, na njohin me intervistat e tyre dy nga protagonistët e kuqezinjve, mbrojtësi Franc Veliu dhe portierë Isli Hidi.
Franc Veliu: “Kam luajtur kundër Leo Mesit”
“90-të minuta, përballë një legjende” – kështu shprehet mbrojtësi Franc Veliu sot, lidhur me atë takim shumë të veçantë për karrierën e tij. “Udhëtimi, hoteli, kureshtja, stadiumi, atmosfera, ndeshja, emocionet. E kam ndër kujtimet më të bukura, të paharruara”- shprehet sot mbrojtësi i shquar kuqezi dhe i “Flamurtarit”, duke iu referuar asaj ndeshjeje, aq më shumë ndaj asit argjentinas”.
ZVeliu, një ndeshje unikale për një futbollist?
Nuk të takon shpesh, madje thuajse e pamundur në karrierën e një futbollisti. Së pari të luash ndaj Argjentinës, dhe ndaj atij grupi me lojtarë aq të mëdhenj. Kujtoj Zanetin, Lavezin, Di Marian, padyshim edhe Leo Mesin. Të gjithë në kulmet e karrierës dhe protagonistë me klubet e njohura në Europë.
Për një futbollist është një rasti ideal, një ndeshje historike, një dëshirë, por që pak e kanë atë mundësi për ta realizuar. Si një ëndërr, por një realitet, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata lojtarë të pranishëm në atë takim.
Një udhëtim i gjatë, një e parë kuqezi edhe kjo?
Nga Tirana në Romë, pastaj direkt në Buenos Aires. Orë pa fund, tjetër kontinent, një e parë për të gjithë ne. Na sistemuan në një hotel luksoz, aty ku pak ditë pas nesh do të vinte, të akomodohej Brazili. Një natë para ndeshjes, na pritën në ambasadën tonë aty, ku personali i saj shtroi një darkë. Në Buenos Aires qëndruam katër ditë, bënim stërvitje në një fushë, aty pranë hotelit.
Çfarë kujtoni në prag të takimit?
Në ato ditë, trajneri Kuzhe ishte në vështirësi, pasi e kuptonte që të gjithë donin të luanin, por nuk ishte e thjeshtë të vendosje për formacionin, ndaj një kundërshtari me lojtarë klasi, cilësorë, kualitete të larta individuale, përballë një spektatori, asaj atmosfere. Bashkë me frikën e një rezultati të paparashikueshëm. Nuk ishte e lehtë zgjedhja e lojtarëve, nisur edhe nga karakteristikat e atyre argjentinas, veçanërisht në aspektin teknik pastaj taktik.
E prisnit të luanit ndaj Mesit?
Në një farë mënyre, po, pasi edhe tek “Flamurtari”, në kombëtare, më duhet të markoja sulmuesin kundërshtar, atë më kryesorin. Ndonëse te Argjentina ishin disa, si Lavezzi, Di Maria. Traineri Kuzhe, më vlerësonte. Në pjesën e dytë si trajneri argjentinas, edhe Kuzhe, aktivizuan disa lojtarë të tjerë. Por, unë dhe Mesi, e përfunduam lojën në fushë, jo në stol.
Si u ndjetë kur u luajt himni shqiptar në “River Plate”-Stadium?
Shumë emocion. E pabesueshme për të gjithë ne. Kujtoj lojtarët e rreshtuar në mesfushë dhe ata përballë, të stolit. Një mundësi e papërsëritshme edhe kjo për një lojtar.
Mesi, ishte autor i një goli?
Të dytin, por duke shërbyer edhe një assist man për Lavezin në golin e parë. I paparashikueshëm, shpesh e humbisja kontrollin. Për një çast e shihja larg, dhe krejt papritur në zonë. Asnjëherë në një vend, në një pozicion, por kudo, duke vrapuar e lëvizur. Mundohesha të isha u kujdesshëm në ndërhyrje.
Çfarë ishte ajo ndeshje, pra si u bë e mundur që Shqipëria të luante ndaj Argjentinës?
Ai takim ishte në programin e përgatitjeve që ekipi argjentinas po bënte në prag të fillimit të Kupës së Amerikës Latine. Një turne që do të niste pak ditë më vonë, më 1 korrik dhe do të zhvillohej në Argjentinë, e cila ishte në grup me Kolumbinë, Bolivinë dhe Kosta Rikën.
A pritej një Argjentinë të merrte Kupën e Amerikës?
Interesim i madh, një stadium plot spektatorë, specialistë, gazetarë, televizione. Argjentina kishte një ndër formacionet më të famshme të kohës. Kujtoj se në gjysëm finale, pas barazimit 1-1 me Uruguajin, Argjentina u eliminua me penallti, të humbur nga Tevez. Kupën e fitoi Uruguaji.
Kush nga ju ja mori fanellën Mesit?
Unë nuk munda t’ja marr. Për një fakt të thjeshtë, pasi Mesi ja kishte premtuar Kapllanit, i cili ja kishte kërkuar që në fillim të lojës. Këtë ma shprehu gjatë ndeshjes. Komunikoja italisht me Mesin. Sa i madh në fushë aq i thjeshtë, korrekt në komunikim. Mundohesha të isha u kujdesshëm në ndërhyrje.
Isli Hidi: “Mesi shënoi një gol me dorë, si Maradona”!
Tjetër detaj që i referohet asaj sfide, e risjellë nga ish-portieri Isli Hidi, i aktivizuar në pjesën e dytë. “Në hotel, në analizën para ndeshjes, kur na informuan për formacionin e Argjentinës, vështruam Kuzhen, pastaj pamë në sy njëri-tjetrin. Si mund të luhej ndaj asaj skuadre, atyre lojtarëve”?! – kujton Hidi.
Z. Hidi, duke iu rikthyer asaj përballjeje, nga do e nisni?
Nga udhëtimi, sa i gjatë, aq edhe i lodhshëm. Tetë ora transit në Romë, duke bredhur rrugëve të saj. Gjithë natën në avion, kur mbërritëm në hotel vetëm gjumë, tre ditë mezi morëm veten. Kujtoj lojtarët, fizioterapistin Ylli Mihalin e paharruar, një aventurë e parë dhe e fundit për të gjithë ne.
Ishit për herë të parë në një mjedis “zjarr”?
Po, shumë e vërtetë. Stadiumi, atmosfera, nuk e tregoj dot. Tipike latine. Nuk e kishim parë një të tillë. Në pjesën e dytë kam zëvendësuar Beqjen, që për të ishte e fundit në kombëtaren, sepse pas asaj ndeshjeje la futbollin.
Mesi, pa asnjë ndryshim, si atëherë edhe sot?
Edhe sot kur e shoh, më sjell në kujtesë atë çfarë nuk e harroj. 90 minuta, me ndërhyrje sistematike nga lojtarët tanë, se si e fshihte topin, gjithmonë me atë në këmbë. Siç vepron aktualisht, me atë në zotërim, pavarësisht nga tentativat për t’j marrë, shpesh në mënyrë të parregullt. Në çdo moment, shoqërohej me entuziazmin e tifozerisë.
Me sa kujtojmë, legjenda shënoi, por u tha pasi një “mashtrim” prej tij?
Ishte një harkim, unë dola për të pritur topin, në dyluftim me Mesin, i sigurtë në ajër nisur edhe nga shtat-lartësia, kur befas shoh sferën të devijohet e të përfundojë në rrjetë. Shtanga, por shpejt e kuptova që Mesi e kishte devijuar me dorë, të stilit, mënyrës si Maradona në botërorin e vitit 1986, ndaj Anglisë. Protestova për një çast, por ndërhyri arbitri, që e anuloi. E kam dhe ruaj foton e atij momenti.
Pësoni dy gola, nga dy sulmues të famshëm?
I treti, ai i shënuar nga Aguero, nga një pasim milimetrik me të jashtmen nga Mesi. Këtë detaj e kujtoj mjaft mirë. Të fundit e shënoi Tevez. Çfarë emrash, të frikshëm, apo jo?
Para ndeshjes, a pati ndonjë pritje për ekipin kuqezi nga ambasada shqiptare në Buenos Aires?
U organizua një pritje nga komuniteti shqiptar në Buenos Aires, në bashkëpunim me ambasadën tonë, në mbrëmje, një natë para takimit. Nuk e dinim që në kryeqytet, por edhe në Argjentinë të kishte aq shumë shqiptarë./ Memorie.al













