Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e tretë
Memorie.al / / Ishulli i Sazanit i rrethuar kryesisht me bregdetin shkëmbor e ujin e pastër ngjyrë blu, si dhe Zvërneci me manastirin në ishullin e vogël, plazhin me dunat e rërës, pyllin me pisha të larta dhe florën e faunën mjaft e pasur, të cilat përbëjnë një bukuri të rrallë natyrore, prej disa muajsh janë bërë kryefjala e ditës e medias dhe politikës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare, (për shkak të një projekti turistik gjigant me një kompleks vilash e resortesh që parashikohet të ndërtohen nga një kompani e huaj nga SHBA-ës), duket se nuk kanë qenë vende tepër të njohura vetëm për peizazhin turistik piktoresk që ofronin, por edhe për pasuri nëntokësore! Siç është gazi dhe nafta, e konsideruar ndryshe si “ari i zi”. Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një dokument arkivor i vitit 1989, ku ndodhet proces-verbali i mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, të drejtuar nga Ramiz Alia, ku merrnin pjesë edhe Lenka Çuko, anëtarë e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror, si dhe Besnik Bekteshi, anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Industrisë, Minierave dhe Energjetikës.
Siç do të shohim nga dokumenti në fjalë, gjatë mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së (të cilat në fakt ishin kafe pune që zhvillonte Ramiz Alia në Shtëpinë e Partisë me vartësit e tij, anëtarë të Byrosë dhe sekretarët e Komitetit Qendror, të cilat incizoheshin e zbardheshin), ministri i Industrisë, Minierave dhe Energjetikës, Besnik Bekteshi, (i konsideruar si një nga më të përgatiturit dhe më profesionistët që kishte qeveria shqiptare e asaj kohe), pasi ka bërë një rezyme të gjatë për vizitën e tij në rrethin e Tropojës, duke folur kryesisht për pasuritë minerare që kishte ajo zonë në veri-lindje të vendit, është ndalur dhe ka folur edhe për të gjithë problematikën e sektorëve që mbulonte dikasteri që ai drejtonte, si nafta, gazi, kromi, bakri, qymyret, hekuri, energjetika etj., në të gjitha rrethet e vendit, nga veriu në jug.
Po kështu gjatë asaj bisede, ministri Bekteshi (i cili paradoksalisht ndiqej dhe survejohej prej kohësh nga Sigurimi i Shtetit, si agjent i mundshëm i Shërbimeve Sekrete të Bullgarisë, ku ai ishte diplomuar), është ndalur gjatë edhe tek kompanitë e huaja si ato gjermano-perëndimore, rumune etj., që ishin ofruar për kërkimin e naftës dhe gazit në vendin tonë, kryesisht në bregdetin e Zvërnecit dhe ishullin e Sazanit, ku ishin hapur puset e para për kërkimin e naftës që mendohej se ishte në thellësi të detit.
Përveç ekspozesë së ministrit Bekteshi, gjatë asaj mbledhje pune, Ramiz Alia u ka bërë me dije atyre (Bekteshit dhe Lenka Çukos, e cila çuditërisht flet me mjaft kompetencë edhe për naftën e problemet minerare), lidhur me takimin e bisedat që ai kishte pasur ato ditë në Tiranë me Zhoa Amazonas, (kryetarin e partisë marksiste-leniniste të Brazilit), me të cilin ishte këshilltar për problemet e kompanive të huaja që ishin ofruar për kërkimin e naftës dhe pasurive të tjera minerare në vendin tonë. Lidhur me këtë etj., na njeh dokumenti në fjalë që është nxjerrë së fundmi nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili publikohet për herë të parë dhe i plotë (me faksimilet përkatëse) nga Memorie.al.
PROCES-VERBALI I MBLEDHJES SË SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-së, DT. 6.VI.1989, E DREJTUAR NGA RAMIZ ALIA, KU MERRNIN PJESË EDHE LENKA ÇUKO E BESNIK BEKTESHI
M B L E D H J E
E SHOKËVE SEKRETARË TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË
Më 6 qershor 1989
Në këtë mbledhje u diskutua për zbulimet e reja në krom; për zhvillimin e konferencës së Frontit Demokratik të rrethit të Tropojës; për militantizmin komunist; për konkretizimin më të mirë të detyrave dhe për problemin e mekanizmit të punës e të shpërblimit; për ecurinë e punëve në sektorin e naftës e të mineraleve të tjera; për çështjen e firmave me risk; për shkathtësimin e metodës së punës në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme, për disa probleme që nxjerr vetë zhvillimi i vendit tonë dhe për probleme të ndryshme.
Mbledhjen e drejton shoku Ramiz Alia, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë. Në këtë mbledhje marrin pjesë shoqja Lenka Çuko, anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror; dhe shoku Besnik Bekteshi, anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Industrisë, Minierave dhe Energjetikës.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po me specialistët gjermanë erdhën për të biseduar për Uzinën 12?
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Grupi i parë pritej dje ose sot. Edhe nga pala jonë shokët janë përgatitur për të biseduar konkretisht se ç’duhet bërë lidhur me me rekonstruksionin e Uzinës 12 pa ndërprerë prodhimin. Jemi në pritje se ç’rezultate do të sjellë ky takim. Këto ditë për këto probleme kam biseduar me shokun Adil.
Planet në këto drejtime që përmendëm janë të mëdha, por dhe duhen mbështetur. Nuk kam pretendim të madh, po mendoj që si bujqësisë, ashtu dhe kromit e naftës i duhet dhënë një mbështetje më e madhe.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jam dakord që kromi dhe nafta të kenë një mbështetje më të madhe, por tani them se përparësi duhet t’i japim zgjidhjes së problemit të transportit, sektor në të cilin ka shumë dobësi.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Nisur nga kërkesat në rritje për transportin dhe mospërballimin e volumit të madh të punës prej tij kam mendimin se duhet bërë një plenum për problemet e transportit.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Është mbajtur një plenum për problemet e transportit, por, duket, qe i përgjithshëm dhe nuk pati ndonjë ndryshim.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Në qoftë se flasim për plenumet, shoqja Lenka, ato konkrete kanë qenë, mirëpo koha e zhvillimi vazhdimisht nxjerrin probleme të reja. Në minierën e hekurit në Gurin e Kuq, i kemi pothuaj të tëra proceset të mekanizuara, gjë që nuk sillte asnjë problem as për fuqinë punëtore, as për realizimin e planit. Në vendin tonë ka dhe miniera të tjera në të cilat shumë procese pune janë të mekanizuara.
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe miniera e qymyrgurit në Memaliaj, edhe minierat e kromit e të bakrit, duhet të mekanizohen me doemos.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Investimet e bëra në këto miniera në krahasim me naftën japin më shpejt dhe më shumë efektivitet. Në vërtet kemi shumë nevojë dhe për naftë, por këta sektorë i me vijnë shumë shpejt të në ndihmë ekonomisë.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Vërtet kromi e bakri vijnë shumë më shpejt në ndihmë ekonomisë dhe kanë më tepër efektivitet, por ekonomia jonë ka shumë nevojë për naftë dhe këto nevoja sa vijnë e rriten, ndaj sektorit të naftës nuk mund t’ia pakësojmë investimet.
SHOJA LENKA ÇUKO: Mjetet e transportit janë konsumuar dhe harxhojnë shumë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mjetet e transportit duhen ripërtërirë, por tani mundësitë i kemi të kufizuara, prandaj t’u kushtohet kujdes mirëmbajtjes dhe shfrytëzimit më racional të tyre. Edhe shfrytëzimin më me intensitet të mineraleve si dhe hapjen e minierave të reja, e kemi të vështirë ta bëjmë në një kohë, sepse duhen investime të mëdha.
Dikasteret përkatëse të shohin mundësinë për të tërhequr në këtë ndërmarrje firma të huaja, për mekanizimin, për zgjerimin apo hapjen e minierave. Kjo punë mendoj se do të jetë me leverdi, pasi na jep mundësinë e investimit fillestar. Firmat e huaja janë të interesuara për t’u futur në një veprim të tillë. Për qymyrgurin janë të interesuar gjermano-perëndimorët dhe rumunët.
Në qoftë se do të angazhojmë, të zëmë, rumunin në kontratë, të bëhet e qartë se do t’i shlyhet investimi me gjysmën e shtesës së prodhimit të minierës, që do të marrë përsipër të bëjë mekanizimin. Afati i shlyerjes mund të caktohet për një periudhë 4–5 vjet. Kështu që ekonomia jonë ka leverdi. E njëjta gjë duhet bërë si për kromin, ashtu dhe për bakrin.
Kam përshtypjen se me firmat e huaja nuk po punohet seriozisht nga ana e dikastereve përkatëse, kështu që edhe ato nuk dinë kujt t’i drejtohen. Kur lind problemi për hapjen e një miniere apo për mekanizimin e saj, unë mendoj se s’ka pse t’i drejtohemi një shteti të huaj, por një firme me të cilën të biem dakord që shpenzimet t’ja shlyejmë me prodhimin e minierës. Për lidhjen e marrëveshjes, të dy palët do të parashtrojnë kërkesat sipas interesave që kanë. Përfaqësuesit tanë në këto raste duhet të nisen nga leverdia ekonomike.
Marrëveshje si këto që përfundojmë me firma, nuk t’i lidhim me shtete të veçanta, sepse asnjë shtet nuk është i predispozuar të pranojë kushtet tona. Ne ia kemi bërë të qartë se kredi nuk marrim, por duam të hyjmë në lidhje me formën e bashkëpunimit tekniko-financiar. Në këto kushte, ne na intereson të hyjmë në lidhje me forma të veçanta. Në një bisedë që bëra me Amazonën, i fola edhe për problemet e naftës në vendin tonë.
Ndër të tjera, atij i thashë se nga të dhënat shkencore që disponojmë, duket që nafta shkon drejt detit, gjë që na i vështirëson kërkimin, zbulimin dhe shfrytëzimin e saj për shkak të mundësive të kufizuara që kemi aktualisht. Më tej, i tregova se na janë bërë oferta nga disa firma të huaja për të bërë kërkime në det, por faktikisht s’kemi arritur në ndonjë përfundim konkret.
Ai, pa ditur asgjë për bisedimet që kemi bërë ne lidhur me bashkëpunimin me firmat e huaja për shfrytëzimin e detit, tha se sot në botë është mjaft e përhapur forma e marrëveshjeve me risk. “Por kjo formë, – vazhdoi më tej ai, – ka dhe një yçkël: Firma bën shpenzimet, mund të zbulojë edhe naftë dhe kur vjen puna thotë që s’ka gjetur gjë. Këtë kapitali e bën për të ditur dhe llogaritur rezervat botërore të naftës, dhe, mbi këtë bazë, OPEK-u dhe shoqëritë e mëdha të naftës, bëjnë politikën e çmimeve”.
Kjo, që tha Amazona, ndoshta mund të jetë arsyeja që këto firma janë të interesuara të dinë: a është baseni naftëmbajtës i Adriatikut një basen i tillë i madh, sa të ndikojë në rezervat botërore? Në fillim, firma e huaj me të cilën mund të biem dakord, dikasteret tona mund të gjejë naftë e të deklarojë të kundërtën, ndërsa në një etapë të dytë, varet nga interesat e saj, propozon të bëjë përsëri shpime, por me këtë rast ajo është e bindur se…aty ka rezerva nafte dhe del e fituar.
Këtë gjë e kanë bërë qind-përqind se sovjetikët në vendin tonë. Ata i kanë fshehur zbulimet e tyre duke thënë se nëntoka jonë nuk është shtresë naftëmbajtëse, por sa të vërteta ishin konkluzionet e tyre, e vërtetuan specialistët tanë, të cilët bënë shpime në këto zona e gjetën naftë. Këtë politikë sovjetikët nuk e ndoqën vetëm për naftën, por për të gjitha mineralet.
Bisedën me Amazonën e vazhduam për zhvillimin e bujqësisë. I fola për traktorët e rinj që blemë nga Republika Federale Gjermane, duke i treguar edhe formën e pagesës së vonuar. Amazona, pa ditur hollësi rreth diskutimeve që janë bërë për këtë çështje, tha se edhe kjo formë tregtie sot është mjaft e përhapur në botë dhe se ajo nuk ka asgjë të përbashkët me kredinë.
Vetë zhvillimi ekonomik botëror bën të domosdoshme, – përfundoi ai, – përdorimin e formave të tilla pagese. Këto çështje i bisedova me Amazonën për t’i treguar atij se te ne asgjë nuk bëhet spontanisht, por problemet diskutohen, rrihen mendimet dhe pastaj arrijmë bashkërisht në konkluzione.
Problemet e ndërtimit të socializmit nuk janë të futura në kornizë, ato kërkojnë diskutime. Rruga që ndjekim ne është rrugë e pashkelur që kërkon pjekuri e mendime të përbashkëta, sepse ndryshe, pa dashje, mund të biem në kundërshtim me parimet. Këto janë probleme ekonomike kyçe që nxjerr zhvillimi socialist, por që kanë karakter politik dhe si të tilla lindin nevojën për të sqaruar gjithsecilin.
Mund të ketë kuadro që, pa e njohur thelbin, ardhjen e një firme të huaj në vendin tonë për të hapur apo mekanizuar një minierë, ta konsiderojnë krijim të një ndërmarrjeje të përbashkët. Ndërmarrja e përbashkët pre-supozon në thelb bashkim kapitalesh.
Në bazë të rregullores për krijimin e saj, të dy palët caktojnë: kapitalet fillestare që vënë; vëllimin e investimeve që bëjnë; fuqinë punëtore që mban secila; teknologjinë që do të përdorin; çmimin e shitjes së produkteve dhe jetëgjatësinë e vetë ndërmarrjes; dhe, së fundi, kush nga bashkëpronarët do ta trashëgojë këtë ndërmarrje pasi t’i ketë kaluar afati i caktuar në kontratë.
Tregtia e Jashtme sivjet po shkon mirë, sepse japin dorë transaksionet, por s’duhet kënaqur me kaq, pasi dhe ato të lënë në baltë. Gjithashtu, koniunkturat e çmimeve ndryshon. Prandaj, rëndësi i duhet kushtuar prodhimit në vend, qoftë bujqësor, blegtoral, apo industrial.
Atëherë, nga pikëpamja strategjike, ne duhet t’i japim rëndësi krijimit të kushteve për zhvillimin e forcave prodhuese; vetëm kështu mund të sigurojmë për eksport krom, bakër, qymyr, energji elektrike, artikuj bujqësorë e blegtoralë të përpunuar, etj. Nisur nga ky qëllim strategjik, edhe Tregtia e Jashtme duhet të përpiqet të ulë në minimum eksportin e lëndëve të para dhe të rritë produktet e përpunuara, sepse këtu përfshihet dhe puna e gjallë e njerëzve.
Rritja e çmimeve të produkteve që ne eksportojmë është në favorin tonë, por kjo nuk do të thotë që të mbështetemi vetëm këtu. Vitet e fundit u veprua drejt që u ndryshua struktura e eksportit. Kjo bën të mundur që vendi ynë të mos ndodhet në situata të rënda. Vite më parë, përparësi në eksport kishte energjia elektrike, nafta, e pas tyre vinte kromi, hekuri, bakri e prodhimet bujqësore. Mirëpo, zgjerimi i gamës së eksporteve, vendosja për ndryshimet e përparësive të produkteve lehtësoi në njëfarë mënyre ekonominë. Eksportimin e energjisë elektrike e ndërpremë fare, pasi kishte nevojë vetë ekonomia jonë, etj.
Zhvillimi i ekonomisë bëhet në mënyrë dialektike. Kuadrot e specialistët që merren me tregti duhet të jenë të aftë e të shkathtë. Konjaku shqiptar, për shembull, është i preferuar dhe me emër në botë, por tani, për mungesë të melasës, ka rënë shumë prodhimi. A nuk do të ishte më e drejtë të blejmë melasë jashtë shtetit? Unë mendoj se po. Në këtë mënyrë, jo vetëm që melasa është lirë dhe konjaku shitet shtrenjtë, por i krijojmë një front pune shtesë industrisë, u sigurojmë punëtorëve punë për tërë vitin.
Kisha diçka edhe për Ministrinë e Tregtisë së Brendshme. Në kushtet e sotme të zhvillimit ekonomik të vrullshëm, Ministria e Tregtisë së Brendshme nuk duhet të luajë rolin e mëmësisë, domethënë të marrjes së prodhimeve nga industria e bujqësia dhe t’i nxjerrë për shitje në treg, por të shndërrohet në një organ shitës dhe prodhues.
Tregtia e brendshme, duke parë kërkesat e popullit që vijnë gjithmonë duke u rritur, mund të krijojë punishte të vogla për prodhimin e artikujve të cilët nuk i përballon industria, si sheqerka, karamele, biskota, pije freskuese, dhe të organizojë shitjen e tyre.
Njerëzit tanë duhet të kenë më tepër iniciativë. Idetë e plenumit të Komitetit Qendror të Partisë duhet të jenë burim frymëzimi për ta. Me vendimet që mori Plenumi i 7-të i Komitetit Qendror, kishim qëllim që t’i bënte fshatarët të interesuar për rritjen e prodhimit bujqësor. Kur themi që ai e bëri të interesuar fshatarin, pse të mos nënkuptojmë edhe punëtorin? Po, njerëzit tanë nuk marrin iniciativë t’i shtrijnë këto vendime edhe në industri.
Plenumi i 6-të i Komitetit Qendror shtroi detyra për zhvillimin e mëtejshëm të eksportit, duke hapur horizont për zgjerimin e tregtisë me vendet e tjera, etj. Po tregtia e brendshme, pse nuk nxjerr detyra për organizimin sa më të mirë të veprimtarisë së saj brenda vendit? Problemet që nxjerr çdo ditë zhvillimi socialist nuk janë të lehta.
Atyre u duhet dhënë rrugëzgjidhje pa vonesë. Partia duhet t’u rrënjosë njerëzve tanë besimin e plotë për vitalitetin e socializmit, për vetë mundësitë dhe rezervat kolosale që përmban në vetvete rendi ynë shoqëror. Teoria marksiste-leniniste, si teori e proletariatit, është ideologjia më progresiste e shoqërisë.
Njerëzit tanë, të pajisur me këtë teori, janë në gjendje të shmangin çdo pengesë, të përballojnë çdo vështirësi. Dje më erdhi Reisi (Malile) dhe bëri autokritikë për reagimin dhe qëndrimin e tij në mbledhjen e Byrosë Politike. Ti, i thashë, vepron drejt që bën autokritikë dhe ky problem do të mbyllet midis nesh. Komunisti duhet t’ia thotë hapur Partisë ato që mendon; askush nuk duhet të ketë paragjykime dhe të mbajë rezerva.
Ky fakt nuk më shqetëson dhe mirë bëre, – vazhdova unë, – që i the ato fjalë në mbledhjen e Byrosë Politike, por mua më shqetëson mentaliteti që ka zënë vend te ju, i cili do t’ju pengojë për punë. Është e gabuar të përdorni në punët tuaja atë metodë pune që kemi ndjekur 25 vjet më parë. Kohët kanë ndryshuar, kanë dalë në pah të tjera probleme. Sot nuk është ajo kohë kur luftonim për të pranuar Kinën në OKB. Shqetësimi im nuk duhet të jetë vetëm për ty si Reiz, – i thashë, – por për tërë aparatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Më tej i thashë se kot i re në qafë në mbledhjen e Byrosë Politike Sofokli Lazrit. Diskutimi i tij për metodën e punës në Ministrinë e Punëve të Jashtme ishte shumë korrekt dhe madje tepër konstruktiv, ishte ndihmë për ju. Ai tregoi se si duhet të punojë aparati juaj në këto kushte dhe është një gjë krejt normale. Sigurisht, autokritika e Reisit ishte normale. Kur njeriu i shpreh mendimet e tij, reflekton për ato që thotë
Shokët duhet t’i shprehin mendimet e tyre hapur e pa ndrojtje. Vetëm në këtë mënyrë do të korrigjojmë njëri-tjetrin. Të gjithë shokët janë militantë e luftarakë. Secili e shpreh një mendim nisur nga shqetësimi që ka për punën, nuk niset nga pozita të gabuara, por kur thotë ndonjë mendim të gabuar, ne e kemi për detyrë ta korrigjojmë. Prandaj, që të shkëmbejmë mendime me njëri-tjetrin dhe që të diskutojmë për problemet më lirshëm, unë mendoj se është e domosdoshme, është në të mirën e punës së Partisë./ Memorie.al




















