Nga XHORXH FRED UILLIAMS*
Pjesa e katërt
Memorie.al / “Bah! Shikoni këto barbarë!” ka thirrur çdo tiran që ka shtyrë në fatkeqësi viktimën e vet, kur më në fund e ka pa të pamundshme me e bërë skllav. Ngjarja e dhimbshme e Shqipërisë nuk i është treguar popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo ka qenë zhdukur në vendin e vet të Bajronit dhe të shteteve të mëdha, të cilët kanë vendosur të zhdukin nga faqja e dheut këtë popull heroik. Në sallat e errta të diplomacisë Europiane për shekuj me radhë, ka qenë mbyllure munduar fati i Shqipërisë. Edhe tani, me lot ndër sy dhe krejt e dobësuar nga robërija dhe padrejtësia e shekujve, ajo po nxjerr përpara duart thatanike për të kërkuar drejtësi dhe liri; por akoma më kot. Po, shpërblimi i mëkateve është vdekja dhe kujdesi i drejtë i Perëndisë nxjerr përpara faktin se gjendja e keqe e sotme e Europës rrjedh drejtpërsëdrejti po nga ajo politikë që e përdori për Shqipërinë.
Oficerët më lajmëruan në mëngjes se kishin dërguar nja 15 vetë nëpër kënetë për të kërkuar të vrarë e të plagosur, por njerëzit e tyre duke i kujtuar këta se ishin armiku qe po iu afrohet, shtinë mbi ta dhe i vranë të gjithë. E lashë këtë skenë mëkatesh, ngatërresash të ndyra dhe gjakderdhjesh me një zemër plot mëri kundër krimit të madh të Europës dhe plot simpati për popullin që iu desh me derdhur gjak për të mbajtur larg zgjedhën dhe një nga gabimet më skandaloze në historinë e Europës.
Tre muaj pas kësaj, Princi, familja e tij, Oborri e kabineti i tij, Komisioni Ndërkombëtar, ministrat e huaj, xhandarmëria dhe luftanijet, ikën nga Durrësi dhe Shqipëria u la sikurse është sot, pa qeveri. (Domethënë në kohën e Luftës I-rë Botërore – shën. përkth.).
MASA PËR SHPËTIM
Të nesërmen, pasi pata lënë Durrësin mbërrita në Vlorë. Kryetarët e Vlorës ishin besnike të Princit Vidit dhe i patën dhënë ushtarë për të luftuar kryengritësit e Shqipërisë së Mesme dhe “epirotet” në Jug të Vlorës. Prandaj këta gjendeshin në një frikë të përditshme prej ndonjë mësymjeje nga vëllezërit e vet. Që mos të vazhdohej më rrënimi në mes tyre, i këshillova që të shpallin pavarësinë dhe të bëjnë paqe me vëllezërit e vet.
Në emër të tyre shkova në Delvinë dhe takova kryetarin e qeverisë së përkohshme të Epirit, Zografo, i cili ishte i sëmurë në zemër pasi po kthehesh nga varrimi i 14 djelmoshave delvinjotë që sapo ishin vrarë në shpat të malit, ndërsa 40 burra shtriheshin të plagosur. Ai qe gati me bërë paqe me vlonjatët dhe kur ky lajm mbërriti Vlorën, u prit me shumë kënaqësi dhe duartrokitje.
Atë mbas dreke dy luftanije të Fuqive të Mëdha që bënin pjesë në Komisionin Ndërkombëtar, u ngulën në port dhe nën hijen e topave të Europës, nuk lejuan bashkimin që unë kisha parashtruar. Ata e dinin mirë që qeveria e tyre po kotesh mbi fronin e saj dhe se do të binte. Po ashtu e dinin që përmbajtja e veprave të tyre do të shkaktonte edhe më shumë gjakderdhje vëllazërore. Prej asaj kohe e mbrapa fuqitë “epirote” dhe kryengritësit e Shqipërisë së Mesme përparuan.
Më tepër se 100.000 barinj dhe bujq, gra, burra, fëmijë dhe foshnje, lanë shtëpiat e tyre, të cilat ua dogjën e ua shkatërruan dhe këta vetë emigruan në Vlorë. Kur unë u largova nga Greqia, sëmundja e lisë po përhapej nëpër këta emigrantë që pa ndihma dhe pa shpresë vdisnin në Qarkun e Vlorës. Pak mbas largimit tim, u raportua se nga këta 100.000 emigrantë, 30.000 kishin vdekur urie dhe s’kishin as mbulesë e as kasolle ku me shtrirë kryet. Jam informuar që nëpër gjithë Shqipërinë ka zi. Në pranverë nuk ka me patur misër për fare, për ata që do të shpëtojnë.
ZBULIMI I PADREJTËSISË
Mirë do ishte po ta kishte përshkruar gazeta ‘Times’ e Londrës skenën e Durrësit si një komedi tragjike, që brenda Pallatit Mbretëror luheshin shakatë cinike më të mëdha, që mbrapa maskave buzëqeshëse të diplomatëve të Europës fshiheshin fytyrat e errta e kriminele, shkaktare të vdekjes së këtyre njerëzve, se jashtë në kënetë shtriheshin qindra shqiptare mbrojtës të vatrave të veta, të fortë e të ngrirë, me sytë e tyre dhembshurisht të drejtuar kah qielli i cili dukej e pamëshirshëm për ta.
Dukesh një detyrë njerëzore, haptazi, me e shqyer maskën që mbulonte diplomacinë Europiane e me nxjerr fytyrën e saj të lyer me gjak atdhetarësh dhe shikimin e dobët të saj mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U ktheva në Athinë dhe pasi qeshë i shtrënguar e tregova këtë panjerëzi dhe këtë padrejtësi të fuqive Europiane dhe dhashë dorëheqjen si ministër i Amerikës në Greqi e në Mal të Zi, sikurse patjetër qeshë i shtrënguar për të bërë.
Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje në sallat e diplomacisë! Qe shorti im me ngrit perden që t’i jepja dritë kësaj komedie, e cila qe loja më tragjike që është vu në skenë prej duarve të njerëzve. Ky veprim qe ai që me ka hapur rrugën me iu lut popullit të lirë të Amerikës të ndihmojë shqiptarët që po mundohen me luftë e me vdekje, për lirinë dhe pavarësinë e tyre.
Kur Europa, e për-gjakosur, e mjeruar, e shfarosur, e falimentuar dhe e këputur do të hyjë duke çaluar në një periudhë të re qytetërimi, atëhere le të mësojë prej vuajtjeve të veta mëshirën që duhet të ketë për kombin e vogël malësor; e cila dëfrehesh me shtrëngimet e shpirtit e me britmat e vdekjes së tij dhe vepronte paturpësisht, duke i quajtur asgjë tmerret dhe vuajtjet e këtij populli për liri dhe humbjen e lirisë të një populli e quante një sakrificë të zakonshme për qejfin e tyre.
PËRPJEKJET PËR LIRI
Çdo popull i shtypur ka të drejtë të shkundë zgjedhën e tij dhe në qoftë se shqiptarët janë mërzitur e lodhur nga zgjedha turke dhe qeverimi i keq i saj dhe dëshirojnë me qenë të pavarur, kanë urimet e mia më të përzemërta për ta. Është e vërtetë që drejtpërsëdrejti nuk mund të bëj kurrgjë për ta, por kur plani i juaj ka dalë me të vërtetë fitues, flamuri turk të jetë zhdukur dhe pavarësia shqiptare të jetë shpallur, le të deklarohet qeveria juaj zyrtarisht dhe Anglia do të jetë e para fuqi që do njohë pavarësinë shqiptare. Unë do të mundohem me gjithë shpirt me ndikuar edhe mbi të tjerët që të ndjekin këtë shembull.
Për sa përmban historia e re, kjo është fjala më e mirë për Shqipërinë e dalur nga një burim zyrtar. Kjo kishte të paktën shpirtin e simpatisë dhe në qoftë se kryeministri i tanishëm i Anglisë thotë kaq, e jo më tepër për formimin e një qeverie të përkohshme në Shqipëri, do të jetë një punë e lehtë për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe të pavarur. Kur kam folur për robërinë e shqiptarëve nën Turqi, nuk kam patur në mendje mizori, tortura, vrasje dhe therje.
Këto veprime bien mbi persona të veçuar të cilët vuajnë, vdesin dhe harrohen. Shkenca e torturës, thelbi i tiranisë dhe djallëzia e vrasjes, janë në kulmin e tyre kur i drejtohen një grupi dhe shpirtit e jetës së një shteti. Duket si e pamundur që një qeveritë tregojë haptazi vendimin e vet për të shkatërruar kumtërinë e për të mohuar shpresat dhe dëshirat e një populli nën sundim. Por kjo është historia e tmerrshme e Turqisë në Shqipëri.
Malësorët trima nuk u shtruan kurrë dhe shumica e tyre kundërshtuan edhe pagesën e taksave. Ata vdisnin në grupe pse rrinin së bashku për t’u mbrojtur nga mësymjet e herë pas hershme të ushtrive turke, të cilave kurrë s’ia lëshuan shtëpitë e tyre. Por ata nuk mund të mbronin edhe fushat ku ishte mundësia më e madhe e përparimit dhe qytetërimit. Për Turqinë, fushat kishin dy vlera: e para si burim të ardhurash dhe e dyta për të mbledhur ushtarë.
Popullit i vinin taksa të mëdha që i mblidhnin pa mëshirë. Taksat dërgoheshin në Turqi dhe shumë pak shpenzoheshin në vend. Në këtë mënyrë e rropi Turqia pasurinë e vendit. San Xhuliano, tani vonë ministër i Jashtëm i Italisë, thotë se qyteti i Vlorës paguante 1.000.000 franga në vit dhe vetëm 20.000 shpenzoheshin aty. Gjithashtu edhe në Vilajetin e Janinës mblidheshin 9.000.000 franga, prej të cilave vetëm 2.000.000 shpenzoheshin për atë vilajet.
MBLEDHJA E USHTARËVE
Por e ardhura tjetër ishte edhe më e vlefshme. Shqipëria nxirrte pothuaj ushtarët më trima në Europë. Malësorët shqiptarë të lartë, të fortë e të pa frikësuar, përbënin gardën e Sulltanit. Mirditasit dhe malësorët përgjithësisht viheshin në pjesët më me rëndësi të ushtrive turke. Shumë prej tyre morën lavdërime dhe pozita të larta si në ushtri ashtu edhe në administratë.
Edhe në ditët e Romës pat qenë ideja për ta bërë Shqipërinë një fole për rritje dhe nxjerrje luftëtarësh, por Turqit e përmbushën këtë ide. Duhet shënuar se po të ishte Shqipëria e përparuar, e edukuar dhe e lumtur, nuk do t’i jepte ushtarë Turqisë. Për këtë arsye padituria, veçimi i saj nga bota e përparuar dhe varfëria u zgjodhën prej turqve si vegla për të mbajtur nën thembër këtë popull trim.
COPËTIMI I VENDIT
Siç duket, ishte vendosur në çdo fuqi mendore zhvleftësimi moral, intelektual, shpirtëror, ekonomik dhe politik i këtij populli. Zyrtarët që të gjithë ishin të pasjellshëm; të ashtuquajturat salla të drejtësisë, gjyqet, nuk mbronin as persona as pasuri. Njerëzit viheshin në burg me dëshmira të fshehta.
Gjithë lëvizjet për bashkim prisheshin nga nëpunësit e pashpirt dhe gjithë masat për punë e industri, pengoheshin nga tagrambledhësit. Mund të thuhet se këto janë kondita edhe në vende të tjera të nën urdhra, por jo kaq sistematikisht. Miniera ari patën qenë punuar prej romakëve e argjendi prej venedikasve. Këto patën qenë mbyllur shumë kohë përpara me urdhër qeveritar dhe tani as vendi nuk u dihet.
Pyje të mëdha shkonin më kot dhe kalbeshin për arsye ligjore dhe transportimi. Ndërsa në shtetet e tjera të Europës ka një endje të madhe hekurudhash, ky vend nuk ka asnjë rrugë hekuri prej Veriu në Jug. Fuqira të mëdha ujërash nuk përdoren; porte shumë të mirë janë pa mbrojtje dhe pa ndërtesa doganore. Lumenj, ndër të cilët duhej të lundronin avullore me transportu lëndët e pyjeve në tregjet botërore, janë të vdekur e të padobishëm.
Përveç ç’ka lanë romakët, rrugë të tjera nuk ka; një njeri për të shëtitur prej bregut në brendinë e vendit, ose prej një qyteti në tjetrin, duhet të shkojë mbas gjurmëve ose nëpër ndonjë rrugë qorre. Portet e sigurtë dhe hekurudhat do të ishin mjete për të bashkuar Shqipërinë me botën e jashtme dhe rrugët e gjëra do ta bënin të lehtë kalimin prej një qyteti në tjetrin.
Por ndërlidhje të tilla do t’i kujtonin popullit dobinë e qytetërimit dhe do të bëheshin shkak kundërshtimesh dhe kryengritjesh. Parimi i mallkuar për të mbajtur këtë vend të veçuar, si brenda me njëri-tjetrin, ashtu dhe me botën e jashtme, ishte shkak që e la këtë vend të verbët e të errët, ndërsa nëpunësit e Turqisë mbushën botën e jashtme me propaganda mbi egërsinë e këtij populli dhe rreziqet e udhëtimit në këtë vend. / Memorie.al
*George Fred Williams (1852-1937) diplomati amerikan, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi, në vitet 1913-1914.
Vijon numrin e ardhshëm













