Pjesa e katërmbëdhjetë
Memorie.al / CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të de klasifikuara tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti. Po kështu një vend të veçantë në dokumentet që CIA ka de klasifikuar, janë edhe ato ku flitet për emigrantët politikë shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë të inkuadruar në Komitetin e Prizrenit e kryesuar fillimisht prej Apostol Tanefit dhe nën presionet e UDB-së, që i rekruton me masa shtrënguese., siç është kthimi në Shqipëri, etj.
Jugosllavia krijon komitetin kundër vendeve komuniste të Kominform
Shtator 1950
Rezistenca Shkodër
Nacionalistët anti-komunistë në zonën e Shkodrës, përfshijnë të paktën 16 persona me influencë të konsiderueshme në këtë zonë. Ata i përkasin lëvizjeve të ndryshme politike por janë të gjithë antikomunistë të zjarrtë. Aktualisht ata nuk po nxisin zgjerim të lëvizjes së rezistencës, pasi besojnë se pa ndihmë nga jashtë kjo është e padobishme, përballë masave të ashpra represive të policisë së qeverisë së Hoxhës.
Në Shkodër pala kryesore antikomuniste përbëhet nga ndjekësit e ish-Mbretit Zog, ndërsa dy lëvizje të tjera janë Balli Kombëtar dhe Socialdemokratët. Balli Kombëtar nuk ka pasur ndonjëherë mbështetje të madhe dhe anëtarët e mbetur nuk kanë vetëbesim prej bashkëpunimit me komunistët gjatë kohës së luftës.
Ndërsa Partia Kristian-demokrate zotëron më shumë respekt edhe pse është lëvizje relativisht më e re. Zogistët zotërojnë një mbështetje më të mëdha se ballistët dhe social-demokratët të marrë së bashku. Forca e policisë komuniste të Shkodrës përbëhet nga rreth 250 njerëz, shumica e të cilëve janë vendosur në selinë kryesore, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në dy nënstacionet dhe dy burgjet.
Burgu kryesor ruhet nga rreth 25 njerëz nën komandën e drejtorit Riza Alia. Në të gjenden 437 të burgosur politikë. Ndërsa burgu më i vogël që mban 207 të burgosur jo-politikë, ruhet nga rreth 20 njerëz.
Dy nënstacionet e policisë kanë nga tetë njerëz secili. Fillimisht policia e Shkodrës e trajtonte keq popullsinë vendase dhe nganjëherë brutalisht, po kohët e fundit sjellja e tyre është përmirësuar disi dhe policia duket se mbyll sytë për shumë gjëra.
Anëtarët e policisë së Sigurimit veprojnë me veshje civile dhe gjuajnë më shumë vendet e njohura ku mblidhen nacionalistë anti-komunistë. Këta të fundit janë komunistë besnikë, në ndryshim nga administrata e zakonshme shtetërore e cila konsiderohet si komuniste në masën rreth 20 për qind.
Nëntor 1960
Në një fjalim madhor në Asamblenë Shqiptare në 25 tetor, kryeministri Shehu rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Kinës në debatin me sovjetikët. Shehu sapo ishte kthyer nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ku për habinë e të gjithëve në shumicën e komenteve kishte goditur propozimet e Hrushovit, duke thënë se idetë e tij nuk ishin praktike.
Fjalimi i Shehut, që ashtu si në raste të tjera reflektonte një panoramë botërore të ngjashme me atë të komunistëve kinezë, vjen në një kohë miqësie të fortë mes Kinës e Shqipërisë, dhe si një tjetër sinjal i thyerjes mes sovjetikëve dhe Tiranës. Komentet e Shehut ishin një vazhdim i ideve të paraqitura më parë nga Kina, me anë të të cilave ai prezantoi arsyet e pamundësisë për realizimin e propozimeve sovjetike.
Për shembull mbi çështjen e çarmatimit, ai tha se Shqipëria mbështet parimisht idenë por beson se imperialistët anglo-amerikanë nuk do të pranojnë kurrë çarmatosjen vetëm me anë të diskutimeve. Ai tha se vetëm me anë të përpjekjes së vendosur të të gjitha kombeve paqedashëse Perëndimi mund të detyrohet të pranojë çarmatosjen.
Në mënyrë të tërthortë Shehu kritikoi takimet e Hrushovit në New York me Titon, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë shprehu kundërshtim ndaj dy propozimeve sovjetike të prezantuara më herët nga liderët e vendeve satelite.
Ai dënoi idenë e çarmatimit total në Ballkan të propozuar më herët nga Georgiu-Dezh i Rumanisë dhe Zhivkov i Bullgarisë, duke e quajtur “absurde dhe e rrezikshme” për sa kohë që Perëndimi i armatosur e rrethon Bllokun. Ai gjithashtu refuzoi sugjerimin e Gomulkas se hapi i parë drejt çarmatosjes, është pranimi i bazave ekzistuese ushtarake në tokë të huaj.
Mehmet Shehu tha se kjo sjell pranimin e prezencës së qindra bazave amerikane rreth kampit sovjetik dhe për Tiranën kjo ishte kërcënim ndaj rëndësisë së Bllokut sovjetik, si një fener i socializmit në zonën e Adriatikut.
Fjalimi i Shehut vjen në një kohë tensionesh mes Shqipërisë dhe BRSS-së dhe afrim të saj me Kinën. Në një telegram falënderimi për Shqipërinë, Kina përgëzonte Tiranën qëndrueshmërinë e saj në përpjekjen e ruajtjes së pastërtisë së marksizëm-leninizmit.
Zëvendëskryeministri Këllezi, në një fjalim në 26 tetor pas kthimit nga Pekini, zgjeroi mbështetjen e Shqipërisë duke përfshirë dhe politikat e brendshme kineze, teksa lavdëroi “hapin e madh përpara të zhvillimit të teorisë marksiste në Kinë”. Sipas një raportimi të pakonfirmuar nga Franca, ambasadori sovjetik në Tiranë, nuk ka qenë prej disa javësh në Shqipëri, zyrtarisht për arsye shëndetësore.
Të ngarkuarit sovjetik me punë i është mohuar hyrja në ministrinë e Jashtme, ndërsa ambasadori kinez pritet çdo ditë aty dhe në byronë politike. Raportimet thonë gjithashtu për tërheqjen e teknikëve sovjetikë nga vendi. Shehu nënkuptoi gjithashtu se rotacionet në partinë komuniste shqiptare do të vazhdonin. Ai deklaroi me kërcënim se në Tiranë mund të gjeje ende revizionistë dhe oportunistë, që e përshkruajnë Kinën si “dogmatike apo të predispozuar drejt luftës”.
Shkurt 1961
Pekini i vë theksin miqësisë së pathyeshme me Tiranën; Blloku sovjetik kritikon deviacionin e Shqipërisë. Në kontrast me Bashkimin Sovjetik dhe vendet satelite komuniste të Evropës Lindore që kanë kritikuar deviacionin e Tiranës që prej konferencës së Moskës, Kina komuniste vazhdon të evidentojë atë që quan “miqësi e pathyer” me Shqipërinë.
Më 2 shkurt, Pekini njoftoi nënshkrimin e gjashtë dokumenteve ekonomike me Shqipërinë, të negociuara gjatë vizitës në Pekin te delegacionit shqiptar. Detajet e marrëveshjeve ende nuk janë bërë publike por me shumë gjasa hua të tjera janë miratuar për Shqipërinë.
Në një artikull të gazetës shtetërore kineze më 3 shkurt, duke vënë në lojë Moskën, theksohej korrektësia në deklaratën e nëntorit të shkuar të BRSS ku thuhej se të gjitha vendet socialiste, të vogla e të mëdha, kanë të drejta të barabarta dhe duhet të mbështesin njëra-tjetrën.
Pushteti shqiptar ka mbështetur Pekinin në debatin e tij me Moskën, prandaj është kritikuar nga vendet e bllokut sovjetik që prej mbylljes së konferencës së Moskës në fillim të dhjetorit.
Kreu i partisë komuniste gjermano-lindore Ulbricht, më 18 dhjetor akuzoi publikisht Shqipërinë dhe Enver Hoxhën për politika “dogmatike dhe sektariane” në fjalën e tij në konferencë.
Kjo ishte censurimi i parë për Shqipërinë që pas prishjes me Titon në vitin 1948. Vendet e tjera satelite dhe BRSS-së gjithashtu kanë kritikuar Shqipërinë në disa raste.
Në urimet e përvitshme të Vitit të Ri të Moskës për Shqipërinë ishte hequr shprehja e zakonshme; “shokë të dashur” ndërsa urimet e festës së republikës më 11 janar kësaj radhe iu drejtuan vetëm kreut zyrtar të shtetit Lleshi dhe popullit shqiptar, pa përmendur partinë komuniste.
Në të njëjtën ditë, një artikull i të përditshmes kryesore bullgare për Shqipërinë ishte hequr shprehja e zakonshme “shoku” kur flitej për liderin Hoxha. Por Tirana ka vazhduar linjën e saj devijacioniste, ndoshta prej besimit për ndihmën e vazhduar kineze.
Në kontrast me trajtimin që blloku sovjetik i rezervonte Shqipërisë, Kina komuniste shkruante në një editorial të 3 shkurtit, mbi marrëveshjet e reja tregtare, duke lavdëruar sjelljen e regjimit shqiptar.
Ajo fliste për korrektësinë e zyrtarëve shqiptarë dhe kreut të partisë Enver Hoxha. Duke shpresuar në ruajtjen e lidhjeve me Shqipërinë, Pekini me shumë gjasa do të vazhdojë ndihmën ekonomike me gjithë problemet e tij të brendshme. Mes viteve 1954 dhe 1958, Pekini ka dhënë rreth 20 milionë dollarë ndihmë ekonomike për Shqipërinë, kryesisht mbi financimin e dërgesave të mallrave dhe shërbimeve.
Sipas marrëveshjes së 1959, Kina ka dhënë një tjetër 13.8 milionë dollarë kredi për Shqipërinë, për përdorim në vitet 1961 deri në 1965. Në akordet e reja ekonomike të sapo përmbyllura në Pekin, ndihma ekonomike për Shqipërinë shihet të rritet ndjeshëm.
Një nga shembujt kryesorë të mbështetjes serioze për Shqipërinë është dërgesa e drithërave në Shqipëri, në një kohë kur gjendja e ushqimit është kritike në Kinë. Në vitin 1960 eksportet totale drejt Shqipërisë arrinin në rreth 105 000 ton, nga të cilat vetëm një pjesë e vogël vinin nga Kina, ndërsa pjesa tjetër ishte blerë nga Kina posaçërisht për Shqipërinë nga vende të Evropës Perëndimore, Australia dhe BRSS-ja. Dërgesa të tilla pritet të vazhdojnë gjatë gjithë këtij viti./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













