Nga XHORXH FRED UILLIAMS*
Pjesa e dytë
Memorie.al / “Bah! Shikoni këto barbarë!” ka thirrur çdo tiran që ka shtyrë në fatkeqësi viktimën e vet, kur më në fund e ka pa të pamundshme me e bërë skllav. Ngjarja e dhimbshme e Shqipërisë nuk i është treguar popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo ka qenë zhdukur në vendin e vet të Bajronit dhe të shteteve të mëdha, të cilët kanë vendosur të zhdukin nga faqja e dheut këtë popull heroik. Në sallat e errta të diplomacisë Europiane për shekuj me radhë, ka qenë mbyllure munduar fati i Shqipërisë. Edhe tani, me lot ndër sy dhe krejt e dobësuar nga robërija dhe padrejtësia e shekujve, ajo po nxjerr përpara duart thatanike për të kërkuar drejtësi dhe liri; por akoma më kot. Po, shpërblimi i mëkateve është vdekja dhe kujdesi i drejtë i Perëndisë nxjerr përpara faktin se gjendja e keqe e sotme e Europës rrjedh drejtpërsëdrejti po nga ajo politikë që e përdori për Shqipërinë.
ZAKONE GJAKMARRJE
Gjakmarrja është një traditë e shqiptarëve, por e rregulluar mbas ca ligjeve dhe zakoneve të vendit që caktojnë kur, kush dhe si është e drejtë një gjakmarrje. Në këto raste qeveria nuk përzihet, edhe në qoftë se ndërhyn do të ndjekë zakonin e vendit më tepër se ligjin. Ky “lex talionis”, rregull që jep të drejtë që të shpaguhet një dëm i ndërsjellët, ose si i thonë, një sy për një sy e kokë për kokë, jo vetëm që hyri nëpër ligje gjatë shekujve, por edhe nëpër besime. Gjykohej se shpirti i të vrarit nuk ka qetësi deri sa të vritet gjakësori.
Në Shqipëri familjes ose trashëgimtarëve nuk u mbetet gjakmarrja vetëm për vrasje, por edhe për çështje nderi grash. Gjaqet shpesh herë shtrihen deri në bajraqe, fise, dhe shpagime gjaqesh shumë herë kanë kapërcyer katunde e krahina. Ligjet turke në këtë vend nuk jepnin ndonjë farë drejtësie; madje i nxitnin këto zakone pasi ato-shkaktonin përçarje, grindje dhe armiqësira të brendshme ndërmjet Shqiptarëve, gjëra që i lehtësonin barrën Turqisë për të zbatuar më tepër tiraninë dhe robërinë. Me ardhjen në fuqi të ligjit të krimeve, ky zakon ndoshta do të zhduket me kohë sikurse në rastin e Malit të Zi.
GRATË SHQIPTARE
Ndërsa, si dhe në shtetet tjera të Ballkanit, gruaja bën të gjitha punët, si në fushë ashtu edhe në shtëpi, ajo shikohet më me respekt dhe zë një pozitë më të lartë se gruaja e Lindjes. Një grua mund të shëtis prej një ane të Shqipërisë në tjetrën, pa farë dyshimi, bile edhe një burrë që mund të ndodhet me të, nga shkaku i gruas është i sigurtë. Në qoftë se një vajzë e fejuar le të fejuarin e vet, ajo e ngarkon familjen e saj me një gjak, të cilin e ka të drejtë i fejuari i saj.
Përveç atyre të qytetit, nusja nuk merr pajë nga ati i saj, përkundrazi, dhëndri i paguan një shumë të hollash të atit të vajzës; për gratë e veja paguhet gjysma. Ndër gratë Shqiptare dashuria dhe bukuria nuk luajnë një rol me rëndësi. Ç’ka ia shton rëndësinë gruas pranë burrit, është të pjellurit; duke shtuar fëmijët, shtohet edhe pozita. Nuk ekzistojnë gjëkundi gra më të virtytshme se në Shqipëri.
BREZ I FUQISHËM
Gjaku i Shqiptarëve është gjak burrërie. Shqiptari i ka dhënë Turqisë gjeneralët dhe ministrat më të mirë. Vëllezërit e tyre në Itali, Toskanët, vunë themelet e vërtetë të madhështisë së Romës. Pesë perandorë të Romës qenë bij malësorësh Ilirianë; ata e forcuan racën Italiane. Në grykat dhe në malet e Atikës gjuha Shqipe është në përdorim edhe sot. Në përpjekjet e Greqisë për liri, Shqiptarësia në emra fame. Ata trazohen me të tjerët, por në trazim nuk bashkohen,domethënë nuk i përziejnë gjakun dhe zakonet e tyre. Të ruajturit e gjuhës dhe të zakoneve të veta nën thembrën dhe tiraninë e shekujve tregon mundësitë e një race të fortë e të pamundshme. Do të shohim se si Europa e përdori këtë çelës të Ballkaneve për të mbajtur mbyllur dyert e mëshirës e të dritës mbi një popull, i cili tani po lutet për pavarësi e liri.
NGATËRRESAT E FUQIVE TË MËDHA
“Djali im, ti nuk e di se me sa pak mëshirë qeveriset bota”.
(Uksensherna, kryeministër i Suedisë, 1612)
Shqipëria, një vend kaq i vogël e i prapambetur, pa kurrfarë qytetërimi, pse luan një rol kaq të madh në politikën e Europës? Është e nevojshme që t’i përgjigjem këtu kësaj pyetje, përgjigjja e së cilës trajton përmbajtjen e ndërlikuar të diplomacisë Europiane. Përgjigjja e shkurtër është se situata gjeografike e Shqipërisë paraqet probleme politike edhe më të gjëra se ato të parashtruara prej shteteve të tjerë të Ballkanit.
Gjendja e Shqipërisë është një faktor kryesor i problemit të Lindjes, mbasi kjo është udha natyrale e kalimit prej Adriatikut në Lindje. Përveç kësaj është edhe pikërisht vendi për daljen e tregtisë së Ballkanit dhe së fundi ajo ka në dorë komandën e hyrjes në Adriatik në ngushticën e Otrantos. Portet e saja, me portin në detin Egje të Selanikut dhe të Bosforit, janë çelësat e dyerve të Europës Lindore për në detin Mesdhe. Për të marrë në dorë këta çelësa diplomacia e Europës ka punuar për dy shekuj rresht.
PËRJASHTIMI I RUSISË NGA DETI MESDHE
Përmbi të gjitha del e dukshme figura e Rusisë, qëllimi kryesore politik i së cilës ka qenë me patur kalim të lirë në detin Mesdhe. Për këtë qëllim ajo e patë arsyeshme shkatërrimin e Turqisë. Në vitin 1711, Pjetri i Madh thirri në ndihmë shtetet sllave të Serbisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Bosnjës,Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi për t’u bashkuar me të në një luftë fetare e racore për të liruar të krishterët orthodoksë dhe gjithë popujt që flasin gjuhën sllave nga zgjedha otomane. Që prej asaj kohe, Rusia dhe Turqia kanë qenë në një ndeshje të përhershme dhe Rusia është bërë mbrojtësja dhe ndihmësja e shteteve sllave.
Këto kondita iu paraqitën parlamentit prej Sir Eduard Greit (Ministër i Jashtëm i Britanisë), parlament i cili ishte vendi i zakonshëm i diplomacisë Europiane në të kaluarën. Është për t’u shënuar se shtetet që emëroi Cari i Madh, bashkë me Hungarinë dhe Poloninë, formonin një rreth të fortë popujsh sllave kundrejt Austrisë Gjermane. Ëndrra për t’ibashkuar këta popuj në një perandori sllave qe një lumturi për Rusinë dhe Serbinë, por një tmerr për popujt Gjermane dhe për të gjithë Europën Perëndimore. Nga frika e kësaj fantazme të një perandorie sllave, fuqitë e Europës kanë ndenjur të bashkuara për të mos e lënë Rusinë e as aleatët e saj sllave, me zënë vend ose me krijuar ndonjë kalim për në Detin Mesdhe.
Por fakti kryesor që i takon Shqipërisë është se fuqitë Enropiane e përkrahën sundimin turk në Europë dhe e mbrojtën atë kundra Rusisë për të vetmen arsye se zhdukja e Turqisë nga Adriatiku deri në Stamboll, do të shkaktonte ndarjen e këtyre vendeve fqinjëve të tjerë, dhe në këtë mënyre do të hapej çështja e madhe e sllavëve për të dalë në Detin Mesdhe. Lufta Krimesë u bë prej Anglisë dhe Francës për të mbrojtur Turqinë kundra Rusisë dhe përfundoi me traktatin e Parisit në të cilin pavarësia e Turqisë u garantua dhe u sigurua. Ajo u pranuaqë të marrë pjesë në marrëveshjet e fuqive Europiane, kurse popujt e krishterë të Lindjes u lanë nën mëshirën e dobët të Sulltanit. Ishte përpara kësaj lufte kur Car Nikolla parashtroi që perandoria turke të mos njihej nga ana e Rusisë dhe Anglisë, por kjo e fundit nuk e pranoi këtë kërkesë.
TRAKTATI I BERLINIT
Në vitin 1878, Rusia pushtoi Turqinë dhe ndaloi në dyert e Stambollit. Traktatii Shën Stefanit u bë në mes të dy ndërluftuesve dhe me të cilin mjeshtërisht Rusia për të mirën dhe përdorimin e vet krijoi një shtet të madh Bullgar, që nga ana Jugore do të shtrihej deri në detin Egje duke përfshirë edhe portin e Selanikut. Kjo shkaktoi mbledhjen e shpejtë të fuqive Europiane të cilat bënë traktatin e Berlinit. Ky traktat ndaloi formimin e shtetit Bullgar të projektuar dhe vuri në heshtje kërkesat e Rusisë për të pasë një port në Detin Mesdhe.
Serbia, Rumania dhe Mali i Zi u shpallën shtete të pavarura. Një hartë e kohës së fundit do të tregoje se traktati e la një copë të Ballkanit akoma nën sundimin turk, e cila shtrihej prej Adriatikut deri në Stamboll dhe përmblidhte Bosforin, Selanikun, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Shtetet sllave të Bosnjes dhe Hercegovinës në Adriatik, iu dhanë Austrisë. Qe një këmbëngulje e vendosur për Europën që të mos lejonte shtet sllav të kishte një dalje në detin Mesdhe. Skllavëria dhe robëria e të shkretës Shqipëri nuk u bisedua; kjo ishte viktima e parimit të kësaj diplomacie të Europës.
KËRKESAT E SERBISË NË ADRIATIK
Lufta Ballkanike më 1912 nuk u prit me sy të mirë nga fuqitë Europiane. Historia e saj është e njohur por nuk është kuptuar krejtësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se dy gjërat më me rëndësi të kësaj lufte ishin marrja e portit të Selanikut dhe të porteve të Shqipërisë. Këta ishin vend-daljet natyrale të tregtisë së Ballkanit dhe vend-shkarkimet e hekurudhave të ardhshme.
Edhe Austria priste me padurim ndonjë rast për të shtirë në dorë portin e Selanikut, por shteti serb kërkonte mbi gjithë të tjerat një port për lëvizjen tregtare të tij. Ajo ishte e mbyllur dhe e izoluar larg detit dhe në qoftë se shkeljes së tokave të huaja i jepte të drejtë, Serbia pa turp mund të kërkojë një vend-dalje në det. Grindja e shteteve të Ballkanit në mes tyre u bë shkak që gjashtë fuqitë e mëdha të Europës të marrin në dorë frenat dukë ndërhyrë që t’i pushonin këto grindje.
AUSTRIA DHE ITALIA RIVALE
Në këtë kohë duhet përmendur edhe një fazë tjetër trazimesh në Shqipëri. Austria dhe Italia urdhërojnë ose komandojnë detin Adriatik përveç ballit të Shqipërisë. Këta dy shtete kanë pritur me padurim vite me radhë rastet për të shtirë në dorë portet e këtij vendi. Ata kanë shpenzuar të holla duke mbajtur në Shqipëri agjentë dhe shkolla për të shtuar ndikimin e tyre mbi këtë popull. Të dy këto kanë pritur ditën kur “i sëmuri i Lindjes” do t’u varrosej në anën tjetër të detit Egje. Mbi dy pika Austria dhe Italia qenë posaçërisht në marrëveshje: e para, që asnjëra prej tyre të mos sundonte Shqipërinë dhe e dyta që asnjë fuqi tjetër të mos vendosej në Adriatik.
Nga pikëpamja diplomatike e përgjithshme, kjo nuk qe një gjë shumë e pa arsyeshme. Pse, po të kish nën sundimin e vet Austria Shqipërinë, ajo do të gjendej vetëm 74 km. larg bregut Italian në mes të Vlorës dhe Otrantos. Dhe, po të bëhej Italia sunduese e Shqipërisë, do ta kthente Adriatikun në një gji të Italisë duke e bërë “il marenostra”, sikurse italianëve u pëlqen ta thonë. Në anën tjetër, çdo fuqi detare me zotërimin e Shqipërisë do të ishte një kërcënim e kanosje për të dyja, Austrinë dhe Italinë.
PERANDORIA SLLAVE
Plani për një perandori sllave ushqehesh më tepër prej Serbisë nën emrin e krijuar “Serbia e Madhe”. Edhe Mali i Zi është bashkuar me këtë plan; që të dy duke qenë nën kujdesin e Rusisë, mbrojtëses së tyre të betuar. Me një perandoritë tillë, provincat sllave, Bosnja, Hercegovina dhe Dalmacia, më lejen ose hapjen e Austrisë, do të bënin të mundur daljen e Malit të Zi dhe të Serbisë në Adriatik. Shumë u zemëruan këto shtete kur më 1908 Austro-Hungaria zgjeroi sundimin e vet mbi Bosnjen dhe Hercegovinën dhe i bëri kryekëput të vetat.
Kur të gjashtë fuqitë e mëdha e patën mbaruar Konferencën e Londrës mbi ndarjen Ballkanike, ato ndoqën po ata parimet e vjetra për të mos lejuar shtetet sllave me takuar Detin Mesdhe. Turqia pothuaj se qe tërhequr nga Ballkani dhe një problem i madh gjendej mbi tryezën e fuqive Europiane. Këto e zhvilluan këtë duke i dhënë portin e Selanikut Greqisë dhe duke krijuar shtetin e pavarur të Shqipërisë. Në këtë mënyrë varroseshin shpresat e Serbisë, e cila në këtë kohë është çuar në këmbe dhe ka shkelur Shqipërinë ndërsa Mali i Zi ka pushtuar Shkodrën.
SHQIPËRIA DHE LUFTA BOTËRORE
Në këtë plan veprimesh Austria dhe Italia ishin pa kundërshtim fuqitë lëvizëse dhe princi trashëgimtar Franz Ferdinandi i Austro-Hungarisë, shikohej si kujdestar i parimit të tyre. Serbia mjaft e zemëruar që prej vitit 1908, tani u tërbua dhe pa dyshim demonstratat e saja kundër Austro-Hungarisë qenë të rrepta dhe kërcënuese për hakmarrje. Qëllimi i gjallë i Europës për të përjashtuar Rusinë dhe aleatët e saj nga Deti Mesdhe, shihet edhe nga fakti se kur Austro-Hungaria mori Bosnjen dhe Hercegovinën, për pak qe duke u shkaktuar një luftë Europiane dhe vepra e krijimit të shtetit të pavarur Shqiptar sigurisht që duke ndezur një ndeshje të përgjithshme. Mëria e madhe kundra Austro-Hungarisë natyrisht iu drejtua princit trashëgimtar dhe vrasja e tij në Sarajevë keqësoi pa masë marrëdhëniet midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë. Mbas kësaj, ngjarjet rrodhën shumë shpejt.
Austro-Hungaria i diktoi ultimatum Serbisë dhe me kundërshtimin e tij i shpalli luftë. Rusia qiti zërin se kjo ishte puna e saj dhe brenda pak ditëve pesë prej fuqive të mëdha u gjendën në ndeshje të vazhdueshme. Po të kish përmbushur Europa dëshirat e Serbisë për një skelë në Shqipëri, kjo klimë e tmerrshme nuk do të vinte. Zotërimi ose sundimi mbi Shqipëri qe pa dyshim shkaku që u shkaktua kjo luftë që po përfshin kontinentin e Europës. Kjo është historia e diplomacisë Europiane në Ballkan, me gjithë se shumë shkurt është përshkruar. Prandaj përshtatet posaçërisht titulli “Ngatërresat e Fuqive të Mëdha”
FAJI I DIPLOMACISË EUROPIANE
Në qoftë se me të vërtetë bashkimi sllav është një kanosje për qytetërimin Perëndimor, sigurisht historia e diplomacisë përkundrazi ndryshon kur Rusia të ketë siguruar aleatë të fuqishëm në Perëndim për shkatërrimin e Gjermanisë,pengesën më të madhe të triumfit të saj. Por në qoftë se ky bashkim është vetëm një përrallë e shpikur ose një arsyetim jo i vërtetë, atëhere diplomacia Europiane duhet të quhet fajtore ndaj krimit që bën duke mbajtur Ballkanet nën zgjedhën e dobët të Turqisë. Në njërën anë prej këtyre dy çengelave, që janë përgjigjja e këtij problemi, duhet të varet kjo lloj diplomacie.
Edhe në qoftë se vërtetë se kanosja sllave qe një pretendim dhe që shtetet e mëdha deshën vetëm me gjetur shkak për të mbajtur Rusinë larg nga deti Mesdhe, vuajtjet dhe fatkeqsirat e Shqipërisë varen mbi duart e tyre sepse Shqipëria vuajti vetëm prej fajit të tyre. Me të vërtetë me sa pak mëshirë qeveriset bota! Po to kish prishur Europa një shekull më parë sundimin otoman në Europë, patjetër faqja e qytetërimit tonë do të ishte ndryshe. Shtetet e Ballkanit do të kishin tashmë një shekull vjetërsi në lirinë e tyre dhe mundet që në rrugën e paqes do të ishin më të përparuar në pasuri, në edukatë, në tregti dhe industri./ Memorie.al
*George Fred Williams (1852-1937) diplomati amerikan, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi, në vitet 1913-1914.
Vijon numrin e ardhshëm












