Nga Urb. Ark. Ervin Taçi
Pjesa e parë
Memorie.al / Koço Miho, lindur në Gjirokastër në vitin 1924, një nga profesionistët më të shquar urbanist dhe arkitekt shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore. Menjëherë pas Luftës, ku si patriot u bë pjesë si partizan i Brigadës së VIII sulmuese, u shkollua në Moskë në vitet 1948 -1953. Pas diplomimit angazhohet në strukturimin e institucioneve kryesore të projektimit në vend, në fillim si drejtues i ndërmarrjes “Projekti”, më vonë i quajtur Instituti i Projektimeve Nr.1, për tetë vite dhe më vonë në drejtim për 13 vjet të urbanizimit të kryeqytetit me statusin e Krye-arkitektit të Tiranës. Paralelisht ndikoi rëndësishëm edhe në strukturimin e degës së Urbanistikës dhe Arkitekturës pranë Universitetit Politeknik të Tiranës ku ishte pedagog për 10 vite. U qarkullua nga regjimi i asaj kohe në vitin 1974 në qytetin e Durrësit, në detyrën e punonjësit me të thjeshtë të urbanistikës së qytetit, si ndëshkim për autoritetin dhe personalitetin e pa kompromis, i cili e spikaste në drejtimin e Institucioneve më të rëndësishme kombëtare të urbanistikës dhe ndërtimit në përgjithësi.
Kjo ngjau, ndoshta për konçidencë, në kohën kur sapo ishin diplomuar disa prej bijve të ish-byroisteve të Partisë së vetme në pushtet dhe drejtpërdrejtë familjes Hoxha. Gradualisht Koço Miho u “rehabilitua” në vendin, që i takonte formimit të tij me projektet më të rëndësishme të strukturës së qytetit të Durrësit, në rolin e drejtuesit. Në qytetin e Durrësit përfundoi edhe karrierën profesionale në moshën e pensionit, duke mos u ndalur deri në fund të jetës së tij me përkushtimin ndaj profesionit me botime monografish për arkitekturën.
U veçua për projekte të rëndësishme të kohës si Pallati i Sportit “Partizani” (vit 1963), sot “Asllan Rusi”, Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore (apo siç njihet SHQUP), sot selia qendrore e Partisë Demokratike, Stadiumi “Dinamo”, Fakulteti Histori – Filologji, Kinema “Partizani”, ish- ambasadat çeke dhe bullgare, masterplanin e hyrjes së Durrësit me përfshirjen e projektit të Stacionit hekurudhor të Durrësit, formulimin urban të sheshit të stacionit, projektimin e rezidencave shumë familjare, parqet pjesë të kompleksit rezidencial dhe me dhjetëra banesa në qytetin e Tiranës dhe Durrësit.
Autor i disa monografive si; “Amfiteatri i Durrësit”, “Shqipëria Vështrim Urbanistik”, “Trajta të Profilit Urbanistik të qytetit të Tiranës”, “Arkitekt Kristo Sotiri”, “Historia e Arkitekturës në Shqipëri” vëll.2. Në kujtimet e tij z. Orhan Sakiqi inxhinier i ri në kohën kur Koço Miho drejtonte institucionin shkruan: “… Ai ishte burrëror, nuk servilosej përpara eproreve dhe ishte mbrojtës i vartësve të tij, për çdo lloj problemi qoftë edhe personal”.
Jeta profesionale: Projekte të spikatura
Në vitet e para të kthimit nga studimet në Moskë në arkitekturën Mihos ndjehet qartë influenca e shkollës Sovjetike dhe “frymës” së përgjithshme profesionale të cilën ai e jetoi atje. Qartësisht duket tek godina e “Fakultetit të Histori Filologjisë” apo “Kinema Partizani” të modeluara në trajtat e arkitekturës së spikatur neoklasike sovjetike eklektike, e cila kish dominuar periudhën staliniste të viteve 1933-1955, e përhapur ndjeshëm madje në të gjitha vendet e “Bllokut Lindor” të Traktatit të Varshavës, në objektet më të rëndësishme publike.
Ndërkohë, të tjera influenca të kësaj fryme të përgjithshme në ndërtim nga autorë të tjerë, ishin ato të ashtuquajturat “Pallatet e Shallvareve” dhe “Pallatet Agimi”. Thyerja politike me Bashkimin Sovjetik e Hrushovit, pas vdekjes së Stalinit, me sa duket ndikoi drejtpërdrejtë edhe në tejkalimin e imponimeve psikologjike të disa “kanoneve” të vendosura nga “baballaret” e internacionalizmit proletar ndërkombëtar nën dogmën e realizmit socialist në të gjitha artet, ashtu si edhe në arkitekturë. Me sa duket një “wind of change” e kohës u përcoll edhe tek ata që drejtonin sektorin e projektimit.
Ja si shprehet Petraq Kolevica për kohën kur filloi punë në ndërmarrjen “Projekti” në librin e tij “Arkitektura dhe Diktatura”(fq.73): “Më dhanë të projektoja një kopsht fëmijësh në Vlorë dhe Koço Miho atë kohë kryeinxhinier, më tha të kisha parasysh si model një foto të një objekti të tillë, nëse nuk gaboj, të ndërtuar në Kaliforni. Mua më dukej çudi që ma thoshte ai këtë, e më bënte të mendoja, se kishte ardhur koha të dilja nga kornizat e arkitekturës Sovjetike të importuar deri atëhere.”
Janë pikërisht këto momente kur Koço Miho projekton pallatin e Sportit “Partizani”. Godina lindi si nevojë e pasluftës për të patur objekte të rëndësishme të jetës në vend ku edhe sporti do duhej përfaqësuar. Kushtet ekonomike ishin tepër të vështira dhe nga të gjithë ata profesionistë të rinj të cilët drejtonin sektorë kyçe, përpjekja ishte maksimale që çdo investim të kalohej në “vrimën e gjilpërës” për sa i përket kostove që do të sillte në buxhetin modest të planeve 5 vjeçare të kohës.
Koço Miho si drejtues i Institutit te Projektimit Nr.1 në atë kohë, i propozon strukturave të shtetit, Ministrisë së Ndërtimit në atë kohë, të shikohej mundësia e shfrytëzimit të strukturave ekzistuese të hangarëve të avionëve që ushtria italiane kish lënë të ndërtuara pas kapitullimit të saj.
Hangarët ishin funksionale me dalje nga pista e njohur e fluturimit në Jug, por ajo kishte lidhje shumë te drejtpërdrejtë edhe me “Rrugën e Durrësit” në Veri. Pozicioni, pavarësisht se ishte për atë kohë tepër larg nga qendra e qytetit, premtonte në sytë e një urbanisti si autori Miho, për t’u shndërruar në një gjurmë mbresëlënëse në strukturën e një qyteti në formim e sipër.
Kontakti i drejtpërdrejtë me njërën nga dy rrugët kryesore të hyrjes dhe daljes në qytet, por edhe me Unazën e Madhe të Tiranës, e cila kish qenë pjesë e Planit Rregullues Italian po e konfirmuar edhe nga profesionistët vendas më pas, e bënin objektin pjesë të një konteksti urban të mirë-identifikuar.
Kthyer në retrospektive, ishte vizionare dhe më shumë personalitet profesional të vendosje një objekt të asaj rëndësie në atë rreze largësie nga “Sheshi Skënderbej”. Vetë objekti më pas u kthye si pikë reference dhe identifikimi për një pol të rëndësishëm të ri banimi si “Lagja e Laprakës”.
Pranimi i pozicionimit të Pallatit të Sporteve të lojërave me dorë nga funksionarët e kohës, ishte sigurisht i ndërlidhur edhe me faktin që po propozohej përshtatja e një strukture ekzistuese, që do të thoshte shumë herë më pak lekë investim dhe që në organet më të larta partiake do të reklamohej si e tillë dhe sigurisht që do të ishte e parefuzueshme.
Ishte pikërisht kjo pikënisja e projektit të Pallatit të Sportit “Partizani”, por që në vetvete përbënte një sfidë profesionale, dhe jo vetëm, si për nga përshtatja e standardeve sportive, ashtu edhe të teknologjisë ekzistuese me strukturë metalike të mbulesës së hangarëve. Nga ana tjetër objekti duhet të ishte edhe përfaqësues në vetvete si objekti më i rëndësishëm i sportit (pas Stadiumit “Qemal Stafa”), që po ndërtohej dhe që do të përfaqësonte edhe shtetin e ri të pasluftës në aktivitete ndërkombëtare.
Por një “sfide e vogël” e brendashkruar tek madhja ngacmonte sedrën profesionale të autorit të ardhshëm të veprës, për të lënë edhe gjurmën individuale tek një objekt kaq të rëndësishëm kombëtar. Dhe sfida brenda sfidës nuk ishte me veten se vetëm çfarë ai do të mund të krijonte individualisht, apo si do ta mirëpriste publiku profesional dhe jo profesional, por shumë më tepër. Si do të “përtypej” nga udhëheqësi i cili sipas edhe rrëfimeve të autorit, ishte në kontrollin e çdo objekti të rëndësishëm që projektohej në vend dhe veçanërisht në Tiranë.
Koço Miho brenda vetes kish tejkaluar ndrydhjen e imponimit të arkitekturës neoklasike sovjetike, pasi ndërkohë kishte ndodhur “de facto” shkëputja nga influenca e drejtpërdrejtë e diktatit suprem Rus. Provat e para ishin bërë me arkitekturën “e thjeshtë” racionaliste të justifikuar më kuptueshëm edhe me kursimet në investime. Por ky moment psikologjik fliste ndryshe; …Objekti do duhej nëpërmjet arkitekturës ta shfaqte rëndësinë e tij … po si?
Objekte të tilla “luajnë” në volume me proporcione të ndjeshme në hapësirën urbane që formulojnë dhe nga ku edhe perceptohen. Do ishte një objekt “i thjeshtë” përsëri? Po sa i thjeshtë? Këto ishin prag përgatitje të vetes me sfidën që e priste dhe në fakt sfida e artistit brenda unit e kapërceu hendekun e frikës ndaj përballjes me rrezikun real, që mund të identifikohej si ndëshkim për tejkalime të “pritshmërive” të realizmit socialist.
Arkitektura e vijave të drejta “Le Corbusier-ane”, racionale, por hera herës me “shpërthime”, perfeksionizmi i ndërthurjes së arkitekturës me inxhinierinë nga Nervi apo postulatet e Manifestit të Arkitekturës Futuriste të Antonio Sant Elias në 1909, e frymëzojnë për të transmetuar impulsin e energjisë identifikuese të objektit sportive, pikërisht tek momenti i funksionit të hyrjes në sallë që është edhe ballafaqimi kryesor i objektit me kontekstin urban.
Arkitekti këtu e kupton që çelësi i ndërhyrjes dhe “sforcoja” kryesore, madje edhe vetme ekonomike për të krijuar identitetin e objektit, gjendet ekskluzivisht në fasadën kryesore, e cila prezantohet në një perimetër rreth 100 m. gjatësi nga “Rruga e Durrësit”.
Shtrirja në horizontalitet e objektit kushtëzohet nga lartësia e hangarit ekzistues, por edhe normat e lartësisë së sallave te lojërave me dorë, që nuk i kalojnë 12 m. lartësi, ndërkohë që gjatësia e hapësirës së hangarit kryesor dhe një hangari tjetër ekzistues korrespondojnë me gjatësinë përcaktuese 100 m.
Horizontaliteti i “ekzagjeruar” me sa duket kërkonte thyerje dhe elementi i duhur “gjendet”. Ai nuk është një volum i shtuar nga faqja e rrafshet e volumit kryesor, jo … janë në fakt dy shkallë ekspresive të modeluara si “V” që orientojnë publikun në hyrjen drejt dy tribunave të sallës kryesore të lojërave me dorë.
Por kjo nuk mjafton, duhej gjetur mesa duket edhe një element tjetër për të “thyer” linearitetin e “fortë” të kondicionuar. Autori e gjen me valëzimin e përfundimit të objektit në lartësi, duke krijuar një siluetë sa identifikuese aq edhe të çlirët, duke e ç’tensionuar ngurtësinë e horizontalitetit të “ekzagjeruar”. Por identiteti i objektit nuk mund të kuptohet edhe pa gjetjen e elementit të tretë, por po aq të rëndësishëm./ Memorie.al
Shënim i autorit të shkrimit
Koço Miho një profesionist i shkëlqyer që pata fatin ta njoh dhe të rritëm profesionalisht me të në fazat e formimit universitar. Cilido nga profesionistët e rinj është i rekomanduar të lexoj botimet me mjaft vlerë që ai i trashëgoi bibliografisë së arkitekturës Shqiptare.
Vijon numrin e ardhshëm











