Nga Zija Çela
Pjesa e dytë
(Dhe ngjarje që ndërthuren)
Memorie.al / Një pasdite, po kaloja në brinjë të “Shallvareve” me time shoqe dhe shkrimtaren Luljeta Dano, kur shoh përballë zotin Xhelil Gjoni. Sikur e ndjeva se, pas shumë e shumë vitesh, kishte diçka për të më thënë dhe të dy biseduam më këmbë. Mbaj mend se më përmendi një intervistë, që do të botohej të nesërmen. Dhe më bëri me dije për një hollësi, tha se kishte pohuar që; “një miku im më kërkoi dorëheqjen”. Të nesërmen nuk di sesi më doli nga mendja dhe nuk e mora gazetën a revistën. Mirëpo formulimin se një mik ia pati kërkuar dorëheqjen, nuk e harrova. Xhelil Gjoni kishte qenë një nga partiakët e lartë gjatë regjimit komunist, por kishte bërë karrierë për pak vite edhe në pluralizëm, duke u zgjedhur deputet i Partisë Socialiste.
Rrugës për në shtypshkronjë kujtoja shumë halle, si çdokush në vend tim. Bluaja me vete se, po të kisha hyrë në burg, çdo të bëhej me familjen, cili do të ishte fati i fëmijëve, do t’i internonin së bashku me time shoqe?! Atëherë im bir ishte dymbëdhjetë vjeç, ime bijë dhjetë. Unë isha tridhjetë e gjashtë, pikërisht në moshën që Dritani do të mbyllte sytë nga një sëmundje e rëndë.
Por nëse disa sëmundje na i çon Zoti, si të ishte pak despotizmi totalitar, mjaft nga ligësitë shkatërruese ne ia çonim (e ia çojmë) edhe vetë njëri-tjetrit! Kujtoja e rikujtoja akuzat, mundësinë e burimit të tyre, nga dhe si ishin mbledhur. Për sa më kishte thënë Xhelil Gjoni, kishin qenë të sakta. Këtë s’mund ta mohoja.
Edhe dorëshkrimet e novelës e të romanit ekzistonin, i kisha ende, i kam edhe sot bashkë me përgjigjen e redaksisë dhe katër recensionet, pesë materiale të egra, që në dosje ndoshta ishin përfshirë si “dokumentime”. “Njerëz që jetojnë më të vdekurit” e kisha shkruar më 1973, ishte 56 faqe të daktilografuara. E kisha qarkulluar te disa duar në Kukës, shkrimtarë e jo shkrimtarë. S’e mbaj mend mirë nëse e çova edhe në Lezhë.
I ndjeri Agim Spahiu, Visari dhe unë ishim të lidhur me djemtë e talentuar të Lezhës dhe, kur e kishim të mundur, jepnim e merrnim dorëshkrime origjinale apo përkthime. Disa nga këto përkthime me emra të rremë, me gjasë përkthime të Rudolf Markut, të cilat i daktilografoja në tri-katër kopje me “Olivetti”-n tim, i ruaj gjithnjë.
Natyrisht, me ato ngarkesa që kishte, “Njerëz që jetojnë me të vdekurit” nuk kisha guxuar ta paraqisja për botim. Por është e vërtetë se e ripërdora më 1974, kur shkrova romanin e parë “Burrat nuk dalin nga lufta”, të cilin e paraqita njëherësh edhe për konkursin e vitit, edhe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Nuk vonoi dhe në Kukës erdhi haberi se romani po shihej si skandal nga juria e konkursit dhe dikush më këshilloi se më e mira që mund të bëja, ishte ta tërhiqja sa më parë. Nuk m’u lejua ta tërhiqja.
Ndërsa përgjigjja që erdhi nga “Naim Frashëri”, bashkë me reçensat, ishte shpartalluese. Aty paditesha edhe për çfarë as e kisha pasur ndër mend kur shkruaja. Sepse vetëm një i çmendur mund të vetë-denoncohej açik me tekstin ashtu. Ndër të tjera, ja ç’thuhej në përgjigjen e redaksisë së prozës: “Romani nuk ka hero pozitiv e kjo rrjedh ngaqë vëmendja e shkrimtarit nuk është përqendruar në ato fenomene që janë tipike për jetën tonë, sepse ajo është përqendruar më shumë në “hijet” sesa në “dritat”.
Në shumë skena dhe episode mishërohen ide pacifiste e disfatiste. Ideja e pacifizmit lidhet me atë të humanizmit mbiklasor, që pasqyrohet në keqardhjen e mëshirën kristiane…! Të katër ish-partizanët që kanë ardhur në festën e brigadës (…), përshkruhen kryesisht si njerëz të shushatur, ndonjëherë të paekuilibruar dhe që rrojnë me ankthin e vdekjes.
Fizionomia e tyre shpirtërore nuk është ajo e luftëtarëve komunistë, “burrat” të kujtojnë heronjtë e Remarkut e të Olldingtonit, ata janë heronj të lodhur nga “lufta”. Mbizotërimi i personazheve negativë në këtë linjë e përgjithësisht në tërë romanin krijon përshtypjen e gabuar se jeta jonë, vendi ynë socialist, është mbushur tej e ndanë me psikopatë, me mediokër, meskinë e burokratë. Urgua, që është i vetmi personazh pozitiv, paraqitet in-aktiv, në rolin e një soditësi.
Ku është ndikimi i ambientit punëtor tek ai, dhe aq më tepër te personazhet negativë?!.. Kjo zgjidhje e stisur të çon në idenë se lufta klasore në gjirin e popullit nuk duhet bërë, se revolucionarizimi i ndërgjegjes se njerëzve është një proçes i vetvetishëm. Ju keni pajtuar në mënyrë arbitrare dy gjëra që s’mund të pajtohen, dy ideologji armike. Si konkluzion, duhet të themi se ju keni krijuar një vepër mbi një platformë ideo-artistike të gabuar, shumë të dëmshme.
Romani juaj “Burrat nuk dalin nga lufta” nuk vlen për botim dhe s’ka mundësi ripunimi”. Shtoni këtu edhe vrullin e recensionistit shkrimtar, të ndjerit Fatmir Gjata, që për shkaqe të kuptueshme të ndjeshmërisë së lartë, tingëllonte si pretencë e gatshme: “Mund të mendohet, për shembull, se ideja qendrore është vetë titulli, “Burrat nuk dalin nga lufta”.
Por kush lexon librin, del me konkluzionin e kundërt…! Pasqyrimi i festës së brigadës (partizane) më shumë nëpërmjet syve të Dermanit e të zonjës Bektashe, që shpifin si armiq për veteranët, e jep festën pa emocione, pa entuziazëm, si një gjë amorfe dhe e nxin atë, përderisa në mend na mbetet mendimi reaksionar i Derman Dermanit se “njërin e rrasën brenda”, kurse për të tjerët kërkon të dijë se sa nga ish-partizanët kanë shkelur ose devijuar nga vija politike, që ka caktuar PPSH-ja.
Autori nuk merret me thellimin psikologjik të tyre (personazheve), por nxjerr në plan të parë fobitë, bile edhe deliret që janë karakteristikë për të sëmurët psikikë dhe njëkohësisht karakteristikë e letërsisë dekadente borgjeze. Të gjitha këto janë të papranueshme për metodën tonë të realizmit socialist”.
Tani përfytyroni gjyqin për një çast. Siç kanë dëshmuar përvojat e atëhershme me nenin e agjitacionit e propagandës, çfarë do t’i duhej më tepër prokurorit për akt-akuzën?! Kur Ramiz Alia u zgjodh President i vendit, Xhelil Gjoni u bë numri Një i partisë. Po të gjykohej nga karriera e gjatë, si dhe nga rrethanat kur veteranët e Byrosë dhe përgjithësisht nomenklatura e ndryshkur u treguan nul përballë realitetit të ri politik, kjo ngjitje e Gjonit ngjante e pritshme.
Mirëpo në këndvështrimin tim, e jo vetëm timin, shihja dy papajtueshmëri. Së pari, me udhëheqësit e monizmit do të vonoheshin proçeset e instalimeve demokratike dhe vetë rinovimi i së majtës. Unë mendoja se vendi duhej të shkonte djathtas dhe se këtë mund ta bënte më shpejt, por edhe më bindshëm e djathta e sapoformuar.
Pavarësisht se i kishte fituar zgjedhjet e para, e majta duhej të përgatitej për të kaluar shpejt në opozitë dhe rotacioni (nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme) nuk duhej të sillte as shkallmimin dërrmues të së majtës, aq sa të katandisej në opozitë parlamentare krejt raketike, as mospranim për dorëzimin e pushtetit, pra konflikt e dhunë. Sa ishte i përgatitur për këtë, në krye të partisë, Xhelil Gjoni?
Së dyti, zoti Gjoni gëzonte namin se përfaqësonte krahun e ashpër, atë më konservatorin në parti. Ky opinion ishte i përhapur gjerësisht, madje tashmë (dukej se po e merrte ferra uratën dhe ajo qeveri s’e kishte të gjatë) e trumbetonin edhe një pjesë prej atyre, që më parë ishin mburrur për një kafe me shokun Xhelil.
Fjala që kishte mbajtur në të ashtuquajturin miting të Tiranës kundër emigrantëve, që u larguan nëpërmjet ambasadave të huaja, kishte qenë aq kategorike dhe dogmatike, sa të krijohej bindja se ky lider ishte i pandreqshëm dhe i përkiste përfundimisht së kaluarës.
Unë kisha shumë distancë me zotin Gjoni, në kuptimin se nuk kishim asnjë marrëdhënie, as ndonjë takim qoftë dhe të rastit, madje s’isha i sigurt se çfarë mendonte për mua, sa peshë do të kishte tek ai fjala ime prej shkrimtari dhe personi publik. Sa më takonte privatisht, ruaja kujtimin se me dashjen e tij apo ndonjë rekomandimi nga instanca më të larta, kisha shpëtuar nga dera e burgut.
E megjithatë, arsyetoja se zoti Gjoni duhej të tërhiqej nga politika, sidomos nga lidershipi politik. Afërmendsh se kishte njerëz, të cilët mendonin po kështu edhe në kampin e tij. Po përse nuk ia thonin ata që kishte rreth e rrotull?!
Sepse disa i mbanin me thonj postet që kishin trashëguar ose kishin kapur, sepse disa të tjerë ishin të rinj më ambiciozë dhe, në heshtje, bënin llogari për të sulmuar e përparuar në karrierë në kohën dhe vendin e duhur. Mirëpo i gjithë ky stopim, i spërkatur edhe me makiavelizëm, shkonte në dëm të zhvillimeve të përgjithshme.
Shkurt, kisha përshtypjen se askush s’e kishte çelur gojën para shefit të tyre të madh për t’ia sugjeruar dorëheqjen. Një partiaku të majtë, që ia kërkova ta bënte, mblodhi supet e më pa i trembur, si të kishte para syve ndonjë të krisur.
Atëherë vendosa ta hidhja unë atë hap. Po si, kur nuk kisha as numër telefoni?! E sigurova nëpërmjet Halil Lalajt, që më vonë u bë dhe deputet i PS-së. Kur i rashë telefonit në prani të Halilit, i thashë se isha filani dhe se dëshiroja një takim për të nesërmen, Xhelil Gjoni më habiti me gatishmërinë. Pa asnjë mëdyshje, pa asnjë naze të njeriut të pushtetshëm, tha: Patjetër. Lamë një orë për në mëngjes.
Në selinë e Komitetit Qendror u paraqita nga porta ndanë bulevardit të madh dhe kisha gati letërnjoftimin për në sportel, ku do të merrja fletë-hyrjen. Por duket ishin njoftuar, më thanë se nuk ishte e nevojshme dhe, në mos gabohem, një nga rojat civile më shoqëroi nëpër shkallë. Shoku Xhelil po më priste, e gjeta duke bërë ecejake në korridor dhe më priu menjëherë në kabinetin e tij.
Po shiheshim pas aq shumë vitesh. Vallë, çfarë kishte menduar paraprakisht? Kam përshtypjen se me intuitë diç kishte nuhatur. Nuk dha asnjë shenjë nervozizmi, ruante një qetësi të jashtme dukshëm bujare, veçse unë mund të hetoja një tis të brendshëm trishtimi, ndoshta nga parandjenja kur njeriu pret se diçka e afërt, diçka që mund ta kesh marrë me mend, tashmë do të ndodhë.
Zumë vend thuajse si dikur, ai në tryezën e kreut, kurse unë në krahun e tjetrës, asaj që formonte zgjatimin e T-së, një modë e rrënjosur me kohë. Po ta shihje me ngasjen për t’i dhënë ndonjë simbolikë asaj forme, i ngjante bishtit dhe kokës së çekanit.
Me të këmbyer fjalët e para, që rëndom janë parazite, ia nisa:
– Shoku Xhelil, kam ardhur për t’ju thënë që të jepni dorëheqjen…!
Më dëgjoi pa më ndërprerë, derisa numërova argumentet. Kujtoj se kishte ngritur bërrylat në tryezë dhe, mbi pëllëmbët e gërshetuara, kishte mbështetur kokën e rëndë prej burri pozant. Teksa flisja, ai trishtimi i brendshëm pak nga pak po i bëhej më i dukshëm, duke kaluar deri në brengosjen njerëzore. Kur foli, dyshoj se sytë i kishte pakëz të lagështitur, por nuk ishte kjo që më habiti. Më habitën fjalët e tij, kur tha:
“Në të vërtetë, tri ditë më parë ia kam paraqitur dorëheqjen shokut Ramiz, por nuk ma ka pranuar. Unë…”! Ishim vetëm apo edhe dikush tjetër, në një zyrë tjetër, e dëgjonte bisedën tonë nëpërmjet mikrofonave të fshehtë? Teprimet me prirjen e dyshimit, ndonëse ishte vetë koha që i cyste, nuk vlejnë gjithnjë.
Ne e vazhduam një copë herë bashkëbisedimin, madje po ua kthej “kusurin” mburracakëve të dikurshëm, në atë takim piva edhe kafe me shokun Xhelil. S’e di sa kam pasur të drejtë në hapin që hodha. Ndoshta respektova ndërgjegjen, bindjen time, por edhe të një shumice civile që, në çdo kohë, në një mënyrë disi misterioze sikur ia delegon dikujt kërkesën e saj. Askush nuk vjen që të ta thotë, por vetvetiu ndihesh i ngarkuar me atë detyrë.
Sidoqoftë, koha dëshmoi se kur Xhelil Gjoni vajti në parlament si deputet i së majtës, stima për dialog e kompromis herë-herë u shfaq tek ai në atë masë, sa mjaft mëtonjës të atij kampi, edhe pse më të rinj për nga mosha, në mentalitet ngjanin më të vjetër.
Siç shihet, kanë kaluar shumë vite nga takimi i parë, por goxha edhe nga i dyti. Asnjëherë nuk kisha folur as për të dytin, as për të parin. Pas viteve ’90-të nuk i botova dorëshkrimet e atëhershme, as novelën “Njerëz që jetojnë me të vdekurit”, as romanin “Burrat nuk dalin nga lufta”.
Zakonisht nuk kthehem mbrapa, sepse në krahasim me çfarë kam shkruar dje, më rrëmben më tepër çfarë do të shkruaj sot. Por botova libra të atyre që e kishin vuajtur burgun, libra të Maks Velos, Visar Zhitit, Kasëm Trebeshinës, etj. Por edhe nga tipologjia e librave të ndaluar, bie fjala “Përbindëshin” e Kadaresë, që autori ma kishte besuar pak para arratisë.
Sidoqoftë, mbase edhe për kureshtje, lexuesi ka të drejtë të pyesë nëse, gjatë bisedës së lirë në takimin e dytë, iu kthyem ndopak me Xhelil Gjonin asaj çfarë kishte ndodhur në të parin. Po, iu kthyem. Mësova se urdhri për arrestimin tim ishte nëshkruar nga Nusret Dautaj, drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme.
Mësova edhe ndoca të tjera, por më tutje nuk pyeta…! Qysh në fillimet e pluralizmit kam shkruar e kam folur publikisht: Në hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të përfshihen edhe shkrimtarët. Madje të përfshihen vullnetarisht, duke nisur prej meje. Veçse asnjëherë nuk kam harruar të bëj një theksim.
Tekefundit, unë s’kam ndonjë ngulm për të ditur nëse dikush më bëri keq mua, por dua që të tjerët ta dinë patjetër nëse unë i kam bërë keq ndokujt. Sa për atë tërheqjen misterioze…! Po, edhe në realitetin e sotëm e atillë më ka mbetur.
Herë-herë, më vjen të mbath kundrat e reja, të vë një kravatë të zezë dhe, me një qiri dylli në dorë, t’ju trokas në derë ca partiakëve e funksionarëve të rangut të lartë: “Tak-tak!” “Kush je?” “Një shërbëtor shpirtrash.” “E me çfarë kumti vjen?” “Vij që t’ju kërkoj dorëheqjen…”! Vetëm për një gjë s’e kam ndarë mendjen ende, kur dhe cila do të jetë dera e parë, ku do të trokas./ Memorie.al
5 maj 2018














