Nga Jakov Milaj
“Shkjet” e Shkodrës
Memorie.al / Dy konsullatat e huaja në Shkodër ishin çerdhe përçarje e spiunazhi. Por ajo e Jugosllavisë kishte edhe një komunitet të tërë, atë ortodoks, që përpiqej t’a drejtonte për synimet e veta. Pjesa më e madhe e “shkjeve” të Shkodrës kishin ardhur nga Berati, Kavaja, Durrësi, Struga e Manastiri. Pra, thuajse të gjithë ishin shqiptarë. Shumë të pakët kishin ardhur prej Malit të Zi dhe, midis tyre, kishte mjaft nga Kuçi e Pipri, ose nga krahina të tjera me origjinë shqiptare.
Megjithëkëtë, propaganda i paraqiste si sllavë të hershëm që qëndronin aty me shpresë se dikur do t’i dorëzonin çelësat e Rozafës mbretit të serbëve, kroatëve e sllovenëve. Për të forcuar ndjenjat sllave të kësaj “pakice”, qeveria e Beogradit kishte çelur këtu një shkollë fillore dhe shumica e fëmijëve që kryente këtë shkollë, për të vazhduar mësimet e mesme, dërgohej më shumë në Bitol, ku studionte teologji ose pedagogji.
Për këta nxënës shkolle të mesme dhe ndonjë student të rrallë universiteti, konsullata kishte organizuar Shoqërinë Kulturore e Sportive “Obiliq”, anëtarët e të cilës rrinin gjithmonë bashkë, dëgjonin fjalët propagandistike të njerëzve të konsullatës dhe vakancat verore i kalonin deri diku të shkëputur nga moshatarët e dy komuniteteve të tjera.
Në një rrugicë që dilte në Fushë të Çelës ishte edhe një kishë e re, me një pop të ardhur nga Mali i Zi dhe me një vlladikë që nuk dinte asnjë fjalë shqip. Kështu, për dy qind familjet ortodokse të Shkodrës dhe për fshatin e Vrakës, domethënë vetëm për dy famulli, kishte një peshkop më vete.
Veç këtyre, edhe një prift tjetër me gradën prot, por i veshur civil, qëndronte në Shkodër si inspektor i varrezave të jugosllavëve të vrarë në luftëra. Ka të ngjarë që të kishte rëndësi më të madhe edhe nga vlladika. E kalonte ditën në kafen “Adriatik” dhe me zë të lartë baritoni bisedonte, jo vetëm me shokët e tryezës, por edhe me ata që kalonin në Rrugë të Madhe.
Duket se donte që të ndihej edhe në mes të Shkodrës prania e Jugosllavisë. Meshonte vetëm rrallë tek, në ndonjë të kremte të madhe ose në festat kombëtare të vendit të vet dhe, sa herë vishte rrobat e meshës, mbante fjalime të gjata me karakter më shumë politik se sa fetar, në gjuhën sllavishte për të forcuar ndjenjën sllave në besimtarët që “fati i keq” i kishte këputur përkohësisht nga “toka mëmë”.
Kisha serbe e Shkodrës ishte një abses në trupin e Shqipërisë së lirë. Dhe për çudi, qeveria e jonë e kishte pranuar, në heshtje, këtë abses të rrezikshëm. Ditën e Flamurit, kur bëheshin “tedeume” në xhaminë e Çelës dhe në Kishë të Madhe, autoritetet t’ona nuk shkonin, sipas zakonit që zbatohej në gjithë Shqipërinë, edhe në kishën e shkjeve, pse konsiderohej e huaj.
Por ortodoksët e Shkodrës nuk i a vinin veshin propagandës së protit të vlladikës. Këta, më të shumtët, ishin njerëz të thjeshtë që shikonin hallet e tyre. Punonin më shumë si furrtarë, remtarë dhe pijeshitës. Midis tyre kishte dhe patriotë që i kishin provuar me pushkë e penë ndjenjat e tyre shqiptare.
Në përgjithësi ortodoksët ishin një faktor afrimi midis myslimanëve e katolikëve. Me kohë këta e provuan se as predikimet e kishës, as fjalët e konsujve, as këshillat e pedagogëve të Bitolit e të Beogradit nuk u a shkulën ndjenjën e shqiptarizmës.
Në pranverën e 1929-ës, Gabriel Meksi na mbledh ne nxënësit ortodoksë të Gjimnazit dhe na këshillon që të organizojmë një kor të vogël për të psalur shqip vajtimet e përmbivarrëshme të Premten e madhe dhe ndonjë tropar të thjeshtë ditën e Pashkëve.
Na e mbush mendjen duke e paraqitur si akt patriotik që do të kryhej në një ambient që zyrtarisht e mbante veten sllav dhe meshën e thoshte vetëm sllavisht. E pranuam dhe u munduam të gjenim ndonjë udhëheqës që të merrte vesh nga muzika fetare bizantine.
Këtë së fundi e gjetëm. Ishte furrtar pak më i moshuar se ne, Risto Plevneshi, i cili e pranoi me kënaqësi barrën dhe disa ditë me radhë linte punën në furrë dhe merrej me ne. Veç këtij, nga ortodoksët e Shkodrës na u afrua edhe një furrtar tjetër i ri, Pjetër Kostandini. Kështu u bëmë gjithsej shtatë vetë; veç dy të parëve dhe Dhimitër Pinguli, Thoma Qereshniku, Vasil Konomi, Vasil Foti dhe unë.
Natën e premte shkuam në kishë që të këndojmë ato që kishim nxënë. Kujtuam se do të gjenim ndonjë kundërshtim. Kështu mendonin edhe shumë intelektualë katolikë e myslimanë dhe shumë studentë, të cilët atë mbrëmje ishin grumbulluar në kishën ortodokse, vet-kuptohet jo për t’u falur, por për t’u gëzuar me ne dhe për të mbajtur qëndrim në rast se do të dilnin kundërshtime.
Për çudi, as kryekonsulli jugosllav, që, gjoja ishte shumë besimtar dhe çdo të dielë hidhte në disk nga një fishek me korona, as prot i famshëm nuk erdhën në kishë atë natë.
Këndimi i vajtimeve dhe i ndonjë tropari tjetër shkoi shumë mirë. Jo vetëm gjithë atyre që kishin hyrë në kishë, por edhe shumë “shkjeve” u qeshi buza pse shikonin për herë të parë që njerëzit mund të bisedonin me Zotin jo vetëm në sllavishte të vjetër, por edhe në gjuhën shqipe.
Këtë kor e riformuan edhe para Pashkëve të vitit 1930. Tani ishte sa tri herë ai i vitit 1929. Më ka mbetur një fotografi e këtij kori. Jam munduar t’u kujtojë emrat pjesëtarëve të tij, por nuk ka qenë e mundur. Më shumë se gjysma janë të rinj ortodoksë Shkodre.
Pa u larguar unë nga Gjimnazi, kisha sllave e Shkodrës u shqiptarizua. Vlladika iku; proti bënte lutje vetëm te varrezat e ushtarëve jugosllavë të rënë në luftëra për të pushtuar tokat e Shqipërisë. Në vend të tyre u dërgua këtu një peshkop i Kishës autoqefale të Tiranës.
Më vonë, më 1933, u mbyll shkolla fillore. Pushoi veprimtarinë edhe shoqëria Obiliq dhe anëtarët e saj u bashkuan me vëllezërit e tyre katolikë e myslimanë dhe muarën pjesë në shoqëritë e vendit t’onë.
Për ndokënd ishte i papritur fakti se si të rinjtë ortodoksë të Shkodrës u shkëputën menjëherë nga ndikesa e konsullatës jugosllave dhe për shqiptarësinë e tyre dhanë prova të padiskutueshme.
Thirrja e gjakut të të parëve. Gjatë Luftës Nacional-çlirimtare shumë nga ta u bënë udhëheqës të çetave e reparteve të mëvonshme, ranë therorë për Shqipërinë dhe u nderuan edhe me titullin “Hero i Popullit”./ Memorie.al
(Marrë nga libri “Kujtime për Shkodrën e viteve 1926-1931”, të autorit Jakov Milaj)












