Nga ZIJA ÇELA
Pjesa e parë
(Dhe ngjarje që ndërthuren)
Memorie.al / Një pasdite, po kaloja në brinjë të “Shallvareve” me time shoqe dhe shkrimtaren Luljeta Dano, kur shoh përballë zotin Xhelil Gjoni. Sikur e ndjeva se, pas shumë e shumë vitesh, kishte diçka për të më thënë dhe të dy biseduam më këmbë. Mbaj mend se më përmendi një intervistë, që do të botohej të nesërmen. Dhe më bëri me dije për një hollësi, tha se kishte pohuar që; “një miku im më kërkoi dorëheqjen”. Të nesërmen nuk di sesi më doli nga mendja dhe nuk e mora gazetën a revistën. Mirëpo formulimin se një mik ia pati kërkuar dorëheqjen, nuk e harrova. Xhelil Gjoni kishte qenë një nga partiakët e lartë gjatë regjimit komunist, por kishte bërë karrierë për pak vite edhe në pluralizëm, duke u zgjedhur deputet i Partisë Socialiste.
Në pozitën e një lexuesi neutral lindnin disa pyetje. Kush ishte njeriu që ia kërkoi dorëheqjen? Meqë cilësohej si mik, cili ka qenë rrethi miqësor i zotit Gjoni? A ishte më e mundshme që kërkuesi të ishte një kolegu i tij, funksionar i lartë partiak apo funksionar i lartë i shtetit? Për çfarë shkaku nuk përmendej me emër?
Duke e lënë anonim, protagonisti i bënte nder vetes, ia bënte atij tjetrit, apo thjesht ishte një boshllëk memoristik? Nëse ishte i tillë, dashje pa dashje, a nuk ndillte më tepër mister për lexuesin, pasi anonimati ia kalon në enigma nominales? E prapë, cilës periudhë i përkiste kërkesa për dorëheqje, asaj të monizmit apo të pluralizmit?
Të gjitha përgjigjet e këtyre pyetjeve i dija, ma kishte sjellë jeta t’i dija. Për këtë ishte i bindur edhe vetë autori i intervistës, prandaj gjatë takimit nuk e zgjati me hollësira, vetëm më kumtoi pohimin: një miku im më kërkoi dorëheqjen. Por meqë zoti Gjoni nuk kishte ngurruar ta bënte publike “diçiturën”, pse ishte retushuar vetë fotoja?
A nuk ia vlenin për lexuesin faktet e panjohura dhe ftillimet e ngjarjes? Prej thatësirës së vet, një pohim kalimthi mbetet i pamjaftueshëm, ndërsa rrëfimi e rikrijon dhe e dëshmon tablonë. Kështu, m’u duk sikur rrethanat më kishin vënë vetiu para detyrimit për të rrëfyer.
Emrin e Xhelil Gjonit e kisha dëgjuar qyshkur punoja në Kukës. Fakti që ishte kryeredaktor i “Zërit të Popullit” i jepte peshë e personalitet. Një shoku im nga fshati Buzëmadhe, i cili ishte korrespondent vullnetar i shtypit, sa herë përmendej emri i Xhelilit, kushedi pse i shkundte krahët deri në sqetulla dhe, duke fërkuar shuplakat si për të hequr nga trupi ca mornica, thoshte: “Është burrë i zoti, pasha sytë e ballit, është taravol Xhelil Gjoni, të shkulë!”
Pasi isha transferuar në Tiranë (isha emëruar në Kukës në shtator 1968 dhe kisha qëndruar deri në janar 1977), ndonëse nuk e kisha takuar ndonjëherë drejtpërdrejt, autoriteti i tij ndihej në Lidhjen e Shkrimtarëve si prani në mungesë.
Siç ndihej edhe më gjerë, në rrethet intelektuale të kryeqytetit. Mbaj mend se ajami i disave shprehej me fjalët: “Dje kam takuar shokun Xhelil!” Pa le pastaj ngazëllimin: “Dje piva kafe me shokun Xhelil!” Sipas tyre, për ne të tjerët kjo nënkuptonte: Vëth në vesh, babëlok, i kam shpatullat e ngrohta unë!
Dhe vërtet, ta kishe mik Xhelil Gjonin, anëtarin potent të Komitetit Qendror, i cili tashmë ishte bërë edhe sekretar i komitetit të partisë për Tiranën, patjetër ishe më i mbrojtur, prandaj ky afrim ishte gjerësisht i lakmueshëm. Marrëdhëniet me disa shkrimtarë e artistë, zoti Gjoni i ka dëshmuar vetë në një libër të tij mbas ndërrimit të sistemit. Por tabloja do të bëhej e plotë, po të kishim edhe të anasjelltën: pikëvështrimet e këtyre marrëdhënieve nga shkrimtarë e artistë.
Mjerisht, ndoshta atëherë kisha mbetur ende një “gjysmë provinciali”, në kuptimin se jo vetëm kisha një rreth të mbyllur shokësh (që të gjithë të dorës sime), por bëja gjithashtu jetë të mbyllur, punë – shtëpi, shtëpi – punë dhe, doemos, në kafene ku pinim pije të forta. Shumë kemi pirë në atë kohë, pinim e “llapnim”. (Ndërkaq, nga redaktor i prozës në revistën “Nëntori”, ku pata zëvendësuar të paharrueshmin Faik Ballanca, më kishin çuar në “Drita”, madje për ca kohë s’po na sillnin as kryeredaktor.)
Edhe atëherë, por sidomos më vonë, e kam menduar se cili ishte “çelësi” që më mungonte më tepër, aq sa nganjëherë dilja zbuluar e bëja “gafa”. Ky ishte informacioni. Ai lloji i veçantë i informacionit që nuk përhapet zyrtarisht, por qarkullon në qarqe që kanë lidhje me rangjet e larta.
Në Lidhje e jashtë saj kishte nga ata, që i kishin këto mundësi ose përmes urave farefisnore, ose krushqive, ose klaneve e tarafeve që, si në çdo shoqëri, ishin të konsoliduara. Mua këto më mungonin. Kështu që, kur tepronte diçka për veshin tim, e kishte mësuar gjithë Tirana. Por ndoshta lidhej edhe me tipin e njeriut.
Ato kohët e para, mbasi “kisha zbritur” nga malet e Kukësit në kryeqytet, teksa bisedonim një ditë në mjediset e katit të parë dhe m’u bë një pyetje, së cilës i dhashë përgjigje të menjëhershme e fare të hapur, kryeredaktori im i revistës, profesor Dalan Shapllo, m’u kthye me një si dhembsuri e keqardhje paralajmëruese: “Ah, mor Zija, ti je një Lysien!” (Pyetja: Cili është sot, sipas teje, shkrimtari ynë më i talentuar? Përgjigjja: Ismail Kadare.)
Pastaj profesor Dalani buzëqeshi, duke shpjeguar se e kishte fjalën për Lysienin e Balzakut kur, plot iluzione, sapo ka zbritu në Parisin metropolitan. Mbaj mend se të pranishëm kanë qenë Hasan Petrela, Ndue Zef Toma dhe një tjetër, me gjasë Llambro Ruci. Vite më mbrapa, më 1982, së bashku me dy redaktorë të gazetës “Drita”, bëra një udhëtim pune në Fier, Vlorë, Sarandë.
Kur u kthyem, më njoftuan se më kishte kërkuar shoku Xhelil Gjoni dhe se do të lajmërohesha prapë për t’u paraqitur në zyrën e tij. Më ra e beftë kjo thirrje dhe ka gjasa që prej ndonjë besëtytnie të kem nëpërdhëmbur, për hair daltë, siç thuhet në qytetin tim të lindjes, në Shkodër. Nuk vonoi dhe po atë javë, ka qenë ditë e premte, më njoftuan sërish.
Por merret me mend, nuk doli për hair.
Nga Lidhja e Shkrimtarëve deri në komitetin e partisë (ndodhej pikërisht ku është sot selia qendrore e PS-së), rruga nuk mbante më tepër se tre minuta. Por ma zgjati dikush që po më thërriste: “Mësues, o mësues!” Ishte një i njohur nga Helshani, një fshat mes Kukësit e Tropojës, ku më patën emëruar bashkë me time shoqe, me të mbaruar studimet e larta. Shtrënguam duart e biseduam një grimë herë, por më mbeti peng që atë njeri, i cili më dhuronte ftonj në katund, nga nxitimi nuk po mund ta ftoja për kafe.
Megjithëse ishte takimi i parë, çuditërisht, në zyrën e shokut Xhelil nuk dëshmova emocione frenuese, nga ato që sikur ta mbyllin gojën. Ndoshta ndihmoi edhe mënyra e pritjes me pyetjet standarde por çliruese, si je, si shkon, etj. Dhe unë kujtoj se u përgjigja: “Mirë jam. Por sapo takova një fshatar nga Helshani i Kukësit dhe ai i shkreti më qau hallet. Për shkak të liqenit të Fierzës, rruga që lidhte Helshanin me Shëmrinë, pra edhe me Kukësin, është përmbytur.
Fshati ka mbetur i izoluar dhe në kooperativë u binte të merrnin njëzet lekë për ditë pune, vetëm njëzet lekë, shoku Xhelil”. Ai uli kokën, u kollit lehtë si për të kruar grykën dhe diç murmuriti. Se çfarë murmuriti nuk e di, por ka pasur të drejtë edhe të thoshte me vete: “Shih si vjen ky tekahyti, vjen si cjapi te kasapi!” Pastaj m’u drejtua: “Të kam thirrur…” Dhe prapë një kollitje përpara se t’ia niste.
Më kishte thirrur për të më komunikuar se, nga organet e Ministrisë Brendshme, mbi tryezën e tij kishte mbërritur dosja dhe urdhri i nënshkruar për arrestimin tim. Se kush e kishte nënshkruar, do ta mësoja më vonë. Por nëse miratohej edhe në instancën e partisë, atëherë…! Ka të ngjarë që, atë çast, kam ngritur kokën lart për të parë se mos po binte tavani.
Xhelili ishte ulur në tryezën e kreut, unë pranë tryezës tjetër që ishte e gjatë dhe krijonte formën klasike të T-së. Tashmë, ndërsa fliste, kishte filluar ta shfletonte dosjen fletë pas flete, të cilat dukej se të gjitha ishin të ildisura dhe të qëndisura. Ngaqë nuk po ndalej veç e veç te secila, kuptova se nuk kishte ndër mend ta zbrazte “koburen” me gjithë ç’përmbanin kartat.
Pasi më tërhoqi vëmendjen se herë pas here kisha folur qesim (Ah, ato klubet dhe “shoqëria e keqe”!), se madje edhe refuzimi im për të kaluar nga revista në gazetë, kishte qenë një mufkë e papeshuar, u ndal sidomos te një dorëshkrim që, ashtu siç po ia përshkruante historikun nëpërmjet dosjes, çuditërisht rezultonte krejt i vërtetë. Tha: Kur e ke shkruar në fillim këtë novelë, ke qenë në Kukës, mbante titullin “Njerëz që jetojnë me të vdekurit” dhe ka qenë më e shkurtër.
Pastaj e ke përdorur në romanin “Burrat nuk dalin nga lufta”, një roman me gabime të theksuara ideore, që Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” ta ka kthyer si të pabotueshëm dhe të paripunueshëm. Këtu (në dosje) ka analiza me shkrim prej specialistësh që e njohin mirë metodën e realizmit socialist, mësimet e Partisë dhe të shokut Enver. Heshti një çast. Pastaj: Tashti dhe diçka tjetër, ato lidhjet e ngushta me…!
Sapo ndalesha të mendoja për një argument, gjysma e tjetrit më shkiste pa e dëgjuar mirë. Përveç atij romani, dy gjërave të tjera më thoshte mendja se nuk do t’u shpëtoja dot. Njëra ishte lidhja e ngushtë me Visar Zhitin, të cilin e kishin arrestuar në Kukës dhe në hetuesi, siç do ta pohonte më vonë në librin e tij “Rrugët e ferrit”, e kishin pyetur ngulmueshëm për mua. (Edhe në gazetën MAPO: “Arrestimi, akuzat dhe pyetjet në hetuesi për Zija Çelën”.)
Si për t’i rënduar më tepër dyshimet dhe animin e peshores, pak kohë pas arrestimit të tij, doli nga shtypi romani im “Një verë pa lamtumirë”. Në Kukës më kurdisën një si “gjyq të lexuesve”, me protestën se përse personazhin kryesor e kisha quajtur pikërisht Visar, përse hasjanët i kisha paraqitur të varfër e të paditur, siç ulërinin disa militantë në sallë dhe përse…?! Gazetari i Radio-Kukësit, bash ai që më kishte zëvendësuar mua, i formuloi akuzat në mënyrën më të rrezikshme: Nxirje e realitetit, de-heroizëm, mungesë e partishmërisë proletare. Por mbas ‘90-tës, Skënder Vaqarit do t’i publikohej shërbimi si hafije e Sigurimit dhe ai do ta pranonte publikisht në gazetën “Koha jonë”.
Tash e di se dosja ime, ajo që do të kishte më pas Xhelil Gjoni mbi tryezë, ishte hapur që në Kukës, duke u plotësuar pastaj fletë pas flete. Jo më kot kryeprokurori Avdi Gashi, me të cilin kisha polemizuar jashtë sallës, i skuqur në fytyrë, thua se do të pëlciste prej mllefit, më kishte kërcënuar rreptë: “T’i hedhim hekurat në vend, hekurat t’i hedhim!” Por nuk arriti të m’i hidhte as atëherë, as më vonë. Pika tjetër e dobët ishte biografia nga ime shoqe.
Vjehrri himarjot ishte arrestuar për tentativë arratisje në grup dhe, pavarësisht politikave penale, kishte bërë shtatë vjet burg. Kjo kishte qenë arsyeja përse me time shoqe, bashkë-studenten me të cilën u kurorëzova në vitin e katërt të studimeve, na kishin emëruar aq larg, në një fshat pa dritë elektrike. Por Xhelili pati mirësinë që “njollën”, të cilën unë ia paskësha vënë vetes herët, të mos e zinte ngoje troç.
Dhe kështu pata kohë të mbushesha me frymë. Në një çast, kur nuk e prisja në ato rrethana, më pyeti: “A je mirë?” Kushedi çfarë kishte kapur në çehren time, ose kishte arsyetuar në përgjithësi mbi efektet e këtyre situatave. Ia ktheva, po, mirë jam. Në fakt, me aq tym në kaptinë, isha në hava.
Ka qenë e premte, po e përsëris, se dita më ka mbetur gozhdë e fiksuar. Të premteve shtypeshin në poligrafik tetë faqet e brendshme të gazetës “Drita” (një gazetë ku para meje e “kishin ngrënë” edhe të tjerë) dhe, ndonëse shkoja pasditeve vonë, duke dashur t’i shmangesha shtëpisë, u nisa për atje qysh në atë orë të drekës. Pasi kisha dalë nga ajo zyrë, për një gjë isha i sigurt:
Nuk do të isha më ai kali i vrapimeve të lira, i prirjeve natyrale për lirinë, i dufeve që nuk m’i mbante shpirti. Atje në Kukës, në një rast i kisha rënë me grusht tryezës së shokut Sinan Demhasa, sekretarit të komitetit të partisë për ideologjinë, duke mbrojtur naivisht të drejtën e Agim Spahiut – sipas rradakes sime e drejtë kushtetuese! – për të botuar.
(Me një letër dërguar drejtorisë së “Naim Frashërit”, ferman që mbante vulën zyrtare dhe nënshkrimin e sekretarit, poetit i qe ndaluar botimi i librit të parë për kleçka biografie.) Tashmë më kishin vënë pengonjësen e theqafjes dhe më bëhej sikur gjunjët më ishin përgjakur nga rrëzimi i befasishëm. Nëse nuk isha arrestuar me atë dosje, siç do ta mësoja më vonë, kjo vinte se për njerëz publikë, urdhri i arrestimit ekzekutohej mbas miratimit të partisë, partia – shtet, në atë rast Xhelil Gjonit. E unë, siç m’u tha, “hyja te shkrimtarët e njohur e të talentuar”. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













