Nga Kujtim Dani
Memorie.al / Riza Dani pat lindur në Shkodër në një familje patriotike. Mbasi mbaroi shkollën “Ruzhdie” në qytet, vazhdoi studimet në Universitetin e Stambollit. Ra shpejt në kontakt me mjediset patriotike shqiptare dhe që në rini iu përkushtua lëvizjes kombëtar përkrah të vëllait Dan Hasani. Njihte katër gjuhë, gjermanisht, turqisht, italisht e sllavisht dhe në vitet 1908-1912, ishte pjesëtar i “Klubit Gjuha Shqiptare” me miqtë e familjes; Atë Gjergj Fishta, Gurakuqi e Dom Ndre Mjeda. Ishte nismëtar i grupit të ngritjes së flamurit në Shkodër në fillimet e vitit 1913 dhe drejtonte gazetën politiko-shoqërore “Shkodra”.
Me nacionalistët e atdhetarë krijoi organizatën politiko-nacionaliste “Krahu Kombëtar”, që luajti rol të madh për lëvizjet kombëtare në vend, për stabilizimin e shtetit të ri shqiptar deri në 1924-ën. Me krijimin e Partisë Popullore, Riza Dani aderon në këtë parti me nacionalistë të tjerë, duke synuar krijimin e një Shqipërie etnike, që mbronte interesat e borgjezisë së mesme dhe kishte përparësi të përmirësonte gjendjen e fshatarësisë. Riza Dani zgjidhet deputet i Shkodrës në legjislaturat 1921-1924, së bashku me Luigj Gurakuqin, At Gjergj Fishtën, Dom Ndre Mjedën, Maliq Bushatin e tjerë.
Në vitin 1924 emërohet prefekt i qarkut të Durrësit. Si opozitar i qeverisë së Zogut dënohet me vdekje e si pasojë emigron për pak kohë në Fjume të Jugosllavisë e, pastaj stabilizohet në Grac të Austrisë. Në një ditë të ftohtë dimri i vijnë dy baxhanakët, Sejfi Vllamasi e Xhevat Korça nga Vjena. Ata i propozojnë për atentatin që do të bëjnë kundra Mbretit Zog, në shkurt 1931. Rizai përgjigjet se: “Kështu bëjnë guerilasit çetnikë e bolshevikë, me vra mbas shpine e sidomos në dhe të huaj. Ne duhet të mblidhemi e të bëjmë një program më të mirë se Zogu e ta paraqesim në parlament, e po fituem me vota, e rrëzojmë Zogun e jo me vrasje të turpshme”.
Viti 1939
Riza Dani në vitin 1939 kthehet në Shkodër përgjithmonë dhe organizohet me patriotë e nacionalistë për çlirimin e vendit nga okupacioni huaj. Nuk pranon krijimin e qeverisë antikombëtare e pro-italiane të Shefqet Verlacit. Rizai aderoi në Frontin Demokratik Nacionalçlirimtar për çlirimin e vendit nga okupatori e rindërtimin e tij. Mori pjesë në mbledhjen e Tapizës (korrik 1943) ku formohet “Komiteti i Shpëtimit Kombëtar”, që kishte në program çlirimin e Shqipërisë në kufijtë e 1913-ën e, të drejtën universale për vetëvendosje. Emërohet kryetar i Frontit Demokratik për qarkun e Shkodrës e më vonë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës.
Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1946, zgjidhet nga populli i Shkodrës si deputet. Shumë urdhra e veprime nuk i shërbenin ngritjes së shtetit normal. Burgoseshin e pushkatoheshin pa gjyqe ose me një urdhër në copë letre intelektualë, patriotë, klerikë, studentë, tregtarë, pronarë, ushtarakë etj., ndërsa çdo përpjekje për demokraci, pluralizëm politik e opozitë nuk u përkrahej.
ROBËRIMI I RI
Riza Dani në situatat e reja që po kalonte vendi po e kuptonte që prej gjakut të derdhur, Shqipëria ishte çliruar nga okupatori i huaj, por mjerisht do të robërohej nga një sistem sllavo-komunist utopik që po aplikohej. Kuptoi se duhej ngritur zëri nga të gjithë në protesta e veprime opozitare. Grupi i Deputetëve demokratë Gjergj Kokoshi, Riza Dani, Kol Prela, Sheh Karbunara e tjerë, ranë në kontakt me grupet intelektuale e organizatat opozitare të krijuara nga mesi i vitit 1945 në Shkodër e qytete të tjera.
Këto do të organizoheshin për të kërkuar në zgjedhjet e ardhshme një sistem demokratik perëndimor që kishte në themel pluralizmin politik, lirinë e individit, lirinë e fjalës e shtypit. Lëvizjet opozitare u zgjeruan e u formatuan në grupime me veprime politike. Uran Butka në librin “Kryengritjet e para kundra komunizmit”, shkruan se në një mbledhje më 6 korrik 1946 në Shkodër, Riza Dani foli për nevojën e organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme. Në mbledhjen e 9 të asamblesë, Riza Dani pat kundërshtuar projekt-statusin e paraqitur si jo kombëtar e i ngarkuar me frymë ideologjike komuniste.
Më 7 mars 1946, pas vërejtjes që bëri Riza Dani, Nako Spiro pasi kishte marrë udhëzime e urdhra nga eprorët, diskuton gjatë e përqendrohet vetëm në fjalën e deputetit të Shkodrës, që e quan si pararojë të reaksionit. Por, Dani iu përgjigj se; “kam qenë kundra turkut, kundra Toptanit, kundra rebelëve, kundra Zogut, kundra italianëve para e pas 7 prillit. Kam qëndruar larg çdo reaksioni e interesi privat. Jo për hatrin e Nako Spiros, por pse kështu e ka kërkuar interesi i atdheut”.
PARANDJENJA
Dr. Pjetër Pepa në librin “Dosja e diktaturës”, shkruan se Dani i dinte pasojat e fjalimit të ashpër, ndaj i thotë nipit të tij se; “dua një njeri që ta dijë se këtë fjalim e kam shkruar me gjakftohtësi dhe kryesisht i ndërgjegjshëm. Me një fjalë, dua të kem një dëshmitar që të dëshmojë në të ardhmen se shprehjet që kam përdor në Parlament, s’kanë qenë të rastit apo se kam qenë i nevrikosur, por sepse jam i ndërgjegjshëm për ato që të them e për atë që do të ngjase”. Ai e kishte të qartë se e priste hakmarrja mesjetare sllavo-bolshevike, megjithatë vendosi të bënte çka kishte bindje.
Më vonë, diktatori Enver Hoxha, në librin “Kur hidhen themelet” shënon për Riza Danin se; “ishte njeri me influencë në Shkodër, ishte demokrat, liberal, antizogist e antifashist” dhe se “Dani kërkonte të bënte edhe asamblenë tonë një kuvend ligjesh, ku secili të fliste sa t’i donte qejfi, pa asnjë kufizim e të gjitha ç’thonin Riza Dani me shokë të botoheshin në shtyp”. Kur kam lindur më 27 korrik 1946 në darkë, Rizaja po kthehej nga falja e Teravisë në Xhami. I dalin para në oborr e i thonë: “Riza efendi, nusja e Xhevatit lindi djalë. Ai i përgjigjet:
Nusja me shëndet të mirë, djali me jetë gjatë, e më vjen keq se kanë me hekë keq”. Fjalë profetike për familjen Dani. Riza Dani me intelektualët e Shkodrës do të organizonin një kryengritje të përgjithshme, ku do merrnin pjesë forca nga Kallmeti, Lezha, Mirdita e Puka, Zadrima e Nënshati, Postriba e Ura Shtrejtë, Dukagjini e Shoshi, Kopliku, Malësia e Madhe e Kelmendi. Në agim të 9 shtatorit sulmohen kazermat e Shkodrës. Në mesin e shtatorit 1946, u arrestuan të gjithë meshkujt e familjes Dani. Nga gjyqet e diktaturës dënohen 3 vetë 26 vjet burg (së bashku) e Rizai pushkatohet dhe sekuestrohen shtëpitë e fabrikat.
TORTURAT
Deputeti Riza Dani arrestohet dhe nga 11 tetori i 1946-ës torturohet nga ‘hienat’ komuniste antinjerëzore deri në 23 dhjetor 1946, dita kur i hiqet “imuniteti”. Ja si e tregon një pjesë të vuajtjeve të deputetëve të Shkodrës, Kol Prela e Riza Dani, bashkëvuajtësi i qelive e burgjeve, Sami Rrepishti: “Kol Prela më tregoi se në nevojtoren ‘qeli’ pranë ishte Riza Dani, deputeti i Shkodrës, që herë pas here shpërthente me thirrje të nalta e shamje, që shuheshin menjëherë nga rojet e kuqe e shkopi i tyre mbi kurrizin e shtatëdhjetëvjeçarit demokrat”.
Më 11 tetor 1946 merret në pyetjeje Riza Dani nga hetuesi i Sigurimit të ushtrisë, Stavri Xhara, para majorëve Vaskë Koleci e Zoi Themeli. Kjo ndodh mbasi ai kishte kalue tortura antinjerëzore, që vetëm ai ka ditur t’i përballojë. Mandati i hiqet në 23 dhjetor 1946, pra një deputet me mandat u nënshtrohet hetimeve me metoda sllavo-mesjetare e qëndron me dinjitet e forcë morale lartë, duke kundërshtuar me guxim të pavërtetat. Hetuesia e përcjell me shënimin: “Qëndrimi i tij para hetuesisë ka qenë armiqësor, nuk ka pranuar të firmosë asgjë”.
Me qëndrim krenar e stoik e me ndjenjë të lartë përgjegjësie, deputeti Riza Dani deklaron: “Jam i ndërgjegjshëm për çka kam thanë e çka kam ba e veprue. Paçi hijen tuaj”. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura, pa avokat. Nuk ka firmosë e nuk ka kërkue falje. Shpifja është argument i atij që s’ka arsye.
31 dhjetori 1947 si një re e zezë paralajmëron se është mbledhur Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i mbledhur për të gjykuar 19 të pandehurit. Në ato orë të vona të asaj nate të errët, komunikohet vetëm vendimi ogurzi: 7 pushkatim, 6 burgosje përjetë, të tjerët 20 e 15 vjet burgim. E gjithë kjo bëhet mbi bazën e një “Promemorie përcjellëse” që vinte nga hetuesia e mbushur me shpifje.
AMANETI dhe VARRI
Dua ta tregoj dëshminë e fundit të jetës së mundimshme e të palodhur në shërbim të lirisë së vërtet, qëllim që i kishte vënë vetes me ndërgjegje dhe realizoi me ndershmëri e dinjitet deputeti Riza Dani. Këto dëshmi konkrete të shkruara nga dora e tij në rripa letre cigareje ia pat dhënë mbesës së vet, zonjës Fetie. “Çështja është tepër serioze, gjyqi me dyer të mbyllura, pa avokat e publik. Prokurori më akuzon si organizator i organizatës së deputetëve, kam marrë pjesë në mbledhjet e saj, kam ba mbledhje me të arratisur.
Janë gënjeshtra të turpshme të formulueme me magji të një sistemi mesjetar torturash, sistem që asht aplikue edhe në mue. Sidoqoftë, moralisht jam i fortë e i kam mohuar të gjitha në gjyq. Ç’vendim jep ky, nuk e di. Rizai”, – shënohet në një letër tjetër. Më pas ka shkruar: “Me shpresë në Zotin do të vdes si burrë. I falem nderit Fetit për kujdesjen e për gjellët që më ka sjellë. Bulen (gruan) amanet nipave. Këto Feti ia jep doktor Omerit. Kopjen e ruan për histori”.
Një tjetër ditë ka shkruar: “Tashti që po të shkruaj kam vuajtë shumë, tre ditë pa bukë e ujë, 20 ditë çimento, shtrojë e mbulojë. Feti thuaj doktor Omerit këto që po të shkruaj: Akuzat i kam refuzue të gjitha si shpifje të turpshme. Në rast hallallëku, dua të varrosem pranë Agimes (vajzës)”. Deputeti i Shkodrës, Riza Dani, ekzekutohet në 7 shkurt 1948 e, bie me të tjerët në një varr të përbashkët. Familja Dani nuk i ka gjetur akoma kockat e tij dhe duam vetëm të dimë ku prehe./Memorie.al
*Nipi i Riza Danit

















