• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, July 25, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Mbreti Zog e la pa rrogë dhe s’ia realizoi projektin për Sanatoriumin në Voskopojë, Enveri ia konfiskoi floririn dhe e lejoi të ikte vetëm në ‘68-ën…”/ Historia e trishtë e mjekut hebre, që braktisi Davosin për shqiptarët

“Mbreti Zog e la pa rrogë dhe s’ia realizoi projektin për Sanatoriumin në Voskopojë,  Enveri ia konfiskoi floririn dhe e lejoi të ikte vetëm në ‘68-ën…”/ Historia e trishtë e mjekut hebre, që braktisi Davosin për shqiptarët
“Pasi mori ‘Medalje Ari’ në Napoli dhe ajo i’u dorëzua nga Mbreti Viktor Emanueli III-të, shërbeu në Oborrin e Mbretit Zog, por s’mundi të shëronte…”/ Historia e panjohur e mjekut nga Kavaja
“U përpoqën për ta pagëzuar Migjenin si ‘përfaqësues të parë autentik të realizmit socialist’ në letërsinë shqipe, u përdor ai si ‘kokë turku’, por…”/ Refleksionet e profesorit të njohur të estetikës
1 Shtatori 1928, dita kur parlamenti i asaj kohe, sanksionoi ligjërisht dhe shpalli Mbretërinë Shqiptare, duhet të jetë ditë e shënuar zyrtare e shtetit tonë
“Mbreti Zog e la pa rrogë dhe s’ia realizoi projektin për Sanatoriumin në Voskopojë,  Enveri ia konfiskoi floririn dhe e lejoi të ikte vetëm në ‘68-ën…”/ Historia e trishtë e mjekut hebre, që braktisi Davosin për shqiptarët
Kur Qazim Mulleti dhe “kolaboracionistët” e tjerë, mbronin hebrenjtë, duke u konfliktuar me gjeneralin gjerman, Hauzding, që iu mori 60.000 franga ari…/Dokumentet e panjohura
“Mbreti Zog e la pa rrogë dhe s’ia realizoi projektin për Sanatoriumin në Voskopojë,  Enveri ia konfiskoi floririn dhe e lejoi të ikte vetëm në ‘68-ën…”/ Historia e trishtë e mjekut hebre, që braktisi Davosin për shqiptarët
“Mbreti Zog e la pa rrogë dhe s’ia realizoi projektin për Sanatoriumin në Voskopojë,  Enveri ia konfiskoi floririn dhe e lejoi të ikte vetëm në ‘68-ën…”/ Historia e trishtë e mjekut hebre, që braktisi Davosin për shqiptarët

Nga András Tóth

Pjesa e parë

Memorie.al / Ekziston një fjali, e hedhur në letër me bojë të zezë në qershor të vitit 1962 nga një zyrtar i jashtëm shqiptar, në margjinat e letrës lutëse të një të reje të ve 86-vjeçare, pothuajse të verbër nga Beogradi: “Dr. Kalmar është shtetas shqiptar. Prandaj nuk mund të lejohet të bëhet jugosllav”. Pas kësaj fjalie qëndron djali më i vogël i një familjeje tregtare hebreje nga Budapesti, i cili u largua nga “numerus clausus” në Pragë, prej andej në Davosin e vërtetë të “Malit të Magjepsur”, dhe më pas përfundoi në vendin më të varfër të Ballkanit – një vend që fillimisht e joshi me franga ari, më pas e fshehu në malet e veta nga gjermanët, dhe në fund, thjesht nuk e la të ikte për dekada me radhë.

Historia e Kalmár Lajos, është një përmbledhje e shekullit të XX-të: ajo përmban brezin e mjekëve hungarezë emigrantë, luftën e madhe evropiane kundër tuberkulozit, mrekullinë e besës shqiptare dhe përqafimin mbytës të diktaturës hoxhiste.

Gjithashtu mund të lexoni

“Atë dita mbushja 10 vjeç dhe nata e parë që fjetëm në internim, ishte e tmerrshme, pasi fshatarët e kishin përdorur atë vend për banjë dhe kundërmonte vetëm erë…”/ Dëshmia e trishtë e Alma Liços

“Gjatë kthimit nga Mali i Zi nënkontesha erdhi në Shkodër dhe thotë se emrin qyteti e ka marrë nga kodra e kështjellës, pasi…” / Libri i panjohur “Brigjet lindore të Adriatikut”, që u botua në Londër

Nga “Bulevardi Erzsébet”, te sallat e diseksionit në Pragë

Kalmár Lajos lindi në Budapest më 5 tetor 1901, si fëmija i gjashtë dhe i fundit. Babai i tij, Kalmár Géza – me emrin e lindjes Gerson Kohn – erdhi në Pest nga Monoku i rajonit Zemplén, u bë agjent tregtar në industrinë e letrës dhe ishte një anëtar aq i pasionuar shoqatash, saqë Shoqata e Agjentëve Tregtarë të Hungarisë, e përcolli si nënkryetar në vitin 1939, pas gjysmë shekulli anëtarësimi. Sipas nekrologjisë së tij, ai kishte bërë fushatë madje edhe për rregullimin e “kushteve të degraduara të shëndetit publik” në hotelet e provincës gjatë luftës – kështu që çështja e higjienës ishte një trashëgimi familjare.

Nëna e tij, Burger Amália nga Miskolci, menaxhonte një rroba larësi të brendshmeve në “Bulevardin Erzsébet” nr. 51 dhe rriti gjashtë fëmijë në një banesë me qira në lagjen e 7-të. Djali më i vogël donte të bëhej mjek – mirëpo, kur mbaroi gjimnazin, në Hungari hyri në fuqi ligji “numerus clausus”. Kalmár bëri atë që bënë mijëra të rinj hebrej hungarezë të asaj kohe: shkoi jashtë shtetit.

Nga vjeshta e vitit 1921 studioi në fakultetin e mjekësisë të Universitetit Gjerman në Pragë, banoi në lagjen “Vršovice” dhe u promovua doktor në mars të vitit 1927. (Ta mbajmë mend këtë diplomë të Pragës: më vonë të gjithë – gazetarë shqiptarë, kolegë, madje edhe miqtë e tij – do të thonë me ngulm se ai ishte diplomuar në Vjenë apo edhe në Cyrih. Megjithatë, faqja 230 e regjistrit të Universitetit të Karlit nuk gënjen.)

Davos: sanatoriumi dhe dashuria

Mjeku i ri i diplomuar u punësua po atë vit në “Mekën” e pneumologjisë: më 19 nëntor 1927, u regjistrua në zyrën e të huajve në Davos, si mjek asistent në Neues Sanatorium. “Mali i Magjepsur” i Thomas Mann-it, kishte vetëm tre vjet që ishte botuar – Kalmár u gjend mu në mes të botës së romanit: kura shtrirë, taraca të mbuluara me borë, pacientë nga çdo kënd i Evropës që e kalonin sëmundjen e tyre vdekjeprurëse me një jetë shoqërore plot shpirt.

Një nga pacientët ishte një studente muzike nga Beogradi: Jovanka Ristić, e njohur me pseudonimin “Joja”, e cila ishte dërguar në male për shkak të tuberkulozit. Ajo nuk ishte një vajzë dosido: gjyshi i saj, Jovan Ristić, kishte qenë regjent dhe kryeministër i Serbisë, gjyshi nga nëna ishte kryemjeshtër i Oborrit të Mbretëreshës; babai i tij, koloneli i drejtësisë ushtarake, Milan Ristić, ra si hero në vitin 1917, kur anija e tij u mbyt nga një silur. Mjeku dhe pacientja e tij u dashuruan. Martesa zgjati një jetë – dhe e lidhi Kalmár-in me Ballkanin përgjithmonë.

“Që ari shqiptar të mos rrjedhë jashtë shtetit”

Në vitin 1930, një letër e pazakontë mbërriti në Davos. Qeveria Mbretërore Shqiptare kërkonte një ekspert të tuberkulozit – dhe kjo për një arsye shumë prozaike. Gazeta “Zëri i Korçës”, madje e tha hapur: të pasurit shqiptarë çojnë “miliona franga ari” në sanatoriumet e Davosit, ndërkohë që edhe në Shqipëri ka zona malore të bukura dhe të shëndetshme.

Prandaj duhej një sanatorium vendas, “që ari shqiptar të mos rrjedhë kot jashtë shtetit”. Qeveria e Zogut I-rë i ofroi mjekut hungarez në Davos 1000 franga ari në muaj – një shumë mbretërore – që të shëtiste vendin dhe të zgjidhte vendndodhjen e Davosit të ardhshëm shqiptar.

Kalmár mbërriti në gusht të vitit 1930 dhe nisi një inspektim terreni, që burokracia shqiptare rrallë e kishte parë. Ministri i Brendshëm u dërgoi telegram prefektëve: “T’i jepnin një makinë, një mjek shoqërues dhe, nëse duhej, edhe një rojë të armatosur”. Në Krujë mbërriti në orën 21.00 të mbrëmjes dhe në orën 03 të mëngjesit u nis me katër kuaj me qira drejt Qafë-Shtamës.

(Për faturën dyzet franga ari të qirasë së kuajve, tre ministri korresponduan me njëra-tjetrën për gjashtë muaj – ndërsa pronari i kuajve, Ramadan Guni, shkonte rregullisht në nënprefekturë dhe kërkonte paratë e tij.) Kryetari i Bashkisë së Pogradecit kërkoi me një telegram të fyer, që eksperti të vizitonte edhe zonën e tyre, pasi “kur gjermanët dhe austriakët ishin këtu, mbetën të magjepsur”.

Në fund, pasi krahasoi nëntë rajone, Kalmár zgjodhi Voskopojën në Shqipërinë juglindore: Manastirin e Shën Prodhromit, i cili ndodhej në lartësinë 1300–1500 metra mbi qytetin dikur të lulëzuar tregtar arumun, rrethuar me pyje pishash dhe burime të pasura me ujë, me energjinë e të cilave mund të zgjidhej edhe furnizimi me energji elektrike i sanatoriumit.

Gazetari i kohës u shpreh me lirizëm: “Gjetën një luginë ku ajri mban erë pishe, ku bilbilat këndojnë në verë”. Kalmár negocioi personalisht me kryepeshkopin orthodoks për lëshimin e manastirit, organizoi kompani transporti me një afat pagese prej gjashtë muajsh, madje ofroi edhe aparatet e tij.

Në janar të vitit 1931, qeveria shqiptare nënshkroi me të një kontratë pesëvjeçare, ku përfshihej gjithçka: detyrimi për të kuruar të varfrit falas, një zonë mbrojtëse prej dhjetë kilometrash, ku asnjë mjek tjetër i huaj nuk mund të vendosej, si dhe premtimi se pas tre vjetësh, mund të bëhej shtetas shqiptar. Vetëm një gjë mungonte: paratë.

Në buxhetin e shtetit të ri shqiptar nuk u gjet asnjë zë për pagën e mjekut yll; për muaj të tërë ai nuk mori asnjë franga, dhe në fund u desh të miratohej një ligj i veçantë, që ai të paguhej nga kursimet e një pozicioni vakant mjeku në provincë. As nga ëndrra e madhe e Voskopojës nuk u bë gjë – realiteti ishte më modest: në vitin 1935, në një ndërtesë barake ushtarake në Tiranë, u hap reparti i parë i tuberkulozit në Shqipëri, nën drejtimin e Kalmár-it. Por diçka duhej të fillonte, dhe ai e filloi atë.

“Enë e plasur”

Shtypi shqiptar e adhuronte. Në janar të vitit 1931, gazeta “Arbënia” botoi një cikël intervistash me të, ku Kalmár tha diçka që në atë kohë ishte debat në mbarë Evropën: pacientit me tuberkuloz, duhet t’i thuhet e vërteta. Pacienti gjithsesi e ndien që diçka nuk shkon – nëse i gënjejnë, ai dorëzohet. Përse më duhen hapat dhe vuajtjet?

Detyra e mjekut është ta bëjë pacientin optimist, sepse sëmundja mund të kurohet nëse identifikohet herët”. Dhe më pas erdhi fjalia që mund të bëhej një shprehje popullore: pacienti në gjendje të rëndë, është si një enë e plasur – „por dihet se ena e plasur, duke qenë se përdoret me më shumë kujdes, shpesh zgjat më shumë se ajo që nuk është e plasur”.

Gazetari – motra e të cilit kishte vdekur nga tbc-ja sepse mjekët ia kishin fshehur diagnozën deri në çastin e fundit – e dëgjoi duke qarë, dhe më pas nisi një fushatë të hapur në gazetë kundër mjekëve “të paditur” shqiptarë që “luftojnë kundër Dr. Kalmár-it; nuk duan që ai të qëndrojë këtu dhe të kurojë njerëzit”.

Xhelozia e komunitetit lokal të mjekëve e shoqëroi karrierën shqiptare të Kalmár-it gjatë gjithë kohës – ashtu si edhe dëshira e tij për debate shkencore: në vitin 1937 ai u përplas në shtyp me një ithtar të një metode mrekullibërëse japoneze (injeksion me bacilin e breshkës!), dhe e mposhti kundërshtarin e tij, jo me mendimin e vet, por me ekspertizën e kërkuar me letër nga profesori Neumann i Vjenës.

Fama e tij arriti aq larg sa që edhe poeti më i madh shqiptar i kohës, “Migjeni” – me emrin e plotë Millosh Gjergj Nikolla – i cili ishte në të njëzetat e tij dhe luftonte me tuberkulozin, iu drejtua atij. Sipas literaturës biografike, në vitet 1934–‘35 ai shkoi në Tiranë “për t’u vizituar te Dr. Kalmár, i cili kishte fituar tashmë një famë të madhe”.

Migjeni vdiq nga tbc-ja më 26 gusht 1938, në moshën 26 vjeçare, në sanatoriumin e Torre Pellice-s, pranë Torinos në Itali – jo në Slloveni, siç përsëritet shpesh gabimisht. Se çfarë ndanë saktësisht mes tyre këto dy fate – ai i mjekut që punoi edhe tridhjetë vjet të tjerë, dhe ai i poetit që vdiq në moshën njëzetë e gjashtë vjeçare – këtë mund ta thoshte vetëm kartela mjekësore e Migjenit, të cilën dikush e gjeti një herë dhe që dikush duhet ta kërkojë përsëri një ditë.

Besa: fuqia e fjalës së dhënë

Në prill të vitit 1939, kur trupat e Musolinit pushtuan Shqipërinë, Kalmár u shpërngul me bashkëshorten e tij në Beograd. Dy vjet më vonë, Wehrmacht-i pushtoi edhe Jugosllavinë – dhe çifti u kthye përsëri në Tiranë, me një pasaportë shqiptare të lëshuar nga legata italiane në Beograd.

Në shtator të vitit 1941, policia e Tiranës urdhëroi një vëzhgim konfidencial ndaj mjekut “person i dyshimtë, hungarez, me origjinë çifute”. Në dosje, më vonë u shënua një fjalë e vetme në rubrikën e raporteve: “Asgjë”. Rreziku i vërtetë për jetën erdhi në shtator të vitit 1943, me kapitullimin e Italisë. Kalmár e dinte saktësisht se çfarë do të pasonte.

“Sadik, Italia kapitulloi dhe vendin e tyre po e marrin gjermanët. Mua do më kapin e do më vrasin” – i tha mikut të tij, Sadik Ram Salimusaj, një mjeshtër qerrepunues, të cilin e kishte shëruar nga pneumonia gjashtë vjet më parë dhe nga i cili nuk kishte pranuar të merrte asnjë napoleon ari. Çelësat e shtëpisë ia besoi Sadikut, ndërsa vetë shkoi me Jovankën në male, në fshatin Shëngjergj, ku i mikpriti fshatari Islam Trimi.

I ngarkuan gjërat në dy kuaj dhe ecën tetë orë në këmbë. “Në fshat të gjithë e dinin që po fshihnim një familje çifute” – kujtonte dekada më vonë djali i fshatarit. Dhe askush nuk tha asnjë fjalë. Kjo është besa: fjala e dhënë, që në malet shqiptare ishte më e fortë se Gestapoja./ Memorie.al

                                                   Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 25 Korrik 2026

Next Post

“Ndër gratë Shqiptare dashuria dhe bukuria nuk luajnë një rol me rëndësi, por ajo që ia shton rëndësinë gruas pranë burrit, është...”/ Kujtimet e ish-diplomatit amerikan që vizitoi Shqipërinë më 1914

Artikuj të ngjashëm

“Atë dita mbushja 10 vjeç dhe nata e parë që fjetëm në internim, ishte e tmerrshme, pasi fshatarët e kishin përdorur atë vend për banjë dhe kundërmonte vetëm erë…”/ Dëshmia e trishtë e Alma Liços
Personazh

“Atë dita mbushja 10 vjeç dhe nata e parë që fjetëm në internim, ishte e tmerrshme, pasi fshatarët e kishin përdorur atë vend për banjë dhe kundërmonte vetëm erë…”/ Dëshmia e trishtë e Alma Liços

July 24, 2026
“Gjatë kthimit nga Mali i Zi nënkontesha erdhi në Shkodër dhe thotë se emrin qyteti e ka marrë nga kodra e kështjellës, pasi…” / Libri i panjohur “Brigjet lindore të Adriatikut”, që u botua në Londër
Personazh

“Gjatë kthimit nga Mali i Zi nënkontesha erdhi në Shkodër dhe thotë se emrin qyteti e ka marrë nga kodra e kështjellës, pasi…” / Libri i panjohur “Brigjet lindore të Adriatikut”, që u botua në Londër

July 22, 2026
“Ky bashkim i abeceve, kjo ndarje nga një çështje bizantine, që na nxinte faqen gjer më sot, është pema …”/ Shkrimi i Mid’hat Abdyl Frashërit për Kongresin e Manastirit, 22 nëntor 1908
Personazh

“Stef Kaçulini në revistën ‘Vegim Drite’ shkruan: në fillim të shërbimit meshtarak, Dom Nikollë Kaçorri kreu detyrën e mësuesit të shkollës austro-hungareze në Durrës…”/ Historia e panjohur e klerikut të famshëm

July 23, 2026
“Disa ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, Mbreti Zog i la të gjitha dhe u ngrit ta…”/ Libri i panjohur i gazetares franceze, për Mbretëreshën Geraldinë Appony
Personazh

“Disa ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, Mbreti Zog i la të gjitha dhe u ngrit ta…”/ Libri i panjohur i gazetares franceze, për Mbretëreshën Geraldinë Appony

July 17, 2026
“Mbreti Zog po punon për kapitujt e fundit të kujtimeve të tij, të cilat do publikohen së shpejti dhe do të hedhin dritë mbi…”/ Intervista e panjohur e Mbretëreshës Gerlandinë, shtator 1960
Personazh

“Mbreti Zog po punon për kapitujt e fundit të kujtimeve të tij, të cilat do publikohen së shpejti dhe do të hedhin dritë mbi…”/ Intervista e panjohur e Mbretëreshës Gerlandinë, shtator 1960

July 14, 2026
“Mbreti Zog dëshiron të ndërtojë një autostradë që lidh Durrësin me Tiranën e cila do të mbajë emrin e Duçes, më pas do të ngrihet një katedrale dhe…”/ Intervista e panjohur e Geraldinës, shtator 1960
Personazh

“Mbreti Zog dëshiron të ndërtojë një autostradë që lidh Durrësin me Tiranën e cila do të mbajë emrin e Duçes, më pas do të ngrihet një katedrale dhe…”/ Intervista e panjohur e Geraldinës, shtator 1960

July 15, 2026
Next Post
“Ndër gratë Shqiptare dashuria dhe bukuria nuk luajnë një rol me rëndësi, por ajo që ia shton rëndësinë gruas pranë burrit, është…”/ Kujtimet e ish-diplomatit amerikan që vizitoi Shqipërinë më 1914

“Ndër gratë Shqiptare dashuria dhe bukuria nuk luajnë një rol me rëndësi, por ajo që ia shton rëndësinë gruas pranë burrit, është...”/ Kujtimet e ish-diplomatit amerikan që vizitoi Shqipërinë më 1914

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme