Nga ROMEO GURAKUQI
– RAPORTI PËR MASAKRËN E TIVARIT – SERBËT VRANË 4626 SHQIPTARË –
Memortie.al / Punimi që po ju paraqes sillet posaçërisht në vijim të dy shkrimeve të botuara në “Gazetën Shqiptare” ditët e fundit, si kujtesë për rreshtat e atij shkrimi dhe si përgjigje për alibinë tërësore të ngritur në atë shkrim, se mbi Masakrën e Tivarit nuk është bërë një hetim i pavarur. Sa më poshtë është vetëm një pjesë e hetimit tim të pavarur mbi ngjarjen, të cilin e kam realizuar i pandikuar nga asnjë presion politik, por veç nga ndërgjegjja profesionale dhe vullneti për të ndriçuar të vërtetën. Trajtesa është një përpjekje për të dhënë disa konsiderata të përgjithshme mbi rezultatet e një kërkimi njëvjeçar arkivor, mbi atë që në fakt konsiderohet si Masakra e Tivarit e në të vërtetë është një proces kompleks i riintegrimit të Kosovës, pjesës perëndimore të Maqedonisë dhe Malësisë në Jugosllavinë e Dytë dhe i eliminimit të potencialeve humane të rezistencës ndaj këtij procesi, që është ngushtësisht i lidhur me instalimin në pushtet të klikës komuniste jugosllavo-shqiptare pas datës 29 nëntor 1944.
Masakra e Tivarit është vetëm një nga ngjarjet e procesit gjenocidal që është konsumuar në shumë cepa të Jugosllavisë, në Dalmaci dhe në Vojvodinë, por, fatkeqësisht edhe në Shqipëri, në rrugën nga Kukësi në Shkodër e drejt Ulqinit, nën syrin e armët e heshtura të partizanëve të UNÇSH-së. Punimi është kryesisht i bazuar në dosjet arkivore të “Foreign Office”, “War Office”, “SOE files” dhe në dosjet e Sigurimit të Shtetit diktatorial shqiptar, të interceptuara nga shërbimet inteligjente britanike 1945-1947 dhe të hapura tashmë për publikun e gjerë në Mbretërinë e Bashkuar. Në punim do paraqitet edhe një dosje e Arkivit të Kosovës, që i përket dokumentacionit jugosllav.
Çfarë kuptohej aso kohe me ‘Kosovë’?
Termi ‘Kosovë’ asokohe është aplikuar në tri mënyra:
Sipas mënyrës së parë, me ‘Kosovë’ kuptohej i gjithë territori i aneksuar nga dezintegrimi i Jugosllavisë në Shqipëri dhe pak më shumë se kjo, jashtë kësaj pjese të aneksuar, në pjesën veriore dhe lindore që aspirohej nga nacionalizmi shqiptar. Sipas mënyrës së dytë, e gjithë kjo pjesë e territoreve të aneksuara në veri të Malit të Sharrit (Sar Planina) dhe në jug të Mokra Planina (d.m.th. të gjitha territoret e aneksuara Shqipërisë, me përjashtim të disa (a) fragmenteve në veriperëndim, të marra nga Mali i Zi, dhe (b) në disa hapësirave në veriperëndim të Maqedonisë, në pjesën jugore të territorit të aneksuar). Sipas mënyrës së tretë, kemi Fushë Kosovën, që është gjysma lindore e Kosovës në kuptimin e dytë (gjysma perëndimore është Fusha e Metohisë, ose siç thirret ndryshe nga shqiptarët, Rrafshi i Dukagjinit).
Hapësira e referuar si KOSMET është e barabartë me Kosovën në kuptimin e tretë, plus Rrafshin e Dukagjinit dhe që korrespondon tërësisht me Kosovën në kuptimin e dytë. (PRO.WO.204.9428, From, Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/668 of 5th March.) Por le të kthehemi në brendësi të Luftës së Dytë Botërore, për të kuptuar proceset politike të fundit të luftës dhe ri integrimit të Kosovës në Jugosllavi. Me ndihmën e Gjermanisë hitleriane, gjatë periudhës 1939-1943, Italia realizoi ambiciet e saj në Ballkan, në dëm të Jugosllavisë. Në fillim të kësaj periudhe, irredentizmi shqiptar në Kosovë u nxit të përgatitej për bashkimin e këtij territori me Shqipërinë. Një bashkim i tillë u krye me anën e traktatit të datës 15 qershor 1941 me Bullgarinë.
Menjëherë pasoi reagimi serb dhe malazez: Gjatë verës së vitit 1941, u kryen sulme nga ana e kufirit malazez në zonën e Gucisë; Gjatë dimrit 1941 u kryen sulme përgjatë kufirit serb në krahinën e Mitrovicës, Novi Pazarit dhe Sjemnicës. Këto sulme u zmbrapsën nëpërmjet koordinimit të veprimeve të forcave italiane dhe shqiptare. Për pjesëmarrjen e tyre në veprime, disa udhëheqës të fiseve malësore shqiptare morën “Medaljen e Argjendtë” nga vetë Musolini. Pas kësaj, italianët krijuan “Gardën Shqiptare të Kosovës” nën komandën e Prenk Previzit, me rekrutë kosovarë, dhe “Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës”, nën presidencën kolektive me rotacion të Ferhat Dragës, Bedri Pejanit dhe Iliaz Agushit.
Para armëpushimit me Italinë, ky i fundit ishte zv. kryeministër i Shqipërisë (Iliaz Agushi është vrarë në dhjetor 1943) dhe njëkohësisht president i radhës i Komitetit. Duhet të saktësojmë gjithashtu se Ferhat Draga dhe Bedri Pejani kanë qenë në periudhën pararendëse deputetë të parlamentit jugosllav. (PRO. WO. 204. 9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6?68 of 5th March. Enclusire, Draft “Kosovë”). Ferhat Draga ka qenë anëtari më aktiv i Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës në verën e vitit 1943. Për këtë ai do të bëhej në vijim të kësaj periudhe Guvernator i Kosovës (d.m.th. Kosovës në kuptimin e saj më të gjerë, që përfshinin të gjitha territoret e aneksuara Jugosllavisë, me përjashtim të territoreve të shtuara në prefekturat e vjetra të Shkodrës dhe të Dibrës). (PRO. WO. 204. 9428, From, Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/ GSP/ 668 of 5th March.)
Garda Shqiptare e Kosovës ka qenë përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të rinj dhe ushtrimin e veprimtarisë policore brenda kësaj hapësire të re të përfshirë në Shqipërinë nën pushtimin italian. Kosovarët shfrytëzuan këtë rast për t’u hakmarrë në këtë periudhë kundër kolonistëve serbë, të cilët u detyruan të largohen për t’u mbrojtur, në Serbi, ose në Mal të Zi, ku madje u bashkuan ose me forcat partizane, ose me ato çetnike. Në janar të vitit 1943 forcat çetnike të drejtuara nga Gjurishiq dhe Mihailoviq sërish invaduan Kosovën, duke shkatërruar fshatra të tëra dhe duke masakruar popullsinë në Bihor dhe Rozhajë. Sipas statistikave, 4626 shqiptarë u vranë ose u plagosën dhe 200 gra dhe vajza u grabitën. Në këtë rast, italianët, të cilët në këtë moment ishin duke mbështetur Gjurishiq dhe Mihaijloviq, nuk ndërhynë.
Ky fakt në mënyrë të padyshimtë ndikoi në ngritjen e ndjenjës anti-italiane në Shqipëri. (PRO. FO. 371. 48090/8181/237/90, Mr. Ralph Skrine Stevenson to Mr. Eden, Belgrade, 27th April 1945). Më 16 shtator 1943, një regjiment i Gardës së Kosovës mori pjesë në luftime kundër malazezëve, të cilët kishin sulmuar Gjakovën. (PRO.WO.204.9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/668 of 5th March. Enclusire, Draft “Kosovë”.) Pas armëpushimit të Italisë, në Kosovë u krijua “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, më 18 shtator 1943. Kjo organizatë krijoi edhe një Asamble Kushtetuese, pozicioni gjysmë-autonom i së cilës u ratifikua nga Këshilli i Regjentëve të Shqipërisë, më 14 mars 1944. Qëllimi kryesor i kësaj organizate ishte të mbronte dhe të çlironte territoret e Kosovës nga serbët.
Kjo organizatë arriti të kontrollonte të gjithë administratën brenda zonës dhe kishte katër batalione milicie nën komandën e major Bajazit Boletinit. Gjermanët e shfrytëzuan këtë rast dhe arritën të krijonin në mars 1944 Divizionin SS “Skanderbeg” me 7000 shqiptarë nga Kosova, të drejtuar dhe stërvitur nga oficerë gjermanë. Në të njëjtën kohë, një konferencë e prijësve shqiptarë, që u mbajt respektivisht në Maqellarë dhe Rugovë, vendosi të krijonte një komitet ushtarak për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit dhe ndërmori rekrutime masive anekënd territorit. Kjo gjë pati sukses të konsiderueshëm. Rojet kufitare u përforcuan, njësi policore shqiptare u formuan dhe ato filluan të shërbenin si garnizone policore në Serbi (është fjala për territorin e kontrolluar nga gjermanët), por edhe në Francë dhe Holandë.
Kur në verën e vitit 1944 pozitat e gjermanëve në Ballkan u përkeqësuan, Dr. Xhafer Deva u bë Kryetar i “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe Komisioner i Lartë i Krahinës së Kosovës. Përballë kësaj opozite të fuqishme, lëvizja partizane në Kosovë asnjëherë nuk arriti përmasa të konsiderueshme. Për arsye se vendet gjermanishtfolëse, dhe para së gjithash Austria kishte qenë ndër kohë mbështetëse e krijimit të Shqipërisë natyrale dhe për faktin që nën Gjermaninë naziste, një aspiratë e tillë u bë realitet, duhet të thuhet se në Kosovë mbështetja për partizanët, me frymëzim sllavo-komunist, ka qenë pothuajse inekzistente. Këtu shumica e popullsisë shqiptare preferonte të ruante kufirin e kohës së luftës, i cili i kishte përfshirë ata nën shtetin amë shqiptar.
Vetë KOSMET, organizata nacionalçlirimtare e Kosovës, nuk ka pasur ndonjë mbështetje në popullsinë shqiptare të Kosovës, sa t’i mundësonte kësaj organizate partizane shqiptaro-jugosllave të ndërmerrte aksione brenda territorit të krahinës së lartpërmendur. Kështu, kjo organizatë më shumë ka vepruar jashtë territorit të Kosovës (në Tetovë), (krahinën e Preshevës) dhe në Shqipërinë verilindore. Arsyeja kryesore pse KOSMET ka qenë jo popullore në Kosovë është lidhur me bashkëpunimin e ngushtë të kësaj organizate me Marshallin Tito. Për më tepër, KOSMET, si organizatë, ishte njohur prej anës së Gjeneral Kolonelit Enver Hoxha, që të vendosej nën urdhrat e Titos, me zonën e Kosovës, si sferë të saj të ndikimit (PRO.HS.7.70, S.O.E. History, File number 37/B, Allied Military Mission in Albania, 1942-1945, faqe 16).
Ajo çfarë duhet të saktësohet është se, së paku duke filluar nga fillimi i vitit 1944 Kosova u bë një fushë betejash dhe ballafaqimesh të interesave nga më të përkundërtat ushtarake dhe politike, të cilat përfshinin, forcat kombëtare shqiptare, forcat çetnike serbe, forcat partizane jugosllave, reparte të majta bullgare etj. Në rrethanat e konsolidimit të pushtetit shqiptar në Kosovë, Lëvizja Nacionalçlirimtare Jugosllave, që aspironte të merrte pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore, filloi që në këtë kohë përgatitjet për minimin e bazave të unifikimit të Kosovës në Shqipëri. Nga viti 1941 u bënë përpjekje për të përthithur një lloj mbështetjeje mes shqiptarëve dhe po këtë vit dy delegatë nga Tito, Ali Dushanoviq dhe Miladin Popoviq, morën pjesë në mbledhjen themeluese të PKSH-së.
Pozita e Frontit Nacionalçlirimtar
Pas krijimit të PKSH-së më 1941-shin, kjo organizatë kërkoi ndihmën dhe mbështetjen e PKJ-së. Komunistët serbë dërguan pas kësaj në Shqipëri dy oficerë, Ali Dushanoviq dhe Miladin Popovic. Këto dy oficerë u arrestuan nga italianët në fillim të vitit 1942 dhe u internuan në një kamp internimi në Shqipëri. Më pas ata u çliruan nga udhëheqësi komunist shqiptar Mustafa Gjinishi. Përzgjedhja e Ali Dushanoviq, një njeri ky mjaft i mprehtë dhe finok, ishte e përllogaritur, mbasi ai ishte me origjinë nga Peja. Këta persona kanë qenë pikat e kontaktit të ndërlidhjes në mes partizanëve jugosllavë dhe PKSH-së dhe kanë qenë pikërisht këta që u përpoqën të krijojnë një lëvizje partizane në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit.
Bazuar në një direktivë nga Moska, të gjitha partitë komuniste duhej të shtypnin lëvizjet nacionaliste brenda vetes në interesin e ndërsjellë të kombeve të Ballkanit dhe formimit të lëvizjeve nacionalçlirimtare kundër fuqive të boshtit fashist. Në Shqipëri një lëvizje e tillë u njoftua me Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942 dhe pas kësaj u zhvilluan ndërlidhjet me partitë komuniste jugosllave, malazeze, maqedonase dhe greke. Për sa i përket Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Kosovë, aty, në fund të vitit 1943, u krijua edhe KOSMET- (Kosovo-Metohija), për të cilën folën edhe më lart, e që përgjigjej para Marshallit Tito. KOSMET përbëhej në anëtarësi, gjysma prej serbësh dhe gjysma prej shqiptarësh, mes të cilëve shquheshin Mehmet Hoxha dhe Fadil Hoxha.
KOSMET ka qenë detyruar të përkufizohej në aktivitetin e vet brenda sferës politike, me synim kryesor uljen e ndjenjave anti-serbe në mes kosovarëve. U bënë përpjekje edhe për të ndërtuar një organizatë politike partizane në Kosovë dhe pak Komitete Nacionalçlirimtare. Fronti Nacionalçlirimtar i Shqipërisë pati këmbëngulur në një karakter të pavarur të kësaj organizate. Qëllimi i këtij synimi, duke ndjekur direktivat fillestare komuniste, ishte të shtypte ndjenjat anti-serbe në Kosovë. Në janar të vitit 1944, në Kolgecaj të Tropojës, Malësi të Gjakovës, u mbajt një Kongres i KOSMET-it, në të cilin morën pjesë 52 delegatë, përfshirë edhe delegatë të nacionalitetit serb dhe malazez dhe dy ish-deputetë të parlamentit jugosllav.
Emërtimi ‘KOSMET’ është një përzierje e fjalëve Kosovë dhe Metohi, që janë dy lokalitetet e entitetit KOSOVË, respektivisht pjesa lindore dhe ajo perëndimore. Në konferencën e muajit janar, që u drejtua nga Mehmet Hoxha, u zgjodh një këshill i përbërë si më poshtë vijon: President, Mehmet Hoxha; Nënpresidentë, Rifat Berisha dhe Padel Yovichevich (malazez); anëtarë, Ali Shukriu, Milan Zeqhar (serb), Daud Ardyshi, Fadil Hoxha, Xhevdet Doda, Zeqir Jarexha. Ata vendosën që të luftonin në anën e Aleatëve të Koalicionit Antifashist, mbi bazën e Kartës së Atlantikut dhe për të dërguar përfaqësuesin e tyre në LNÇ dhe tek Marshalli Tito.
KOSMET supozohej se ishte një organizatë që përfaqësonte interesat jugosllave dhe shqiptare. Zona e saj e shtrirjes së aktivitetit përfshinte rajonet e Kosovës, Metohisë, Pukës, Nikaj, Mertur, Krasniqë. (PRO.WO.204.9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/668 of 5th March ). Me gjithë aktivitetin e pakët ushtarak në Kosovë, njësitë partizane kosovare luftuan që herët së bashku me Ushtrinë Nacional-Çlirimtare Jugosllave në Maqedoni dhe Serbi, nën komandën e shtabeve të këtyre hapësirave. Që në vitin 1942 ishin formuar dy batalione kosovare në kodrat në perëndim të Tetovës, të cilat luftuan brenda njësisë së quajtur Brigada e Parë Maqedonase, derisa ajo u shndërrua në Brigadën e Parë Kosovare, të përbërë nga 800 trupa, në qershor 1944.
Në fillimet e veta kjo brigadë ishte e përbërë nga serbë të ikur, por në qershor të vitit 1944 llogaritej se 30% e kësaj brigade ishte e përbërë nga partizanë shqiptarë. Një brigadë tjetër kosovare me 400 trupa u formua në Skopska Crna Gora në fillim të vitit 1944, në zonën në lindje të hekurudhës Nish-Shkup. Pjesa e stafit të KOSMET ka qenë e pozicionuar në territorin serb, në jug të Radan, mbrojtur nga një batalion i përbërë nga 100 kosovarë. Deri në verën e vitit 1944 KOSMET nuk mori pjesë në ndonjë aktivitet me karakter ushtarak, ndërsa në gushtin e vitit 1944 KOSMET, në hapësirën në mes Pejës dhe Gjakovës, u bashkua me Brigadën e Parë Kosovare nga Maqedonia. Megjithatë, forcat partizane në Kosovë mbetën të dobëta dhe nuk arritën të ofronin ndonjë rezistencë për t’u shënuar.
Lëvizja më e rëndësishme e rezistencës ka qenë ajo e ndërtuar nga Gani Kryeziu, një pronar i madh tokash nga zona e Gjakovës. Marrëdhëniet në mes KOSMET dhe Gani Kryeziut kanë qenë korrekte dhe operacionet rastësore ushtarake janë kryer së bashku, por për shkak të refuzimit të tij për t’u bashkuar me KOSMET, ai u kërcënua nga forcat partizane të kësaj organizate dhe më vonë, në fund të vitit 1944 jeta e tij do të rrezikohej tmerrësisht nga bashkëpunimi i UNÇSH dhe UNÇJ, për të cilin zhvillim do të flitet më tej në këtë shtjellim. Më tej, përpjekjet e UNÇJ për të dërguar trupa në Kosovë nuk kanë qenë të suksesshme.
Kjo, sepse rezistenca që iu bënë atyre rojet kufitare kosovare ka qenë shumë e fuqishme dhe në muajin maj 1944, korpusi i dytë i UNÇJ, në përpjekje për të hyrë në Kosovë përmes Malit të Zi dhe në korrik 1944, forcat serbe të drejtuara nga Gjeneral -lejtnanti Popoviq, duke përparuar prej veriut të Gjilanit, u sprapsën nga forcat qeveritare kosovare (nënkuptoj forcat e qeverisë shqiptarë të periudhës së pushtimit gjerman).
Për shkak të kësaj disfate pothuajse të plotë në Kosovë dhe brutalitetit të kosovarëve kundrejt kolonistëve serbë, pjesa më e madhe e partizanëve jugosllavë krijuan një pamje krejt pesimiste për mundësinë e fitores me anë paqësimi mbi kosovarët. Në përgjithësi, opinioni i pjesës më të madhe të partizanëve jugosllavë, të cilët patën të bënin shumë me shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të luftës, mes të cilëve shquhet Gjenerali Vukmanovic Tempo, shpesh patën deklaruar se ata ishin banditë të pakorrigjueshëm, të cilët duhet të çohen në hell me metoda të ashpra kur vendi të çlirohet. (PRO.FO.371. 48090/8181/237/90, Mr. Ralph Skrine Stevenson to Mr. Eden, Belgrade, 27 th April 1945).
Kjo ndoshta është pikënisja e politikave të ndjekura në vijim nga komunistët jugosllavë ndaj Kosovës dhe popullsisë shqiptare në këtë anë të Ballkanit. Gjatë vitit 1944 u zhvilluan një seri sulmesh në territorin e Kosovës të pushtuar nga gjermanët, të cilat kulmuan në bashkëpunimin në mes Marshall Titos dhe FNC të Shqipërisë. Sulmet gjatë periudhës së parë të vitit 1944 mund të listohen si më poshtë:
1) Në mes datës 11 dhe 20 shkurt 1944 çetnikët serbë dhe trupat e Nediq pushtuan fshatrat shqiptare në veri të Pejës. 2) Më 29 maj 1944 njësitë e 2 korpusit të dytë të mareshalit Tito kryen një seri sulmesh nga zona e Beranes në drejtim të Morinës, Plavës dhe Rozhajës. 3) Në fund të qershorit 1944, shtabi i përgjithshëm serb, duke punuar në bashkëpunim me Marshall Titon, filloi pushtimin e Kosovës në zonën e Gjilanit./ Memorie.al















