Nga Bashkim Trenova
Pjesa e tridhjetenjë
– NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET –
PARATHËNIE
Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.
PIKTURA DHE SKULPTURA
Që në vitin 1923 Fritz von Graevenitzi realizon ‘Denkmal für das Grenadierregiment Königin Olga’ (‘Përmendore për regjimentin e granatahedhësve Mbretëresha Olga’). Në vitin 1925; ai realizon ‘Denkmal der Gefallenen des 122. Füsilierregiments’ (‘Përmendore për të rënët e regjimentit 122 të pushkatarëve’). Më tej, në 1927, Graevenitzi realizon ‘Infanterie-Regiment Kaiser Friedrich, König von Preußen’ (‘Regjimenti i këmbësorisë Kaizer Frederik, mbret i Prusisë’). Në vitin 1932 ai nis punimin e memorialit “Mutter Heimat” (‘Mëmëdheu’), që e përfundon disa vjet më pas. I kushtuar gjithnjë ndaj Luftës I-rë Botërore, rolit edhe fatit të ushtarëve dhe, përgjithësisht, të ushtrisë gjermane, të Gjermanisë dhe të popullit gjerman gjatë kësaj lufte, në vitin 1936 Fritz von Graevenitz përfundon ‘Handgranatenwerfer’ (‘Granatahedhësi’), në 1937 – ‘Die Wacht am Rhein’ (‘Ora në Rin’), e njohur edhe me emrin; “Mémorial Schneckenburger”.
Mund të kujtojmë se “Die Wacht am Rhein” është himn patriotik gjerman. Origjina e këngës i ka rrënjët në armiqësitë historike franko-gjermane. Ajo ka qenë veçanërisht e popullarizuar në Gjermani gjatë Luftës Franko-Prusiane dhe Luftës së Parë Botërore. Teksti origjinal i këtij himni u shkrua nga Max Schneckenburgeri në 1840. Në të u bëhet një thirrje e fuqishme të gjithë gjermanëve që të nxitojnë dhe të mbrojnë Rinin gjerman dhe të mos lejojnë “asnjë armik të shkelë në brigjet e Rinit”.
“Die Wacht am Rhein” u bën thirrje gjermanëve të bashkohen, të lënë mënjanë krahinarizmin, sektarizmin dhe rivalitetet e mbretërive dhe principatave të ndryshme gjermane, për të krijuar një shtet të bashkuar dhe për të mbrojtur tërësinë tokësore të Gjermanisë. Është i njëjti refren i përvetësuar dhe përdorur nga nazizmi për të përligjur orekset e tij ekspansioniste dhe për të përhapur ideologjinë raciste dhe revanshiste. Para ardhjes në pushtet, në librin “Mein kampf” Hitleri ka shkruar: “Pastrimi i qytetërimit tonë duhet të shtrihet pothuajse në të gjitha fushat.
Teatri, arti, letërsia, kinemaja, shtypi, afishet, vitrinat, duhet të pastrohen nga paraqitjet e një bote në dekompozim dhe të vihen në shërbim të një ideje morale, të një parimi të Shtetit dhe të qytetërimit”. Në këto linja u zhvillua letërsia dhe arti në Gjermani pas ardhjes së nazizmit në pushtet. Kjo “këmishë force”, që nazistët u veshën letërsisë dhe artit, shpjegon gjithashtu edhe përse gjatë sundimit të tyre nuk doli asnjë kompozitor, shkrimtar, piktor, skulptor, kineast, asnjë regjisor i madh, që t’i mbijetojë kohës. Letërsia dhe Arti nazist, në fund të fundit, në thelbin e tyre, pse jo edhe në tërësinë e tyre, mund të cilësohen si një letërsi dhe art dogmatik e obskurantist.
Në vitet e para pas Revolucionit të Tetorit, në Rusinë sovjetike, të gjitha simbolet e të kaluarës, tablo, shtatore, monumente të carizmit, u dogjën, u shkatërruan apo u çmontuan. Kjo veprimtari shkatërruese, purifikuese në sytë e bolshevikëve, krijoi një hapësirë të zbrazët, që duhej mbushur sa më shpejt. Piktorët dhe skulptorët sovjetikë duhet të vepronin duke paraqitur një mjedis social të transformuar nga revolucioni, t’u drejtoheshin masave. Qindra dhe mijëra piktura e skulptura të kohës së pas revolucionit dhe në vazhdim u kushtohen heronjve të tij, fshatarëve, ushtarëve, përgjithësisht përfaqësuesve të masës proletare.
Një trup i shëndoshë, atletik, sportiv, kulti i trupit është objekt i veprimtarisë krijuese të piktorëve dhe të skulptorëve. Sporti bart vlera të pazëvendësueshme në Bashkimin Sovjetik. Arti i nxjerr në pah këto vlera si disiplina, përmbajtja, vendosmëria, vullneti, etj. Një formë fizike e përkryer lidhet me rezultatet në punë, me ndërtimin socialist, madhështinë e vendit të sovjetëve. Piktorët sovjetikë, njëlloj si kolegët e tyre në fusha të tjera të artit, i kanë kushtuar një vend të veçantë figurës së Leninit si udhëheqës i Revolucionit të Tetorit, si simbol i revolucionit proletar, duke krijuar kështu një ikonografi të re. Lenini paraqitet në një plan të ngritur, me shikim të fiksuar drejt horizontit, drejt një të ardhmeje të shkëlqyer. Piktura sovjetike vendos në pëlhurë një Lenin profetik, udhëheqës i një populli tashmë të lirë.
Këto pamje zëvendësojnë “idolet” tradicionale në ambientet shtetërore, publike, por edhe në fshatin rus ku qëndrojnë përbri njëra tjetrës, pikturat me karakter revolucionar dhe ato me përmbajtje fetare. Vetëm Muzeu i Leninit në Moskë ka 470 piktura, që e paraqesin atë si perëndi. Në Muzeun Historik Shtetëror, gjenden: ‘Владимир Ленин и манифестация’ (‘Vladimir Lenini dhe manifestimi’) e Isak Brodskit, realizuar në vitin 1919, ‘В.И.Ленин возрасте 4-х лет’ (‘Lenini katërvjeçar’) e Ivan Parkhomenkos (1920), ‘Владимир Ленин в эмиграции. 1905-1907 гг’. (‘Vladimir Iliçi në emigracion. 1905 -1907’) e Emil Wieselit (1920), ‘Ленин переодетый в Смольном институте в октябре 1917 года’ (‘Lenini në Institutin Smolni në tetor 1917’) e Mihail Avilovit (1925).
‘Владимир Ленин на Красной площади’ (‘Vladimir Lenini në Sheshin e Kuq’) e Isak Brodskit (1924), ‘В. И. Ленин в Смольном’ (‘Vladimir Lenini në Smolni’) po e Isak Brodskit (1925), ‘Ленин в горах Швейцарии’ (‘Lenini në malet e Zvicrës’) e Fiodor Lepiochkinit (1925), ‘В.И. Ленин на трибуне’ (‘Lenini në tribunë’) e Aleksandër Gerasimovit (1930), ‘Владимир Ленин и его жена Надежда Крупская среди крестьян деревни Горький в 1921 году’ (Vladimir Lenini dhe bashkëshortja e tij Nadezhda Krupskaja midis fshatarëve të Gorkit në vitin 1921) e Nikolaï Sisoievit (1949), ‘Ходоки у В. И. Ленина’ (‘Fshatarët tek Lenini’) e Vladimir Serovit (1950), ‘Мы пойдём другим путём’! (‘Ne do të ndjekim tjetër rrugë’) e Piotr Belousovit (1951), Портрет Ленина (Portret i Leninit) e Ivan Kosminit (1953).
‘Ленин перед Государственным планом электрификации Советской России после Октябрьской революции’ (‘Lenini përpara Planit të Shtetit për elektrifikimin e Rusisë sovjetike pas Revolucionit të Tetorit’) e Leonid Shmatkos (1957), ‘Портрет Владимира Ленина’ (‘Portrert i Vladimir Leninit’) e Piotr Vasilievit (1959), ‘В. И. Ленин на революционной сходке студентов в Казанский университет’ (‘V.I. Lenini në takimin revolucionar të studentëve në Universitetin e Kazanit’) e Oleg Vishniakovit (1961), ‘Ленин – вождь’ (‘Lenini është udhëheqës’) e Viktor Ivanovit (1965 ), ‘Ленин работает над книгой Материализм и эмпириокритицизм в Женевской библиотеке (Lenini punon mbi librin ‘Materalizmi dhe empiriokriticizmi’ në bibliotekën e Gjenevës’) e Piotr Belousovit (1978), etj.
Pas vdekjes së Leninit piktura sovjetike tregon zell të veçantë për të bërë kalimin gradual të kultit, të mitit, nga Lenini tek Stalini. Një punim mjaft domethënës me titull “Под знаменем Ленина, за социалистическое строительство социализма” (‘Nën flamurin e Leninit, për ndërtimin e socializmit’) është kryer nga Gustav Klutsisi në vitin 1931. Në këtë punim Stalini është ende nën hijen e Leninit, por njëkohësisht, është edhe hija e tij, d.m.th., paraqitet si trashëgimtar i tij. Kjo vepër e Klutsisit përhapet gjerësisht anë e mbanë vendit në qindra-mijëra kopje.
Duke filluar sidomos nga viti 1933, pamja e Stalinit si udhëheqës politik është edhe më zotëruese në pikturën sovjetike. Ai është tani i vetëm në komandë të vendit. Nga veprat më të njohura të kësaj kohe është punimi i Efimovit, që paraqet një anije të emëruar “СССР” (BRSS). Diçitura e këtij punimi është: “Kapiteni i Bashkimit Sovjetik na udhëheq drejt fitores”. Stalini, me uniformë ushtarake sheh në horizont me një pamje të vendosur dhe me besim. Kjo është vepra e parë ku biri shpirtëror i Leninit paraqitet i vetëm, pa të. Në vitin 1936, Klutsisi i rikthehet Stalinit me punimin ‘Руководители решают все’ (‘Udhëheqësit vendosin për gjithçka’).
Stalini zë të gjithë hapësirën. Në këtë tablo, turmës së gëzuar, admiruese, të hipnotizuar nga udhëheqësi i madh, i rezervohet një vend fare e vogël, pothuajse liliputian. Kulti i Stalinit arrin në shkallën më të lartë sidomos në dhjetorin e vitit 1939, gjatë gjashtëdhjetvjetorit të tij. Pamja e kreut të Kremlinit bëhet mbizotëruese dhe e kudondodhur. Pikturat me Stalinin në qendër shpërndahen në të gjitha gjuhët e vendit, në rusisht, azere, armenisht, etj. Ai dominon mbi turmat e përbëra nga burra, gra dhe fëmijë, gjithnjë me shikim admirues ndaj tij. Në fundin e viteve ’30 Stalini është kthyer në një ikonë të gjallë.
Vitet e para të Luftës II-të Botërore karakterizohen nga një mungesë e figurës së Stalinit në pikturën sovjetike. Vetëm në vitin 1942, në një ceremoni festive kushtuar Revolucionit të Tetorit, rishfaqen pllakatet me pamjen e tij. Me këtë rast Stalini paraqitet me një shikim të vendosur. Parulla euforike e kësaj kohe ishte: “Për Stalinin, më i madhi i epokës tonë, Stalini flamuri i fitoreve tona”. Kulti i Stalinit lidhet me atë të Atdheut. Pamja e tij ndryshon prerazi. Pas fitores së ‘Ushtrisë së Kuqe’ në Stalingrad në vitin 1943, Stalini nuk paraqitet më si udhëheqës i thjeshtë, por i veshur me një uniformë ushtarake të zbukuruar, si të atyre që njihen nga koha e carëve dhe që bolshevikët i kanë përgojuar, i kanë qesëndisur.
Pamjet e tanishme të Stalinit janë ato të një shefi ushtarak fitimtar, i cili tregon me krenari nderet që i përkasin rangut të tij. Pas Luftës do të shihet një rikthim i vërtetë në kultin e tij. Duke u mbështetur në Realizmin Socialist, që do të behet sërish i detyrueshëm, figura e Stalinit madhështohet, zbukurohe. Ajo paraqitet e dubluar, si një qenie njerëzore dhe si një personazh i jashtëzakonshëm, gjithnjë si Mesia i lumturisë, i parajsës socialiste apo komuniste, realisht të arritshme, si Zot. Një pikturë e Boris Borozovskit, realizuar në vitin 1951, e titulluar : ‘Под водительством великого Сталина вперед к коммунизму’! (Nën udhëheqjen e Stalinit të madh përpara drejt komunizmit!) e paraqet atë në këmbë, midis një turme, me një gisht të ngritur lart sikur tregon një objektiv që duhet arritur. Turma është gjigante, e pallogaritshme. Fytyrat janë të lumtura. Shikimi i turmës është drejtuar nga ai.
Në planin e pasëm të pikturës shihet një rajon i Rusisë së jugut me dy simbole: në të djathtë punimet e mëdha për elektrifikimin e vendit, në të majtë urbanizimi. Stalini dominon mbi turmën. Ai është njëkohësisht teoricien dhe njeri i aksionit, që udhëheq popullin drejt progresit. Ai cilësohet si “Stalini i madh”, “arkitekti i madh i komunizmit” në shkallë botërore, etj. Një vend më pak të rëndësishëm kanë zënë në pikturën sovjetike të kohës edhe udhëheqës të tjerë komunistë si Voroshilovi, Kirovi, Orxhonikize, etj.
Arti i tablosë propagandistike lindi në Rusi në valën e revolucionit bolshevik. Gozsizdat, shtëpia botuese shtetërore e krijuar në vitin 1919, ka prodhuar në vitin 1920 jo më pak se 3.2 milionë kopje tablosh të kësaj natyre. Dhe ajo nuk është e vetmja në këtë veprimtari, së cilës i shtohen edhe 7.5 milionë të tjera të shpërndara përgjatë tri viteve të ardhshëm. Objekt i këtij arti, nuk është thjesht himnizimi, ikonizmi apo shenjtërimi i krerëve bolshevikë, Leninit e Stalinit dhe, më pak, edhe i të tjerëve në rrethin e tyre apo pas tyre. Mund të thuhet se propaganda modelon artin rus të kohës, duke shpërndarë mesazhe të thjeshta, utopike, jashtë realitetit, duke mashtruar, por edhe duke kërcënuar.
Ajo synon të mobilizojë popullin në shërbim të komunizmit, të paralizojë dhe asgjësojë që në embrion çdo pakënaqësi dhe kundërvënie, të pompojë një krenari kombëtare me ide revolucionare, të mekanizojë rolin e revolucionit bolshevik në shkallë ndërkombëtare. Më poshtë do të japim disa shembuj. Në vitin 1920 Vladimir Lebedevi paraqet punimin ‘По Европе движется красный призрак коммунизма’ (‘Hija e kuqe e komunizmit zhvendoset në Europë’). Në të shihet një punëtor, që paraprin një fshatar. Të dy revolucionarët detyrojnë tre armiq të klasës, tre kapitalistë, që t’ua mbathin këmbëve në panik. Përse tre? Ndoshta për të paraqitur në mënyrë simbolike Aleancën Trepalëshe, e cila në vështrimin leninist, shpërtheu Luftën e I-rë Botërore dhe më pas mbështeti të Bardhët kundër të Kuqve.
Lebedevi riprodhon këtu karikaturën standarde të kapitalistit. Juri Pimenovi në fund të vitit 1920 realizon punimin ‘Мы строим социализм’(‘Ne ndërtojmë socializmin’). Në sfond duket një uzinë në punë, më pas ndërtesa të reja, përgjithësisht komode. Në qendër janë tre punëtorë me kazma e lopata, që simbolizojnë proletariatin e mobilizuar për ndërtimin e një bote të re. Të pranishëm janë, gjithashtu, dy burra që u kthejnë shpinën dy grave që bashkëbisedojnë. Të dy këta përfaqësojnë “kuadrot” e regjimit të ri, më saktë pararendësit e KGB. Më 1927, Juri Pimenovi paraqet ‘Героиня нашего и не нашего экрана’ (‘Heroinë e ekranit tonë dhe jo e këtij ekrani’). Në anën e majtë, pothuajse si edhe në ‘Мы строим социализм’, vendoset një grua, në një peizazh industrial, duke bashkëbiseduar.
Ajo shoqëron për në shkollë vajzën e saj, që ka në qafë një shall pionieri. Në pjesën e djathtë të veprës paraqitet një version negativ i gruas perëndimore me flokë të çrregullta, me veshje të papërshtatshme, që qëndron e dembelosur përpara një pikture dekadente, formaliste. Optimizmi është përbërës thelbësor i estetikës së Realizmit Socialist edhe gjatë viteve 1930. Në vitin 1933, Maksim Gorki u bën thirrje artistëve që të krijojnë piktura “të gëzuara” me “më tepër buzëqeshje”. Artit figurativ i bëhet thirrje të tregojë vlerat e elementëve, që në realitetin sovjetik paralajmërojnë të ardhmen e shkëlqyer të komunizmit. Pamje të idealizuara na japin gjatë këtyre viteve njeriun e ri sovjetik me tipare të jashtëzakonshme, një njeri super-njeri, super-hero, entuziast dhe të vendosur.
Përparimet teknologjike të Bashkimit Sovjetik janë trajtuar nga një numër i madh artistësh, sidomos në fushën aeronautike, duke dhënë figura të reja heroike, parashutistë, aviatorë që zotërojnë qiejt, etj. Këtë linjë e shohim të zbatohet paraprakisht në funksionimin e muzeve sovjetikë si instrumente politike. Vetëm gjatë vitit 1930, ekspozita të shumta në Moskë dhe në Leningrad do t’u kushtohen tematikave të tilla si: ‘Красная Армия в советском искусстве’ (‘Ushtria e Kuqe në Artin Sovjetik’), ‘Социалистическое строительство в СССР’ (‘Ndërtimi socialist në BRSS’), ‘Женщины до и после революции’ (‘Gruaja para dhe pas Revolucionit’), ‘Выставка работ художников, командированных Главискусством в регионы промышленного и сельскохозяйственного строительства’ (‘Ekspozitë e veprave të piktorëve të dërguar nga Glaviskustvo me detyrë në rajonet e ndërtimeve industriale dhe bujqësore’), ‘Ленинградские художники за борьбу Промфинплана’ (‘Piktorët e Leningradit për luftën e Promfilplanit’).
‘Выставка работ на революционную и советскую тематику’ (‘Ekspozitë e veprave me tematikë revolucionare dhe sovjetike’). Ekspozita e fundit ishte e ndarë në disa seksione, sipas subjekteve: 1 – Revolucioni i Tetorit. Lenini. 2 – Lufta Civile dhe Ushtria e Kuqe. Uria. Lufta kundër rrënojave. Partia dhe sovjetët. 3 – Industrializimi dhe ndërtimi socialist. Kolektivizimi dhe bujqësia. Ndërtimi i banesave. 4 – Mënyra e re e jetesës shoqërore. Revolucioni kulturor. Të ndalojmë në një rast tjetër. Në vitin 1932 në Leningrad hapet ekspozita ‘Художники РСФСР за 15 лет’ (‘Piktorët e RSFSR pas 15 vjetëve’). Në të përfaqësohen 2.824 vepra të 357 artistëve. Në vitin 1933 do të hapet edhe në Moskë një ekspozitë ku do të paraqiten 3.500 vepra të piktorëve sovjetikë. Edhe këtu spikat prirja për të paraqitur jetën e re dhe udhëheqësit e Kremlinit si në tablonë ‘Lenini në Smolni’, në format 190 x 287 cm.
Bie në sy, megjithatë, se në Moskë janë ekspozuar vepra më monumentale se në Leningrad dhe ideologjikisht besnike. Një vend fare i vogël i është lenë formalizmit. Tablotë e paraqitura aty janë krijuar pas centralizimit të veprimtarisë artistike të vitit 1932 dhe, sipas organizatorëve të saj, dëshmojnë se “epoka jonë është Realizmi Socialist”. Veprimtari të ngjashme do të përsëriten edhe në vitet e më pasme. Shihet kjo në ekspozitën. ‘Индустрия социализма’ (‘Industria e socializmit’), e hapur me pompë të madhe në Moskë në vitin 1939. Ajo ka përmasa gjigante. Në të janë paraqitur 1.015 vepra të pikturës, artit grafik, skulpturës, punime këto të 479 artistëve. Subjekti mbizotërues i kësaj ekspozite është Revolucioni, roli i udhëheqësit, jeta heroike sovjetike, kantieret, industria dhe bujqësia sovjetike.
Si shembull i përkryer i Realizmit Socialist të viteve 1930, në pikturë merret tabloja e Juri Pimenovit ‘Новая Москва’ (‘Moska e re’). Autori pikturon kryeqytetin sovjetik nga këndvështrime të ndryshme, duke treguar punimet masive që bëhen nën udhëheqjen e Stalinit, për t’i dhënë atij një pamje tjetër, për ta rinuar atë. Ai i kushton një tablo një gruaje sovietike në timon, gjë e rrallë për kohën, por që duhet të shprehë simbolikisht jetën e re, optimizmin ndaj të ardhmes. Tablotë e Pimenovit përgjithësisht i kushtohen historisë bashkëkohëse sovietike, heronjve të saj, punëtorëve, fshatarëve, ushtarëve.
Kaq të mobilizuar ishin artistët sovjetikë në shërbim të realizmit socialist, d.m.th. të politikës dhe të propagandës së Partisë në pushtet, sa që « Përshembull, në vitin 1937, për të kremtuar 100-vjetorin e vdekjes së Pushkinit, nuk gjendej ndonjë artist i gatshëm për gravurat, sepse të gjithë piktorët “ishin të angazhuar për të zbukuruar qytetin me rastin e njëzetvjetorit të Tetorit dhe për të përgatitur Ekspozitën ndërkombëtare në Paris”. Në Bashkimin Sovjetik të viteve 1930 dhe në vazhdim, janë organe të diktaturës si ‘Narkompros’ (‘Komisariati i Popullit për Edukimin’), që vendosin edhe për detajet më të vogla. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













