Nga Bashkim Trenova
Pjesa e tridhjetë
– NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET –
PARATHËNIE
Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.
PIKTURA DHE SKULPTURA
Në tablonë ‘Kahlenberger Bauernfamilie’ të gjithë personazhet kanë sy të bardhë si edhe flokët e tyre. Djali i ulur në gjunjët e babait përqendron vështrimin ndaj shikuesit të tablosë, sikur kërkon t’i kujtojë se është ai që mishëron të ardhmen e racës gjermane, se është ai që do të mbajë përgjegjësitë familjare, nëse babai do të shuhet. Pamja e gjyshes e drejtuar tek djali tregon se edhe ajo i kupton përgjegjësitë e mëdha, që do të bien mbi këtë djalosh, simbol i vazhdimësisë së traditave të lidhura me tokën dhe gjakun. Të tre fëmijët pasqyrojnë rëndësinë që i jepet në atë kohë ripërtëritjes së racës ariane.
Bota fshatare dhe, nëpërmjet saj, lidhja me tokën, vihen në pikturën naziste në një piedestal nderi. Për artin nazist është i rëndësishëm prodhimi i imazheve, që i adresohen familjes apo qelizës bazë të ndërtimit të Gjermanisë së re. Fshatarësia është e lidhur natyrshëm, nga nazistët, me nocionin e punës. Fshatari është simbol, që përfaqëson njëkohësisht punën dhe lidhjen me tokën, një siguri për “vazhdimësinë e jetës”. Këtë nocion, kaq të shtrenjtë për nazistët, e paraqet në mënyrë të përkryer Julius Paul Junghannsi në tablonë ‘Bergbauer beim Pflügen’ (‘Malsori duke pluguar’). Werner Peineri, në tablonë ‘Deutsche Erde’ (‘Toka gjermane’), 1933, vazhdon në këtë traditë, duke i shtuar dimensionin e hapësirës apo të Lebensraumit (hapësirës jetike). Në të dyja tablotë fusha simbolizon një hapësirë, që duhet fituar, si dhe pasurinë, rëndësinë e një territori të paprekur.
Piktura lidhet edhe me industrinë, me botën punëtore, të cilën Hitleri e lajkatonte shumë në fillimet e karrierës së tij politike. Kështu që edhe proletariati industrial nuk mund të mos ishte i pranishëm në pikturën naziste. Mund të përmendet ‘Wir sind die Werksoldaten’ (‘Ne jemi ushtarë të uzinës’) e vitit 1939, me autor Ferdinand Staegerin. Në këtë tablo individi humbet në favor të kolektivitetit. Në të shihen “ushtarë” të frontit të industrisë. Mjafton të zëvendësohen kazmat e lopatat me pushkët dhe granatat për të kuptuar domethënien e këtij regjimenti punëtorësh, që arrin të ruajë radhët edhe kur i duhet të ngjisë një rrëpirë mjaft të pjerrët.
Kjo forcë disipline është e pranishme edhe në tablonë e Arthur Kampfit, 1939, të titulluar ‘Das Walzwerk’ (‘Petëzuesi’). Edhe këtu punëtori humbet individualitetin e tij dhe jeton vetëm për të kryer punën. Tabloja thekson heroizmin në punë, në mënyrë që vizitori të mos tërhiqet, të mos shohë kushtet e vështira të punës, gjurmët e vuajtjes dhe të mjerimit si pasojë e tyre. Sikurse ka theksuar Eric Michaudi, “Ideali që synonte kulti Nacionalsocialist i punës ishte ai i një thithjeje totale të punonjësve në Veprën prodhuese, në emër të Bashkësisë”.
Hitleri hiqet kompetent në të gjitha fushat e artit. Ai ka deklaruar: “Nëse Gjermania nuk do të kishte humbur luftën, unë nuk do të isha bërë politikan, por një arkitekt i madh, diçka si një Mikelaxhelo”. “Diçka si një Mikelaxhelo”, d.m.th., jo vetëm një gjeni i pikturës, afreskut, por edhe i skulpturës! Edhe skulptura naziste kërkon të demonstrojë epërsinë dhe burrërinë e racës ariane, njeriun ideal, që i përket kësaj race dhe që është i zhveshur nga çdo ndjesi. Burrat paraqiten të zhveshur, tepër muskulozë, fizikisht tejet të përkryer, jorealë. Burri gjerman në skulpturë është një lloj simboli abstrakt i bukurisë, që as dashurohet dhe as dashuron.
Si rregull, ai paraqitet i ashpër, i zemëruar, i vullnetshëm, një lloj shpëtimtari që i jep fund rrëmujës, mungesës së rendit. Janë po ato tipare, që i vishen Adolf Hitlerit. Përsa i takon gruas, apo femrës në përgjithësi, ajo shpesh paraqitet e veshur dhe si njëlloj simboli kombëtar. Në rastet kur ajo është e zhveshur, kjo bëhet për të ekspozuar në mënyrë të plotë karakterin e saj si nënë. Pra, në rastin e femrës, nuk janë muskujt që dalin në pah, por forma dhe shprehje të një nëne të fortë riprodhuese, të një nëne, që me thjeshtësi dhe kënaqësi kujdeset për vatrën e saj familjare.
Skulptura është, pa dyshim, një nga format më karakteristike të përmbytjes së artit nga propaganda. E vlerësuar në mënyrë të veçantë nga Hitleri, ajo njeh një numër jo të pakët autorësh, që shpejtojnë të vendosin në mermer apo në bronz idetë naziste, si edhe figurën e tij, sipas stilit të konsujve dhe perandorëve romakë. Një numër i revistës ‘Die Kunst im Dritten reich’, i vitit 1939, jep disa shifra, të cilat flasin për rolin e skulpturës në Gjermaninë naziste. Sipas kësaj reviste, në vitin 1937 në Gjermani u ngritën 200 shtatore, një vit më pas 380 dhe në vitin 1939, u ngritën 680 të tjera. Për realizimin e tyre punuan 265 skulptorë.
Rëndësi e veçantë iu kushtua nga nazistët ngritjes së veprave monumentale. Një nga ndërtimet e para të llojit është monumenti i ngritur në Munih, në Köningplatz, në lavdi të anëtarëve të Partisë Naziste të vdekur përpara marrjes së pushtetit nga hitlerianët. Pothuajse në të gjithë Gjermaninë u ngritën monumente kushtuar periudhës së Luftës I-rë Botërore, lavdisë së të gjitha armëve të këmbësorisë, të nëndetëseve, etj. Mund të përmendet edhe projekti për ndërtimin në Berlin të një monumenti gjigant kushtuar ushtarëve të rënë në Luftën I-rë Botërore, ku një vend i madh u rezervohet “heronjve të kohës tanishme”. Edhe në skulpturë nazistët dhe artistët në shërbim të tyre, kërkojnë të ringjallin shpirtin gjermanik heroik e mistik dhe ta vendosin atë në binarët e ideologjisë nacional-socialiste.
Heroizmi dhe lufta janë tema thelbësore të skulpturës, ashtu sikurse janë për të gjithë artin nazist. Ndër autorët më të njohur të skulpturës monumentale të Gjermanisë naziste, janë Arno Brekeri dhe Josef Thoraku. Brekeri e admironte Hiterin. Ai i ka kushtuar një bust atij. Hitleri e admironte gjithashtu Brekerin dhe e cilësonte atë si një nga gjenitë artistike të Rajhut III-të. Hitleri e përshkruan punën e Brekerit si “të fuqishme dhe plot vullnet”. Hitleri dhe Brekeri kishin edhe marrëdhënie personale. Me 23 qershor 1940, Brekeri shoqëron kreun nazist në Paris. Arno Brekeri ka patur lidhje edhe me figura të tjera të mëdha të Rajhut III-të, si Gëbelsi dhe Speeri. Këtyre dhe vajzës së Gëringut ai u ka kushtuar buste.
Arno Brekeri është artist i mbështetur nga regjimi nazist. Emri i Brekerit gjendet edhe në listën “Gottebegnadeten”, d.m.th. në listën e artistëve të cilësuar nga nazistët si të talentuar në mënyrë hyjnore. Veprat neoklasike të Brekerit i përgjigjen estetikës ushtarake të këtij regjimi, i cili, gjeti në veprën e tij kanunet estetike të Rajhut të Tretë mbi njeriun e fortë arian. Regjimi nazist i kërkoi Brekerit realizimin e shumë veprave monumentale. Në vitin 1936, me rastin e Lojërave Olimpike të Berlinit, ai realizoi dy skulptura: ‘Zehnkämpfer’ (‘Dhjetëgarëshi’) dhe ‘Die Siegerin’ (‘Fitorja’). Në 1937 Brekeri bëhet anëtar i Partisë Naziste dhe emërohet nga Hitleri si “skulptor zyrtar i shtetit”. Po gjatë këtij viti atij iu dha një pronë e madhe dhe një studio me dyzet e tre asistentë, specialistë dhe punëtorë.
Për të bënin punë të detyruar edhe mjaft francezë, italianë dhe sovjetikë. Për realizimin e programit të tij gjigantes të skulpturave monumentale, Speeri dhe Hitleri i krijuan kushte të veçanta pune Brekerit dhe vunë në dispozicion të tij mjete kolosale, përfshirë vinça dhe një linjë hekurudhore me lokomotivë dhe vagonë, si edhe një port në Oder. Adolf Hitleri do t’i kërkojë Arno Brekerit të realizojë skulpturat ‘Die Partei’ (‘Partia’) dhe ‘Die Wehrmacht’ (‘Wermahti’). Këto dy skulptura kolosale tërësisht prej bronzi, me një lartësi prej 3.50 metrash, do të punohen midis viteve 1938 dhe 1939. Këto vepra janë, ndoshta, më të njohurat e Brekerit, të krijuara gjatë periudhës së Rajhut të Tretë. Ato përcjellin një mesazh të fortë ideologjik dhe simbolik.
Ato zunë një vend nderi në hyrje të kancelarisë së re të Rajhut, rezidenca zyrtare e Adolf Hitlerit nga viti 1938 deri në 1945. Emri i tij bëhet pothuajse sinonim i artit të Rajhut të Tretë. Asnjë artist tjetër i kohës nuk ka mbajtur pozicion kaq të rëndësishëm politiko-kulturor dhe nuk ka marrë kaq shumë porosi të rëndësishme. Arno Breker do të vazhdojë të nderojë urdhrat e Hitlerit deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë të gjithë kësaj kohe, ai punoi në disa studio për krijimin në bronz të heronjve, që manifestojnë forcën në përmasa të pabesueshme, trupin triumfues të njeriut, një shprehje imperialiste dhe totalitare. Vepra e Brekerit përshkohet nga një kontrast i fortë midis elementeve të lehtë dhe të errët si dhe nga një tension dramatik, që shfaqet në muskulaturën e personazheve të tij.
Në vitin 1940 ai do të punojë, në të njëjtin stil, në përputhje të plotë me ideologjinë naziste, Der Wächter (Roja), një basoreliev i vlerësuar nga Adolf Hitleri. Kjo vepër u krijua për t’u vendosur në kryeqytetin e ri të Rajhut, Gjermania, të cilin Hitleri donte ta ndërtonte pas luftës. Në vitin 1941 Breker krijoi skulpturën dramatike ‘Kameraden’ (‘Shoqëria’), e cila paraqet një burrë në këmbë, sfidues në shprehjen e tij, me një bashkëluftëtar të plagosur rëndë që prehet pa ndjenja në krahët e mikut të tij. Skulptura u porosit nga Albert Speer në vitin 1940.
Në një vështrim të përgjithshëm mund të thuhet se Brekeri, i cilësuar nga shtypi vendas i kohës si “Mikelaxhelo i Rajhut III-të”, prodhoi një numër skulpturash, që i thurin himne regjimit. Paraqitjet plastike të trupit të njeriut, në një mënyrë të veçantë, nga Brekeri, lidhen me praninë e një kërkese shpirtërore që, sipas ideologëve nazistë, vepron që nga “deutsche innerlichkeit”, d.m.th. që nga brendësia gjermane, dhe shfaqet në trupin njerëzor nëpërmjet veçorisë dhe “bukurisë” së tij.
Kjo veçori, apo kjo “bukuri” e veçantë, paraqitet nga ideologët nazistë si kërkesë e brendshme e njeriut që ndjek një ideal dhe që e tejkalon vetveten, e njeriut që e bën këtë kalim heroikisht, duke u vetësakrifikuar. Brekeri krijon stilin e ri monumental gjerman. Natyra neoklasike e veprës së tij, skulpturat e përmendura, por edhe të tjera si ‘Der Rächer’ (‘Hakmarrja’), ‘Opfer’ (‘Sakrificë’), ‘Der Wächter’ (‘Roja’) etj., përfaqësojnë idealet naziste, janë pjesë e propagandës naziste, i bëjnë jehonë asaj. Edhe propaganda i bën jehonë krijimtarisë së tij. Kulturfilm-Institut (Instituti i Filmit Kulturor) dhe në përgjithësi media gjermane, e kishin për detyrë t’u bënin jehonë artistëve të kohës, madhështisë së kulturës naziste. Për sa i takon krijimtarisë së Bekerit, paraqitjes dhe shpërndarjes së saj, propaganda naziste është angazhuar në të gjithë gamën e vet.
Kjo sepse skulpturat e tij shërbenin për indoktrinimin e popullsisë me të ashtuquajturat virtyte gjermane të trimërisë, kurajos, etj. Brekeri është paraqitur prej saj si artist i përkushtuar, me aftësi të jashtëzakonshme, si artisti që ka krijuar modelet heroike të regjimit nacionalsocialist. Jozef Thoraku është një tjetër skulptor nga më të rëndësishmit dhe më të vlerësuarit nga nazistët. Pas Arno Brekerit ai është i dyti “skulptor zyrtar” i Raihut III-të. Ai bën pjesë në Sonderliste të Gottbegnadeten-Liste. Vetë Hitleri e ka cilësuar si shenjtor dhe e ka vendosur përbri Arno Brekerit në listën speciale të “artistëve të pazëvendësueshëm” në fushën e skulpturës.
Thoraku ka punuar për realizimin e busteve të figurave historike si të mbretit të Prusisë, Fredericku i Madh dhe të kancelarit Otto von Bismarck, që bashkoi principatat gjermane dhe në vitin 1871 krijoi shtetin gjerman. Ai njihet gjithashtu për realizimin, në vitin 1922, të ‘Der sterbende Krieger’ (‘Luftëtari në agoni’), skulpturë kushtuar të vrarëve gjatë Luftës I-rë Botërore në Stolpmünde, sot Ustka në Poloninë Veriperëndimore. Josef Thoraku ka realizuar me motive nga Lufta I-rë Botërore, në të njëjtin vit, edhe ‘Thüringisches Husaren Regiment’ (‘Regjimenti i kavalerisë së Turingenit’). Zgjedhja e kësaj tematike dëshmon për orientimin e tij politik, para dhe pas ardhjes së nazistëve në pushtet, si edhe për simpatinë e tyre ndaj këtij artisti, për mbështetjen që i dhanë atij.
Sidomos nga mesi i viteve ’30 krijimtaria e Jozef Thorakut është qartazi në ndikimin e Partisë Naziste. Arti i tij i kushtohet pastërtisë, forcës dhe superioritetit të racës ariane. Trupat nudo dhe muskulozë të skulpturave të tij, në stilin neoklasik, bëjnë pjesë në këtë logjikë. Ata ekspozohen si e kundërta e trupave të “degjeneruar”, që i përkasin racës jo gjermanike dhe u përgjigjen plotësisht kërkesave estetike të krerëve të nacionalsocializmit, që i përdorin krijimet e Thorakut për propagandë publike në Gjermani dhe jashtë saj.
Arti i Rajhut III-të duhet të dëshmonte rrugën e përsosmërisë estetike të racës veriore. Skulpturat nudo të Brekerit dhe të Thorakut, bustet, profilet, kofshët, të pasmet e pjesë të tjera të trupit, që paraqisnin tipin e përkryer të racës, ekspozoheshin për t’u adhuruar, por edhe për t’u ndjekur. Këto modele skulpturore ishin mjaft të pranishme në vendet publike, në ekspozita, në sallat e kinemave, për të ndikuar, për të testuar secili në veten e tij pastërtinë e racës, për të ushqyer tek secili, sidomos tek të rinjtë, ëndrrën për t’u përjetësuar në një “statujë mermeri”. Fantazimi nazist i një trupi apo forme trupore të përsosur lidhet me idenë, po kaq fantaziste të nazizmit, për prodhimin e një race, bukuria e së cilës do të fliste edhe për superioritetin e saj.
Bustet e realizuara nga Thoraku në vitet 1933-1934 tregojnë më së miri orientimin politik të krijimtarisë së tij. Në verën e vitit 1933 ai ka si model ministrin e propagandës Joseph Gëbelsin. Në vitin 1934 ai realizon portretin e mikut të tij Ernst “Putzi” Hanfstaengl, që ka marrë pjesë, në nëntorin e vitit 1923, në puçin e dështuar ushtarak të Adolf Hitlerit. Ai realizon gjithashtu një bust të Benito Musolinit. Në vitin 1940 Hitleri ia dhuron këtë bust diktatorit fashist të Italisë. Thoraku kishte simpati për Hitlerin, ndaj të cilit nuk kursen as lëvdatat publike në një intervistë dhënë ‘Völkischer Observer’. Thoraku hyn edhe në marrëdhënie personale me të. I ftuar nga diktatori nazist në pranverën e vitit 1936 për të kaluar shumë ditë së bashku në Obersalzberg,
Thoraku punon për realizimin e bustit të tij. Në vitin 1942 ai punon në mermer bustin e Hitlerit. Gjatë të gjithë karrierës së tij Thoraku do të realizojë disa buste të udhëheqësit nazist. Thoraku është autor edhe i skulpturës masive ‘Boxer’, realizuar për stadiumin e Lojërave Olimpike të vitit 1936, të organizuara në Berlin. Ai është, po ashtu, autor i grupit skulpturor ‘Göttin des Sieges’ (‘Perëndia e fitores’), që u vendos në rrugën që përcillte delegatët e Kongresit të Nurembergut të Partisë Naziste për në sallën e këtij Kongresi. Në vitin 1937 ai realizon ‘Kameradschaft’ (Shoqëri) dhe ‘Die Familie’ (‘Familja’) për Ekspozitën Universale të Parisit. Këto dy skulptura do të marrin çmimin e Madh të Jurisë Ndërkombëtare. Ato u vendosën në hyrje të pavijonit gjerman.
‘Kameradschaft’ ekspozon dy burra gjigantë nudo, që pozojnë një shoqëri racore, shtrëngojnë duart dhe që, duke qëndruar përbri njëri-tjetrit, sfidojnë rrezikun. Të dyja skulpturat, me lartësi 7 metra, shprehin siguri, krenari, “pastërti” dhe disiplinë, thënë ndryshe – “Gjermaninë e re”. Mbi dhjetë mijë tonë çelik dhe gurë, të nevojshëm për ndërtimin e pavijonit gjerman, u transportuan nga më se një mijë kamionë nga Berlini. Sipas logjikës naziste, ky pavijon duhej ndërtuar “duke nisur nga toka e shenjtë gjermanike” dhe “vetëm me hekur dhe gurë gjermanikë”.
Joseph Gëbelsi, pasi ka parë Kameradschaft dhe Die Familie, në studion e Thorakut, d.m.th. para dërgimit të tyre në Ekspozitën Universale të Parisit, ka shkruar në ditarin e tij : “Shumë i madh dhe monumental. Thoraku është talenti ynë më i madh plastik. Atij i duhen dhënë porosi”. Gjatë Rajhut III-të Thoraku ka marrë shumë porosi. Në vitin 1939 ai krijoi ‘Schreitende Pferde’, (‘Kuajt me hapa të gjatë’) për kancelarinë e Rajhut të Ri të Adolf Hitlerit në Berlin. Në vitin 1940 ai realizon ‘Frauenakt’ (‘Gruaja nudo’), që u ble nga Hitleri. Në vitin 1941 ai realizon ‘Danzinger Freiheitsdenkmal’ (‘Monumenti i Lirisë i Dansingut’) dhe, në vitin pasardhës, skulpturën ‘Mutter mit Kind’ (‘Nëna me fëmijën’). Kjo skulpturë, si ide, është njëlloj imitimi i atyre të krijuara në shekuj, që paraqesin Shën Marinë me Jezusin fëmijë në krahët e saj, d.m.th. devotshmërinë dhe dashurinë e nënës, detyrën e shenjtë të gruas nënë.
Një pjesë e mirë e statujave të tij e kalojnë lartësinë e 10 metrave. Disa arrijnë edhe 20 metra lartësi. Në këtë mënyrë shprehej “madhështia e idealit nazist”. Hitleri e vlerësonte krijimtarinë e Thorakut. Me urdhër të diktatorit nazist, gjatë viteve 1938-1941 u ndërtua në Baldham, pranë Munihut, një studio gjigante, që iu vendos atij në dispozicion për krijimin e shtatoreve të tjera monumentale. Sipas kërkesës së tij, për të punuar në këtë studio, skulptorit iu u vunë në dispozicion edhe dhjetëra francezë, italianë, etj. të burgosur në kampin e përqendrimit të Dachaut.
Edhe skulptori Willy Meller trajton në krijimtarinë e tij idenë nacional-socialiste të racës superiore; “Herrenmensch”. Melleri ka patur vlerësimin më të lartë që mund të ketë një skulptor gjatë Rajhut III-të. Kjo duket edhe në kërkesën shtetërore, që iu bë për realizimin e dy veprave për Stadiumin Olimpik të Berlinit. Vepra e tij më në zë është ‘Fackelträger’ (‘Pishtarmbajtësi’). Në këtë shtatore ndihet qartë simbolizmi kristian dhe grek si edhe ideja pagane e dritës. Autori i referohet Prometeut, që i sjell zjarrin njerëzimit. Ai trajton simbolizmin e dritës, tepër i pranishëm në ideologjinë naziste, krejtësisht për qëllime politike. Zjarri simbolizon rilindjen e kombit në Gjermaninë naziste. ‘Fackelträger’ i drejtohet sidomos rinisë dhe i kujton betimin: “Ju jeni pishtar-mbajtës të kombit. Ju mbartni dritën e mendimit në luftën tuaj për Adolf Hitlerin”.
‘Fackelträger’ shpreh njëlloj unifikimi midis arianes dhe nazizmit, shpreh imazhin ideal të “gjermanit”, që ende nuk është krijuar, por që po krijohet duke u mbrujtur me idetë naziste të “Jezusit” gjerman, thënë ndryshe – të shpëtimtarit të popullit gjerman dhe të botës mbarë, Adolf Hitler. Fritz Graevenitzi është një tjetër skulptor i kohës, që vuri artin e tij në shërbim të politikës vdekjeprurëse të nacionalsocializmit gjerman. Sikurse ka deklaruar vetë ai: “Në të kaluarën artisti i vetëm ishte i izoluar dhe shumë shpesh i prirur të humbasë në përvoja të zhveshura nga çdo kuptim për popullin në tërësinë e tij, por detyrat kulturore të Rajhut III-të kërkonin përfshirjen e të gjitha forcave artistike në bashkësinë kombëtare”.
Në këtë “bashkësi” u rendit edhe ai duke himnizuar në krijimtarinë e tij Hitleri dhe luftën. Për shërbimet e bëra, Hitleri, në fazën përfundimtare të Luftës II-të Botërore, në gushtin e vitit 1944, e përfshin edhe atë në Listën e Shenjtë të artistëve më të rëndësishëm visualë. Një nga punimet e para të Von Graevenitzit, pas ardhjes së nazistëve në pushtet, është realizimi i bustit të Hitlerit në bronz. Në vitin 1935 ai ka marrë pjesë në Kongresin e Partisë Naziste Gjermane në Nuremberg. I ulur pranë Hitlerit, Graevenitzi shfrytëzoi mundësinë të studiojë kokën e udhëheqësit nazist përgjatë disa orëve. Vetë ai do të shkruajë më pas se mbresat që pati gjatë këtyre orëve, do t’i shërbenin si bazë për të bërë bustin e Hitlerit. Pas vitit 1935 Graevenitzi do të bëjë buste edhe të krerëve të tjerë nazistë.
Gjatë viteve të krijimtarisë së tij si skulptor nazist, ai realizon një numër të madh shtatoresh të ushtarëve të Wehrmachtit si edhe disa shqiponja gjigante perandorake me kryqe të thyer. Më parë, por edhe në vazhdim, ai ka punuar për një seri përmendoresh kushtuar Luftës I-rë Botërore, trimërisë dhe heroizmit të ushtarëve gjermanë në këtë luftë, atdheut, etj. Kjo linjë zotëruese në krijimtarinë e tij është në përputhje të plotë me frymën dhe estetikën naziste për artet, në përgjithësi, përfshirë, skulpturën. Ajo ndikon drejtpërsëdrejti në përgatitjen shpirtërore të popullit për një luftë të re, në emër të atdheut të poshtëruar, që duhet të rilindë, që i ka forcën dhe kushtet historike për këtë rilindje. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













