Nga Isuf B. Bajrami
Pjesa e dytë
Memorie.al / E trajtuar si një domosdoshmëri objektive, nga realizimi i së cilës do të varej suksesi i luftës për çlirimin nga sundimi osman e për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut, ideja e unitetit politik dhe luftarak të popullit shqiptar u përpunua nga iluministët tanë të shquar gjatë gjithë Rilindjes, u vu në qendër të kësaj epoke dhe u bë pjesë e pandarë e platformës politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Rruga e popullit shqiptarë drejt bashkimit kombëtar dhe formimit të një shteti të pavarur pati pa dyshim veçoritë e veta, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës, të kushtëzuara nga rrethanat historike, ekonomiko-shoqëror dhe nga ato politike, të brendshme e të jashtme.
Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar nuk mund të kuptohej pa unitetin territorial, një nga komponentët më të domosdoshëm për ekzistencën e kombit, pa themelin mbi të cilën shqiptarët do të ngrinin shtetin e pavarur dhe do ti siguronin kombit të tyre një zhvillim të plotë dhe unik.
Ky bashkim do të arrihej duke kapërcyer ndarjen e trojeve shqiptare në katër vilajetet,të vendosura nga Porta e Lartë, si dhe dallimet krahinore midis Gegërisë e Toskërisë e trevave të tjera më të vogla, të trashëguara nga thellësitë e shekujve e që mbaheshin gjallë nga pushtuesit dhe nga pashallarët e bajraktarët vendas për të penguar unitetin politik të shqiptarëve, për t’i copëtuar e për t’i nënshtruar ata.
Në këtë ndarje administrative rilindësit shikonin vazhdimin e parimit të lashtë të pushtuesve “përçaj e sundo!”, të cilit, sikurse shprehej Pashko Vasa,”tanimë i ka kaluar koha,sepse rryma e shek. XIX i shtyn popujt drejt bashkimit” (Pashko Vasa, vep e përmendur, fq.96.).
Lufta për njësimin e tokave shqiptare u ndërthur në mendimin politik të rilindësve me përpunimin e një koncepti të drejtë mbi këto territore. Në argumentimin e përkatësisë kombëtare të trojeve shqiptare ata mbështeteshin në radhë të parë në të dhënat etnike, në faktin që shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë në këto toka dhe banonin atje në mënyrë kompakte. Abdyl Frashëri, ndonëse mbronte me argumente të gjithanshme historike, etnike, gjuhësore, ekonomike dhe ushtarako-strategjike tërësinë e Shqipërisë, e vinte theksin në gjuhën shqipe, që ishte tipari i përbashkët dhe një nga më kryesorët e kombit.
“Gjuha e banorëve të Shqipërisë,-shkruante Abdyli,-është shqipja, dhe banorët e saj janë shqiptarë qysh prej kohëve të lashta” (“Basiret”, Istambull, nr. 2416,7/19 prill 1878.). Ky koncept i rilindësve për Shqipërinë, si atdheu i përbashkët i shqiptarëve,i një popullsie që fliste të njëjtën gjuhë, pavarësisht nga dallimet fetare e ndarja administrative në katër vilajete, ishte një koncept i drejtë, shkencor, i cili qe vënë në themel të formimit të shteteve kombëtare në Ballkan e në tërë Evropën. Këtë parim mbronte edhe Frederik Engelsi, kur shkruante se; “kufijtë e vërtetë natyrorë janë ata që përcaktohen nga gjuha dhe simpatia e përbashkët” (Karl Marks – Frederik Engels veprat, vëll. 13, 1959, fq. 281).
Për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, si dhe për historiografinë tonë të sotme, janë krejtësisht të huaja synimet që u atribuohen nga disa studiues të sotëm të tipit të Dimitrije Bogdanoviçit, i cili, duke i dhënë tezës mbi origjinën ilire të shqiptarëve një interpretim krejt të falsifikuar e subjektiv, përpiqet të bindë opinionin publik se, sipas kësaj teze, konsiderohen si shqiptare të gjitha territoret e banuara dikur nga ilirët, ku në shek. XIX jetonin popuj të tjerë. Ai shikon në pikëpamjen për origjinën ilire të shqiptarëve përpjekjen, e imagjinuar prej tij, për ta kthyer Ballkanin, madje edhe Evropën, shumë shekuj prapa, në periudhën e dyndjeve të fiseve sllave, në shek. VI. (D. Bogdanovic’, Knjiga o Kosovu, Beograd, 1985, fq.16).
Si dijetarë, rilindësit i referoheshin edhe historisë, sillnin të dhënat për të drejtat historike të shqiptarëve mbi trojet amtare, për të mbrojtur paprekshmërinë e tyre, por duke u shtrirë këto të drejta vetëm në ato territore, në të cilat banonin në shek. XIX, si pasardhës të ilirëve, si një popull autokton e jo i vendosur si rrjedhojë e “dyndjeve të mëvonshme të fiseve shqiptare dhe e shpërnguljes së popullsive sllave”, sikurse pohohet në historiografinë e vjetër dhe të sotme jugosllave. Jo për shkak të ndonjë ekskluziviteti kombëtar,por për hir të kushteve, në të cilat i vendosi historia, shqiptarët, sikurse shprehej edhe Abdyl Frashëri, nuk kishin ushqyer asnjëherë aspiratat pushtuese ndaj popujve të tjerë. (“Basiret”, Istambull, nr. 2416,7/19 prill 1878).
Ndonëse ishin të ndërgjegjshëm që e ardhmja e Shqipërisë garantohej me formimin e një shteti të pavarur, përballë rrezikut të copëtimit, ”të zhdukjes së ekzistencës kombëtare dhe politike të vendit” (Abdyl Frashëri, Letër nga Janina,”Basiret”, Istambull, nr. 2416,7/19 prill 1878), i cili u qëndronte mbi krye shqiptarëve si “shpata e Damokleut”, atdhetarët rilindë veçuan si një detyrë tepër të ngutshme dhe imperativë bashkimin e viseve shqiptare, kërkuan nga Porta e Lartë “që vendi i quajtur Shqipëri të bashkohej në një tërësi dhe të formonte një vilajet të vetëm”(Akte të Rilindjes…, dok. 52).
Ata e shikonin këtë si një kërkesë minimale, të përkohshme, si një qëndrim taktik të imponuar nga politika e Portës së Lartë dhe e Fuqive të Mëdha që kundërshtonin autonominë e Shqipërisë. Në këtë çështje ushtroi ndikimin e vet edhe bindja e udhëheqësve të lëvizjes sonë kombëtare për ta përdorur bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet, si një shkallëz, si një fazë transitore, për të kaluar më pas në shpalljen e tij si një njësi shtetërore autonome shqiptare.
Pikërisht pse çonte në rrjedhime të tilla, bashkimin e viseve shqiptare në një vilajet të vetëm e gjejmë edhe në mendimin politik e në veprimtarinë praktike të mendimtarëve të tillë me pikëpamje radikale, si Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, si edhe në vetë aktet e Rilindjes.
Abdyl Frashëri, që njihet si luftëtar më i vendosur për autonominë, madje edhe për shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, në memorandumin që i dërgoi sulltanit, më 13 tetor 1880, kur siç, shprehej si, “Flotat e Gjashtë Fuqive të Mëdha, si zhgaba shqyese, sulmuan një qytet të vogël si Ulqini”, u detyruan të kufizohej me një masë të tillë shumë të ngutshme, të domosdoshme dhe nga më të rëndësishmet, siç, ishte “bashkimi i Shqipërisë; në një vilajet të vetëm, me emrin “vilajeti i Shqipërisë”.
Udhëheqësi i lëvizjes kombëtare e vlerësonte këtë si një nga mjetet që do t’u priste rrugën lakmive të shteteve fqinje”, lakmi që nxiteshin edhe nga “ndarja e Shqipërisë në katër vilajetet”, ku, krahas shqiptarëve, që përbënin shumicën e popullsisë së tyre, kishte edhe pakica sllave e greke, si “një masë që do të mbronte e do të siguronte tërësinë e Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane”.
Në kushtet e atëhershme tepër të ndërlikuara ndërkombëtare, Abdyli e quante aq kritike gjendjen e Shqipërisë dhe aq real rrezikun që kërcënonte tërësinë e trojeve të saj e vetëqenien e shqiptarëve si komb, sa që u detyrua në këtë memorandum t’u bënte lëshime koncepteve të veta radikale për zgjidhjen e çështjes shqiptare. “Le të mos i jepet Shqipërisë asnjë privilegj ose formë administrative e veçantë,-i shkruante Abdyli sulltanit, – Le të administrohet ajo sipas ligjeve, me të cilat administrohen vilajetet e tjera perandorake. Mjafton që të katër vilajetet të bashkohen në një vilajet të vetëm “(Promemoria e Addyl Frashërit, parashtruar Sulltanit me 13 tetor 1880. Bashbakanllik Arshivi, Istanbull, Yildiz Esas Evraki, Kisim 14,Evrak nr.2239.). Këtë kërkesë Abdyli ia paraqiti Sulltanit si një aspiratë të mbarë popullit shqiptar.
Ideja e bashkimit të viseve shqiptare në një vilajet të vetëm përshkon memorandumet dhe peticionet që iu dërguan Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX., deri në shpalljen e Pavarësisë. Ajo paraqitet në dy forma: së pari, si kërkesë e veçantë, që u shtrua sidomos në periudhat e ndërhyrjeve më të ashpra të Fuqive të Mëdha dhe të monarkive ballkanike, dhe së dyti, si pjesë e platformës autonomiste të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në memorandumet e peticionet e shumta, e sidomos në ato të kryengritjeve të mëdha të viteve 1910-1912.
Në të dyja rastet bashkimi i viseve shqiptare do t’i nënshtrohej, sikurse Sami Frashëri, ”qëllimit kryesor të shqiptarëve: ruajtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë, të gjuhës dhe të kombësisë shqiptare dhe formimit të një shteti autonom kombëtar” (Sami Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë,…,fq. 59.).
Ekzistencën e shqiptarëve si një komb i vetëm dhe të drejtën e tyre për të pasur shtetin e vet të pavarur nuk mund t’i vinte në pikëpyetje ndarja e tyre në tri besime fetare në atë mysliman,të cilit i përkiste shumica e popullsisë, në atë katolikë e në ortodoks. Megjithatë, në kushtet e atëhershme, kur Porta e Lartë dhe Patrikana greke e Stambollit u mohonin shqiptarëve kombësinë, vinin shenjën e barazimit midis fesë dhe kombësisë, duke i quajtur shqiptarët myslimanë-turq, katolikët-latinë dhe ortodoksët-grekë, besimet e ndryshme ushtronin ndikim negativ në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Në rrethana të tilla, bashkimi kombëtar i popullit shqiptar dhe organizimi i tij në një shtet të pavarur nuk mund të arriheshin pa atë luftë të vendosur që atdhetarët rilindës zhvilluan kundër reaksionit klerikal kundër të të tri besimeve, e cila i dha Rilindjes Shqiptare një tipar të veçantë, e bëri të dallohet nga lëvizjet kombëtare të shteteve fqinje.
Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, ku borgjezia, për shkak se popullsia i përkiste të njëjtit besim fetar, e përdori kishën si armë ideologjike në luftën për çlirimin kombëtar dhe më pas për të përmbushur lakmitë e saj pushtuese, në Shqipëri kleri ishte një faktor negativ, siç shprehej Fan Noli, “një vegël politike” në duart e të huajve, që punonte për t’i përçarë e për t’i asimiluar shqiptarët, dhe frenonte kështu bashkimin e tyre kombëtar.
Ishte meritë e veçantë e rilindësve,që e vlerësuan drejt këtë rol reaksionar të klerit,që kuptuan se për të arritur bashkimin e shqiptarëve aq të nevojshëm për çlirimin e tyre kombëtar,duhet të kapërceheshin ndasitë fetare dhe të shkëputeshin masat nga ndikimi përçarës i klerikëve të të tri besimeve. Te bashkimi pa dallim feje dhe krahine, ata shihnin bazën e vetme të luftës për çlirimin e Shqipërisë.
Një luftë e tillë nuk mund të zhvillohej nga pozitat e ateizmit, sepse pjesa më e madhe e rilindësve ishin vetë besimtarë dhe në kushtet e prapambetjes ekonomike e kulturore të vendit,kur feja kishte lëshuar rrënjë në ndërgjegjen e njerëzve,populli ynë, sikurse theksonin me të drejtë atdhetarët më të përparuar, nuk kishte arritur deri në atë shkallë sa të mërzitej feja dhe t’i shporrte priftërinjtë e hoxhallarët jashtë vendit (“Shqipëria”, Magaga (Egjipt), nr. 4-5 maj 1907, për orthodoksët).
Megjithatë, me qëndresën kundër reaksionit klerikal, iluministët e vendosën Rilindjen Kombëtare Shqiptare në një platformë më të përparuar, në parimin e kombësisë, të shqiptarisë si feja e shqiptarit”, që përshkon një literaturë të tërë politike dhe artistike të Rilindje sonë, ishte afetare, një nocion politik që synonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare.(Stefanaq Pollo; Mbi disa tipare dalluese themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në Studime Historike, Tiranë, 1970, nr.3, fq.121.).
Ideologjisë reaksionare të pan-islamizmit, pan-ortodoksizmit, etj., që kishte gjetur mbështetje edhe në disa qarqe çifligare e borgjeze turko-mane e grekomanë dhe që identifikonte fenë me kombësinë, rilindësit u kundërvunë racionalizmit të tyre, konceptin mbi kombin shqiptar si një kategori e veçantë,që ishte një dhe i pandarë, megjithëse u takonte tri besimeve fetare.
“Shqiptari është shqiptar para se të jetë mysliman e i krishterë” (Sami Frashëri; Shqipëria…, fq.39.)- shkruante Sami Frashëri. Mendimtarët rilindës i mbaheshin pikëpamjes se kombësia dhe feja nuk janë e njëjta gjë, se ato përfaqësojnë dy kategori të ndryshme shoqërore dhe nuk mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën.
Ata luftuan kundër propagandës kalifatiste të sulltanëve osmanë dhe asaj pan-heleniste të Patrikanës greke, që ngrinin “besimin fetar në parim kombësie dhe zëvendësonin racën (kupto kombësinë) me dogmë, ritin me atdhe, që ishte krejt e pa pranueshme”. Nuk janë as myslimanizmi, as krishterimi, – arsyetonin rilindësit, -ata që formojnë popujt, kombet, por gjuha, doket, zakonet e karakteristikat e tjera që i dallojnë kombësitë nga njëra-tjetra. (Pashko Vasa, vep.e përmendur, fq. 56. Shih edhe; ”I foni tes Alvanias”, 13 tetor 1879 dhe 19 janar 1880).
Pas propagandës pan-heleniste që identifikonte krishterimin me helenizimin dhe i quante grekë shqiptarët ortodoksë, sepse kishin besim të përbashkët me ta, rilindësit shihnin rivendikimet e qarqeve të caktuara politike ndaj popullsisë shqiptare dhe trojeve të tyre./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















