Pjesa e njëzetedy
Memorie.al / CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të de klasifikuara tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti. Po kështu një vend të veçantë në dokumentet që CIA ka de-klasifikuar, janë edhe ato ku flitet për emigrantët politikë shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë të inkuadruar në Komitetin e Prizrenit e kryesuar fillimisht prej Apostol Tanefit dhe nën presionet e UDB-së, që i rekruton me masa shtrënguese., siç është kthimi në Shqipëri, etj.
Janar 1951
Gjeopolitika Shqipëri – Jugosllavi
Bashkimi Sovjetik duket se është gjithnjë e më i shqetësuar për izolimin strategjik gjeografik të Shqipërisë në lidhje me vendet e orbitës sovjetike, çka është theksuar së fundmi me përmirësimin e lidhjeve mes Greqisë dhe Jugosllavisë. Propaganda sovjetike në lidhje me sulmin e mundshëm ndaj Shqipërisë nga aleanca Greqi-Jugosllavi me mbështetjen e SHBA-ës, me shumë gjasa është një paralajmërim se BRSS-së do të mbrojë regjimin e Hoxhës. Pasiguria sovjetike për ruajtjen e influencës në Shqipëri është bërë më e dukshme pas afrimit të kohëve të fundit mes qeverive greke e jugosllave.
Makineria sovjetike e propagandës po punon shumë që këtë zhvillim ta paraqesë si një plan greko-jugosllav për agresion të menjëhershëm kundër Shqipërisë, me mbështetjen e SHBA-ës. Ato gjithashtu akuzohen për komplotin e copëtimit të Shqipërisë mes tyre. Distanca gjeografike e Shqipërisë nga pjesa tjetër e vendeve të orbitës sovjetike u theksua kohët e fundit nga mbyllja e legatës shqiptare në Beograd, çka vështirëson qarkullimin e trafikut ajror drejt Tiranës nga Jugosllavia, pasi tani kërkohen viza transiti.
BRSS-ja ka kërkuar kohët e fundit “leje urgjente” qeverisë italiane për fluturim mbi territorin italian, për transportimin e zyrtarëve në ditën e Çlirimit në Tiranë. Disa fluturime gjysmë të fshehta janë kryer nga vendet sovjetike drejt Shqipërisë përgjatë kufirit greko-jugosllav, dhe me përmirësimin e marrëdhënieve mes Greqisë e Jugosllavisë, këto fluturime do të bëhen edhe më të rrezikshme. Pengimi i fluturimeve në Shqipëri nga Jugosllavia, ende nuk ka prekur lidhjet mes Tiranës dhe orbitës sovjetike, teksa statistikat tregojnë se shpeshtia e kalimeve të mallrave ekonomike, industriale e ushtarake nuk ka pësuar rënie.
Propaganda aktuale e BRSS-së në lidhje me Shqipërinë duket se ka si qëllim paralajmërimin e Beogradit se Moska është në mbështetje të plotë të regjimit në Shqipëri. Fushata tregon pasigurinë sovjetike për vendndodhjen e izoluar gjeografike të Shqipërisë.
Pasuesi i pushtetit të Stalinit
Një tjetër çështje e Bashkimit Sovjetik është zgjedhja e liderit të ri që do të pasojë Stalinin. Sa kohë që mbetet gjallë, Stalini nuk do të kalojë pushtetet te njeri tjetër, prandaj çdo marrëveshje për zgjidhjen e problemit duhet të presë deri në vdekjen e liderit. Pas vdekjes, një nga alternativat do të ishte kalimi i pushtetit në një individ për të vazhduar diktaturën autoritare, ose ndryshe ndarja e pushteteve mes disa anëtarëve aktualë të byrosë politike.
Vazhdimi i diktaturës së një njeriu ka precedentë të forta historike në BRSS-së, vend që ka parë regjimet cariste dhe sovjetike, prandaj populli i thjeshtë nuk njeh regjime demokratike apo të tjera qeverisjeje. Eksperienca e regjimit stalinist tregon se struktura e BRSS mund të administrohet më mirë nga një njeri i vetëm. Kjo përforcohet nga fakti se edhe diktaturat e mëparshme i kanë rezistuar reformave dhe luftërave, prandaj Stalini besohet se do të ndjekë të njëjtin parim.
Mars 1951
Teoria italiane mbi incidentet e fundit
Burimet në Itali njoftojnë se shpërthimi me bombë në ambasadën sovjetike në Tiranë më 19 shkurt, mund të jetë një sajesë nga ana e sovjetikëve, për të justifikuar masat e ashpra represive dhe për të forcuar kontrollin e tyre mbi dikasteret e vendit. Personat e vrarë dhe të plagosur nga bomba ishin vetë zyrtarë dytësorë. Kjo teori për nevojën e justifikimit të vendosjes së masave të ashpra nga sovjetikët dhe jo thjesht të vendosjes arbitrare, mund të tregojë se kontrolli i tyre nuk ka shumë siguri, siç ka qenë në të kaluarën.
Lëvizja mund të konsiderohet gjithashtu si njëfarë suksesi për lëvizjen e rezistencës klandestine anti-komuniste. Sipas zhurmave të fundit, polemikat mes kryeministrit Enver Hoxha dhe zëvendës-kryeministrit Tuk Jakova, kanë përfunduar me arrestimin e këtij të fundit. Nuk dihet nëse arrestimi i Tuk Jakovës rreth datës 12 mars, ka lidhje me tentativën kundër jetës së zyrtarëve sovjetikë të ambasadës. Deri më 5 prill të gjithë përfaqësuesit e qendrave të partisë ishin thirrur për të diskutuar situatën e krijuar nga bomba në legatën sovjetike dhe arrestimin e Jakovës që pasoi.
Informatori ynë beson se si Hoxha, Jakova dhe opinioni publik tregonin antipati ndaj masave të ashpra sovjetike dhe kontrollit të tyre. Më 29 mars Jakova vizitoi portin e Durrësit për të pritur një dërgesë drithi nga Bashkimi Sovjetik. Nëse Jakova e ka pësuar vërtet nga ngjarja e bombës së ambasadës, atëherë me të do të merret drejtpërdrejt ministri i Brendshëm Mehmet Shehu, i cili drejton policinë sekrete dhe është krye-agjenti sovjetik në Shqipëri. Prandaj ai do të drejtojë edhe fushatën kundër devijacionistëve.
Ndërkohë gjatë kësaj periudhe është raportuar një qetësi e pazakontë sa i përket incidenteve kufitare me Jugosllavinë. Burimet jugosllave thonë se vendet satelite nuk kanë kryer më provokime që prej mbledhjes së zëvendës-ministrave në Paris më 5 mars. Jugosllavët besojnë se qetësia në incidentet kufitare është një lëvizje e përkohshme që kërkon të forcojë pozitën sovjetike në bisedimet e Parisit, për të hedhur poshtë akuzat perëndimore se BRSS-ja po armatos ilegalisht vendet satelite.
Jugosllavët thonë se qetësia në kufi mund të ketë lidhje dhe me ngjarjet e fundit në Shqipëri. Jugosllavët tremben se BRSS-ja mund të fajësojë ata për trazirat në Shqipëri dhe incidentin e bombës në ambasadë, ose ta përdorë këtë si pretekst për ndërhyrje ushtarake. Saktësia e pretendimeve jugosllave nuk mund të vërtetohet pasi ata nuk i kanë raportuar rregullisht incidentet. Por gjatë muajit të marsit Hungaria dhe Bullgaria kanë dërguar nota proteste në Jugosllavi në lidhje me incidentet në kufi. Versioni jugosllav i relaksimit të presionit mund të reflektojë një frikë për ndërhyrje perëndimore në Shqipëri
Gusht 1951
Industria e ushqimit dhe sheqerit, Gazeta “Bashkimi”
Puna ka nisur për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq më 14 maj 1949, ku janë punësuar rreth 600 punëtorë të thjeshtë dhe 230 specialistë. Llogaritet se fabrika do të nisë prodhimit në shtator 1951, teksa sapo ka nisur instalimi i makinerive. Aktualisht janë kompletuar 16 nga 60 instalacionet.
Ajo që më parë ka qenë një kënetë po kthehet tashmë në një qytezë të vogël industriale prej rreth 250.000 metër katrorë. Deri tani janë larguar 90.000 metër kub dhe, janë ndërtuar rreth 16 000 metër kub në gur dhe 3.800 metër kub beton arme. Qeveria ka shpenzuar rreth 126.000 lekë ndërsa shumica e materialeve që priten në portin e Durrësit vijnë nga Bashkimi Sovjetik.
Mars 1952
Arrestime, gjendja ekonomike
Në rajonin e Leskovikut kohët e fundit u arrestuan rreth 60 persona me akuza për ndihmë ndaj personave “reaksionarë” që kërkojnë të arratisen nga vendi drejt Greqisë. Nga njerëzit më të rëndësishëm mes të arrestuarve ishin: Koço Mili e Koço Talani nga Postenani, Vasil Vidhe e Jorgji Premto nga Carshkova, Mane Rakipi nga Vrepcka, Vangjel Anastasi, farmacist nga Melani, dhe Thoma Titko nga Leskoviku. Të tjerë barinj në zonat më jugore janë arrestuar në masë me akuza për ndihmë ndaj të arratisurve. Bagëtitë e tyre janë konfiskuar dhe familjet e tyre janë internuar në kampet e punës.
Në burgje dhe kampet e përqendrimit racionet ditore të bukës janë 500 gr. misër dhe supë patatesh. Burgjet janë aq të mbipopulluar sa njerëzit flenë mbi njëri-tjetrin. Ushqimi që u dërgohet atyre nga familjet vjen katër ditë me vonesë. Shumë njerëz kanë vdekur nga uria dhe thuaje të gjithë vuajnë nga tuberkulozi. Ushqimi gjendet me vështirësi pasi të korrat e këtij viti kanë qenë të këqija. Megjithëse kooperativat shesin një kg. misër për 3 lekë, vetëm 5 kg. misër në muaj jepen për një person. Në dyqanet shtetërore një kg. misër është shitur me raste dhe për 180 lekë.
Fasulet shiten në kooperativë për 24 lekë kg., ndërsa në dyqanet shtetërore çmimi i tyre arrin në 200 lekë për kg. Në treg nuk ka sheqer, oriz apo makarona që mund të blihen me kuponat e ushqimit. Në dyqanet shtetërore një kg. sheqer i cilësisë së keqe shitet për 250 lekë për kg., kurse një kg. gjalpë shitet për 500 lekë. Racioni i vajit me kupona është 250 ml. në muaj, por megjithatë furnizimi është ndërprerë prej 7 muajsh. Dyqanet shtetërore kanë vaj, i cili shitet për 400 lekë për kg.
Këpucët shiten në kooperativë për 650 lekë, ndërsa në dyqanet shtetërore ato shiten për 1.300 lekë. Cilësia e këpucëve është ca e keqe, saqë ato prishen brenda 20 ditëve. Rroga ditore e punëtorëve është diku mes 70 e 75 lekë në ditë, ndërsa nëpunësit paguhen 2.700 lekë në muaj. Kohët e fundit kursi zyrtar i dollarit amerikan ka rënë nga 50 në 37 lekë. Një numër i konsiderueshëm dezertimesh në ushtri kanë alarmuar autoritetet dhe zyrtarët rusë që janë prezentë në çdo batalion.
Prill 1952
“Zëri i Popullit”: Kritika ndaj fabrikës dhe grupeve të partisë
Puna organizative në fabrikën e orizit në Shkodër nuk ka shkuar mirë prej kohësh. Ka pasur abuzime dëmtime të pronës shtetërore dhe thyerje të disiplinës. Në një takim të kohëve të fundit u prezantua një plan qesharak me probleme të komplikuara që organizata nuk ishte e aftë të zgjidhte. Kështu koha dhe përpjekjet e organizatës u harxhuan dhe asgjë nuk u arrit. Me gjithë këtë asnjë anëtar i grupeve nuk u kritikua.
Kritikat ndaj mësuesve
Disa komunistë me poste përgjegjësie në shkollën e mesme “Qemal Stafa”, nuk po plotësojnë detyrat e tyre siç duhet. Mihal Kuka, Xhoxhi Andoni dhe Ferit Kozeli, kanë humbur besimin e shumicës së nxënësve. Kjo është e vërtetë edhe për Andrea Cacin, sekretar i organizatës së partisë së institucionit. Caci ka ruajtur postin e tij prej faktit se ka qenë partizan dhe punonjës vullnetar pas çlirimit. Por ai po i shfrytëzon shumë faktet e të kaluarës. Ai nuk ka ndihmuar nxënësit e dobët, por vetëm u thotë të studiojnë më shumë. Caci gjithashtu ka refuzuar të pranojë kritikat e nxënësve apo kolegëve të tjerë. Këto gabime të tij kanë bërë që organizata e shkollës të kërkojë largimin e tij.
Maj 1952
Metoda partie (“Zëri i Popullit”): Kërkohet përmirësimi i teknikave të agjitacionit
Agjitacioni bolshevik është një instrument shumë i rëndësishëm për edukimin politiko-ideologjik të masave. Ai ka si qëllim të shpjegojë rolin he detyrimet e tyre në zbatimin e vendimeve të partisë e qeverisë, me qëllim mobilizimin e masave. Në shumë raste, puna politike që kryhet mes masave nga organizatat e partisë nuk arrin standardet e duhura. Një gabim i zakonshëm mes agjitatorëve është mangësia në trajtimin e çështjeve në mënyrë bindëse, konkrete dhe agresive. Shumë shpesh ata i flasin punëtorëve dhe fshatarëve në frazeologjinë e gabuar, pa iu referuar idealeve dhe aspiratave të tyre.
Agjitatorët shqiptarë duhet të imitojnë homologët e tyre sovjetikë që kanë mësuar t’i flasin punëtorëve dhe fshatarëve në gjuhën që ata kuptojnë, dhe që nuk harrojnë të përmendin sesi përpjekjet e tyre do të shpërblehen në formë mirëqenieje, mallrash etj. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se agjitatori është gjithashtu një Stankovit që duhet të zhvillojë frymën Stankovite te të tjerët, të ndihmojë në luftën ndaj spiunëve të huaj e kulakëve, në ideologji dhe në ndërgjegjësimin e masave për detyrimet e tyre ndaj partisë dhe qeverisë. Për fat të keq ka agjitatorë, si për shembull në Lushnje, që jo vetëm dështojnë në luftën ndaj kulakëve por arrijnë deri aty sa të thonë “nuk ka më kulakë, kulakët i kemi zhdukur”. Eksperienca na tregon se agjitacioni i partisë është më i suksesshëm kur vetë agjitatorët japin shembullin të parët.
Rekordi i Kako Goranxies, agjitatori i Gjirokastrës është një shembull për këtë. Ndërsa shembujt e agjitatorëve Demir Balla, Shyqyri Çuli dhe të tjerë nga Durrësi, janë vërtet për të ardhur keq. Përgjegjësia e përmirësimit të agjitacionit varet kryesisht nga komitetet e partive, por shpeshherë ato ia kalojnë të gjithë punën politike seksionit të agjitacion-propagandës. Anëtarët e zyrave të Lushnjës dhe Vlorës për shembull, gjatë periudhës së korrave merren me shifrat dhe përqindjet e prodhimit, duke harruar të bëjnë punën politike me masat.
Një tjetër fakt negativ është dështimi i organizimit të takimeve edhe seminareve për trajnimin e agjitatorëve. Për agjitatorët e rinj duhet të jetë në dispozicion dhe libraria, dhe kjo duhet të përdoret vazhdimisht. Në Gjirokastër për shembull vetëm 9 për qind e librave nga libraria e agjitatorëve janë shitur. Prandaj partia duhet të përmirësojë cilësinë dhe anën materiale të agjitacionit në Shqipëri.
Qershor 1952
“Zëri i Popullit”; Thirrje për përmirësimin e furnizimeve
Dyqanet dhe restorantet në rrethin e Kolonjës janë kritikuar shpesh për cilësinë e dobët të shërbimit dhe për fat të keq është bërë pak për përmirësimin e situatës. Personeli i shitjeve trajtojnë keq klientët, ndërsa furnizimi me mallra ushqimore, nuk është bërë në kohë nga agjencitë shpërndarëse. Në restorantet dhe mensat e kooperativës, kushtet higjienike lënë shumë për të dëshiruar, shërbimi është i ngadaltë, racionet të vogla dhe çmimet të shtrenjta. Këto mangësi vijnë pjesërisht prej Komiteti Ekzekutiv dhe organizatave përgjegjëse. Komiteti i Kolonjës ka bërë një analizë të situatës dhe ka dhënë direktiva, por nuk ka kryer ndjekjen e veprimeve dhe është kënaqur vetëm me dhënien e deklaratave. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













