Nga Isuf B. Bajrami
Pjesa e tretë
Memorie.al / E trajtuar si një domosdoshmëri objektive, nga realizimi i së cilës do të varej suksesi i luftës për çlirimin nga sundimi osman e për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut, ideja e unitetit politik dhe luftarak të popullit shqiptar u përpunua nga iluministët tanë të shquar gjatë gjithë Rilindjes, u vu në qendër të kësaj epoke dhe u bë pjesë e pandarë e platformës politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Rruga e popullit shqiptarë drejt bashkimit kombëtar dhe formimit të një shteti të pavarur pati pa dyshim veçoritë e veta, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës, të kushtëzuara nga rrethanat historike, ekonomiko-shoqëror dhe nga ato politike, të brendshme e të jashtme.
Këto ishin pikëpamje përparimtare dhe mbeten gjithnjë të freskëta, shërbejnë si dëshmi për të kundërshtuar si koncepte antishqiptare të atyre “studiuesve” të huaj, të cilët ndarjen e shqiptarëve në tri fe e interpretonin si ndarje “në tri grupe”, për çdo njërën nga të cilat feja na paska qenë ”një flamur kombëtar”, ashtu edhe shtrembërimet që propaganda, duke ringjallur konceptet mesjetare halifatiste dhe patriarkiste,i bënë në ditët tona gjendjes së sotme të kombit shqiptar.
Përpjekjeve të jashtëzakonshme të rilindësve u kushtohet ai bashkim politik i popullit shqiptar, pa dallim feja e krahine, që u realizua në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881)dhe u ruajt gjatë gjithë Rilindjes. Vendimet e Lidhjes dhe gjithë veprimtaria e saj, vinte në dukje Sami Frashëri më 1878, ”ishin frymëzuar nga patriotizmi, atdhedashuria…dhe mbështeteshin në parimin e kombësisë dhe jo në fanatizmin fetar”. (“Terxhumani Shark”, 17/19 qershor 1878, nr.81, fq.3). Ky bashkim i shqiptarëve i të tri besimeve ishte rrënjosur thellë në ndërgjegjen e kombit shqiptar, ishte një e vërtetë e pohuar edhe në dokumentacionin e huaj bashkëkohës.
Në relacionet që funksionarët e administratës osmane në Shqipëri i dërgonin Portës së Lartë prandaj se midis myslimanëve shqiptarë, që përbënin shumicën e popullsisë, dhe të krishterëve ekzistonte një bashkim me tradita të lashta e që i ka qëndruar kohës, se ky unitet do t ë vazhdojë edhe në të ardhmen. Këtë bashkim të shqiptarëve të të tri besimeve funksionarët osmanë ua atribuonin devotshmërisë kombëtare dhe patriotizmit të shqiptarëve, të cilët, siç theksonin ata, ishin aq të fortë, sa që ndryshimet në fe nuk mund t’i dobësonin aspak. (K. Prifti; Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881, Tiranë, 1978, dok.40.).
Është i njohur kontributi që dha në luftën kundër reaksionit klerikal për bashkimin kombëtar të popullit shqiptar një brez i tërë atdhetarësh,në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX, i përbërë nga Jani Vreto, Shahin Kolonja, Fan Noli, Aleksandër Drenova, Çajupi, Aleksandër Xhuvani, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, Petro Nini Luarasi, Bajram e Çerçiz Topulli, Dervish Hima, Mihal Grameno, etj., të cilët, duke ecur në hullinë e hapur nga Lidhja e Prizrenit dhe themeluesit e saj, demaskuan në shumë artikuj, botuar në shtypin patriotik të kohës, veprimtarinë përçarëse të klerit të të tri besimeve. Në pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre, lufta kundër ndasive fetare, të mbjella nga kleri, zinte një vend po aq të rëndësishëm sa edhe qëndresa kundër sunduesve osmane dhe armiqve të tjerë të jashtëm. Klerin ata e shihnin si një armik po aq të rrezikshëm sa edhe Perandorinë Osmane.(“Kombi”, Boston, nr. 58, 25 tetor 1907).
Lufta e gjithanshme e rilindësve për demaskimin e reaksionit klerikal ishte një faktor i rëndësishëm politik në lëvizjen kombëtare, që dha frytet e tij për forcimin e unitetin të popullit shqiptar. Ndonëse i shkaktuan pengesa Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sunduesit osmanë dhe fuqitë e tjera të huaja, përballë forcës së bashkimit të shqiptarëve, nuk arritën t’i përçajnë e t’i hedhin ata në luftë me njëri-tjetrin. Sikurse vinte në dukje me kënaqësi Pashko Vasa, ndërmjet shqiptarëve mysliman dhe atyre të krishterë nuk ka pasur kurrë “hasmëri të rrënjosur as edhe armiqësi shekullore”, se “ndryshimet fetare s’kanë qenë shkak për t’i shtypur në përçarje” (P. Vasa, vep e cituar, fq. 91.).
Është një e vërtetë e provuar historikisht, që nuk i ka shpëtuar vështrimit të Sami Frashërit, se shqiptarët “nuk kanë njohur ato grindje, luftëra fetare, masakra të mëdha e të tmerrshme që kanë ndodhur” jo vetëm në vendet e Lindjes, por edhe “në vendet e qytetëruara të Evropës” (Sami Frashëri; Shqipëria ….,fq. 45-46.).
Mungesa e një fanatizmi të tillë fetar, që Jani Vreto në Apologjinë e vet ua atribuonte shqiptarëve të të gjitha besimeve e sidomos atyre myslimanë (Jani Vreto, Vepra të zgjedhura, Tiranë, 1973, fq.225), zotërimi tek ata i ndjenjës kombëtare mbi atë fetare, përbënin për rilindësit, dhe jo vetëm për ta, por edhe për gjithë lëvizjen që u zhvillua edhe më pas, për bashkimin e të gjitha forcave të kombit shqiptar në luftën për çlirimin kombëtar dhe mbrojtjen e pavarësisë së vendit.
Shpallja e Pavarësisë dhe formimi i shtetit kombëtar me 28 nëntor 1912 përbën një ngjarje të shënuar që do të mbetet e paharruar në historinë e kombit tonë,jo vetëm për nga rrjedhimi që pati për të ardhmen, por edhe për forcën e bashkimit politik të shqiptarëve përballë pushtuesve të rijnë e tepër të rrezikshëm ballkanas. Ajo ishte vepër e mbar popullit shqiptar dhe e qindra atdhetarëve që vepronin në gjirin e tij. “Në emër të gjithë popullit, mysliman e të krishterë, në emër të gjithë Shqipërisë dhe kombit shqiptar, shpalli Pavarësinë, më 25-28 nëntor 1912, nën grykën e pushkëve dhe të topave të ushtrive pushtuese” (Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj. Tiranë, 1963. dok. 3,6-9,11,13).
Vetë Kuvendi i Vlorës, që shpalli pavarësinë dhe formoi Qeverinë e Përkohshme si nga përbërja e tij ashtu edhe nga vendimet që mori, kishte një karakter mbarëshqiptar, shprehu aspiratat shekullore të të gjithë kombit për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar. Pjesëmarrja në të e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ishin pushtuar nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha këtij Kuvendi karakterin e një Asambleje Kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi dëshmi e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për të formuar një shtet unik, në të cilin të përfshiheshin të gjitha viset e banuara prej tyre.
Këtë vendosmëri shqiptarët e Kosovës, të Shkupit e Dibrës dhe të viseve të tjera, të udhëhequr nga një bërthamë unike ushtarako-politike të përbërë nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, Sali Gjuka, Ramadan Zaskoci, Isuf Xhelili, etj., e shprehën jo vetëm me delegatët që dërguan në Kuvendin e Vlorës,por edhe me qëndresën e pashembullt që u bënë kudo,ushtrive serbo-malazeze, të cilat u dyndën në trojet shqiptare.
Këto nuk ishin beteja thjesht lokale, për mbrojtjen e qyteteve të Kosovës, por një qëndresë që bëhej për ruajtjen e tërësisë së gjithë truallit shqiptar ose, siç shpreheshin atdhetarët në deklaratën dërguar Fuqive të Mëdha në tetor 1912, për t’i dalë zot tërësisë tokësore të Shqipërisë”, “për t’i parë trojet shqiptare të bashkuara, me një formë të qeverisuri e sundimi politik” (Akte të Rilindjes…, dok. 169).
E parë nga pikëpamja e kontributit që dha në bashkimin kombëtar të popullit shqiptar, qeveria e Ismail Qemalit zë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit tonë. Me krijimin e saj dhe të vetë shtetit kombëtar, shqiptarët siguruan atë qendër udhëheqëse që u kishte munguar prej rreth pesë shekujsh, e cila, siç shprehej shtypi patriotik, ”do të bashkonte nën flamurin e Shqipërisë gjithë popullin shqiptar” (A. Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914, Tiranë, 1978, fq. 126-127, ”Liri e Shqipërisë”, Sofje, 22.07.1913).
Ndonëse nuk pati jetë të gjatë, Qeveria e Vlorës dhe forcat patriotike që u grumbulluan rreth saj, zhvilluan një veprimtari të dendur, dolën të bashkuara si brenda vendit, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar, kundrejt lakmive pushtuese të monarkive fqinje dhe vendimeve të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve që u mbajt në Londër më 1912-1913. Qeveria e Përkohshme i kundërshtoi vendimet e Konferencës së Londrës, sepse ato binin ndesh me aspiratat e ligjshme të shqiptarëve, të cilët, siç theksohej në deklaratat e kësaj Qeverie, si”grupimi etnik më kompakt dhe më homogjen në Gadishullin Ballkanik “, kishte të drejtë të formonin shtetin e tyre të bashkuar,sepse ato vendime nuk merrnin parasysh parimin e kombësisë, por e zëvendësonin atë me” të drejtën e luftës e të pushtuesit”.
Në viset e pushtuara nga ushtritë serbe protesta kundër vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës u shoqërua me kryengritjen kundër zgjedhës serbo-malazeze që shpërtheu në Dibër në shtator të vitit 1913, u shtri gjatë muajit tetor në Ohër,Srugë,Tetovë,në Malësinë e Gjakovës, në Prizren e në vise të tjera të Kosovës. Në thirrjet drejtuar Fuqive të Mëdha, më 15 tetor 1913, kryengritësit dibranë e kosovarë ngritën zërin kundër krimeve të ushtrisë serbo-malazeze, që mbyti në gjak fshatrat shqiptare, i ktheu ato në krematoriume, ku u dogjën për së gjalli qindra gra e fëmijë, dhe kërkoi nga Evropa si mjet shpëtimi “t’u jepte të drejtën të rronin të lirë në atdheun e tyre të njëshëm” (Qeveria e Përkohshme e Vlorës…, dok. 322, shih edhe D. Tucoviç, Serbia dhe Shqipëria, Prishtinë, 1968, fq. 82-84).
Kryengritja e shtatorit të vitit 1913, ishte shkëndija e parë e asaj lëvizjeje masive që do të zhvillohej, në vitet 1918-1925, në Kosovë e në viset e tjera të aneksuara nga Jugosllavia, nën drejtimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Lufta e popullit tonë për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe për bashkimin kombëtar nuk ka cenuar kurrë ndonjëherë të drejtat e popujve të tjerë të Ballkanit. Ismail Qemali dhe atdhetarët shqiptarë i quanin bashkatdhetarët e tyre nga sundimi i Perandorisë Osmane dhe për të siguruar bashkimin e plotë kombëtar.
Por ata nuk mund të pranonin që kjo luftë të bëhej në dëm të shqiptarëve, duke penguar bashkimin e tyre kombëtar dhe duke gjymtuar rëndë trojet e popullsinë e tyre, duke masakruar e shpërngulur nga vatrat amtare qindra mijëra shqiptarë. ”Zgjidhje” të tilla të çështjes kombëtare në Ballkan, të cilat mbrohen e përligjen edhe nga historiografia e sotme e vendeve fqinje, u imponuan, nga “interesat e borgjezisë” dhe interesat” dinastike”të monarkive ballkanase, si edhe nga borgjezia reaksionare, imperialiste e Evropës që “nxit shovinizmin dhe armiqësinë kombëtare”, midis popujve.
Ishte Serbia dhe monarkitë e tjera ballkanike fqinje që pa u kënaqur me cungimin e rëndë që u bënë trojeve shqiptare në Konferencën e Londrës, më 1913, u orvatën me forca ushtarake e mjete diplomatike të likuidonin qysh në embrion shtetin e pavarur shqiptar. Në sintezë të politikës së Serbisë dhe të Jugosllavisë që u krijuan më pas, e cila i përshtatet edhe qëndrimit të monarkive të tjera ballkanike, ka dhënë funksionari i Ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë, Ivan Vukotiçi, në raportin, dërguar qeverisë së tij në vitin 1939.
”Ne, -shkruante ky, -asnjëherë nuk kemi pasur simpati për ta (kupto: për shqiptarët)…Në kombinacionet tona politike dhe diplomatike, si edhe në politikën tonë diplomatike, si edhe në politikën tonë Ballkanike, ne vazhdimisht kemi synuar të luftojmë të gjitha kërkesat shqiptare për krijimin e shtetit të pavarur, thjeshtë për arsye se ky shtet mund të themelohej vetëm kundër nesh dhe kundër synimeve tona kombëtare” (B. Krizman, Studim i Dr. Ivo Andriçit mbi Shqipërinë në vitin 1939. Në ”Qasopis za Sovremenu Povijest”, Zagreb, Godina IX, 1977, nr.2(24)).
Rreziku i copëtimit përfundimtar i kombit tonë, i zhdukjes së shtetit të pavarur shqiptar, që u shfaq me gjithë forcën gjatë Luftës së Parë Botërore, e sidomos në punimet e Konferencës së Paqes të Parisit, të viteve 1919-1920, mund të kërcënohej vetëm në qoftë se shqiptarët do të dalin para saj si një popull i bashkuar e kompakt me qeverinë e tyre, e cila do ta përfaqësonte zyrtarisht shtetin shqiptar.
Marrëveshja që arritën në këtë Konferencë, më 13-14 janar 1920, përfaqësuesit e Anglisë, të Francës e të Italisë për copëtimin e Shqipërisë, midis Italisë, Greqisë dhe të Jugosllavisë, sipas klauzolave të Traktit të Londrës të 26 prillit të vitit 1915, shkaktoi një shqetësim të madh e të ligjshëm në mbar popullin shqiptar, i dha një shtysë të re e të fuqishme forcave të ndryshme shoqërore të vendit e të afroheshin me njëra-tjetrën, të forconim unitetin politik dhe të thërrisnin në janar të vitit 1920 Kongresin e Lushjës.
Ky ishte një kuvend mbarëshqiptar, siç thuhet në dokumentet e tij, fryt i “përfundimit të një marrëveshje të përgjithshme e të gjitha viseve të Shqipërisë”, që mori përsipër detyrën e “forcimit të bashkimit e vëllazërimit ndërmjet shqiptarëve, për tu siguruar vetëqeverimin e plotë të Shqipërisë dhe unitetin e gjithë shqiptarëve” (M. Çami; ”Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar (përmbledhje dokumentesh), Tiranë, 1976, vëllimi II-të dok.1).
Ajo që karakterizoi Kongresin e Lushnjës dhe Qeverinë Kombëtare e Sulejman Delvinës, ishte bashkimi rreth saj i të gjitha forcave patriotike të popullit dhe i trojeve shqiptare. ”Asnjëherë në historinë e vet, – deklaronte në atë ditë Aqif Pashë Elbasani, – kombi shqiptar nuk ka qenë i bashkuar si është sot, me një dëshirë të patundur që të ketë qeverinë e vet, pas formulës ”Shqipëria për shqiptarët “(Po aty, vëllimi II-të dok. 89 ).
Në një kohë me përpjekjet që bëri në rrafsh ndërkombëtar, pranë Konferencë së Paqes së Parisit, kundër traktativave për copëtimin e Shqipërisë midis tri shteteve fqinje dhe për pavarësinë e plotë të vendit, qeveria e re, e vendosi në Tiranë në shkurt të vitit 1920, vazhdoi me konsekuencë veprën e nisur nga Ismail Qemali; bashkoi njëra pas tjetrës viset e ndryshme të atdheut.
Por u desh të çlirohej edhe Vlora me krahinën përreth, që kishte mbetur ende nën pushtimin Italian, të derdhej gjaku i qindra luftëtarëve të tjerë që të kryhej vepra e bashkimit kombëtar. Lufta për çlirimin e Vlorës ka hyrë në historinë e Shqipërisë si një epope e lavdishme, në të cilën u shfaq me tërë madhështinë e saj forca e unitetit të popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë dhe të pavarësisë së atdheut. Shtypi shqiptar shkruante në ato ditë” Lufta e Vlorës është një çështje e përbashkët e lidhur me jetën e Shqipërisë; (“Populli”, Shkodër, 17.07.1919, “Drita”, Gjirokastër, 16.06.1920 dhe 31.07.1920).
Në betejat e përgjakshme e të pabarabarta që u zhvilluan në qershor-korrik të vitit 1920 kundër një ushtrie të shumtë në numër e të armatosura deri në dhëmb, në Drashovicë, në Kotë, në Kaninë, në Gjormë, Llogara, Tepelenë e brenda në Vlorë, bashkë me fshatarët e qytetarët e këtyre viseve që përbënin bërthamën kryesore të forcave shqiptare, ishte përfshirë një komb i tërë, i gjithë Shqipëria, mijëra vullnetar nga të gjitha anët e vendit, jo vetëm nga krahinat e afërta të Beratit e Gjirokastrës, por edhe nga Tirana, Elbasani, Korça, Peqini, Kavaja, Shijaku, Kruja, Mati, Dibra, Gramshi, etj. (Lufta e popullit shqiptar…, vëllimi II-të, dok. 323).
Ishin kompaktësi, uniteti i veprimit, guximi, patriotizmi i zjarrtë, që populli shqiptar shfaqi në luftën e armatosur të Vlorës, ata faktorë që bënë të pavlefshëm Traktatin famëkeq të Londrës të 26 prillit 1915, si dhe projektet antishqiptare të Konferencës së Paqes, ata faktorë që ruajtën shtetin e pavarur shqiptar në kufijtë e vitit 1913.
Ndonëse i takojnë një periudhe disi të largët, këto projekte të atdhetarëve shqiptar për bashkimin kombëtar, mbajnë gjithnjë një theks aktual. Me jehonën që rrezatuan në periudhat pasardhëse,me gjurmët e pashlyeshme që lanë në mendimin politik dhe në veprimtarinë praktike të lëvizjes demokratike e asaj revolucionare të mëvonshme, ato përbëjnë një trashëgimi të vyer, e cila, kaloi brez pas brezi si një mësim e testament i madh, që historia e kaluar i la së tashmes e të së ardhmes të popullit tonë. / Memorie.al















