Pjesa e njëzetetre
Memorie.al / CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të de klasifikuara tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti. Po kështu një vend të veçantë në dokumentet që CIA ka de-klasifikuar, janë edhe ato ku flitet për emigrantët politikë shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë të inkuadruar në Komitetin e Prizrenit e kryesuar fillimisht prej Apostol Tanefit dhe nën presionet e UDB-së, që i rekruton me masa shtrënguese., siç është kthimi në Shqipëri, etj.
Synimet e SHBA-ës
Siç është deklaruar më 1947, politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me Shqipërinë ka si qëllim mbrojtjen e pavarësisë së vendit dhe të sigurojë lirinë e popullit shqiptar për të kryer punët e tij pa ndërhyrje nga shtet apo grup-shtetet e huaja. Nga ana tjetër, është deklaruar gjithashtu se “influenca politike e Shqipërisë, burimet ekonomike, ushtarake janë të pakta sa i përket sigurisë së SHBA-ës. Domethënia e saj strategjike qëndron vetëm në vendndodhjen e saj, si bazë e mundshme operacionesh, si hyrje në detin Adriatik dhe si hyrje në Greqi nga veriu.
Pra interesat e SHBA-së në Shqipëri janë vetëm rrjedhime të interesave në Itali, Adriatik dhe Greqi. Pozita e marrë nga President Wilson kundër propozimeve për ndarjen e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, siguroi mbijetesën e pavarur të vendit. Në vazhdim të kësaj tradite të caktuar tashmë, Shtetet e Bashkuara nuk njohën aneksimin e Shqipërisë nga Mbretëria Italiane dhe rrjedhimisht pushtimin e saj në prill 1939, por e konsideruan Shqipërinë si një viktimë të aksit të agresionit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore SHBA-ës kanë inkurajuar dhe mbështetur rezistencën vendase kundër forcave naziste e fashiste. Më 10 dhjetor 1942 Sekretari i shtetit Hull, deklaroi rivendosjen e Shqipërisë së pavarur sipas parimeve të kartës Atlantike. SHBA-ës nuk e kanë njohur regjimin e Hoxhës. Më 8 maj 1945, një mision in-formal shkoi në Shqipëri për të vëzhguar kushtet dhe zhvillimet për njohjen e mëpasshme të regjimit të Hoxhës.
Kushtet për Enver Hoxhën
Megjithëse marrëdhëniet tona in-formale me autoritetet shqiptare u përkeqësuan pas vendosjes së marrëdhënieve me BRSS-në, ne vazhduam të kërkojmë mirëkuptim sipas linjave tona të propozimit për njohjen e regjimit. Ishte parashtruar plotësimi i dy kushteve për njohjen; e para mbajtja e zgjedhjeve të lira, dhe së dyti qëndrimi në fuqi i traktateve në fuqi mes Shqipërisë dhe SHBA-ës prej prillit, 1939. Kushti i parë u plotësua me mbajtjen e zgjedhjeve në dhjetor 1945, kurse kushti i dytë po zvarritej nga autoritetet, kohë gjatë së cilës misioni amerikan në Shqipëri po bëhej objekt trajtimesh jo-miqësore, të pasjellshme dhe dyshuese.
Më në fund, më 13 gusht 1946, nëntë muaj pas ofertës amerikane për njohje, regjimi shqiptar sinjalizoi pranimin e traktateve dhe marrëveshjeve multilaterale ku Shqipëria dhe SHBA-ës ishin pjesë, por nuk pranoi marrëveshjet bilaterale mes dy vendeve. Duke mos marrë këto garanci nga regjimi, SHBA-ës tërhoqi misionin e saj më 14 nëntor 1946. Një tjetër çështje lindi mes Shqipërisë dhe qeverisë së SHBA-së dhe lëvizjes guerile komuniste në Greqi, teksa kjo e fundit po mbështetej nga Shqipëria, Jugosllavia dhe Bullgaria.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë aventurë, si dhe pengimi i Shqipërisë, i punës së komisionit të veçantë të OKB-së për Ballkanin, janë kritikuar disa herë nga Shtetet e Bashkuara. Më 1948, Departamenti i Shtetit informoi lidhjet e tij në Ballkan, se objektivat amerikane në lidhje me vendet satelite të BRSS-së ishin identifikimi i vende demokratike që nuk siguronin të drejtat e njeriut për popullin e tyre dhe vendet që diskriminonin kundër interesave të SHBA-ës dhe shteteve të tjera miqësore.
Në direktiva thuhej se megjithëse SHBA-ës pranonte pjesëmarrjen e Shqipërisë në marrëveshjet e përgjithshme rajonale e Ballkanike për mirëqenien e shteteve, ne do të kundërshtonim aderimin e saj në federata bilaterale apo grupime të gjera shtetesh që krijonin unione ideologjike, pasi një zhvillim i tillë ishte në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar.
Konkluzionet
- Pengesat sovjetike për aksesin e SHBA-ës në Shqipëri nuk kanë shkaktuar disavantazhe strategjike apo ushtarake të rëndësishme. Burimet ekonomike të vendit kanë vetëm avantazhe lokale të kufizuara. Aksesi në terren, i cili është një bregdet i gjerë parësor në Ballkan, në rast konflikti madhor do të ishte gjithashtu i parëndësishëm për arsye të mungesës së porteve të përshtatshme, pistave ajrore dhe komunikimeve të dobëta në vend.
Po ashtu, kontrolli sovjetik ndaj Shqipërisë i jep asaj vetëm një avantazh të dobët në rast konflikti madhor. Burimet ekonomike të vendit nuk mund të arrihen me rrugë tokësore, dhe zhvillimi i tyre do të kërkonte investime të mëdha në njerëz dhe makineri, që do të ishin jashtë proporcioni në lidhje me përfitimet, prandaj edhe BRSS-ja nuk mund t’i kryejë.
Megjithëse përdorimin i bazave të avancuara së nëndetëseve apo aeroporteve të përshtatshme do të kishte avantazhe në kohë lufte, vendet e mundshme për to janë të kufizuara në numër dhe kapacitet, dhe do të ishin të papërdorshme përballë një force ushtarake superiore ajrore apo detare. Dhe në fakt, rëndësia e Shqipërisë për Fuqitë e Mëdha është kryesisht negative dhe përbëhet nga mundësitë për përdorim si bazë guerile për ngacmime ushtarake në operacionet e mëdha.
- Kontrolli sovjetik i Shqipërisë duket se është kompletuar. Ai ushtrohet kryesisht prej komunistëve shqiptarë dhe nga personeli sovjetik aty, në rast konflikti të brendshëm qeveria sovjetike, duke mos pasur akses direkt në Shqipëri, do të mendonte të shpëtonte personalin e saj ushtarak, pasi nuk do të mund të bënin më shumë pa rrezikuar të nisnin një konflikt të përgjithshëm.
- Rezistenca aktuale sporadike në Shqipëri nuk mund të përmbysë regjimin pa ndihmë nga jashtë Shqipërisë. Nuk ka alternativë tjetër përveç regjimit të Hoxhës në Shqipëri, dhe e vetmja mundësi vjen nga grupet jashtë Shqipërisë.
- Asnjë qeveri apo pushtet në Shqipëri nuk mund të ekzistojë pa ndihmën e një apo disa fuqive të mëdha. Standardet aktuale ekonomike e sociale nuk janë të favorshme për funksionimin e një demokracie, në sensin perëndimor të fjalës. Një regjim jo-komunist duhet patjetër të ndjekë forma demokratike të veprimit dhe të sigurojë të drejtat e njeriut në vend.
- Nga fqinjët e Shqipërisë, Jugosllavia gjithnjë e më në vështirësi me Kremlinin dhe Cominform, duket se po krijon probleme për regjimin e Hoxhës. Ato vijnë në formën e sulmeve guerile, sanksioneve ekonomike dhe propagandës. Për sa kohë në Shqipëri do të ketë një regjim si i Hoxhës, qeveria e Titos nuk do të mund të tentojë përmbysjen e regjimit pa rrezikuar të goditet nga sovjetikët nga veriu dhe lindja. Nëse regjimi komunist në Shqipëri bie nga shkaqe të tjera, situata apo koha do të përcaktonte nëse Kremlini do të kundërshtonte tentativat e Titos për të avancuar aty.
Prandaj në rast të zhvillimeve anti-Hoxha duhet shikuar me kujdes rrethanat e marrëdhënieve mes Shqipërisë, Titos e Kremlinit, si dhe ato mes Titos dhe botës jo-komuniste. Veprimet për përmbysjen e Hoxhës do të kishin avantazh për ne vetëm nëse situata është e tillë që Tito nuk mund të hyjë në Shqipëri, apo nëse mund të influencohet të mos e bëjë prej dëshirës për të konsoliduar regjimin e tij.
- Greqia nuk ka avancuar me pretendimet e saj territoriale në Shqipëri dhe as të neutralizojë rezistencën kundër pretendimeve me bazë në Greqi. Do të kishte nevojë për presion diplomatik për të bërë që Greqia të mos ndërhynte në Shqipëri në rast të ndonjë krize të brendshme.
- Italia aktualisht nuk ka pretendime, ndërsa është Shqipëria që ka pretendime ndaj Italisë. Italia ka dënuar dhe madje ka mbështetur aktivitete kundër regjimit të Hoxhës, veçanërisht kur është nxitur nga SHBA.
- Po përgatitet situata për një bashkim të kujdesshëm të grupeve anti-komuniste të emigracionit, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara dhe Aleatëve. Disa të emigruar kanë krijuar komitete për aktivitete anti-regjim nga jashtë Shqipërisë dhe në lidhje me rezistencën e brendshme. Por ato kanë nevojë për mbështetje monetare dhe mjetesh. Ato do të pengoheshin nëse merrte pjesë personalisht Mbreti Zog, ashtu siç nuk do të funksiononte nëse merrnin pjesë anëtarët e grupeve
“VATRA” apo “Shqipëria e Lirë”?
- Përmbysja e regjimit Hoxha prej anti-komunistëve shqiptarë dhe vendosja e regjimit anti-komunist në Shqipëri, do të kishte një efekt të rëndësishëm psikologjik në ngritjen e moralit të grupeve të rezistencës, si dhe te vendet e tjera komuniste nën dominimin sovjetik, në Ballkan dhe në Evropën Lindore.
- Politika aktuale e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë duhet rishikuar për të përfituar nga situata aktuale në Shqipëri dhe Ballkan.
- Instrumentet në zotërim të SHBA-ës për ekzekutimin e politikës në Shqipëri janë të pamjaftueshme për zbatimin e politikës së dëshiruar. Prandaj nevojitet dhe duhet fituar bashkëpunim i plotë me qeverinë britanike, qeverinë franceze dhe agjencitë e tyre. Në faza të mëvonshme mund të merret në konsideratë bashkëpunimi edhe me qeverinë turke.
Qershor 1948
Lufta guerile greke
Ofensiva e shumëpritur e ushtrisë greke ndaj qendrës së guerilasve komunistë në zonë e maleve të Gramozit, në ditët e para ka qenë inkonkluzive. Si guerilasit dhe ushtria e dinë se nga ky operacion do të varet e ardhmja e rebelimit, prandaj të dyja palët po luftojnë me maturi por të vendosur. Forcat e ushtrisë numërojnë rreth 70.000 njerëz dhe kanë pajisje dhe armatime superiore, ndërsa guerilët rreth 7.500 në numër, kanë avantazhin e terrenit të ashpër, pozicioneve të përgatitura, hapësirave të shumta të minuara dhe mbajtjen e sigurisë në anën shqiptare të kufirit.
Ka pasur raportime të rasteve të tërheqjes së guerilëve të rrethuar në Shqipëri, dhe kthim i tyre për të sulmuar ushtrinë nga krahët ose nga prapa. Koha e saktë në të cilët njësitë e ushtrisë u vendosën në pozicionet e tyre fillestare tregon se operacioni është i planifikuar mirë, me gjithë pozicionin e ashpër që ata po hasin. Por testi më i vështirë do të jetë nëse ushtria mund të rrethojë pjesën kufitare me Shqipërinë në mënyrë që të parandalojë tërheqjen dhe rigrupimin e guerilasve pas mësymjes.
Pranë pjesës jugore të kufirit me Shqipërinë, ushtria po mban nën kontroll rrugën Janinë-Konicë dhe po depërtojnë drejt veriut, paralelisht me kufirin. Sulmet drejt veriut kanë si qëllim parandalimin që guerrilasit të ndërhyjnë për të prishur avancimin e ushtrisë. Objektivi kryesor i fazës së parë është krijimi i lidhjes me dy pikave të sulmit kufitar dhe rrjedhimisht rrethimi i guerrilasve për të parandaluar kthimin e tyre në Shqipëri. Thuajse në të gjithë sektorët pjesa e prapme e ushtrisë është e kërcënuar nga forca të tjera guerile që mund të vijnë nga ashtë zonës operacionale.
Mars 1951
Raportime për ekzekutime të qytetarëve të Tiranës
Një natë shkurti në vitin 1951 dy granata dore u lëshuan në kopshtin e ambasadës sovjetike në Tiranë. Fushata e reprezaljes nisi po atë natë kundër këtij “akti sabotazhi ndaj mikut të madh të popullit të Shqipërisë”, me arrestimet e rreth 400 personave, kryesisht anëtarë të klasës intelektuale. Rreth treqind prej tyre raportohet të jenë ekzekutuar. Pjesa tjetër po mbahen në Burgun e Ri dhe Burgu e Vjetër të Sigurimit. Në ditët që pasuan familjarët e të arrestuarve endeshin nga njëri burg në tjetrin duke u përpjekur t’i gjenin për t’i dhënë ushqim.
Ndër personat e ekzekutuar përfshiheshin: Ali Kaceli, rreth 40-vjeç, pronar dyqani në “Rrugën e Barrikadave”. Ai jetonte në “Rrugën e Pishës” me gruan dhe katër fëmijët, të cilët pas vdekjes së tij raportohet se ishin në gjendje të rëndë për bukën e gojës; Niko Lezo, farmacist, që në vitin 1951 ishte i papunë. Ai ishte i martuar me një grua franceze dhe jetonte me të dhe dy fëmijët në “Rrugën e Durrësit”. Kreu i Sigurimit të Shtetit në Tiranë ishte Xhavit Struga. Nga 100 intelektualët e arrestuar, por jo të vrarë, gjashtë ishin liruar në nëntor 1951.
Ekzekutimet dhe arrestimet janë urdhëruar nga ministria e Brendshme e Moskës, sipas listave të hartuara paraprakisht nga Sigurimi. Në personat e arrestuar përfshihen ish-fashistë, por dhe shumë të pafajshëm që thjesht ishin intelektualë ose tregtarë me origjinë borgjeze. Kreu i Sigurimit të Tiranës Struga, i kishte dërguar listat te ministria e Moskës, e cila kishte kërkuar eliminimin e personave në fjalë në një mënyrë të përshtatshme, siç janë pretekstet për sulme sabotazhi ose krime kundër regjimit. Granatat në ambasadën sovjetike janë hedhur nga dy agjentë të Sigurimit, të cilët janë siguruar që ato të mos shkaktonin asnjë dëm./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














