Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / “Eni me Elbasanin, kabina 7”; “Eni me Elbasanin kabina 7”; “Daku me Lushnjën të mos presë, personi nuk është paraqitur”; “Daku me Lushnjën të mos presë, personi nuk është paraqitur…”! Ju kujtohet ky zë, kjo thirrje, ky njoftim? Një rikthim nostalgjik si është kryer komunikimi telefonik në Shqipërinë e para viteve ’90-të? Si ka funksionuar ai mekanizëm në një vend ku bisedat telefonike të popullsisë kryheshin në mjedise publike, në posta, pasi numrat privatë ishin të kufizuar dhe ato rezervoheshin vetëm për dikastere dhe zyrtarë të rëndësishëm, më pak për artistë, profesorë, edhe disa mjekë. Ndonëse kanë kaluar dekada, dhe ajo pritje, ajo thirrje, ai njoftim, nuk dëgjohet, nuk ekziston, kur të gjithë, një popull i tërë në çdo skaj, qytete, fshat, vraponin për në zyrat e postave apo PTT-ve, siç janë njohur në të gjithë vendin. Nga bisedat te kabinat prej dërrase, tri minutat e famshme, deri tek interesimi i tifozëve për rezultatet e ndeshjeve të futbollit. Pastaj linja 12-të, e 13-të dhe ajo e “dedikuar”.
TIRANA E PTT-VE, ÇDO LAGJE E PERIFERI NJË E TILLË
Ka qenë dhe mbetet qyteti me më shumë posta, PTT, siç janë njohur, veçanërisht në vitet periudhën pas lufte, ku çdo lagje, qendër banimi kishte edhe postën e saj, që shërbente për të kryer veprime, jo vetëm bisedimet telefonike, por edhe me funksione të tjera. Në periudhën e Mbretërisë, në qendër të Prefekturës së Tiranës, ishte Zyra Post-Telegrafike e telefonike me nëpunës të posaçëm veprimi.
Madje, po për atë kohë informoheshim se si mjet i shpejtë për korrespondencë në Tiranë, “ndodhet edhe një stacion Radio-Telegrafik, i instaluar fare mirë mbas independencës shqiptare, në të cilën me mjeshtëri të çmuar punojnë nëpunësit shqiptarë dhe sigurojnë korrespondencën Radio Telegrafike me Italinë, Jugosllavinë dhe me çdo stacion tjetër të botës së jashtme. Stacioni Radio Telegrafik ndodhet i vendosur në një ndërtesë të re në hyrje të qytetit”, informohemi nga dokumentet e kohës. Dikur Posta Qendrore ka qenë te sheshi “Avni Rustemi”, ndërtesa kryesore që është edhe sot.
Pastaj, te Bar – “Sahati”, në qendër, ngjitur me orën e madhe të kryeqytetit, për t’u zhvendosur përfundimisht aty ku është edhe sot. “Pallati i Postës”, kështu është njohur kur u vendos aty, ndërsa drejtoria qendrore ishte në krah, një ndërtesë që nuk ka ndryshuar, e tillë ka mbetur, por me tjetër funksion sot. Në Tiranë, çdo lagje kishte postën e saj, të PTT-së, dhe një e tillë detyrimisht ishte në katin e parë. Zakonisht mjedise të vogla, me një ose dy sportele, po aq kabina, ku mund të flisje.
Si dhe postierin, që ishte ndër njerëzit më të njohur të lagjes. PTT, kishte te Shkolla e Bashkuar, “Selvija”, sheshi “Avni Rustemi”, përballë “Zërit të Popullit”, “21 Dhjetori”, “Xhamlliku”, “Zogu i Zi”, te “Qyteti i Nxënësve”, “Ali Demi”, “Rruga e Elbasanit”, Sauk, “Tirana e Re”, në krah të ish-stadiumit “Dinamo”. Pastaj në Laparakë, Kombinat, Kamzë, Kinostudio, Qyteti Studenti. Një pjesë e tyre aty janë edhe sot.
PUNA PA NDËRPRERJE, DERI EDHE ME KODIN MORSE
PTT-ja ka qenë bashkë një drejtori, Postë-Telekom, por e ndarë në funksione, në shërbimet postare dhe ato telefonike. Nga e djathta, në korridorin e gjatë ndodheshin sportelet e Postës, kryesisht për veprime postare, përfshirë edhe telegramet, dërgimi, marrja e pakove, e revistave, abonimi i gazetave, gjithçka të kësaj natyre. Deri edhe për transferta të shumave financiare. Në krahun e majtë, aty ku ishin edhe kabinat e bisedave, ishin sportelet ky kryheshin veprimet telefonike, pra, lajm-thirrjet dhe telegramet. Komunikohej me teletekst.
Nëse ndërlidhja kombëtare ndërpritej për një arsye apo tjetër, kohë e keqe, furtunë, dëborë, etj., për dërgimin e një thirrjeje telefonike, telegrami, apo çdo lloj tjetër njoftimi, aplikohej edhe kodi Morse. Në rastet urgjente, kur linja e një qyteti nuk funksiononte, njoftimi i dërgohej qytetit më të afërt, i cili e dërgonte e ia përcillte qytetit që nuk i punonte linja. Në postë punohej me tri turne, ndërsa në sportelet në pritje-përcjellje të popullit vetëm me dy.
NGA KABINA 12, LINJA ME ATË NUMËR 13, TEK AJO E “DEDIKUAR”
“Linja 12”, kështu quhej ajo që funksiononte vetëm me linjat ndërkombëtare. Madje, edhe kabina kishte këtë numër, 12, nga ku mundet të flisje, komunikoje me jashtë vendit. Në postë ishte instaluar një central, që funksiononte me prefiks ndërmjet Beogradit, sipas një aktmarrëveshje e bërë ndërmjet dy vendeve që garantonte komunikim me Italinë, Francën, etj., kudo në të gjithë botën. Bisedat ishin nga më të ndryshmet, si ato midis nga familjarëve, ato me të sëmurët e tyre në spitale jashtë vendit, etj., etj.
Kushdo që futej në atë kabinë, ishte i monitoruar më parë dhe biseda kontrollohej. Edhe në këtë rast, t’i bëje lajmthirrjen më parë, ose në rastin tjetër, jepje numrin dhe bisedoje. “Linja 13” ishte ajo kombëtare, që siguronte komunikimin brenda vendit. Komunikimi kryhej ndërmjet një centrali të prodhimit çek, “dekadaik” quhej, njihej. E veçanta e këtij centrali ishte se bisedat nuk mund të kontrolloheshin.
Linja e tretë ishte ajo e “dedikuar”. Ndryshe nga ajo 12, kjo linjë nuk ishte për popullsinë, por për raste të veçanta, e që të lidhte direkt me zyrtarë të shtetit, si drejtorë, sekretarë të parë, etj., pra me njerëz e drejtues të këtij niveli. Ti kërkoje të flisje me njërin prej tyre dhe kjo linjë të krijonte mundësinë, dhe të rezervuara kishte dy kabina. Gjithçka deri më 1990, më pas këto linja u mbyllën, nuk funksionuan më.
SHQIPËRIA E PAK NUMRAVE TELEFONIKË, FUTJA E PREFIKSIT
Numrat në Shqipëri ishin me katër shifra, pasi centrali “dekadik” nuk ishte automatik dhe nuk mbante shumë numra. Deri në 1980, kështu ka funksionuar, 10.000 numra, aq ishte kapaciteti centralit. Pastaj u vu në ai automatik me 5 shifra dhe shifra u rrit në 20.000 numra. Prefiksi është futur, nëse nuk gaboj, në mes-vitet 1985, pastaj linjat filluan të bëhen automatike. Erdhi centrali francez, një makineri moderne, bashkë me të u vendos edhe prefiksi 00355, që u njoh në të gjithë botën shoqëruar me krijimin e dy linjave telegrafike dhe telefonie. Vetëm në zonat e periferisë vijonte me centralin rural, atë me fisha.
TËRMETI NË JUG TË SHQIPËRISË, QË MOBILIZOI EDHE SHËRBIMIN POSTAR
Bëhet fjalë për tërmetin e vitit 1975, që goditi qytetin e Sarandës, fshatrat përreth tij. U dëmtuan shtyllat, linjat, nuk funksiononte asgjë, u ndërpre ndërlidhja, shqetësimi ishte i frikshëm, por i tillë edhe reagimi, shoqëruar me një angazhim nga i gjithë shtetit, duke përfshirë edhe drejtorinë, shërbimin postar të Tiranës. “Drejt Sarandës, nga kryeqyteti u nisën urgjent teknikë, inxhinierë të postës qendrorë.
Për 3-4 orë duhet të dërgoheshin telegrame në qytetet Fier – Vlorë-për në Sarandës çdo ditë, në orën 04 të mëngjesit nisej nga Tirana mjeti dhe në orën 8 të ishte aty. Kjo situatë vazhdoi për më shumë se një muaj, shkonin e vinin makinat e gazetave, sillnin edhe lajm-thirrjet, telegramet, gjithçka që kishte lidhje me shërbimin postar”, kujton Ferid Greva, një ndër punonjësit veteranë, nga viti 1970 në Postën Qendrore.
TE POSTA QENDRORE EDHE PËR REZULTATET E NDESHJEVE
Një detaj, pak i veçantë, siç e kujtojnë tifozët e futbollit, kur për ta posta qendrore e Tiranë ishte kthyer një pikë informuese për rezultatet, përfundimet e ndeshjeve. Kjo, në vitet ’70-’80-të, kur takimet e futbollit nuk transmetoheshin në radio, as televizion dhe përfundimet e tyre nuk jepeshin as në stadium. Një mungesë informacioni, për tifozët që nuk e dinin rezultatin e ndeshjeve të skuadrave të tyre.
E vetmja mundësi informacioni ishte posta qendrore e Tiranës, në sheshin, hyrjen kryesore të saj ata grumbulloheshin dhe i kërkonin një familjari që kur fliste me njerëzit e tij në qytetin ku ishte zhvilluar loja, ta pyesnin edhe për përfundimin e saj. Një gjë e tillë u kërkohej edhe …punonjësve që shërbenin me qytetarët, qëndronin në pritje në hyrje te postës.
NË PUNË EDHE NATËN E VITIT TË RI
Në prag të kësaj feste, intensiteti, fluksi në Postën Qendrore ishte i madh me hyrje-dalje të qytetarëve. Punonjëset ishin të ngarkuara me punë, nga mëngjesi në darkë në çdo sektor të saj. Nga ai i dërgimit të kartolinave, i pakove, telegrameve, deri te lajm-thirrjet dhe bisedat telefonike. Gjithçka pa ndërprerje, deri edhe natën e Vitit të Ri, posta qëndronte e hapur, ku funksiononte sporteli i telegrameve, ndonjë thirrje telefonike, vetëm aty shërbehej, sigurisht për raste urgjente, për lindje, ndarje nga jeta, etj./ Memorie.al












