Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e tretë
Memorie.al / Kur s’kishin kaluar as tre muaj nga shpallja e pluralizmit politik në Shqipëri dhe vendi ishte në prag te zgjedhjeve të para pluralisite që mbaheshin pas afro 45 vitesh të sundimit të regjimit komunist me në krye Enver Hoxhën dhe pasardhësin e tij Ramiz Alia, më 6 mars 1991, Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSh-së me në krye sekretarin e përgjithshëm Ramiz Alia, zhvilloi një mbledhje të gjatë, ku u morën në analizë disa nga ngjarjet kryesore që kishin ndodhur kohët e fundit, duke bërë dhe një retrospektivë edhe për të gjitha ato që kishin ndodhur në harkun kohor të një viti. Duke filluar që nga ngjarjet e Shkodrës në janarin e vitit 1990, për heqjen e bustit të Stalinit, ato të Kavajës më pas, ngjarjet e 2 korrikut ku rreth 6000 persona u futën në ambasadat e huaja në Tiranë dhe u larguan nga Shqipëria; përkimi i këtyre ngjarjeve me shpalljen e Kushtetutës së Kosovës po me 2 korrik, “implikimi reaksionit ndërkombëtar” me në krye CIA-n, francezët dhe jugosllavët për destabilizminin e Shqipërisë; protestat e rinisë studentore në “Qytetin Studenti” në muajin dhjetor, të cilat çuan dhe në shpalljen e pluralizmit politik; largimet masive të shqiptarëve nga vendi në kufijtë veri-perendimorë e jug-lindorë drejt Jugosllavisë e Greqisë; rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991; eksodi masiv i ditëve të para të marsit 1991, ku me mijra shtetas shqiptarë rrëmbyen anijet në portet kryesore të vendit dhe u larguan drejt brigjeve italiane; rreziku i përsëritjes së ngjarjeve të ambasadave e, deri te përgatija për zgjedhjet e para pluraliste që do mbaheshin në 31 marsin e vitit 1991, ku sipas ambasadës shqiptare në Athinë, ambasadori amerikan atje, kishte refuzuar një ftesë përë të shkuar në Boston, duke thënë se: “pritet të ndodhin ngjarje në Shqipëri”.
Lidhur me këto etj., bëhet fjalë në këtë dokument arkivor sekret (tashmë prej kohësh i de-klasifikuar), të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), në të cilën ndodhet proces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike, ku përveç raportit të Ramiz Alisë, i cili është ndalur dhe ka folur edhe për Partinë Demokratike dhe dy liderët kryesorë të saj, Azem Hajdari dhe Sali Berisha, janë edhe të gjitha diskutimet e “shokëve të Byrosë” dhe sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së. Për më shumë rreth kësaj etj., na njeh dokumenti në fjalë, që publikohet për herë dhe me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, 6 MARS 1991
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË Sekret
KOMITETI QENDROR
– Sektori i Përgjithshëm –
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PARTISË
6 mars 1991, ora 17:00
Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH, në mbledhjen e datës 6.3.1991, diskutoi rreth ngjarjeve të ditëve të fundit dhe për Letrën që do t’u dorëzohet organizatave-bazë të Partisë. Mbledhjen e drejton shoku Ramiz Alia, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë.
Marrin pjesë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, shokët: Adil Çarçani, Besnik Bekteshi, Hekuran Isai, Pali Miska, Vangjel Çërava, Xhelil Gjoni, Llambi Gegprifti, Niko Gjyzari, Xhemal Dymylja, si dhe sekretarët e Komitetit Qendror të Partisë, shokët: Spiro Dede dhe Abdyl Backa. Mungon me arsye shoku Kiço Mustaqi.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
SHOKU RAMIZ ALIA: Tani filloi përsëri problemi me ambasadat në Tiranë. Në qoftë se ambasadorët e ndryshëm e mbajnë fjalën për të mos pranuar njerëz pa qenë të pajisur me pasaportë, mundet të kapërcehet kjo situatë. Po sidoqoftë jemi përpara një situate të tillë, që nuk dimë ç’lojë bëjnë elementë të ndryshëm. Për sa i përket çështjes së Partisë, duhet ta dini, të paktën për t’u liruar një çikë moralisht, që nuk kemi vepruar mirë me Komitetin Qendror. Ai nuk ka qenë aktiv.
Përbërja e tij është bërë një shkak që nuk kanë gjetur mbështetje dhe veprim më të shpejtë shumë masa që kemi marrë. Më duket se për këtë e kemi fajin vetë, duke filluar që nga unë. Ishte e domosdoshme që Partia të ripërtërihej në konceptet e veta, po dhe në udhëheqjen e saj. Këtu kanë influencuar disa faktorë. Pas vdekjes së shokut Enver, kur bëmë Kongresin e 9-të të Partisë, unë kisha idenë që të ishte kongres i vazhdimësisë, ashtu siç e shpallëm.
Këtë vazhdimësi e lidha dhe me njerëzit që ishin në udhëheqjen e Partisë, domethënë të mos bëheshin ndryshime, se mos dukej sikur me vdekjen e shokut Enver ndryshonim dhe formacionin udhëheqës të Partisë. Në qoftë se në atë kohë kishim mendim pozitiv për këtë çështje, në praktikë vepruam gabim, sepse lamë Komitetit Qendror të Partisë të vjetër, siç ishte, lamë Byronë Politike të vjetër, jo vetëm në kuptimin e njerëzve, po dhe të aftësive, se nuk u përgjigjej kërkesave të kohës. Zhvillimet e mëvonshme e vërtetuan plotësisht këtë.
Jemi përpara kongresit. Ne shpresonim që nëpërmjet reformave që bëmë t’i hapnim rrugën kongresit dhe atje të bënim rinovimin e plotë të Partisë, siç e theksuam dhe në Aktivin Kombëtar të Partisë, më 26 dhjetor 1990. Por, siç duket, Partia nuk është e kënaqur me ne. Nga shumë letra që më vijnë nga organizata-bazë partie, nga komunistë, nga shumë takime që kam bërë me mjaft individë dhe me grupe njerëzish, kanë shtruar hapur çështjen që Partia nuk mund të ecë kështu. Ju e dini që një grup ministrash prej gjashtë vetash nga Qeveria e mëparshme, më erdhën në Komitetin Qendror dhe më shtruan çështjen që në jetën e Partisë duhej medoemos të bëheshin ndryshime, ajo të rinovohej se nuk ecet më kështu.
Arriti puna deri aty sa kërkuan dorëheqjen, po nuk ua pranova unë. Ishin të tërë të rinj në moshë, të cilët nuk mendoj se ishin kundër Partisë, por kishin konceptin që Partia duhet t’u përshtatet zhvillimeve të kohës. Derisa në programin e saj elektoral dhe me projekt-kushtetutën, Partia përpiqet t’u përshtatet realiteteve objektive të zhvillimit të sotëm, përse duhet nga ana organizative, nga ana e kuadrit, nga ana organizative e veprimtarisë praktike, në metodologjinë e vet të mbetet prapa?
Kjo është një pyetje që ia shtrojmë dhe vetes. Këtu e kanë burimin, më duket mua, fjalët që thuhen poshtë e përpjetë që do të dalë një parti socialiste. Po doli kjo parti, do të jetë një fraksion, i cili do të tërheqë inteligjencien e Partisë, duke lënë pjesën e plakur të saj. Po të ndodhte kjo, do të ishte një goditje, në radhë të parë, kundër Partisë. Sidomos në prag të zgjedhjeve do të ishte fatale. Ky fraksion do të imponohej me një vijë të caktuar politike. Është tjetër gjë si do të vepronim ne, sa dhe si do ta mbronim Partinë nga goditjet e tij.
Unë kam menduar, po mund ta diskutonim që ndoshta të shpallnim tani para zgjedhjeve, natyrisht jo këto ditë, po sa të qetësohet situata, për t’i dhënë forcë Partisë, një komitet organizator të kongresit, ku të përfshiheshin shokë të Komitetit Qendror të Partisë të sotëm, por dhe shokë të tjerë anëtarë partie të thjeshtë nga radhët e inteligjencies, punëtorëve, njerëz të rinj që kanë emër, prestigj në masa. Ky komitet organizator mund të ishte me një numër të madh rreth 70-75 veta dhe të ngarkohej me përgatitjen e Kongresit të 10-të të Partisë.
Lidhur me gjendjen e krijuar, a do të ishte e dobishme t’u drejtonim një Letër organizatave-bazë të Partisë? Nuk ka dyshim se ky është një projekt që do përpunuar. Lufta e madhe e Partisë tani duhet përqendruar në zgjedhjet për deputetët në Kuvendin Popullor, ku do të marrin pjesë dhe partitë e opozitës. Medoemos në këto zgjedhje Partia duhet të fitojë shumicën, ndryshe situatat nuk do të jenë të favorshme, përkundrazi, mund të keqësohen. Nga sa kam biseduar për zgjedhjet, disa shokë tregohen optimistë. Dhe optimizmi është një gjë shumë e mirë. Po duhet të kemi parasysh që ka dhe një alergji. Këtë të mos e harrojmë. Këtu nuk është çështja që zgjedhësi të do apo nuk të do, po problemi është se voton ose nuk voton për Partinë.
Shoku Xhelil po i mbledh e po diskuton me sekretarët e komiteteve të Partisë të rretheve për çështjen e fushatës së zgjedhjeve, por me ç’vura re dhe unë nga 2-3 takime që pata, ka mendime një çikë të vjetra, akoma mendojnë si në të kaluarën, nuk ka një analizë konkrete të situatave, me një sy më progresist. Ma thotë mendja që këto vështirësi nuk kalohen kaq lehtë dhe nuk janë pa konsekuenca, të cilat do të pasqyrohen edhe në zgjedhjet që do të kemi.
Ja, këto gjëra kisha për të thënë. Bëra më tepër një pasqyrë të situatës, ashtu si e gjykoj. Unë mendoj se kjo situatë kërkon një mobilizim të madh të Partisë. Ne kemi në Parti 150 mijë veta. Dhe 20-25 mijë veta po të ikin, nuk është ndonjë qamet i madh. Mirë është të mos ikin, por në qoftë se ikin, nuk prish gjë, po të kemi një bërthamë të fortë komunistësh. Sikur 100 mijë komunistë të kemi, po të jenë komunistë të vërtetë ama, i kapërcejmë të tëra këto situata. Vështirësitë nuk janë të atilla që nuk i kapërcejmë dot. Le të bëjmë një pushim të vogël.
(Pas pushimit)
SHOKU RAMIZ ALIA: Çfarë mendimesh kanë shokët?
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ju, shoku Ramiz, e bëtë të plotë analizën për situatën aktuale, e cila patjetër që do të thellohet më tutje, se tani mendoj që nuk është koha, se jemi në fazën para zgjedhjeve. Urgjente është gjendja që na u krijua këto dy ditë në disa qytete bregdetare, me grumbullimet dhe largimet në masë të njerëzve në Itali, me mjete detare të rrëmbyera. Kjo situatë na erdhi e papritur.
SHOKU RAMIZ ALIA: E papritur ishte.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Filloi në Durrës me ato vandalizmat që u bënë atje, për të vazhduar pastaj me grumbullimet masive të njerëzve për të ikur jashtë. Mendoj se kjo është e sinkronizuar dhe e drejtuar nga një qendër jashtë dhe brenda vendit, se na ndodhi në disa pika si në Vlorë, Durrës etj. Bile mua më thanë dhe për grumbullime në Seman, që prisnin gjoja traget.
SHOKU RAMIZ ALIA: Grumbullime pati edhe në Shëngjin, në Vrakë të Shkodrës e, në pika të tjera. Kështu që ky është një skenar i përgatitur. Skenarë të tillë do të vazhdojnë edhe më tej. Kjo është një luftë e madhe politike. Unë mendoj që këtë situatë aktuale duhet ta kapërcejmë. Kjo është detyra jonë imediate.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ngjarjet që ndodhën me rrëzimin e monumentit të shokut Enver ishin shumë të rënda, por patën dhe një anë të mirë, atë të ngritjes së opinionit, të kurajës së Partisë, të komunistëve. Duket, armiku i ka të përgatitura këto për të prishur zgjedhjet, për ta mbajtur gjendjen të destabilizuar.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk jemi në gjendje të bëjmë asgjë, se nuk kemi organizma pushteti të mbështetura me ligj. Dhe Qeveria dhe Presidenca që krijuam deri në zgjedhje, në fakt po veprojnë, por mbështetje me ligj nuk kanë. Qytetari ka të drejtë dhe të mos bindet, se faktikisht nuk kemi ligj për t’ai dënuar.
SHOKU SPIRO DEDE: Mirë që këtë gjë nuk e dinë qytetarët.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ata nisen nga respekti që kanë për to.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Primarja është ekonomia.
SHOKU RAMIZ ALIA: Aty është jeta.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Me sa mora vesh, 14 mijë tonë sheqer ishin në anijen që nuk u shkarkua në Durrës. Me këtë sasi sheqeri do të mbahej furnizimi i popullit deri në fund të prillit.
SHOKU PALI MISKA: Sheqeri nuk është problem, do ta bien prapë ata.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Nuk është vetëm sheqeri, po janë dhe 10 mijë goma, me të cilat përballohet transporti në tërë tremujorin e dytë. Është gruri etj. Dua të them që armiqtë kanë gjetur një pikë nevralgjike të ekonomisë, siç janë portet, për të paralizuar tërë ekonominë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nga kjo që ndodhi me anijet në Durrës e në Vlorë kanë frikë të vijnë vaporë të tjerë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ekuipazhi i vaporit kinez me gomat, kishte thënë që do të ikim të shkarkojmë në Pire. U bë mirë që u mor masa për shpalljen e portit të Durrësit zonë ushtarake. Aty duhet vënë regjimi ushtarak që nga Ura e Dajlanit, duke bërë rrethimin me tel në të gjitha shtigjet nga mund të hyhet. Është dhe çështja e punëtorëve që do të punojnë atje brenda.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ata do të vihen nën komandën e ushtrisë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mendoj që Letra drejtuar organizatave-bazë të Partisë do përpunuar, se i trajton problemet pak në përgjithësi. Prandaj mund të mbahet dhe nja 2-3 ditë, me qëllim që të thuhet diçka edhe për këtë ngjarjen e fundit. Sigurisht që opinioni do të sqarohet edhe nëpërmjet shtypit, pasi diçka do të jepet dhe nga ai, aq sa do të jepet, por mendoj që të trajtohet kjo çështje edhe në Letër.
SHOKU HEKURAN ISAI: Situata është mjaft e rënduar. Me ngjarjet që ndodhën kohët e fundit, Partia bashkë me të gjitha strukturat e tjera ka forca për t’i përballuar. Problemi, mendoj, në radhë të parë është politik. Ne, si Komitet Qendror, Byro Politike, Qeveri, morëm një numër masash, që kolegjialisht i konsideruam të drejta, por, siç e keni thënë dhe ju, shoku Ramiz, masa nuk i përtypi si duhet ndryshimet që bëmë. Unë do të thoja se ajo që ndodhi në sheshin “Skënderbej” me rrëzimin e monumentit të shokut Enver ishte një pikë kulminante e të gjitha ngjarjeve që kishin ndodhur, por dhe reagimi i shpejtë i popullit në mitingje, ishte shprehje e thellë e dashurisë për shokun Enver.
Por, mbas ngjarjes, siç e thatë dhe ju, u vu re një anë pozitive. Pa këtë ngjarje Partia, pushteti, organet e diktaturës, ato të drejtësisë, kuadrot do të vazhdonin të tërhiqeshin. Rreziku do të qe më i madh. Rrëzimi i monumentit ishte një fatkeqësi e madhe, por të gjithëve na mblodhi dhe kuptuam qëndrimin e bazës lidhur me këto me këto fenomene. Tani kemi mundësi të hidhemi ne në sulm, të fitojmë votat. Por në qoftë se ne do të vazhdojmë të qëndrojmë si para këtyre ngjarjeve, përsëri ekziston rreziku që të kemi pasoja.
Nga sulmet e opozitës pati njëfarë hutimi, njëfarë tërheqjeje në të gjitha strukturat e jetës sonë, midis tyre dhe në organet e Punëve të Brendshme, të cilët punën e tyre e bënin me bashkëpunëtorë në radhët e armikut. Armiku doli haptazi, bashkëpunëtorët tërhiqeshin, prandaj informacioni mund të ketë pasur dhe ka dobësi. Për rrjedhojë ne nuk mundëm të dinim datën ekzakte kur do të sulmohej monumenti i shokut Enver. Kjo është një e metë e organeve të sigurimit të shtetit.
Shkaku i kësaj situate, që neve nuk do të na ndahet, është me ekzistencën e Partisë së Punës të Shqipërisë. Sa kohë që do të përmendet emri komunist, fjala socializëm, gjithnjë do të na shqetësojë në këtë çështje. Shqetësimet që ajo na ka krijuar, krahas skenarëve që i dimë të gjithë, janë të gjitha të organizuara. Cila është dora? Mund të jetë një, mund të jenë dy, mund të jenë shumë duar. Këtu janë ambasadat, janë forcat ekstremiste liberale etj.
Për sa i përket bllokadës ekonomike, tani ajo është e plotë, pavarësisht nga hyrjet e daljet, dhëniet e marrjet me vendet e tjera. Nga një anë thonë hajdeni t’ju japim ushqime me vaporë, nga ana tjetër na krijuan këtë gjendje në portet tona kryesore. Efektivisht nuk marrim dot gjë po të vazhdojë kështu, se anijet e huaja kanë frikë të vijnë në portet tona, kushdo qoftë pronari i anijes. Kjo është një formë për të na penguar. Në qoftë se kjo gjendje do të zgjasë shumë (që anijet të kenë frikë të vijnë te ne), do të jetë e mjaftueshme për të krijuar një katastrofë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Një pjesë e mallrave vijnë me mjete tokësore dhe hekurudhore.
SHOKU HEKURAN ISAI: Po mirë, duhen gjetur rrugët, atë po them unë. Lidhur me gjendjen ekonomike, për arsyet që dihen, njerëzit janë të shqetësuar, se furnizimi me mungesa të mëdha nuk është vetëm në Tiranë, po dhe në rrethe të tjera. Të rinjtë që janë pa punë kërkojnë të shfryjnë, se deri tani e kanë të mbyllur perspektivën për të zënë punë. Në Tiranë janë të tillë rreth 6-7 mijë veta. Efektivisht një pjesë të mirë të rinisë së qyteteve, me sjelljet e saj, e kemi kundra. Nuk janë njerëz pa kulturë, nuk janë analfabetë, janë nga familje të mira, po janë aq të irrituar saqë nuk bisedohet me ta. Këtu nuk është puna vetëm të gjejmë defektin, po çfarë duhet të bëjmë ne si Parti.
Situata që është krijuar tani mendoj se është e favorshme që të dalim të takojmë njerëzit. Dhe po të jetë e nevojshme, të bëjmë edhe autokritikë. Kur bëtë ju autokritikë për disa të meta që kemi, pse të mos bëjmë ne të tjerët? Ne po vazhdojmë të mos dalim. Komiteti Qendror i Partisë mblidhet dhe bëjnë muhabet shokët me njëri-tjetrin. Këtu fiton terren opozita, të cilët, me një numër mjaft të kufizuar njerëzish, po bredhin në të katër anët e vendit dhe po bëjnë punë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
















