Nga Shpendi Topollaj
Rreth librit “Xhelal Staravecka në gjyqin e historisë (1912 – 1944)”, me nëntitull: “Një biografi e verifikuar me dokumente arkivore e dëshmi të tjera”
Memorie.al / Një nga personazhet më interesantë që mund të identifikohet me zhvillimet historike të periudhës së para-pushtimit deri në çlirimin e Shqipërisë, pa dyshim që është skraparlliu i shumëpërfolur Xhelal Staravecka. Thashë i shumëpërfoluri, se pa dyshim që për të është folur e do të vazhdojë të flitet deri në absurd, ashtu si për vetë sfondin e ngjarjeve dhe kohën ku ai qe një nga dëshmitarët dhe personazhet e rëndësishëm. Mjafton vetë-rrëfimi i tij, si dhe libri ballafaques i alternuar me të vërtetat dokumentare, i gazetarit, publicistit dhe botuesit të njohur, Naim Zoto, që të kuptosh se përse ngjarjet e asaj periudhe, ishin dhe mbetën aq të diskutueshme dhe opinionet rreth tyre, aq të ndara deri në mospajtim.
I lindur në vitin 1912, pra pikërisht atë vit kur Shqipëria fitoi Pavarësinë, Xhelali, vinte nga ajo epokë, kur zjarri që kishin ndezur rilindasit ende nuk ishte shuar. Dashuria për atdhe, vijonte të kuptohej si diçka e shenjtë, edhe pse lufta për ta ruajtur atë, mund të ishte disi kaçakçe. Ndërsa ideali mbetej i pandryshuar, rruga për arritjen e tij, perceptohej në mënyrë kalorësiake, aq sa moralisht, pranohej edhe aventurizmi, qoftë ai dhe vetjak.
Njerëz si Xhelal Staravecka, sidomos ata që kishin studiuar në perëndim, si ai në Kolegjin Ushtarak të Napolit dhe Akademinë Ushtarake të Modena-s, i nisën përpjekjet e tyre pa pritur krijimin e partive, pasi partia e tyre buronte nga ai zëri i brendshëm i njeriut të formuar e të kulturuar, që instinktivisht i nxiste t`i mobilizojnë dhe t`i frymëzojnë masat, sa me fjalë, aq edhe me shembullin e tyre, pa marrë parasysh as sakrificat dhe as ndëshkimet që mund të pësonin, siç i ndodhi atij vetë, që u dënua disa herë me vdekje, qysh nga e ashtuquajtura Kryengritje e Fierit.
Na kanë treguar e mësuar për formimet dhe aksionet e çetave të para partizane pas pushtimit, por emrin e Xhelalit askund nuk e kemi ndeshur gjatë periudhës komuniste. Askush nuk mund të sillet me historinë si padron e saj. Deri vonë, bie fjala, askush nuk e dinte se komandant i parë i çetës së Kolonjës i caktuar nga Xhelali, ishte intelektuali atdhetar Demir Kanxha, Staravecka dhe askush nuk e dinte sesi e përzunë dhe pastaj e vranë komunistët atë. Ashtu sikurse askush nuk e dinte rolin komandues dhe trimërinë e treguar prej Xhelalit në goditjet e postave të xhandarmërisë në Radësh – Gradec, Panarit, Potom, Qesarakë, Përmet, Çepan, Barmash, pra ngado: jo vetëm në Skrapar, por edhe në Kolonjë, Berat, Korçë, Përmet, Mallakastër, Fier e Vlorë.
Askund nuk është thënë se atij nuk i bënte dritë syri kur godiste autokolonat armike, kur udhëhiqte forcat nacionaliste e partizane deri në çlirimin e Çorovodës. Është po ky Xhelal që krijoi çetën e dytë në Skrapar, dhe së bashku me Beqir Zaloshnjen, çetën e re partizane në Fier. Xhelali, pas dezertimit nga Milicia Fashiste Shqiptare në 6 shtator 1942, krijon një forcë atdhetare prej 300 – 400 vetash dhe në vitin 1943, emërohet komandant i batalionit “Riza Cerova”, kurse pak ditë më vonë, në gusht, komandant batalioni dhe zv. komandant i Brigadës së Parë Sulmuese, ku takohet me Enver Hoxhën.
Jo shumë më vonë, krahas luftimeve ku ai dallohet qoftë si luftëtar, qoftë si komandant partizanësh, fillon edhe zhgënjimi i tij, bazuar në ato që po ndodhnin, ku Partia Komuniste i qe nënshtruar diktatit dhe synimeve të emisarëve jugosllavë dhe ku bisha Dushan Mugosha torturonte dhe vriste pa asnjë arsye, me dorën e tij djemtë shqiptarë. Xhelal Staravecka, nuk e përfytyronte lënien e Kosovës nën serbët e Titos, çka doli qartazi, kur u prish në mënyrë të një anshme Marrëveshja e Mukjes dhe nisi ajo që ai në kujtimet e tij e quan disa herë Luftë Civile.
Duke u ndodhur mes qenies së tij nacionalist dhe komunist, por jo internacionalist, ai, i ngjashëm me Mustafa Gjinishin, fillon të lëkundet politikisht, dhe nga Berati, shkon për 20 ditë në Skrapar me ndjekësit e tij sa të nacional – çlirimtares, aq edhe të Ballit Kombëtar, për të luftuar komunizmin që dikur ai vetë e kishte përhapur. Dhe pa u menduar gjatë, pas takimit dhe propozimit të Ali Këlcyrës, i bashkohet Ballit Kombëtar dhe shkruan ato traktet ku denoncon Partinë Komuniste Shqiptare për bashkëpunim me serbët.
Kupton se edhe me Ballin, bindjet e tij bien ndesh, pasi ai nuk mund të pajtohej me parullën të presim dhe sapo sheh se në kryeqytet sundon anarkia, si pasojë e ardhjes së një regjimenti nga Kosova (të thirrur nga Xhaferr Deva), pranon propozimin e regjentit Mid`hat Frashëri dhe vihet në krye të Xhandarmërisë me gradën kapiten, gjë ishte në përputhje edhe me profesionin e tij, por, sipas tij, edhe për të krijuar në fshehtësi një forcë të Tretë. Pasojnë një sërë veprimesh, shpesh edhe të çuditshme, që herë pas here ngjasojnë me skenarët e filmave Western, ku ai, ashtu i çartur siç është, i futet rrezikut, për të vënë drejtësinë në vend.
E nuhat se duan ta eliminojnë, dhe i merr masat e vetëmbrojtjes duke u rrethuar nga roja besnike, dhe nuk e ka për gjë, që edhe kur dyshon, të godasë i pari. Autoriteti dhe reputacioni i tij i japin të drejtë që t`i dëgjohet fjala deri në qeveri. Duket e habitshme, por vetë ai pohon se shkoi në Hotel “Dajti” dhe i tha Lefter Kosovës, se po nuk e hoqi emrin nga lista e kandidatëve për Parlament, do ta vriste. Dhe me të vërtetë e vrau, duke deklaruar në kujtimet e tij se; “…lexuesi, po të ndodhej i plotfuqishëm si isha unë, të më thotë nëse ai do t`i merrte të gjithë ata që komplotonin në atë mënyrë kundra meje…e, t`i pushkatonte krejt, kurse unë u kufizova vetëm në tre kryetarët e komplotistëve.
E, nëse dy të tjerët, Ibrahim Biçakun dhe Zallarin, nuk i nisa bashkë me Lefterin, duhet t`ia dedikojnë jetën e tyre Mehdi Frashërit, të cilin e dëgjoja me bindje pa kondita, pasi vrasjen e Lefterit e bëra fakt të kryer”. Dhe kujtoni se Mihal Zallari ishte kryetar i atij Parlamenti, dhe ai, krye-xhandari s`e kishte për gjë që ta vriste përpara pragut të shtëpisë së vet, sipas parimit romak; “Mors tua, vita mea”, pra se vdekja jote është jeta ime, sikurse u vra edhe Idhomene Kosturi në Durrës. Dhe për të mos u zgjatur, Xhelali e thotë vetë se; “isha arbitër suprem i jetës dhe vdekjes së kujtdo në Tiranë” (Fq. 428).
Ai nuk e fsheh as bashkëpunimin me gjermanët, gjë që e dëshmon ndër të tjera edhe takimi rastësor i tij me gjeneralin gjerman më të fuqishëm në Shqipëri Fitzthum, atje në Prizren, i cili bisedon me të si i barabartë dhe i thotë në konfidencë se e dinin që Xhaferr Deva ishte agjent i Intelligent Sevice – it. Po thua, ta dinin gjermanët dhe do e toleronin Xhaferin të livadhiste në dëm të tyre? Dhe ishte po ky gjeneral që e nisi me mjetin e tij drejt arratisë. Nga Austria, përfundon në Itali, ku arrestohet e burgoset me akuzën si kriminel lufte, ndër të tjera, për vrasjen disa karabinierësh dhe oficerësh robër italianë. Pas qëndrimit në kampin e përqendrimit në Fossoli dhe Burgun ushtarak të Romës, dënohet me burgim të përjetshëm, që i kthehet në 30 vjet privim lirie.
Por rrethanat e favorizojnë, dhe sidomos ndërhyrja e organizatave mbi të Drejtat e Njeriut, bëjnë që në vitin 1955 të lirohet dhe të arratiset në Francë, ku ndërron jetë dhe varroset në moshën 63 vjeçare. Të gjitha këto, autori Naim Zoto, veç dëshmive të njerëzve, si Skënder Malindi etj., i ka ballafaquar me një mori dokumentesh autentike dhe askush nuk mund t`i vërë në dyshim. Por ky autor, pavarësisht opinionit që mund të ketë, shprehet se do të ndihej mirë, sikur pas leximit të librit të tij, të ngjalleshin diskutime dhe të bëheshin debate, pasi duhet pranuar se jeta dhe vepra e protagonistit kompleks të tij, i kalon kufijtë e një njeriu.
Naim Zoto nuk mban anën e askujt; për më tepër ai sjell plot falsifikime të të vërtetave, kur për të njëjtat ngjarje, sipas koniukturave politike, që herë e vinin e herë e hiqnin emrin e dikujt, kështu bënë edhe me Xhelal Staraveckën. Naimi skrupuloz, i vendos përballë njëri – tjetrit artikujt e gazetave dhe shkresat e kohës, të qeverisë shqiptare dhe të pushuesve, kur ngjanë dhe asaj të më pasmes, kur Xhelali u etiketua si armik, tradhtar, kriminel etj. Dhe këtu ai duket se shtron problemin në parim: do vijojmë të mbetemi robër të atyre formulimeve subjektive, siç i interesonte fituesit, pra duke e bërë heroin tradhtar e tradhtarin hero, apo do i vlerësojmë njerëzit sipas kontributeve të tyre, pra me të mirat dhe të këqijat që kishin.
Se fundja, sjelljet dhe qëndrimet e tyre ishin produkt i kohës, ashtu sikurse janë dhe sot, pavarësisht se brezat që do të vinë, jo gjithçka tonën do ta pëlqejnë. Libri të mban të ngërthyer me morinë e ngjarjeve dhe figurave të ndryshme, gjithmonë të para nga Staravecka. Ka aty plot qëndrime të besueshme dhe të padyshimta, por njëkohësisht, të lindin edhe disa pikëpyetje, pavarësisht përsëritjes së betimit të Xhelalit për t`i besuar nderit të tij. Por jemi para faktit se regjimi komunist në Shqipëri është konsoliduar dhe Enver Hoxha ka marrë trajta faraonike. Gruan e tij, pa asnjë faj e internojnë në Savër të Lushnjes, ku nuk i lejohet asnjë lloj komunikimi me të. Natyrisht, telashe të mëdha kanë pasur edhe të afërmit e tjerë të familjes së tij. Atje në emigracion, pjesëtarët e forcave të ndryshme politike, grinden pa pushim dhe akuzojnë shoku – shokun për qëndrime të gabuara dhe bashkëpunim me armikun.
Kjo duket edhe në ato që vetë Xhelali thotë për ta, derisa patriot quan vetëm Mehdi Frashërin dhe Mid`hat Frashërin, intelektualin dhe atdhetarin nga më të shquarit, e quan komitaxhi. I bindur se tani asgjë nuk do të ndryshojë në Shqipëri dhe vetë ai është krejt i pafuqishëm, teksa shkruan kujtimet, zgjuarsinë dhe kulturën e tij të dallueshme, i përdor me një farë dinakërie, por që kuptohet se komunistët nuk do e hanin kollaj, pasi nuk do t`ia falnin kurrë atë që ai e thotë se kishte sulmuar dhe shpartalluar jo pak, por tre batalione partizanësh.
Për gjithçka, për terrorin, krimet, ndikimin dhe orientimin jugosllav, fajtor të vetëm bën Koçi Xoxen, i cili sipas tij ishte padroni i Partisë dhe njeriu i gjithë të këqijave, si dhe armiqtë e partisë, si Gjin Marku e Panajot Plaku me shokë. Po Enver Hoxha nuk paska përgjegjësi edhe pse ishte komandant dhe Komisar i Ushtrisë Nacional – Çlirimtare?! Koçi e paska drejtuar luftën për shporrjen e okupatorit, e cila realisht është faqe shumë e ndritur e historisë tonë? Po ato letrat që Mehmeti i dërgonte antishqiptarit më të madh, shokut “Salë”, çfarë thonë? Enveri e ka pranuar vetë se ai bënte çfarë i thoshin jugosllavët.
Dhe a nuk e dinte Xhelali, se ishte Enveri vetë që i lutej Titos ta bëjmë Shqipërinë, republikë të shtatë dhe i thoshte se kanë mbetur vetëm modalitetet. Enveri dhe Mehmeti, gjithmonë sipas tij, kishin ndërtuar një qeveri që; “është regjimi më atdhetar që Shqipëria dhe Iliria nuk kanë pasur qysh prej më se tremijë vjetësh”. Për të tani nuk kishte rëndësi se ishte vetë Mehmeti ai që pushkatoi ata 69 fshatarët e shkretë atje në Golem të Lushnjes, por shqetësohet akoma pse ai nuk i pushkatoi edhe 10 ndjekësit orthodoksë të Isa Manastirliut, apo pse nuk ishin rreth-prerë?! Gjyqet ndaj intelektualëve shqiptarë, vrasjet, internimet dhe turpërimet e tyre, servilizmi ndaj sovjetikëve, shpikja e kulakëve dhe varfërimi i popullit, mos janë meritë e asaj qeverie diktatoriale që pak më pas zuri të hanin kokat e njëri – tjetrit?
Jo, kështu kujtimet e humbasin disi vlerën e tyre dhe i shërbejnë të kaluarës më faqezezë të historisë tonë. Ato zvogëlojnë edhe atdhetarinë e atij që shkruan, i cili mund t`i ndërtojë të vërtetat historike edhe me qëndrime për interesat e tij të çastit. Nga ato që thotë vetë Xhelali, del se ai kishte qëllime të mëdha, duke luftuar të dy krahët, por si mund të përfshihej në luftë një popull i tërë, i pa-drejtuar nga forca politike? A nuk është kjo një utopi? Duket se edhe atje në emigracion, Xhelalin e kanë akuzuar si të angazhuar në masakrën 4 Shkurtit dhe ai përpiqet të mbrohet duke thënë se detyrën e mori pak ditë më vonë, dhe në Tiranë ishte vetëm rastësisht.
Nga ana e tij, autori i librit, ka hulumtuar për ta bazuar këtë në dokumente, dhe nuk ka gjetur asnjë që ta komprometojë Xhelalin, për më tepër, ai e beson atë për ato që thotë. Në dokumenti e dt. 17.05.1944, Xhelali nënshkruan poshtë ndajshtimit, “Komandant`i Rrethit Gjind. Nr. 1”, dhe autori i librit në shënimin Nr. 203, shprehet se Xhelali ka qenë komandant i njërit prej rajoneve të Tiranës, pasi i tillë ishte organizimi. Veç kjo bije, po të shohim se teksa përshkruan bëmat e “Xharxhanezit”, vetë Xhelali konfirmon se; “Tiranën unë e kisha ndarë në gjashtë zona dhe në krye kisha vënë një oficer, toger ose nëntoger”.
Llogjika elementare e do që të deduktosh se komandant i të gjitha zonave ishte ai vetë. Po ashtu, Xhelali deklaron në kapitullin e XV – të, se; “gjatë kohës që qeshë në Tiranë, që shtrihet prej 13 shkurtit deri në javën e parë të shtatorit të vitit 1944, u preva hovin spekulimeve që lëndonin popullin e kryeqytetit, qoftë ato në fushën politike, qoftë të tjerat në fushën ordinere si vjedhje, përvetësime e të tjera”. E kush mund ta realizonte një gjë të tillë, përveç kryesorit, nga i cili priste edhe kolonel Gjon Fusha, që t`i jepte ndonjë rrogë paradhënie.
Në kujtimet e tij, ka një moment, kur vetë Xhelali, thotë se kam i sharë udhëheqësit e luftës, se i vranë robërit italianë që t`u merrnin rrobat e këpucët, ama kam thënë ashtu për propagandë. Kjo do të thotë se sado i ndershëm dhe i sinqertë në rrëfimet e tij, ndonjëherë nuk e paska thënë të vërtetën. Ka një vend ku Xhelali ankohet se ata që si ai, luftuan nazi – fashizmin, duke i bërë një shërbim të madh Perëndimit, u trajtuan shumë keq nga aleatët, duke i diferencuar nga ata të tjetër, pra bashkëpunëtorët. Veç nuk duhet harruar se ata ishin bashkëpunëtorë qysh në fillim, duke menduar në atë tollovi, se të huajt na e kishin zgjidhur çështjen kombëtare, duke e bashkuar Kosovën me Shqipërinë, kurse Xhelali ishte akuzuar edhe si tradhtar, pasi kishte kaluar sa në një formacion politik, aq edhe te një tjetër.
Xhelal Staravecka, pa tjetër që kishte supremaci kulturore mbi shumë drejtues lufte a politikanë të kohës, dhe si i tillë ka edhe formim të admirueshëm letrar, gjë i jep të drejtën që edhe të pretendojë për karrierë, prandaj më shumë se asaj që ai na thotë se nuk ka pasur asnjëherë pretendime për poste, flet dokumenti ku ai kërkon gradën te kryeministri Mustafa Kruja, gjë që ngre dyshimin se edhe vënia e tij nën komandën e Mehmet Shehut, ka sjellë pakënaqësinë e parë tek ai. Sidoqoftë, Xhelal Staravecka ishte dhe mbetet një intelektual dhe luftëtar që gjithë aftësitë dhe mundësitë e tij, i kishte vënë në shërbim të atdheut, edhe pse aspirata e tij shpesh kalonte në fantazi, kur thoshte se kishte për qëllim të krijonte një forcë permanente me të cilën të përleshej me atë komuniste dhe “…nga ana tjetër, të zhvishja pak nga pak edhe Ballin, derisa të asgjësohej”.
Asnjëherë ai nuk mbeti sehirxhi për fatet e tij. Dhe në qoftë se ky atdhe i ngjante një fushe, ku erërat e tërbuara frynin nga të katër anët, nuk ishte faji i udhëtarit, që i nisur për qëllime të mira, përplasej nga forca e stuhisë, sa në një krah në tjetrin. Sot, për të vërtetën, ka rëndësi të shihet gjithçka me gjakftohtësi, pa paragjykime, pa mllefe dhe stigmata gjithfarësh. Naim Zoto, mendoj se ia ka dalë më së miri, të ndriçojë veprën intensive të një njeriu, sa të pangjashëm me të tjerët, aq të ngjashëm me rrugën nga kaloi ato vite vendi ynë. Ai na ka dhënë një libër model sesi duhet shkruar për dikë që ka lënë gjurmë në histori, për të mirat dhe gabimet e tij, gjithmonë me paralajmërimin se gjithçka mbetet e hapur.
Gjithmonë duke iu përmbajtur parimit të vjetër romak “Contra factum non valet argumentum” që do të thotë se “Kundër faktit nuk vlen argumenti”. / Memorie.al














