Nga Bedri HALIMI
Pjesa e parë
Memorie.al / Gjatë kësaj periudhe kohore, sapo filluan luftimet në Kosovë, e deri në finalizimin e saj, shteti serb përmes të gjitha forcave ushtarake e policore, përpos që zbatoi politikën e “tokës së djegur”, nuk kurseu as pleq, plaka, gra, fëmijë; me një fjalë, nuk kursente asgjë nga popullata civile e paarmatosur. Janë të tmerrshme masakrat që i ka zhvilluar Serbia kundër shqiptarëve në Kosovë. Kjo do të tregohej më së miri në përshkrimin e secilës nga këto masakra, se si ka ndodhur, ku ka ndodhur, ndaj kujt ka ndodhur, saqë për çdo masakër do të duhej shteti i Kosovës të inkurajonte njerëzit e vullnetit të mirë dhe dhe t’i obligonte në njëfarë mënyre institucionet e ndryshme të shkencës, të artit, e të kulturës që të shkruheshin libra të veçantë për secilën nga këto masakra, pastaj edhe që të përktheheshin në gjuhët e huaja me qëllim të plasimit të së vërtetës.
Këtu para së gjithash mendojmë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në Institutin Albanologjik të Kosovës, në Institutin e Historisë së Kosovës, etj.. Të dhënat janë të shumta edhe nga autorë ndërkombëtarë, edhe nga institucione për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke u nisur që nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, e deri te të dhënat e autorëve dhe institucioneve ndërkombëtare, si: Human Right, Amnesty International, Komiteti i Helsinkit, etj..
Shpresojmë se, Qeveria e Kosovës do të ndërgjegjësohet në këtë drejtim që, përmes Ministrisë së Kulturës, si dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, do të inkurajojë, duke ndihmuar në botimin e librave, si dhe në përkthimin e tyre për secilën nga këto masakra.
Në këtë rast, ne, në mënyrë telegrafike po japim disa të dhëna rreth masakrave të zhvilluara ndaj shqiptarëve nga forcat serbe gjatë kësaj periudhe:
Në masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, më: 28 shkurt dhe 1 mars 1998, janë vrarë e masakruar 24 banorë të këtyre fshatrave, nga të cilat 10 ishin të familjes Ahmeti.
Në masakrën e Prekazit të Skenderajt, më: 5 – 7 mars 1998, u vranë 59 shqiptarë, nga të cilët 55 janë nga lagjja e Jasharajve.
Në Kleçkë, më: 27 gusht 1998, pasi u dogj tërë fshati në drejtim të Qafës së Dulës, forcat serbe i vranë 8 shqiptarë dhe i plagosën mbi 30, nga të cilët shumica ishin fëmijë, gra e pleq.
Në fshatin Sushicë e Poshtme të Istogut, më: 29 gusht 1998, u vranë 8 anëtarë të familjes Salihaj.
Në fshatrat e Shalës së Bajgorës, më: 15 – 17 shtator 1998, u vranë mbi 12 shqiptarë, si dhe u dëbuan të gjithë banorët e fshatrave të Shalës, u dogjën gati në tërësi 12 fshatra pasi i kishin plaçkitur.
Në fshatrat e Qyqavicës, më: 22 – 24 shtator 1998, u vranë 24 shqiptarë, 6 nga të cilët janë mbytur me çekan.
Në Gullboc të Malishevës, më: 26 shtator 1998, janë vrarë 14 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjera, pas maltretimeve paraprake që u kishin bërë. Arrin të shpëtojë rastësisht vetëm një person.
Në Abri të Epërme të Drenasit, më: 26 shtator 1998, u vranë e u masakruan 22 anëtarë të familjes Deliu, që nga fëmija 6 muajshe, e deri te plaka 84-vjeçare.
Në fshatin Rancë të Shtimës, më: 26 gusht 1998, u masakruan 8 fëmijë e 3 gra të familjes së Selim Asllanit dhe 3 të tjerë u plagosën.
Në Reçak të Shtimes, më: 15 janar 1999, u vranë e u masakruan 43 banorë të këtij fshati.
Në afërsi të urës së Rakovinës, në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjakovë, më: 24 janar 1999, forcat serbe e vranë një person së bashku me dy fëmijët 11 dhe 12-vjeçar si dhe dy mysafirë nga Cermjani që ishin me traktor në fshatin e tyre.
Në fshatin Rogovë të Gjakovës, më: 29 janar 1999, u masakruan 26 shqiptarë, 9 nga të cilët ishin nga Rogova, ndërsa të tjerët pjesëtarë të UÇK-së.
Në Leshan të Suharekës, më: 2 mars 1999 u vranë dhe u masakruan 29 shqiptarë.
Në Reznik të Vushtrisë, më: 6 mars 1999, u vranë 9 anëtarë të familjes Ujkani, kufomat e të cilëve pastaj u dogjën. Në Mitrovicë, më: 13 mars 1999, ditën e tregut, u vranë 6 persona pas hedhjes së tri mjeteve shpërthyese nga forcat serbe.
Në Skenderaj, më: 20 mars 1999, u vranë 29 shqiptarë të moshës nga 15 – 70-vjeç, 8 nga të cilët u ekzekutuan në vendin e quajtur “Te pishat”, ndërsa të tjerët u vranë nëpër shtëpitë e oborret e tyre para familjarëve.
Në Tërnavë të Podujevës, më: 20 mars 1999, granatohet fshati, pastaj ushtria serbe hedh një bombë në një traktor të ngarkuar më njerëz duke ikur, me ç’rast vret dy fëmijë të moshës 6 dhe 7-vjeçare kurse 4 të tjerë lëndohen rëndë.
Pastaj me një bombë tjetër vrasin edhe 2 persona dhe 7 të tjerë i plagosin rëndë. Në Katundin e Ri të Pejës, më: 11 e 12 mars, si dhe më: 4 – 6 qershor 1999, janë vrarë 15 shqiptarë.
Në Kotlinë të Kaçanikut, më: 24 mars 1999, janë ekzekutuar dhe masakruar 26 persona, të cilët janë hedhur në dy puse, duke ua vënë eksplozivin.
Në Keçekollë të Prishtinës, më: 24 mars 1999, u vranë 5 anëtarë të familjes Jakupi nga Orllani i Podujevës.
Në Podujevë, më: 24 e 25 mars 1999, janë vrarë 36 persona.
Në Celinë të Rahovecit, më: 25 mars 1999, u vranë e u masakruan 82 persona të moshave të ndryshme, nga të cilët 75 ishin nga Celina, kurse të tjerët nga fshatrat përreth.
Në Bellacërkë të Rahovecit, më: 25 mars 1999, janë vrarë 46 shqiptarë, nga të cilët edhe gra e fëmijë të moshës 3 – 9-vjeçare, nga të cilët 15 kanë qenë më të rinj se 18-vjeç. Ky fshat ishte sulmuar edhe më: 18 korrik 1998, ku janë vrarë 12 banorë të këtij fshati.
Në Goden, më: 25 mars 1999, janë vrarë 28 shqiptarë nga mosha 18 deri 45-vjeçare, kufomat e të cilëve pastaj u dogjën.
Në Randobravë të Prizrenit, më: 25 mars 1999, janë vrarë 8 anëtarë të familjes Pajaziti në mesin e të cilëve një nënë me 4 fëmijët e saj të moshës 2 deri 7-vjeç.
Në Krushë të Vogël të Rahovecit, më: 25 mars 1999, si dhe më: 26 mars, ku forcave serbe iu bashkangjitën edhe serbët e fshatit, me ç’rast vrasin dhe masakrojnë 113 banorë të këtij fshati dhe fshatrave të tjera të kësaj ane.
Në Krushë të Madhe të Rahovecit, më: 25 – 27 mars të vitit 1999, janë vrarë dhe masakruar 241 shqiptarë, nga të cilët 206 banorë të këtij fshati, ndërsa 35 persona ishin nga fshatrat e tjera, të cilët janë strehuar në këtë fshat.
Deri më tani janë gjetur dhe identifikuar 132 të vrarë të këtij fshati, ndërsa si të pa gjetur konsiderohen edhe mbi 70 banorë. Më shumë se 7 familjeve u janë vrarë e masakruar të gjithë meshkujt.
Në Tërnje të Suharekës, më: 25 mars 1999, janë vrarë dhe masakruar 28 banorë të familjes Gashi, Voci, Muhaxhiri, Llapatnica,. etj. Shumë prej tyre ende nuk u janë gjetur kufomat.
Në Suharekë, më: 26 mars 1999, janë vrarë e masakruar 48 shqiptarë të familjes Berisha, kufomat e të cilëve pastaj janë bartur në Serbi.
Në Padalishtë dhe Cerkolezë të Istogut, më: 26 mars 1999, janë vrarë e masakruar 19 shqiptarë në lagjen Imeraj të Padalishtës nga mosha 2 – 76-vjeçe.
Në Landovicë të Prizrenit, më: 26 mars 1999, janë vrarë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë.
Në Mamushë, më: 27 mars 1999 janë vrarë e masakruar 18 shqiptarë, nga të cilët 7 ishin nga Mamusha.
Në Dardhishtë (Kryshecë) të Obiliqit, më: 27 mars 1999, u masakruan 11 anëtarë të familjes Rama.
Në Gjakovë, më: 27 mars 1999 vriten dhe masakrohen 6 anëtarë të familjes Çerkezi, ku shpëton vetëm nëna, kufomat e të cilëve ende janë të pagjetur.
Në Izbicë të Skenderajt, më 28: mars 1999, pikërisht në ditën e festës së Bajramit, forcat serbe pasi i keqtrajtojnë fizikisht, i ndajnë burrat nga gratë dhe pastaj i ekzekutojnë 114 prej tyre.
Në Matiqan të Prishtinës, më: 28 mars 1999, pra në ditën e Bajramit, forcat serbe vranë 21 shqiptarë në mesin e të cilëve edhe fëmijë.
Në Podujevë, më: 28 mars 1999, janë vrarë 19 anëtarë të familjeve Duriqi, Bogujevci, Llugaliu dhe Gashi.
Në Beleg të Deçanit, më: 28 mars 1999, janë vrarë dhe janë zhdukur 66 banorë të këtij fshati dhe fshatrave të tjera, si: Drenoc, Gllogjan, Irzniq etj.
Në Dumnicën e Epërme të Vushtrrisë, më: 29 mars dhe 11 prill 1999, janë vrarë 6 banorë në mesin e tyre edhe 3 fëmijë.
Në Mitrovicë, në lagjen “Bair”, më: 29 mars 1999, janë vrarë 4 pleq, (dy femra e dy meshkuj të palëvizshëm).
Në Llashticë të Gjilanit, më: 30 mars 1999, janë vrarë 13 shqiptarë, në mesin e tyre edhe një 3-vjeçar, i cili është djegur në prehër të nënës.
Në Burim (Joviq) të Malishevës, më: 31 mars 1999, janë vrarë 34 shqiptarë, kufomat e të cilëve janë masakruar. Viktimat ishin nga mosha 16 – 72-vjeç.
Në Pastasel të Rahovecit, më: 31 mars 1999, u ekzekutuan dhe u masakruan 106 shqiptarë nga ky fshat dhe fshatrat e tjera që kishin ardhur për strehim. Kufomat e këtyre viktimave janë dërguar në drejtim të panjohur.
Në Lybeniq të Pejës, më: 1 prill 1999, janë vrarë 60 banorë – civilë.
Në Cercë të Istogut, më: 1 prill 1999, janë vrarë e masakruar si dhe pastaj janë djegur kufomat e 6 anëtarëve të familjes Rexha.
Në Gjakovë, më: 2 prill 1999, vritet nëna e familjes Vejsa, së bashku me 5 fëmijët e saj.
Në Ragavcë të Rahovecit, ku ishin strehuar më së: 20. 000 refugjatë, më: 28 mars 1999, ditën e Bajramit, pas plaçkitjes, disa banorë janë ekzekutuar, kurse më: 2 prill 199,9 pas bombardimeve me aeroplanë, u vranë 31 banorë – civilë nga Brestoci, Nagaci, Krusha e Madhe, etj..
Në Pjetërq të Epërm të Klinës, më: 29 mars 1999, janë ekzektuar 11 civilë shqiptarë.
Në Sopi të Suharekës, më: 2 prill 1999, janë vrarë e masakruar 35 civilë shqiptarë.
Në Kralan, më: 2 – 4 prill 1999, janë vrarë e masakruar mbi 87 civilë shqiptarë, ku pjesa dërrmuese ishin nga komuna e Klinës, Malishevës dhe Gjakovës. Shumë nga këto kufoma pastaj janë djegur.
Në Gjakovë, më: 2 prill 1999, janë bërë vrasje të shumta në lagjen “Te stacioni i autobusëve”, si dhe në Qabrat, më: 7 – 11 maj 1999 janë vrarë mbi 80 civilë shqiptarë. Ku në këtë komunë vrasjet kanë vazhduar edhe ditëve të tjera, e sidomos më: 15, 16, 22 maj 1999.
Në lagjen “Dragodan” të Prishtinës, më: 3 prill 1999, janë vrarë 7 civilë shqiptarë.
Në Qypevë të Epërme të Klinës, më: 4 prill 1999, janë vrarë 45 civilë shqiptarë, nga të cilët 6 ishin nga Qupeva e Epërme, 2 nga Gllareva, 7 nga Përqeva, 2 nga Qupeva e Poshtme, 17 nga Svërrka dhe 11 nga Gremniku.
Në Popovë të Podujevës, më: 4 prill 1999, përmes aviacionit serb, vriten dhe plagosën një numër i refugjatëve në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë.
Në Rezallë të Skenderajt, më: 5 prill 1999, janë ekzekutuar 41 civilë nga mosha 13 – 90-vjeç. Ekzekutimit i kanë shpëtuar vetëm 3 prej tyre. Pra janë masakruar 38 persona, nga të cilët 29 ishin nga Rezalla, 7 nga Marina, 1 nga Llazica dhe 1 nga Prekazi.
Në Llapqevë të Malishëvës, më: 5 prill 1999, janë vrarë 8 civilë shqiptarë.
Në Kokaj të Gjilanit, më 5 prill 1999, janë ekzekutuar 6 civilë shqiptarë.
Në fshatrat e Deçanit dhe të Pejës, më: 6 prill 1999, është bërë masakër dhe djegia e 7 kufomave në shtëpinë e Rrustem Tahirit në fshatin Bardhaniq të Dushkajës së Gjakovës.
Në Abri të Poshtme, më: 7 prill 1999 janë vrarë 10 civilë shqiptarë nga Qabiqi.
Në Kaçanik, në vendin “Prroi i Rakocit” dhe “Lagjja e Re”, më: 9 prill 1999, u vranë dhe u masakruan 58 shqiptarë.
Në Bresalc të Gjilanit, më: 10 prill 1999, janë vrarë 5 banorë shqiptarë.
Mbi fshatin Lugishtë të Hasit, te vendi i quajtur “Del Ujë”, më: 12 prill 1999, janë masakruar 16 banorë nga Hasi, prej të cilëve 13 nga Lugishta dhe 3 nga Demjani. Që të gjithë këta më parë janë ndarë nga gratë dhe fëmijët dhe janë vrarë e masakruar nga afërsia./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
















