Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e parë
Memorie.al / Ngjarjet e pranverës së vitit 1981 në Kosovë, që nisën në fillimin e muajit mars me protestat dhe demonstratat e rinisë studentore e më pas edhe të popullit të Kosovës, të cilët u ngritën për të kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, si dhe statusin e republikës, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë me në krye boshnjakun Cvijetin Mijatović (kryetar i Presidencës , maj 1980, maj 1981), siç dihet tashmë, patën një reagim të ashpër nga Beogradi zyrtar. Udhëheqja e lartë e Serbisë së asaj kohe me në krye kryeministrin Ivan Stamboliç (kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Republikës Socialiste të Serbisë), nga e cila varej asokohe Krahina Autonome Socialiste e Kosovës, dërgoi atje forcat e blinduara dhe i shtypi me dhunë ato protesta, jo vetëm me forcat policore, por duke nxjerrë edhe ushtrinë e tanket në rrugët dhe sheshet e Prishtinës dhe qyteteve të tjera ku u zhvilluan ato protesta paqësore, ku gjatë gjithë atyre ditëve (11 mars – 11 prill 1981), pati gjithsej 12 viktima.
Këto ngjarje të cilat u bënë lajm i parë në të gjitha mediat botërore, si dhe reagimin publik të Tiranës zyrtare, tashmë janë tepër të njohura nga dhjetra shkrime apo dhe dokumenteve arkivore që janë publikuar pas viteve ’90-të kryesisht, por ajo gjë që ka mbetur ende një enigmë e madhe dhe nuk është bërë e ditur deri më sot, është ajo se; si ka reaguar fillimisht ndaj atyre ngjarjeve udhëheqësi i Shqipërisë komuniste Enver Hoxha, cili ishte impakti i parë i tij rreth asaj që po ndodhte në Kosovë dhe çfarë hapash ndërmori më pas Tirana zyrtare, për t’ju ardhur në ndihmë bashkëatdhetarëve të saj në Krahinën Autonome Socialiste të Kosovës? A iu mbajt Enver Hoxha asaj çka kishte thënë në vitin 1970, se Fadil Hoxha dhe udhëheqja e lartë e Kosovës po bënin shumë mirë që ishin kundra që Kosovës t’i jepej statusi i Republikës në kuadrin e Federatës Jugosllave, apo kishte ndërruar mëndje dhe qëndrimin e tij?!
Lidhur me këto etj., na njohim disa dokumente arkivore që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit (fondi personal i Enver Halil Hoxha) të cilat kanë qenë të panjohura deri më sot dhe do të publikohen për herë të parë dhe në disa numra nga Memorie.al. Nga dokumentet në fjalë, vihet re se që nga 4 marsi 1981, (kur filluan për herë të parë protestat spontane të rinisë studentore në Prishtinë), e deri më datën 3 prill kur Enver Hoxha ka zhvilluar një takim pune me kryeministrin Mehmet Shehu dhe Ramiz Alinë për ngjarjet në Kosovë, pra për një muaj rresht, ka pasur një heshtje të plotë dhe nuk është zhvilluar asnjë mbledhje e Byrosë Politike apo sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, pra asnjë reagim nga udhëheqja e lartë e PPSH-së e Tirana zyrtare
Po kështu, ajo që vihet re në këto dokumente, është paniku që ka pushtuar udhëheqësin kryesor të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, i cili ka qenë i dyzuar dhe i pavendosur mbi qëndrimin që duhet të mbante Tirana zyrtare mbi ngjarjet në Kosovë, aqsa në një bisedë tjetër në Shtëpinë e Partisë më 5 prill 1981 me “shokët e udhëheqjes”, (Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Hekuran Isai, Kadri Hazbiu, Pali Miska, Spiro Koleka, Rita Marko, Pilo Peristeri, Simon Stefani e Qiriako Mihali, Nedin Hoxha e Behar Shtylla), ku ata shkonin për kafe, apo për të luajtur me letra, bilardo etj., Enveri i pyet ata: “Ç’mendoni për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe ç’duhet të bëjmë ne? A duhet të mbajmë qëndrim dhe të shqetësohemi, apo jo”? Po kështu gjatë një bisede tjetër të shkurtër që Enver Hoxha ka pasur në zyrën e tij me Ramiz Alinë afro një muaj më pas (më 13 maj 1981), ai i ka thënë atij: “Për ngjarjet në Kosovë, mua më duket se duhet të mendojnë edhe vartësit tanë dhe të mos pritet prej tyre që të mendoj vetëm unë”!
Lidhur me këto etj., na njohin këto dokumente arkivore të cilat i përkasin periudhës prill-qershor 1981, ku Enver Hoxha ka zhvilluar disa biseda dhe takime, si me dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, (kryeministrin Mehmet Shehu dhe sekretarin e Komitetit Qendror, Ramiz Alia), ashtu dhe me Byronë Politike, e sekretariatin e Komitetit Qendror, të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.
DOKUMENTI ARKIVOR I TAKIMIT TË ENVER HOXHËS ME MEHMET SHEHUN DHE RAMIZ ALINË, ME 3 PRILL 1981, LIDHUR ME NGJARJET DHE DEMONSTRATAT E ZHVILLUARA NË KOSOVË
LIDHUR ME DEMONSTRATAT NË KOSOVË, 3. IV. 1981
Në takimin me shokët Mehmet Shehu e Ramiz Alia, lidhur me demonstratat dhe gjendjen e krijuar në Kosovë, shoku Enver bëri vlerësimin e mëposhtëm:
1. Ngjarjet në Kosovë duhet t’i analizojmë në një plan të gjerë, në radhë të parë lidhur me vendin tonë, me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ne e dimë, e këtë e dinë edhe jugosllavët, që në demonstratat që po ndodhin në Kosovë, vendi ynë nuk është ndërlikuar, nuk ka gisht.
Politika jonë e drejtë marksiste-leniniste ka qenë dhe është për zgjerimin e marrëdhënieve me Kosovën e me viset e tjera në Jugosllavi të banuara nga shqiptarë, t’i ndihmojmë me sa të mundemi vëllezërit tanë që të fitojnë atje sa më shumë nga të drejtat që u njeh kushtetuta jugosllave dhe të mbajnë kurdoherë gjallë e të zhvillojnë ndjenjën e kombit, gjuhën, zakonet etj., të rrisin dashurinë për Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Partinë tonë.
Kjo politikë e drejtë ka dhënë rezultatet që dimë, të cilat mund t’i vlerësojmë të kënaqshme. Ne nuk duhet të harrojmë që të gjithë armiqtë tanë, imperialistët, social-imperialistët dhe të tjerë, e kanë halë në sy Shqipërinë socialiste, sepse kjo, me qëndrimet e veta të drejta, me luftën konsekuente, me shembullin që jep duke me konsekuencë marksizëm-leninizmin, u prish punë të gjithë shtypësve, shfrytëzuesve dhe armiqve të popujve. Prandaj këta janë të interesuar ta likuidojnë Shqipërinë socialiste. Po si t’ia arrijnë kësaj?
2. Për ta sulmuar drejtpërdrejt është e vështirë dhe shumë demaskuese për ta. Prandaj ata mund të mendojnë t’ua arrijnë qëllimeve të tyre, duke e ndërlikuar Shqipërinë në ndonjë incident me rëndësi. Nga kjo pikëpamje ngjarjet e Kosovës mund të jenë të nxitura, ose mund të shfrytëzohen për të provokuar vendin tonë.
Armiqtë imperialistë, social-imperialistë e të tjerë mendojnë se ngritja e popullit të Kosovës kundër regjimit titist, mund ta nxisin Shqipërinë të ndërhyjë, të veprojë, duke gjykuar se ka ardhur koha për të realizuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Dhe, në rast se Partia jonë e hedh këtë hap të gabuar, mendojnë ata, armiqve të Shqipërisë socialiste u krijohet mundësia të ndërhyjnë me armë dhe të realizojnë synimet e tyre për ta asgjësuar këtë vatër të socializmit, Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Por Partia dhe shteti ynë socialist, nuk e bëjnë këtë gabim, nuk bien në këto kurthe. Në këtë çështje ne duhet të jemi vigjilentë.
Tani të shohim më konkretisht cili mund të jetë më i interesuar për të krijuar një situatë kritike në Jugosllavi në përgjithësi, e në Kosovë në veçanti? T’i marrim një nga një me radhë. Grekët dhe italianët nuk janë të interesuar. Ashtu si këta, as amerikanët nuk duan tani për tani që Jugosllavia të dobësohet dhe as të dezintegrohet. Pra mund të përjashtohet që ata të kenë gisht në ngjarjet e Kosovës.
Po sovjetikët? Mundet. Megjithëkëtë, është e vështirë të pranohet plotësisht ky version. Së pari, sepse (ne nuk e dimë), por është e pabesueshme që titistët t’u kenë lënë aq dorë të lirë sovjetikëve, sa këta të kenë organizuar ndonjë rrjet aq të madhe spiunësh, që të jetë në gjendje të ngrejë masat në këmbë.
Pastaj nuk dimë që sovjetikët të kenë bërë në Kosovë aq shumë investime ekonomike, që do të favorizonte në njëfarë mase ndikimin dhe praninë e tyre atje. Së dyti, sepse kosovarët, si patriotë të mirë shqiptarë që janë, është e vështirë t’u besojnë rusëve, qoftë se historikisht këta kanë qenë pro serbëve e kundër shqiptarëve, qoftë sepse rusët tashmë njihen si armiq të egër të betuar të Shqipërisë Socialiste e, të Partisë së Punës të Shqipërisë.
3. Duke arsyetuar kështu, me sa dimë mbi gjendjen në Kosovë, mund të konkludojmë se ka më shumë mundësi që demonstratat dhe revolta e masave në Kosovë të jetë vepër e forcave të brendshme. Nga sa e kemi ndjekur zhvillimin e Kosovës dhe qëndrimet e elementëve të ndryshëm, del se atje ka një grup njerëzish, kryesisht udhëheqës të lartë që janë të kënaqur me gjendjen ekzistuese, që Kosovën e shohin të lidhur me Serbinë dhe si një bisht të saj. Fjalimi i djeshëm i Xhavit Nimanit është pasqyrë e këtij komenti.
Ka pastaj në Kosovë një grup tjetër njerëzish, që mund të quhen të moderuar, të cilët janë për zhvillimin e Kosovës, duke shfrytëzuar të drejtat që kësaj i jep kushtetuta jugosllave dhe kësisoj hap pas hapi e në kushte të favorshme, të arrijnë edhe ndonjë gjë më tepër. Këta janë të matur në hapat që hedhin, por, siç duket, as janë të organizuar, as kanë ndonjë influencë të veçantë në masa.
Ekzistojnë pastaj në Kosovë edhe grupe të ndryshme, që nga ata të quajtur marksistë-leninistë e deri te elementë të tjerë të ekzaltuar, të cilët janë për aksione. Pikërisht këta mund të jenë edhe nxitësit e demonstratave dhe të ngjarjeve që po ndodhin atje.
Këta njerëz (ose ndonjë prej tyre) mundet të jenë inkurajuar e nxitur (suflerët veprojnë me shumë mënyra të stërholluara) edhe nga agjentë të sovjetikëve, ashtu siç mund të jenë inkurajuar nga kroatët, bile edhe nga serbët, për veprime si këto që po ndodhin, duke u thënë se tani është koha e përshtatshme etj., etj.
Pse mundet të inkurajohen nga sovjetikët apo nga kroatët, kuptohet. Po nga serbët përse? Këta mund, të duan me këtë rast të godasin shqiptarët, t’i shtypin e t’i terrorizojnë, si dhe të përfitojnë për të frenuar në njëfarë mase lidhjet e marrëdhëniet që janë zhvilluar aq gjerësisht midis Kosovës dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Ata e dinë se, pavarësisht që Shqipëria nuk ka gisht në këto ngjarje, në demonstratat e në revoltat e Kosovës, në patriotizmin që po shpreh rinia dhe populli i Kosovës, është prezent influenca e Shqipërisë, e Partisë së Punës të Shqipërisë, që atje është rritur shumë në sajë të politikës sonë të drejtë dhe të marrëdhënieve që kemi vendosur me Kosovën.
4. Kështu mendoj unë për ngjarjet që po zhvillohen në Kosovë. Si duhen vlerësuar këto ngjarje, demonstratat dhe revolta e rinisë dhe e popullit të Kosovës? Pavarësisht se kushtet e sotme nuk janë të favorshme për të arritur në rezultate maksimale, pavarësisht se titistët do t’i shtypin dhe do të marrin masa kundër patriotëve kosovarë, këto demonstrata janë pozitive dhe do të ushtrojnë një efekt pozitiv.
Në plan ndërkombëtar, ato i tregojnë edhe një herë botës se Jugosllavia titiste është e kalbur, se ajo nuk është e tillë siç paraqitet, si një “parajsë” për kombet që e përbëjnë, por skëterrë, ku popullsi të kombësive të ndryshme shtypen e shfrytëzohen.
Vërtetohen kështu të gjitha ato që Partia jonë ka thënë për titizmin, për Jugosllavinë e vet-administrimin. Nga ana tjetër, prapë në plan ndërkombëtar, këto demonstrata e ngritën edhe një herë para gjithë botës problemin e Kosovës, padrejtësinë që i është bërë popullit tonë.
Në plan të brendshëm këto demonstrata do të rritin më tej frymën luftarake dhe patriotizmin e shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera të banuara nga popullsi me kombësi shqiptare në Jugosllavi. Ato do të shërbejnë edhe për serbët e titistët, se; “këtu jemi ne, shqiptarët, që nuk pajtohemi me këtë gjendje dhe, kur të vijë dita, do të dimë me forcë t’i fitojmë të drejtat tona, se ne nuk kemi frikë as nga tanket, as nga aeroplanët tuaj”.
Ç’duhet të bëjmë ne në këtë situatë? Të jemi vigjilentë. Ne nuk mund t’u vijmë në ndihmë të drejtpërdrejtë vëllezërve kosovarë. Kjo, për të gjitha ato që thashë, s’është as e këshillueshme as e dobishme. Asgjë e mirë nuk do t’i vinte as Kosovës, as Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, përkundrazi do të binim në grackën e armiqve tanë. Por indirekt ne duhet t’i ndihmojmë vëllezërit kosovarë.
5. Ambasadori ynë në Beograd të porositet që të marrë takim në Sekretariatin e Jashtëm dhe, së pari, ta konsiderojë si diskriminues faktin që, ndërsa ambasadorë të disa vendeve të tjera janë vënë në dijeni zyrtarisht për ngjarjet që janë duke u zhvilluar në Kosovë, ambasadori shqiptar, i një vendi fqinj, që është i interesuar për vëllezërit e një gjaku, nuk është informuar fare nga Sekretariati i Jashtëm i Jugosllavisë.
Së dyti, t’u këshillojë jugosllavëve që ndaj demonstruesve të tregohen të matur, të mos ndjekin rrugën e goditjeve dhe të represionit, gjë që nuk është as në të mirën e popullit kosovar, as të vetë Jugosllavisë.
Së treti, t’u rekomandojë që kërkesat e drejta që janë paraqitur nga kosovarët, dhe që rrjedhin nga Kushtetuta e Jugosllavisë, duhet të plotësohen. / Memorie.al
Shënim: Biseda është daktilografuar sipas shënimeve të mbajtura nga shoku Ramiz Alia.
Vijon numrin e ardhshëm

















