Nga ROMEO GURAKUQI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Duke qenë se Frontit Nacionalçlirimtar Shqiptar ishte i organizuar dhe i drejtuar nga serbët, asgjë nuk mund të pritej prej kësaj organizate ndaj reagimit serb. Qeveria shqiptare e Regjencës në fuqi, për kundërveprim organizoi formacione luftarake vullnetare, sanksionoi dislokimin e këtyre formacioneve të rregullta si Divizioni SS “Skanderbeg” dhe kërkoi mbështetjen e gjermanëve kundër Nacional-Çlirimtar Shqiptar në çdo mënyrë. Në të njëjtën kohë u vendosën marrëdhënie miqësore me Kroacinë dhe një mirëkuptim politiko-ushtarak u tentua me Turqinë dhe Greqinë. Pse nuk pritej asgjë nga reagimi Frontit Nacional-Çlirimtar Shqiptar? Cilat janë ngjarjet që shënojnë marrëdhëniet në mes Marshallit Tito dhe Frontit Nacional – Çlirimtar Shqiptar?
Në këtë dokument shkruhet: “Brigadat e Divizioneve t’onë vazhdojnë të jenë të vendosura në vendet e mëparshme të Kosmetit. Brigadat janë duke bamë ndjekje e rrethime bandave gjithnjë me sukses. Elementët e arratisur e sidomos ata që kanë ma pak faje, po dorëzohen” (AQSH, F. 14/APL, Viti 1945, Dosja e formacioneve ushtarake shqiptare në Jugosllavi, faqe 56, Radiogram 01.04.1945.) Shumë i rëndësishëm për të kuptuar sa kanë pasur dijeni dhe sa kanë qenë të përfshira repartet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare në procesin e dorëzimit të partizanëve kosovarë dhe atë të mobilizimit të sforcuar në terren, e tregon një radiogram shifër, dërguar nga Enver Hoxha, nga Tirana, më 30 maj 1945, Divizionit V të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare.
Në atë radiogram kërkohet: “Na lajmëroni sa bëhet numri i të arratisurve që janë dorëzuar në divizion tuaj dhe sa bëhet numri i kosovarëve që keni mobilizuar në terren”. (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 5, Radiogram i datës 20 maj 1945, firmosur: Enver). Përgjigjet në lidhje me kërkesën e mësipërme kanë ardhur për llogari të Shtabit të Divizionit V nga Komisari Politik, Gafur Çuçi, i cili shpjegon qartësisht operacionet e këtij divizioni nga datat 21 maj 1945 deri më 1 qershor 1945.
Në bazë të këtyre të dhënave të raportuara nga i sipërpërmenduri, kuptohet se misioni i Divizionit V të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, ka qenë grumbullimi i kosovarëve që dezertonin masivisht nga repartet partizane të KOSMET, ndalimi që ata të kalonin përmes Maqedonisë në Greqi, mobilizimi i kosovarë të tjerë dhe dorëzimi i tyre në Divizionin 52 të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave.
Në këtë dokumentacion të raportuar nga i sipërpërmenduri, numri i kosovarëve të dorëzuar nga Divizioni V i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, deri më datë 1 qershor 1945, është 1389. (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 6-12). Më datë 5 qershor 1945, Enver Hoxha, nga Tirana urdhëron Divizionin V të UNÇSH që “të arratisurit e dorëzuar në divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave”. (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 13. Radiogram Shifër, A1.38/III).
Më pas, nga dokumentacioni kuptohet se gjatë muajve gusht dhe shtator 1945, Divizioni V i UNÇSH e ka vazhduar këtë praktikë edhe në zonën e Tetovës dhe të Gostivarit. (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 17, 33.) Pra bëhet fjalë për një bashkëpunim dhe ndërveprim të hapur të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare dhe Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave, në procesin e zhveshjes së Kosovës nga çdo lloj rezistence kundër ri-integrimit në Serbinë e federuar në Jugosllavi dhe sidomos në të ashtuquajturin “mobilizim” të kosovarëve, që na rezulton të jetë një internim i sforcuar, i mundimshëm dhe në fund edhe i përgjakshëm.
Ngjarjet në Kosovë
Për pak kohë pas pushtimit të Kosovës prej partizanëve shqiptarë, jugosllavë dhe bullgarë, nuk ka asnjë raport për trazira. Garnizonet serbe, malazeze dhe maqedonase ishin në shumë prej qyteteve kosovare, dhe trupat e FNC të Shqipërisë kaluan përmes Kosovës në rrugën e tyre për në Mal të Zi në ndihmë të ndjekjes dhe nxjerrjes jashtë të gjermanëve që andej. Pas kësaj u duk sikur pat një lloj reduktimi të garnizoneve në zonë, por në shkurt të vitit 1945 filluan trazira.
Pra muaji shkurt i vitit 1945, mund të konsiderohet pikërisht koha e një rizgjimi të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë veri-perëndimore, për të kuptuar atë që po ndodhte nën rrogoz, nën turbullirën e fundit të Luftës së Dytë Botërore: Nën petkun e luftës kundër nazizmit dhe “bashkëpunëtorëve” të tyre, nën petkun e internacionalizmit partizan, po kryhej gradualisht procesi i ri-integrimit, ri-aneksimit të territoreve të lartpërmendura në Serbi dhe Jugosllavi.
Dhe në këto rrethana kanë filluar trazirat dhe ka pasuar reagimi brutal i autoriteteve partizane dhe komuniste jugosllave me bashkëpunimin, (e vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm këtë le ta gjykojë lexuesi) të brigadave partizane të Shqipërisë. Në muajin shkurt 1945, për kundërpërgjigje, autoritetet partizane jugosllave vendosën në Kosovë ligjin ushtarak dhe filluan ta administrojnë krahinën me anën e ushtrisë.
Gjatë procesit të shtypjes së rezistencës, një numër i madh njerëzish humbën jetën edhe në Kosovë, ku vendosmëria e shqiptarëve për të mos u kthyer nën sundimin jugosllav u gërshetua me frikën se kjo do të kuptonte rekrutimin e burrave të krahinës së Kosovës për të luftuar gjermanët në Jugosllavinë e veriut dhe më tutje. Komunistët jugosllavë nuk kishin asnjë iluzion për problemin me të cilin ballafaqoheshin në Kosovë.
Në dhjetor 1944, Gjenerali Svetozar Vukmanovic Tempo, i tha kolonelit britanik Deakin, (the Senior British Liaison, oficer tek partizanët jugosllavë) se shqiptarët janë një grup etnik, i cili sipas të gjitha gjasave nuk mund të vendosej nën sundimin jugosllave ndryshe veçse me anën e forcës, dhe për këtë mund të përdoreshin bullgarët për ta bërë një gjë të tillë, në mënyrë që të zhvendosej fajësimi për partizanët jugosllavë. Megjithëse qëllimet politike të kryengritësve shqiptarë nuk kanë qenë të artikuluara qartë, luftimet në Kosovë kanë vazhduar me një egërsi të paparë për gjashtë muaj me radhë. Autoritetet komuniste dhe partizane jugosllave janë treguar shumë të qartë dhe të vendosur në realizimin e objektivave të tyre politike dhe nuk janë ndalur dhe frenuar para asgjëje.
Së pari, ndaj forcave të armatosura të rezistencës civile antikomuniste kosovare janë përdorur mjetet më të ashpra të reagimit ushtarak, dhe në këtë veprimtari nuk ka munguar edhe mbështetja e reparteve partizane kosovare dhe shqiptare. Së dyti, kur është bërë e qartë se disponimi anti-jugosllav nuk ishte pjesë përbërëse e forcave bashkëpunuese me gjermanët, por i një popullsie të tërë, është kaluar në një fazë të dytë, që konsistonte: a) në mobilizimin me forcë të meshkujve në UNÇJ, dhe b) në eliminimet fizike ndaj çdo individi apo grupe individësh që përpiqeshin të reagonin qoftë edhe paqësisht ndaj politikave të tilla diktatoriale të komunistëve tashmë në pushtet në Jugosllavi dhe në Shqipëri.
Edhe një raport i hollësishëm amerikan tregon se në muajin shkurt 1945, në Kosovë u zhvillua një kryengritje e organizuar me frymëzim nga Balli Kombëtar, që përfshinte 7000 vetë. Kryengritja u shtyp vetëm në sajë të përdorimit të Divizionit VI të UNÇJ. Mënjanë këtij raporti, ka pak prova të drejtpërdrejta të revoltës ose të lëvizjeve të tjera të mëdha të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave. Në mes të muajit mars 1945, trupat dalmate, së bashku me tanke, raportohet nga disa burime, kaluan përmes Shqipërisë në rrugën e tyre drejt Maqedonisë. Përndryshe, nga pjesa veriperëndimore e Maqedonisë ka një numër raportesh për trazira.
Në fillim të shkurtit 1945, Divizioni 49 UNÇJ kishte qenë i angazhuar në luftime afër Kiçevos (Kërçovë) dhe më 28 shkurt 1945, një njësi irredentiste e Ballit Kombëtar sulmoi dy batalione të E.L.A.S. nën komandën e Gotsi (sllavo-maqedonas që më përpara vepronin në Greqi), të cilët kishin kërkuar strehim së fundmi nga Maqedonia greke në rajonin Gostivar-Kërçovë, duke vrarë 50 grekë. Trupat maqedonase, së bashku me Gotsi raportohet se më pas kanë ndërmarrë një kundërofensivë dhe i kishin mundur forcat shqiptare të Ballit Kombëtar. Më 2 mars 1945, 200 të burgosur shqiptarë u sollën nga Gostivari në Shkup.
Më pas të gjithë burrat shqiptarë nga mosha 17 deri 30 vjeç, në rajonin Strugë-Gostivar, ishin mobilizuar, dhe një raport i mëvonshëm tregonte se u ishte dhënë urdhri që të mobilizonin të gjithë burrat mes moshës 35-45 vjeç. Nga një fshat i vetëm i zonës së Radusas, i përbërë nga 125 shtëpi, raportohet se vetëm 8 burra ishin lënë pa u mobilizuar, të gjithë të tjerët rezultojnë të mobilizuar me forcë (kupto, të marrë me forcë për internim). Morali i këtyre trupave normalisht që ishte i ulët dhe një numër syresh raportohet që kishin dezertuar me shpresën që të bashkoheshin me forcat nacionaliste shqiptare në kryengritje.
Më 29 mars 1945, grupe kryengritësish shqiptarë të drejtuar nga komandantët e quajtur Xhema dhe Mifail, që operonin në rajonin Tetovë-Gostivar, raportohet që kishin lëvizur drejt Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, për t’u bashkuar me çetnikët dhe forcat nacionaliste shqiptare, të drejtuara nga Xhafer Deva, në veprimet kundër Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave.
Para se të largoheshin, ata sulmuan tri fshatra në zonën e Gostivarit dhe vranë të gjithë partizanët e Komitetit Nacionalçlirimtar. Në reprezalje për këtë, njësitë maqedonase dogjën të gjitha fshatrat shqiptare dhe morën me forcë të gjithë burrat dhe i dërguan në burgun e Shkupit. Në Kosovë, Miladin Popoviqi, ish-i dërguari i Titos tek komunistët shqiptarë, u vra në Prishtinë më 12 mars 1945.
Duke filluar nga data 1 prill 1945, raportohet se aktiviteti i forcave të rezistencës kosovare dhe çetnike në Kosovë ishte në rritje sërish dhe për këtë u dërgua për mbështetje brigada e 12-të maqedonase nga Shkupi, ndërkohë që në Kosovë operonin tashmë 4 brigada të tjera maqedonase dhe një numër brigadash serbe. Trazirat në fillim të prillit duket se vazhduan në skajin veriperëndimor të Maqedonisë dhe për të trajtuar situatën, më 7 prill, 2 batalione të OZNA u dërguan në Shkup, në përgjigje të kërkesës nga qeveria federale maqedonase për përforcime.
Zona ndërmjet kufirit shqiptar, Maleve të Sharrit, Shkupit, Maleve Karabzica, Brod dhe Kicevo dhe inkluzive zona e Tetovës dhe Gostivarit deri në Dibër, raportohet se më 16 prill 1945 të ketë qenë një zonë lufte, për shkak të zërave alarmantë për përpjesëtimet që po merrte kryengritja shqiptare. Në luftimet kundër forcave nacionaliste shqiptare u angazhuan forca të shumta jugosllave, që përfshinin brigadën e parë të këmbësorisë së Shkupit, brigadat 8, 9, 16 maqedonase dhe trupa të tjera të paidentifikuara nga zona e Manastirit.
Në shtesë, trupat e E.L.A.S. nën drejtimin e Gotsi në zonën e Gostivarit u angazhuan në luftime mbrojtëse. Sipas raporteve, 7000 shqiptarë u burgosën në Tetovë dhe një numër i madh i shqiptarëve të Shkupit u morën dhe u dërguan në pyje, 140 të tjerë kishin dezertuar nga stacioni bashkiak i energjisë në një ditë. Në vetë Shkupin kishte zëra të vazhdueshëm të trazirave shqiptare dhe 12.000 shqiptarë raportohej se ishin depërtuar me anë të forcës nga Kumanova, Gjilani dhe Vranja drejt Banatit.
Kishte pak konfirmime për këto raporte, por nga fundi i muajit mars 1945 kishte biseda në Beograd për shqiptarët që ishin duke marshuar drejt veriut përgjatë qytetit të ruajtur nga roje dhe një amerikan raportonte për raste të tifos mes shqiptarëve në Banat. Nga Spliti gjithashtu ekzistojnë raporte se në mes datave 5 dhe 8 prill 1945, kishin arritur tri parti me kosovarë, në numër total rreth 2000 burra, dhe disa prej tyre të ruajtur me roje, të cilët thuhej se ishin mobilizuar në Kosovë, për ta pastruar zonën e Prishtinës pas trazirave në këtë hapësirë./ Memorie.al













