Nga Romeo Gurakuqi
Pjesa e parë
Memorie.al / Duke qenë se Frontit Nacionaçlirimtar Shqiptar ishte i organizuar dhe i drejtuar nga serbët, asgjë nuk mund të pritej prej kësaj organizate ndaj reagimit serb. Qeveria shqiptare e Regjencës në fuqi, për kundërveprim organizoi formacione luftarake vullnetare, sanksionoi dislokimin e këtyre formacioneve të rregullta si Divizioni SS “Skanderbeg” dhe kërkoi mbështetjen e gjermanëve kundër Nacional-Çlirimtar Shqiptar në çdo mënyrë. Në të njëjtën kohë u vendosën marrëdhënie miqësore me Kroacinë dhe një mirëkuptim politiko-ushtarak u tentua me Turqinë dhe Greqinë. Pse nuk pritej asgjë nga reagimi Frontit Nacional-Çlirimtar Shqiptar? Cilat janë ngjarjet që shënojnë marrëdhëniet në mes Marshallit Tito dhe FNÇ-së Shqiptar?
Marshalli Tito me 4 dhjetor 1943 kishte shpallur një komunikatë sipas së cilës; “e ardhmja e Kosovës do të vendosej prej një referendumi dhe kufiri mes Shqipërisë së pasluftës me Jugosllavinë, në qoftë se do të ishte e nevojshme, do të rregullohej në të mirë të Shqipërisë”. Kjo ka qenë formula që ka qenë e pranuar prej Frontit Nacional-Çlirimtar Shqiptar, e cila nga ana e saj theksoi se; KOSMET dhe KOSOVA janë sfera të ndikimit të Titos. (PRO. HS.7.70, S.O.E. History, File number 37/B, Allied Military Mission in Albania, 1942-1945, faqe 38).
Më 17 maj 1944, shërbimi sekret amerikan (SOA) raportonte, duke cituar Titon se; “Fronti Nacional Çlirimtar i Shqipërisë është një lëvizje jugosllave, pikëpamjet e së cilës dhe aktivitetet që ajo organizatë zhvillon nuk janë gjë tjetër veçse ato të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare Jugosllave, e cila jep urdhrat dhe komandon, prandaj aktiviteti i partizanëve shqiptarë është i përfshirë në Ushtrinë Nacional Çlirimtare Jugosllave, brenda së cilës partizanët shqiptarë janë pjesë”. Siç duket, kjo ka qenë arsyeja pse radio “Jugosllavia e Lirë”, do të njoftonte; “forcat tona nacional çlirimtare janë vënë të zotërim të Beratit dhe Tiranës”. (PRO. FO. 371. 48090/SF/POL/2A/B6, Albano-Jugoslav Relations, 16 December, 1944.)
Nga vera e vitit 1944 dhe në vijim Fronti Nacional Çlirimtar i Shqipërisë dhe Marshalli Tito kryen veprime të përbashkëta kundër gjermanëve, të cilat kulmojnë në veprimet e përbashkëta ushtarake në Kosovë me forcat serbe që vepronin në Prishtinë dhe Gjilan dhe njësitë partizane shqiptare që vepronin në Gjakovë dhe Prizren. Në muajin nëntor 1944, në deklaratën për shtyp të Marshallit Tito, u njoftua për “bashkëpunimin e armatosur (të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave) me Ushtrinë Shqiptare, në betejën kundër pushtuesve fashistë”.
Gjatë të njëjtit muaj u shkëmbyen nota diplomatike përgëzimi dhe miqësie në mes Dr. Nishanit (Shqipëri) dhe Dr. Ribar (Jugosllavi). Pasi japin të dhënat e mësipërme, analistët britanikë, mbi raportet e të cilëve, në pjesën të rëndësishme e kemi ndërtuar këtë punim, shkruajnë në pjesën konkluzive, se është një parim që partitë politike, në rrugën e tyre të ngritjes në pushtet, përdorin çfarëdo lloj mbështetjeje që është e mundshme. Është e pamundur të injorosh ekzistencën e ambicieve serbe ose jugosllave në marrëdhëniet me Shqipërinë.
Por nga ana tjetër, analistët britanikë vërejnë se është bërë më i dukshëm fakti që Fronti Nacional-Çlirimtar i Shqipërisë ishte bërë më nacional në karakterin e tij, gjatë gjysmës së dytë të vitit 1944 dhe marrëdhëniet në këtë periudhë me komunistët jugosllavë ishin më të pavarura se sa në periudhën pararendëse. Analistët britanikë gjithashtu raportonin se në fund të vitit 1944, ishte e pangjashme që prania e forcave partizane shqiptare në Kosovë, të ishte e motivuar vetëm prej idealeve internacionale. Ata mendonin se Marshalli Tito nuk do ta injoronte faktin, se trupat kuislingë shqiptare kishin luftuar kundër tij.
“Kordialitetit politik dhe ushtarak, – shkruhet në një raport të tillë – i është bërë një publicitet i madh kohët e fundit, por gjeneral Hoxha është cituar së fundmi të shprehet se ai nuk e sheh të mundshme në të ardhmen e afërt një Federatë Ballkanike”. Forcat gjermane u tërhoqën nga Kosova duke filluar nga 19 nëntori 1944, në rrugën e vet të tërheqjes drejt Veriut, duke e lënë krahinën në një gjendje konfuzioni dhe pasigurie të përgjithshme për të ardhmen. Më 19 nëntor 1944, partizanët e Brigadës XVIII-të të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare u vunë në zotërim të Kukësit, ndërsa partizanët e Brigadave III dhe V-së të së njëjtës ushtri, çliruan Pejën dhe Prizrenin në Kosovë.
Kur gjermanët filluan të tërhiqeshin edhe nga Shqipëria dhe pushteti i Frontit Nacional-Çlirimtar në Shqipëri filloi të zgjerohej, kundërshtarët e lëvizjes së FNÇSH-së u detyruan të tërhiqeshin në malet ngjitur me kufirin me Jugosllavinë dhe shumë prej tyre kaluan në territorin e Kosovës dhe Maqedonisë Veri-perëndimore. UNÇSH-ja lëvizi pas tyre në drejtim të kufirit jugosllav. Nga ana jugosllave, tërheqja e gjermanëve i dha Ushtria Nacional-Çlirimtare Jugosllave mundësinë e parë për të depërtuar në Kosovë. Në këtë moment qëndrimi i zymtë i kahershëm i partizanëve jugosllavë, përsa i përket mundësisë së pajtimit me kosovarët, pësoi një ndryshim të papritur, për shkak se pikërisht në këtë kohë nga njësitë kuislinge kosovare, pat një dezertim masiv.
U krijuan dy brigada të reja partizane kosovare dhe nga fundi tetorit 1944 edhe dy të tjera ishin në formim e sipër. Kosovarët dhe shqiptarët e pjesës veriperëndimore të Maqedonisë filluan madje sulmet kundër gjermanëve në tërheqje e sipër. Ndërkaq, sulmi i partizanëve bullgarë në Kosovë detyroi çetnikët e Skospka Crna Gora dhe të Kopaonikut të Jugut, këta të fundit të drejtuara nga Zika Markoviç, të futen sërish në Kosovë, ku u vendosën përkrah forcave të mbetura gjermane dhe njësive nacionaliste kosovare. Në jugun e Malit të Zi, për shkak të aktivitetit partizan, disa prej forcave çetnike të drejtuara nga Gjurishiq kishin bashkuar forcat e tyre me ata të prijësve malësorë katolikë të Shqipërisë së Veriut në zonën në veri të Liqenit të Shkodrës.
Duhet të nënvizojmë se në Shkodër e në Shqipërinë Veri-perëndimore, lidhur para së gjithash me një seri rrethanash kulturore dhe nivelit të emancipimit shoqëror, qenies së një klase të mesme qytetare mjaft mirë të zhvilluar, ndikimit të Kishës Katolike në Malësi të Madhe dhe në Malësi të Dukagjinit, ka pasur një indiferencë të plotë ndaj propagandës komuniste dhe kjo lëvizje është konsideruar dhe kuptuar gjerësisht si një lëvizje antikombëtare dhe e huaj për orientimin pro europian të Shqipërisë.
Nga fundi i dhjetorit 1944 forcat gjermane u tërhoqën plotësisht, së bashku me gjysmën e Divizionit “Skanderbeg”, që i shoqëronte ata. Pjesa e mbetur e divizionit ose dezertuan, ose ishte lënë me qëllim mbrapa si prapavijë dhe gjithashtu një pjesë e çetnikëve qëndruan me ata në malet e Kosovës dhe të Sanxhakut. Rajoni i Skopska Crna Gora, asnjëherë nuk u pastrua plotësisht nga ana e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave dhe sipas të gjitha gjasave, në këtë rajon, në kohën kur bëhet ky raport, kishin mbetur rreth 1000 çetnikë në aktivitet. Kosova dhe skajet malore rreth saj mbeten si zona të një rezistence të ashpër dhe të fuqishme kundër partizanëve.
Kjo rezistencë bëhej nga pjesa e mbetur e Divizionit “Skanderbeg” dhe mbetjet e çetnikëve të Serbisë Jugperëndimore të Kopaonikut, të cilët ishin aq të kompromentuar sa nuk kishte asnjë shpresë për t’u pajtuar me partizanët. Po ashtu, në Veri të Shqipërisë u përqendruan të gjithë elementët kundërshtarë të Frontit Nacional-Çlirimtar Shqiptar dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për fshatrat në veri-perëndim të Maqedonisë, e banuar nga një popullsi jomiqësore ndaj partizanëve. Gjithashtu, sipas të gjitha gjasave, edhe disa mbetje të forcave çetnike të Djurisiç (Gjurishiq) mbetën në arrati rreth kufijve të Malit të Zi.
Mbi praninë e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare në të gjithë harkun kohor të muajve të parë të vitit 1945 në Kosovë dhe operacionet ndjekëse, rrethuese dhe asgjësuese, pra në muajt kur është konsumuar procesi i zhveshjes së Kosovës dhe Maqedonisë Veri-perëndimore nga djelmnia shqiptare, na dëshmojnë një seri dokumentesh të Arkivit Qendror të Shtetit të R.SH., mes të cilëve po citojmë: 1. Një dokument i Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare për KOSMET, Nr. 23, datë 13.03.1945, drejtuar Shtabit të Divizionit VI shqiptar, në bazë të të cilit, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave, Divizioni V dhe i VI i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, do të dislokohej tashmë në Novi-Pazar edhe në Mitrovicë, Vuçitern, Podujevë.
Shtabi i grupeve të brigadave, në bazë të këtij urdhri është vendosur në vendet si vijon: Në jug: prej kryqëzimit të vijës hekurudhore tek katundi Bresnje, e gjatë vijës hekurudhore në drejtim të Pejës, deri tek lumi Drin i Bardhë, tue vazhdue më tutje në jug përgjatë lumit Drin i Bardhë deri në derdhjen e lumit Ribnik në Drinin e Bardhë, e që andej vazhdonte rrugës së katundit më në jug deri në majën 434, katundit Gerçina në majën 1261 në kufirin me Shqipërinë. Në perëndim: gjatë kufirit shqiptar, mandej në Bogiqevac e Mokra Planina e që andej gjatë vijës së kufirit ndërmjet qarqeve të Kosmetit dhe Sanxhakut mbi Mokra Gora dhe Stari Kolashin deri në pjesën e sipërme të shtratit të Lumit Ibër, d.m.th., deri në kufirin perëndimor të vendeve të okupuara nga ana e Divizioneve të tjera shqiptare.
Shtabi i grupeve të brigadave u vendos në Peje, kurse shtabet e brigadave përbërëse të këtyre divizioneve, kanë qenë të vendosura në Pejë, Gjakovë, Istog, Rudnik. Krahas këtyre divizioneve shqiptare kanë operuar në këtë kohë në pjesën tjetër të Kosovës, Divizioni 46, 52 41 të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave, Brigadat e Mbrojtjes së Popullit etj. Detyra e caktuar ndaj të gjithë këtyre forcave të armatosura të vendosura në Kosovë ka qenë e qartë dhe e njëjtë: “me mbajtëm nën kontroll të përhershëm dhe të fortë vendin e caktuar, me asgjesue plotësisht grupet e mbetura të arratisurve dhe me ndihmue sa më tepër organet drejtuese ushtarake në krijimin dhe përforcimin e pushtetit popullor”. (AQSH, F. 14/APL Viti 1945, Dosja e formacioneve ushtarake shqiptare ne Jugosllavi, faqe 40, Urdhër i Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare për KOSMET. Nr 23, datë 13.03.1945.)
Sikurse shihet, forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, kanë qenë të vendosura në zonat përgjatë kufirit të Kosovës me Shqipërinë dhe Kosovës me Sanxhakun, përndryshe operacionet spastruese në brendësi të Kosovës Qendrore dhe Lindore, në muajt mars dhe fillim prilli, janë lënë në duart e forcave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave, dhe atyre të partizanëve të paktë kosovarë.
Operacionet e spastrimit nuk kanë përfshirë vetëm forcat aktive kundërshtare dhe popullsinë civile mashkullore kosovare, por edhe partizanët kosovarë, gjë që dëshmohet në një numër dokumentesh të raportuar nga Vuçiterni, nga komandanti i brigadës së VIII të UNÇSH, Major Feti Smokthina dhe Komisari Politik Major Rasim Bazo. (AQSH, F. 14/APL Viti 1945, dosja e formacioneve ushtarake shqiptare në Jugosllavi, faqe 97, Raport i Shtabit të Brigadës VIII drejtuar Shtabit të divizionit të VI, nr 118/19 datë 31/03.1945 dhe nr. 118/ 29 datë 08.04.1945).
Zhvendosja e forcave partizane shqiptare drejt Kosovës Perëndimore dhe Veri-perëndimore është bërë me urdhër të Komandës së Përgjithshme Jugosllave, përcjellë me anë të Korpusit II Jugosllav në fillim të marsit 1945, pikërisht në kohën kur ka ndodhur masivisht procesi i rekrutimit të sforcuar të meshkujve kosovarë. Këtë zhvendosje e dëshmojnë dy raporte të bëra nga Ramiz Alia dhe Rahman Parllaku, të divizionit V të UNÇSH, që mbajnë datat 03.03.1945 dhe 17.03.1945.(AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 1-14.).
Më pas nga fundi i muajit prill 1945 divizionet V dhe VI të UNÇSH do të zhvendosen sërish drejt Kosovës Lindore dhe Qendrore, respektivisht në Ferizaj dhe Gjilan dhe divizioni V me qendër në Gjilan. (AQSH F. 206/APL viti 1945 D. 11 fleta 1-14, Raport i Divizionit V drejtuar Komandës së Përgjithshme, mban nr. 146 datë 29.04 1945.) Repartet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, që kanë operuar në Kosovë, duke qenë se janë konsideruar të jenë nën tokën jugosllave, janë vendosur nën komandën e drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave dhe janë urdhëruar të formojnë një shtab të përbashkët për dy divizionet, atë të V dhe të VI.
Urdhri tepër konspirativ për këtë është dërguar nga Gjeneral Lejtnant Velimir Treziç, zv.Naçelnik i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave dhe mban datën 17.03.1945. (AQSH, F. 14/APL Viti 1945, Dosja e formacioneve ushtarake shqiptare në Jugosllavi, faqe 84, Urdhën tepër i Rezervuar 49/ 1945, datë 17/03.1945 drejtuar Shtabit të Divizionit V e VI Shqiptar). 2. Urdhri i datës 01.04.1945 firmosur nga Komandanti i Shtabit Operativ për divizionet V dhe VI, Nënkolonel Gjin Marku dhe Komisari Politik, nënkolonel Ramiz Alia./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















