Nga Imam Muhamed Sytari
Pjesa e dytë
Memorie.al / Shkrimin tim do ta nis me lutjen e dijetarit të shquar shkodran, Hafiz Ali Kraja (1900-1973), botuar në librin e tij: “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, në të cilin shkruan: “I lutem të Madhit Perëndi që ta ruajë popullin shqiptar prej afetarizmit, që është një humnerë e rrezikshme për komb e atdhe! Amin.” Duke lexuar me vëmendje në ecejaket e historisë sonë kombëtare, mendoj se kjo është një ndër lutjet më të rëndësishme, me të cilat duhet të ishin pajisur shqiptarët në të shkuarën e tyre, e sidomos në të sotmen, për të shpëtuar nga “humnerat e rrezikshme”, në të cilat shpesh kanë rënë duke dëshmuar momente aspak të këndshme, shpesh edhe tragjike, sidomos në 100 vitet e fundit të kësaj historie.
“Le të kujtojmë se ai i takonte breznisë së luftës për mbrojtjen e Shkodrës (1912-‘13) dhe se ishte pjesë e kompaktësisë shkodrane të atyne viteve. (Ai ka kalue shtatë muaj në llogoret e frontit të Shtojit, dhe familja Repishti ka furnizue me ushqim e armatim 17 vullnetarë të kompanisë që ai komandonte gjatë të gjithë luftës). Ma vonë, me 1916, kur Austro-Hungaria filloi keqtrajtimin e qytetarëve shkodranë, ai ka marrë pjesë në demonstratat anti-austriake, dhe ashtë burgosë me nji grup qytetarësh.
Ka luejtë nji rol aktiv në mobilizimin dhe organizimin e Luftës se Koplikut (1920), për gjashtë muej. Në ato vite, ka ndihmue aktivisht Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës (Hoxha Kadriu dhe shokët kanë ba disa nga mbledhjet e Komitetit në shtëpinë e babës), ka marrë pjesë aktive në politikën e forcimit të vendit, dhe në dhjetor 1923 asht zgjedhë deputet i Shkodrës (grupi i Opozitës kundër Ahmet Zogut)”.
Ai ishte nxënës i devotshëm i dijetarit të shquar Hafiz Halid Bushati (vd. 27 dhjetor 1916), prej nxënësve të cilit u diplomuan edhe dijetarë që më pas dhanë një kontribut të vyer në organizimin e shqiptarëve në mërgatë, si Hafiz Sulejman Gavoçi (20.1.1883-1958), që emigroi në Damask të Sirisë.
Kur flasim për mërgatën, nuk mund të lëmë pa përmendur rolin e madh të Kryemyftiut të shqiptarëve në botën e lirë, Salih ef. Myftija (1891-1978), gjurmët e të cilit janë të arkivuara edhe në gazetën e famshme amerikane “The New York Times”, që “në numrin e 13 nëntorit 1972, të ditës së hënë, njofton se në rrugën ‘Albermarle’ 1325, në zonën Flatbush të Brooklyn-it u ngrit xhamia e re e komunitetit Mysliman të Shqiptarëve të Amerikës, me inisiativën e Kryemyftisë Salih Efendi Myftija, mbi 80 vjeç.”
Kujtojmë poliglotin e shquar Hafiz Abaz Golemi (1870-1925), i cili që “në vitin 1895 emërohet mësues i persishtes dhe i besimit në shkollën qytetëse”. Studiuesit e jetës së tij dëshmojnë se ai: “Përveç persishtes zotëronte edhe arabishten, turqishten, frëngjishten, italishten e serbokroatishten”. Nuk duhet të harrojmë se: “Në vitin 1913, Komisioni Arsimor i Bashkisë, i kryesuar nga Xhemal Naipi, kadi i Shkodrës në atë kohë, hapi tri shkolla shtetërore: Shkolla Popullore me drejtor Gaspër Mikeli, e ‘Rusit’ me drejtor Molla Medo Sukniqi dhe e ‘Parrucës’ me drejtor Haxhi Hafiz Abaz Golemi”.
Nëse në vitin 1913, lënda e besimit fetar ishte pjesë programit në shkollat shtetërore shqiptare, sot në vitin 2012, kur shumë vende të Evropës e kanë aplikuar lëndën e edukatës fetare në shkollat e tyre, paradoksalisht në Shqipëri ky fakt vazhdon të shihet me utopi…!
Në raportet e inspektorit të arsimit Shkodër drejtuar Ministrisë së Arsimit, më 6.2.1925, në lidhje me personalitetin e H. Abaz Golemi, shkruhet se: “Në kohën e 12 vjetëve mund të vërtetojmë se ai përherë qe drejtori i shkollës së ‘Parrucës’ dhe përherë gëzoi dhe gëzon gjithnjë një famë të mirë në popull, sa që fëmijët prej të tana lagjeve e marrin mbrapa dhe mund të themi se shkolla e Parrucës asht sot nji fryt i tij.”
Megjithatë, Hafiz Abaz Golemi ishte njeri modest, i frikësohej Zotit të botëve dhe këtë e dëshmonte në shënimet personale mbi faqet e brendshme të librave të tij, ku kam gjetur edhe këto shënime: “Prej librave të të varfrit, të përulurit, Haxhi Hafiz Abaz, i biri i Haxhi Aliut. I faltë të dy, Falësi, Krijues. Amin!”. Shumë interesante është edhe përmbajtja e vulës së Hirësisë së Tij, ku shkruhet: “Më i dobëti i njerëzve, robi, Hafiz Abaz. 1307”.
Kujtojmë hoxhallarët e shumtë që ranë a u plagosën në betejat e tyre në luftë për mbrojtjen e Shkodrës dhe trojeve shqiptare nga serbo-malazezët, si rasti i dy hoxhallarëve të nderuar, H. Halil Gavoçi dhe H. Sulejman Gavoçi, babë e bir, të cilët “në vitin 1913, kur Shkodra u rrethua nga forcat serbe e malazeze… rrokën armët e dolën vullnetarë për mbrojtjen e qytetit nën komandën e Hasan Riza Pashës.”
Po ashtu Sheh Ali Kruja (1884-1976), që doli dy herë në frontet për mbrojtjen e Shkodrës nga serbo-malazezët. Në betejën e tij të dytë, në vitin 1920, në frontin e Koplikut, “nga plaga e rëndë humbi syrin e majtë”.
Kujtojmë shumë dijetarë, hoxhallarë të nderuar, që me veprën e tyre i bëjnë nder këtij kombi dhe na bëjnë të ndjehemi krenar për ta dhe gjurmët e tyre të ndritshme e fisnike. Kush nuk i njeh në botën arabe dhe islame dijetarët shkodranë Muhammed Nasiruddin El-Albani, Shejkh Shuajb El-Arnaut dhe Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, librat e të cilëve kanë mbushur bibliotekat islame bashkëkohore.
Fatkeqësisht, dekadat e kaluara nën regjimin ateist të imponuar nga Partia e Punës e Shqipërisë, bënë që shqiptarët të ndahen nga ky shpirt dhe kjo frymë, madje edhe të dëshmoheshin publikisht plot krenari dhe mburrje kundër saj.
Edhe këtu, nuk mund të harrojmë thirrjen e ez’heristit të ditur Hafiz Ali Kraja, që në vitin 1934 shkruante: “… lus vllaznit musliman të mos gënjehen me fjalët e bukra t’asaj pjesë pseudo-intelektualesh, pse qëllimi i këtyne âsht me dobsue konvikcjonin dogmatik në shpirtin e fetarve, e nuk janë fjalë të bazueme… mbi shkencë e filosofí”, duke sinjalizuar errësirën komuniste dhe një frymë faraoneske që po vërshonte drejt Shqipërisë për ta rrënuar e poshtëruar para mbarë botës…
Nuk duhet të harrojmë shkrimet e panumërta në gazetën “Jeta e re”, e simotrat e saj, ku shkruhej se: “Në vendin tonë rinia dhe mbarë populli, të edukuar nga partia me qartësi politike dhe ideologjike, u çuan në këmbë, po fshijnë nga jeta dhe ndërgjegjja mbeturinat e botës së vjetër dhe rreziku i fesë dhe paragjykimeve të saj është pakësuar…”!
Nuk duhet harruar zëri i kobshëm, që shëmtueshëm, thërriste se: “Për vazhdimin e luftës kundër ideologjisë fetare, shumë i vlefshëm do të ishte krijimi i një muzeu ateisto-shkencor në qytetin tonë. Hapja e një muzeu të tillë, për të cilin janë krijuar mundësitë, do t’i vlente jo vetëm qytetit dhe rrethit tonë, por edhe rretheve të tjera”.
Nuk duhet harruar dhuna dhe persekutimi ndaj hoxhallarëve tanë të nderuar, të cilët qëndruan me burrëri dhe plot besim para tundimeve femohuese. Janë të shumtë në numër, në shembuj konkretë e vuajtje.
Nuk duhet harruar se: “Me akuzën “dijeni për Lëvizjen e Postribës”, ishte arrestue edhe i forti Hafiz Musa Dërguti, për të cilin do t’u fliste, se kur kishte qenë në nji dhomë paraburgimi me Gjon Serreqin dhe i lidhun dorë për dorë me te, ishin pasë çue e ulë së bashku si të kishin qenë nji trup i vetëm, sa herë që gjatë ditës e natës t’i vinte vakti hafizit për me iu falë Zotit, si mysliman e si hoxhë që ishte”, ose:
“Po ashtu i mbështjellë nofullash me shami për mungesë mjekre edhe plaku tjetër Hafiz Musa Dërguti, që do kohë ma parë ia kishte la në gjak fytyrën nji polici, kur ai i kishte pasë derdhë ujtë e “abdesit” aty te truma, e që kur kishte kenë në Sigurim, i kishte pasë thanë nji shoku të dhomës: “Më kërkojnë me folë për priftën, dojnë me na përça, e nesër me thanë se u pushkatuen priftënt me dëshmitë e hoxhallarëve. U kam thanë bani çka të doni, se atë punë s’e baj kurr”.
“Në vitet 1943-1944, kur idetë komuniste u propaganduan në mënyrë më të organizuar, në qytetin e Shkodrës Hafiz Musai ishte ndër kundërshtarët më të vendosur. Ai në tubime të ndryshme, spontane apo dhe në xhami fliste për rrezikun e madh që do të sillte triumfi i komunizmit në Shqipëri”.
Kujtoj nga fëmijëria, se kur gjyshi im, Haki Hoxha (Sytari), fliste për mjerimin që kishte sjellë komunizmi për vendin dhe shqiptarët, kujtonte “mikun e shpís”, Hafiz Musa Dërguti, që në një prej ndenjave u kishte thënë se: “Enver Hoxha asht qafiri biddín!”.
Nuk duhet harruar dhimbja e hoxhallarëve të mëdhenj shqiptarë në mërgatë si Hoxha i jonë Vehbi S. Gavoçi, i cili dëshmon se: “Ndër artikujt e parë që kam shkruar është edhe “Asal- xhenneh” – (Shkopi i xhennetit), ku kam shkruar për Shqipërinë, vuajtjet që keni pësuar ju, vëllezërit e mi, pas vitit 1944.
I pari artikull i imi ka qenë për ju, për vendin tim. Pastaj, shumë kam shkruar për Shqipërinë nëpër revista, gazeta apo libra dhe jam munduar që të mos e harroj vendin tim, që më ka bërë nder të madh. Këtë e kam bërë që t’ia kthej atë nder të madh vendit tim me plot respekt.”
Kujtojmë me nderim të thellë prijësin e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Imam Vehbi Ismaili (1919-2008). Kontributi i tij atje është i gjithanshëm. Ai, jo vetëm që dha një kontribut të madh në organizimin fetar të myslimanëve shqiptar, por ishte edhe një prijës shqiptar që thërriste për harmoni e mirëkuptim në shërbim të interesave kombëtare.
Lidhur me këtë, ai shkruan: “Kur erdha në Amerikë, kjo shoqëri nuk kishte lokal. Morëm me qira një sallë në Institutin Internacional dhe menjëherë hapëm klasë, ku për çdo të diele nxënësit nga dy orë mësonin gjuhën shqipe, kurse një orë ndiqnin mësimin fetar. Këto paralele ekzistojnë edhe sot. Të gjithë fëmijët e lindur këtu mësuan të shkruajnë e lexojnë shqip”.
Imami i nderuar ishte modeli i prijësit që bashkonte shqiptarët dhe nxiste frymën e harmonisë. Shkruan: “Nuk ka rast të organizohet ndonjë drekë apo darkë e të mos ketë në mesin e besimtarëve myslimanë dhe besimtarë të fesë katolike dhe anasjelltas. Kjo bëhet për shkak se të gjithë klerikët janë të një niveli të lartë fetar e kombëtar. Të gjithë predikojnë dashuri e vëllazërim”.
Në këto ditë, kur sapo kemi përkujtuar 100 vjetorin e shtetit shqiptar, është e pamundur të mos qëndrojmë me respekt para kujtimit të elitës së dijetarëve myslimanë shqiptarë që u sprovuan në burgjet komuniste a në lirinë e tyre intelektuale, si:
Hafiz Ali Korça (burgosur në vitin 1945),
Hafiz Ibrahim Dalliu (burgosur në vitin 1946),
Hafiz Ismet Dibra, ish- drejtor i Medresesë së Përgjithshme, Tiranë (burgosur në vitin 1946),
Hafiz Sabri Koçi (burgosur në vitin 1966),
Dede Reshat Bardhi (internuar 15 vjet),
Haki Sharofi, ish-kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë” (burgosur në vitin 1946),
Jonuz Bulaj (burgosur në vitin 1946),
Vexhi Buharaja (burgosur në vitin 1946),
Ismail Muçej (burgosur në periudhën 6 shtator 1952 – 24 prill 1963),
Hasan Tahsini (burgosur në vitin 1947),
Baba Bedriu i Brerimës (ekzekutuar në vitin 1947),
Baba Hajro Progonati (ekzekutuar në vitin 1947),
Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit (burgosur në vitin 1945),
Hafiz Sherif Lëngu, ish-kryetar i Këshillit të Naltë të Sheriatit (burgosur në vitin 1945),
Hafiz Esat Myftia, ish-kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar (burgosur në vitin 1946),
Hafiz Musa Dërguti (burgosur në vitin 1946),
Hafiz Ali Kraja (burgosur në vitin 1945),
Imam Liman Shabani (vdekur në burg më 1945),
Imam Met Troci (vdekur në burg më 1947),
Sheh Ibrahim Karabunara (vrarë në burg më 1947),
Sheh Myslim Luma (vdekur në burg më 1953),
Baba Myrteza Kruja (vdekur në burg më 1945),
Imam Ahmet Hyseni (vdekur në burg më 1945),
Dervish Mehmet Verleni (vdekur në burg më 1947),
Xhemal Naipi (me vendim nr. 218, dt. 23.6.1947 të Gjykatës Ushtarake Shkodër është dënuar me privim lirie për jetë, me punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile e politike. Vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1955 në moshën 77 vjeçare, pa pasur familjarët dijeni as për varrin e tij),
Hafiz Sheuqet Boriçi (i vetë-izoluar në shtëpi deri në vdekje). Me shkrimin e dorës së tij, në gjuhën arabe, kam gjetur këtë shënim: “Ka thënë Imam Shatibiu (rahmet pastë): Atij që Kur’ani i zë gjuhën, do të arrijë të plotë shpërblimin e dhakirinëve”.
Hafiz Sabri Bushati (i vetë-izoluar në shtëpi në vitin 1967, në moshën 77 vjeçare deri në vdekje),
Molla Alush Zaganjori (i vetë-izoluar në shtëpi deri në vdekje),
Hafiz Vehbi Sulejman Gavoçi (u ndalua disa herë nga regjimi komunist për të vizituar vendlindjen e tij, Shkodër), etj. [38]
Në përfundim, unë jam i bindur se ajo çfarë kam paraqitur para jush është më e pakta e mundshme, për të vërtetuar e dëshmuar madhështinë e hoxhallarëve tanë të nderuar, që ia falën jetën misionit të shenjtë të edukimit të njerëzve me besimin e patundur në Zotin Një, si dhe u bënë shembulli më i mirë i praktikimit të këtij besimi në jetë, me dije, durim, përkushtim, harmoni e tolerancë.
Në kujtim dhe vlerësim të veprës dhe shembullit të tyre, Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ka botuar para pak kohësh vëllimin e parë të enciklopedisë: “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”. Jam i bindur se sa më shumë që lexojmë dhe hulumtojmë rreth gjurmëve të hoxhallarëve tanë të nderuar, aq më tepër bindemi për madhështinë e misionit të tyre dhe amanetin e shenjtë që lanë pas.
Ai amanet nuk mund të mbetet vetmitar në krahët e kohës… Është amanet i pastër që e trashëgojnë sërish zemra të pastra e të përkushtuara për t’i shërbyer misionit më të lashtë e më të shenjtë të njerëzimit…
Rahmete mbi shpirtrat e hoxhallarëve të Shkodrës, të mbarë kombit shqiptar!/ Memorie.al
Shkodër, më 27 nëntor 2012.
*Myfti i Zonës Shkodër













