Nga Imam Muhamed Sytari
Pjesa e parë
Memorie.al / Studimin tim do ta nis me lutjen e dijetarit të shquar shkodran, Hafiz Ali Kraja (1900-1973), botuar në librin e tij: “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, në të cilin shkruan: “I lutem të Madhit Perëndi që ta ruajë popullin shqiptar prej afetarizmit, që është një humnerë e rrezikshme për komb e atdhe! Amin.” Duke lexuar me vëmendje në ecejaket e historisë sonë kombëtare, mendoj se kjo është një ndër lutjet më të rëndësishme, me të cilat duhet të ishin pajisur shqiptarët në të shkuarën e tyre, e sidomos në të sotmen, për të shpëtuar nga “humnerat e rrezikshme”, në të cilat shpesh kanë rënë duke dëshmuar momente aspak të këndshme, shpesh edhe tragjike, sidomos në 100 vitet e fundit të kësaj historie.
Gjatë shekujve, kontributi i imamëve dhe hoxhallarëve të shquar të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, në drejtim të edukimit të brezave me besimin në një Zot të vetëm, me dije të gjithanshme, me përkushtim në jetë, me harmoni dhe tolerancë ndërfetare dhe vullnetin për të shërbyer për të mirën e atdheut të përbashkët, ka qenë jetik dhe me shumë vlerë.
Shfletimi i dokumenteve të botuara dhe të pabotuara, i dorëshkrimeve të vjetra dhe gjurmëve arkivore të lëna prej tyre, na bën të besojmë dhe të themi me gojën plot se kontributi i hoxhallarëve tanë të ditur, qëndron në themelet e formimit të një shoqërie shqiptare të qytetëruar, të ditur dhe thellësisht besimtare. Më lejoni që këtë studim ta zhvilloj nëpërmjet shembujve konkretë nga jeta dhe vepra e zotërinjve tanë, Hoxhallarëve të nderuar të Shkodrës.
Në vitin 1869, dijetari i shquar shkodran Daut Boriçi-zade (1825-1896), në librin e tij: “Abetare shqip”, shkruante se: “Shqiptari me mënyrën e shkronjave që kam kallzue në alfabetin shqip, brenda pak kohe mundet me shkrue gjuhën e vet”! Në vitin 1875, ai shkroi një tjetër: “Abetare e gjuhës shqipe me shkronja arabe” Studiuesit e abetareve shqipe, na bëjnë me dije se: “Daut Boriçi hyri në rolin e korifeut si didakt, si tekstolog dhe si organizator i arsimit popullor. Ai zuri në Veri këndin e trinomit që kishin plotësuar më parë Naumi në Jug dhe Kristoforidhi në kërthizë të Shqipërisë”.
Alfabeti shqip me shkronja arabe, natyrshëm përkthen orientimin e natyrshëm fetar islam të këtij dijetari të shquar, që në të vërtetë ishte orientimi i pjesës më të madhe të popullatës shqiptare dhe trendi i kohës.
“Nëse mbështetësit e alfabetit latin vinin në dukje një identitet evropian, një identitet shqiptar dhe një dallim kundrejt turqve, cili ishte pozicioni i partizanëve të alfabetit arab? Ajo që konstatohet menjëherë është se identiteti i parë që ata vinin në dukje ishte identiteti fetar mysliman. Në fakt, alfabeti arab ishte pazgjidhshmërisht i lidhur me frymën e Kur’anit…”.
Në abetaren e tij të vitit 1869, (për të cilën kam kontribuar personalisht në transkriptimin e disa fjalive, në shërbim të punës së dy studiuesve të saj, Shefik Osmani dhe Njazi Kazazi), Daut Boriçi jep disa këshilla me vlerë, në formën e mesazheve, si: “Mos rri pa punë, Shko n’shkollë, Mos prito, Ndigjo këshillat e mira, Kur t’flasësh, mendo; Mos rrej, etj”, sikurse porosit: “në mënyrë urdhërore: Xen me shkrue shqip”!
Gjatë hulumtimeve, kam gjetur të shkruar me dorën e këtij njeriu të ditur edhe urtësi të shumta, që vlejnë në jetën e shqiptarëve, si: “Shkrimi ngelet në libër, ndërsa autori shkrihet në dhé”, “Mëso o bir, se injoranca është turp. Atë s’e pranon veçse gomari”, “Thotë Resulull-llahi (s.a.v.s): Ai që vdes në rrugën e kërkimit të dijes, vdes shehid”, etj.
Ky njeri i ditur, shembullin e tij të modestisë e dëshmon edhe në shënimet personale në librat e bibliotekës së tij, në të cilët kam gjetur edhe këtë shënim: “U rreshtua në rrjetin e posedimeve të mia, ndërsa unë jam i varfëri për të Vetmin, shkodrani, Boriçi-zade Daudi, i biri i Haxhi Mustafasë. I faltë të dy! Viti 260 h.” Vula.
Akoma sot, nuk dimë se ndonjë shkollë a institucion arsimor në Shkodër, a përtej saj, të ketë emrin e nderuar të këtij dijetari dhe edukatori të nderuar, gjurmët e të cilit na bëjnë të ndjehemi edhe ne krenarë.
Rrugën e Daut Boriçit, në shkrimin e shqipes me shkronja arabe, në kohën kur ato ishin shkronjat me të cilat shkruhej gjuha e perandorisë më të fuqishme të botës, e kanë ndjekur edhe hoxhallarë të tjerë të nderuar të Shkodrës dhe përtej saj.
Në mesin e tyre dua të përmend Hafiz Jusuf Këlmendin (1876-1943), që la pas një libërth me “Ilahina shqip”, në brendësinë e të cilave shpjegohet se janë: “Rreshtue prej Haxhi Hafiz Jusuf Këlmendit, Imami xhamis Perashit poshtëm, n’ Shkodër”. 32 faqe, pa vit e vend botimi. Ajo përbëhet nga pesë ilahi në gjuhën shqipe me shkrim arab dhe përmban 343 vargje, të ndara në 171 strofa dhe një varg.
Në disa prej ilahive të tij, ai porosit për pastërti nga gabimet duke nxitur moralin e pastër islam: “Tâ- Tahir banu ej rob – pej gjynahesh po shpëton / Ke me dék me hí në grôp – zban aty dobi pendim”. Ai lutet për shpëtimin tonë nga krejt armiqtë, duke thënë: “Ja rabbi mi ne ban rahmet – për hurmet alejhi selamit / Me na dhanun selamete – bytyn ne ehli islamit / Un i mjeri nji garíb – emni im Haxhi Jusuf / Anmiq’ tôn bani rezíl – gjithmôn leni n’teesuf”.
Kontributi i hoxhallarëve tanë në ndërtim të një shoqërie plot virtyte besimi, dije dhe thellimi në shkencat e ndryshme janë të shumtë. Mjafton që kur përmenden hoxhallarët e Shkodrës, mendja të shkon menjëherë te bibliotekat e shumta me libra të panumërt, në shkenca të ndryshme e dije pafund.
Kur flitet për Medresenë e Pazarit në Shkodër, thuhet se ajo ishte: “një qendër e vjetër ku mësohej feja, kultura islame dhe atdhedashuria… Kjo medrese ka pasur një bibliotekë të pasur me vepra fetare, letrare dhe shkencore…”!
Theodor Ippen (1861-1935), konsull i përgjithshëm i monarkisë austro-hungareze në Shkodër në vitet 1897-1904, në studimet e tij kujton se: “Në Pazar ndodhet një shkollë teologjike, medrese, e cila përbëhet nga një ndërtesë kryesore, nga disa kioska të hijshme por të lëna pas dore dhe nga një ndërtesë e veçantë për bibliotekën”. Studiuesit shkruajnë: “Dihet se këtu në Shkodër ka ma se 25.000 (njëzetepesëmijë volume vetëm në gjuhët klasike orientale)”.
Kujtojmë Jusuf Tabakun (1797-1904), biblioteka e të cilit thuhet se “kishte rreth 2000 libra të inventarizuar e të vulosur me etiketë përkatëse”. Në lidhje me madhështinë e kësaj biblioteke dëshmojnë studime dhe botime, ku vlerësohet pasurimi i saj me libra të ndryshëm nga shkenca e lëmi të ndryshme, në gjuhë të ndryshme.
“Bibliotekat t’ona para disa kohëve nuk qenë ato të sodmet. Ato se kan pasë rregullin e këtyne të sodmeve, dhe s’kan muejt me vieft sa vlejn këto të sodit…! Na po rreshtojmë këtu posht bibliothekat Muhamedane që gjenden në Shkodër… si mbas randsis që kanë: 1. Bibliotheka “Kllyçi”… 2. Bibliotheka e “Vakftit”… 3. Bibliotheka “Myftija”… 4. Tjera bibliotheka private…”.
Bibliotheka private qe sot për sot tërhjek admirimin ma të madh prej të vjetërve, prej klerikve, studjozave e shum turistave që merren me çmime objektesh orjentale, asht ajo që u ndërtu këtu e 200 vjet ma parë, instalue për të parën herë pran kalas, e sot pran xhamis Plumbit në Qafë: e thirrun bibliotheka ‘Kllyçi’ si mbas mbiemnit të atij që e themeloj (Hasan eff. Kllyçi)… Hasan eff. Kllyçi qe kadi në Shkodër dhe nji ndër të parë hafiza t’onë… Sot bibliotheka ‘Kllyçi’ kalon shumën 2000 (dy mi) volumesh të mdhaj në nji gjendje të mirë…”.
Një pjesë e mirë e këtyre librave dëshmohet të jenë shkruar me dorë, të kopjuar nga origjinalet. Për këtë kam gjetur disa shënime me shkrimin e dorës së tij, ku shënohet: “Posedues me anë të shkrimit, Jusufi Siddik, Myderrizi dhe Myftiu i qytetit Shkodër. E faltë (Zoti)”. Ky shënim shoqërohet edhe me vulën e tij personale.
Në njërin prej këtyre librave, të kopjuar me shkrimin e dorës së Hirësisë së Tij, shkruhet: “E shkroi Jusufi Siddik, Myderrizi dhe Myftiu i Shkodrës. All-llahu e faltë atë dhe prindët e tij. 26 Shevval 1286, nata e shtunë, pas akshamit”.
Fatkeqësisht, gjaku mesjetar në venat e njerëzve-hije, bëri që në fundvitin 1998, shtëpia ku këta libra pushonin, pas lëngatës së gjatë nën hirësitë e sistemit komunist, të digjet e tëra, duke u djegur kështu një ndër thesaret më të çmuar të kulturës dhe të diturive të lashta në Shkodër, biblioteka e Jusuf ef. Tabakut…! Sepse është në natyrën e njerëzve-hije të vjedhin, të djegin, të shkatërrojnë librin e bibliotekën, ata nuk mund të bashkëjetojnë asnjëherë më njëri-tjetrin!
Këtu më vjen ndër mend rrëfimi i hidhur i Hoxhës plak Hafiz Musa Hoxha (1926 – jeton), që teksa tregon për momentin e dhimbshëm të konfiskimit të librave që kishte në posedim, thotë: “Katër kintal qitabe m’i kanë marrë, megjithëse jam mundu me i fshehë disa…! Kur m’i dogjën librat e bibliotekës, njitu para fshatit, arrita të shpëtoj këto copa…! U thoja njerëzve: Më ndihmoni t’i shpëtoj librat e mi..!”
Nuk ka dyshim se kush ka lexuar sadopak për hoxhallarët e Shkodrës, ka vërtetuar lidhjen e tyre pas librit dhe dijes, saqë në shënimet e Hasan ef. Podgoricës, prej të cilit ka marrë ixhazet Hafiz Halid Bushati, që ishte muxhizi i Hafiz Jusuf Këlmendit, kam gjetur këtë shënim anësor, në gjuhën arabe: I tha Es-Sejjid Esh-Sherif El-Xherxhani, Imam Teftazanit, në vargje:
“Mos e ndalo librin që hua të kërkohet,
Kopracia për njeriun turp është!
A s’e ke dëgjuar hadithin që transmetohet,
Shpërblimi i kopracisë tek All-llahu, zjarr është!?”
Edhe Imam Teftazani ia ktheu në vargje:
“O ti kërkues i librave, lermë,
Se huazimi i të dashurit, turp është!
I dashuri im në këtë botë, libri është,
A ke parë që i dashuri hua jepet!?”
Kujtojmë Hafiz Ibrahim Repishtin (1882-1943), për bibliotekën e të cilit shkruhet se: “ka numëruar rreth 2000 vëllime ku ka pasur kopje unikale librash…”./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













