• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, August 20, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Lidhur me grevën e Sindikatave, i dhashë udhëzimet kryeministrit Fatos Nano, por ne s’duhet ta ndërpresim veprimtarinë tonë komuniste…”/ Zbulohet raporti i Ramiz Alisë, në mbledhjen e Byrosë, 11 prill ‘91

“Në Tiranë kemi 15 mijë kërkesa për strehim, 6 mijë janë në rrezik shembjeje, janë liruar edhe nga burgjet, më erdhi Liri Belishova me Halim Ramohiton…”/ Fjala e Llambi Gegpriftit në mbledhjen e Byrosë, 6 mars ‘91
“Lidhur me grevën e Sindikatave, i dhashë udhëzimet kryeministrit Fatos Nano, por ne s’duhet ta ndërpresim veprimtarinë tonë komuniste…”/ Zbulohet raporti i Ramiz Alisë, në mbledhjen e Byrosë, 11 prill ‘91
“Lidhur me grevën e Sindikatave, i dhashë udhëzimet kryeministrit Fatos Nano, por ne s’duhet ta ndërpresim veprimtarinë tonë komuniste…”/ Zbulohet raporti i Ramiz Alisë, në mbledhjen e Byrosë, 11 prill ‘91
“Lidhur me grevën e Sindikatave, i dhashë udhëzimet kryeministrit Fatos Nano, por ne s’duhet ta ndërpresim veprimtarinë tonë komuniste…”/ Zbulohet raporti i Ramiz Alisë, në mbledhjen e Byrosë, 11 prill ‘91
“Pas vizitave te familjet e të vrarëve të 2 Prillit, shkuam te Teatri ‘Migjeni’ ku u fol për Fishtën, por kur dolëm, nja 20 a 30 veta, filluan ta shanin Ramizin dhe ai…”/ Dëshmia e rrallë e shoferit të Ramiz Alisë
“Lidhur me grevën e Sindikatave, i dhashë udhëzimet kryeministrit Fatos Nano, por ne s’duhet ta ndërpresim veprimtarinë tonë komuniste…”/ Zbulohet raporti i Ramiz Alisë, në mbledhjen e Byrosë, 11 prill ‘91
“Edhe pse Ramiz Alia, nuk mori pjesë në mbledhjen e Katovicës që u zhvillua në 1987-ën, në Tiranë, ka mbërritur letra e Gorbaçovit, e cila kishte…”/ Dëshmia e rrallë, e ish-sekretarit të Alisë
“Lidhur me grevën e Sindikatave, i dhashë udhëzimet kryeministrit Fatos Nano, por ne s’duhet ta ndërpresim veprimtarinë tonë komuniste…”/ Zbulohet raporti i Ramiz Alisë, në mbledhjen e Byrosë, 11 prill ‘91
“Më 2 prill ‘91, kujtoj të bijën e artistit të madh Gjok Vata e cila bëri një akt heroik: kërceu mbi tankun që Dega e Brendshme kishte sjellë aty dhe…”/ Dëshmia e studiuesit të krimeve të komunizmit
“Lidhur me grevën e Sindikatave, i dhashë udhëzimet kryeministrit Fatos Nano, por ne s’duhet ta ndërpresim veprimtarinë tonë komuniste…”/ Zbulohet raporti i Ramiz Alisë, në mbledhjen e Byrosë, 11 prill ‘91

Nga DASHNOR KALOÇI

Pjesa e parë

Memorie.al / Kur nuk kishin kaluar veçse dhjetë ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit dhe dy forcat kryesore politike, Partia e Punës dhe Partia Demokratike, së bashku me aletatët e tyre, të dala nga ato zgjedhje, ishin në prag të hapjes së Kuvendit të parë Popullor pluralist, Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, me në krye sekretarin e përgjithshëm të saj Ramiz Alia, (njëkohëssht mbante edhe postin e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë), më datën 11 prill 1991, zhvilloi një mbledhje të gjatë, ku përveç ngjarjeve të 2 prillit në qytetin e Shkodrës, që ishte dhe pika e parë e rendit të ditës, diskutoi edhe për problematikat që po shfaqeshin me çeljen e seancës së parë të Parlamentit të parë pluralist, gjë e cila ishte një ngjarje tejet e veçantë, pasi ajo gjë ndodhte për herë të parë pas 45 vitesh të sundimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia.

Siç do të shohim dhe nga proces-verbali në fjalë mbi zhvillimin e kësaj mbledhje të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, aty janë marrë në shqyrtim dhe janë diskutuar disa nga problemet më radikale të dramës politike që po kalonte Shqipëria në pranverën e vitit 1991, ku zbulohen qartë edhe prapaskenat e pushtetit komunist në fuqi me në krye Ramiz Alinë, që ishte në grahmat e fundit dhe po përballej me rënien e tij të pashmangshme, por me ngjarjet e përgjakshme siç ishin ato të 2 prillit në qytetin e Shkodrës, si dhe me sfidat e panjohura të pluralizmit politik.

Gjithashtu mund të lexoni

“Kur m’i dogjën librat e bibliotekës, njitu para fshatit, arrita të shpëtoj këto copa dhe thoja njerëzve: më ndihmoni t’i shpëtoj librat e mi…”/ Historia e panjohur e Imam Musa Hoxhës të Shkodrës

“Në 1959, Adem Demaçi e ka pranuar para hetuesëve, se u kishte sugjeruar shokëve për të vrarë Dushan Mugoshën dhe Fadil Hoxhën e, pas atentatit, t’u vihej një…”/ Ana e panjohur e ish-udhëheqësit të Kosovës

Sa më sipër, ky dokument arkivor hedh dritë dhe ndriçon tre çështje kyçe që po trazonin kupolën drejtuese të vendit në ato ditë kritike: ku pjesa më interesante është ajo që lidhet me “arkitekturën” politike që po projektonte PPSH-ja, për Kuvendin e Ri, ku kishte 54 agronomë e 35 mjekë. Diskutimet për ndarjen e komisioneve parlamentare, studimi i përvojës bullgare, propozimi i figurave të reja si Kastriot Islami në krye të parlamentit, si dhe përgatitjet për përballjen me opozitën e re (Partinë Demokratike), zbulojnë qartë të gjitha përpjekjet dhe demarshet që po bënte PPSH-ja ende në fuqi, e cila po përpiqej të ruante kontrollin e pushtetit përmes procedurave kushtetuese dhe diplomacisë parlamentare.

Dokumenti në fjalë publikohet i plotë duke ruajtur të gjithë dinamikën e fjalimeve, terminologjinë e kohës dhe ndërhyrjet e anëtarëve të Byrosë Politike, duke filluar nga kreu i saj, Ramiz Alia, e me radhë Xhelil Gjoni, Adil Çarçani, Hekuran Isai, Spiro Dede e të tjerë. Po kështu me mjaft interes janë edhe diskutimet e krerëve më të lartë të PPSH-së, jo vetëm ndaj emrave të forcës së tyre politike që ata po përzgjidhnin në krye të qeverisë, instuticioneve kushtuetuese apo grupit dhe komisioneve parlamentare, si; Fats Nano, Haxhi Lleshi, Llambi Gegprifti, Ismail Lleshi, Petro Dode, Fehmi Avdiu, Çun Jonuzi, Ajli Alushani, Kleanthi Koçi, Pëllumb Kapo, Lush Përpali, Tahir Elezi, Lefter Xhuveli, Bilbil Jaupi, Lutfi Dautllari, Fatmir Zaloshnja, etj., por edhe me opozitën e kryesuar nga Partia Demokratike, ku ata flasin e diskutojnë me emra konkret, si p.sh. Aleksandër Meksi, Genc Ruli, Emin Myslu, Dhimitër Anagnosti, Petraq Kolevica etj.

Për më shumë rreth kësaj etj., na njeh dokumenti në fjalë i nxjerrë së-fundmi nga Arkivi Qendror i Shtetit Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që publikohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al, i cili në një farë mënyre tregon qartë të gjitha prapaskenat e tranzicionit shqiptar të asaj periudhe kohe, që padyshim përbëjnë disa nga ngjarjet më të rëndësishmet e Shqipërisë, që nga krijimi i shtetit, në 28 nëntorin e vitit 1912.   

PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE I MBAJTUR NË MBLEDHJEN E BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË 

Më 11 prill 1991

Rendi i ditës:

  1. Mbi ngjarjet e Shkodrës më 2 prill 1991
  2. Mbi qëndrimin ndaj kërkesave të sindikatave dhe organizatave e shoqatave që krijohen.
  3. Problemet që dalin për hapjen e Kuvendit të ri pluralist.

(Rendi i ditës nuk ishte shpërndarë më parë)

Mungojnë shokët: Pali Miska, Vangjel Çërava, Xhemal Dymylja.

ZHVILLIMI I MBLEDHJES 

SHOKU RAMIZ ALIA: Mendova të bënim këtë mbledhje të Byrosë për të diskutuar mbi gjendjen e këtyre ditëve dhe ç’detyra kemi përpara. Gjatë këtyre kohëve, siç jeni të tërë në dijeni, ndodhën ngjarjet e Shkodrës, ku u vranë tre veta, vdiq dhe një i katërt nga plagët që mori atë ditë; u dogj komiteti i Partisë i Punës të Shkodrës dhe, përgjithësisht, atje është krijuar një gjendje mjaft e vështirë.

Këto janë, sipas të dhënave që kemi deri tani, të cilat janë tepër kontradiktore, tepër të paplota, sepse hetuesia po punon, por me një stil shumë të ngathët. Siç duket, këto ngjarje ishin të provokuara. Aty, siç duket, ishte përgatitur me qëllim që të provokonin një incident, të cilin kundërshtarët tanë ta përdornin për të diskredituar partinë tonë. Dhe e dyta, për të krijuar një gjendje të nderë në Shkodër, duke synuar që ta konsiderojnë dhe Shkodrën si një bazë të veprimtarisë së tyre.

Ngjarjet kanë filluar në datën 1 prill, një ditë pas zgjedhjeve, kur turma njerëzish kanë dalë nëpër rrugët e qytetit të Shkodrës pa lejen e policisë, me parulla të ndryshme, sharje kundër partisë sonë, kundër zgjedhjeve, gjoja për falsifikim në zgjedhje etj. Kanë demonstruar rreth dy orë, pastaj në orët e vona të natës janë shpërndarë. Forcat e rendit nuk kanë kundërvepruar.

Ditën e dytë, më 2 prill, ngjarjet janë zhvilluar më ndryshe. Prapë janë bërë grumbullime të paligjshme, sidomos nga nxënës të dy shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës, me të cilët janë bashkuar dhe masa të tjera njerëzish. Kanë ndjekur po të njëjtën taktikë: parulla, sharje, fyerje, britma etj. Në këtë rast ka ndërhyrë policia për t’i shpërndarë me mjete force, pa përdorur armët. Por më vonë, kur masa ka filluar të qëllojë me gurë kundër policisë, kur është afruar afër komitetit të Partisë, policia ka përdorur dhe armët, ka qëlluar.

Në këto veprime, dikush para, dikush më pas, kanë mbetur të vrarë tre veta dhe janë plagosur një numër i madh njerëzish. Pas këtij veprimi, masa ka sulmuar drejt Komitetit të Partisë, policia është futur në Komitetin e Partisë, pastaj me një urdhër është larguar prej andej, kurse turma ka hyrë në komitet, i ka vënë flakën, ka hyrë kat më kat, ka nxjerrë ç’ka dashur për të nxjerrë, ka djegur çka dashur për të djegur, ka prishur çka dashur për të prishur.

Xhemal Dymylja ka dalë nga prapa dhe mur më mur ka shpëtuar, kurse të gjithë të tjerët kanë dalë nga dera e përparme. Turma nuk i ka ngacmuar kur kanë dalë Bukurie Cungu, Adem Golemi e punonjës të tjerë të aparatit. Mbasi kanë kaluar një pjesë rruge, i janë sulur Gjergj Grabovës, e kanë rrahur e kërdisur keq fort, pastaj dikush e ka marrë, e ka futur në shtëpi të vet dhe nga një shtëpi në tjetrën e shpëtuan.

Natyrisht, e tërë kjo histori krijoi një gjendje shumë të acaruar në Shkodër, kaq sa në varrimin e atyre të treve thuhet se kanë marrë pjesë dhjetra-mijëra njerëz të revoltuar për atë që ndodhi. Juve e keni parë dhe në axhanset që kjo ngjarje në botë bëri një efekt shumë të keq. Versioni i forcave të opozitës, sigurisht ishte sipas oreksit të saj, sikur tërë kjo gjurulldi filloi sepse u vra një nga drejtuesit e Partisë Demokratike nga dikush nga brenda i komitetit të Partisë, se plumbi i ka rënë në kurriz dhe plaga është përpara etj., etj. të cilat natyrisht nuk mundet t’i vërtetojë veçse hetuesia.

Hetuesia është duke bërë punët e veta, por, e thashë, mjaft të ngadalta, megjithëse duhet thënë se janë mjaft të vështira sepse ai thotë njëri nuk thotë tjetri, autopsi kufomës nuk i është bërë, se nuk kanë lejuar, njerëzit nuk flasin, vetëm thonë që “kam parë një njeri me flokë, tjetri një njeri pa flokë”. Natyrisht, ka vështirësitë e veta dhe hetuesia.

Sidoqoftë ky është bërë tani një nga problemet më të vështira të kohës. Mua më erdhën përfaqësues të Sindikatave të Pavarura të Shkodrës dhe të qendrës, m’i shtruan këto çështje, siç më kanë ardhur dhe nga Partia Demokratike, kanë dërguar dhe protesta ku kërkojnë të hidhet dritë mbi këtë çështje, të gjenden shkaktarët e të tjera; Pastaj brenda në këtë histori ka sa të doni fantazira, sikur u zunë në komitetin e Partisë (së Punës) armë, mitraloza, frigoriferë me gjellë dhe rezervë ushqimore, që, si të thuash, zbukurojnë të tërë këtë histori.

Kjo ngjarje duhet sqaruar sipas të dhënave që do të kemi nga hetuesia. Deri sot është tepër e vështirë të sqarohet, se si thotë njëri nuk thotë tjetri dhe hetuesia akoma nuk ka arritur konkluzionet përfundimtare mbi këtë çështje, e cila tani është bërë, si të thuash, mollë sherri, se është e qartë që kërkohej dhe nga opozita për të krijuar precedencë për të acaruar situatat dhe për të krijuar probleme për të ardhmen. Në fakt e nxorën kokën dhe dje me dy evenimente.

Së pari, organizata e Sindikatave të Pavarura ka bërë një farë shkrese për Kryeministrinë, që ia dërgon për dijeni dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor, në të cilën shtron 17 kërkesa, një ndër të cilat ku kërkon të shtohen 50 për qind pagat e të gjithë kategorive të njerëzve. Vazhdon duke thënë që më 14 prill të jepet konkluzioni për ngjarjet e Shkodrës, për të cilat duhet të mbajë një qëndrim të përcaktuar radioja, televizioni, shtypi, të bëhet gjyqi i hapura për shkaktarët e kësaj ngjarjeje e të tjera, se ndryshe kjo organizatë do të përdorë të tëra mjetet demokratike, duke përfshirë dhe grevën. Me një fjalë të imponojë mendimet e veta.

Evenimenti i dytë që nxori kokën ishte në një takim që patën Spiro, Ismail Lleshi dhe Fehmi Abdiu, me Partinë Demokratike lidhur me përgatitjet për sesionin e ardhshëm të Kuvendit Popullor. Në këtë takim, mbasi biseduam mbi procedurën dhe masat që duhen marrë, me qëllim që të vemi në Kuvend bashkërisht për të mos patur diskutime të kota lidhur me procedurat si, kush do ta kryesojë mbledhjen, formula e betimit e të tjera, për të gjitha ranë dakord, por thanë që ka mundësi që ata të mos vijnë në Kuvend, në qoftë se nuk jepen konkluzionet për ngjarjen e Shkodrës.

Shokët u thanë që për ngjarjen e Shkodrës ka organizma të veçanta që merren dhe nuk ka kjo lidhje me Kuvendin prandaj ata duhet ta rishikojnë këtë qëndrim. E mbyllën takimin duke mos dhënë ndonjë mendim të prerë nga ana e tyre. Sipas pikëpamjes së shokëve (tanë) ndonjëri nga ata është i lëkundur, por, sidoqoftë, kanë thënë që kanë presion nga baza për këtë çështje, prandaj janë në vështirësi. Po unë mendoj që ky është një program, një plan i tyre, që të hapë telashe dhe probleme para nesh.

Nga e gjithë kjo, duke pasur parasysh dhe opinionin ndërkombëtar, unë mendoj se ne kemi për detyrë ta sqarojmë situatën, të cilën vetëm organet e caktuara ligjore mundet të na i sqarojnë, nuk ka si sqarohet ndryshe. Gjendja në Shkodër është disi më e qetë nga ç’ka qenë. Neve vendosëm që ta shpërndanit Komitetin e Partisë të Shkodrës, sepse ai nuk iu përgjigj këtyre situatave. Kjo shpërndarje e komitetit të Partisë të Shkodrës u bë, dërguam atje shokë nga aparati i Komitetit Qendror, Muharrem Xhafën dhe një tjetër, që të ndihmonin për të punuar atje.

U caktua në krye të Komitetit të ri, Shaqir Vukaj, shok relativisht i ri në Shkodër dhe shokë të tjerë, të cilët kanë filluar të punojnë me 12-13 veta sa kanë atje. Kanë filluar të marrin kontakt me organizatat e partisë, me komunistë të veçantë në qytet e në fshat.

Të nesërmen që kjo gjë u botua në gazetë, mua më erdhi Xhemal Dymylja dhe në një mënyrë shumë ashtu, në formë proteste, pse në gazetë “Zëri i Popullit”, u tha që u shpërnda Komiteti i Partisë në Shkodër, për shkëputje nga masat e popullit, është treguar i paaftë në këto situata etj., kur në Komitetin e Partisë nuk u tha kjo gjë. Domethënë tërë halli i Xhemal Dymyles ishte, pse në gazetë doli në këtë mënyrë, kurse pse në Shkodër është krijuar ajo situatë dhe praktikisht ajo nuk është nën kontrollin tonë, kjo nuk e preokuponte fare shokun Xhemal!

Të them të drejtën, për mua kjo ishte një deziluzion komplet, që tregon se deri ku vete egoizmi dhe shikimi personal i çështjeve në këtë kohë kaq të vështirë, kur individët, për mua, nuk kanë asnjë vlerë, duke përfshirë këtu dhe veten time. Sepse nuk është më çështja as imja as tëndja, por është një problem i madh kombëtar, një çështje më e madhe nga “imja”.

Fatkeqësisht ja që paskemi dhe në radhët tona, në nivelet më të larta, shokë që nuk pyesin fare se ç’bëhet në dynja, për retorikë dinë të flasin për interesin e përgjithshëm, kurse kur vjen puna, shohin vetëm interesin e tyre, asgjë më tepër. Unë i fola Xhemalit. U sqarua apo nuk u sqarua, nuk e kam të qartë as unë, po për mua nuk ka rëndësi fare të sqarohem në këtë çështje, sepse nuk ka dyshim që Komiteti i Partisë i Shkodrës dhe Xhemal Dymylja, kanë përgjegjësi të veçantë për këtë situatë që është krijuar.

Sigurisht, nuk mund t’ia vesh të tëra atij, ka dhe gabime të tjerë atje, por sot për sot ky është realiteti dhe ky realitet gjeti Xhemalin zbuluar. Sot në Shkodër gjendja është e tillë që nuk ka gjë në dorë, një njeri që punon është Tereza Marubi, askush tjetër. Duhet thënë që ajo u tregua burrneshë, ka marrë frenat në dorë, diti të manovrojë, të mbledhë përfaqësuesit e feve dhe partive të ndryshme etj., me qëllim që të vendosë rregullin e qetësinë në qytetin e vet, në një kohë që nga Komiteti i Partisë asnjë lloj ndihme nuk pati.

Megjithatë kjo nuk do të thotë se pushteti në Shkodër funksionon, nuk funksionon hiç, organet e Punëve të Brendshme janë për faqe të zezë, në kuptimin e plotë të fjalës. Atje nuk ka pushtet, njerëzit rrihen pazarit, policët nuk ka, qëllohen, policë s’ka; dalin njerëzit me kobure në brez, fshatarit i therin kafshët, mbushen muret me gjithfarë parullash, policë nuk ka.

Situata është jashtëzakonisht e vështirë nga kjo pikëpamje, megjithëse Muharrem Xhafa, kur e dëgjuam, sot tregohej optimist, po unë e kuptoj që optimizmi i tij është i lidhur me atë, pesimizëm të ditëve të para, kur në Shkodër nuk dilte njeri pazarit; kurse tani kanë filluar të dalin.

Gjendja në Shkodër duhet medoemos të përmirësohet, në radhë të parë, organet e pushtetit të fillojnë punën, kurse partia, për mendimin tim, atje do riorganizuar nga e para komplet, se kështu siç është kjo parti nuk vlen. Atje duhet marrë kontakt një për një me komunistët që të mund t’u përgjigjen këtyre situatave. Kjo është për sa i përket çështjes së Shkodrës.

Çështja e dytë e rendit të ditës:

“Mbi qëndrimin ndaj kërkesave të sindikatave dhe organizatave e shoqatave që krijohen”

SHOKU RAMIZ ALIA:  Lidhur me çështjen e parë (të dy momenteve të reja, grevës, në qoftë se nuk plotësohen 17 kërkesat dhe mospjesëmarrjes në Parlament) për të parën unë i thashë shokut Fatos (Nano, kryeministër), që të thërrasë ata të Sindikatave të Pavarura, me qëllim që të diskutojnë me ta, sepse duhet ndjekur rruga e diskutimit, e dialogut, me qëllim që të shkëmbejmë mendime dhe të evitojmë (ekseset).

Shokët tanë duhet të jenë të kujdesshëm, se, pavarësisht se si janë këto organizata, përgjithësisht unë do të shtroja një problem të këtillë: tani me pluralizmin po dalin si kërpudhat dhe do të dalin prapë, herë organizata, herë parti e herë shoqata të ndryshme, mirëpo kam përshtypjen se në të tëra këto po i quajmë armiqësore, kundërshtare dhe i lemë në fatin e tyre, deri organizatën “Çamëria”, ose Shoqatën e Miqësisë me Izraelin, me Amerikën etj.

Na duket sikur të tëra këto janë kundër nesh. Nuk është kështu, prandaj duhen qëndrime më korrekte dhe luftë e përpjekje për t’i tërhequr në anën tonë, se është tendenca për të nxjerrë shoqata të ndryshme. Ne jemi mësuar të ekzistojë një parti dhe të japë porosi ajo parti, po të mos japë porosi…! Pse? Tani nuk jep Partia porosi, atij i teket krijon një shoqatë. Ne duhet të mundohemi që t’i kemi nën kontroll ose të ndikojmë mbi to, jo t’i braktisim se për t’i braktisur është shumë e lehtë.

Këtu e kam fjalën dhe për organizatën e Sindikatave të Pavarura, të cilën, jo vetëm kam përshtypjen, po është fakt që Bashkimet Profesionale ekzistuese, i konsiderojnë armiqësore. Me siguri ato kanë pikëpamjet e tyre, janë kundër vendimeve të partisë sonë, me siguri, se dhe vetë kërkesat e peticionit tregojnë se nuk mund të thuash që janë në favorin tonë, ato bëjnë lojën e opozitës. Pavarësisht nga kjo, ne nuk duhet të pushojmë veprimtarinë tonë komuniste, me qëllim që këto organizata apo këta individë, t’i bëjmë për vete ose të ndikojmë mbi ta./ Mermorie.al

                                                    Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Kur m’i dogjën librat e bibliotekës, njitu para fshatit, arrita të shpëtoj këto copa dhe thoja njerëzve: më ndihmoni t’i shpëtoj librat e mi...”/ Historia e panjohur e Imam Musa Hoxhës të Shkodrës

Artikuj të ngjashëm

“Kur m’i dogjën librat e bibliotekës, njitu para fshatit, arrita të shpëtoj këto copa dhe thoja njerëzve: më ndihmoni t’i shpëtoj librat e mi…”/ Historia e panjohur e Imam Musa Hoxhës të Shkodrës
Dossier

“Kur m’i dogjën librat e bibliotekës, njitu para fshatit, arrita të shpëtoj këto copa dhe thoja njerëzve: më ndihmoni t’i shpëtoj librat e mi…”/ Historia e panjohur e Imam Musa Hoxhës të Shkodrës

August 19, 2026
“Në 1959, Adem Demaçi e ka pranuar para hetuesëve, se u kishte sugjeruar shokëve për të vrarë Dushan Mugoshën dhe Fadil Hoxhën e, pas atentatit, t’u vihej një…”/ Ana e panjohur e ish-udhëheqësit të Kosovës
Dossier

“Në 1959, Adem Demaçi e ka pranuar para hetuesëve, se u kishte sugjeruar shokëve për të vrarë Dushan Mugoshën dhe Fadil Hoxhën e, pas atentatit, t’u vihej një…”/ Ana e panjohur e ish-udhëheqësit të Kosovës

August 18, 2026
“Për 18 muaj, agjentët e Sigurimit me ndihmën e KGB-së, kishin transmetuar mesazhet mbi të cilat bazoheshin vendimet amerikane…”/ Si dështuan misionet për rrëzimin e Enver Hoxhës në vitin 1953
Dossier

“Për 18 muaj, agjentët e Sigurimit me ndihmën e KGB-së, kishin transmetuar mesazhet mbi të cilat bazoheshin vendimet amerikane…”/ Si dështuan misionet për rrëzimin e Enver Hoxhës në vitin 1953

August 18, 2026
“Kur kryepeshkopi i Greqisë Serafim, takoj në Athinë në ’93-in R. Karaxhiçin dhe ky donte t’i puthte dorën, kryepeshkopi i tha; unë duhet të puth këmbët e tua, pasi…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur  
Dossier

“Grekët jo vetëm që e realizuan dëshirën e tyre për çrrënjosjen e elementit shqiptar të Çamërisë, por me taktikën dhe metodën e tyre të zakonshme, bënë…”/ Çfarë shkruante gazeta “Dajti” në vitin 1924?

August 17, 2026
“Midis katundeve Mursi dhe Xarë, në Mallafre, Ndërmarrja Bujqësore Vrinë, vuri zjarr për djegjen e kullotave, por ai u zgjerua dhe u dogjën 15 vetë…”/ Zbulohet dokumenti sekret i 4 shtatorit 1974
Dossier

“Midis katundeve Mursi dhe Xarë, në Mallafre, Ndërmarrja Bujqësore Vrinë, vuri zjarr për djegjen e kullotave, por ai u zgjerua dhe u dogjën 15 vetë…”/ Zbulohet dokumenti sekret i 4 shtatorit 1974

August 17, 2026
“Bullgaria, si aleate e Gjermanisë naziste pushtoi një pjesë të Maqedonisë Vardare, dhe një pjesë të Maqedonisë së Egjeut (një pjesë vogël), me popullsi shqiptare, iu dha…”/ Refleksionet e ish-politikanit të njohur
Dossier

“Në rast që emigrimi do të vazhdonte me këtë vrull; ‘Kosovës mund t’i heqë 70% të banorëve’ nga 1.490.000 frymë sa kishte në këtë kohë në ‘Serbinë e Re’…”/ Ana e panjohur e shpopullimit të Kosovës në vitin 1914

August 17, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme