Nga Mërgim KORÇA
Pjesa e dytë
Memorie.al / Shtysa që na bën t’a kundrojmë periudhën historike përfshirë mes viteve 1939 – 1945 me një pamje të gjerë, të themeltë, përgjithësuese edhe tërësisht shkencore, kërkon që të ndriçohen e pastaj edhe të mbështetemi edhe në fakte historike jo vetëm lënë në harresë por edhe shtrembëruar qëllimisht nga historianët e periudhës së diktaturës. Prandaj detyrohemi t’a fillojmë analizën duke përcaktuar fillimisht kriteret bazë të mirëfillta shkencore lidhur me përdorim caqesh gjuhësore pa u a shfytyruar kuptimin atyre, pa le në vazhdim edhe të lejojnë interpretime të gabuara, (prirur nga shtysa karakteri ideologjie politike), të cilat nga ana e tyre në vazhdim çojnë pashmangshëm në përfundime krejtësisht të gabuara.
Rrebesh i vërtetë epitetesh nga më djallëzorët si edhe shpifjesh keqdashëse u lëshuan për dyzet’e shtatë vite me radhë mbi figurën e Mustafa Krujës duke filluar nga Enver Hoxha e ndjekur pastaj edhe nga e gjithë plejada e historianëve si edhe e letrarëve, pasues konformistë të tij. Mirëpo, ndërkohësisht Kosova, dashurinë si edhe veprimtarin’ e Mustafa Krujës në të mirë dhe interesin e saj kurrë nuk i harroi. I erdhe çasti tashti një paralelizmi për të njëjtin problem por.. me diktatorin, farkëtuesin e anatemimit të patriotëve të kulluar si tradhtarë e kolaboracionistë.
Enver Hoxha në një thirrje të tijën në vitin 1942 shprehet: “Tradhtari Mustafa Kruja po përpiqet t’ju ushqejë me gënjeshtrën dhe me demagogjinë e tij, t’ju flasë për një Shqipëri të Madhe
-, për një – Kosovë të çliruar –“. Kurse në vazhdim, në Plenumin e V – të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, më 21 shkurt 1946, Enver Hoxha tha: “Nuk e kemi drejtuar popullin tonë sa duhet drejt vëllazërimit të shëndoshë me Jugosllavinë, që është një konditë e domosdoshme për ekzistencën e vendit tonë”.
Vazhdojmë me një fakt skajshëm të trishtë: në muajin Korrik, po të vitit 1946, u mbajt mbledhja e Kuvendit të Jugosllavisë e cila miratoi aneksimin nga ana e Jugosllavisë Federale të Kosovës!
Në muajin gusht të vitit 1946, vetëm një muaj mbas aneksimit të Kosovës, u zhvillua në Paris Konferenca e Paqës. Atje delegacionit të Shqipërisë i u drejtuan disa pyetje sa i takonte qëndrimit të Shqipërisë ndaj atij aneksimi. Lidhur me këtë ju ftoj t’a gjeni e t’a lexoni fjalimin e Enver Hoxhës mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris, ku ai thotë shprehimisht: “Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë Jugosllavî”.
E nuk mbaroi me kaq, por më 15 dhjetor 1946 u zhvillua mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror. Sipas proçes-verbalit të mbledhjes që gjendet në dokumentet e ish Arkivit të Komitetit Qendror të P.P.Sh-së., gjatë fjalës së tij Enver Hoxha në atë mbledhje ka thënë: “Disa anëtarë partie duan të filozofojnë se mos thotë populli ç’bëtë me Kosovën…?! Ne do të ua shpjegojmë, kush nuk na kupton, ne do t’i luftojmë”. Në këtë atmosferë, me urdhrin e vetë Enver Hoxhës, i u dorëzuan vëllezërve si edhe drejtësisë jugosllave, një varg patriotësh shqiptarë si patrioti dhe gjuhëtari i shquar Prof. Selman Riza, nipat e Bajram Currit, Hajro e Shaqir Curri, e të tjerë në vazhdim, u gjykuan dhe u dënuan prej jugosllavëve.
Në vazhdim doemos do t’a zgjerojmë hedhjen dritë, bazuar në fakte dhe dokumenta arkivale ekzistuese, lidhur me kolaboracionizmin me kushte krejtësisht nënë-shtruese të zbatuar nga P.K.Sh.-ja si edhe qeveria shqiptare fillimisht ndaj Jugosllavisë Federale, (jo vetëm duke i a lënë Kosovën kësaj të fundit por edhe duke qenë e gatshme që Shqipëria të bashkohej me Jugosllavinë në kuadrin e Federatës Jugosllavisë), në vazhdim kundrejt Bashkimit Sovjetik e së fundi ndaj Kinës. Lé studiuesve si edhe analistëve, por edhe secilit lexues të vëmendshëm të fakteve të vërteta historike , nuk ka se si të mos u bjerë në sy se si në të tre rastet, në themel të këtyre bashkëpunimeve në plan të parë ishin vetë-qendërzimi dhe egoizmi paranojak i Enver Hoxhës, i vënë ky peng i interesave të partnerëve tanë pa i përfillur aspak interesat e Shqipërisë!
Ҫ’e bën akoma më të prekshme këtë dukuri? Duke e kundruar hullin e mbetur nga pas përgjatë 40 viteve diktature personale të Enver Hoxhës, (1945 – 1985), ndeshemi me një listë pambarim tradhtarësh, agjentësh si edhe kriminelësh bashkëpunëtorë fillimisht të Jugosllavisë, pastaj të Bashkimit Sovjetik, në vijim të Kinës e, së fundi edhe të imperializmit anglo – amerikan, të gjithë ekzekutuar ose kalbur burgjeve të diktaturës! E pra e gjithë kjo kategori të dënuarish ishin bashkëpunëtorët dhe mbështetësit më të afërt të Enver Hoxhës, i cili paska drejtuar për katër dhjetëvjeçarë vendin…i rrethuar veç nga armiq edhe tradhtarë të Shqipërisë socialiste duke qenë ai vetë patriot dhe internacionalist i kulluar!?
Mendoj se tashti i erdhi çasti një për-shkëndijimi përgjithësues vetë konceptit “kolaboracionizëm”, cak gjuhësor ky shum’i përgjithshëm dhe dendur i përdorur gabimisht. Prandaj si hap i parë duhet veçohen llojet e kolaboracionizmit, term i përdorur për të parën herë nga Mareshalli Philippe Petain i Francës. Petaini, heroi i Verdunit i Luftës së I–rë Botërore, e “rrezikoi” emrin e tij mbas pushtimit të Francës nga Gjermania, (gjatë Luftës II–të Botërore, por me pikësynimin e tij, që edhe e realizoi, duke shpëtuar ¾ e Francës nga shkatërrimi eventual prej ushtrisë gjermane. Pra, kolaboracionizmi i Mareshallit Petain, qé i prirur pozitivisht ndaj interesave franceze.
Me këtë rast nuk po hyj e t’a analizoj, se nuk është rasti, opinionin publik të drejtuar shtrembër nga Mareshali De Gaulle e gjithë sot i përgjithësuar, i prirë nga faktori vetë qendërzim i De Gaulle – it që e shkroi … historin e asaj periudhe për Francën dhe ndikoi në shtrembërimin e së vërtetës që kolaboracionizmi i Mareshallit Petain nuk qé në të mirën e Francës. E cekëm faktorin Ge Gaulle dhe qëndrimin e tij, vetëm e vetëm të vinim në dukje se si pozicionimi i tij ka qenë tipik; OPORTUNIZËM POLITIK, sepse ai iku nga Franca, u strehua në Anglí dhe…në fund të fundit u radhit me fituesit të cilët e shkruajnë gjithmonë historinë!
E kështu vetë-qendërzimi si edhe prirja të hidhte poshtë bëmat e gjithsecilit prej kolegëve të tij, (ai kishte qenë nxënës dhe nën komandën e Mareshallit Petain për-parandej), gjetën terrenin e përshtatshëm që ai, pa asnjë lavd të shkuar patriotik e duke qëndruar në hije e në pritje të zhvillimeve politike, të dilte në krye të Francës, së cilës mareshali Petain i blatoi të kaluarën e tij tamam legjendare duke e ditur dhe i ndërgjegjshëm se për të mirën e Francës i a vlente sakrifica e tij madhore!
Nga ana tjetër, diametralisht i kundërt me kolaboracionizmin e Mareshallit Philippe Petain, qé ai i i norvegjezit Vidcun Quisling, sa për një shembull! Po, vërtet, kolaboracionizmi i Quislingut ishte i prirë nga kundër-komunizmi i tij por ky i mbështetur, nga ana tjetër, thjeshtë nga egoizmi i tij për të qenë i pari i vendit të tij, ndonëse vetëm një javë mundi të ishte Kryeministër dhe i gjithë pushteti i tij u kufizua nga gjermanët, tek e drejta që i dhanë të nënë-shkruante me dorën e tij të gjithë dokumentet e depërtimit të hebrenjve nga Norvegjia! Ja ku e çoi egoja për pushtet Vidcun Quislingun: në një zbatues dënimesh me vdekje, dhe asgjë më shumë!
Po në Danimarkë, në të njëjtat kushte me Shqipërinë, ç’ngjau? Populli danez e kuptonte shquar se në bilancin total të asaj lufte mes gjigantësh, ndikimi i tyre në favorin e aleatëve do të ishte mikroskopik, i krahasuar me humbjet potenciale që do të pësonin, prandaj dhe u mbyllën në guaskën e tyre, bënë kompromise si edhe kolaboracionizëm me ushtrinë pushtuese gjermane, në favorin danez, …dhe pritën të përfundonte lufta. Mbas lufte, falë pjekurisë së drejtuesve edhe vetë popullit danez, kolaboracionizmin me gjermanët si edhe kompromiset që u arritën, u konsideruan veprime me rezultat konkret në favor të vendit.
E majta daneze, duke qenë se Partia Komuniste ishte nxjerrë jashtë ligjit, nuk pati asnjë iluzion t’i a ndryshonte drejtimin properëndimor vendit ku si pasojë ekonomia e tregut shënoi vazhdimisht suksese sa i takon rritjes së begatisë, dhe gjithashtu Danimarka u integrua që më 4 prill 1949 në aleancën perëndimore Atlantike NATO dhe që më 1 janar 1973 pranoi të bëjë pjesë në Tregun e Përbashkët Europian! (Të tepërta krahasimet me Shqipërinë).
Si mbas kësaj optike, e shqyrtojmë në vijim përdorimin e termit kolaboracionizëm nga ana e Partisë Komuniste Shqiptare. Përgjatë luftës, me këtë cilësor përçmues, anatemoheshin drejtuesit e shtetit shqiptar që morën poste drejtuese. Kurse në vazhdim, mbas lufte ata u pushkatuan ose u kalbën burgjeve, pavarësisht nga e kaluara e tyre skajshëm atdhetare por vetëm se të akuzuar si bashkëpunëtorë të pushtuesit! Kjo e përgjithshmja. E analizojmë tashti në rastin konkret të qeverisë drejtuar nga Mustafa Merlika Kruja.
Vetë kryeministri, në vazhdim të veprimtarisë së tij atdhetare, ishte bashkë – nënë-shkrues i dokumentit të pavarësisë, gjë e mbajtur fshehur nga historianët e kohës diktaturës. Mbas shpërndarjes së qeverisë kryesuar nga Imzot Fan Noli, edhe Mustafa Kruja mori rrugën e emigracionit politik. Nga që emri i tij nga historianët e diktaturës u njësua si shërbyes i fashizmit italian, për hir të së vërtetës, në vazhdim paraqesim disa përditësime dokumentesh arkivore:
Shkresa e ministrisë Jashtme të Italisë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë më 25 gusht 1933, firma e palexueshme thotë: …Mustafa Kruja ankohet së rishmi për kontrollin që ushtrohet nga ana e autoriteteve lokale të policisë ndaj letërkëmbimit të tij…! E shikojmë të arsyeshme që ky kontroll të zbatohet me përkujdesje më të madhe…dhe Krujës mos t’i jepet përshtypja se konsiderohet i dyshuar nga ana e jonë.
Shkresa e ministrisë Punëve të Brendshme drejtuar ministrisë Jashtme të Italisë më 2 prill 1939, firma e palexueshme, thotë: …sa i takon të lartpërmendurit, (Mustafa Kruja), që ka ardhur për arsye shëndetësore…i nënë-shtrohet një mbikëqyrjeje të kujdesshme dhe shumë të fshehtë.
Po atë ditë i kishte kërkuar Mustafa Krujës takim Giuseppe Giro – ja në emër të Mussolimit. Gjatë takimit ai i thotë se ishte i ngarkuar t’a vinte në dijenin se lidhur me marrëveshjen e ndërsjellë, Duce – ja i kishte bërë nja dy ndryshime të vogla kësaj të fundit. Mustafa Kruja flakë për flakë i’u përgjigj se; “marrëveshjet e nënshkruara zbatohen pikë për pikë, siç janë formuluar. Në qoftë se Mussolini donte të bënte ndryshime… atëbotë Zogu le të qëndronte edhe 100 vite në fronin shqiptar”!
Kaq sa për një hedhje drite fluturimthi pozicionimeve të ndërsjella, pala italiane – Mustafa Kruja.
Po ana tjetër e medaljes Mustafa Kruja? Në dhjetor 1941 e mori detyrën si kryeministër Mustafa Kruja dhe më 23 prill 1942, flamuri shqiptar mori formën zyrtare pa sëpatat e Liktorit dhe pa nyjën e Savojës, pra flamuri siç ishte para pushtimit italian! Këtë fakt e përshkruan Galeazzo Ciano – ja në kujtimet e tija. Mustafa Kruja qeverisë italiane i a kishte paraqitur pikësynimin e tij që…”E dua Shqipërinë në kufijtë e saj natyrorë”! Në gjendjen e asaj kohe lufte, Ciano – ja i a pati konfirmuar Mustafa Krujës edhe bashkimin, veç Kosovës, të Plavës edhe të Gucisë! Pra në këtë kuadër mbetej të realizohej edhe dëshira tjetër e kryeministrit, bashkimi i Ҫamërisë me Shqipërinë Mëmë.
Tejet emblematike qé edhe fjala e Mustafa Krujës e 22 nëntorit 1942, kur ai u shpreh botërisht në Teatrin “Savoia”, se vetëm duke e respektuar pavarësinë e plotë të Shqipërisë, ajo (Italia – M.K.) do të gjente tek shqiptarët miq dhe vëllezër për jet’edhe vdekje. Përgjatë kësaj hullie nuk mundem të mos e vlerësoj lart edhe mendësinë në bazë të së cilës Mustafa Kruja i përzgjodhi edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, anëtarët e qeverisë “Kruja”. Ministër i Punëve të Brendshme u emërua Dr. Mark Gjomarkaj, jurist dhe bir i derës së shquar atdhetare të Gjomarkajve, i njohur edhe si kundra – italian. Ministër i Financave u ngarkua Shuk Gurakuqi, ekonomist me emër, i shquar si burr’i ndershëm e me karakter dhe i njohur si edhe kundra – italian.
Ministër i punëve Botoreu caktua Iljaz Agushi, kosovar. Atdhetar me emër, dhe kundra – italian, me përvojë jete politike në Kosovë. Ministër i Partisë Fashiste u emërua Jup Kazazi, kundra – italian i njohur. Ministër i Drejtësisë u caktua Hasan Dosti, jurist i shquar dhe i njohur si kundra – italian, për të cilin Naxhije Dume, njëra nga zyrtaret e larta të P.K.Sh.-së në një intervistë të sajën lidhur me Hasan Dostin pas luftës, pati deklaruar…: “Ministri i Drejtësisë Hasan Dosti, i dinte mendimet si edhe veprimet tona antifashiste, mendime këto që, me sa vija unë ré atëhere, ministri i kishte edhe mendime të veta”.
Ministër i Arsimit qé Xhevat Korça. Kundra – italian i njohur e prandaj emërimi i tij u miratua më së fundi nga Luogotenenza, jo pak, por tre muaj mbasi Qeveria Kruja e kishte filluar veprimtarínë e saj, edhe kjo falë këmbënguljes së kryeministrit Mustafa Kruja, që nuk pranonte ministër tjetër veç tij. Luftëtar i çetave të Themistokli Gërmenjit, si edhe të Spiro Bellkamenjit. Themelues dhe drejtor i parë i Gjimnazit të Shkodrës. Kur i propozuan t’a udhëhiqte dikasterin e Arsimit, vuri dy kushte: 1 – Të hiqej gjuha italishte nga programet e shkollave fillore të Shqipërisë, dhe 2 – Të liroheshin menjëherë nga burgjet ose internimi të gjithë arsimtarët e akuzuar si anti – italianë.
Në Arkivin Qendror të Shtetit ekziston edhe një dokument i nënë-shkruar nga gjenerali Dalmazzo, kryekomandant i forcave italiane në Shqipëri, ku urdhëroheshin të gjitha prefekturat sa herë që në to të shkonte ministri i Arësimit Xhevat Korça, të survejohej nga afër se ishte me prirje komuniste! Pa e zgjatur shumë listën, ndalemi tek figura e shquar e atdhetarizmës shqiptare, Qazim Koculit i cili u caktua ministër pa Portofol. Koculi ishte një kundra – italian i njohur e që u shqua veçanërisht gjatë Luftës së Vlorës të vitin 1920. Mbas dorëzimit të ultimatumit tërheqjes forcave italiane gjeneralit Piacentini, me ç’rast ai nuk pranoi të largoheshin trupat e tija nga baza detare e Vlorës, Koculi i udhëhoqi forcat vullnetare sulmin kundra trupave italiane, e cila luftë përfundoi me fitoren e vullnetarëve shqiptarë duke i hedhur në det italianët!
Dy fjalë tashti rreth vrasjes së Qazim Koculit, (me pak informacion që mbase nuk dihet, sepse përgjatë diktaturës komuniste, historianët konformistë, edhe udhëheqjen e forcave vullnetare i a atribuuan Selam Musait, i cili vërtet qé njëri nga dëshmorët e asaj lufte, po kurrsesi drejtuesi ushtarak i saj). U vra Qazim Koculi e bashkë me të edhe fatkeqi prefekti i Vlorës. (udhëtar i rastësishëm), Lele Koçi. Kush i vrau? Nuk ka rëndësi dorasi, por i shtyrë nga një dibran, njëri prej shërbëtorëve ordinerë të italianëve. Motivi, cili qé?! Për këtë duhet shkuar thellë në vite, e pra më 6 korrik të 1920 – ës, kur forcat italiane u hodhën përfundimisht në det dhe krahina e Vlorës u çlirua, duke i’u bashkuar Shqipërisë së 1912-ës.
Atë ditë, e theksoj, pikërisht atë ditë, Benito Mussolini u shpreh si vijon:…Kam qarë më shumë sot për këtë humbje tonën nga ana e shqiptarëve, se sa kur e pësuam humbjen e Caporettos (25 tetor 1917) nga forcat Austro – Hungare dhe Gjermane (gjatë Luftës së I-rë Botërore të 12 betejat përgjatë lumit Isonzo – shënim M.K.)! Kurse më 28 tetor po Mussolini shkruan një artikull me titullin “AMARISSIMO” (“Skajshëm i hidhur” – shënim M.K.), ku shpjegon se si humbja e Caporettos Shqiptare është shumë, shumë më e rëndë se sa ajo mes lumenjve Isonzo si edhe Piave–s.
Pikërisht duke e mësuar këtë pozicionim të Mussolinit, udhëheqësit fashistë të Italisë, kuptohet qartë pse qeveria e Mustafa Krujës u pengua deri në atë masë nga ana e Luogotenenzës në kapjen, gjykimin si edhe dënimin e organizuesve si edhe autorëve të vrasjes së Qazim Koculit, (ndaj të cilit u shkarkua mbas dy dhjetëvjeçarësh hakmarrja e Duce–s, sa që kryeministri Mustafa Merlòika Kruja, duke e ndjerë veten të pafuqishëm të dënoheshin vrasësit e Qazim Koculit, ministrit pa portofol të qeverisë së tij, i paraqiti Francesco Jacomonit dorëheqjen e pakontestueshme të qeverisë Kruja!
Përgjatë kësaj hullie nuk mund të lihet pa u vënë në dukje një moment tejet kuptimplotë nga jeta e kundra – italianit Qazim Koculit, të cilit, historianët komunistë, mbështetës të ideologjisë partiake komuniste, nuk i a kursyen cilësorët kolaboracionist, fashist, tradhtar e shto të shtojmë. Kur Qazim Koculi e pranoi postin e ministrit pa portofol në qeverinë Kruja, miku i tij Sadik Shaska i’u drejtua jo pa mllef, duke i a vënë në dukje pakënaqësi’ e tij lidhur me atë vendim. Është tamam simbolike përgjigja që ai mori nga Koculi, “kolaboracionisti dhe tradhtari”, sipas komunistëve: “Si t’a merr mënja tinë, more Sadik miku, se unë mund të bashkëpunoj me kulishët e atire q’i huadhtim në det në ‘20 – ën? Unë jam ai që qesh’edhe atëherë. Për të lëftuar sot armiqtë t’anë na duhen arm’edhe xhephané. Mot t’isha komisar i lart’i qeverisë, nuk i mbushja dot di vende të mbështeta, njërin në Trubull të Karbunarit e, tjatrin në Shpellat e Beunit! Me këto do t’i luftojëm italanët, mblidhe mënjen o Sadik”!
Mbas Qazim Koculit do të trajtojmë shumë sipërfaqësisht edhe dy anëtarë të tjerë të Qeverisë “Kruja”, pikërisht ata dy ministra, respektivisht njeri i dikasterit të Partisë Fashiste e, tjetri i atij të Drejtësisë. E fillojmë me Jup Kazazin, ministri e Partisë Fashiste. E zgjodhi kryeministri Mustafa Kruja për atë post, pikërisht nga ndjenjat e tija atdhetare dhe kundra – italiane që ai dikaster të mbahej larg ndikimit italian në të. E njëjta gjë edhe me dikasterin e Drejtësisë, ku ministër u përzgjodh atdhetari dhe ndër juristët më me emër të Shqipërisë, Hasan Dosti. Kur u arrestuan në Tiranë Hamit Mëzezi, Nikolla Tupe dhe Ferid Xhajko, (pa u degëzuar fare në akuzat që i bëhen Enver Hoxhës si denoncues i tyre), dy ministrat e e sipërpërmendur, kur ata tre komunistë u dënuan nga gjykata me vdekje, në shenjë proteste dhanë dorëheqjen e tyre nga dikasteret që drejtonin.
Në vazhdim Jup Kazazi u hodh në ilegalitet me forcat e ‘Ballit Kombëtar’ dhe në fundin e muajit gusht 1943, udhëhoqi forcat e Ballit dhe të Legalitetit që përbënin mbi 900 luftëtarë nacionalistë, me të cilët u bashkuan edhe 25 partizanë të Batalionit “Perlat Rexhepi”, (inventarin e trupave e ka pas dokumentuar major Zenel Kazazi) dhe u shkaktuan një humbje të bujshme forcave italiane në luftën e Reçit. Historianët komunistë luftën, si dhe fitoren e asaj lufte, i a kushtojnë forcave partizane e këta të vetëm, u paskan shkaktuar humbjen e bujshme forcave italiane prej 2400 ushtarësh italianë !(?) Pra, sipas këtyre shkencëtarëve, lé që nuk i zihet emri në gojë udhëheqësit të asaj lufte, Jup Kazazit, por as fare forcave nacionaliste!(?)
Vijmë tashti mbas 29 Nëntorit të vitit 1944. Hasan Dosti largohet nga Shqipëria dhe në mungesë dënohet me vdekje si kolaboracionist dhe tradhtar. Jup Kazazi në vazhdim organizoi qëndresën kundra-komuniste e cila kulmohet me datën 9 shtator të vitit 1946, me kryengritjen e armatosur të Postribës, i së cilës ai ishte edhe pjes’ e trurit organizativ të saj. Mbas thyerjes së saj Jup Kazazi u strehua në shtëpinë’ e dajave të tij, Rifat e Shyqyri Kopliku, që i kishin burgosur. I rrethuar nga Forcat e Ndjekjes e, duke mos dashur të digjej shtëpia, i nxori gratë jashtë dhe vrau veten. Daja i madh Rifati e mori mbi vete strehimin e Jup Kazazit, gjë për të cilën e pushkatuan! Dhe historianët konformistë me ideologjinë’ e P.K.Sh.-së, si e trajtuan figurën e tij? Edhe Jup Kazazi na paka qenë, sipas tyre, “kolaboracionist edhe tradhtar”!(?) / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













