Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e parë
Memorie.al / Më 25 dhjetor 1989, ndërsa kishte gati tre muaj që ishte rrëzuar Muri i Berlinit dhe Blloku Lindor po shembej dita ditës e, në Rumani po atë ditë pas një gjyqi të shpejtë ekzekutohej me pushkatim diktatori Nikolae Çaushesku së bashku me gruan e tij, Elena, (pamjet e së cilës asokohe bënë xhiron e botës dhe u ndoqën me interes të madh edhe në Shqipërinë komuniste), udhëheqja e lartë e Partisë së Punës me në krye Ramiz Alinë, u mblodh me urgjencë në Tiranë. Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një dokument arkivor me siglën “Sekret”, ku ndodhet proces-verbali i mbledhjes së sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku morën pjesë Ramiz Alia, Pirro Kondi, Foto Çami, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko, i cili zbulon ankthin e regjimit përballë trazirave që po përfshinin Europën Lindore, e kryesisht Rumaninë e Çausheskut.
Në këtë mbledhje, udhëheqësit më të lartë komunistë, përveç problemeve sociale të ditës, si strehimi, apo furnizimi i popullit me produkte ushqimore, veshë-mbathje, e artikuj industrial të përdorimit të përditshëm, morën në analizë dhe diskutuan me shqetësim të madh edhe për disa informacione konfidenciale, siç ishte një thirrje telefonike në redaksinë e gazetës “Zëri i Rinisë”, ku nga ana tjetër e telefonit dikush u bënte të ditur për krijimin e një partie demokratike, etj.
Po kështu në dokumentin në fjalë, udhëheqja e lartë e PPSH-së, ka marrë në analizë edhe reagimet spontane apo fjalët e përhapura prej disa shtetasve, si në autobusët urbanë etj., të cilët kanë bërë analogji me ngjarjet e Rumanisë, si dhe lajmet e agjencisë “TANJUG” apo “reaksionit grek”, për demonstrata në Shkodër e incidente në zonën kufitare në jug të vendit, ku katër shtetas të vrarë në kufi, i kishin tërhequr zvarrë në karrocern e një kamioni etj..
Përballë kësaj situate kritike, duket se Ramiz Alia ka nisur të hedhë idetë e para për reforma të kontrolluara ekonomike, ndryshime në konceptin e luftës së klasave dhe abuzimin e organeve partiake e shtetërore me biografinë e njerëzve, që shkonin deri te gjyshi e gjyshja, gjë e cila duket qartë se është një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur në këmbë pushtetin.
Krahas këtyre masave që kishin të bënin me situatën brenda vendit, në atë mbledhje Ramiz Alia ka folur edhe për çështjet e politikës së jashtme të Shqipërisë, duke artikuluar qartë me gojën e tij, edhe rishikimin e marrëdhënieve me Tregun e Përbashkët Europian, apo ato diplomatike me SHBA-ës dhe Bashkimin Sovjetik, pasi sipas tij; argumentet e përdorura deri në atë kohë për prishjen e marrëdhënieve diplomatike me ta, u kishte kaluar koha dhe nuk vlenin më.
Madje, kreu i Shqipërisë komuniste, Ramiz Alia, në atë mbledhje ua ka bërë të qartë sekretarëve të Komitetit Qendror, se; “në rast se përfaqësues e SHBA-ve do kërkojnë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, ne do u themi se do ta studiojmë këtë çështje”. Pasi sipas tij; “nuk mund të ecët më me inate politike, se politika nuk bëhet me inate”. Por, në këtë pikë, pra rishikimin e politikës së jashtme dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-ës dhe Bashkimin Sovjerik, Ramiz Alia shfaqet disi kontradiktor, pasi pak më lart shprehet se: “Me këtë nuk dua të them të vendosim marrëdhënie me SHBA-ës, por të përdorim një argument tjetër”.
Ndoshta dhe me shumë gjasa, krahas karakterit dyzues së Ramiz Alisë, ai ka hedhur atë ide për t’ju matur pulsin vartësve të tij në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, e për të dëgjuar mendimet e tyre mbi atë çështje, madje më të rëndësishmet që mund të ishte diskutuar ndonjëherë nga Tirana zyrtare që nga viti 1946, kur misioni amerikan mori urdhër të prerë të largohej menjëherë nga Shqipëria! Lidhur me këtë etj., do njihemi në dokumentin në fjalë i cili është nxjerrë së fundmi nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al
DOKUMENTI SEKRET ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, 25 DHJETOR 1989
MBLEDHJE E SHOKËVE SEKRETARË TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË
Më 25 dhjetor 1989
Në mbledhje marrin pjesë shokët: Ramiz Alia, Foto Çami, Hekuran Isai, Lenka Çuko dhe Pirro Kondi. Mbledhjen e drejton Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, shoku Ramiz Alia.
Në këtë mbledhje shoku Pirro Kondi informon sekretarët e Komitetit Qendror mbi punimin e fjalës së shokut Ramiz Alia, mbajtur në plenumin e Këshillit Qendror të BPSH, në organizatat e Partisë të rrethit dhe problemet që kanë dalë nga kjo. Gjithashtu ai u raporton shokëve edhe për gjendjen e furnizimit në kryeqytet. Shoku Ramiz hedh disa ide për zgjidhjen e problemeve të zhvillimit të sotëm në fushën e ekonomisë e në çdo sektor tjetër.
SHOKU PIRRO KONDI: Me porosinë që dhatë ju, shoku Ramiz, ne mblodhëm menjëherë organizatat-bazë të Partisë të ndërmarrjeve të prodhimit, të kooperativave bujqësore, të institucioneve dhe të lagjeve e u dhanë udhëzimet përkatëse për punimin e fjalës që mbajtët në plenumin e Këshillit të Përgjithshëm të BPSH-së. Në këtë mbledhje u dha një informacion edhe për situatën politike në botë, si dhe për gjendjen në Rumani.
Në organizatat-bazë të Partisë të qytetit punimi i fjalës suaj pothuajse ka mbaruar, kurse në fshat së shpejti do të përfundojë. Në atë mbledhje u bë dhe një sqarim për shpifjet keqdashëse të serbomëdhenjve të Beogradit e të reaksionit ndërkombëtar kundër vendit tonë. Në organizatat-bazë të Partisë u ngritën dhe probleme, u bënë pyetje, por u dha dhe ndonjë mendim për ndonjë çështje. Në përgjithësi gjendja moralo-politike është shumë e shëndoshë. Të gjithë komunistët u solidarizuan me fjalën tuaj, shoku Ramiz, e shumë që shtrohen atje.
Në disa organizata-bazë, si në ato të institucioneve, të universitetit, të instituteve studimore etj., u shtrua problemi që këto teza mund të zbërthehen më gjerë. Në ndonjë organizatë u bë pyetja përse e ka vënë Jugosllavia televizionin në dispozicion të ngjarjeve në Rumani, ose si do të shkojnë marrëdhëniet me vendet ish-socialiste që tani kaluan plotësisht në kapitalizëm.
Në disa organizata u shtrua problemi që duhet të jemi më të rreptë në përgjigjet që u japim jugosllavëve, reaksionit grek e të tjerëve, në lidhje me propagandën e tërbuar shpifëse që kanë ndërmarrë kundër vendit tonë. Një sekretar organizate tha pse nuk e përgënjeshtruam shpifjen e jugosllavëve që gjoja droga kalonka nëpërmjet Shqipërisë. Këtë e kishte dëgjuar në radio. Gjithë botës, shpjegova, e di që në vendin tonë nuk ka drogë, kështu që s’ishte nevoja ta përgënjeshtronim këtë. Jugosllavët sqarova, atë punë kanë, të shpifin, por ne nuk biem në gabimet e tyre.
Pati edhe ndonjë pyetje të këtij karakteri që le të nënkuptosh mos ndodh gjë në vendin tonë ose në kuptimin që ngjarjet në vendet e Lindjes asgjë pozitive nuk kanë. Gjithashtu komunistët njoftuan edhe për ndonjë thashethem që kanë dëgjuar. Po ka dhe njerëz të paformuar që shprehin pasiguri. Për shembull, një punëtor i ndërmarrjes “21 Dhjetori” kishte thënë në autobus; “të hamë dhe këtë vit të ri, se kushedi ç’bëhet”.
Një komunist kishte ndërhyrë në moment dhe i kishte dhënë përgjigjen e duhur. Kërkesa e përgjithshme e organizatave-bazë të Partisë, sidomos të universitetit, është që fjala juaj të lexohet edhe me masën pa Parti. Këtë kërkesë kishte edhe kryetari i Bashkimeve Profesionale të rrethit tonë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Të lexohet.
SHOKU PIRRO KONDI: Për të gjitha problemet që janë ngritur në organizatat-bazë të Partisë komunistët janë sqaruar. Për sa u përket ngjarjeve në vendet e Evropës Lindore, sqaruam që këto vende e kishin braktisur me kohë rrugën socialiste dhe tani kaluan plotësisht në kapitalizëm, duke ia dorëzuar përfitimet forcave antikomuniste e më reaksionare, pra iku një padron e erdhi një padron tjetër. Përsa i përket çështjes së marrëdhënieve të shpjeguam, që shoku Ramiz e thekson në fjalën e tij që me vendet e Evropës Lindore do të kemi ato marrëdhënie që kemi dhe me vendet e tjera.
Për ato që ka dhënë “TANJUGU” e reaksioni grek, që gjoja në Shkodër janë bërë demonstrata, se në një fshat të Gjirokastrës janë vrarë e masakruar 4 minoritarë, duke i tërhequr pas traktorit se kanë tentuar të arratiseshin e gjepura të tjera si këto, sqaruam që janë shpifje monstruoze të serbomëdhenjve dhe reaksionit grek. Këtë e bëjnë u thamë, për të larguar vëmendjen e opinionit botëror nga çka po ndodh në Kosovë, për ta larguar vendin tonë nga rruga socialiste, që ta gllabërojnë.
Kjo mjafton, u thamë, për të hedhur poshtë shpifjet e Beogradit. Këtu qëndron dhe pjekuria politike e Partisë dhe e shtetit tonë që nuk futet në zënka e vogëlsira. Gjithashtu shpjeguam që në vendin tonë nuk mund të ndodhin ngjarje të tilla për faktin që vendi ynë ka ndjekur një rrugë tjetër ideologjike, politike, ekonomike e shoqërore, nga vendet e Lindjes, rrugën marksiste-leniniste.
Me forcë shumë të madhe në organizatat-bazë të Partisë janë ngritur problemet e tregtisë, të shërbimeve komunale e të trajtimit të punëtorëve, se në këtë drejtim ka pasur mangësi. Para ca kohësh doli për kontroll vetë shoku Adil në Tiranë për të parë si është furnizimi. Kontrolle kanë bërë edhe komitetet ekzekutive të rajoneve. Kurse unë bëra një kontroll në dyqanet e lagjes të Kombinatit të Tekstilit “Stalin” e të Kombinatit të Autotraktorëve.
Në fakt furnizimi i tregut me artikuj ushqimorë, me fruta e perime këtë vit ka qenë i mirë, por shërbimi tregtar le shumë për të dëshiruar, sidomos në drejtim të ruajtjes e të reklamimit të mallit. Në ndonjë dyqan nuk kishte qepë, në një kohë që magazinat ishin të mbushura plot. Merceologjia e magazinës tha se kjo mungesë vjen se po bëhet seleksionimi. Ti duhet të marrësh masa, i vura në dukje asaj, që të mos mungojë asnjë artikull në dyqan.
Gjatë kësaj kohe në treg u hodhën dhe disa bluza e këpucë të importit. Këtu u shitën brenda orës, por ishin thyer xhamat e dyqaneve etj., megjithëse tregtia kishte marrë masa që të mos kishte konfuzion. Pensionistët ngritën problemin që ata që blejnë në sasira të mëdha bëjnë matrapazllëqe. Gjithmonë shqetësime të këtilla krijohen, kur ka mallra me pakicë. Na tha shoku Adil që do të vijnë prapë mallra të konsumit të gjerë. Këto do t’i shesim në dyqanet e periferisë, se në qendër janë ambasadat.
Njerëzit patën kritika për ndeshjen e futbollit që nuk u dha në televizion. Ndeshja nuk u dha në televizion që të tërheqim paranë dhe në fakt siguruam të ardhura të mira. Stadiuni u mbush si asnjëherë tjetër, 400 veta kishin ardhur vetëm nga Kruja. Por pas ndeshjes u bë rrëmujë te treni që shkon në Laç e Shkodër, se nuk kishte vende. Kur më informuan për këtë mora në telefon shokët e Krujës që të dërgonin autobuza dhe kështu u veprua.
Në ato mbledhje u ngrit dhe problemi i strehimit, u tha që bëhen hatëre në ndarjen e apartamenteve të banimit. Për strehimin qytetarët kanë mjaft ankesa dhe fakti është që nuk veprohet drejt në ndarjen e apartamenteve të banimit. Një shembull, prapa gazetës “Bashkimi” është prishur një shtëpi e madhe dhe është ndërtuar një pallat, e ndërtoi Shkolla e Partisë me një ndërmarrje ushtarake. Qytetarëve që u prish shtëpia u thanë që do të strehohen në këtë pallat, do të marrin një shkallë nga kati i parë e deri te i gjashti, u bënë dhe akt marrëveshjet.
Po kur u nda pallati u thanë do të merrni në katin e parë e në katin e gjashtë. Këta pastaj erdhën dhe u ankuan në Komitetin e Partisë të rrethit. Vërtetë pedagogët, thanë, janë njerëz të nderuar, por dhe ne, punëtorët, nuk jemi më pak të nderuar. Keni të drejtë, u thashë. Edhe në ndërmarrjen e ndërtimit punëtorët kishin vërejtje për Komitetin Ekzekutiv të rrethit në lidhje me ndarjen e apartamenteve të banimit.
Kritikat e vërejtjet që u bënë për strehimin ia thashë dhe Llambit (Gegprifti). Hiqni dorë, i thashë, nga hatëret e miqësitë, se po krijoni pakënaqësi me popull. Kontingjenti që do të marrë komiteti ekzekutiv i rrethit për të shkruar e mësuar, i sugjerova, të caktohet që në fillim, bile qytet dhe t’i caktohet edhe kati ku do të marrë.
Për festën tradicionale të vitit të ri janë marrë të gjitha masat si për sa i përket furnizimit të tregut, ashtu dhe të lokaleve e aktiviteteve që do të zhvillohen. Tregu është furnizuar shumë mirë me artikuj ushqimorë, fruta, perime etj. Unë kam dalë vetë për kontroll nëpër dyqanet për të parë gjendjen. Në sheshin “Skënderbej” janë vënë 3-4 pisha të zbukuruara me drita të vogla shumëngjyrëshe. Po kështu janë ngritur disa kinkaleri të vogla në formë alpine, që do të shesin prodhime sheqeri, kartolina e lodra për fëmijë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Shumë mirë.
SHOKU PIRRO KONDI: Natën e vitit të ri, pas orës 12:00 njerëzit, sidomos të rinjtë, zakonisht dalin në sheshin “Skënderbej”. Prandaj menduam që të ketë edhe ndonjë orkestër që njerëzit të kërcejnë e të gëzojnë. Atje do të ketë edhe karroca ambulante, që do të shesin bajame, lajthi, prodhime sheqeri etj.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pije alkoolike në asnjë mënyrë të mos tregtohen, se ka rrezik të ndodhë ndonjë skandal.
SHOKU PIRRO KONDI: Jo, jo, pije alkoolike nuk do të ketë. Ne i kemi marrë të gjitha masat, shoku Ramiz, që çdo gjë të shkojë në rregull. Atje do të jenë me shërbim edhe instruktorë të komiteteve të Partisë të rajoneve, të rrethit, shokët e tregtisë etj.
SHOKU RAMIZ ALIA: Dakord kështu.
SHOKU PIRRO KONDI: Piktura e kubanezit që u mor në Galerinë e Arteve u gjend, e kishte marrë një student i vitit të parë të Institutit të Arteve. Ndërsa për parullën akoma nuk kemi rënë në gjurmë. Po kjo parullë nuk ngjet me atë të mëparshmen. Kurse informata për gjendjen e keqe të mensave në konviktet e Universitetit nuk ishte e saktë. Unë isha vetë për kontroll dhe pashë që ushqimi ishte shumë i mirë. Dërgoja edhe sekretarin e rinisë të rrethit për të biseduar me të rinjtë për problemet që kanë.
Studentët ngritën problemin që lokali i ushqimit social në “Qytetin Studenti” të mbyllet në orën 22:00 e jo në orën 20:00, sepse studiojnë deri në orët e vona dhe kur vijnë në konvikt nuk gjejnë gjë për të ngrenë. Këtë e kërkonin më shumë studentët e Institutit të Lartë të Arteve, për faktin se rrinë deri në orët e vona, duke u ushtruar nëpër vegla ngaqë janë me pakicë.
Në një piano, për shembull, mësojnë 10 veta. I thashë drejtorit të NTUS-it që të ndryshojë orarin e lokalit. Studentët e Institutit të Arteve ngritën problemin edhe të mungesës së pjesëve të ndërrimit për veglat muzikore. Gërnetat, për shembull, nuk i përdorin për një pipëz. Këto pjesë ndërrimi, thanë ata, nuk kushtojnë më shumë se 200 mijë lekë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Komiteti i Kulturës dhe i Arteve duhet të japë fonde për pjesët e ndërrimit të veglave muzikore;
SHOKU HEKURAN ISAI: Ato dhe në valixhe mund t’i marrësh.
SHOKU PIRRO KONDI: Këtë problem do ta bisedoj me shokët e Tregtisë së Jashtme. Pretendim tjetër studentët kishin për cigaret, pra donin paketa “Apollonia” e “Porti” që kushtojnë më lirë. Konstatoj këtë që sa ka ardhur Xhevdet Pata drejtor i konvikteve në universitet atje është vendosur rregull. I porosita shokët e Komitetit të Partisë të Universitetit që të bëjnë një punë të kujdesshme me studentët për sqarimin e situatave politike që po kalojmë, se presioni ideologjik i borgjezisë në mënyrë të veçantë rininë godet.
Por një kujdes më i madh në këtë drejtim, u thashë, duhet bërë me studentët e degës së Arteve, për faktin se letërsia dhe arti janë fusha që preken më shumë nga diversioni ideologjik i borgjezisë e i revizionizmit. Kjo e para. Së dyti, studentët e kësaj dege kanë një çikë maninë të duken e diskutojnë me të huajt për muzikën, letërsinë, artin, mirëpo ai i huaji nuk e ka për gjë të japë një televizor me ngjyra, në stof, një klarinë etj., që studentët të futen në diskutime të thella edhe për probleme të tjera, të realizojë në këtë mënyrë qëllimet e tij të këqija. Studentët, i porosita ata, duhet të jenë të rezervuar në kontaktet me të huajt, jo të mos u flasin kur i pyesin për diçka, por të mos hyjnë në diskutime të thella.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po në mencën e shkollës Pedagogjike, si ishte gjendja?
SHOKU PIRRO KONDI: Ushqimi në shkollën e mesme Pedagogjike në shkollën Teknologjike edhe në Politeknikumin “7 Nëntori” nuk ishte i mirë. Në menca kishte mjaft të meta për furnizimin. Për këtë i tërheqim vëmendjen drejtorive të këtyre shkollave. Kjo është në përgjithësi gjendja në Tiranë, shoku Ramiz.
SHOKU FOTO ÇAMI: Mehmet Elezi më mori në telefon e më tha që redaksinë e gazetës “Zëri i Rinisë” e kishte marrë njëri në telefon e i kishte thënë: “ju njoftojmë se u krijua Partia Demokratike e Shqipërisë”. Këta e kishin lënë telefonin hapur që të gjenin se me ç’numër mori, por telefoni nuk u bllokua. Siç duket ka marrë nga kabinat e vogla në rrugë. Po kështu, kur po kalonin ca fshatarë rrugës në një fshat në kufi, jugosllavët matanë kufirit u kishin thënë: “ku po shkoni, në demonstratë”. Demonstrata bëni ju atje, – iu ishin përgjigjur këta./ Memorie.al
SHEFI I SEKTORIT TË PËRGJITHSHËM
Fatmir Zaloshnja
Vijon numrin e ardhshëm




















