Memorie.al / CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të de klasifikuara tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti. Po kështu një vend të veçantë në dokumentet që CIA ka de klasifikuar, janë edhe ato ku flitet për emigrantët politikë shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë të inkuadruar në Komitetin e Prizrenit e kryesuar fillimisht prej Apostol Tanefit dhe nën presionet e UDB-së, që i rekruton me masa shtrënguese., siç është kthimi në Shqipëri, etj.
Roli i Dushan Mugoshës
Shqiptarët e dinë se Komiteti i Prizrenit është një sajesë kukullash që komandohen nga Dushan Mugosha, një nga themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare dhe rrjedhimisht përgjegjës për gjithë mjerimin e tyre. Shqiptarët që jetojnë në vendet kufitare myslimane Plava e Gucia, dhe ata në zonat katolike të Hotit, Grudës e Kuçi, i kanë habitur refugjatët me bujarinë e tyre.
Gjatë pesë gjashtë viteve të fundit ata kanë ndihmuar mijëra refugjatë pa dallime feje apo rajoni origjine. Në këto zona çdo familje shqiptare ka strehuar nga dhjetë deri në tridhjetë refugjatë.
Kjo situatë tani po ndryshon, pasi kosovarët që më parë prisnin me simpati refugjatët, tani po bëhen viktima të propagandës tendencioze të agjentëve të dërguar nga Enver Hoxha, prandaj dhe kanë humbur besimin ndaj refugjatëve dhe i shohin me antipati. Linja shqiptare e propagandës për shqiptarët e Kosovës i përmbahet ideve se ata po ndihmojnë Titon të përgatisë pushtimin e Shqipërisë, në të njëjtën mënyrë si dhe Komiteti i “Shqipërisë së Lirë” që financohet nga anglo-amerikanët.
Sipas tyre Balli Kombëtar dhe Xhafer Deva i janë shitur miqve amerikanë të Titos. Linja e propagandës së Tiranës përfundon duke deklaruar se vetëm miqtë e Bashkimit Sovjetik mund të eliminojnë Titon dhe të bashkojnë Shqipërinë e Hoxhës pa ndërhyrje të huaja.
Në vitin 1951 të gjithë refugjatët u pyetën nga autoritetet nëse dëshironin të emigronin dhe nëse po në cilat vende. Por kjo lëvizje ishte një grackë pasi të gjithë ata që shprehën dëshirën për t’u larguar nga Jugosllavia, pak më vonë u arrestuan apo u internuan, ose u bënë viktima të persekutimeve të ndryshme.
Në 1951 dhe në 1952, një grup gazetarësh vizituan qendrat e strehimit të refugjatëve shqiptarë, dhe intervistuan shumë prej tyre. Por asnjë nga refugjatët nuk guxoi të shprehte mendimet hapur mbi gjendjen e bashkë-atdhetarëve prej frikës së hakmarrjes së autoriteteve.
Arrestimet e kohëve të fundit të Ndue Bajraktarit dhe miqve të tij, të akuzuar për tentativë arratisjeje dhe pjesëmarrje në misionet operacionale në Shqipëri, kanë shkaktuar shumë përshtypje të refugjatët.
Roli i ballistëve
Kol Çuni, Gjon Gjinaj, Ndue Pjeter Gjnmarkaj, Nikoll Gjonmarkaj dhe Ndue Mëlyshi, janë mbështetës të deklaruar të Bllokut Kombëtar Indipendent. Kur ata arritën në Jugosllavi atyre iu dhanë fonde të bollshme dhe sende personale. Por më vonë ata shitën sendet ose i ndanë me miqtë e tyre refugjatë, prandaj tani kanë mbetur pa mjete mbështetjeje.
Jugosllavët tregojnë publikisht simpati ndaj tyre, por në fakt i mbajnë në mbikëqyrje të vazhdueshme, pasi nuk kanë besim te ata. Nikoll Gjonmarkaj, për sa kohë u lejua të jetonte në Mitrovicë, pati mbështetje të madhe nga popullsia kosovare lokale, që i plotësoi të gjitha nevojat.
Por më vonë u largua nga autoritetet jugosllave nga Mitrovica pasi shprehte simpati ndaj të birit të një “reaksionari” të njohur, që solli antipatinë e jugosllavëve. Vdekja e Bardhok Bibës, i vrarë nga kushëriri i tij Ndue Pjetër Gjonmarkaj, u bë me ceremoni nga jugosllavët.
Malazezi Pajkoviç, drejtues në zonën e Kosmetit, gjatë një takimi me Ndue Pjetrin i tha: “Ti e ke vrarë Bardhokun? Ke vrarë një komunist të rrallë, një hero të vërtetë dhe mik të popullit. Shqipëria nuk do të prodhojë më njeri si ai”.
At Daniel Gjecaj, ndryshe i njohur dhe si Mark Gjeçaj (l’Amico delle Montagne), Lutfi Spahiu dhe Don Zef Oroshi, janë nga drejtuesit kryesorë të refugjatëve shqiptarë në Jugosllavi, prej prejardhjes së tyre kulturore dhe patriotizmit.
Influencë kanë gjithashtu dhe personat e mëposhtëm: Mark Tom Marku nga Kelmentdi, Tom Dushi nga Nikshi, Kol Gjon Bajraktari nga Vukli, Preng Gjato Marku nga Hoti, Mirash Gjoka nga Shkreli, Prelë Marku nga Shala në Dukagjin, Vuksan Vata nga Kiri.
Shkurt 1955, Riafrimi
Më 9 nëntor 1954 në Beograd u nënshkrua një akord mes përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre jugosllavë për sheshimin e debateve politike mes vendeve dhe këmbimet e të burgosurve dhe të internuarve.
Përfaqësuesi shqiptar në Beograd nënshkroi për qeverinë e tij, ndërsa kreu i komisionit të veçantë jugosllav për sheshimin e konflikteve me shqiptarët, Veljo Stojniç, nënshkroi për qeverinë e tij. Stoniç ka shërbyer disa kohë pas Luftës së Dytë Botërore si drejtues i misionit ushtarak jugosllav në Shqipëri, dhe më pas si ambasador në Tiranë.
Me nënshkrimin e akordit, Shqipëria zotohet të lirojë 200 zyrtarë policie të burgosur dhe të akuzuar se kanë punuar ose simpatizuar me regjimin e Titos. Në kohën e nënshkrimit të akordit, ambasada jugosllave në Tiranë u informua se qeveria jugosllave nuk do të ngrinte kundërshtime për hapjen e një konsullate shqiptare në krahinën autonome të Kosovës.
Në nëntor 1954, disa zyrtarë të ambasadës së Shqipërisë në Beograd vizituan krahinën e Kosovës, gjatë së cilës autoritetet jugosllave i afruan akses të plotë në të gjitha zonat dhe ambientet, si dhe u lejuan të flisnin lirisht me popullatën lokale./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















