• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, July 19, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kur ushtrinë e drejtonin tradhtarët Beqir Balluku, Petrit Dumja dhe Hito Çakoja, këto stërvitje nuk shërbenin për qëllimet që duheshin, por…”! / Fjala e Enver Hoxhës në 27 qershor ’78, një ditë pas vizitës në “Bunk’Art 1”

“Pasi i bëra letër Enverit në ’67-ën, që mos mbylleshin kishat, më burgosën dhe më mbyllën në psiqiatri, por më shpëtoi prokurori, Spiro, i cili…”/ Rrëfimi i rrallë i fshatarit nga Novosela
“Ju Kadri, keni bërë një gabim tragjik, pasi jo vetëm rezidentët i keni lidhur me KGB-në, por rusëve u keni dhënë…”/ Mbledhja e Byrosë, shtator ‘82
Relacioni i Sigurimit, se si u përgjuan bisedat e familjes së Kadri Hazbiut, në banesën e tyre në qytetin e Kurbneshit, më 11 prill 1985, ditën e vdekjes së Enver Hoxhës?!/ Dokumente sekrete
“Në hetuesi më takuan me gruan time polake dhe duke qarë, ajo më tha: ‘E shikon atë njeri atje’, dhe vështroi nga Ferhat Matohiti, ai…”/ Dëshmia tragjike e vëllait të aktorit dhe regjisorit të famshëm
“Kur unë i dorëzova Feçorit raportin për nusen e djalit të Mehmet Shehut, për sjelljet e saj në Durrës dhe takimin në det, me një francez me varkë, ai…”/ Dëshmia në hetuesi, e ish-zv/drejtorit të Sigurimit
“U arrestua inxhinieri Edmond Demiraj, pasi në oborrin e Ministrisë së Brendshme, vdiqën dhe u plagosën punëtorët…”/ Zbulohet dokumenti sekret i Sigurimit, për ngjarjen e rëndë te ‘Bunk’ Art 2’, qershor ‘83
“Kur ushtrinë e drejtonin tradhtarët Beqir Balluku, Petrit Dumja dhe Hito Çakoja, këto stërvitje nuk shërbenin për qëllimet që duheshin, por…”! / Fjala e Enver Hoxhës në 27 qershor ’78, një ditë pas vizitës në “Bunk’Art 1”
Memorie.al Gjyqi
“Në informacionin tepër sekret dërguar shokut Enver Hoxha nga armiku Kadri Hazbiu, për vend-komandën e Këshillit të Mbrojtjes, ka mashtrime, pasi…”Zbulohet dokumenti i Sigurimit për objektin “Bunk-Art 1”
“U arrestua inxhinieri Edmond Demiraj, pasi në oborrin e Ministrisë së Brendshme, vdiqën dhe u plagosën punëtorët…”/ Zbulohet dokumenti sekret i Sigurimit, për ngjarjen e rëndë te ‘Bunk’ Art 2’, qershor ‘83

Nga DASHNOR KALOÇI

Pjesa e parë

Memorie.al / Ashtu siç kishte ndodhur në fundin e vitit 1948, kur Enver Hoxha prishi marrëdhëniet zyrtare me Jugosllavinë e Marshallit Josif Broz Tito, si dhe në vitin 1961, me Bashkimin Sovjetik të udhëhequr nga Nikita Hrushovi, kur “elementi reaksionar” në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të vendit “ishte zgjuar dhe filloi të lëvizte”, edhe në verën e vitit 1978, kur Tirana zyrtare po shpallte prishjen përfundimtare të marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës, historia u përsërit u përsërit pikë për pikë, duke u ndodhur e njëjta situatë. Lidhur me këtë, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye Enver Hoxhën, Hysni Kapon, Ramiz Alinë etj., viheshin në korrent dhe njiheshin hollësisht nëpërmjet dhjetëra raport-informacioneve të dërguara atyre nga ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, apo vartësit e tij zv. ministra të Brendshëm, si Feçor Shehu, Rexhep Kolli, Mihallaq Ziçishti etj. Në këtë kuadër, sipas udhëzimeve dhe orientimeve që jepte udhëheqja e lartë, “për ta pasur situatën nën kontrolli”, Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, fillonin goditjet, duke arrestuar, burgosur, dënuar dhe internuar me dhjetëra persona, kryesisht nga shtresa e “armiqve të popullit” dhe “familjet reaksionare”, të cilët ishin gjithmonë në ndjekje dhe vëzhgim të rreptë nga organet përkatëse. 

Të gjitha këto etj., tashmë janë të njohura prej kohësh, edhe  nga publikimi i një numri të madh dokumentesh arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo Arkivi Qendror i Shtetit, ku ndodhet arkivi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat hedhin dritë mbi situatën në vend, gjatë periudhës kohore kur udhëheqja e lartë e PPSH-së shpallte prishjen e marrëdhënieve zyrtare me ish-miqtë e ngushtë të saj, si Jugosllavia e Titos, Bashkim i Sovjetik i Nikita Hrushovit, apo Republika Popullore e Kinës që pas vdekjes së Mao Ce Dunit, kishte në krye të partisë, Hua Kuo Fenin.

Gjithashtu mund të lexoni

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi…”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962

“Te ‘Historia e Skënderbeut’, botuar në Boston, më 1921, Fan Noli, i cili në atë kohë nuk e dinte se në Dibrën e Poshtme ka një fshat që quhet Kastriot, e pranoi…”/ Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur

Nisur nga sa më sipër, në këtë shkrim po publikojmë fjalën e Enver Hoxhës të mbajtur në plenumin e V-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili zhvilloi punimet në datat 26 dhe 27 qershor të vitit 1978, vetëm disa ditë para se Tirana zyrtare të shpallte publikisht, prishjen e marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës. Siç dhe do të shikojmë dhe nga fjala e tij, kreu i PPSH-së, Enver Hoxha, është ndalur gjatë vetëm në aspektin e mbrojtjes së vendit, gjë e cila tregon më së miri paranojën e tij, që pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, Shqipëria mund të ishte objekt sulmi ushtarak nga jashtë.

Kjo gjë, pra paranoja e tij, veç të tjerash tregohet edhe nga fakti se vetëm dy ditë para zhvillimit të mbledhjes së plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxha vizitoi vend-komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë Popullore (i njohur sot si Bunk’Art 1”), objektin nëntokësor anti-atomik që sapo kishte përfunduar së ndërtuari në periferi të kryeqytetit (kodrat e Shishtufinës), ku pre-supozohej se si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe kryetar i Këshillit të Mbrojtjes, Enver Hoxha do strehohej aty dhe nga zyra e tij do drejtonte luftimet për mbrojtjen e vendit, nëse territori shqiptar do të sulmohej me agresion ushtarak nga jashtë, “nga një shtet i huaj, forcat e Traktatit të Varshavës, Nato-s, të dyja së bashku, apo një koalicion shtetesh armike”, siç përcaktohej edhe nga rregulloret e dokumentet e Artit Ushtarak Popullor.

Sa më sipër të gjitha këto ishin dhe mbetën në planin teorik, pasi ajo gjë nuk ndodhi kurrë, pra “Shqipëria Socialiste që qëndronte krenare në brigjet e Adriatikut”, nuk u bë kurrë objekt i ndonjë sulmi apo agresioni ushtarak nga jashtë dhe objekti i Vend-Komandës së Përgjithshme (“Bunk’Art 1”) ndodhet edhe sot aty, si një dëshmi e periudhës së luftës së ftohë, i cili prej vitesh është kthyer në një muze atraktiv që pret me mijra turistë vendas dhe të huaj. Nisur nga kjo, në këtë shkrim po publikojmë të plotë dhe me faksimilet përkatëse, fjalën e Enver Hoxhës të mbajtur në plenumin e V-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, (të zhvilluar në datat 26 dhe 27 qershor 1978), ku duket qartë se udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, përveçse si një mobilizim të forcave të armatosura, duket që e ka pasur më shumë edhe si “konsum” për jashtë!

ENVER HOXHA: “TË PËRGATITEMI NGA ÇDO PIKËPAMJE PËR MBROJTJE, QË ARMIKU TË MOS NA ZËR KURRË NË BEFASI”

Ushtrinë e mbajmë në këmbë dhe e stërvitim për ta pasur të gatshme me qëllim që të përballojmë një sulm eventual që mund t’i kërcënojë lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë. Prandaj na vihet detyrë e madhe që këtë ushtri ta organizojmë sa më mirë, ta përgatitim si duhet politikisht, ideologjikisht, ushtarakisht dhe teorikisht. Por këtë përgatitje teorike ne t’ua bëjmë ushtrisë dhe kuadrove që të dinë ta zbatojnë me zgjuarsi shkencën ushtarake në terrenin tonë kundër armiqve, që mund të na sulmojnë. Me këtë dua të them që ne të dimë t’i kundërvëmë taktikës dhe strategjisë së armikut, taktikën dhe strategjinë e luftës sonë popullore, të Artit tonë Ushtarak Popullor.

Është e vërtetë se armiku sulmin e tij do ta fillojë me mjete të mekanizuara moderne, të kombinuara këto nga të gjitha drejtimet, nga deti, nga ajri dhe nga toka, për të thyer rezistencën tonë, për të thyer frontin dhe për të zënë vend në tokën tonë. Të kemi kurdoherë parasysh se një sulm i armiqve tanë, cilët do qofshin këta, të mëdhenj ose të vegjël, do të jetë i rrufeshëm. Që në fillim armiku do të përdorë kundër nesh të gjitha forcat e tij që të na thyejë edhe ushtarakisht, edhe moralisht.

Prandaj, duke i pasur këto kurdoherë parasysh, stërvitjen ushtarake dhe organizimin e ushtrisë sonë t’i ndërtojmë në një mënyrë të atillë që edhe befasinë, edhe mjetet e shumta e moderne që disponon armiku, edhe taktikën e tij të rrufeshme t’i përballojmë me vendosmëri dhe t’i shkatërrojmë ato në bazë të Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore. Të gjitha këto taktika dhe metoda lufte, si dhe kombinimin e armëve të ndryshme nga ana e armikut ne duhet t’i parashikojmë.

Të parashikojmë gjithashtu edhe kombinimin sa më të mirë në luftime të llojeve të armëve tona, në mënyrë që armët e armikut të na dëmtojnë sa më pak dhe, në fazat kur armiku do të përpiqet të çajë frontin ose të zërë vend në tokën tonë, ne të jemi në këmbë, të gjallë dhe të fortë për t’i asgjësuar të gjitha planet e tij, për të mos lejuar që të ketë sukses në veprimet e tij. Pikërisht për këtë çështje, të tëra armët kanë rëndësinë e tyre të veçantë, por çdo armë e veçantë nuk mund të merret si një armë me veprimtari të kufizuar ose të pakoordinuar me armët e tjera në luftimet frontale ose në prapavija, ku armiku mund të na shqetësojë dhe do të përpiqet të na shqetësojë.

Në rast se do të dimë t’i përdorim armët tona në unitet, me efikasitet, me kritere të shëndosha e me gjakftohtësi, atëherë ne do t’i shkaktojmë humbje të mëdha armikut, pavarësisht nga numri i madh potencial, si ushtarak, ashtu edhe njerëzor, që do të disponojë ai dhe do të korrim kështu suksesin. Po, pa nënvleftësuar armët e tjera, arma e këmbësorisë duhet të konsiderohet kurdoherë ajo që do të luajë dhe ka për të luajtur një rol të madh në praktikën e luftës kundër forcave sulmuese të armikut.

Këmbësoria do të jetë ajo forcë e gjallë, që, në çdo moment, do të vihet përballë sulmeve të këmbësorisë armike, prandaj ajo, jo vetëm që në numër njerëzish duhet të jetë më e madhe, në krahasim me armët e tjera të ushtrisë sonë, por, ashtu si të gjitha armët e tjera, duhet të jetë e stërvitur posaçërisht dhe me një nivel të lartë, me një frymëzim të madh sulmues, mbrojtës e kundërsulmues. Duke e njohur mirë taktikën dhe strategjinë e Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore, këmbësoria jonë do të dijë, në çdo moment, t’u kundërvihet veprimeve të armikut dhe armëve të tij, të njohura ose të panjohura, dhe do t’i bëjë këto të dështojnë në ndërmarrjet e tij sulmuese.

Prandaj merr një rëndësi të veçantë stërvitja luftarake e këmbësorisë. Ajo duhet të jetë e kualifikuar, shkencore, dhe jo një stërvitje rutinë, e thjeshtë, e katandisur në marshime pa objektiva, pa principe të caktuara mirë, pa detyra të përpunuara dhe pa ia vënë këto detyra në praktikë për t’i zgjidhur. Nuk u lejohet as kuadrove dhe as ushtarëve, qofshin këta aktivë, rezervistë apo vullnetarë, që të mos vënë të gjitha forcat për studimin teorik të Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore dhe për zbatimin në praktikën e gjallë të këtij arti në terrene dhe në momente atmosferike të ndryshme.

Armiku mund të ketë mundësi të mëdha për rritjen e fuqisë së zjarrit, pse këmbësorisë së tij mund t’i vijë dhe do t’i vijë në ndihmë një fuqi zjarri akoma më e madhe nga ana e mjeteve ajrore dhe detare që ai ka dhe do të ketë. Por edhe ne e kemi rritur fuqinë e zjarrit në këmbësorinë tonë dhe kjo nuk është një gjë e vogël, por e madhe. Duhet kuptuar se rritja e fuqisë së zjarrit, e përdorur mirë e në kohë, do t’i shkaktojë armikut dëme të mëdha. Ajo, gjithashtu, është edhe një faktor pozitiv psikologjik për ushtrinë tonë, pse kësaj i krijohet bindja e forcës së rezistencës sonë përballë armëve të armikut.

Të gjitha mjeteve të luftës që disponon armiku dhe që ai do t’i lëshojë kundër vendit tonë, taktikave dhe strategjisë së tij ne do t’u vëmë përballë strategjinë, taktikën, forcat dhe armët tona. Prandaj, të kuptohen thellë detyrat që dalin në kohë lufte, me synim që armiku të mos na gjejë në asnjë rast në befasi, por secili të jetë në vendin e caktuar dhe i gatshëm për t’iu përgjigjur përnjëherë me zjarr sulmeve të tij. Kjo ka rëndësi të madhe, prandaj lypset që kuadrot dhe ushtarët, nëpërmjet stërvitjeve intensive të vazhdueshme, ta mbajnë fizikun e tyre kurdoherë të shkathët e në lëvizje.

Ata duhet të zhdukin nga mendja ndjenjën e mendjemadhësisë dhe mendimin se jemi në gjendje që, në një luftë të tillë të përgjithshme edhe me një stërvitje të vogël, edhe pa një organizim të mirë, apo duke qenë liberalë në kërkimin e llogarisë ose indiferentë në marrjen e në dhënien e mësimit dhe në zbatimin e tij në praktikë, t’i bëjmë ballë fuqisë së armikut. Domosdoshmërinë e forcimit të përgatitjes luftarake, të zhvillimit në nivel gjithnjë e më të lartë të stërvitjeve duhet ta kemi kurdoherë parasysh në ushtrinë tonë, sepse ka rëndësi të madhe dhe është një nga kyçet e fitores.

Është e vërtetë se luftën e fiton ai që është më i fortë dhe forca jonë qëndron edhe në shkathtësinë e trupit, në reflekset e shpejta, por, mbi të gjitha, ajo qëndron në njohjen dhe në vënien në jetë të vijës ushtarake të Partisë, të Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore dhe në zbatimin si duhet të urdhrave që jepen për luftim. Prandaj nuk duhen neglizhuar në asnjë mënyrë stërvitjet, sepse çdo stërvitje që bëhet është një punë serioze që 1yp një vëmendje të posaçme për ta kryer mirë. Partia në ushtri t’i kushtojë një kujdes të veçantë zhvillimit të stërvitjeve luftarake në kushte të përafërta me ato të luftës.

Kjo kërkon që oficerët të jenë të shkathët, të jenë kurdoherë pranë ushtarëve, t’i mësojnë këta si të qëndrojnë dhe si t’i zgjidhin problemet shpejt dhe me përpikëri. Neve na duhen stërvitje të gjithanshme, të forta dhe me nivel të lartë. Vetëm me stërvitje të tilla, të përgatitura mirë dhe me efikasitet do të aftësohen njerëzit tanë për të përballuar me sukses sulmet e armikut. Prandaj ato kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Stërvitjet që bëjmë duhet të jenë dinamike dhe në këtë dinamizëm duhet të zbatohet urdhri, por njëkohësisht të punojë edhe mendja e gjithsecilit që ky urdhër të zbatohet sa më mirë në interesin e fitores sonë, me sa më pak humbje nga ne dhe me sa më shumë humbje për armikun.

Neve na duhet të stërvitemi për çdo eventualitet për një sulm nga deti, për një zbarkim ajror në mes të vijave tona të mbrojtjes, për një zbarkim ajror në prapavija, si edhe për çdo lloj lufte që mund të organizojë armiku kundër nesh. Prandaj, të gjitha këto lloje të stërvitjes duhet të zhvillohen me qartësi, me përpikëri, me një imagjinatë sa më të saktë për përleshjet që do të zhvillohen midis nesh dhe armikut, në qoftë se ky do të na sulmojë. Në kohën kur drejtonin ushtrinë tradhtarët Beqir Balluku, Petrit Dumja dhe Hito Çakoja, shumë nga këto stërvitje s’kishin brendi, nuk shërbenin për qëllimet që duheshin, ato kishin shumë formalizëm, bëheshin më shumë për paradë.

Edhe përdorimi i armatimeve, që kemi në duar, në kohën që drejtonin elementët tradhtarë në ushtri, bëhej në mënyrë defektoze. Ne kurdoherë na shqetësonte mungesa e bashkëveprimit në mes njësive, reparteve dhe midis armëve të ndryshme. Kjo e metë, që ka ekzistuar në ushtrinë tonë, tani është ndrequr dhe duhet punuar që absolutisht të zhduket krejt, pse koordinimi i veprimeve në luftime ka rëndësi të jashtëzakonshme. Nuk mund të mendohet që repartet dhe llojet e ndryshme të armëve të luftojnë në mënyrë të izoluar. Prandaj veprimet e tyre duhet të sinkronizohen dhe llojet e ndryshme të armëve të veprojnë së bashku.

Për këtë qëllim ka rëndësi që qysh tani të kuptohet një domosdoshmëri e tillë dhe të realizohet një sinkronizim i përsosur i stërvitjeve të reparteve dhe armëve të ndryshme. Komandat e njësive të ndryshme, po kështu edhe komandat e armëve të çfarëdo lloji, duke vepruar me plan dhe në mënyrë të studiuar e të zgjuar, të bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën në lojërat, në stërvitjet, por edhe në praktikat e vogla. Edhe në teori këtë çështje ta kenë të qartë ushtarakët tanë, pse një mosbashkëpunim si duhet i të gjitha armëve ose mungesa e lidhjeve të veprimeve të sinkronizuara si duhet në mes reparteve shkaktojnë çarje të frontit tonë ose dobësim të sulmit kundër armikut.

Pra, stërvitjet e shtabeve të zënë një vend të rëndësishëm në stërvitjet e përgjithshme të ushtrisë sonë, pse janë ato që do ta drejtojnë luftën, do të drejtojnë repartet, do të drejtojnë armët. Por është e domosdoshme që këto stërvitje të bëhen në terren dhe për këtë qëllim të gjitha mjetet duhet të vihen në lëvizje dhe të provohen në shumë shkallë, duke filluar që nga kreu e deri poshtë. Në çështjet e ndërlidhjes ne kurdoherë kemi pasur një merak të madh dhe këtë e kemi përsëri edhe sot, pse ndërlidhja luan një rol vendimtar në luftë.

Në qoftë se ajo është defektoze ose armiku i shkakton asaj në luftë defekte të shpeshta e të pariparueshme, drejtimi i luftës do të bëhet me të meta të rënda, gjë që mund të na shkaktojë vështirësi të rrezikshme. Prandaj qysh tani edhe ndërlidhjes duhet t’i japim rëndësi që nga lart dhe deri në repartet poshtë, ashtu siç i japim rëndësi çdo arme tjetër në ushtri, siç i japim rëndësi edhe çështjes së fortifikimit. Shkollave ushtarake duhet t’u vëmë, gjithashtu, rëndësi të madhe. Atje të dërgojmë kurdoherë kuadro të rinj të devotshëm, bij të punëtorëve dhe të fshatarëve, bij të patriotëve dhe të komunistëve, të cilët t’i edukojmë që të gjithë me një disiplinë të fortë proletare ushtarake dhe t’i pajisim me ndjenjën e sakrificës, të heroizmit dhe të qëndrueshmërisë.

Studentët tanë, që dalin oficerë, t’i edukojmë të mos njohin as frikën, as panikun, të mendojnë me kokë në bazë të teorisë sonë marksiste-leniniste dhe të zbatojnë në prizmin e kësaj teorie Artin tonë Ushtarak të Luftës Popullore, të jenë kurdoherë të palodhur, në aktivitet dhe në lëvizje, të punojnë që të kenë trup të shkathët dhe mendje të zhvilluar, të përpiqen të marrin arsim dhe kulturë të përgjithshme, por të marrin veçanërisht arsim të lartë ushtarak. Oficeri ynë të bëhet i atillë që me shembullin e tij të mobilizojë po me atë kurajë, po me atë frymëzim të gjithë efektivin ushtarak që ka nën drejtimin e vet dhe e çon në betejë.

Kur flasim për kuadrot oficerë, Partia duhet të ketë parasysh si kuadrot aktivë të ushtrisë, por sidomos edhe ata rezervistë. Them sidomos edhe kuadrin rezervë, pse në rast lufte edhe ky do të komandojë nënrepartet, prandaj qysh sot ka shumë nevojë për stërvitje, për drejtim, për organizim, për frymëzim. Kjo kërkon që t’i vihemi me zell të madh punës në këtë drejtim, t’i vihet, me një fjalë, rëndësi e madhe përgatitjes dhe edukimit të këtyre kuadrove. Kuadrot tanë ushtarakë rezervistë duhet t’i freskojnë vazhdimisht njohuritë që kanë marrë qysh kur kanë qenë në ushtrinë aktive.

Repartet që ata janë ngarkuar të drejtojnë dhe të edukojnë në shkollat e lira, t’i konsiderojnë si reparte aktive luftarake me të njëjtat cilësi moralo-politike-ushtarake dhe tekniko-organizative që kanë edhe repartet, ku ushtarët kryejnë shërbimin ushtarak të rregullt. Këta kuadro të rezervës, që do të komandojnë e do të drejtojnë këto njësi, të cilat do të përbëjnë ushtrinë tonë të madhe, forcat vullnetare dhe ato të mbrojtjes civile, duhet të kenë parasysh se fatet e luftës dhe të fitores mbi armikun varen shumë edhe nga ata vetë dhe jo vetëm nga shtabet kryesore. Komandanti, komisari dhe shtabi i njësisë më të ulët kanë një rol vendimtar në zbatimin e urdhrave të eprorëve.

Prandaj përgatitjen e tyre, në armët ku ata kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë, pavarësisht pse janë në rezervë, duhet ta kenë plotësisht të përkryer e me cilësi të lartë, pra, të jenë të aftësuar mirë si për dhënien e mësimit, për zbatimin e urdhrave, për zhvillimin e direktivave, ashtu edhe për thellimin e tyre. Në të gjitha këto drejtime ata të jenë rigorozë, të shkathët e të disiplinuar. Kur theksova se puna e Partisë me kuadrot dhe me gjithë punonjësit, kudo ku ata e kryejnë veprimtarinë e tyre të përditshme, duhet të lidhet ngushtë edhe me përgatitjen e tyre ushtarake, kam parasysh që ajo të dihet me momentet aktuale.

Kjo është absolutisht e domosdoshme. Është e qartë se ai punëtor, kooperativist ose intelektual që sot tregohet dhe duhet të tregohet në jetë i disiplinuar, që zbaton një disiplinë proletare në punën e përditshme të tij, ai do të tregohet me siguri i disiplinuar edhe në zbatimin e direktivave të Komitetit Qendror të Partisë e të Komandës së Përgjithshme në kohë lufte. Ai që e merr këtë edukatë që tani, do të ketë forcë e aftësi në veten e tij për të zbatuar si duhet edhe detyrën e madhe të mbrojtjes së atdheut. Atij punonjësi që zbaton me përpikëri normat teknike për realizimin e planit në kohë, në sasi dhe me kursime të mëdha, nuk ka përse të mos i bëhet edukatë e shprehi edhe zbatimi me përpikëri i detyrave ushtarake. Të njëjtat norma duhen zbatuar me përpikëri, në kohën e në vendin e caktuar, si në punët e zakonshme, ashtu edhe në ushtri. / Memorie.al

(Ky Plenum që u mblodh në datën 26 e 27 qershor 1978, diskutoi rreth raportit; “Mbi punën e bërë për zbatimin e vendimeve të plenumeve të V-të dhe të VI-të të Komitetit Qendror të Partisë të vitit 1974, dhe të detyrave që shtroi Kongresi i 7-të i Partisë për forcimin e mëtejshëm mbrojtjes së vendit” dhe mori vendimet përkatëse).

                                                           Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi...”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962

Artikuj të ngjashëm

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi…”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962
Dossier

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi…”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962

July 19, 2026
“Te ‘Historia e Skënderbeut’, botuar në Boston, më 1921, Fan Noli, i cili në atë kohë nuk e dinte se në Dibrën e Poshtme ka një fshat që quhet Kastriot, e pranoi…”/  Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur
Dossier

“Te ‘Historia e Skënderbeut’, botuar në Boston, më 1921, Fan Noli, i cili në atë kohë nuk e dinte se në Dibrën e Poshtme ka një fshat që quhet Kastriot, e pranoi…”/ Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur

July 19, 2026
“Kryeministri Mehdi Frashëri dha dorëheqjen, pasi nuk mori votëbesimin në Parlament dhe falenderoj gazetarët, sepse…”/ Taksa e rrugës, që rrëzoi qeverinë e “Frashëri” më 1936-ën
Dossier

“Kryeministri Mehdi Frashëri dha dorëheqjen, pasi nuk mori votëbesimin në Parlament dhe falenderoj gazetarët, sepse…”/ Taksa e rrugës, që rrëzoi qeverinë e “Frashëri” më 1936-ën

July 18, 2026
“Vërtetë komunistët e fituan luftën, por më pas ata u kthyen në një bandë vrasësish, ashtu siç e kishte parashikuar edhe Sejfulla Malëshova në fund të luftës, i cili tha…”/ Refleksionet e Bashkim Shehut
Dossier

“Vërtetë komunistët e fituan luftën, por më pas ata u kthyen në një bandë vrasësish, ashtu siç e kishte parashikuar edhe Sejfulla Malëshova në fund të luftës, i cili tha…”/ Refleksionet e Bashkim Shehut

July 16, 2026
“Ne morëm pjesë si të ftuar, por vetëm në një pjesë të programit dhe jo në bisedimet zyrtare me kryetarët e delegacioneve, pasi…”/ Zbulohet telegrami i delegacionit shqiptar nga Forumi i Davosit, qershor ‘91
Dossier

“Ne morëm pjesë si të ftuar, por vetëm në një pjesë të programit dhe jo në bisedimet zyrtare me kryetarët e delegacioneve, pasi…”/ Zbulohet telegrami i delegacionit shqiptar nga Forumi i Davosit, qershor ‘91

July 17, 2026
“Ushtarët osmanë plaçkisnin fshatrat, pllajat e malet dhe kapën çdo mashkull e femër, ua dogjën fshatrat dhe shtëpitë e…”/ Historia e panjohur e fshatrave shqiptare që gjenden sot në Bullgari
Dossier

“Ushtarët osmanë plaçkisnin fshatrat, pllajat e malet dhe kapën çdo mashkull e femër, ua dogjën fshatrat dhe shtëpitë e…”/ Historia e panjohur e fshatrave shqiptare që gjenden sot në Bullgari

July 16, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme