• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, July 20, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Grupi tradhtar i Beqir Ballukut, kërkonte t’i zhvillonte në ushtrinë tonë disa pikëpamje të gabuara, si lënia e terrenit të luftës dhe…”/ Fjala e Enver Hoxhës në 27 qershor ’78, një ditë pas vizitës në “Bunk’Art 1”

“Enver, ja si po e masakroni këtë popull….” Letra anonime gjeneralit që tentoj arratisjen dhe vdiq në Burgun e Burrelit në ’75-ën / Dëshmia e kolonelit…
“Kur Adil Çarçanit i treguan listën me emrat nga sektori i naftës që do arrestoheshin si sabotatorë, ai tha… “/ Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së   
“Kadri, për tradhtinë e Mehmet Shehut, nuk u krijua ndonjë situatë e vështirë, se nuk e donte njeri, por tani…”/ Mbledhja e Byrosë, shtator ‘82
“U arrestua inxhinieri Edmond Demiraj, pasi në oborrin e Ministrisë së Brendshme, vdiqën dhe u plagosën punëtorët…”/ Zbulohet dokumenti sekret i Sigurimit, për ngjarjen e rëndë te ‘Bunk’ Art 2’, qershor ‘83
“Përplasjen e parë me Enver Hoxhën, im atë e ka pasur menjëherë pas Luftës, për instruktorët jugosllavë në rradhët e Ushtrisë sonë, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e të birit të gjeneral-leitnant, Spiro Moisiut
“Kadri Hazbiu sabotoi vend-komandën e Ministrisë Brendshme, ku nga 41 dhoma pune për aparatin qendror të saj në rast lufte, ai e uli në 23…”/ Zbulohet dokumenti i Sigurimit i vitit 1983, për objektin “Bunk-Art 2”
“Kur gjeneral Prodani, që kishte shumë afrimitet me kryeministrin, i tha: ‘Ç’po bëni kështu?! Ç’faj kanë bërë shokët, që po i godisni kaq egër?! Mehmeti i’u përgjigj…”/ Kujtimet e ish-presidentit Alfred Mosiu
Fotot kurrë: “Kur Enveri inspektonte ‘Vend-komandën qendrore të Ushtrisë’, i shoqëruar nga…”

Nga DASHNOR KALOÇI

Pjesa e dytë

Memorie.al / Ashtu siç kishte ndodhur në fundin e vitit 1948, kur Enver Hoxha prishi marrëdhëniet zyrtare me Jugosllavinë e Marshallit Josif Broz Tito, si dhe në vitin 1961, me Bashkimin Sovjetik të udhëhequr nga Nikita Hrushovi, kur “elementi reaksionar” në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të vendit “ishte zgjuar dhe filloi të lëvizte”, edhe në verën e vitit 1978, kur Tirana zyrtare po shpallte prishjen përfundimtare të marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës, historia u përsërit pikë për pikë, duke ndodhur e njëjta situatë. Lidhur me këtë, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye Enver Hoxhën, Hysni Kapon, Ramiz Alinë etj., viheshin në korrent dhe njiheshin hollësisht nëpërmjet dhjetëra raport-informacioneve të dërguara atyre nga ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, apo vartësit e tij zv. ministra të Brendshëm, si Feçor Shehu, Rexhep Kolli, Mihallaq Ziçishti etj. Në këtë kuadër, sipas udhëzimeve dhe orientimeve që jepte udhëheqja e lartë, “për ta pasur situatën nën kontrolli”, Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, fillonin goditjet, duke arrestuar, burgosur, dënuar dhe internuar me dhjetëra persona, kryesisht nga shtresa e “armiqve të popullit” dhe “familjet reaksionare”, të cilët ishin gjithmonë në ndjekje dhe vëzhgim të rreptë nga organet përkatëse. 

Të gjitha këto etj., tashmë janë të njohura prej kohësh, edhe  nga publikimi i një numri të madh dokumentesh arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo Arkivi Qendror i Shtetit, ku ndodhet arkivi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat hedhin dritë mbi situatën në vend, gjatë periudhës kohore kur udhëheqja e lartë e PPSH-së shpallte prishjen e marrëdhënieve zyrtare me ish-miqtë e ngushtë të saj, si Jugosllavia e Titos, Bashkim i Sovjetik i Nikita Hrushovit, apo Republika Popullore e Kinës që pas vdekjes së Mao Ce Dunit, kishte në krye të partisë, Hua Kuo Fenin.

Gjithashtu mund të lexoni

“Fan Noli mendon se Lukari ka gabuar vetëm në një pikë, mbasi në vend që të thotë Kastriot, ka shkruar Kastrat, por Noli nuk ka të drejtë, pasi…”/ Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur

“Kur ushtrinë e drejtonin tradhtarët Beqir Balluku, Petrit Dumja dhe Hito Çakoja, këto stërvitje nuk shërbenin për qëllimet që duheshin, por…”! / Fjala e Enver Hoxhës në 27 qershor ’78, një ditë pas vizitës në “Bunk’Art 1”

Nisur nga sa më sipër, në këtë shkrim po publikojmë fjalën e Enver Hoxhës të mbajtur në plenumin e V-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili zhvilloi punimet në datat 26 dhe 27 qershor të vitit 1978, vetëm disa ditë para se Tirana zyrtare të shpallte publikisht, prishjen e marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës. Siç dhe do të shikojmë dhe nga fjala e tij, kreu i PPSH-së, Enver Hoxha, është ndalur gjatë vetëm në aspektin e mbrojtjes së vendit, gjë e cila tregon më së miri paranojën e tij, që pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, Shqipëria mund të ishte objekt sulmi ushtarak nga jashtë.

Kjo gjë, pra paranoja e tij, veç të tjerash tregohet edhe nga fakti se vetëm dy ditë para zhvillimit të mbledhjes së plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxha vizitoi vend-komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë Popullore (i njohur sot si Bunk’Art 1”), objektin nëntokësor anti-atomik që sapo kishte përfunduar së ndërtuari në periferi të kryeqytetit (kodrat e Shishtufinës), ku pre-supozohej se si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe kryetar i Këshillit të Mbrojtjes, Enver Hoxha do strehohej aty dhe nga zyra e tij do drejtonte luftimet për mbrojtjen e vendit, nëse territori shqiptar do të sulmohej me agresion ushtarak nga jashtë, “nga një shtet i huaj, forcat e Traktatit të Varshavës, Nato-s, të dyja së bashku, apo një koalcion shtetesh armike”, siç përcaktohej edhe nga rregulloret e dokumentet e Artit Ushtarak Popullor.

Sa më sipër të gjitha këto ishin dhe mbetën në planin teorik, pasi ajo gjë nuk ndodhi kurrë, pra “Shqipëria Socialiste që qëndronte krenare në brigjet e Adriatikut”, nuk u bë kurrë objekt i ndonjë sulmi apo agresioni ushtarak nga jashtë dhe objekti i Vend-Komandës së Përgjithshme (“Bunk’Art 1”) ndodhet edhe sot aty, si një dëshmi e periudhës së luftës së ftohë, i cili prej vitesh është kthyer në një muze atraktiv që pret me mijra turistë vendas dhe të huaj. Nisur nga kjo, në këtë shkrim po publikojmë të plotë dhe me faksimilet përkatëse, fjalën e Enver Hoxhës të mbajtur në plenumin e V-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, (të zhvilluar në datat 26 dhe 27 qershor 1978), ku duket qartë se udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, përveçse si një mobilizim të forcave të armatosura, duket që e ka pasur më shumë edhe si “konsum” për jashtë!

                                                               Vijon nga numri kaluar

ENVER HOXHA: “TË PËRGATITEMI NGA ÇDO PIKËPAMJE PËR MBROJTJE, QË ARMIKU TË MOS NA ZËR KURRË NË BEFASI”

Edhe këtu duhet të zhvillohet ndjenja e ekonomisë, jo vetëm për sa i përket administrimit e mirëmbajtjes së armatimeve, të pajisjeve, të predhave, të municioneve, të konservimit të mirë të armëve, por edhe të ushqimeve dhe të veshmbathjes, për arsye se, sidomos në kohë lufte, ato nuk sigurohen aq lehtë, prandaj rezervat duhet të ruhen me kujdesin më të madh dhe vazhdimisht të shtohen. Është e kuptueshme se në kohë lufte niveli i industrisë dhe i bujqësisë sonë nuk do të jetë ai i sotmi, prandaj kush mendon e punon mirë për të sotmen, ai ka menduar e punuar mirë edhe për kohën e luftës.

Ai punonjës ose komunist që i kupton mirë aktualisht situatat politike, që kupton si duhet luftën e klasave, që kupton mirë kontradiktat joantagoniste dhe antagoniste, edhe në kohë lufte ai do të jetë i armatosur si duhet politikisht dhe ideologjikisht, do të jetë i zgjuar dhe vigjilent kundër armikut që do të na sulmojë, si dhe kundër armiqve të brendshëm, të cilët nuk do të mungojnë të ngrenë veshët dhe të na sabotojnë. Ai që i ka të qarta aktualisht të gjitha këto çështje do të jetë i dashur dhe i shtrenjtë për trupën, për njerëzit që komandon, për mbarë popullin në përgjithësi.

Prandaj mendoj që puna politike dhe ideologjike, çështja e rendimentit dhe e disiplinës, e normave në punë, qoftë në industri, qoftë në bujqësi, në arsim, në kulturë e kudo, duhet të pleksen, të shtrohen dhe të shpjegohen sa më qartë lidhur edhe me detyrat e mbrojtjes dhe të kuptohet si duhet se gjithë këto të mira, këto virtyte, të fituara me aq djersë me mund, do të na shërbejnë jashtëzakonisht shumë për të përballuar çdo sulm nga ana e armiqve dhe për ta thyer atë me sukses.

Për këto çështje, natyrisht, duhen bërë leksione, por leksioni më i mirë është zbërthimi e zgjidhja konkrete dhe lidhja ngushtë e gjithë këtyre problemeve me punën e përditshme të njerëzve tanë: shpjegimet e sqarimi i tyre, përsëritja pa fraza, pa fjalime të përgatitura, por në punë e sipër shoku-shokut, brigadieri punëtorëve, punëtorët brigadierit, brigadieri shtabit të ndërmarrjes, shtabi i ndërmarrjes brigadierëve dhe punëtorëve, komunisti i thjeshtë udhëheqjes së organizatës-bazë dhe udhëheqja komunistëve.

Në qoftë se zhvillojmë një punë të tillë politiko-teorike dhe konkrete, të lidhur ngushtë me jetën e përditshme, atë herë mund të themi se e kemi bërë punën si duhet dhe çështjen e edukimit e të kalitjes ushtarake e kemi integruar në jetën e punonjësve tanë. Nuk dëshiroj të zgjatem shumë për këtë çështje kaq të rëndësishme që përbën përgatitja e Ushtrisë sonë Popullore për kohë lufte, për arsye se raporti i Byrosë Politike i bën të qarta të gjitha problemet. Çështja qëndron në atë që Komiteti Qendror i Partisë, si kudo-herë, duhet të jetë i ndërgjegjshëm se përpara atdheut, përpara popullit tonë dhe çështjes së ndërtimit të socializmit në Shqipëri vihen detyra të rënda për t’i zbatuar, se për zbatimin si duhet të atyre lypsen përpjekje akoma më të mëdha se ato që kemi bërë deri tani.

Të mos harrojmë, shokë, se kemi pasur disa dobësi e të meta në çështjet e përgatitjes së ushtrisë, për arsye të veprimtarisë armiqësore tradhtare të grupit të Beqir Ballukut, që zbuluam dhe goditëm. Aktualisht ushtria jonë ka bërë përparime dhe ecën në rrugën e vërtetë të modernizimit dhe, kur them të modernizimit, kam parasysh atë që ushtri dhe kuadro i kuptojnë problemet ushtarake në rrugën e drejtë politiko-ideologjike të Partisë sonë, i shohin lidhur edhe me situatat aktuale që zhvillohen në botë dhe me ato të perspektivës së vendit tonë. Me organizimin e ri të ushtrisë, e cila përmbledh gjithë popullin dhe e bën atë të stërvitet ushtarakisht, kërkohet një kuptim dhe një aplikim më i thellë i Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore.

Këtë art duhet që gjithë Partia, i madh e i vogël, ta ketë të qartë. Me këtë dua të them që të gjitha kategoritë e njerëzve, që nga më i vogli e deri te më i madhi, në punët e tyre, në detyrat që u ngarkohen dhe do t’u ngarkohen në kohën e luftës, të kenë të qartë se ç’duhet të bëjnë dhe, që ta kenë të qartë këtë gjë, ta mësojnë atë që duhet të bëjnë, të kenë plotësisht të qartë, përveç anës teknike të luftimit dhe të organizimit, edhe thelbin politiko-ideologjik të detyrës që u vihet përpara për t’u zgjidhur, sepse çështja e ushtrisë nuk është një çështje vetëm organizative, siç mendonin njerëzit e grupit tradhtar të Beqir Ballukut.

Ushtria jonë duhet të ketë koncepte të drejta për rëndësinë politike që merr ajo situatë e vështirë, që do të krijohet për atdheun tonë, kur të gjendet përballë sulmeve të armiqve agresorë dhe pushtues. Duhet gjithashtu të ketë të qartë se atdheu duhet mbrojtur pëllëmbë për pëllëmbë me sakrifica dhe me gjak. Çështja e luftës është një çështje e vështirë nga të gjitha anët, nga ana njerëzore, nga ana materiale, nga ana morale dhe nga ana psikologjike.

Këto vështirësi të mëdha duhet të na gjejnë të përgatitur në të gjitha aspektet që krijon një moment i tillë i rëndë, se kështu do ta përballojmë me sukses. Asnjë situatë të mos na gjejë kurrë në befasi dhe, që të mos na gjejë në befasi, është e domosdoshme që të gjithë anëtarët e Partisë të jenë të ndërgjegjshëm se momentet e krijuara nga agresioni ushtarak i armiqve tanë, sado të vështira që të jenë, duhen përballuar dhe mund të përballohen me sukses vetëm me një përgatitje të mirë ideologjike e ushtarake të forcave tona të armatosura, të tërë popullit ushtar.

Parapërgatitja tekniko-ushtarake me stërvitje të shumta, me aplikimin e detyrave ushtarake, me një kuptim të thellë dhe të vazhdueshëm të këtij problemi duhet bërë qysh tani në kohë paqeje, kur ne ndërtojmë socializmin. Çdo gjë, çdo veprim në fabrikë, në ara, në shkolla e kudo të lidhet me çështjen ushtarake dhe, kur them të lidhet me çështjen ushtarake do të thotë që puna e përditshme e gjithsecilit të shihet e lidhur ngushtë me mbrojtjen e atdheut. Kjo do të thotë që kur punojmë për realizimet e planeve, të mos kemi parasysh vetëm ato ekonomike dhe kulturore, por edhe detyrat e planet ushtarake, që na vihen përpara të gjithëve, pse të gjithë jemi ushtarë, të gjithë do të luftojmë dhe të gjithë do të mbrohemi.

Prandaj, vëmendja për mbrojtjen e interesit të përgjithshëm merr një përmbajtje shumë të lartë ideologjike. Interesi i përgjithshëm konkretizohet në mbrojtjen e atdheut, në mbrojtjen e fitoreve të pavarësisë, të lirisë dhe të sovranitetit. Nuk ka interesa më të lartë se këta, prandaj çdo veprim i përditshëm nga ana jonë duhet të përqendrohet në këto çështje. Disa e kanë parasysh këtë problem të madh, nuk e harrojnë, por ka edhe njerëz që mendojnë se të realizosh planin e grurit ose të pambukut është e mjaftueshme.

Realizimi i planeve në të gjithë sektorët, në ekonomi, në arsim e kulturë etj., ka rëndësi të madhe dhe është absolutisht i domosdoshëm të kryhet, për arsye se është një nga detyrat kryesore për ndërtimin e socializmit, për forcimin e ekonomisë, të mirëqenies së popullit, të ngritjes e të kalitjes së moralit proletar, të ndërgjegjes proletare në punë e në luftë, për forcimin e atdheut tonë socialist. Ndërtimi i socializmit është një luftë e madhe, bile shumë e madhe, është një parapërgatitje serioze absolutisht e domosdoshme për të përballuar detyrat shumë të mëdha të së ardhmes.

Por lufta që bëjmë për realizimet e planeve nuk duhet të na bëjë që të lëmë mënjanë ose në radhë të dytë stërvitjet ushtarake dhe me këto nuk kam parasysh vetëm ato ditë të caktuara me ligj për stërvitjen e rezervistëve, të forcave vullnetare apo të studentëve etj. Jo, me stërvitjen luftarake unë kuptoj atë pre-okupacion politik, ideologjik dhe teknik që Partia duhet t’ua futë mirë në mendje njerëzve se çdo veprim tyre bëhet për mirëqenien e përgjithshme, e cila rrezikohet nga armiqtë imperialisto-revizionistë që na rrethojnë, prandaj, çdo veprim i përditshëm që kryhet nga ana jonë, duhet të konceptohet si një masë përgatitore mbrojtëse.

Përveç kësaj, studimi dhe aplikimi i Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore në ushtrinë aktive, në shkollat e lira, në forcat vullnetare dhe në të gjitha masat e popullit ushtar duhet të konsiderohet një detyrë absolutisht e domosdoshme, e veçantë, detyrë mbi të gjitha detyrat e tjera që duhet të kryhet, por të kryhet në tërë kompleksitetin e vet. Kur themi në kompleksitetin e vet, me këtë duhet të kuptojmë mirë që stërvitjet të zhvillohen sikur të jemi në luftë të vërtetë. Kjo do të thotë që të gjithëve t’u punojë mendja dhe trupi, që këta të dy të jenë në harmoni; që njerëzit tanë të zotërojnë mirë armët, të njohin terrenin, të njohin strategjinë dhe taktikat tona të luftës, të njohin gjithashtu edhe armikun, të cilin nuk duhet kurrë as ta mbivlerësojmë, as ta nënvleftësojmë.

Prandaj me stërvitjet luftarake duhet të punojë shumë dhe në shkallë të gjerë Partia, ajo duhet të mbulojë me punën e saj përgatitjen politiko-luftarake të të gjithë masës së popullit ushtar. Në stërvitjet luftarake ana teknike nuk është diçka fantazie, as një propagandë e rëndomtë, por është një edukim i gjerë tekniko-profesional. Në rast se tornitori nuk e mëson mirë zanatin, nuk mund ta vërë në lëvizje tornon; traktoristi që nuk mëson si duhet ta drejtojë, ta zbërthejë dhe ta mbërthejë traktorin kur i prishet, nuk mund të jetë një traktorist i mirë; po ashtu një ushtar, qoftë aktiv, qoftë rezervist, qoftë vullnetar, nuk mund të jetë ushtar i mirë, në rast se nuk përgatitet si duhet nga ana tekniko-ushtarake, në qoftë se nuk e mëson si duhet specialitetin e tij në mësimet që zhvillohen për të në kurse të veçanta teorike dhe në praktikë.

Prandaj, në këto kurse, në këto aktivitete ushtarake teknike cilido duhet të shkojë me dëshirë dhe të mësojë me zell, sepse është absolutisht e nevojshme të aftësohet dhe të zotërojë në ushtri një a më shumë specialitete. Krahas këtyre një përgatitje të veçantë dhe serioze kërkon çështja tjetër e madhe, ajo e taktikës së luftës, e përdorimit si duhet, me efektivitet e me shpejtësi, në terrene të ndryshme dhe në kohë të ndryshme të armëve që kemi në përdorim.

Secili duhet të dijë t’i përdorë ato më së miri, duke menduar kurdoherë se do të kemi përpara armiq të egër e të armatosur deri në dhëmbë me mjete moderne. Në qoftë se çdonjëri do të mendojë kështu, atëherë do t’u bëhet ballë me sukses edhe sasisë, edhe armëve moderne të armiqve. Por, që atyre t’u bëhet ballë, nuk mjaftojnë vetëm stërvitjet në kohën e caktuar. Çështja është që çdo ditë, kudo ku gjendet njeriu, kur ka kohë të lirë (dhe secili duhet ta gjejë këtë kohë) ashtu siç mendon për çështjet e tjera, ai duhet të mendojë edhe për problemet ushtarake.

Në shkollat e lira ushtarake, secili mëson të njohë vendin ku do të zërë pozicionin, krijon në kokën e tij topografinë e terrenit në hollësirat më të vogla dhe mbi këto hollësira ai ndërton shumë e shumë taktika lufte, të cilat në momentin më të rrezikshëm, kur të marrë urdhër që të veprojë, kur do të gjendet me të vërtetë në terrenin e përshtatshëm të tij, gjë që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për luftim, për manovrim, për sulm, për tërheqje, për kundërsulm dhe për shfarosjen e armiqve, të bashkuara së toku, në një mendim të njëjtë, me zbatime të ndryshme e në vazhdimësi, përbëjnë atë krijim të pikëpamjes së vërtetë politiko-ideologjike dhe teknike të përgatitjes së Ushtrisë sonë Popullore qysh tani në kohë paqeje për të përballuar një rrezik eventual.

Një kuptim i tillë i detyrave i zhduk ato pikëpamje që mund të kenë mbetur te disa nga koha e luftës që edhe grupi tradhtar i Beqir Ballukut kërkonte t’i zhvillonte në ushtrinë tonë, siç është pikëpamja e gabuar e lënies së menjëhershme të terrenit të luftës, me sulmin e parë të armikut, e daljes në mal dhe e zhvillimit andej të luftës partizane. Jo, Arti ynë Ushtarak i Luftës Popullore përcakton saktësisht se lufta jonë, kur të na sulmojnë, do të jetë një luftë frontale dhe se nuk do t’i lëshojmë asnjë pëllëmbë tokë armikut. Edhe në qoftë se armiku do të arrijë në ndonjë rast të na zaptojë një pjesë të territorit tonë, ne do t’i qepemi atij si gërthëla, do ta kundërsulmojmë vazhdimisht derisa ta hedhim përtej kufijve tanë dhe nuk do ta lejojmë që ta zgjerojë më tej territorin e okupuar prej tij.

Prandaj kuptimi i luftës frontale që do të bëjmë është i domosdoshëm nga i madh e i vogël në vendin tonë. Në vendin tonë populli është në fuqi dhe ai duhet ta mbrojë me çdo kusht shtetin e vet socialist. Nuk është më në Shqipëri një regjim si ai i Ahmet Zogut, i cili e shiti vendin dhe populli u detyrua të hidhej në male. Aktualisht, Shqipëria është një vend socialist, i fortë, i lulëzuar dhe ai duhet të mbrohet nga të katër anët, të mos e lejojë armikun të zërë asnjë qoshe, pa lëre që të depërtojë në thellësitë e vendit tonë.

Terreni ynë është përgatitur dhe është e domosdoshme që të përgatitej për një luftë frontale, prandaj tash ne duhet të përgatitim mirë edhe kuadrot e mbarë popullin tonë që të kenë parasysh se lufta që do të bëjmë e tillë do të jetë dhe do të bëjë që armiku të dështojë që në veprimet e tij të para. Kjo duhet të jetë bindja e formuar qartë në mendjen e njerëzve tanë ushtarë. Unë, shokë dhe shoqe, nuk do të zgjatem më tepër. Partia dhe ushtria jonë kanë shumë materiale në dispozicion për këto probleme, prandaj i kanë të qarta, veçse duhet t’i thellojnë, t’i zgjerojnë, t’i zhvillojnë më tej e t’i zbatojnë në jetë.

Kam bindjen se Ushtria jonë Popullore, e cila edukohet vazhdimisht me vijën e drejtë politike, ideologjike dhe ushtarake të Partisë, do të jetë kurdoherë e gatshme për detyrën e saj të lartë, fisnike, për heroizmat dhe sakrificat që duhet të bëjë për jetën e popullit, për atdheun e lirë, për ndërtimin e socializmit. Me këtë rast dëshiroj t’ju përshëndes nga zemra për 35-vjetorin e ushtrisë sonë heroike, që u themelua nga Partia dhe u kalit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër nazifashistëve dhe tradhtarëve të vendit./ Memorie.al

Të rrojë Partia! Të rrojë e të forcohet Ushtria jonë Popullore!

(Ky Plenum që u mblodh në datën 26 e 27 qershor 1978 diskutoi rreth raportit “Mbi punën e bërë për zbatimin e vendimeve plenumeve të V-të dhe të VI-të të Komitetit Qendror të Partisë të vitit 1974, dhe të detyrave që shtroi Kongresi i 7-të i Partisë për forcimin e mëtejshëm mbrojtjes së vendit” dhe mori vendimet përkatëse.) 

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Disa ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, Mbreti Zog i la të gjitha dhe u ngrit ta...”/ Libri i panjohur i gazetares franceze, për Mbretëreshën Geraldinë Appony

Artikuj të ngjashëm

“Fan Noli mendon se Lukari ka gabuar vetëm në një pikë, mbasi në vend që të thotë Kastriot, ka shkruar Kastrat, por Noli nuk ka të drejtë, pasi…”/ Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur
Dossier

“Fan Noli mendon se Lukari ka gabuar vetëm në një pikë, mbasi në vend që të thotë Kastriot, ka shkruar Kastrat, por Noli nuk ka të drejtë, pasi…”/ Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur

July 19, 2026
“Kur gjeneral Prodani, që kishte shumë afrimitet me kryeministrin, i tha: ‘Ç’po bëni kështu?! Ç’faj kanë bërë shokët, që po i godisni kaq egër?! Mehmeti i’u përgjigj…”/ Kujtimet e ish-presidentit Alfred Mosiu
Dossier

“Kur ushtrinë e drejtonin tradhtarët Beqir Balluku, Petrit Dumja dhe Hito Çakoja, këto stërvitje nuk shërbenin për qëllimet që duheshin, por…”! / Fjala e Enver Hoxhës në 27 qershor ’78, një ditë pas vizitës në “Bunk’Art 1”

July 20, 2026
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi…”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962
Dossier

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi…”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962

July 19, 2026
“Te ‘Historia e Skënderbeut’, botuar në Boston, më 1921, Fan Noli, i cili në atë kohë nuk e dinte se në Dibrën e Poshtme ka një fshat që quhet Kastriot, e pranoi…”/  Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur
Dossier

“Te ‘Historia e Skënderbeut’, botuar në Boston, më 1921, Fan Noli, i cili në atë kohë nuk e dinte se në Dibrën e Poshtme ka një fshat që quhet Kastriot, e pranoi…”/ Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur

July 20, 2026
“Kryeministri Mehdi Frashëri dha dorëheqjen, pasi nuk mori votëbesimin në Parlament dhe falenderoj gazetarët, sepse…”/ Taksa e rrugës, që rrëzoi qeverinë e “Frashëri” më 1936-ën
Dossier

“Kryeministri Mehdi Frashëri dha dorëheqjen, pasi nuk mori votëbesimin në Parlament dhe falenderoj gazetarët, sepse…”/ Taksa e rrugës, që rrëzoi qeverinë e “Frashëri” më 1936-ën

July 18, 2026
“Vërtetë komunistët e fituan luftën, por më pas ata u kthyen në një bandë vrasësish, ashtu siç e kishte parashikuar edhe Sejfulla Malëshova në fund të luftës, i cili tha…”/ Refleksionet e Bashkim Shehut
Dossier

“Vërtetë komunistët e fituan luftën, por më pas ata u kthyen në një bandë vrasësish, ashtu siç e kishte parashikuar edhe Sejfulla Malëshova në fund të luftës, i cili tha…”/ Refleksionet e Bashkim Shehut

July 16, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme