• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, July 20, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Disa ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, Mbreti Zog i la të gjitha dhe u ngrit ta…”/ Libri i panjohur i gazetares franceze, për Mbretëreshën Geraldinë Appony

“Disa ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, Mbreti Zog i la të gjitha dhe u ngrit ta…”/ Libri i panjohur i gazetares franceze, për Mbretëreshën Geraldinë Appony
“Geraldina Apony dhe tragjedia e dinastisë së Zogut: Nga Egjipti në Tailandë, rrugët e një Mbretërie të Humbur”
“Disa ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, Mbreti Zog i la të gjitha dhe u ngrit ta…”/ Libri i panjohur i gazetares franceze, për Mbretëreshën Geraldinë Appony
“Me ne erdhi edhe majori englez, Hill, por ky, kaloi me Qazim Kokoshin, Gani Kryeziun dhe Abas Kupin nga Shala, e flitet se i kanë marrë 8000 napolona ari…”/ Kujtimet e adjutantit të Mbretit Zog
“Disa ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, Mbreti Zog i la të gjitha dhe u ngrit ta…”/ Libri i panjohur i gazetares franceze, për Mbretëreshën Geraldinë Appony
“Disa ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, Mbreti Zog i la të gjitha dhe u ngrit ta…”/ Libri i panjohur i gazetares franceze, për Mbretëreshën Geraldinë Appony
“Disa ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, Mbreti Zog i la të gjitha dhe u ngrit ta…”/ Libri i panjohur i gazetares franceze, për Mbretëreshën Geraldinë Appony
“Disa ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, Mbreti Zog i la të gjitha dhe u ngrit ta…”/ Libri i panjohur i gazetares franceze, për Mbretëreshën Geraldinë Appony

Nga Alda BARDHYLI

Memorie.al / “Çehrja, flokët, mustaqet e mbretit janë biondë. Vishet me elegancë, ka një joshje natyrore, megjithëse ndonjëherë është nervoz. Kurajo e tij është e pakundërshtueshme, krejt si inteligjenca dhe kapacitetet e tij intuitive…”! Kontesha Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagyappony, ose ashtu siç njihet tashmë nga të të gjithë Mbretëresha Geraldinë, do t’i sillte shpesh në mendje këto fjalë të thëna nga Jozef Suari. Vajza që e kishte kaluar adoleshencën dhe rininë e hershme në një nga kështjellat më të bukura të Hungarisë, në Zebegeny, bashkë me të motrën Virginia, e kishte ëndërruar shpesh djaloshin që do t’i rrëmbente zemrën.

Sjellja e tij duhet t’u ngjasonte rrëfimeve për burrat që kishte dëgjuar në bisedat e Aponyve. Me përfytyrimet e një vajze të grishur nga e papritura dhe imazhi i një burri që dukej interesant përmes tregimeve për të, ajo vizatoi në mendje portretin e saj për Mbretin Zog. Me një shqetësim të ëmbël brenda vetes, kontesha udhëtoi drejt Shqipërisë për ta takuar. Ishin ditët e fundit të dhjetorit dhe Mbreti kishte organizuar një ballo me rastin e Vitit të Ri.

E veshur me një fustan të gjatë elegant, flokët e krehur lehtë, kontesha hungareze priste me ankth të shihte burrin për të cilin kishte udhëtuar nga larg. E rritur mes leximesh ajo besonte fort në fuqinë e takimit të parë. Nëse sytë e tij do të depërtojnë menjëherë brenda trupit të saj, atëherë mes tyre do të kishte një histori. Kur princesha Sanije i thotë se tashmë ka ardhur momenti të takojnë Mbretin, ajo stepi. Ai ndodhej vetëm pak metra larg saj, diku në fund të sallës të mbushur me njerëz.

Gjithashtu mund të lexoni

“Mbreti Zog po punon për kapitujt e fundit të kujtimeve të tij, të cilat do publikohen së shpejti dhe do të hedhin dritë mbi…”/ Intervista e panjohur e Mbretëreshës Gerlandinë, shtator 1960

“Mbreti Zog dëshiron të ndërtojë një autostradë që lidh Durrësin me Tiranën e cila do të mbajë emrin e Duçes, më pas do të ngrihet një katedrale dhe…”/ Intervista e panjohur e Geraldinës, shtator 1960

“Po arrinim në fund të sallës, kur befas pashë para meje një burrë trupmadh e të hollë, shumë elegant, që po bisedonte me një shef të misionit të huaj. U kthye nga unë dhe duke ndeshur për herë të parë vështrimin e tij, ndjeva një shqetësim të habitshëm. Kishte sy bojë-qielli, zhbirues dhe robërues…”, do ta kujtonte më vonë Geraldinë atë moment.

Mbreti do t’i buzëqeshte, duke e falënderuar që kishte ardhur nga larg, e duke e pyetur mbi udhëtimin. Por Geraldinë nuk mund të jepte asnjë përgjigje. Papritur ajo e ndien veten të pushtuar nga një ngërç emocionesh, duke e ndier se sapo ishte takuar me të ardhmen e saj. “S’munda veçse të belbëzoja një përgjigje. Shumë persona afroheshin për ta përshëndetur, por të motrat, princeshat, na rrethonin si për të na mbrojtur nga kureshtjet e turmës.

Mbreti i prezantoi me radhë, pastaj më zgjati një kupë shampanjë shkreptitëse. Gishtat tanë u çikën dhe saktësisht në këtë çast dritat u fikën. Tronditja kishte qenë kaq e fortë saqë e lëshova gotën; ajo u thye në mijëra copëra, ndërsa po kumbonin dymbëdhjetë goditjet e mesnatës”, kujtonte më vonë Mbretëresha Geraldinë.

Ishte viti 1938 dhe një vajzë e rritur salloneve ndihet e pushtuar nga ankthi i një takimi që aq shumë e kishte pritur. Mbreti e kupton menjëherë heshtjen e saj dhe për ta nxjerrë nga situata e fton për të ngrënë…! Në një mbrëmje që do të zgjaste gjatë, Zogu dhe Geraldina duket se e gjetën menjëherë njëri-tjetrin. Nën shkëlqimin e një darke mbretërore, ajo ishte shkëlqimi më i bukur atë natë në Pallat. Shumë historianë apo biografë janë përpjekur të ndërtojnë një tablo të atij takimi, që do të ndryshonte përgjithmonë jetën e Mbretit të shqiptarëve.

Por rrëfimi më i ndier është i vetë Geraldinës, e cila deri në fund të jetës ruajti me kujdes si perla të një rruaze të çmuar, detajet e asaj mbrëmjeje. Josephinë Dedet është një prej biografeve më të mira të jetës së mbretëreshës Geraldinë. E dhënë pas historisë, kjo gazetare franceze do të tërhiqej menjëherë nga figura e mbretëreshës shqiptare që kur lexoi për herë të parë për të. Kur ishte e vogël, historia e saj i ngjasonte si një përrallë. Prindërit e Dedet ishin miq me gjysmëvëllain francez të Geraldinës, Guy Giraul.

Josephinë Dedet: “Ata u dashuruan me shikim të parë”!

“Ajo gjithmonë fliste për të me një dashuri e pasion të thellë. Ata patën një jetë të vështirë në ekzil, por dashuria i ndihmoi për t’ia dalë me kurajë e guxim”. Për herë të parë, Dedet do ta takonte në Ranburg (Afrika e Jugut) në vitin 1996. Përpara këtij takimi ato kishin shkëmbyer letra, të cilave mbretëresha u përgjigjej me shumë mirësjellje. Josefinë e pyeste për gjithçka, fëmijërinë, takimin me mbretin, Shqipërinë apo jetën në ekzil. “Falë letrave të gjata të shkëmbyera mes nesh, kishim filluar të ishim të afërta për njëra-tjetrën.

Më në fund, në vitin 1996, unë shkova ta takoja atë në Afrikën e Jugut, ku ajo jetonte bashkë me të birin, Lekën, dhe familjen e tij dhe me motrën e saj, konteshën Virginia Apony, të cilën e kisha njohur më parë edhe në Francë”, thotë Dedet. Përgjatë një jave sa qëndroi atje, Jozefinë do të merrte më shumë përgjigje për pyetjet që i lindin nga letrat. Kur ajo i tha Geraldinës se donte të shkruante një libër për të, në fillim ajo do të hezitonte, për shkak të një libri që kishte dalë në Britaninë e Madhe, nga i cili kishte mbetur e zhgënjyer.

Por pyetjet e bëra nga Dedet, përkushtimi i saj ndaj kësaj historie, e bënë të merrte bekimin e Mbretëreshës Geraldinë. “Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve”, quhet libri që u botua për herë të parë në Francë në vitin 1997 dhe do të ribotohej sërish gjatë këtyre viteve duke u pasuruar me kapituj të tjerë, ku përfshihen dhe vitet e fundit të jetës që kaloi në Shqipëri. Më 6 gusht të këtij viti, ishte 100-vjetori i lindjes së mbretëreshës Geraldinë.

Ndërsa në Shqipëri, ky përvjetor kaloi në heshtje, për një figurë që është kthyer në një ambasadore të denjë të historisë sonë, Hungaria, vendi i saj i lindjes, do ta kujtojë përmes një aktiviteti, ku do të prezantohet dhe botimi në hungarisht i librit mbi jetën e saj. Nën botimin e shtëpisë botuese hungareze “Europa”, më 8 shtator në Pallatin Karolyi do të mbahet aktiviteti për nder të Mbretëreshës Geraldinë, ku pritet të jenë më shumë se 250 njerëz.

Për Josephinë, kujtesa ndaj një figure si Geraldinë është një kujtesë ndaj kujtesës sonë historike. Teksa shkruante jetën e kësaj gruaje, ajo ndiente sesi dhe rrëfimet e saj kanë aftësinë ta përsosin njeriun, me energjinë që mbartin brenda. Dedet ruan me fanatizëm çdo detaj të takimeve me këtë grua të jashtëzakonshme. Pjesa më interesante e rrëfimeve në këtë libër, është jeta e saj në Shqipëri. Dhe pse vetëm një vit jetoi jetën e një Mbretëreshe në Pallat Mbretëror, kjo jetë do të ishte gjithçka në atë çfarë ndodhi më vonë me jetën e Geraldinës.

“Jeta në Shqipëri për një vit la gjurmë të thella në jetën e saj. Ajo ra në dashuri me vendin dhe gjatë viteve të qëndrimit në emigrim nuk e harroi asnjëherë këtë. Kur unë e pyeta njëherë; ‘A mendoni ndonjëherë për Shqipërinë?’ Ajo u përgjigj menjëherë: ‘Gjithë kohën’, dhe kjo ishte thjesht e vërteta”, kujton Dedet. Sipas saj, dashuria e saj me Mbretin Zog ishte një dashuri e rrallë. “Ata u dashuruan me shikim të parë. Ajo gjithmonë fliste për të me një dashuri e pasion të thellë. Ata patën një jetë të vështirë në ekzil, por dashuria i ndihmoi për t’ia dalë me kurajë e guxim”, thotë Dedet.

Kur ata u martuan, Mbreti Zog ishte 42 vjeç dhe Geraldina vetëm 22. Ai kishte qenë beqar për shumë vite dhe kishte një aftësi për të depërtuar te njerëzit. Ai e njohu menjëherë zemrën e saj, ndërsa ajo iu përkushtua tërësisht atij. Ajo do të ishte forca e tij gjatë ekzilit apo sëmundjes. E rritur në një familje të një shtrese të lartë, Geraldina e njihte mirë gjuhën diplomatike dhe e përdori atë për t’ua dalë shumë situatave në një jetë të vështirë siç ishte ekzili.

Për Dedet ishte fat të shkruaje për këtë grua, e cila do të mbetet gjatë në histori. Kthimi në Shqipëri i familjes mbretërore ishte dhe paqja që erdhi më në fund në shpirtin e Geraldinës. Pavarësisht se ishte hungareze, ajo nuk do të ikte e qetë nga kjo jetë pa shkelur dhe njëherë në Shqipëri.

Libri i shkruar nga Dedet i ngjason një romance në shumë kapituj të tij. Historia e dashurisë e Mbretit me Mbretëreshën dhe lidhja e tyre e fortë gjatë viteve në emigrim, i ngjason një historie që mund ta gjesh vetëm në libra. Dedet ka dashur të japë përmes këtij libri gjithçka çfarë ndodhte brenda zemrës së një gruaje, orët e saj të bukura të dëshirave, por dhe trishtimit. Orët pas natës së parë të takimit, përshkruhen nga Dedet si orë të mbushura me parandjenja.

“Nëse ngurrimet fillestare janë zhdukur mirë e bukur, ajo provon tani, pa e përcaktuar akoma natyrën e saktë, torturat dhe sfilitjet e një shpirti të dashuruar. Ngathtësia e saj, kupa e shampanjës e thyer, ngjyra veçanërisht pak tërheqëse e fustanit të saj, të gjitha këto i sillen në mendje dhe e bëjnë të skuqet nga turpi. Pasi ka pasur aty për aty përshtypjen se po jeton disa çaste të privilegjuara, tani ajo është e bindur se i ka pëlqyer Mbretit. Përfundimisht”, përshkruan Dedet ditët e para në Pallat të Geraldinës. Kur zgjohet të nesërmen në mëngjes gjen mbi tryezë një buqetë të madhe me karafila të kuq në formë zemre.

Me këtë gjest Mbreti kishte treguar se donte t’i fitonte zemrën asaj. Ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, ai i la të gjitha dhe u ngrit t’i puthte dorën. Ky ishte një gjest që ai nuk e bënte kurrë. Duke dashur të shmangte pyetjet e tepërta të një bisede të mbushur me emocione, ai i bëri direkt pyetjen që e mundonte prej ditësh: “A dëshironi të jeni gruaja ime?” “E njihnim pak njëri-tjetrin, por unë nuk mund t’i bëja ballë joshjes që buronte nga tërë personi i tij: tanimë e ndieja veten të dashuruar.

Pa mundur t’i analizoja ndjenjat e mia, e dija që kurrë s’kisha takuar ndonjë burrë si ai”, kujtonte ajo më vonë. Dhjetë ditë do t’i kërkonte ajo kohë për t’u menduar dhe pas dhjetë ditëve do të kthehej sërish në Pallat për të dalë prej andej vetëm si gruaja e tij…! Kujtimet e Geraldinës, për gazetaren Dedet, janë kujtimet e bukura të një gruaje, e cila dashurinë për një burrë e ktheu në dashurinë e madhe për një vend…!/ Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Fan Noli mendon se Lukari ka gabuar vetëm në një pikë, mbasi në vend që të thotë Kastriot, ka shkruar Kastrat, por Noli nuk ka të drejtë, pasi...”/ Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur

Next Post

“Grupi tradhtar i Beqir Ballukut, kërkonte t'i zhvillonte në ushtrinë tonë disa pikëpamje të gabuara, si lënia e terrenit të luftës dhe...”/ Fjala e Enver Hoxhës në 27 qershor ’78, një ditë pas vizitës në “Bunk’Art 1”

Artikuj të ngjashëm

“Mbreti Zog po punon për kapitujt e fundit të kujtimeve të tij, të cilat do publikohen së shpejti dhe do të hedhin dritë mbi…”/ Intervista e panjohur e Mbretëreshës Gerlandinë, shtator 1960
Personazh

“Mbreti Zog po punon për kapitujt e fundit të kujtimeve të tij, të cilat do publikohen së shpejti dhe do të hedhin dritë mbi…”/ Intervista e panjohur e Mbretëreshës Gerlandinë, shtator 1960

July 14, 2026
“Mbreti Zog dëshiron të ndërtojë një autostradë që lidh Durrësin me Tiranën e cila do të mbajë emrin e Duçes, më pas do të ngrihet një katedrale dhe…”/ Intervista e panjohur e Geraldinës, shtator 1960
Personazh

“Mbreti Zog dëshiron të ndërtojë një autostradë që lidh Durrësin me Tiranën e cila do të mbajë emrin e Duçes, më pas do të ngrihet një katedrale dhe…”/ Intervista e panjohur e Geraldinës, shtator 1960

July 15, 2026
“Pas ’90-ës, kur isha shef personeli në komisariatin e Beratit, kolegu I.S., më tregoi se si më kishin përgjuar dikur te kroi Malinatit, ku kisha thënë për Enverin …”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik
Personazh

“Kur isha në qeli me Raimond Sejkon, djalin e ish-Kundëradmiralit të Flotës dhe e pyeta se përse Enver Hoxha u shkaktoi gjithë atë tragjedi familjes së tyre, ai më tha…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

July 12, 2026
“Burgun e kalasë së Gjirokastrës, ku Ali Pashë Tepelena, mbante armiqtë e tij, komunistët e rikthyen në origjinë dhe në pesë metër katror, të dënuar politikë, minj, gjarpërinj…”/ Dëshmia e ish-të dënuarit politik
Personazh

“Mbasi prokurori Nevzat Haznedari, kërkoi dënimin e tij me vdekje, kryetari i gjykatës Niko Çeta, e pyeti për fjalën e fundit, ai i tha…”/ Historia e panjohur e Hasan Reçit, i dënuar me vdekje nga tre regjimet

July 5, 2026
“Dje, pas seancës gjyqësore, turma sulmoi furgonin e të burgosurve dhe rrahu keqaz të pandehurin, kurse Musine Kokalarit, ia shkulën flokët dhe…”/ Zbulohet telegram i misionit amerikan në Tiranë, qershor ‘46
Personazh

“Në letrën që i dërgonte Musinesë para arratisjes, i vëllai Muntazi, i shkruante; u detyrova të largohem, pasi bashtua i Gjirokastrës Enver Hoxha ka urdhëruar…”/ Historia e panjohur e familjes Kokalari

July 6, 2026
“Në vitin 1943, kur Nexhmije Xhunglini e ftoi Musinenë që të angazhohej dhe të kontribuonte për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ajo i tha…”/ Dëshmia e rrallë e intelektuales së njohur Merita Shkupit
Personazh

“Në vitin 1943, kur Nexhmije Xhunglini e ftoi Musinenë që të angazhohej dhe të kontribuonte për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ajo i tha…”/ Dëshmia e rrallë e intelektuales së njohur Merita Shkupit

July 10, 2026
Next Post
Fotot kurrë: “Kur Enveri inspektonte ‘Vend-komandën qendrore të Ushtrisë’, i shoqëruar nga…”

“Grupi tradhtar i Beqir Ballukut, kërkonte t'i zhvillonte në ushtrinë tonë disa pikëpamje të gabuara, si lënia e terrenit të luftës dhe...”/ Fjala e Enver Hoxhës në 27 qershor ’78, një ditë pas vizitës në “Bunk’Art 1”

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme