Nga EUGEN SHEHU
Pjesa e parë
Memorie.al / Shqiptarët e Kumanovës ata bij të denjë të arbërve të lashtë, kanë qenë dhe mbeten ende sot luftëtarë të vet ekzistimit, të mbrojtjes së traditave më të vyera shqiptare, të përcjelljes së mesazhit për bashkimin natyror me shtetin amë. Filozofia e vet ekzistimit të tyre, në thelb, është filozofia e luftërave pa fund, e sakrificave sublime, për të mos iu nënshtruar asnjë pushtuesi, për të mos u asimiluar prej furive demografike, politike e kriminale të serbëve-bullgarëve e sllavo-maqedonasve. Kur flasim për luftërat pa fund të banorëve të këtyre trevave të Maqedonisë shqiptare, kemi parasysh një lëvizje të tërë për liri e drejtësi në shekullin e kaluar, e cila mori përmasa epokale në luftimet kundër xhonturqve, serbo-sllavëve e bullgarëve, të udhëhequr prej Bajram Vaksincës.
Ky bir i fshatit Vaksinc, mundi të marrë besën e 5000 burrave të rrethinave të Kumanovës, duke u bërë prita ekspeditave ushtarake pushtuese duke provuar se shqiptarët nuk lejojnë dikënd mbi krye. Për disa kohë, emri i Bajram Vaksincës, u bë i njohur deri në oborrin e Sulltanit. Më tej janë Hakul Nikushta dhe Halil Breza të cilët vihen në radhët e para të atyre që kundërshtojnë, të dërgojnë ushtarë në shërbim të ushtrive tjera. Batalione osmane mbërritën nga Shkupi e Manastiri, por trimat ndezën luftën dhe flaka mori qiejt e Kumanovës.
Mandej tërbimi i Portës së Lartë ishte i madh, sepse sipas shembullit të shqiptarëve në këtë trevë, po kundërshtonin të çonin djemtë e tyre ushtarë apo të lejonin shpërnguljet e bashkatdhetarëve të tyre. Ende sot në vise të Kumanovës këndohen këngët e Xhem Sadrisë dhe Halit Brezës, ende sot tregohen vendet ku ata kanë luftuar me çetat e tyre, ku i kanë patur jatakët, ku i kanë varrosur shokët e tyre të llogoreve, ku kanë kënduar pas fitoreve. Gjeneratat kanë përcjellë me dashuri kujtimin e tyre, të bindur se ai nuk do të shihet asnjëherë, por mesazhet do të vazhdojnë.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore, do të ishte për shqiptarët etnikë në Kumanovë, një rreze shprese, ashtu sikundër për gjithë shqiptarët e tjerë që u ndanë prej trungut të shtetit amë mizorisht,në vitin 1913. Ata ndiqnin me vëmendje situatën në Ballkan dhe sidomos pasojat që mund të rridhnin prej vendimeve të Konferencës së Paqës në Paris më 1919. Pa dashur të hyjmë në ato vendime, mendoj se përfundimet e kësaj konference ishin tepër diskriminuese për shqiptarët.
Jo vetëm që kufijtë e vitit 1913 nuk u diskutuan fare, por u bënë edhe tratattiva për copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare. Nëse në vitin 1913, Shqipëria u bë preh e fqinjëve të saj, të ndihmuar prej Fuqive të Mëdha, tanimë për të, diskutohej se si të shuhej krejt nga harta e Ballkanit. Të lodhur, të sfilitur nga urrejtja e dhuna gati 6 vjeçare (1913-1919) banorët etnik shqiptarë, në Kumanovë, tashmë ndodheshin përballë rreziqeve të tjera të ekzistencës fizike të tyre.
Periudha që pat kaluar ishte e mbushur me maltretime prej serbëve, sllavo-maqedonasve e bullgarëve, madje këta të fundit patën ndërmarrë edhe nisma konkrete për dëbimin e tyre. Vetë historianët sllav janë detyruar të pohojnë se; “Qëndrimi ndaj kombësive të tjera, e sidomos asaj shqiptare, ishte haptazi i vrazhdë, diskriminues, likuidues”. (R. Terzievski, “Za diskrimatovska politika në bugarskiot okupator VRZ narodnostite vo Makedonija”, Fq. 159 ).
Por Serbia doli e fituar nga lufta e Parë Botërore. Në Konferencën e Paqes në Paris, ajo u mbështet fuqimisht edhe nga Franca e Anglia, me ç’rast jo vetëm që nuk lëshoi territore, por përkundrazi mori të tjera. Largimi i Bullgarëve nga Kumanova, ishte një shpresë shumë e përkohshme për shqiptarët e kësaj treve ngase ky largim u shoqërua me vendosjen e pushtetit të egër sllavo-maqedonas.
Ndonëse ishte në fillimet e organizimit të tij, ky pushtet nuk mungoi të tregonte grushtin e tij të hekurt kundër shqiptarëve të pambrojtur. Kështu, në vise të Kumanovës,në fund të vitit 1919 dhe në fillim të vitit 1920, komanda e Lartë Ushtarake e Beogradit, organizoi mobilizimin e rekrutëve.
Ajo që dihet ishte se këta rekrutë, të përcaktuar sipas ligjeve, do të mobilizoheshin pa dallim race, feje dhe kombësie. Për autoritetet vendore të pushtetit prej shqiptarëve të Kumanovës, qëllimi i tyre ishte tejet i qartë. Ata donin të largonin prej viseve të tyre stërgjyshore, ajkën e racës shqiptare, ata djem e burra të aftë për armë e luftë, për të pasur kësisoj ma të lehtë pushtimin fizik të trojeve tona.
Është e natyrshme që shqiptarët etnik në vise të Kumanovës të kundërshtonin mobilizimin e të rinjve për në armatën e Mbretërisë së Serbo-Kroate-Sllovene. Mandej shumë prej këtyre që ishin thirrur u detyruan të largohen maleve, në Kosovë apo Shqipëri. Në këtë rast, pushteti vendor administrativ vuri sanksionet tejet të rrepta. Vetë shtypi sllavo-maqedonas ka shkruar tekstualisht: “Organet tona civile dhe ushtarake grinden midis tyre në mjaft raste, por ata, shumë shpejt pajtohen kur është fjala për t’i mbajtur shqiptarët, të lidhur zinxhirë”. (Gazeta “Socialistiçka Zora”, 31 mars 1920).
Ngase në fillim të vitit 1920, shqiptarët përbënin një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në Kumanovë, sllavo-maqedonasit u përpoqën me çdo mjet për të bërë të padëshirueshme jetën e tyre. Por jo vetëm në Kumanovë. Ajo ishte pjesë e një strategjie të tërë në të cilën përfshihej krejt Kosova dhe Maqedonia shqiptare. Por dhuna në viset shqiptare të Kumanovës ka qenë kurdoherë më e egër, ngase këtu shqiptarët nuk kanë qenë kaq kompakt dhe dominues, si bie fjala në Kosovë, Shkup Tetovë apo Dibër e Strugë, etj.
Ndonëse gjatë Luftës së parë Botërore, Serbia pat kryer në Kumanovë (si në gjithë Maqedoninë shqiptare) dy mobilizime për rekrutë shqiptarë, ndonëse ajo e pat plaçkitur tri herë Kumanovën shqiptare në vitet 1913-1915 dhe 1918, sërish mizoritë sllavo-maqedonase nuk patën prehje. Nëpërmjet ushtrimit të dy pushteteve, ajo detyronte tanimë banorët e Kumanovës shqiptare që të paguanin taksa të shumta dhe të heshtnin përpara padrejtësive, të zbatonin lloj-lloj urdhrash të administratës, deri edhe të mos përdornin gjuhën e tyre.
Sa i përket shkollave shqipe, në këtë periudhë, as që bëhej fjalë. Mendoj se ky gjenocid fizik dhe shpirtëror, pos të tjerave, e ka zanafillën në teoritë famëkeqe të B. Panjevcit, i cili në cilësinë e Sekretarit të Statistikave të Përgjithshme shtetërore, potenconte në vitin 1920 se: “Është e rrezikshme vërtet, shtimi i shqiptarëve në Jug, i cili do të jetë një rrezik permanent për ne serbët. Rreziku sa vjen e bëhet më i dukshëm sepse tek shqiptarët po zgjohet ndjenja nacionale.
Ky zgjim ka kushte të favorshme sepse popullata shqiptare është e banuar në vise kompakte dhe në vend që ajo të asimilohet, siç është dëshira e shtetit tonë, në realitet po ngjan e kundërta, sepse fëmijët e kolonistëve,në vend që t’iu imponojnë gjuhën serbe fëmijëve shqiptarë, po ngjan e kundërta, fëmijët serb, po mësojnë shqipen”. (Politika e eliminimit të shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë së vjetër – “Përparimi” nr. 5 – viti 1979, fq. 433).
Duke e ndjerë veten të fuqishëm për të vepruar sipas qejfit me shqiptarët, Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, që në vjeshtën e vitit 1919 ndërmerr një plan të gjerë strategjik ushtarak. Madje këtij qëllimi i ka shërbyer dislokimi në Shkup i Armatës së Tretë, e cila kishte në përbërje elementë të duhur politike dhe ushtarake, me ç’rast parashihej një goditje e rreptë dhe e shpejtë kundër shqiptarëve.
Veçmas në Maqedoninë shqiptare, kjo goditje të ishte tejet e rëndë po të kemi parasysh ngjarjet e vitit 1918. Ndonëse diku e kam cekur çështjen e Armatës së Tretë të Shkupit, mendoj se shtabi luftarak i saj ka patur kurdoherë si objektiv të vetin, të padiskutueshëm, zhdukjen masive të shqiptarëve nga trojet etnike, e ndofta edhe më tej, etnocidin dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve në gadishullin ballkanik.
Ëndrrat e Carëve serb për të arritur në ujërat e Adriatikut, sikur gjallëroheshin prej aradheve të inkuizicionit serb në shekullin e XX-të. Kështu që, me pretekstin e mosparaqitjes në ushtri apo fare pa pretekst, në vise të Kumanovës, në marsin e vitit 1921, disa xhandarë i mësynë shtëpive të shqiptarëve, në Hotlë, duke rrëmbyer bagëtinë dhe krejt sendet me vlerë.Kur dikush nga pleqtë e fshatit u foli se ky është një akt kriminal dhe vepër hajnash, xhandarët me egërsi shtinë në batare plumbash mbi 80 vjeçarin e Hotlës, duke e lënë të vdekur në vend.
Po në fshatin Hotël, në shtëpinë e Beqë Shabanit, kur dëgjuan një fëmijë duke pëshpëritur në gjuhën shqipe, ata nuk ja kursyen plumbat e, më tej i kallën zjarrin kullës. Nëse dikush nga kryefamiljarët shqiptarë në viset e Kumanovës, kish patur kundërshtime edhe me nëpunësit më të thjeshtë të administratës civile, xhandarët shkonin brenda në shtëpi dhe pasi i rrëmbenin atij gjënë e gjallë e sende të tjera me vlerë, i lidhnin dhe i shpinin në burgjet më të largëta dhe famëkeqe të Mbretërisë Jugosllave.
Kështu, nga një raport sekret i komisarit të jashtëzakonshëm të Shkupit,dërguar eprorëve të vet në Beograd më 11 prill 1920,thuhet pos të tjerave se në rrethin e Kumanovës ishin qëlluar e vrarë pa gjyq dy shqiptarë kryengritës, ndërsa tre të tjerë, me gjithë familjen ishin dërguar nëpër burgje. Burgjet serbe për popullsinë e Kumanovës shqiptare, do të përbënin më tej një tjetër dimension të tragjedisë së kombit tonë.
Ngase askush nuk i mbronte, shqiptarët dergjeshin aty në vite, të pafajshëm dhe vetëm kur dikush prej të afërmve paguante bakshishin ai mund të shkonte një ditë pranë shtëpisë, për të jetuar burgun e madh të dhunës dhe shovinizmit serb. Në shtatorin e vitit 1921, kur Beogradi shoven e pa se masat kolonizuese nuk mund të arrinin në mënyrë të menjëhershme objektivat, urdhëroi Komandën e Armatës së Tretë të Shkupit për kryerjen e masakrave në krejt Maqedoninë shqiptare, përfshi edhe territoret e Kumanovës.
E vërteta është se kjo masakër, nis më parë në trevat e Kërçovës, Gostivarit, Tetovës e Shkupit, ku shqiptarët ishin tejet kompaktë në pikëpamje demografike. Ndërsa dy aradha të Aramtës së Shkupit, vijuan në Kumanovë një kontroll të imët nëpër fshatra duke evidentuar se ku ishin familjet shqiptare, çfarë marrëdhëniesh kanë ata me pushtetin civil dhe ushtarak duke përgatitur dhunën me qetësi dhe sipas një plani të hollësishëm.
Kështu, në vjeshtë të vitit 1921, në fshatrat shqiptare të Kumanovës, mësynë dy batalione të Armatës së Tretë të Shkupit, të armatosura deri në dhëmbë. Urdhri i tyre ishte i prerë, asnjë këmbë shqiptari të mos shkele tokën e Kumanovës. Veçmas, u mësynë fshatrat në rrëzën të Karadakut siç janë; Llojani, Likova, Sllupçani, Hotla, Matejci etj.
Për ditë e net të tëra, nuk pushonte zjarri i kullave dhe tymi përzihej me barotin e pushkëve. Serbo-sllavo-maqedonasit, në tërbimin shtazarak të tyre, nuk kursenin as gratë dhe as fëmijët e djepit. Një korrespondent i huaj, pjesëmarrës në ato luftime, lidhur me këtë masakër shkruan: “Taktika luftarake e serbëve në Maqedoni ka marrë karakterin e një masakre të përgjithshme, pothuaj të tmerrshme. Ushtria po zbaton një taktikë shkatërrimtare, barbare në kulm.
Sipas tregimeve të ushtarëve dhe oficerëve, në mes të Kumanovës dhe të Shkupit janë vrarë mbi 3000 shqiptarë…! Fshatrat shqiptare janë krejtësisht të djegur. Populli po gjurmohet nëpër shtëpitë e veta dhe po i vrasin si minjtë. Militaristët serb, këtë gjueti njerëzish, e kallëzojnë me një lëvdatë të jashtëzakonshme”. (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi “Komiteti Kombëtar i Mbrojtjes së Kosovës”, Dosja 35/2, fleta 4). Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













