• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, April 20, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Bedri Spahiu ishte aktivisti komunist më i zjarrtë në qarkun e Gjirokastrës dhe e ndiqte Baba Rexhebin, veç t’a zinte e, t’a rripte të gjallë, pasi ai…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ës

“Mërgim Korçës iu akordua titulli i lartë; ‘Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës’, me urdhër të vetë Enver Hoxhës, i cili në këtë rast…”/ Refleksionet e publicistit të njohur nga SHBA-ës
“Nga 13 anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë partizane, që u krijua më 10 korrik 1943, në Labinot, vetëm dy prej tyre …”/ Historia tragjike e ushtarakëve të luftës që eliminoi Enveri
“Nga 13 anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë partizane, që u krijua më 10 korrik 1943, në Labinot, vetëm dy prej tyre …”/ Historia tragjike e ushtarakëve të luftës që eliminoi Enveri
“Një krijim interesant, antipod i ‘Epopeja e Ballit Kombëtar’ të Musarajt, mund të konsiderohet poema ‘Përqafimi i dy kundërshtarëve’ e Hekuran Zhitit…”/ Studimi i panjohur i Prof. Agim Vinca
“Kur Nënë Tereza, shkoi në malësitë e Pukës, për të vizituar motrat e veta dhe në shenjë respekti, hoqi kryqin nga qafa e, ja  dhuroi hoxhës, Hafiz Elezit, ai i tha…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
Shën Tereza e shqiptarëve, Apostull modern i ditëve tona
“Tuk Jakova kishte si qëllim që të rrëzonte udhëheqjen e Partisë dhe të dilte vetë …”/ Dokumentet e panjohura të ish-Sigurimit të Shtetit, për zëvendësin e Enver Hoxhës!
“Qytetarët e Shijakut, kishin respekt për atë grua me kulturë dhe të gjithë e quanin; zonja Mici, megjithëse kjo fjalë para emrit, ishte e ndaluar të përdorej …”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur

Nga MËRGIM KORҪA

Pjesa e parë

Memorie.al / E quaj veten fatlum që sapo vumë këmbë në këtë tokë të bekuar të Amerikës, pa vonesë u njohëm dhe shpejtë edhe u miqësuam, me njërën nga personalitetet nga më të shquarit e kombit tonë, Hirësinë e Tij, Baba Rexhebin. Mezi ç’e prisnim fundjavën që t’a kalonim me të, motrën e Tij, teto Zejnepin, si edhe të gjithë miq e dashamirë të Babait që vinin t’a takonin, t’i qanin një hall apo edhe t’i shërbenin atij si edhe Teqésë Mireëpo fundjava njëra nga tjetra ishin shumë larg, i ndanin shtatë ditë, e veç kur tringëllinte telefoni në mes jave dhe zëri aq i dashur i Babait na thosh … ku ini bre  bijt e mi? Hajdeni se na ka marrë malli. E ne të nesërmen, sapo dilnim nga puna  ,,,, drejt e në Teqé! I kujtoj ato kohë që s’kthehen më dhe sinqerisht më është venìtur pamja nga lotët e nuk e shquaj mirë ekranin e kompjuterit teksa mundohem t’i shkruaj këto kujtime.  E vetmja gjë që më ngushëllon është fakti se sa herë që rrija me Babanë, jam munduar dhe e kam shfrytëzuar kohën që këmbëngulëse ikte, dhe nuk kam lënë problem pa diskutuar me të, aq sa kalonte edhe ora e gjumit të Babait, të cilën ai e respektonte me fanatizëm.

Kujtoj njërin nga takimet e para me Baba Rexhebin, mbasi i putha dorën e më përqafoi, më pyeti: Kam shumë respekt për të ndjerin babanë tënd e posaçërisht e admiroj për vendosmërinë dhe guximin se si i dha fund jetës së tij, pavarësisht se nuk dua të gjykoj veprimin e tij. Po ti a beson në Perëndinë? I pohova se isha besimtar. Baba Rexhebi më shikoi thellë në sy e replikoi: Me që  ti nuk je mëkuar me besimin fetar, ashtu si edhe fatkeqësisht i gjithë brezi yt, si ka mundësi që ti e ke këtë bindje? I u përgjigja se fillimisht mbase ka qenë ndikimi i dirigjoja ndërmjet babait dhe miqve të tij Hafëz Ali Korça, Patër Anton Harapi, Sheh Ali Pazari, Dom Lazër Shantoja, Iriné Banushi, etj., ku tema e besimit në Zotin ishte shumë dendur e pranishme, gjë e cila ma pati ngjallur kureshtjen t’a zgjeroja rrethin e njohurive të mia.

Gjithashtu mund të lexoni

“Ende sot në vise të Kumanovës këndohen këngët e Xhem Sadrisë dhe Halit Brezës e, tregohen vendet ku ata kanë luftuar me çetat e tyre, të cilat…”/ Historia tragjike e masakrave të serbëve ndaj shqiptarëve

“Çarja midis Nolit dhe Konicës nga njëra anë e, Kostë Çekrezit nga ana tjetër, është ndër mosmarrëveshjet më tragjike në historinë e diasporës…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ës

Pastaj, me kalimin e viteve, trajtimi që i u bë klerikëve më të shquar të kombit duke i pushkatuar, burgosur dhe internuar si edhe qëndrimi zyrtar i dhunshëm kundra institucioneve fetare, qenë pa asnjë mëdyshje veprime që ma forcuan revoltën e brendshme dhe më shtynë përfundimisht drejtë besimit në Zotin. Shto këtu edhe ngjarje përgjatë vetë jetës sime, që nuk kam ditur se si t’i shpjegoj ndryshe, vetëm se me ndërhyrjen e dorës së Zotit, e kësisoj besimi erdhi duke m’u forcuar. Tek e vështroja në sy Baba Rexhebin e pashë se i erdhi mirë për përgjigjen që i dhashë, mbylli pak sytë, çoi dorën tek mjekra, (lëvizje të cilën e kishte të zakonshme), dhe sikur nuk më drejtohej mua, pak a shumë tha;

“Gjatë historisë është dokumentuar se kategoria më e vuajtur kanë qenë besimtarët sepse ata, duke u besuar prijësve të tyre, me vetëmohim të ndërgjegjshëm janë flijuar dhe jo gjithmonë për kauzë të drejtë…kurse agnostikët gjithmonë janë munduar të gjejnë edhe një anë të kundërtë…ndërsa njerëzit me karizëm, për mirë apo për keq, vazhdimisht kanë sunduar, në një kohë që anonimati është përdorur si mish për top”! Mbas këtyre konsideratave Babai heshti. I hapi sytë dhe më tha: “Më fute në mendime të thella tek më the se je besimtar dhe u detyrova të shtjelloj këto saktësime sepse për popullin shqiptar, nën dhunën komuniste, nuk kish më kategori shoqërore, e kishin bërë të gjithin anonimat”!

Kujtoj gjithashtu…! Jo. Nuk do të vazhdoj përgjatë kësaj hullie vetëm me kujtime e pa konsiderata dhe krahasime. Të më falë lexuesi, por do të mundohem të përcaktoj disa kritere, mbështetur në të cilët pastaj do t’a kemi më kollaj t’a kuptojmë në mënyrë të ndërsjelltë thellësinë e mendimeve filozofike të Baba Rexhebit si njeri, si fetar e, ç’është edhe më e vështirë, si mistik. Kalimi i kohës njerëzimin e ka ballafaquar, pa as më të voglën mëdyshje, me zgjerim horizonti lidhur me përvojat e kaluara. Ky fakt si rrjedhojë, ka çuar në mënyrë të pashmangshme në kërkim përgjigjesh gjithmonë e më të ndërlikuara ndaj pyetjesh që edhe vetë, me kalimin e kohës sa më shumë ka përparuar shkenca, aq më të pakapshme janë bërë.

Në këtë kontekst vetë koha, si përfytyrim në vetvete (nocion), është shumë relative. Një të mituri koncepti kohë, nuk i thotë asgjë. Adoleshentët mezi ç’presin të moshohen. Që nga mosha e pjekurisë e përgjatë gjithë viteve aktive të njeriut, ky i fundit kujton se kohën e ka gjithmonë dhe vazhdimisht nga ana e tij. E pastaj vjen edhe zhvlerësimi i saj bashkë me pleqërinë, ku njeriu zakonisht i shtyn ditët. Në këtë çast logjika racionale hyn në valle edhe pyet: këto kategori njerëzish për të njëjtin proçes flasin? Ky këndvështrim ndaj konceptit kohë, tregon se si pohimet në jetë duhen konsiderua shumë relative dhe njeriu i mençur nuk duhet të bjerë në pozitat  e pohimeve kategorike. I referohemi tashti edhe një shembulli konkret. Një gënjeshtër, kurdoherë që të jetë thëmë, vazhdon të mbetet e tillë. Kurse një e vërtetë, jo e pohuar në kohë…nuk ka më vlerë! Nisur tashti nga ky kusht paraprak që fare përciptas e trajtuam, kuptohet se sa të shumëllojshme vijnë e bëhen pastaj pyetjet rreth paraqitjes sa të ndërlikuar, shumëplanëshe e po aq edhe  misterioze, që lidhen me vetë frymorët në përgjithësi e pastaj qeniet njerëzore në veçanti…me kalimin e kohës!

Që në thellësinë e kohëve, duke e ndier nevojën e dhënies shpjegimeve pyetjeve nga më të ndryshmet, lindën besimet, ku besimtarët gjenin mbështetjen ato që u thoshte ose u shpjegonte udhëheqësi i besimit. Në vazhdim, teksa filluan e të ndërlikohen pyetjet rreth ekzistencës si edhe vdekjes, ato u bënë besime fetare e dora dorës, nga besimi në shumë zotër, u arrit në monoteizëm, (besimi në një Zot). Përgjatë shekujve besimet e ndryshme fetare fituan autoritet të madh. Në vijim shkaktuan beteja si edhe luftëra, por nga ana tjetër edhe kanë ndihmuar kategori të ndryshme njerëzish. Historia dëshmon gjithashtu se këto luftëra përmbysën jo rrallë mbretëri ose edhe himnizuan përgjatë tyre, njerëz pa asnjë vlerë. Ky është realiteti. Po në parim, nga këndvështrimi filozofik, cili është shërbimi që i bëjnë njerëzimit besimet fetare në Zotin? Qëllimi si edhe misioni i lartë i tyre është tu gjendeshin mbështetje shpirtërore besimtarëve kur ata kanë nevojë, e t’i ndihmojnë ata përgjatë jetës së tyre.

Nuk ka dyshim se ka pyetje të cilave është tejet e vështirë t’u gjendet përgjigje si lidhur me prejardhjen e jetës në tokë, gjithashtu edhe sa i takon se ç’ngjet mbas vdekjes personit. Në këtë rast konkret besimet fetare ndihmojnë lidhur me përgjigjet, por vetë qëllimi i besimeve fetare nuk është gjetja e përgjigjes pyetjes se cila është e vërteta absolute. Ndryshe qëndron puna me shkencën. Ajo pikësynim të sajin ka të vërtetën objektive. Mirëpo me përparimet e jashtëzakonshme të saj, gjithmonë e më i largët, i pakapshëm dhe i ndërlikuar vjen e bëhet ky pikësynim, veçanërisht lidhur me shoqërinë njerëzore, filozofinë si dhe besimet fetare. Të pafund si edhe tejet të ndërlikuar janë fenomenet e shoqërisë njerëzore si edhe të jetës personale. Në to jo vetëm që ndërthuren shumë përbërës. Por këta vetë paraqiten në trajta edhe shfaqje jashtëzakonisht të shumëllojshme. Që nga ky çast fillon edhe çalimi i shkencës. Kjo sepse vetë ata që i studiojnë fenomenet janë të detyruar që informacionin, për t’iu nënshtruar analizës, t’a bëjnë selektiv. Kjo do të thotë që në kohë të caktuar, disa parametra ose disa modele, (që nuk dihet se sa saktësisht i ngjajnë objektit për t’u studiuar), t’i nënshtrohen vrojtimit.

Që këtej rrjedh që teoritë e dala nga këto vrojtime, nuk mund të jenë të themelta as si rregull i përgjithshëm, dhe aq më pak të zbatueshme kurdoherë, në kohë. Kështu pra logjikisht, vrojtimet selektive, çojnë në interpretime edhe ato vetë, subjektive. Kësisoj filozofinë herë e kanë radhitur krahas besimeve fetare e herë e kanë njësuar me shkencën. Nisur nga kjo paraqitje krejtësisht e shkurtër, mendoj se ndonëse në mënyrë shumë sipërfaqësore, qartësohen diçka idetë se si interpretime të gabuara të dhënash e çuan njerëzimin në kohë të ndryshme të bjerë në hone të thella e me efekte mbrapa-vepruese mbase edhe për shekuj të tërë. Mjaft të përmendim se ç’u bë dhe si u veprua përgjatë periudhës Inkuizicionit të Shenjtë (i ashtuquajtur i tillë), ose shtrirjes së eksperimentit komunizëm zbatuar në shumë shtete të botës.

E ngushtojmë tashti rrethin e problemit për t’u trajtuar. Sa më të largëta në kohë të jenë të dhënat që merren nga historia e shkruar, (pa le kur flitet për parahistori), është e qartë se aq më relative e të pasakta janë përfundimet e nxjerra. Nga ana tjetër, sa më të mëdha zbulimet shkencore, aq më i madh dhe i shtrirë në hapësirë kontakti me të panjohurat. Pra shkenca, sa më shumë që përparon edhe zhvillohet, me aq më shumë të panjohura e probleme që kërkojnë shpjegime përballet. E ky pohim, i sintetizuar, merr trajtë karakteri filozofik kur një fizikant bashkëkohës anglez pohon se, për t’a ulur në pozicion të caktuar mbi sipërfaqen e hënës raketën kozmike, duhen ndërhyrje për ndryshim drejtimi përgjatë trajektores së saj.

E në rastin konkret kemi të bëjmë me vetëm tre trupa qiellorë në lëvizje të njëkohshme: toka, hëna edhe raketa kozmike. E pra kur në këtë rast duhet medoemos ndërhyrja  e një shkencëtari (regjisor), i cili që nga toka e drejton programin e t’a korrektojë trajektoren, a mund të mendohet se me këtë marramendje trupash qiellorë që janë njëkohësisht në lëvizje sinkrone, kjo harmoni të mos ketë nevojë për një regjisor madhor? Pikërisht i përballuar me këtë pafuqi të mendjes njerëzore, fizikanti anglez detyrohet e pohon se heq dorë nga ateizma, të cilën për parandej e mbronte me ekzaltim, dhe kthehet në besimtar të një Zoti drejtues madhor të gjithësisë. Ky transformimi këtij njeriu nga mosbesues në Zotin në një besimtar me bindje të themelta, na jep krah të vazhdojmë kësodore, në hullinë e arsyetimeve tona. Huazojmë tashti një pohim nga filozofia e që është sa më pranisë së vërtetës që përjetojmë. Ajo pohon se njerëzit grupohen, në vija të trasha,në besimtarë, besimtarë sa kohë që u sillen prova të kapshme edhe bindëse (sipas tyre) lidhur me paqartësitë që kanë sa i takon Krijuesit të Gjithësisë, të lëkundur, si dhe jobesimtarë. (Më tutje kemi për të parë se cilat janë kategoritë e njerëzve sipas filozofisë mistike).

Ecim tashti përgjatë shtegut që u munduam të përvijojmë, duke treguar të gjitha vështirësitë që ndeshen lidhur me pasaktësitë që rrjedhin nga analiza selektive, dhe fillojmë e ngushtojmë rrethin e përcaktimeve që përfundimet ‘i kemi sa më të përafërta me realitetin objektiv. Nisur nga ky parakusht, si kategori e përzgjedhur për t’iu drejtuar, marrim bashkësinë njerëzore nga e cila kemi përjashtuar jobesimtarët. Edhe ata janë më se të mirëseardhur t’a ndjekin linjën e arsyetimeve tona, por kur të kenë filluar të bëhen të lëkundur pra, të kenë lënë më një anë paragjykimet negative. Në këtë çast tashti kërkojmë ndihmë dhe sjellim në skenë mistikun dhe mendimtarin e thellë të Mistikës Bektashiane, Baba Rexhebin. Shoh menjëherë se si të lëkundurit (skeptikët) janë gati të thonë…përse t’i drejtohemi pikërisht Baba Rexhebit? Përgjigja e ime që kam marrë përsipër t’a trajtoj këtë problem është shumë e thjeshtë: së pari, sepse Baba Rexhebi ka qenë vërtetë një mendimtar shumë i thellë në fushën e filozofisë, në përgjithësi, dhe nga ana tjetër ka qenë edhe një Mjeshtër i Mistikës Islame, siç e ka përcaktuar në veprën e saj profesoresha e Wayne State University, zonja Frances Trix, Duke mësuar me një Mjeshtër Islamik.

Nga ana tjetër, pikërisht për t’iu shmangur subjektivizmit si pasojë e deformimeve që pësojnë faktet nën veprimin e kohës, problemet që do të trajtoj janë kujtime nga diskutime si edhe pikëpamje të Baba Rexhebit, qëmtuar përgjatë qindra orësh diskutimesh të paharruara me të! Pohimet e tij, pastaj dora dorës, do t’i krahasojmë me pohimet si edhe pozicionimet e marra nga dy shenjtorët Padre Pio dhe Nënë Tereza, që të dy bashkëkohës të brezit tonë. Skeptikëve u ve në dukje tashti se si vetë përzgjedhja e këtyre tre personazheve mënjanon sot shumë shmangie nga e vërteta, të cilat mund dhe do të ngjasin përgjatë shekujve të ardhshëm, lidhur me mendimet si edhe bëmat e tyre kur koha, ky faktor i padukshëm por skajshmërisht i lidhur me njerëzimin, do të ndikojë në transformimin e të vërtetave.

E tashti mund të vazhdoj duke kujtuar se si një ditë e pyes Baba Rexhebin dhe i them…se diskutimet e karakterit fetar, lidhur me ekzistencën apo mos ekzistencën e Zotit ishin temat më të përfolura nga njerëzit. Babai qeshi dhe më citoi Konfucin i cili thosh se në natyrë çdo gjë është diçka ndërsa injoranti është asgjë. E pastaj Babai shtoi…për fat të keq bota është e mbushur me injorantë, qofshin ata edhe të shkolluar, të cilët duan të bëjnë interpretime, përgjithësime pa le të arrijnë në përfundime. E vetmja gjë që arrijnë këta mendjeshkurtër është se zhyten thellë e më thellë në kënetën e dyshimeve e pastaj s’dalin dot që andej! Terreni në të cilin ata shkelin me injorancën e tyre, janë ato rërat thithëse e kur e shohin veten  se po  mbyten…shumë prej tyre fillojnë dhe i luten Zotit për mëshirë!

Më ka pasë treguar një mik i imi që ka pasë punuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës e pastaj qe arratisur, se si kur e sollën të plagosur Nako Spirun, komunistin si edhe ateistin e përbetuar, përgjatë orësh të tëra ai s’bënte gjë tjetër veç i drejtohej Zotit t’a mëshironte e t’a shpëtonte…derisa i doli shpirti! E tani ja dhe interpretimi nga këndvështrimi mistik që i bënte tregimit të tij Baba Rexhebi: Injoranca i ka shtyrë në pohime të pavërteta, (në gënjeshtra), e kur kanë dashur t’i rikthehen së vërtetës, jo për bindje të thella po për interesa personale, ajo e vërtetë ishte e jashtëkohëshme e nuk u vlente më! I referohemi tashti mistikut tjetër të madh të cilin biografi  i famshëm Renzo Allegri e cilëson…njëri nga personalitetet fetare më të njohura të botës, mistiku nga më të të mëdhenjtë, e së fundi edhe shenjtori Padre Pio nga Pietrelcina…kurse juristi nga më të dëgjuarit të botës, Bruno Cassinelli thotë kur flet për Padre Pion…Padre Pio është gjeniu i ndjenjave siç ka qenë Giuseppe Garibaldi i aksjoneve e Leonardo da Vinci i intelektit…!

I thonë Padre Pios disa të shkolluar, por injorantë, për  t’a vënë në pozitë të vështirë: E mësove Padre se në portin e Albengës ka ngjarë një tragjedi e madhe? Është mbytur një barkë e madhe e bashkë me të kanë gjetur vdekjen edhe 30 fëmijë! Përse e lejon Zoti, në qoftë se Ai ekziston, këtë  dhimbje të krijesave pa faj? Padreja heshti. Sytë i u veshën nga lotët. Pastaj tha: Një nënë qëndis. Fëmija i saj, i ulur mbi stolin e tij të vogël, sheh vetëm pjesën e pasme të gjergjefit ku e ëma përfton qëndismën: një gërshetim të pakuptim penjsh dhe ngjyrash sheh ai. Po të gjendej fëmija diçka më lart e t’a shihte anën e mbarë të qëndismës, do t’a shihte motivin si edhe ngjyrat e kombinuara të saj. Ne, bijt e mij jemi të ulur mbi stolin e ulët dhe nuk e shohim dot se ç’po qëndis Perëndia!

Ndërsa miku edhe studiuesi i jetës së Nënë Terezë, Dom Lush Gjergji, tregon se kur vendosi t’a pyeste Nënë Terezën lidhur me përkushtimin e Saj  në rrugën e ndihmës më të varfërve nga të varfrit, Ajo qe përgjigjur: Se si më thirri Zoti në këtë rrugë  nuk duhet të të shqetësojë, sepse ajo është diçka ndërmjet Zotit edhe meje: Ҫ’ësntë me rëndësi, është se Zoti e thërret secilin në mënyrë të ndryshme. Ne nuk kemi asnjë meritë. Ajo që është me shumë rëndësi është t’i përgjigjemi me gëzim thirrjes së Tij…! Baba Rexhebi gjithmonë e na e theksonte  se ai lutej për ne, miqtë e tij, por shtonte edhe…! Për ju nuk lutem shumë se ju nuk keni edhe shumë nevojë për lutje Zotit, kurse për njerëzit e këqij lutem më shumë se ata kanë më shumë nevojë e sa më keq që ata të më kenë bërë, aq më shumë lutem për ta! Unë këtë thënie të tij e konsideroja si një pohim që i takonte t’a thoshte Baba Rexhebi për vetë petkun dhe pozitën që kishte. Por shpejt e kuptova se sa kuptim të thellë dhe tamam, mbinjerëzor, kishte kjo thënie kur ajo zbatohej.

Gjatë luftës Bedri Spahiu ishte aktivisti komunist më i zjarrtë në qarkun e Gjirokastrës. Sapo largohej nga një fshat Bedriu ku kishte propaganduar idetë e komunizmit, shkonte Baba Rexhebi dhe me durim dhe bindje i kthente njerëzit nga ana e tij dhe e pikëpamjeve të tija nacionaliste. Kështu që Bedri Spahiu e ndiqte Baba Rexhebin veç t’a zinte e t’a rripte të gjallë. Baba Rexhebi, kur e pa se pushtetin po e merrnin komunistët, me porosinë e Baba Selimit, (murshidi dhe dajua i tij), u largua fillimisht nga Gjirokastra e pastaj edhe nga Shqipëria. Kurse Bedri Spahiu, mbas marrjes së pushtetit nga ana e komunistëve, në fillim qe prokuror i përgjithshëm e vrau e preu sa e si deshi.

Bile në Gjyqin Special qe prokuror e Koçi Xoxe kryetar i gjyqit që dënuan sipas mllefit të akumuluar në gjenet e tyre prej dështakësh, koka të inteligjencës shqiptare. E pas tre vjetësh, në gjyqin e Koçi Xoxes, Bedriu qe prap prokurori që kërkoi pushkatimin e Koçit. Në vazhdim pastaj edhe vetë Bedriun e kalbi burgjeve diktatori paranojak. Por e rëndësishmja është tashti se, me përmbysjen e komunizmit, kishte bërë Bedri Spahiu dhe qe botuar në gazetën “Republika” autokritika publike e tij. I a lexoj Baba Rexhebit. Ai e ndjek leximin me përqendrim të thellë. Kur mbaroi së lexuari mendohet gjatë dhe sikur flet me vete thotë: “… njerëzit kur plaken fillojnë e besojnë në Zotin, pendohen e kërkojnë lehtësim të shpirti nga mëkatet e tyre”.

Kurse Bedriu, ndonëse në moshë të thyer, vazhdoka akoma të gënjejë fare hapur. Shumë i jam lutur Zotit për shpirtin e tij, por e shoh se u dashka të lutem shumë e më shumë akoma për të. Unë, kur e dëgjova këtë pohim, mbeta i shtangur. Atëbotë e kuptova madhështinë e Baba Rexhebit si mistik. Qëmtojmë tashti një ngjarje analoge nga jeta e Padre Pios dhe heqim një paralele mes dy shenjtorëve në fjalë. Urdhri i lëshuar nga Ati Provincial  Bernardo d’Apicella, drejtuar Kuvendit të San Giovanni Rotondos, mban datën 29 gusht 1936. Aty thuhej: Që sot e tutje u ndalohet gjithë besimtarëve civilë të hyjnë në qelën e Padre Pios në Kuvend. Cilido nga priftërinjtë i cili do të shpërndajë jashtë Kuvendit gjëra që i përkasin Padre Pios, ipso facto do të pezullohen a divinis, (automatikisht zhvishen nga rroba kishtare për gjithmonë)…!

Në këtë klimë dyshimesh dhe kufizimesh i shtynte ditët Padre Pio. I referohemi tashti dëshmisë së Padre Agostinos të cilit Padre Pio i kishte pohuar : Mua më mjafton dëshmia e ndërgjegjes së pastër përpara Zotit. Unë mundohem t’a kryej detyrën time duke u bërë të mira shpirtrave e duke i pëlqyer Zotit. E kur e pyet Padre Agostinoja në se e kish sado pak ndjenjën e hakmarrjes ndaj atyre keqdashësve Padre Pio tret shikimin i përhumbur dhe thotë se… kurrë nuk më ka shkuar në mëndje hakmarrja. Jam lutur për ata që më akuzojnë e vazhdoj të lutem për ta. Zotit i jam drejtuar edhe duke i u lutur që në se për t’i sjellë në rrugë të mbarë keqdashësit e mi duhet dënimi me kamxhik, jepmi mua ato goditje me kusht që ata të shpëtohen!

Ky qëndrim i Padre Pios ndaj atyre që me urrejtje të pashembullt e poshtëronin, e godisnin dhe e luftonin, mund të krahasohet vetëm me pozicionimin e Baba Rexhebit, mistikut tjetër matanë Oqeanit! Sa të madhërishëm dhe në sintoni këta qëndrime, njeri i mistikut Islam e tjetri i atij kristian: për armiqtë e tyre dy shenjtorët luten, për ta vuajnë shpirtërisht e për ta i dhurohen Zotit edhe si viktima veç Ai, hasmët e tyre, t’i shpëtojë nga vuajtja e amshueshme!

Po Nënë Tereza, vallë ç’qëndrim ka mbajtur në situata analoge? E kujtoj dhe sa herë që ngjet kjo, më fut në mendime fakti që shkurtimisht do të paraqes. Tregon Dom Lush Gjergji se si Nënë Tereza e kish peng të madh, se donte të vinte në Shqipëri t’a takonte nënën e saj. Nuk ia jepnin vizën e hyrjes në Atdhe. Ndërhyri për këtë punë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Kombeve të Bashkuara, U Thant (1961 – 1971) të cilit i thanë se nuk e lejonin dot të vinte e veshur si murgeshë, me që shteti ynë qe krenar si i vet-shpallur ateist. Por Nënë Tereza e pranoi dhe atë kusht, ndonëse ajo nuk mbante veshje murgeshe, (veshja e Saj ishte ajo e Misionareve të Dashurisë), veç t’a shihte edhe një herë Dranen e saj që e kishte nxjerrë në jetë.

E kur e mësuan se ajo e pranoi edhe atë kusht…prap se prap i a mohuan hyrjen! Dhe Drania ndërroi jetë pa u parë me të bijën së gjalli, Me këtë rast tani po tregoj se ç’më ka pasë thënë me gojën e saj e ndjera Artistja e Popullit, sopranoja Marie (Paluca) Kraja, të cilën e kishin caktuar t’a shoqëronte Nënë Terezën gjatë vizitës kësaj të fundit në Shqipëri, në vitin 1989, kur erdhi edhe vizitoi tashmë varret e nënës dhe motrës së saj, Ages. “E kishin vûe në program që Nâna Terezë të bânte homazhe edhe te vorri i i Enver Hoxhës. E ndjeva veten bajagi ngushtë se si kishte me pritë ajo kyt propozim. Gjithçka pritshëm prej, po që të më thotë se …nuk kam asnjë problem sepse të tâna keniet njerzore e pra edhe komunistat nuk janë gjâ tjetër veçse krijesa të Zotit, kjo ishte gjâja që pritshëm mâ pak prej gojës së saj”.

A ka nevojë të zgjatemi duke e krahasuar qëndrimin e qeverisë shqiptare me sjelljen e Shenjtores? Sjell tashti një kujtim nga bisedat e gjata me Baba Rexhebin i cili hedh dritë mbi sa përshkruan në mënyrë krahasuese më lart. Babai pohonte se… teologjinë njerëzit e mësojnë në shkolla siç mësojnë edhe të gjitha disiplinat e tjera. Kurse mistikën nga teologjia e ndan një hendek i madh; mistika mësohet vetëm duke e përshkuar shtegun e saj. Nga ana tjetër, po t’a shikojmë se si pedagogët e Islamizmit edhe ata të Kristianizmit i shpjegojnë doktrinat e tyre, shohim se ata nisen nga këndvështrimi historik, pra si humanistë. Kurse mistika është kuptimi më i thellë i besimeve!

Nisur nga këto shpjegime të Baba Rexhebit, kuptohet se mistika është kuptimi më i thellë i besimeve fetare, ajo pra duke u marrë  shumë më thellësisht në drejtim të lidhjes shpirtërore dhe njësimit me Zotin, shmanget nga dallimet mes besimeve dhe e përqendruar siç është tek objektivi i saj madhor, i bën mistikët e besimeve të ndryshme të afrohen njeri me tjetrin e të ecin përkrah, pavarësisht bindjeve të tyre fetare! Duke biseduar një ditë me Baba Rexhebin rreth besimeve të ndryshme fetare si edhe normave të feve të ndryshme, hidhet një zonjë dhe thotë: Gjatë një viti që banova në Itali, me që për kundruall shtëpisë ku banoja ndodhej një kishë e vogël katolike, shkoja herë pas here në kishë, i lutesha Zotit dhe ndizja ndonjë qiri. Kam bërë gjynah duke vepruar kësisoj? / Memorie.al

                                                      Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Botimi i hartës më 1902, si dhe rëndësia madhore për ta zbuluar atë më në fund, për të saktësuar kështu zanafillën dhe pikënisjen e hartografisë shqiptare...”/ Ana e panjohur e krijimtarisë së Faik Konicës

Next Post

“Ende sot në vise të Kumanovës këndohen këngët e Xhem Sadrisë dhe Halit Brezës e, tregohen vendet ku ata kanë luftuar me çetat e tyre, të cilat...”/ Historia tragjike e masakrave të serbëve ndaj shqiptarëve

Artikuj të ngjashëm

“Ende sot në vise të Kumanovës këndohen këngët e Xhem Sadrisë dhe Halit Brezës e, tregohen vendet ku ata kanë luftuar me çetat e tyre, të cilat…”/ Historia tragjike e masakrave të serbëve ndaj shqiptarëve
Dossier

“Ende sot në vise të Kumanovës këndohen këngët e Xhem Sadrisë dhe Halit Brezës e, tregohen vendet ku ata kanë luftuar me çetat e tyre, të cilat…”/ Historia tragjike e masakrave të serbëve ndaj shqiptarëve

April 20, 2026
Anëtarët e delegacionit shqiptar në Konferencën e Gjenevës F.Noli, B.Blishishti, H Mosi në vitet  1921-1924
Dossier

“Çarja midis Nolit dhe Konicës nga njëra anë e, Kostë Çekrezit nga ana tjetër, është ndër mosmarrëveshjet më tragjike në historinë e diasporës…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ës

April 18, 2026
“Në Francën demokratike, vepron gijotina për kriminelët komunistë; në SHBA karrigia elektrike, ndërkohë këtu te na, ata bredhin të lirë dhe…”/ Refleksionet e muzikologut të njohur, ish-i burgosur politik
Dossier

“Gjykata i deklaron fajtorë të gjithë të pandehurit për fajin e spiunazhit, pasi me anën e këtyre agjentëve misionet e huaja kanë mësuar…”/ Gjyqi ndaj Frida Sadedinit dhe 16 të pandehurve të tjerë në ’49-ën

April 18, 2026
“Kur të dërguarit nga Tirana, i thanë Nolit; ‘Shumë mirë; munt ta varrosim Konicën në Shqipëri, po më parë duhet ta sjellim përpara gjyqit të popullit’, Noli i ndezur u…”/ Shkrimi i gazetës “Dielli”, 20 tetor 1965
Dossier

“Informatorja, e cila mendohet të ishte shqiptare, paraqet Faik Konicën si ‘të paqëndrueshëm në pikëpamjet politike’, kurse Fan Nolin, si ‘komunist’ pasi…”/ Zbulohen raportet sekrete të FBI-së 

April 19, 2026
Dokumentet e Sigurimit të Shtetit: “Banda e Xhevdet Mustafës, pasi të shkonte në ‘Bllok’-un e udhëheqjes, do…”/ Raportet sekrete të “Liqeni i Shkodrës”, “Aktori”, “Boga”, etj.
Dossier

“Kur kryetari i Degës së Lushnjes i kërkoi të dorëzohej, Xhevdeti tha: Unë municion kam plotë, dhe katër orë më duhen, pastaj do…”/ Zbulohen dokumentet e bujshme të Sigurimit për “Bandën Xhevdet Mustafa”

April 17, 2026
“Veprimet e ngathëta të kryetarit të Degës së Brendshme, shokut Kapllan Shehu, i cili vetëm pas gjetjes së kufomës së zv/shefit të Policisë…”! Zbulohet raporti sekret për “Bandën Xhevdet Mustafa”, tetor ‘82
Dossier

“Nëse s’do e vrisnin dot, apo ta helmonin, variant tretë ishte që ta merrnin të gjallë Enver Hoxhën e, ta dërgonin në Moskë…”/ Zbulohen dokumentet e bujshme të Sigurimit për “Bandën Xhevdet Mustafa”

April 18, 2026
Next Post
“Ende sot në vise të Kumanovës këndohen këngët e Xhem Sadrisë dhe Halit Brezës e, tregohen vendet ku ata kanë luftuar me çetat e tyre, të cilat…”/ Historia tragjike e masakrave të serbëve ndaj shqiptarëve

“Ende sot në vise të Kumanovës këndohen këngët e Xhem Sadrisë dhe Halit Brezës e, tregohen vendet ku ata kanë luftuar me çetat e tyre, të cilat...”/ Historia tragjike e masakrave të serbëve ndaj shqiptarëve

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme