Nga Arshin Xhezo
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në pranverën e vitit 2005 erdhi në Shqipëri, – e pas pak muajsh shkoi edhe në Kosovë, – fotografi amerikano-hebre Norman H. Gershman, drejtor i Fondacionit Islamik të quajtur “Besa”. Fillimisht në Tiranë, pastaj edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, Berat, Krujë, Shkodër etj., – sipas një liste që kishte me vete, – zoti Gershman kërkonte dhe fotografonte qytetarë, dëshmitarë nga familje që kishin strehuar e shpëtuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, ose pasardhës të tyre; por vetëm myslimanë, për nga besimi fetar, dhe me ta të krijonte një ekspozitë fotografike dhe një album të veçantë më vonë. “Arsyeja pse jam fokusuar tek myslimanët në Shqipëri, – tha zoti Gershman,- është se bota, jashtë kësaj dhome, as nuk e di që shqiptarët janë një vend mysliman, se “Besa” e tyre, Zoti, miku, për ta janë të shenjtë, dhe kjo është arsyeja që kanë shpëtuar nga vdekja e sigurt qindra e mijëra hebrenj, të gjithë.”
Institucioni i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare dhe etnike në Shqipëri është një konsensus i madh dhe i vyer historik, i arritur gjatë shekujve dhe, sigurisht, me kostot përkatëse. Ky konsensus nuk është thjesht një besë, një betim individësh, aq më pak, një bashkim e shtrëngim duarsh i krerëve të institucioneve fetare, siç i shohim në qëndrime protagonistësh, në foto e ekrane televizionesh. Nuk është një marrëveshje ceremoniale “titullarësh” e politikanësh, pasuar nga firmat e vulat përkatëse.
Konsensusi i madh i bashkëjetesës apo harmonisë etnike dhe fetare në Shqipëri, i shqiptarëve mes vedi, së pari, por edhe me “të ndryshmit” që bashkuan fatin me ta, si çdo konsensus i vërtetë e jetëgjatë, është themeluar e ngritur mbi bazë interesash jetike, ekonomike, të mbijetesës, ekzistenciale, ku dallojnë, sigurisht, ato kombëtare, e bashkë me to, edhe interesat kulturore, fetare, morale, etike etj.
Meritë e shqiptarëve është se kanë ditur, jo vetëm të ndërtojnë e ruajnë konsensusin mes tyre, por edhe t’ua mësojnë këtë kulturë konsensusi edhe ardhësve, “jabanxhinjve” me kultura e besime të ndryshme. Por, edhe ardhësit, “të ndryshmit” kanë pasur meritën ta përvetësojnë këtë kulturë.
Platforma e Rilindjes sonë Kombëtare, që frymëzoi edhe dashurinë e “shkuarjen” edhe “me serbë, grekë e bullgarë”, siç shkruan Naim Frashëri, gjen, besoj, mishërimin më të bukur tek një nga poezitë më të bukura, “Himni i Flamurit”, të Fan Nolit, poet, historian, përkthyes, muzikolog, ish-kryeministër, por edhe themeluesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare:
“Flamur që linde Shën Konstandinin,
Pajton Islamin me Krishtërimin,
Shpall midis feve vëllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi”
Është me shumë interes njohja e teksteve të himneve kombëtare të popujve të botës. “Himni i Flamurit”, i botuar në vitin 1926 nga Noli, më ka nxitur të shoh disa prej këtyre teksteve. Jo pak prej tyre janë tepër agresivë dhe me një fjalor morboz: “kocka”, “gjak”, “varre”. Nuk besoj se teprohet po të them se “Himni i Flamurit” i Nolit është më i bukuri dhe më i emancipuari që njoh, i denjë për Europën e sotme të Bashkuar.
“Nacionalizmi shqiptar është sekular”, – vëren me të drejtë analisti dhe njohësi i mirë i Ballkanit, Janush Bugajski.
Në Europën e sotme, “pa viza”, bashkëjetesa në diversitetin etnik, fetar, gjuhësor, kulturor është kriter civilizimi dhe kulture, kusht ekzistence. “Shtetet uni-fetare janë të vjetruara për Europën moderne”, shkruan Karl Poper.
Shqipëria nuk ka nivelin e Greqisë, madje as të Serbisë, me gjithë krizën në këto shtete. Por, nuk të duket aspak normale që, me gjithë ardhjet e mijëra emigrantëve çdo vit, sidomos nga vendet e Lindjes, ku shumica janë të besimit mysliman, statusi uni-fetar thuajse nuk preket.
Vetëm shifra prej rreth 800 mijë emigrantësh shqiptarë që kanë emigruar në Greqi, e ku shumica janë të besimit mysliman, do ta ndryshonte këtë përqindje. Për dekada të tëra në Athinë, në kryeqytetin e vendit nuk lejohej të ndërtohej, të paktën, një xhami e vetme.
Shqipërisë dhe shqiptarëve u mungojnë shumë gjëra, por këtë pasuri, këtë “prioritet” e ka, sido që nuk është në listën e “12 prioriteteve” të Bashkimit Europian. Është ndoshta nga rastet tepër të rralla kur, me bindje e jo pa krenari, të thuhet e të shkruhet fjala “model”.
Në Shqipërinë me së paku katër besime fetare dhe që nuk ka njohur kurrë luftëra me motive fetare, janë dukur e duken absurde luftëra të tilla, si ajo gjysmëshekullore në Irlandën e Veriut, midis protestantëve e katolikëve, ku u vranë, më së paku 4000 njerëz. Po kështu, sherri e lufta në Irak, mes sunitëve e shiitëve; Qiproja e ndarë në “greke” e “turke” etj.
Shqipëria, me gjithë sëmundjet që ka, nuk vuan nga sëmundja e Daltonizmit. Syrit të një shqiptari do t’i dukej monokron e monoton një qytet “bardhezi”; me vetëm xhami apo me vetëm kisha; vetëm me veshjet e zeza të klerikëve të krishterë, apo me vetëm ato bardhezi apo vetëm jeshile të klerikëve myslimanë apo bektashinj.
Bashkëjetesa dhe harmonia fetare dhe etnike ka bërë që qytetet tona, sido që ende jo si qytetet më të pasura të Europës, t’u ngjajnë galerive të artit, ku, bashkë me ngjyrat kombëtare, të rrinë bukur e në harmoni të plotë edhe ngjyrat e “të tjerëve”; vepra arti e monumente kulture.
Bashkë me kishat, xhamitë e teqetë, edhe sinagogat hebreje, aq sa ka lënë pa shkatërruar barbaria e pushtuesve, sidomos pushtuesi i fundit, nazistët gjermanë, të cilët, vetëm hebrenj vranë rreth gjashtë milionë në botë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në Shqipëri, siç dihet, u shpëtuan të gjithë hebrenjtë, ndërkohë që në fund të Luftës së Dytë Botërore rezultonte që komuniteti hebre ishte shumëfishuar në krahasim me paraluftën. Ndërkaq, dokumentet tregojnë se Berati është qendra që priti dhe shpëtoi më shumë hebrenj.
Që nga viti 1941 e në vijim, qyteti i Beratit priti rreth 600 hebrenj të ardhur nga Kosova; 94 familje dhe 87 individë, të cilët gjetën strehë e shpëtim në popull. Berati shpëtoi, jo vetëm “hebrenjtë e vet”, rezidentë, por edhe ata të ardhur nga Europa Qendrore e Ballkani, duke u bërë kështu, një rast tepër i veçantë edhe në botë.
Kjo shpjegohet me të gjithë ata faktorë që u përmendën, por do të veçoja bashkëjetesën shembullore fetare dhe etnike, të cilën e sheh cilido fare lehtë në vetë qytetin, që është i tëri “galeri arti”: kisha të mrekullueshme, me themele në Mesjetën e hershme, me arkitekturë befasuese, brenda të cilave mund të shohësh piktura murale dhe ikona mahnitëse; xhami dhe teqe bektashinjsh po aq të bukura. Një toponimi e tërë dëshmon jetën dhe jetesën e hebrenjve: “Lagjja e çifutëve”, “Varri i Çifutit”, “Qafa e Çifutit”.
Këto, bashkë me dokumentet në arkiva, libra e dëshmitarët që ende jetojnë, në banesat e të cilëve janë strehuar e shpëtuar gjatë luftës së fundit, i bëjnë hebrenjtë të afërt e të përditshëm. Dhe, nuk janë ‘vetëm myslimanë” këta shpëtimtarë.
Nga 38 familje e individë që u nderuan nga bashkia e qytetit, 18 janë të besimit të krishterë, përveç shumë familjeve të tjera, nga të gjitha besimet fetare. Këta “fisnikë”, nuk janë as në listat e bashkisë, ndoshta, as në Muzeun e holokaustit në Izrael, por ata janë në Berat e në Shqipëri.
Bashkëjetesa dhe harmonia fetare i ka bërë bashkë edhe në sakrifica të kësaj natyre, siç janë bashkë, madje, edhe të përziera në lagje edhe kishat e xhamitë. Në lagjen “Mangalem”, për shembull, ku kanë banuar kryesisht familje të krishtera, është një xhami që quhet “Xhamia e Beqarëve”. Ruajtja nga të gjithë e objekteve të kultit është një kulturë e hershme.
Duket çudi se si gjatë pesë shekujve të sundimit osman, kishat dhe veprat e artit brenda tyre janë ruajtur të paprekura. Arti ekumenik në Berat, sikurse dhe në gjithë Shqiptarinë, e që shfaqet në veprat e artit mesjetar, dëshmon edhe për artistë të mëdhenj, por njëherësh dëshmon edhe bashkëjetesën qytetare. Për të përmendur vetëm një: afresku i piktorit të madh të Mesjetës, Onufrit, në Katedralen e Shën Mërisë në lagjen “Kala”, ka në qendër një klerik të krishterë dhe një klerik mysliman duke biseduar.
Asnjë proces penal apo civil për çështje fetare nuk gjen në Berat; në asnjë periudhë, në asnjë regjim. Në Berat, festat e besimtarëve të njërës fe, ishin e janë edhe të të tjerëve; për drekën e Pashkës për shembull, miq të ftuar të besimit mysliman, dhe anasjelltas, në festën e Bajramit të myslimanëve apo ato të Novruzit apo të “Hashures”, të bektashinjve.
I lindur në këtë qytet, mua, atëherë fëmijë, më dukej gjëja më normale që ne kishim aq shumë festa. Gati çdo javë kishim festa, sepse shkonim te shtëpitë e shokëve të lagjes e të klasës me fe të tjera, sikurse vinin edhe ata tek tonat. Vonë e mora vesh se bota nuk e kishte kështu.
Ka edhe plot fakte, detaje e dokumente që, vërtet befasojnë gjithkënd, por në fund do të doja të citoja një dokument, më saktë, një Ferman. Është Fermani i Sulltan Abdyl Azizit, i cili e dërgon në Berat, në fund të shekullit XVIII, ose në vitin 1225, sipas Kalendarit arab:
“Me kërkesë të popullsisë myslimane dhe ortodokse të qytetit Beligrad Arnaut (Beratit shqiptar), urdhëroj ngritjen e Kishës së Shën Mitrit në qendër të këtij qyteti” (Sami Starova, gazeta “Shekulli”, 21. 08. 2012). Por, ndoshta, ende më i bukur është lajmi që morëm këto kohët e fundit nga gazetari Marin Mema, në kanalin televiziv “Top Channel”, në rubrikën e tij, “Shqipëria tjetër”:
“Në fshatin Mali-bardhë të Kurbinit, banorët në shumicë myslimane kanë ndërtuar me kontributin e tyre një kishë për ata pak bashkëfshatarë të tyre me besim katolik. Pas kësaj, këta të fundit, kanë vendosur të ndërtojnë një xhami, në shenjë mirënjohjeje për kishën që ua ndërtuan bashkëfshatarët e tyre myslimanë”. “Malibardha duhet shpallur vend pelegrinazhi për politikanët…”, shkruante e vetmja gazetë “Dita” që e publikoi.
Besoj se është mirë të shkojmë të gjithë!…/ Memorie.al













