Nga Agron Tufa
Pjesa e tretë
Memorie.al / Si familje, Kastriotët, paraardhësit e Skënderbeut, shfaqen në burimet historike më vonë se shumë nga familjet bujare shqiptare të kohës së tij, të cilët përmenden si feudale të vegjël që- në vitet ‘70 të shekullit XIII-të, ndonjëri ndoshta më herët. Sikurse u tha, gjatë Mesjetës, bujarët shqiptarë, në përgjithësi, kanë përdorur si mbiemër emrin e fshatit të tyre të hershëm. Madje, kjo praktikë ka vazhduar deri në ditët tona (Naim Frashëri, Faik Konica, Zef Jubani, Filip Shiroka, Ymer Prizreni, Isa Boletini dhe plot të tjerë). Këtë praktikë duhet ta kenë përdorur edhe Kastriotët. Në Shqipëri fshat me emrin Kastriot ka vetëm një. Ai ndodhet në thellësinë e brendshme malore të Shqipërisë Lindore, 8 kilometra në veri të Peshkopisë, në Dibrën e Poshtme, brenda kufijve të mikrokrahinës apo bashkësisë krahinore të Qidhnës, një nga nëntë “malet” e trevës dibrane.
Si përfundim, njoftimet që përmbajnë veprat e Lukarit, Bardhit dhe Fermenxhinit nuk janë të kohës së Skënderbeut, por të periudhave të mëvonshme, kur historia kthehet në legjendë, si të tilla nuk janë burime të sigurta. Në historiografinë skënderbegiane është lakuar shpesh një akt i lëshuar në Vlorë, më 2 shtator 1368, nga sundimtari i Kaninës, Aleksandër Komnen Aseni, me të cilin ai dhe vartësit e tij betohen se do të jenë miq të Republikës së Raguzës. Midis vartësve të tij përmendet edhe njëfarë Kastriot, kështjellar i Kaninës (në aktin sllavisht: kefalija kaninski Kastriot).
Ka historianë që mendojnë se këtu kemi të bëjmë me një stërgjysh të Skënderbeut, i cili ishte në shërbim të sundimtarit serb të Vlorës. Por ky pohim është pa themel. Në aktin e vitit 1368, Kastrioti, qefalia i Kaninës, është emër i përveçëm dhe jo mbiemër, ashtu siç përmenden edhe disa funksionarë të tjerë (vojvoda Prodan, kështjellari Branilo, portieri Rajce, mëkëmbësi Ujedja, gjyqtari Obrad), sepse po të ishte mbiemër do të kishte prapashtesën e detyrueshme sllave – if, siç figurojnë në këtë akt dy të tjerë (Zgur Dukajsereviç dhe Kostandin Surboviç). Si rrjedhim, Kastrioti i Kaninës nuk ka shenja të ketë lidhje me Kastriotët e Dibrës.
Për origjinën krahinore të Kastriotëve dhe për gjenealogjinë e tyre ka jo një, por një varg dokumentesh arkivore dhe dëshmish bashkëkohëtarësh, të cilat e mbështesin në mënyrë bindëse origjinën e Kastriotëve nga treva e Dibrës, madje nga bashkësia krahinore e Qidhnës dhe, më saktë, nga fshati Sinë i kësaj treve, bashkësi në të cilën ndodhet edhe fshati Kastriot, rreth 3 kilometra në krahun e djathtë të lumit Drin.
Njërin prej tyre na e jep fisniku shqiptar, Gjon Muzaka, bashkëkohëtar i Skënderbeut, madje me lidhje familjare me të (kushëri i parë i Donika Kastriotit), gjithashtu njohës i mirë i familjeve feudale shqiptare të shekullit të XV-të. Pas vdekjes së Skënderbeut, Gjon Muzaka u largua nga Shqipëria dhe në mërgim, në Napoli, diktoi, më 1510, kur ishte në moshë tepër të thyer, kujtimet e veta për tre djemtë e tij.
Midis morisë së njoftimeve shumë interesante që jep për fisnikët shqiptarë, disa nga të cilët i njihte personalisht, ai përmend edhe një të dhënë me interes për gjyshin e Skënderbeut. Ai thotë, në “Memorandën” e tij se; “gjyshi i Zotit Skënderbeg quhej Zoti Pal Kastrioti dhe ky nuk kishte (në zotërim – K.F.) më tepër se dy fshatra të quajtura Sinja dhe Gardhi i Poshtëm (Iavo del Signor Scanderbeg se chiamo Signer Paulo Castrioto, e non ebbe piu de due casali nominati Signa e Gardi-ipostesi).
Nuk është e rastit që të dy fshatrat ndodhen në krahinën e Qidhnës, ballë për ballë me fshatin Kastriot, nga i cili i ndan Drini i Zi. Sinja e Muzakës, e cila nga vendësit sot quhet Sinë, ndahet në dy pjesë: Sina e Epërme dhe Sina e Poshtme.
E ndarë më dysh figuron e regjistruar si fshat në nahijen e Dibrës së Poshtme edhe në defterin turk të vitit 1467. Sina e Poshtme nuk është më larg se 6 km. nga fshati Kastriot. Gardhi sot nuk ekziston si vendbanim, por si toponim i dyfishtë rreth 2 km në jug të Sinave: Gardhi i Epërm dhe Gardhi i Poshtëm. Që në shekullit XV-të këtu ekzistonte një vendbanim, e dëshmojnë gërmadhat dhe, ca më tepër, defteri turk i vitit 1467, ku po në atë nahije është shënuar si fshat vetëm Gardhi i Poshtëm, tekstualisht:
Gardi Posti, pikërisht ashtu siç e shënon edhe Muzaka. Po të marrim parasysh se biri i tij, Gjon Kastrioti, në vitin 1405 (kur lindi Skënderbeu) ishte prind i tetë fëmijëve (fëmija e nëntë lindi më vonë), Pal Kastrioti duhet të ketë qenë zot i Sinës dhe i Gardhit të Poshtëm në çerekun e tretë të shekullit XIV-të, pra në kohën e fuqizimit që patën krerët shqiptarë të feudalizuar pas vdekjes së Stefan Dushanit.
Tjetër njoftim me interes është ai i historianit italian, Raffael Volaterrano, gjithashtu bashkëkohëtar i Skënderbeut, i cili, edhe pse njihet prej kohësh në historiografi, nuk është shfrytëzuar nga ana e studimtarëve me kujdesin që meriton. Humanisti italian ka botuar, më 1506, një biografi të shkurtër të Heroit tonë, të paktën nja dy vjet përpara se të botohej vepra e njohur e Marin Barletit.
Pra, për nga përmbajtja e saj, biografia e tij është krejt e pavarur jo vetëm nga trajtimi i humanistit shkodran, por edhe nga kujtimet e Gjon Muzakës. Njoftimi i Volaterranos ka të bëjë me të atin e Skënderbeut, të cilin nuk e quan Gjon Kastrioti, por Gjon Dibra ose Dibrani (Johannes Dibra sive Doberiensis). Pastaj ai shton se kishte në zotërimin e vet Trojën dhe disa vise të tjera brenda vendit (Trojam non nollaque alia loca interius obtinebaf).
Këtu lind menjëherë pyetja: ç‘është kjo Trojë? Mbase këtu kemi të bëjmë ose me një apelativ historik atribuuar Krujës, e cila rezistoi si dikur Troja homerike, ose me një lapsus calami, meqenëse shndërrimi nga Crojam në Trojam është lehtësisht i mundshëm, pavarësisht se Gjon Kastrioti, sikurse u tha, nuk e ka pasur asnjëherë në zotërim Krujën.
Gati njëqind vjet më vonë nga koha kur Pal Kastrioti ishte zot feudal i dy fshatrave të Qidhnës dhe kur nipi i tij, Skënderbeu, ishte më tepër se 60 vjeç, kemi një dëshmi tjetër interesante, e cila këtë radhë na vjen nga fondi i dokumentacionit turko-osman. Është defteri i përmendur i regjistrimit të banorëve, të fshatrave dhe të timarëve që administrata perandorake osmane kreu në vitin 1467 në territoret e sanxhakut të Dibrës, i cili përfshinte, përveç të tjerave, rrethet e sotme të Dibrës e të Matit.
Në këtë defter na dalin dy veta që mbajnë mbiemrin Kastrioti. Njëri, Dhimitër Kastrioti, është regjistruar si banor i thjeshtë, si fshatar raja në fshatin Sinë të Poshtme të Qidhnës. Tjetri, me emrin Mark Kastrioti, është regjistruar si jamak (ndihmës i feudalit spahi), në fshatin Shtjaknëz të Matit. Në defter nuk thuhet as për njërin, as për tjetrin nëse ata kishin lidhje farefisnie me Skënderbeun.
Por dihet se jamakët, si ndihmës të spahinjve, mund të ishin, por edhe mund të mos ishin, banorë të atij fshati ku shërbenin. Përkundrazi, Dhimitër Kastrioti, si fshatar i futur në zgjedhën e timarit, duhet të ishte medoemos banor i fshatit. Kështu në fshatin Sinë, tre ose katër breza pas Pal Kastriotit, na del një familje me të njëjtin mbiemër, siç ishte Dhimitër Kastrioti, kurse Marku është i pari dhe i fundit Kastriotas që përmendet në fushën e dokumentacionit historik në Mat.
Përveç defterit turk të vitit 1467, kemi në dorë edhe një regjistër tjetër të hollësishëm të popullsisë dhe të fshatrave të Dibrës, të hartuar nga qeveritarët osmanë 104 vjet më vonë, në vitin 1571, të pabotuar deri sot. Në këtë defter, jo në Sinë, por në fshatin fqinj, në Qidhnën e Epërme, janë regjistruar së bashku emrat e dy kryefamiljarëve homonimë, mbasi që të dy quhen Pal Kastri. Mendojmë se në të dy rastet, kemi të bëjmë me një shkurtim të mbiemrit Kastri(oti).
Nuk është një supozim pa bazë, sepse 31 vjet më vonë, na shfaqet një tjetër pinjoll Kastriotas nga ky fshat. Këtë pinjoll e ndeshim në aktin e kuvendit ndërkrahinor shqiptar, që u mblodh më 1602, në fshatin Dukagjin të Matit, ku ai mori pjesë si përfaqësues i Dibrës, duke nënshkruar: Jozef Kastrioti nga Qidhna (Joseph Castriotida Cidna), krahas dy përfaqësuesve të tjerë dibranë.
Nga sa u tha, mund të nxirret konkluzioni se shfaqja e Kastriotëve në këtë trevë gjatë një harku kohor prej 250 vjetësh – që nga Pal Kastrioti, zot i fshatit Sinë në çerekun e tretë të shekullit XIV-të, Gjon Kastrioti i gjysmës së parë të shekullit XV-të, i cilësuar si Gjon Dibrani, Dhimitër Kastrioti, banor i fshatit Sinë më 1467, Pal Kastri(oti) banor më 1571 i Qidhnës së Epërme, fqinjë e Sinës, deri te Jozef Kastrioti nga Qidhna, i cili përmendet më 1602 – nuk mund të thuhet kurrsesi se është një rastësi. Nën dritën e këtyre të dhënave dokumentare bashkëkohore edhe njoftimet e kronikës raguzane të P. Lukarit, sidomos ato të kodeksit boshnjak të Fermenxhiut, na çojnë gjithashtu në trevën e Qidhnës.
Kjo vazhdimësi të dhënash, të cilat përfaqësojnë afërsisht 8 breza njerëzorë, tregojnë se Kastriotët kanë qenë të paktën qysh në shekullit XIV-të banorë të Qidhnës, në përgjithësi, dhe të Sinës, në veçanti, derisa aty nga shekullit XVII-të, gjurmët e tyre në këtë trevë humbasin përfundimisht. Jo vetëm gjenealogjia, por edhe pronat feudale që ata zotëronin, e përforcojnë origjinën e tyre dibrane.
Përveç pohimit të Gjon Muzakës rreth zotërimeve të Pal Kastriotit në Qidhnë (Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm), kemi dy akte arkivore, të ashtuquajturat akte të Hilandarit, të cilat dëshmojnë se biri i tij, Gjon Kastrioti, kishte në pronësi të plotë feudale të paktën dy fshatra, Radostushën dhe Trebishtin, të cilat ndodhen gjithashtu në trevën dibrane.
Ekziston pastaj një akt arkivor i vitit 1453, nga i cili kuptohet se Skënderbeu kishte të drejta zotërimi mbi vendin e quajtur Cassi (nuper quendam loca Cassi intercepisse). Këtu Cassi nuk duhet lexuar Gashi, siç bën A. Gegaj, sepse krahina e Gashit ndodhet në Malësinë e Gjakovës, pra shumë larg vend-banimit të Kastriotëve, por Hasi, sepse dihet që në tekstet latinishte “h-ja” e gjuhëve të tjera, herë bie (Has: As; Humoi: Umoi; Harzan, Arzen), herë velarizohet (Has: Cas; Humoi: Cumoi; Hamza: Camusa).
Për më tepër, sikurse do të shihet më poshtë, kur Skënderbeu ndërmori epopenë legjendare, ai mbante titullin “Zot i Dibrës dhe i Matit” (Dominus Dibra et Mati). Nën dritën e këtyre të dhënave, origjina dibrane e Skënderbeut tani vërtetohet edhe nga vetë Barleti. Kështu, për shembull, jo rastësisht viset e Qidhnës ai i quan; “Viset e Skënderbeut”.
Po ashtu, tani marrin një kuptim të ri fjalët e humanistit shkodran kur thotë jo vetëm Skënderbeu, kur u kthye nga Nishi në Dibër, i njihte dibranët, por edhe dibranët e njihnin Skënderbeun, prandaj ai hyri në Dibër pa luftë, si në shtëpinë e tij.
Pastaj, që të nesërmen në mëngjes, ai u nis i shoqëruar nga qindra dibranë për të marrë me dredhi Krujën. Askush nga dibranët, vazhdon Barleti, nuk e kundërshtoi veprën e tij të guximshme, jo vetëm nga fama e tij e madhe, jo vetëm nga dashuria e tyre për liri, por “edhe nga malli që ushqenin për të prej një kohe kaq të gjatë”.
Prandaj, shkruan ai më tej, dibranët “iu derdhën të gjithë rreth e përqark e kush e kush më parë, tërë shend e verë dhe, duke kërcyer nga gëzimi, me lot që u rridhnin në faqe nga gazi i madh, një palë i puthnin duart, një palë faqet e kokën, të tjerë këmbët e pastaj gjithë trupin duke e mbytur me përqafime të pambaruara”. Kuptohet se një dashuri dhe përkushtim kaq të thellë mund ta shfaqnin, më 1443, para se Skënderbeu të fillonte epopenë, vetëm bashkatdhetarët që ishin rritur me të. / Memorie.al















