Nga MËRGIM KORÇA
Pjesa e tretë
Memorie.al / Shtysa që na bën t’a kundrojmë periudhën historike përfshirë mes viteve 1939 – 1945 me një pamje të gjerë, të themeltë, përgjithësuese edhe tërësisht shkencore, kërkon që të ndriçohen e pastaj edhe të mbështetemi edhe në fakte historike jo vetëm lënë në harresë por edhe shtrembëruar qëllimisht nga historianët e periudhës së diktaturës. Prandaj detyrohemi t’a fillojmë analizën duke përcaktuar fillimisht kriteret bazë të mirëfillta shkencore lidhur me përdorim caqesh gjuhësore pa u a shfytyruar kuptimin atyre, pa le në vazhdim edhe të lejojnë interpretime të gabuara, (prirur nga shtysa karakteri ideologjie politike), të cilat nga ana e tyre në vazhdim çojnë pashmangshëm në përfundime krejtësisht të gabuara.
Gjithë këtyre fakteve historike të grumbulluar doemos do t’u rikthehemi në vijim. Në vazhdim të analizës nuk mundim mos t’i hedhim dritë edhe një momenti themelor i cili flet shumë lidhur me masa karakteri kombëtar, nga njëra anë, si edhe fshehje realiteti si edhe shtrembërime, nga ana tjetër. Si atdhetar i shquar e gjithashtu si gjuhëtar i sprovuar, para se t’a merrte përsipër detyrën e kryeministrit e, pikërisht më 20 prill të vitit 1940, Mustafa Kruja qé me kolegët e tij Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi e të tjerë, nismëtar dhe bashkë – themelues i Institutit të Studimeve Shqiptare, duke e kryesuar gjithashtu fillimisht edhe Këshillin Shkencor të atij institucioni, (funksion të cilin ai i a dorëzoi prof. Ernest Koliqit kur u emërua kryetar i Këshillit të Ministrave).
Seksioni i Gjuhësisë i atij Instituti, duke pasur parasysh përpjekjet pararendëse të Komisisë Letrare të Shkodrës që më 1916 e gjithashtu edhe mbështetjen që i u bë një Gjuhe Normative shqipe edhe përgjatë periudhës së Zogut, në vazhdim përgjatë hullisë pararendësve e duke i ngritur edhe më lart arritjet e deriatëhershme, mbas diskutimesh dhe drejt-peshimesh, pati arritur në përfundimin se si Gjuhë shqipe Normative duhej të ligjërohej e folmja e qytetit të Elbasanit. E ritheksoj, e folmja e qytetit të Elbasanit, e cila përmblidhte më së miri të përbashkëta te të folmeve të ndryshme si të Jugut, Shqipërisë së Mesme e gjithashtu edhe të Veriut të vendit tonë!
Pra, u përzgjodh si e folmja më e përshtatshme për të qenë gjuhë normative e Shtetit shqiptar. Shtoj me këtë rast se si Xhevat Korça, i cili ishte anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Studimeve Shqiptare, me t’u bërë titullar i dikasterit të Arsimit, me shkresën nr. 61, datë 20 shkurt 1942, urdhëroi të gjitha shkollat e Shqipërisë, që Gjuhë Normative Shqipe, që nga ajo dit’edhe mbrapa, e cila do të studiohej në shkollat tona, do të ishte gjuha e folur e qytetit të Elbasanit dhe tekstet zyrtare bazë të mësimit të Gjuhës Shqipe, do të ishin tekstet e Sintaksës si edhe Gjuhës Shqipe të At Justin Rrotës.
Me këtë fakt shikohet qart’ edhe shquar pikësynimi i politikës skajshëm kombëtare të qeverisë “Kruja” e cila, në rrethanat e pushtimit fashist, vuri kusht dhe e hoqi gjuhën italiane si gjuh’e detyruar në shkollat fillore të Shqipërisë dhe nga ana tjetër e thelloi pikësynimin e saj duke e ligjëruar edhe Gjuhën Normative Shqipe.
E theksuam këtë moment vetëm t’ua vëmë në dukje studiuesve të pa anshëm e të ndershëm se, kur u bë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (20 – 25 Nëntor 1972), se si nga gjuhëtarët konformistë të regjimit, e në vazhdim edhe nga historianët e diktaturës, u duartrokit si themeli që e njësoi për herë të parë Gjuhën Shqipe zyrtare, duke e lënë krejtësisht në harresë faktin se jo pak, por pikërisht tridhjetë vite më parë në kushtet e pushtimit të huaj qé kryer akti i njësimit të Gjuhës Shqipe në një gjuhë normative gjithëkombëtare!
Dhe sot, në vitin e njëmbëdhjetë të shekullit tonë të XXI – të, dhe në vitin e XXI – të që nga shkërmoqja e diktaturës komuniste, shtrohet pyetja e sinqertë dhe aspak retorike: vallë do të vijë ndonjëherë dita që të vërtetat historike të thuhen ashtu si kanë qenë, që të gjitha dhe as pa zbukurime por edhe as pa përçudnime? Pikërisht, nisur nga ky synim që i kemi vënë vetes të analizojmë, vazhdojmë me paraqitje faktesh, kurrë të zëna në gojë nga studiuesit e periudhës së diktaturës komuniste.
Kur Francesco Jacomoni u propozon drejtuesve të shtetit italian që qeveria Vërlaci, si e pambështetur nga shumica e popullit shqiptar, duhej zëvendësuar nga një qeveri e drejtuar nga Mustafa Kruja, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Galeazzo Ciano, më datën 10 nëntor 1941 shkruante në ditarin e tij Politik, (botim i Rizzoli – t, tetor 1990 në faqen 556), “Ky një lëshim i mëtejshëm ndaj ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare.”
Sikur vetëm nisur nga ky vlerësim i ministrit të Punëve të Jashtme të Qeverisë Italisë Fashiste të niseshim ku ai, në nënvetëdijen e tij jo që nuk e quante sukses të pushtetit fashist marrjen e fuqisë ekzekutive në Shqipëri nga ana e Mustafa Merlika Krujës me shokë, por përkundrazi e quan lëshim ndaj ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare, do të ishte një argument si edhe provë e pakundërshtueshme dhe skajshmërisht e fuqishme për t’iu kundërvënë propagandës komuniste e cila atë kategori që Galeazzo Ciano i quante ekstremistë të nacionalizmës shqiptare, ajo i quante kolaboracionalistë të fashizmit italian!(?)
E të mbetej me kaq, vetëm një shpifje sporadike e komunistëve shqiptarë, do të ishte vërtet një e keqe, por në fund të fundit jo shumë e rëndësishme. Por, edhe gjithnjë ka një “por”, nga që përgjatë 47 viteve të diktaturës iu mëshua ditë mbas dite, muaj mbas muaji, vit mbas viti si edhe dhjetëvjeçar mbas dhjetëvjeçari cilësorëve “kolaboracion” si edhe “kolaboracionist”, nga kënd – vështrimi skajshëm përkeqësues dhe vetëm përkeqësues, ai koncept u rrënjos aq thellë sa që sot e kësaj dite as nuk diskutohet më dhe ky cak gjuhësor nënkuptohet vetëm e vetëm si mbas kuptimit të keq! (???)
Vijmë tashti duke e ngushtuar rrethin e arsyetimeve si edhe nxjerrjes së përfundimeve logjike, prirur nga të arriturit në një sintezë të tyre, qëmtuar këtu hap mbas hapi. Mbasi u trajtua më lart qëndrimi i Partisë Komuniste Shqiptare të udhëhequr nga Enver Hoxha, lidhur me qëndrimin e mbajtur sa i takon aneksimit të Kosovës dhe futjes së saj në kuadrin e Federatës jugosllave, vazhdojmë edhe me një fakt të dokumentuar dhe që hedh dritë në aspekt më të gjerë rreth qëndrimit të Shtetit Shqiptar në marrëdhëniet e tija me Jugosllavinë e Titos.
Me 15 dhjetor të vitit 1947 në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, në pranin’e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiçit, Enver Hoxha deklaroi, (proçes – verbali i asaj mbledhje ruhet në Arkivin e Shtetit – shënim M.K.), “ …Tani që e likuiduam këtë pengesë, (Nako Spirun – shënim M.K.), duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FAKTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.) se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË…”!
Me këtë rast nuk mundemi t’u shmangemi dy pohimeve madhore lidhur me si e kanë përkufizuar KOMUNIZMIN dy personalitete të njohur në fushë ndërkombëtare dhe lexuesit e këtyre radhëve të nxjerrin vetë përfundimet e ndërsjella lidhur me si e shikonte Mareshalli Tito komunizmin dhe si e shikonte Enver Hoxha, nga këndvështrimi i tij, po këtë ideologji:
Mao Tse Tung-u pohonte: “KOMUNIZMI NUK ËSHTË DASHURI, KOMUNIZMI ËSHTË PRESË PËR TË SHTYPUR ARMIKUN”!
(Titoja dërgoi emisarët e tij q’e formuan P.K.Sh., mbollën ideologjinë’ e zhdukjes së klasës intelektuale atdhedashëse e skajshme, e me gjithë të edhe të klerikëve drejtues për t’a çarmatosur Shqipërinë nga ta që; VDEKJA PËR ATDHÉ U DUKEJ BASH SIKUR ME LÊ!)
John Kennedy: “ MENDIMI QË PRIN KOMUNISTËT ËSHTË IDEJA SE E IMJA ËSHTË E IMJA, E JOTJA ËSHT’E JONA”!
(Enver Hoxha, shembulli tipik i egoistit të skajshëm, e donte Shqipërinë, por e donte siç e bëri…pronë krejtësisht të tijën, pronë personale. Si u tha fshatarëve librazhdas në shtëpin’e tij: “ … shkeleni me këmbë këtë sixhade…e dini e kujt ka qenë? E Shefqet Vërlacit!).
E lemë më një anë tashti çështjen e marrëdhënieve Shqipëri -Jugosllavi, trajtuar më lart me referenca dokumentesh arkivale lidhur me qëndrimet e Enver Hoxhës si ndaj problemit të Kosovës. Por edhe më gjerë, lidhur me vetë Shqipërinë, dhe vazhdojmë me një dokument, por dokument i cili t’a shtrydhësh kullon gjak intelektualësh shqiptarë! E ky dokument është letra e diktatorit të kuq shqiptar, drejtuar Atit të tij ideologjik Josif Visarionoviç Stalinit më 21 shkurt të vitit 1951, (mbasi ishin arrestuar pa urdhër prokurorie dhe pushkatuar, pa pretencë prokurori e as vendim trupi gjykues, 22 intelektualë shqiptarë, për një ngarkesë dinamiti hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë, si pasoj’e së cilës veç disa xhama të ndërtesës qenë thyer), në emër të Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë Punës Shqipërisë:
“ … Atentati i poshtër që armiku i egër i popullit tonë dhe i Bashkimit Sovjetik, na bëri kundër Legatës Sovjetike në Tiranë më datën 19–02 – 1951 në orën 19:47, duke hedhur dinamit në oborrin e Legatës, na ka goditur mu në zemër të Partisë dhe të popullit tonë.
Ky akt politik terrorist u drejtua ndaj çka është më i dashur, më i shtrenjtë dhe më i shenjtë i popullit tonë, Bashkimit Sovjetik, që është gjithçka për ne e që pa atë nuk kishte dhe nuk mund të ketë jetë për popullin dhe për Partinë tonë. Shoku Stalin, ne nuk kemi qenë vigjilentë sa duhet.
Ne shoku Stalin ju betohemi juve dhe Partisë Bolshevike të lavdishme se do t’i a lajmë Partisë dhe popullit tonë këtë gjë kaq të rëndë që u shkaktua nga mungesa e vigjilencës sonë.
Ky akt i poshtër i armikut na ka egërsuar pa masë ndaj tradhëtarve fashistë të Beogradit, të Athinës, të Romës dhe reaksionit të brendshëm, vegël e tyre. Shoku Stalin, Partia jonë do të jetë e pamëshirshme kundër armiqve të Bashkimit Sovjetik”!
Dhe ç’e bën akoma më të trishtë deklaratën e Enver Hoxhës drejtuar Stalinit, është pohimi i tij Molotovit, ministrit të Jashtëm Sovjetik: “… ne me këtë rast i arrestuam 150 vetë, duke i pushkatuar 22 prej tyre por në fakt nuk e dimë se kush ishin autorët e hedhjes bombës”.
Në vazhdim të kësaj letre, natyrshëm lindin dy pyetje ndaj historianëve tanë të periudhës së diktaturës, pavarësisht e kanë ditur apo jo faktin e së ashtuquajturës “bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë” dhe si e kanë ditur, e rëndësishme është të sqarohet:
1 – Mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, e kanë qëmtuar edhe lexuar këtë dokument drejtuar Mareshallit Stalin nga Enver Hoxha, në emër të Plenumit Komitetit Qendror të P.P.Sh.?
2 – Po dosjen e hetuesisë me Nr. 1687 – A – të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, si dhe atë me Nr. 64 datë 27-02 – 1951 të Vendimit Gjyqësor në bazë të të cilit dënohen me pushkatim ato 22 viktima, NJË JAVË MBASI NË FAKT ISHTE KRYER EKZEKUTIMI I TYRE, e kanë parë vallë zotërinjtë historianë e megjithatë vazhdojn’edhe heshtin në këtë drejtim? Pse heshtin para një KURBANI prej 22 viktimash njerëzore, në altarin e kuq të Kremlinit?
Përgjatë kësaj hullie nuk mundem të mos shtoj se si, në bisedë e sipër me një prej historianëve, (personel shkencor i tanishëm i Institutit të Studimeve Historike të Akademisë Shkencave), për t’a justifikuar para meje faktin që Instituti në fjalë nuk e ndjek dot larmin’ e problemeve që ngrihen dhe kërkohet të studiohen prej tyre duke mbajtur edhe qëndrim sa më objektiv ndaj kolaboracionizmit gjatë pushtimit të vendit tonë, më vuri në dukje se në institutin në fjalë vetëm një historian merret me studimin e periudhës së Luftës së II–të Botërore!
Qoft’edhe vetëm ky fakt, (në qoft’ i themeltë, mjafton të më bindë se vonë, shumë vonë në qoftë se ndonjëherë, instituti në fjalë do të vihet në krye të problemeve të historisë Kombit tonë, (së paku sa i takon rishkruarjes së historisë viteve nga 1939 e deri në fundin e 1845 – ës). Kështu me shumë keqardhje jam i detyruar t’a pranoj se trajtimi, drejtpeshimi, si edhe gjykimi i problemit KOLABORACIONIZËM në përgjithësi, (përfshirë kolaboracionin në interes të atdheut, atë tradhtar si dhe oportunizmin politik), si afat kohor praktikisht i zhvendoskan në KALENDAT GREKE!
Po ky është realiteti i trishtë i cili e kushtëzon trajtimin e problemit kolaboracionizëm në gjithanësinë e tij me vonesë, duke lejuar kësisoj që mendësia edhe e sotme vazhdon edhe kanalizohet përgjatë asaj vrage të caktuar nga historianët komunistë! Megjithatë, pavarësisht mundësive që kanë institucionet shkencore të vendit tonë, detyra e secilit është, për aq sa ka mundësi, mos t’a lerë pa dhënë ndihmesën e tij, sado modeste qoftë, në këtë drejtim. Prandaj edhe….vazhdojmë.
Përgjatë periudhës së lulëzimit të nënshtrimit të pakushtëzuar ndaj Bashkimit Sovjetik, një nga njollat e trishta të asaj kohe ka qenë edhe e gjithë historia e krijimit, administrimit si edhe mbetja si rudiment i dikurshëm i flotës së nëndetëseve, Pasha Limani. Vetëm qëmtimi i dëshmive të ish komandantit të asaj baze detare, Dashamir Ohrit, me pohimet e tija se si Shqipëria përballonte shpenzime niveli jo të papërfillshme si edhe mbante të gjitha përgjegjësitë që pasonin si rrjedhojë operacionesh sekrete nënujore të nëndetëseve që zyrtarisht ishin shqiptare, por efektivisht ndiqnin plane si edhe zbatonin direktiva të Komandës Flotës Detare Sovjetike, konform interesave politike sovjetike në Mesdhe, nuk lejon asnjë kundërthënie në këtë drejtim!
E cituam këtë bazë sovjetike në Mesdhe, pikërisht sepse ishte një bazë aktive dhe vepruese e Bashkimit Sovjetik, e një rëndësie themelore por njëkohësisht edhe hallkë jo e papërfillshme e kolaboracionit politik, me nënshtrim interesash tona kombëtare ndaj interesave sovjetike, diametralisht në kundërshtim, këto të vërteta me maskimin propagandistik që i u bë asaj baze nga letërsia si edhe kinematografia artistike e kohës së diktaturës … mbasi u prishëm me B,S, dhe u lidhëm me Kinën! Sa më sipër, në vazhdën e sakrifikimit total të interesave tona kombëtare dhe nënshtrimit verbas interesave të huaja!/ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













