Dashnor Kaloçi
Gazeta “Bashkimi”: Monedhë të shëndoshë për popullin
Memorie.al/Edhe një masë tjetër e rëndësishme për të mirën e popullit t’onë iu shtua reformave të mëdha dhe masave të tjera që ka marrë deri më sot Pushteti Popullor. Heqja nga qarkullimi i monedhës së vjetër të cilën e kemi trashëgim nga okupatori fashist dhe zëvendësimi i saj me monedhën e re të Bankës së Shtetit Shqiptar është një hap përpara drejt rimëkëmbjes, dhe forcimit të ekonomisë s’onë, është një hap me shumë rëndësi të madhe për të mirën e popullit i cili sot e tutje do të ketë monedhën e tij, monedhë e sigurt, e fortë dhe e garantuar nga Pushteti ynë Popullor dhe të mbështetur në fuqinë ekonomike dhe në paratë e vendit t’onë si dhe në rezervën e arit që ka Banka e Shtetit. Monedha e re e Bankës së Shtetit Shqiptar do të këmbehet me një shumë 100 franga të vjetra, baras me 20 franga të reja. Do të mbeten akoma në qarkullim monedhat e vogla të vjetra prej 20 frangash e poshtë, të gjitha me një vlerë të zbritur pesë herë. Shkëmbimi fillon sot dhe mbaron në mesnatën e datës 14 korrik 1946; prej kësaj date e tutje monedhat e vjetra prej 20 frangash nuk shkojnë më. Shkëmbimin sipas dispozitave të Dekret-Ligjës nr. 265 dhe të Urdhëresës së ditës së sotme të Ministrisë së Financave, bëhet pranë degëve të Bankës së Shtetit Shqiptar, ose pranë zyrave të shkëmbimit të hapura apostafat për një qëllim të tillë në qendra ku nuk ka dega të Bankës.
Për këmbimin e parave duhen edhe triskat e sheqerit
Çdo kryetar familje i pajisur me triskën e sheqerit derdh pranë degës së Bankës ose zyrës së shkëmbimit shumën që posedon dhe kundrejt saj merr shumën korrespondojnë në monedhe të re. Për fshatarët në këto kohë punërash të mëdha bujqësore, pushteti i ynë i ka parashikuar t’u bëjë lehtësi duke disponuar që n’emër të fshatit, t’i këmbejë paratë vetëm një njeri i cili do të ketë së bashku me triskat e sheqerit edhe një listë të gjatë të të gjitha familjeve që do të shkëmbejnë pare. Me zbritjen e monedhës Pushteti ynë ka parashikuar që të zbresë në proporcion të barabartë çmimi i të gjitha sendeve të tregtisë, të gjitha taksat aktuale dhe të prapambetura, borxhet, qiratë, shërbimet publike e private, rrogat e nënpunsavet dhe mëditjet e punëtorëve dhe çdo veprim tjetër financiar. Me këtë masë ruhet i paprekur ekuilibri i tregut t’onë dhe të gjitha marrëdhëniet financiare. Me një fjalë ky operacion nuk sjellë humbje asnjeri veçse dobinë e madhe nga fakti se tani e tutje populli do të ketë në dorë një monedhë të vlefshme të sigurt dhe të garantuar. Punëtori, p.sh. me mëditje që do të marrë sot e tutje, do të mund të përballojë, sot për sot, po aq nevoja sa ç’përballonte më mëditjen e mëparshme para shkëmbimit të monedhës. Kështu me radhë për nëpunësin, fshatarin, tregtarin, zanatçiun e çdo njeri tjetër. Urdhëresa e Ministrisë së Financave dispononin që për çdo familje do të bëhet shkëmbimi i menjëhershëm deri në 5000 franga kartëmonedhë të vjetër; tepricat që kapërcejnë këtë shumë kalojnë në depozitë të frytshme. Për nevojat e bujqësisë dhe të rindërtimit, këto depozita do të fillojnë të kthehen mbas mbarimit të afatit të shkëmbimit. Modalitetet e shkëmbimit do të caktohen me hollësi me urdhënesë të veçantë të Ministrisë së Financave. Kjo tregon se Pushteti ynë po mendon dhe po vepron gjithnjë për të mirën e popullit me këtë masë që synon që rindërtimi i vendit t’onë të vazhdojë të ecë me hapa sa më të shpejta kështu që do t’i sigurohet popullit një jetë sa më e lumtur dhe sa më e begatshme. Kështu do të ketë sa më shumë shkolla, spitale, ura, rrugë, dhe bujqësia do të përmirësohet sa më shumë në dobi të fshatit t’onë.
Kush fsheh paratë, në Gjyqin Ushtarak si sabotator
Kundrejt atyre që do të mundohen të fshehin paret duke ua dhënë të tjerëve për shkëmbim me qëllim që shumat e tepërta të mos shkojnë në dobi të popullit për rindërtimin e vendit si dhe kundra atyre që do të pranojnë të këmbejnë pare të tjetërkujt, Pushteti ynë Popullor do të marrë masa të rrepta duke ia referuar Gjyqit Ushtarak si sabotatorë të Pushtetit. Gjithashtu edhe kundra atyre që do të mundohen të çrregullojnë tregun duke refuzuar të nxjerrin për shitje sendet e tregtisë, Pushteti ynë parashikon, edhe për këta, marrje masash të rrepta duke i cilësuar sabotatorë të Pushtetit. Për një masë kaq të rëndësishme për mëkëmbjen e monedhës s’onë, për forcimin e ekonomisë dhe për rindërtimin e vendit t’onë të gjitha organizatat dhe i gjithë populli duhet të mobilizohet në mënyrë që shkëmbimi të bëhet sa më parë dhe sa më drejtë. Çështja këtu del edhe për fshatarët të cilët duke qenë larg qendrave, duhet të informohen sa më parë për një masë të këtillë. Në mënyrë që këtyre të mos u mbeten pare pa këmbyer deri në afatin e caktuar.
Dekreti i Kuvendit për zbatimin e ligjit të këmbimit të parave
Dekret. Nr. 94. datë 11 korrik 1946. Presidiumi i Kuvendit Popullor. Në mbështetje të art. 54. të Statutit të Republikës Popullore të Shqipërisë; Mbi propozimin e Qeverisë. Dekreton. Vënien në zbatim të Dekret-ligjës Nr. 265 dt, 11 Korrik 1946, mbi shkëmbimin e bankënotave dhe çekëve monedhë të emetuar nga Banka Kombëtare e Shqipërisë dhe syrzharuar nga banka e Shtetit Shqiptar si dhe çekëve monedhë emetuar nga Banka e Shtetit Shqiptar, me titull e përmbajtje si vijon: Dekret-ligjë Nr. 265 datë 11 Korrik 1946 mbi shkëmbimin e bankënotave dhe çekëve monedhë emetuar nga ish Banka Kombëtare e Shqipërisë dhe syrsharzhuar nga Banka e Shtetit Shqiptar si dhe çekëve monedhë emetuar nga Banka e Shtetit Shqiptar.
Neni 1.
Tërhiqen nga qarkullimi; Bankënotat prej franga 20 dhe 100 vënë në qarkullim nga ish Banka Kombëtare e Shqipërisë dhe syrsharzhuar nga Banka e Shtetit Shqiptar. Çekët monedhë prej fr. 20-100-200-500-1000-200 dhe 5000 emetuar nga ish Banka Kombëtare e Shqipërisë dhe syrsharzhuar nga Banka e Shtetit Shqiptar. Çekët monedhë prej fr, 100-200 dhe 500 emetuar nga Banka e Shtetit Shqiptar mbi formular të ish Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe mbi formular të saj.
Neni 2.
Bankënotat dhe monedhat metalike të emetuara nga ish banka Kombëtare e Shqipërisë prej fr. 5-2-1-0,40-0,20-0,10, mbeten përkohësisht në qarkullim në këto vlefta:
- shq. 5 për fr.1
- shq. 2 për fr. 0,40
- shq. 1 për fr. 0,20
- shq. 0,40 për fr. 0,10
- shq. 0,20 për fr. 0,05
- shq. 0,10 për fr, 0,01
Ndërsa monedhat e tjera metalike divizionale humbasin vleftën legale të qarkullimit.
Neni 3.
Banka e Shtetit Shqiptar autorizohet të verë në emisionë zëvendësim të kartëmonedhave që përmenden në nenin 1, bankënota të reja me premie prej fr. 500, 100, 200, dhe 5. Afati dhe dita e fillimit të shkëmbimit për të gjithë Shqipërinë do të caktohet nga Ministria e Financave. Mbas këtij afati kartëmonedhat e përmendura në nenin 1 humbasin vleftën legale të qarkullimit.
Neni 4.
Raporti i shkëmbimit të kartëmonedhave të vjetra me monedhën e re të Bankës së Shtetit Shqiptar caktohet në 5 me 1.
Neni 5.
Për efekt të kësaj Dekret-ligje konsiderohen vetvetiu të zvogëluara qysh nga dita e parë e shkëmbimit në proporcion 5 me 1 të gjitha raportet financiare si: çmimet e mallrave të çdo natyre qofshin (industriale dhe bujqësore), shërbimet publike dhe private, qiranat, rrogat, debitë e kreditë e ndryshme, t’ardhunat financiare dhe shpenzimet të çdo natyre, taksat dhe çfarëdolloj erogacioni.
Neni 6.
Shkëmbimet do të bëhen pranë Degëve të Bankës së Shtetit Shqiptar dhe pranë zyrave të shkëmbimit që kjo ka për të vendosur për këtë qëllim. Ky shkëmbim me përjashtim të rasteve të justifikuara, është i detyrueshëm të bëhet n’ato qendra shkëmbimi që ndodhen më afër vendbanimit të zakonshëm të prurësve dhe do të kryhet me modalitete që do të caktohen me urdhënesë të posaçme nga Ministria e Financave.
Neni 7.
Shkëmbimi i monedhave të vjetra me ato t’emisionit të ri të kryhet menjëherë kur shuma totale e paraqituni për shkëmbim nuk i kalon 5000 fr. (barazi me fr. 1000 vleftë në monedhë të re) për çdo familje. Kur nga një person paraqitet për shkëmbim shuma ma tepër se 5000 fr, teprica ndalohet pranë Bankës së Shtetit Shqiptar kundrejt lëshimit të një dëftese depozite, n’emën të poseduesit. Tepricat që kalojnë në këtë shumë, mbahen në depozitë të frytshme dhe do të përdoren për vepra rindërtimi. Këto depozita do të kthehen brenda një kohe që do të caktohet me urdhëresë të Ministrisë së Financave. Për nevoja të bujqësisë dhe të rindërtimit këto depozita do të fillojnë të kthehen menjëherë mbas mbarimit të afatit të shkëmbimit. Modalitetet e kthimit për çdo rast do të caktohen me hollësi nga Ministria e Financave. Normave të fitimit nuk i nënshtrohen Entet Shtetërore, Ndërmarrjet Shtetërore, Kooperativat, Sindikatat dhe Organizatat politike.
Neni 8.
Depozitat e krijuara pranë Bankës së Shtetit Shqiptar (depozita k/k, depozita kursimi, depozita në llogari të përkohshme, urdhër pagesat e pa kryera, çekët etj) i nënshtrohen kufizimit të nenit 7 të kësaj Dekret-Ligje, për sa i përket tërheqjeve. Kur një person mban çekun pranë një Dege, më shumë se një llogari këto konsiderohen si një depozitë e vetme dhe i interesuari mund të tërheqë mbi to deri në shumën komplesive prej fr, 1000 monedhë e re. Po kështu konsiderohen edhe depozitat e çelura pranë Degëve të ndryshme të Bankës së Shtetit nga një person i vetëm.
Neni 9.
Poseduesit e çekëve bankare në franga të emetuara nga ish Banka Kombëtare e Shqipnis duhet të paraqiten për shkëmbim pranë Degavet të Bankës së Shtetit Shqiptar brenda kohës së shkëmbimit të kartëmonedhës. Në mbarim të këtij afati poseduesit humbasin të drejtën e rimbursimit. Këto i nënshtrohen kufizimit të nenit 7.
Neni 10
Ministria e Financave ngarkohet të caktojë me një urdhëresë të veçantë kurset e reja që do aplikojë Banka e Shtetit Shqiptar në lidhje me arin dhe devizat.
Neni 11.
Kushdo që shkëmben ose tenton të bëjë veprime shkëmbimi për llogari të tjetër kujt, si dhe kushdo që shkëmben ose tenton të shkëmbejë me anë të tjetër kujt, përveç konfiskimit të kartëmonedhës i referohet Gjyqit Ushtarak si sabotator i pushtetit në bazë të ligjës Nr. 21. datë 15.12.1944. Gjithashtu konsiderohen si sabotatorë të pushtetit dhe do të gjykohen prej Gjykatave Ushtarake të gjithë ata që do të shkelin depozitat e kësaj Dekret-ligje si dhe urdhëresat që do të nxjerrë Ministria e Financave në lidhje me zbatimin e këtyre dispozitave.
Neni 12.
Ky Dekret-ligjë, hyn në fuqi menjëherë.
Presidenti
Omer Nishani d.v. Sekretari Sami Bahiolli d.v.
Tiranë më 11 Korrik 1946
Regjimi komunist sekuestroi edhe monedhat e huaja
Krahas sekuestrimit të floririt dhe parave që posedonin tregtarët dhe pasanikët shqiptarë në vitet e para pas mbarimit të Luftës, qeveria komuniste e Enver Hoxhës, “në kuadrin e reformave dhe masave të marra për rritjen e mirëqenies së popullit”, u kujdes që të mblidhte dhe të gjithë valutën e huaj e cila asokohe ndodhej kryesisht në duart e qindra shtetasve të huaj që asokohe kishin mbetur në Shqipëri, si: italianë, gjermanë, grekë, maqedonas, serbë, polakë, austriakë etj (shumica e tyre ishin arrestuar dhe ndodheshin në burgje), si dhe të tregtarëve shqiptarë që ndër vite kishin bërë tregti me shtete të ndryshme të Europës dhe më gjerë, si: Greqia, Italia, Jugosllavia, Gjermania, Franca, Anglia, Turqia, SHBA-ja, Argjentina e deri tek Japonia e largët. Të gjitha monedhat e këtyre shteteve të ndryshme që siç thamë më lart ndodhej në duart e tregtarëve shqiptarë, qeveria komuniste e Enver Hoxhës mundi ta mbledhë me anë të një ligji të veçantë që nxori asokohe. Me anë të atij ligji taksativ (të detyrueshëm), ajo ulte ndjeshëm kursin e monedhës së huaj gjatë shkëmbimit të saj me monedhën vendase shqiptare. Po kështu, dekret-ligji që detyronte shtetasit shqiptarë të shkëmbenin jo më shumë se 5000 franga të vjetra në këmbim të monedhës së re që emetoi asokohe Banka e Shtetit Shqiptar, (paratë e tjera mbi këtë shumë sekuestroheshin menjëherë), ishte i vlefshëm edhe për shtetasit e huaj që asokohe ndodheshin në Shqipëri. Lidhur me këtë, në dekret-ligjin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të datës 11 korrik të vitit 1946 (të firmosur nga kryetari Omer Nishani dhe sekretari Sami Baholli), si dhe në urdhëresën e Ministrisë së Financave që asokohe drejtohej nga ministri Ramadan Çitaku, ishte një nen i veçantë ku thuhej: “Nënshtetasit e huaj privat do të paraqiten me lejen e përkohshme të qëndrimit”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016