Nga DASHNOR KALOÇI
Memorie.al / Emri, figura, personaliteti, karakteri, fama dhe gjithçka tjetër që lidhet me figurën e Dhimitër Shuteriqit, në gjithë kompleksitetin e saj, mendojmë se do të ishte përsëri e paplotë dhe mjaft e cunguar nëse faqet e këtij libri do të mbeteshin vetëm në publikimin e dokumenteve arkivore, të cilat janë shtrirë në një periudhë kohore afro gjashtëdhjetëvjeçare të aktivitetit dhe veprimtarisë së tij, si: nxënës i Liceut të Korçës, student në Francë, pedagog në shkollën “Normale” të Elbasanit, ilegal dhe partizan në periudhën e pushtimit të vendit, drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik, sekretar dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, shkrimtar në profesion të lirë, deputet në Kuvendin Popullor dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kryetar i Komitetit Shqiptar për Mirëkuptimin Ballkanik etj.
Në këtë kontekst, në pjesën e katërt të këtij libri kemi pasqyruar dhe disa nga kujtimet e ish-miqve, kolegëve, shokëve, bashkëkohësve dhe familjarëve të tij. Me bindjen se do të kontribuonim edhe më shumë në pasqyrimin dhe ndriçimin e plotë të figurës së Shuteriqit, e kemi sjellë atë nga kujtimet e tyre, pasi në raportet zyrtare dhe njerëzore që ai ka pasur me ta spikat edhe humanizmi, që duhet thënë se ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e karakterit të tij si prind, bashkëshort, intelektual, krijues, poet, shkrimtar, kryetar i Lidhjes Shkrimtarëve, akademik etj.
Këto kujtime, që i kemi përfshirë në këtë pjesë të librit, shtrihen në një periudhë kohore afro gjashtëdhjetëvjeçare të jetës dhe veprës së Shuteriqit dhe ato datojnë që nga fillimi i viteve ’50, me Mitrush Kutelin, dhe përfundojnë në vitin 2003, kur ai u nda nga kjo jetë. Siç theksuam dhe pak më lart, gjithnjë duke iu referuar këtyre kujtimeve dhe jo vetëm (kemi parasysh këtu dhe dokumentet arkivore), ana njerëzore në raportet e Shuteriqit me miqtë, shokët, kolegët, intelektualët e rinj krijues, shkrimtarë dhe artistë, familjarët e tij etj., ka qenë një pjesë thelbësore e karakterit të tij.
Kështu, duke pasur parasysh se gjatë gjithë jetës së tij, nga periudha e pasluftës e deri në fundin e viteve ’80, kur ishte në profesion të lirë si shkrimtar, ai ka pasur angazhime tepër të mëdha në të gjitha funksionet dhe detyrat që ka ushtruar, gjithsesi, gjente kohë që t’u shkruante letrarëve dhe krijuesve të rij, duke mbajtur një korrespodencë të rregullt me ta dhe duke i inkurajuar në punën e tyre. Shuteriqi gjente kohë të priste si në zyrë, ashtu dhe në shtëpinë e tij, të gjithë ata njerëz që kërkonin ta takonin, të njohur e të panjohur, miq, shokë, kolegë, shkrimtarë dhe artistë, poetë e prozatorë, udhëtarë, hallexhinj etj. Jo vetëm që nuk ia mbylli kurrë derën askujt, përkundrazi, ndiqte dhe interesohej për problemet e tyre, sa me anë të letrave postare, ashtu dhe duke u shkuar vetë, edhe në rrethe të ndryshme të vendit ku ata ishin.
Kështu, ndonëse gjendej në një periudhë jo të favorshme, madje tejet të vështirë në fillimin e viteve ’70, kur udhëheqja e lartë e PPSH-së, me strukturat e saj përkatëse, kishin filluar kritikat, akuzat dhe sulmet ndaj tij “për frymën liberale” që ai kishte lejuar në letërsi, arte dhe kulturë, Shuteriqi ndërmori një udhëtim në disa rrethe në Jug të Shqipërisë, duke ndaluar së pari në Patos, ku ishte dërguar si gjysmë i internuar një kompozitor i njohur (vajtja e Shuteriqit atje e shpëtoi nga arrestimi), dhe më pas në Gjirokastër, duke shkuar në Komitetin e Partisë së rrethit për t’u interesuar për dy shkrimtarët minoritarë që ishin bërë objekt sulmi nga strukturat partiake të atij rrethi.
Pikërisht në këtë periudhë kohe mjaft të vështirë për të, Shuteriqi u kujtua t’i dërgonte një makinë shkrimi një mësuesi të ri fshati në një nga zonat me të thella të rrethit të Kukësit, të cilit sapo i ishin botuar dy-tri poezitë e para në shtypin letrar të kohës dhe, duke e vlerësuar për talentin e të ardhmen e tij si shkrimtar, do ta pranonte menjëherë atë si anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, edhe pse ai nuk kishte botuar ende librin e parë.
Po ashtu, pikërisht në atë periudhë, Shuteriqi do të gjente kohë për të shkruar një artikull në shtypin letrar të kohës, për librin e parë të një djaloshi të ri nga Narta e Vlorës, artikull që do t’i ndryshonte jetën paskëtaj dhe do ta bënte atë një emër jo pak të njohur të letërsisë shqipe si romancier. Në ngjarje të tilla ai shfaqet me dashamirësinë dhe humanizmin që e karakterizonte, duke iu gjendur pranë e duke i përkrahur, inkurajuar dhe ndihmuar të gjithë ata që ia kishin nevojën, të cilët janë me dhjetëra dhe do të duheshin faqe të tëra libri për t’i përmendur.
Këto ngjarje që u cituan më sipër, si dhe të tjera ndodhi që do t’i shikojmë në vijim në këtë pjesë të librit, vijnë duke u rrëfyer në vetë të parë nga personazhe reale (emra të njohur të fushave të ndryshme të artit, kulturës, letërsisë, muzikës, historisë, folklorit dhe politikës, para dhe pas viteve ’90), që kanë ndier mbi supe dorën e ngrohtë të Shuteriqit dhe ndihmën e tij të pakursyer, si p.sh.: Ismail Kadare, Ksenofon Dilo, Maks Velo, Zija Çela, Faslli Haliti, Zhani Ciko, Natasha Lako, Mihallaq Qilleri, prof. dr. Aleksandër Meksi, prof. dr. Luan Malltezi, Lefter Çipa, Ylljet Aliçka dhe dr. Aleksandër Çipa. Gjej rastin t’i falënderoj të gjithë për dashamirësinë dhe gatishmërinë e treguar për të shkruar dhe sjellë kujtimet e tyre ekskluzivisht për këtë libër.
Maks Velo: “Shuteriqi mishëronte humanizmin e dashurinë njerëzore dhe pa atë, Lidhja e Shkrimtarëve do të shndërrohej në një Degë të Punëve të Brendshme, me Agollin dhe Kujtim Buzën në krye”!
Në peizazhin e Tiranës së viteve gjashtëdhjetë, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ishte një farë ishulli misterioz. Dukej se, po të ishe anëtar u saj, ishte një privilegj që të siguronte dinjitet, adhurim dhe lavdi të padiskutueshme. Dukej se ARTI ishte një atribut që ta jepte Lidhja, dhe po të bëheshe anëtar i saj, ishe vetvetiu i karikuar me poezi, piktura dhe këngë. Lum si ti! Klubi i Lidhjes pranë Teatrit Popullor (dhe më vonë në rrugën e Kavajës), ishte tempulli i ëndërruar dhe i paarritshëm i studentëve që vinin nga rrethet dhe njerëzve të thjeshtë. Dhe sidomos ballot që jepeshin me rastin e Vitit të Ri, konkurronin hotelin “Dajti”.
Partia sikur thoshte: “gëzohuni, gëzohuni, se e di unë. Ju kam në dorë, do e shihni ku do të përfundoni….?!” Sigurimi i Shtetit ishte aty. Artistët ishin të përkëdhelurit e Partisë dhe për ta shtrihej përpara një jetë e lumtur. Ishin ata që merrnin të parët shtëpi, aparat televizori, studio, leje krijuese. Kështu, drejt Lidhjes derdheshin tërë artistët gjysmakë të rretheve. Kishte një ajër provincial që ata sillnin me vete me varfërinë e tyre dhe me mungesat e një kulture të plotë. Ishin pastaj këta që u kthyen nga studimet në Bashkimin Sovjetik dhe Demokracitë Popullore. Lidhja ishte si një doganë, ku derdheshin tërë kulturat Lindore. Kulturat perëndimore ishin të përjashtuara. Ata pak që kishin mbijetuar,kishin frikë të ekspozoheshin. Dhimitër Shuteriqi ishte një nga të pakëtit që përfaqësonte Francën, dhe këtë e bënte haptas dhe pa frikë.
Ai mishëronte humanizmin dhe dashurinë njerëzorë. Ai ishte si një shkrimtar francez me llullën në gojë, që nuk e hiqte kurrë dhe beretën ngjyrë marrin, që e vinte në kokë sa herë dilte jashtë. Ai ishte gatuar me kulturën franceze dhe kjo ishte shumë e dukshme. Shikoja që e kish të vështirë të mbante ekuilibrin midis asaj që dëshironte dhe realitetit, që sa vinte dhe po egërsohej. Unë prej tij fillova të pi duhan me llullë. Me llullë dhe jo me çibuk. Se kanë shumë ndryshim. Ai më shpjegoi se, si duhej trajtuar duhani i pazarit që të zbutej, ëmbëlsohej, staxhionohej. “Do marrësh një poçe me baltë’, – më tha,-dhe do e lyesh përbrenda me mjaltë, dhe pasi të futësh duhanin do e mbulosh me një napë. Lidhe dhe lëre të staxhionohet, pastaj përdore.”
Dhe unë e bëra dhe ishte tjetër duhan. Padyshim që ish shkrimtari më enciklopedik që udhëhoqi Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve për 15 vjet. Po t’i shtosh tërë njohurive të tij edhe stilin elbasanas të mirësjelljes dhe butësisë, me të cilën ndërtonte marrëdhëniet, e bëri Dhimitrin, njeriun qendror në atë Lidhje, që pa të do të shndërrohej në një Degë të Punëve të Brendshme me Dritëro Agollin dhe Kujtim Buzën në krye. Të gjithë ata që e kishin udhëhequr Lidhjen, Shefqet Musaraj, Foto Stamo, nuk kishin staturën intelektuale të Shuteriqit. Dhimitri i jepte një dimension evropian vetëm me prezencën e tij, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ai na jepte një siguri të gjithëve neve, që kishim një farë lloj frike të pa identifikueshme. Ai ishte krijues dhe studiues dhe kjo i jepte një superioritet akademik në krahasim me krijuesit e tjerë, që nuk kishin një përgatitje analoge.
Dhimitri ishte dashamirës me të gjithë dhe kjo ndjehej në ajrin që qarkullonte. Largimi i Shuteriqit mbylli një epokë. Pas saj erdhi akullnaja e Plenumit të IV. Më 24 dhe 25 korrik 1973 u mbajt Plenumi i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve. Dhimitër Shuteriqi lirohet nga detyra e kryetarit, emërohet Dritëro Agolli, po ashtu hiqet Vilson Kilica, Ksenofon Dilo, Hamide Stringa. U vunë Xhemal Dini, Kujtim Buza, Anastas Kondo. Fillon periudha më e errët e Lidhjes. Në raportin e tij të parë si kryetar, Dritëroi, artin e quajti ideologji dhe gjeti gabime të rënda në krijimtarinë e artistëve dhe në veprimtarinë drejtuese te Lidhjes. Ndër piktorët përmenden tre: Edison Gjergo, Ali Oseku dhe Maks Velo. Unë përmendem për peizazhin “Selvite” në ekspozitën e Pranverës, si; “shtrembërues dhe nxirës i realitetit”. Është interesant fakti se, ne të tre u arrestuam po sipas këtij rendi. I pari Gjergoja, i dyti Oseku dhe i treti unë.
Me 13 nëntor në aktivin e Partisë së rrethit të Tiranës, Manush Myftiu, sekretari i Parë, mban raportin ku ka 13 rreshta për mua dhe më cilëson se: nxij dhe deformoj realitetin, se jam kundër traditës dhe kombëtares. Aty Mehmet Shehu bërtet me histerizëm, se: “ata që bëjnë në shtëpitë e tyre piktura abstraksioniste, janë hipokritë e frikacakë, kandidatë për rrufjanë politikë, hedhin pa asnjë mëshirë për zëdhënësit e armikut të klasës. Rroftë diktatura e proletariatit”. Organizata e Partisë në Komitetin Ekzekutiv ku punoja, shqyrtoi rastin tim dhe kërkuan sqarim mbi rëndësinë e pjesëmarrjes time në këto gabime. Mendova të shkoj te kryetari i Lidhjes, Dritëro Agolli. Po ngjisja shkallët, dorën e djathtë e lëvizja duke u mbështetur tek parmaku.
E kisha shumë të vështirë të shkoja për ankime, ose kërkesa në zyrat qeveritare dhe zonën më të papërballueshme e kisha tek ngjitja e shkallëve. Me përtim ngrija këmbët për të ngjitur çdo këmbë shkallë dhe stepesha kur takoja dikë që zbriste nga sipër poshtë. Në fytyrën e tij mund të kuptoje menjëherë, a e kishte zgjidhur problemin apo ktheheshe duarbosh! Vazhdova të ngjitem në heshtje, një poshtërim i pashpjegueshëm më pushtoi. Kjo nuk është organizatë artistësh, është repart ushtarak, është Degë e Brendshme. Atë atmosferë të ngrohtë që krijoi Dhimitri, Vilsoni, Ksenofoni, Hamideja, po e zhduknin. Megjithëse Dhimitër Shuteriqi ishte më i moshuar, ai dinte të tregonte dashuri dhe mirëkuptim për artistët, atij i pëlqente shumë edhe piktura, merrej nga pak edhe vetë. Më pat ftuar në shtëpi t’ia shihja vizatimet.
Dritëroi e ngurtësoi menjëherë atmosferën. Më dukej sikur kishte frikë, por nuk e tregonte dhe sillej me artistët si një sekretar partie nga Devolli. Dritëroi më priti në zyrën e tij, mbrapa tavolinës. I shtrova problemin dhe i kërkova të bisedonte me sekretarin e Partisë. “Unë nuk jam piktor profesionist, – i thashë. – Lidhja nuk më ka dhënë asnjëherë, as leje krijuese, as çmime, as tituj. Lidhja nuk më ka dhënë studio. Vërtet merrem me pikturë, por krijimtaria ime nuk është nga ato që ka zënë vend të rëndësishëm nëpër ekspozita kombëtare. Nuk kam mbaruar Institutin e Artit dhe zyrtarisht kam tjetër profesion, kështu që kritika juaj, më duket pak e tepruar. Unë vërtet punoj, por nuk kam si qëllim të krijoj probleme, prandaj do t’ju lutesha të bisedonit me sekretarin e Partisë së Komitetit, përndryshe ata do të marrin masa”.
Më dëgjoi dhe papritur më tha: “Aty sipër te apartamenti im, a mund të hapet muri që të bashkohen të dy dhomat, ta bësh si te Kadareja”? – “Jo, aty poshtë te studioja e Kadaresë, traun e kam bërë që në projekt. Kurse te ju, çdo gjë është ndërtuar, tani është vonë. Ai që do ta merrte Llambi Ziçishti, nuk e kërkoi këtë gjë”. – “Ashtu hëëë, mirë, do të mendohem, do të mundohem të flas…”! Dritëroi nuk bisedoi asnjëherë me sekretarin e Partisë. Ata morën vendim të më largojnë. Mbas një mbledhjeje të gjatë në kolektivin e Byrosë së Projektimit ku punoja, të drejtuar nga Sokrat Mosko, më transferuan në kooperativën bujqësore të Ndroqit. Kështu do të merrte fund edhe puna ime si arkitekt. Nga burgu i Spaçit, ndiqja me vëmendje veprimtarinë e Lidhjes…!
Që nga vitit 1970, filloi një rënie e përgjithshme e ekonomisë që u finalizua me kolapsin në fund të viteve ’80. Shteti komunist dhe veçanërisht diktatori Enver Hoxha, duke e kuptuar këtë aktivizoi fuqimisht artet dhe letërsinë, për të krijuar një iluzion tjetër të realitetit. Filmat, dramat, baleti, piktura, skulptura, romanet, poemat, këngët dhe kantatat krijonin një përfytyrim tjetër. Një prodhim kolosal që shkoi dëm më kot. Në kundërshtim me ekonominë që ishte në një rrugë pa krye, arti dhe letërsia mund të kishin bërë vepra që t’i rezistonin kohës. Veç Kadaresë, që nuk dëgjonte asnjë direktive, veç koshiencës së tij artistike, të tjerët u nënshtruan plotësisht. Për ketë qëllim ishte ai diskutim i ashpër i Dritëro Agollit ndaj “Pallatit të Ëndrrave”, në shkurt 1982. Këtu është ndihma e madhe që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve i dha diktaturës dhe dëmi i madh që Dritëro Agolli i shkaktoi artit shqiptar.
Ai e militarizoi artin shqiptar. Si mbaroi punë me gjyqet, Lidhja ndiqte me kujdes çdo hap të artistëve, çdo vepër, çdo shfaqje. Dritëro Agolli arriti apogjeun e fuqisë komanduese. Dyshja Agolli-Buza, do të mbetet në artin shqiptar, si më e suksesshmja e krimit artistik. Ne historinë e Lidhjes, dallohen veçanërisht dy periudha të nxehta krimi. E para është periudha 1945-1955, kur u pushkatuan dhe u burgosën shkrimtarë, gazetarë, përkthyes dhe artistë antikomunistë. 354 355 Dhimitër S. Shuteriqi, Letërsia dhe regjimi komunist pjesa IV Periudha e dytë është e viteve 1973-1990. Kuptohet, të dyja kanë pasur arsyet e tyre. E para ndërpreu prurjen e letërsisë dhe artit me një mendim evropian, kurse e dyta ishte me shumë artistike sesa politike. Ndikimi perëndimor u ringjall në art dhe kjo nuk duhej lejuar.
Ata që qëndruan më gjatë në udhëheqjen e Lidhjes, kanë qenë Dhimitër Shuteriqi, Foto Stamo, Dritëro Agolli dhe Kujtim Buza, dy shkrimtarë dhe dy piktorë, të katër komunistë. Më jetëgjati ishte Dritëro Agolli. Me të lidhet periudha më represive e Lidhjes. Por Agolli nuk ishte vetëm shkrimtar profesionist, ishte edhe politikan profesionist…! Ka qenë anëtar i Komitetit Qendror, në periudhën kur Partia e Punës bëri ekzekutimet e grupeve të Artit, të Ushtrisë, të Industrisë dhe të Ministrisë së Brendshme. Fjalimet e tij në Komitetin Qendror, kanë qenë të pamëshirshme. Ndërsa krejt e kundërta ishte Dhimitër Shuteriqi. Më ka bërë përshtypje gjithmonë se ai dhe gjithë intelektualët e shquar elbasanas të shkencës, artit, letërsisë, kishin një karakteristikë të përbashkët: mirësjelljen dhe një qasje anësore ndaj pushtetit.
Asnjeri nuk ka qenë arrogant, apo përjashtues. Xhuvani, Popat, Buda, Paparistot, të gjithë dalloheshin si punëtorë të palodhur, properëndimore dhe të heshtur, por që asgjë nuk e bënin për poste dhe lavdi. Asnjë elbasanas nga këto familje, nuk ka qenë anëtar i Byrosë Politike. Kanë qenë bërthama e Akademisë së Shkencave. Kishin një aureolë pune, mençurie, dëshirë për të ndihmuar, që i rrethonte. Shuteriqi dhe Kadareja ndanin një respekt reciprok. Shuteriqi ishte nga të parët që dalloi gjenialitetin e Kadaresë. Dhe Kadareja e kishte si prototipin e intelektualëve që kishin studiuar në Perëndim. Kadareja admironte Francën, nga të gjithë shtetet letrare evropianë, pa e ditur se një ditë do të bëhej edhe ai si një frankofon i vërtetë.
Unë sigurisht e shikoja me admirim Shuteriqin, sepse qëmtoja me kujdes kudo ku kish pak Francë. Kisha lindur atje dhe më dukej sikur kisha një mision të veçantë euro-francez, për të sjellë artin shqiptar. Shuteriqi i dalloi dhe vlerësoi interesat e mija të gjera artistike dhe aftësinë në disa fusha, pikturë, arkitekturë, studime. I pëlqente që unë po krijoja një kolanë me vepra të mjeshtrave popullorë në skulpturat e vogla, dhe më nxiste për këtë. Ishte admiruesi i artit Bizantin dhe bisedonim shpesh sidomos për afresket e kishave të Elbasanit, të cilat i njihte mirë. Më inkurajonte që të vizatoja tipat popullorë dhe arkitekturën e qyteteve. Shuteriqi mbeti për mua një shkrimtar dhe akademik i madh. / Memorie.al
(Marrë nga libri “Dhimitër S. Shuteriqi, rilindasi i fundit dhe regjimi komunist” i autorit Dashnor Kaloçi, Shtëpia Botuese “Media print”, Tiranë, Qershor 2026)












