Nga Raimonda Moisiu-SADE
Pjesa e parë
Memorie.al / Në pranverën e këtij viti, ndodhesha në Tiranë dhe një telefonatë nga mikja ime e ndritur e fisnike, Kozeta Mamaqi, e cila më ftonte në promovimin e një serie veprash, prozë e poezi të autorit dimensional, mikut të saj, Prof. Agim Gjakovës! “Takimi im i parë” me Prof. Agim Gjakovën e ka zanafillën në rininë time të hershme, kjo ndodhi krejt rastësisht, si një “bashkëbisedim intim” me poezinë dhe prozën e tij të shquar. Në atë kohë studioja në Gjuhët e Huaja, -në atë auditor ku vite më parë kishte kryer studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Angleze edhe Profesori i nderuar. Sa herë gjendem në atdhe ftesat për të marrë pjesë në promovime libri, i mirëpres me ndjesinë e një kënaqësie të vecantë të fuqisë së librit, sepse bën jo vetëm bashkë shkrimtarë, poetë dhe dashamirës të artit e letërsisë, porse ndjen atë lidhjen njerëzore dhe empatinë e pastër, për të përjetuar dhe kuptuar botën krijuese të dijes dhe respektit për autorin, mendërisht dhe shpirtërisht, një moment vlerësimi dhe mirënjohje edhe për ata që e duan dhe e shkruajnë letërsinë.
Ftesa për promovimin e veprës së Prof. Agim Gjakovës ishte një mundësi harmonie, besimi dhe e shkëlqyer për të kaluar disa orë të këndshme, produktive e plot kulturë. Aty gjendeshin, bashkëbiseduan dhe vlerësuan letërsinë e Prof. Gjakovës plot shkrimtarë, poetë, publicistë të njohur, miq e kolegë të kahershëm e të rinj të tij. Secili prej tyre shprehte fjalën e tij/saj, për këtë njeri fisnik, modest e fjalë-ndritur, për letërsinë e tij të pasur, jo vetëm në sasi – mbi dhjetëra e dhjetëra libra të botuar – por edhe të realizuar denjësisht, cilësisht e krejtësisht të veçantë. Madje për Profesor Gjakovën u theksua se; “letërsia e tij, meriton shumë më tepër vlerësim dhe vëmendje!”
Prof. Agim Gjakova është një nga figurat më interesante dhe jetëgjatë të letërsisë shqipe, ka një histori njerëzore dhe krijimtari të jashtëzakonshme. Të shkruash dhe të sjellësh në vëmendjen e audiencës së lexuesve dhe kombit shqiptar, biografinë krijuese dhe bukurinë e gjuhës shqipe të pasur të prozatorit, dramaturgut, skenaristit, publicistit, dhe poetit Agim Gjakova, do të thotë të hysh në një botë ku arti i fjalës gërshetohet me thellësinë e dijes universale, që reflekton shpirtin e pathyeshëm rebel, prek zemrat dhe lartëson ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Udhëtimi krijues i shkrimtarit të shquar Prof. Agim Gjakova nis aty ku fillon kureshtja jonë për letërsinë, që në bangat e shkollës, ai nuk u mbyll kurrë brenda një kornize të vetme, porse sfidoi veten dhe fjalën shqipe në çdo zhanër: Vjershëtor dhe tregimtar, që preku shpirtin e lexuesit të ri dhe të rritur, novelist dhe romancier, ku ndërtoi struktura të ndërlikuara dhe personazhe të gjallë, eseist dhe studiues, që analizoi me mprehtësi shoqërinë dhe letërsinë, folklorist i talentuar, ku mblodhi dhe ruajti thesaret e shpirtit popullor.
Prof. Agim Gjakova deri më tani ka botuar mbi 30-ë libra, duke përfshirë dhjetëra romane, romani i tij i fundit “I pabinduri”, dhe “E dashura e katër djemve”, e dhjetra e dhjetra përmbledhje me poezi, prozë, publicistikë, dhe veçmas në letërsinë dokumentare. Ajo që e bën të veçantë profilin e tij është guximi intelektual, dhe mjeshtri i rrëfimit të një shpirti rebel të paepur, në çdo rresht të shkruar, ai ecën në fillin e hollë midis të mundshmes dhe të pamundshmes; si një mjeshtër i vërtetë i rrëfimit, ai arriti të kthejë vështirësitë e kohës në art të qëndrueshëm.
Prof. Agim Gjakova është një erudit, prozator profilik, dhe poet modernist, që nuk mjaftohet veçse me frymëzimin e çastit dhe ndjenjat personale, ai ndërton urat mes epokave, lidh të shkuarën klasike me shqetësimet moderne të kohës që ai jeton, ndërton urat e komunikimit përherë “Në kërkim të së vërtetës”, mes poezisë, prozës, publicistikës, filozofisë, historisë, mitet e lashta dhe heronjtë. Ritmika dhe ngrohtësia e stilit të tij krijues, reflektojnë shpirtin e pathyeshëm dhe lidhjen e veçantë me Atdheun dhe Historinë, kompromisi që ai ka bërë me admiruesit e shumtë të veprës së tij.
Në letrat shqipe, kombëtare, ballkanike dhe ato ndërkombëtare, figura të tilla emblematike si Prof. Agim Gjakova, përfaqësojnë panteonin e mendimit human, qytetari, dije dhe mençuri, që shpalosin një erudicion të jashtëzakonshëm. Sinteza e lirizmit poetik dhe letërsisë dokumentare në veprat e Prof. Agim Gjakovës përfaqësojnë modelin unik në letërsinë bashkëkohore shqipe, që harmonizojë dy pole shpesh të largëta: lirizmin e thellë dhe saktësinë dokumentare. Gjakova nuk mjaftohet me pasqyrimin e ftohtë të fakteve, ai i vesh ato me një ndjeshmëri të lartë njerëzore, që ngjarjet reale të mos mbeten thjesht kronika, por të kthehen në përjetime shpirtërore për lexuesin.
Si një shkrimtar që dëshmoi dhe krijoi nëpër faza vendimtare historike, Gjakova shërben si urë lidhëse mes tri epokave: Historisë modern, ku vendoset baza e stilit të tij- realizmit socialist, prej nga trashëgon vëmendjen ndaj kontekstit social dhe letërsisë postkomuniste, ku fiton lirinë e plotë të shprehjes dhe analizës objektive. Kulmi i tij publicistik dhe artistik identifikohet në fushën e letërsisë dokumentare, një “gërshetim hibrid” mes letërsisë artistike -fantazisë dhe ndjenjës- dhe asaj dokumentare -faktit dhe dëshmisë -mbrohet nga një aureolë e fortë integriteti profesional. Prof. Agim Gjakova na dëshmon se e vërteta historike dhe bukuria estetike mund të bashkëjetojnë pa e cenuar njëra-tjetrën.
-Metafora e shpirtit të lirë dhe rebel, që nuk u përkul kurrë në “Vargje gjakoviane”
Të jesh poet apo vetë termi poezi në kuptimin thelbësor të fjalës, nënkupton atë që ta shohësh botën me ndjeshmërinë e bukurisë të një shpirti artistik, ku çdo përjetim apo emocion njerëzor buron nga ndjeshmëria impulsive e shpirtit të lirë, talentit dhe pjekurisë artistike, e cila ekziston brenda gjithçkaje njerëzore dhe në akord me lirinë e të shprehurit shndërrohet në një poezi gjallëruese që shkon përtej vargjeve të shkruara. Mes dhjetëra vëllimeve me poezi unë zgjodha të analizoj atë – i titulluar “Poezia 19”, të prozatorit, dramaturgut, skenaristit, publicistit, dhe poetit të shquar të kombit, Prof. Agim Gjakova,
Struktura e këtij vëllimit poetik është ndërtuar në cikle të ndjeshme përmes emërtimeve metaforike dhe numerike, që mbartin një peshë të madhështisë simbolike dhe filozofike. Cikle poetike që përfaqësojnë një nga shtyllat më intime dhe më dramatike të lirikës së poetit, ato mbartin një peshë të rëndë biografike, duke pasur parasysh se poeti jetoi nën dy diktatura dhe u dëbua nga Kosova në Shqipëri, ku u përball me izolim dhe përndjekje. Vëllimi përmban poezi lirike, me ton qytetar, intelektual, patriotik, kujtime, mall, dhimbje, dashuri, të cilat shprehin ngazëllimin dhe entuziazmin e një komuniteti të brishtë, në rastin tonë si te vëllimi poetik “Poezia 19”, një fitore e arritur në liri, progresin social, romantizmin, frymëzimin e frymëzuese, deklamimin e bukurisë shpirtërore e trupore në vjershërimin klasik.
Çdo cikël poetik përfaqëson një temë të vetme në lidhje me Prof. Agim Gjakovën si individ dhe si poet i një shpirti të trazuar dhe kryengritës, i cili ka sfiduar regjimet dhe ka vuajtur përndjekjet, kjo eksperiencë jetësore reflektohet thellësisht në strukturimin e poezisë së tij. Eksperiencat jetësore dhe përkushtimi krijues, si çiltërsia e ndjenjave, humbja, dhimbja, vetmia, dashuria, shpresa, intimiteti, ngazëllimi apo entuziazmi- këto sentimente të jetës, -poeti e ndjen të nevojshme t’u japë zë duke i hedhur në vargje e poezi. Poezia e Prof. Agim Gjakova është rrëfyese, -jo abstrakte-ajo del nga realiteti aktual i botës që jetojmë dhe thjeshtësia e jetës së përditshme. Gjenialiteti i ambicies së tij si poet balancohet nga një ndjenjë e ftohtë absurditeti, me shkëndija talljeje të butë me veten, nga muzat, meditimet dhe spekulimet rreth jetës, gjërat e përjetshme të ekzistencës humane, – jetës e vdekjes.
Veprat poetike të tij janë madhështore, pa hezitim po përdor termin “Vargje gjakoviane”, ku përfshihen poezi lirike, erotike, poezia e dashurisë për atdheun, Shqipërinë e Kosovën, për vendlindjen dhe poezi me tematikë sociale, historike dhe refleksive që amplifikojnë stilin ekspresiv të dhimbjes së bukur – dashurisë! Poeti Gjakova blasfemon në emër të instinktit njerëzor, me konceptimin mistik të lexuesit për botë-ndijimin, botë-perceptimin dhe arritjen e një poeti të shquar, duke e vendosur madhështinë e epikës reale, përmes integritetit të gjuhës së pastër, strukturës fizike dhe kulturës thellësisht poetike që dëshmohen prej secilit cikël në kontekstin e poezive.
Libri nis me poezinë lirike e titulluar “Gruas sime”, autori përshkruan karakterin e zgjuar, dhe të ngrohtë – por edhe të sertë, të një gruaje të bukur fizikisht, unike, vitale dhe shpirtbukur, -një grua e mrekullueshme për ta pasur pranë edhe në kohë të vështira; “shigjetim i agut nëpër këto vite të gjatë/ ndërsa qielli im ishte fytyra jote nëpër hekura/ hapësira më mbeteshin buzëqeshjet e tua të rreshkura”. Forca frymëzuese dhe shpërthyese e Gjakovës është e ndërthurur me kujtimet personale, dhe përfaqëson një nga simbolikat më intime dhe dramatike të lirikës së tij, për të shprehur atë universalen, ekzistencën e burrit dhe gruas–dashurinë dhe frymëzimin!
Në këtë cikël, figura e gruas ngrihet përtej një subjekti të thjeshtë lirik dhe romantik, ajo shndërrohet në një simbol të mbijetesës dhe besnikërisë. Gjakova shpërfaq një ton intim, të drejtpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të sinqertë, -të zhveshur nga patetizmi. Prof. Gjakova e di fare mirë se njerëzit fillojnë të mplaken kur heqin dorë nga dashuria, andaj ai i lutet bashkëshortes: “Buzëqesh edhe njëherë për mua”- me një gjuhë e ndjenjë të ngrohtë por të përzishme, ku dashuria shërben si e vetmja strehë përkundrejt egërsisë së botës së jashtme; sepse “drita mbi fytyrë tremb terrin e egër në një skutë/ dhe vështrimin e luanit dalëngadalë me zbutë”, – për të shprehur atë universalen, ekzistencën e burrit –dashurinë, vazhdimësinë e jetës.
Kjo është edhe arsyeja pse Prof. Gjakova zhvendoset nga vargu në varg në çdo moment të ditës, sepse poeti dhe gruaja, dashuria e jetës së tij, aty gjejnë vetveten; “buzëqesh edhe njëherë për mua, /si një karvan thneglash mendimet ma pickojnë trurin, / helmin ma thith si shpendi kokërr për kokërr gruri.” Këto vargje të mirë-vendosura në strofë, i japin rrjedhë procesit të transformimit të dukshëm; mendimi e ndjek këtë proces-në fakt e nxjerr dhe e prezanton atë, – si një kompleks mamorfozash të imazhit që është treguar. Kursi logjik i këtij transformimi që ndihet shpesh si një ndjenjë faji të pafajshëm i poetit, i cili, për shkak të idealeve dhe fateve të tij politike, e ka ekspozuar edhe qënien e saj më të shtrenjtë ndaj stuhive të jetës, në përpjesëtim të vetë ndryshimit.
Në poezinë “Gruas sime”, “buzëqeshja” shpreh optimizmin dhe forcën për t’i mbijetuar errësirës së jetës, është një metaforë e fuqishme që përcjell mesazhe shprese, intimiteti, dhimbje dhe trishtimi të përmbajtur dashurie.“Buzëqeshja” nuk është thjesht një shprehje fizike, por një dritare shpirtërore që zbulon kontrastin mes botës së brendshme të poetit dhe realitetit. Për të sfiduar padrejtësitë, dhe fatin e tyre, Gjakova fsheh një plagë e dhimbje të madhe shpirtërore me një qetësi therëse, ironie e revolte, ai shpreh ngrohtësi, afrimitet dhe magjinë e çasteve romantike; “buzëqesh edhe njëherë për mua, /le të më lëvizin ngjyrat përtej kohës më thellë, /ah çfarë ndjesish, vrullesh, shpërthimesh të valëta ndjell!”
Poezia “ Gruas sime” kontraston “për një buzëqeshje gjithkujt ja kam zili”, / -teksa gjen ngushëllim me bukurinë dhe ndjenjë për-hershmërie në “buzëqeshjen dhe sytë e gruas së tij”, vend ku “veçse ai mund të hyjë”, ngaqë “ka vite zemra e ka harruar atë stoli!” Prof. Gjakova na sugjeron se kujtimet, vizionet dhe ëndërrimet, ofrojnë strehë nga kalimi i kohës dhe përkohshmëria e jetës, porse ato nuk do të vdesin kurrë! Secili cikël poetik si bosht strukturor ka simbolikën e numëurit “Shtatë”, përdorimi i përsëritur i këtij numri nuk është i rastësishëm. Në letërsi dhe mitologji, ky numër përfaqëson plotësinë, ciklin e mbyllur kozmik (shtatë ditët e krijimit) dhe transformimin e plotë, ndërsa Poeti Gjakova, përmes këtij numri, ndërton një univers poetik të mbyllur dhe të vetë-mjaftueshëm.
Në mënyrë të ngjashme, stili i shkrimit të Gjakovës është një strukturë pothuajse ritualistike, i thjeshtë, i shkruar në vetën e parë dhe pothuajse bisedor e lidhur me numrin “shtatë”-mitologjik dhe biblik që e çon lexuesin në zbulimin e jetës së tij, përpjekjet me makthin e historisë e atdheut, që përfaqëson kulmin e tronditjes ekzistenciale dhe kombëtare të autorit. Përmes cikleve; “Shtatë Ditë”/ “Shtatë Net”/- numëri “shtatë” është ura lidhëse midis reales dhe mitikes, që Poeti Gjakova luan me dualitetin Ditë/ Natë/, kalimin nga errësira e natës, ku dhimbja dhe makthet gdhihen te zgjimi i ditës, dhe shpirti dërgohet sërish në frontin e përballjes me realitetin e vështirë.
Në poezinë e titulluar “Nata e shtatë – (“Ëndërrimi i Shtatë”) –Nata dhe Ëndrra, janë hapësira ku poeti gjen lirinë absolute për të dëgjuar “të gjithë zërat” e shtypur nga realiteti. Andaj poeti përdor elemente të natyrës si “lumi” për të përshkruar zërat e brendshëm të njeriut; gurgullon, këndon, mallkon, grindet; “Disa thonë se lumi gjëmon, /se gurgullon, /se cicërinë, /se këndon/ se tallet, / se zemërohet/ se flet përçart, / se mallkon/ se grindet, /se përkëdhel, / bie në gjumë, / ku ta gjej atë lumë, /t’ia dëgjoj të gjitha zërat.”
Cikli “natë-ditë” na tregon se krijimtaria e Prof. Gjakovës refuzon të mbetet statike; ajo është në lëvizje të përhershme, ashtu si vetë natyra. “Nata” lidhet me ëndërrimin, meditimin, kujtimet e hidhura të së shkuarës dhe zërat e brendshëm, ndërsa “Dita” sjell zgjimin, përballjen me realitetin e vrazhdë dhe dërgimin e shpirtit e të zjarrmisë drejt qiellit e botës së prekshme, një përballje ekzistenciale me të vërtetën.
Ciklet poetike: “Shtatë Lule” / “Shtatë Puthje” paraqesin esencën e shpirtit të lirë dhe botës shpirtërore më lirike, më intime dhe më filozofike të Gjakovës. Ato shpërfaqen si një dialog me veteveten që merr formën e monologut intim – gërshetimin e ndjenjës së thellë mes dashurisë njerëzore; “puthjet” dhe bukurisë shpirtërore të natyrës; “lulet” që paraqesin sinqeritetin emocional dhe një raport mbi strukturën e ciklit mitik dhe ritual, të numurit “shtatë”. Metafora të fuqishme që simbolizojnë bukurinë, rritjen shpresën, lidhjen njerëzore dhe rilindjen e natyrës së ndjenjave. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













