Nga Lefter Çipa
Pjesa e dytë
Memorie.al / Profesor Dhimitër Shuteriqin e kisha njohur pa u takuar për së afërmi, nëpërmjet shkrimeve dhe studimeve të tij. Punime që i kryente dhe botonte herë pas here nëpër botime dhe organe, sidomos tek gazeta javore “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Më tërhiqnin artikujt e botuar për folklorin shqiptar në veçanti, folklorin e Jugut, të Toskërisë dhe të Labërisë së madhe, ku mençuria dhe dituria e tij më dritësonte shpirtin tim të etur dhe të pasionuar për folklorin e vendeve të mia, sidomos për këngën dhe vallen labo himariote. Eshtë vështirë që të gjykohet dikush i panjohur dhe i pa takuar ndonjëherë, madje pa pasur rastin për t’i shtrënguar dorën e përshëndetjes. Mirëpo në shpirtin tim, Dhimitër Shuteriqi kishte bërë folenë e admirimit. Me të vërtetësisht ëndërroja të takohesha dhe të miqësohesha…!
U përqendrova me një heshtje të vetëdijshme ndaj fjalëve të këtij personaliteti të letrave tona. Kultura e tij e kompletuar, pasuria enciklopediste e dijes, e shquanin atë ndër të tjerë edhe prej vetë plastikën e fytyrës. Me dijen e vet enciklopediste jo vetëm mençuronte, por dijesonte edhe bashkëbiseduesit e vet.
Pasi i argumentova se teksti i këngës sonë ishte burimor nga Piluri, me autor të identifikuar piluriot, u bind dhe u ngrit në këmbë duke marrë edhe pëlqimin e Driteroit dhe të Petro Markos dhe më përqafoi me një duf, duke m’u drejtuar dhe treguar tek të tjerët: “Djalë, bravo të qoftë për këtë talent dhe dritësim prej një poeti kënge!”.
Sa mbaroi fjalën Shuteriqi, Driteroi s’ia përtoi të më thoshte: “Bre Lefter, po na habite me këto saktësira sa historike dhe folklorike, me vlera si për profesor Shuteriqin, që e kemi dekan të letërsisë kombëtare, por edhe për ne të tjerët që nuk kemi mundur t’i dimë. Apo jo bre Petro?! A je dakord me mua për këto që na tregoi dhe na vërtetoi sonte Lefteri?! Po dua të më sqarojë edhe një herë për autorin e vjershërimit të këngës për Abdyl Frashërin?”
Ndoqën me vëmendje maksimale rrëfimin tim për djaloshin piluriot, i cili kishte përcjellë disa ngjarje historike. Që nga Lidhja e Prizrenit, tek Lufta e Lëkurësit, Traktati i Korfuzit e në vijim, turbullirat e tjera politike në Ballkan. Kishte qenë kurbetlli prej 15 vjetësh në Francë. Ishte i vitlindjes 1854, i pamartuar, këngëtar i incizimeve të para në Çikago të Amerikës.
Vjershërues i disa këngëve të betejës së Lëkurësit, përkrahës i flaktë i Pavarësisë dhe i të madhit Ismail Qemali, deri në vitin 1918, kur vdiq në Lion të Francës, i pamartuar bashkë me vëllain e tij. Vjershëruesi piluriot quhej Kostandin Gjikëdhima dhe i vëllai Stefan Gjikëdhima. Ka lënë një numër të madh këngësh dhe bejtesh shumë inteligjente dhe me figura e stil vjershërues befasues. Profesor Shuteriqi e quajti një artist me ndjenjë të fortë shqiptarizmi. Kjo ishte njohja e parë me Profesor Shuteriqin.
Ëndrra e miqësimit tim me të m’u plotësua në vazhdim. Interesat e tij për visaret kombëtare të folklorit, ndjenja e tij patriotike të jepte përherë shijen e rilindësit. Ai ishte i të gjithëve dhe u përkiste të gjithëve. Mbartte përherë kureshtjen e shkencëtarit të fjalës dhe të kulturës. Ishte dijetar me dituri shndrritëse. Në vitet 1971-’76, ishte një kohë kur me Shuteriqin dhe Agollin pata mundësi të flisja shpesh dhe të përfitoja shumë.
Të dy këto personalitete më dhanë vlerën e dukshme të artistit në hapësirën kombëtare. Ata ishin të paarritshëm në shpirt-mirësinë e tyre ndaj meje. Shuteriqi herë pas here më pyeste për krijuesit e Bregut, për gjurmët e tyre patriotike, për këngët e vallet, për veshjet e burrave dhe grave, për vdekjet, dasmat. Bregun e donte dhe e vlerësonte sidomos për historinë e vet, për qëndrimet olimpike që kishte mbajtur dhe i kishte rezistuar me një trimëri të veçantë sidomos Perandorisë Osmane.
Në vitin 1973, kur Grupi i Pilurit në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës u laurua si fitues pata një tjetër kohë dhe histori njohjeje dhe miqësimi. Madje Grupi në lëmin e këngës kombëtare u prezantua dhe u vlerësua për prurje artistike befasuese me këngën time të famshme “Tundu Bejkë e bardhë tundu”. Profesor Shuteriqi ishte i interesuar të bënte një takim me mua si autor i këngës, por edhe si udhëheqës artistik.
Varianti i të kënduarit që kisha zbuluar, muzikaliteti, varianti stilistik dhe sidomos pjekuria e tekstit poetik, tema liriko-erotike si dhe inkuadrimi i instrumenteve, për herë të parë në polifoninë shqiptare, kishin zgjuar interesimin e studiuesit shkencëtar. Kjo kërkesë dhe dashamirësia e Profesor Shuteriqit u realizua në koncertin e “Dekadave të Majit” 1974, pasi Grupi i Pilurit ishte i ftuar nga Teatri i Operës dhe Baletit, për të përshëndetur zyrtarisht mbylljen e Koncerteve të Majit.
Kisha shkruar dhe përgatitur këngën “Në të marrsha moj manushaqe”. Interpretimi u realizua në mënyrë të kënaqshme. Pas mbylljes së koncertit në sallonin e Operës na prisnin me një buzëqeshje profesor Shuteriqi, Dritëroi dhe zëvendësministri i Kulturës, shkrimtari bregas Anastas Kondo. Ndërmjet tyre dhe miku im i përzemërt prej vitesh, kryeredaktori i gazetës “Drita”, Zija Çela. Të gjithë së bashku. Anastas Kondo foli me zërin e tij bariton: “Kush e mori vendin e parë Lefter”? Ndihej dashuria dhe ngrohtësia bregase.
Shuteriqi dhe Dritëroi me zë të përbashkët iu përgjigjën: “Piluri”! Një e qeshur fosforike shpërtheu. Ndërkohë, artistët e tjerë që dilnin nga salla dhe skena e koncertit na përgëzonin. U përqafuam dhe po përshëndeteshim. Profesor Shuteriqi në një çast me një flakërim të kristaltë më thotë: “Besoj se të krijohet mundësia të takohemi dhe të bashkëbisedojmë nesër në Lidhje, në orën kur keni dhe mundësi ju”.
Dritëroi e dëgjoi dhe ndërhyri: “Bre Lefter, hajde se do na vejë mbarë takimi me profesor Shuteriqin, sepse na vlen një takim i tillë me Grupin e Pilurit, se ka interes për visaret e popullit. Se juve jeni shfaqur në kohën e duhur të këtij problem”. Dritëroi ndërkohë shtoi; mendoj aty nga ora 4, mbas dite ju presim në Lidhje. Kështu u bë. Të nesërmen, në pasditen e bukur të majit të luleve dhe të gjakut të dëshmorëve, shkonte bukur një pasdite folklorike në Lidhje.
Ndërsa po shkonim drejt godinës së Lidhjes, në kryqëzim, tek godina kishte dalë vetë Shuteriqi, të cilit i shquheshin flokët. Në sallën e Lidhjes shquhej busti i Naim Frashërit. Kënga fosforike e Pilurit i drejtohej atij “Tre vëllezër burra kombi”. Në një çast Dritëroi duke i hedhur krahun Shuteriqit i tha: “Ja bre, ky është Naim Frashëri, i madhi i shpirtit tonë. Ndaj diti të ligjëronte bukur shumë”.
Biseda në atë takim nisi me një entuziazëm të lirë. Fjalën e mori profesor Shuteriqi me atë elegancën e njohur të tij. “Lefter, – më thotë, – dua të më sqarosh saktë dhe pastër, kush e ka krijuar ‘Vajzën e valëve’ dhe në ç’vite është krijuar kjo legjendë e arritur. Eshtë vepër e një poeti të përsosur dhe e realizuar në karakterin e të kënduarit. Fabula e saj është e jetueshme apo e krijuar nga autori?
Kjo është këngë me një vlerë universale, jo vetëm për visarin shqiptar, por dhe në visaret europiane. Është fantastike”. Duke marrë frymë, profesor Shuteriqi vazhdoi: “I dashur Lefter, do të dëshiroj të t’i shpreh njëherësh dhe mbasandaj të drejtën e shpjegimeve burimore. Shpresoj se do të jenë të kënaqshme dhe të mjaftueshme nga dija dhe njohuritë e tua të sakta”.
Dhe vazhdoi: “Dua të di kush e krijoi himnin e Himarës, në ç’kohë? Dhe kush është autori i këtij krijimi popullor, autokton, krahinor dhe me tepër vërtetësi historike? Kjo na jep dritë nga Himara e madhe, nga Himara e principatave. Kurse pyetja e tretë është kjo që të përket ty, drejt për drejt; ‘Tundu Bejkë e Bardhë tundu’! Një simfoni lirike. Para se të m’i zbërthesh, kam dëshirë me të gjithë pjesëtarët e këtij auditori, t’i dëgjojmë të kënduara.
I duam nga ky grup i mrekullueshëm, me këta zëra të rrallë dhe të harmonizuar në mënyrë perfekte në një cilësi të lartë artistike”. Ndërsa këngëtarja Katina Mërkuri nisi këngën, Shuteriqi dhe Dritëroi shkëmbenin shikimet e tyre. Pasi grupi interpretoi të tri këngët që preferonte Profesor Shuteriqi, një duartrokitje finalizoi atmosferën në Lidhje.
Profesori pas duartrokitjeve priti shpjegimet e mia për të tri pyetjet që kishin të bënin me tri këngë të famshme: “Vajzë e valëve”, “Kush është lule vilajeti” dhe “Bejkë e Bardhë”. Profesori më ndiqte me vëmendje dhe interesim të veçantë. Në kujtesën time personale, ditari i miqësimit me Profesor Shuteriqin është shumë i çmuar, pasi lidhet me një personalitet shumë të përkushtuar ndaj letërsisë popullore, polifonisë shqiptare dhe sidomos asaj të Bregut dhe ndaj krijimeve të mia.
Në vijim të krijimtarisë sime, Profesor Shuteriqi më ndiqte me një kujdes dashamirës. Vit për vit ai krijonte mundësi të takoheshim dhe të bashkëbisedonim. Në vitin 1974, ndërsa unë dhe Grupi im i Pilurit ndodheshim në Tiranë me këngën, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, profesor Shuteriqi ishte i pari që në analizat zyrtare printe vlerësimet e hapura e publike për Grupin dhe krijimtarinë tonë.
Ai u bë inkurajuesi i veçantë, së bashku me Dritëroin, që unë të plotësoja guximin tim, nga një krijues provincial e, të mos reshtja në kurajon për t’u bërë një artist me reputacion kombëtar. Zëri dhe vepra emancipuese e tij, pati ndikim të madh në atdheun tonë për disa dekada. Profesor Shuteriqi nuk gabonte të ngatërronte kërpin me mjaltin. Shprehja e tij e preferuar ishte: “Po s’deshe gurin e babës, e ke harruar zjarrin e Mëmës”.
Këtë filozofi të tijën e diktova dhe e vërtetova në vazhdim të viteve të krijimtarisë sime. Reflektimi i tij tek të tjerët ishte depërtues dhe tepër i fuqishëm. Nuk mund të mos i përmend rastet e tjera të dashamirësisë së tij ndaj personit tim, tek krijimet e mia në vitet 1975 deri në ’90. Shpesh Profesor Shuteriqi në analizat vjetore të Lidhjes së Shkrimtarëve, deklaronte se krijimet e mia dhe prurjet e Grupit të Pilurit, janë visare të çmuara në kulturën kombëtare.
Profesor Shuteriqi mbetet një personalitet i shquar i letrave shqipe, i ditshëm në historinë e letërsisë dhe atë të studimeve filologjike. Ai është një lis i gjethuar dhe me kurorë. Falenderoj autorin e librit, z. Kaloçi, për mundësinë që më dha të shpreh të vërtetat e shpirtit tim në këtë moshë të tetëdhjetave, për një mik të ditur që na dituronte dhe na la dije edhe për kohë të ardhme. / Memorie.al
Ky shkrim është marrë nga libri “Dhimitër S. Shuteriqi, rilindasi i fundit dhe regjimi komunist” i autorit Dashnor Kaloçi, Shtëpia Botuese ‘Mediaprint’, Tiranë, qershor 2026















