Nga VEPROR HASANI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Mëngjesin e 5 dhjetorit 1912, sipas kalendarit allafrënga, ose më 18 dhjetor, sipas kalendarit allaturka, u përhap një lajm i frikshëm: ushtritë greke kishin hyrë në Devoll dhe po vinin drejt Korçës. Ata digjnin, vrisnin dhe shkatërronin gjithçka që gjenin përpara. Divizionet greke udhëhiqeshin nga një kolonel i quajtur Dhamiano. Myslimanët e fshatrave të Devollit u përfshinë nga paniku. Gjithë tmerri do të binte mbi ta. Vendosën t’i linin shtëpitë e tyre e të niseshin drejt Korçës, mbase atje do të ishin më të mbrojtur. Asgjë nuk ishte e sigurtë, por zgjidhje tjetër nuk kishin. Prisnin të binte errësira. Rrëfimet e asaj nate, duke u gdhirë 6/19 dhjetori, janë nga më rrëqethëset. Ata që morën udhët ishin të shumtë. Nuk mundën të merrnin asgjë me vete.
Përse po sillej kështu Konduli? Ja cili është shpjegimi i gazetës “Koha”: “Korça, si dikur që e dini, gjendet akoma nën qeverimin ushtarak grek, Siç bëri Vardha me andartët, (katilët e tij), të njëmijë e njëqindat, dhe si e zhveshi dhe e prishi megjithsej Korçën dhe rrethinat e saj, duhej t’u vihej një melhem, një si perde, për t’i mbuluar. Ndaj për këtë gjë Greqia përdori diplomatin e saj dhe dërgoi përsëri Kondulë me ushtrinë e saj për të mbajtur sigurimin (rendin) dhe qetësinë e Korçës me gjithë rrethina”. (Gazeta “Koha”, 1 prill 1914) Qeveria greke nisi t’u jepte rroga edhe hoxhallarëve që ata të flisnin mirë për Greqinë. (I morën rrogat se ndryshe merrnin plumbin!)
Princ Jorgo ishte larguar, por kishte lënë pas idetë e tij. Kolonel Kondulis e dhespot Gjermanos, vendosën për krijimin e të ashtuquajturave “batalione të shenjta” (“Ierus loqus”). Për organizimin e tyre u ngarkua oficeri grek, Mavraza. U mblodhën rreth 1000 ortodoksë. Vetëm 30 prej tyre u regjistruan me dëshirë, të tjerët u vetë-ofruan për shkak të frikës. Ata që nuk pranonin rriheshin në sy të njerëzve, kudo që i kapnin: në rrugë, në kafene, në dyqan, në shtëpi apo në punë. Meshkujt nga mosha 20 vjeç, deri në 55-60 vjeç, ishin të detyruar t’i përgjigjeshin thirrjes.
Gjithashtu 2-3 herë në javë duhej të mbyllnin magazinat, të linin çdo punë që kishin për të bërë e të merrnin pushkët në sup për t’u stërvitur nëpër brigje e përrenj, ara e lumenj, që të mos lejonin rënien e Korçës në duart e shqiptarëve. Vendimet e Londrës do t’i kthenin në favor të Greqisë. Kjo ishte bindja e tyre. Vazhdonin të bënin mbledhje, të dilnin në mitingje, t’u shkruanin telegrame komisioneve të krijuara prej tyre në Athinë e në Londër.
Anëtarë të komisionit në Athinë ishin: dhespot Gjermanos, doktor K. Noçka, Mihal Lako, Jani Dardha dhe Efrim Gjini, kurse në Londër: Josif Adhamidhi me Jani Dardhën. Në paradat ushtarake në Varosh e në qytet të Korçës, (deri në këtë kohë Varoshi nuk identifikohej me qytetin e Korçës), nxirrnin edhe pleqtë. Nuk lanë pa vënë në rresht as gratë; Minën e Dujës e Pancicën e Pando Katilit dhe ndo njëzet gra të tjera që kullosnin dhentë dhe lanin këmishët e botës. Që të gjitha çirreshin e përpiqeshin të thërrisnin sa më fort: “Enosis, i thanatu, aman de”, “Bashkim me Greqinë ose vdekje”.
Qëllimi i grekëve ishte të përhapnin panik te myslimanët. Nëse do të guxonin të dilnin në mbrojtje të Korçës, atëherë gjithë ushtria greke, andartë e “batalione të shenjta”, burra dhe gra, me Minën e Dujës e me Pancicën e Pando Katilit do të hidheshin të gjithë mbi ta dhe askush nuk do të mbetej gjallë. Do të ndihej vetëm aroma e hirit. Po të donin le ta provonin! Deri më tani ishin djegur dhe vrarë, pronat dhe çifligjet i kishin lëshuar me qira dhe vetë kishin marrë arratinë. Ky tmerr përshkruhet më së miri nga gazeta “Koha”:
“Duhet të shkruaj një kalema të gjatë, por të vërtetë,- thotë korrespondenti i saj i Korçës,- për të treguar gjithë të këqijat që po heqim nga vëllezërit grekë nga katilët e mëdhenj të botës, që nuk kanë shembull në historitë e përbotshme! Edhe për të vënë në veprim gjithë poshtërsitë kanë ndihmës klikën e poshtër dhe të fëlliqur tradhëtore, të cilët së bashku rrjepin popullin e fakir-fukaranë! Këta të poshtër kanë marrë me qira çifligjet e bejlerëve dhe me ndihmën e qeverisë janë bërë më keq se Ismail Durdushi; vrasin dhe presin më të katër anët, kanë nga tre palë kuaj dhe nuk dinë qysh të mundojnë çifçinjtë (bujqit) për të marrë më shumë bereqet.
Çifçinjtë muhamedanë, po më shumë të krishterët janë kaq të dëshpëruar dhe të inatosur kundra këtyre bejlerëve kaurë, sa s’është çudi që t’i goditin e t’i vrasin se i kuptuan zuzarët, që gjer dje u thërritnin dhe dërsinin duke u thënë: “O bura, bjeruni turqve dhe merruni çifligjet, e sot i shikon allabraca me ca bejlurçina të qelbura të bredhin në sokakët e Korçës…”! Dhespoti dhe oficerët grek, çmendeshin sa herë që nga Evropa u kërkohej që Korçën ta dorëzonin te ushtria shqiptare. Dhe kështu dukej se do të ndodhte, por ata nuk e dëshironin këtë zgjidhje.
Përsëri u kërkua që Korça t’i dorëzohej ushtrisë shqiptare dhe grekët përsëri bënë lëvizje të tjera kundër. Dhespoti Gjermanos ngriti urgjent një komision grekomanësh. Më 1 dhjetor 1913, i mblodhi te Mitropolia. U betuan mbi bibël. Korçën do ta mbronin me jetën e tyre. Për krijimin e komisionit grekoman, dhespot Gjermanos vuri në dijeni autoritet ushtarake dhe civile greke të Korçës, komisionet e ashtuquajtura “vorio-epiriote” të Ersekës, të Leskovikut, të Përmetit, të Gjirokastrës, të Delvinës të Konicës dhe të Himarës. I kërkoi kolonel Kondulit t’i jepte disa oficerë, sa më parë që të ishte e mundur, që të fillonte stërvitja me ushtarët e “batalioneve të shenjta”.
Priti me kënaqësi vendosjen e oficerit grek Mavraza në krye të batalioneve dhe u bëri thirrje banorëve të Korçës dhe të katundeve, që t’i bashkoheshin ushtarisë greke. Komisioni i grekomanëve festoi 7/20 dhjetorin 1913, përvjetorin e parë të hyrjes së ushtrisë greke në Korçë. Në përfundim të festimeve u dërguan tri telegrame: një mbretit të Moresë, një Venizellos dhe një gjeneral Dhamianos.
Terrori ndaj myslimanëve të Korçës dhe rrethinave vazhdonte. Gazeta “Koha” në artikujt e saj në formë kujtimesh, shkruante: “Përpara ca kohe vranë dy bejlerë të Pojanit afër fshatit, tani më së fundi, vranë tre myslimanë nga fusha dhe as u kërkua, as u muar vesh se kush i bëri këto vrasje: Këtu në Korçë, siç flitet, u pikas që u fillua një komitet grek, i cili do të ketë për detyrë që të trembë e të vrasë çdo njeri që i kundërshtohet propagandës greke.
Ky komitet grek në Korçë u formua prej 8 vetash dhe Kondulit i ardhi urdhri që ta njohë e ta mpronjë me çdo therori Komitetin grek kështu, që Komiteti t’i ketë duart e zgjidhura për të bërë si të dojë. Kanë sjellë edhe katilët e Gjiritit për të vrarë ata njerëz që nuk u pëlqejnë atyre. Meqë në ky komitet ndodhen edhe ca korçarë, të cilëve s’u dhimbet aspak për Korçën, është frika se mos na futin në një vëllavrasje. Me një fjalë; sigurim këtu në Korçë nuk kemi aspak dhe s’dimë se qysh do të jetë fundi ynë, po punët s’na duken fare të mbara; dhe më tepër, frika është për nacionalistët, të cilët për grekët dhe tradhëtorët janë halë në sy”! (Gazeta “Koha”, 1 prill 1915)
Ishte bërë një vit që ushtria greke kishte hyrë në Korçë. Ishte 7/20 janar i vitit 1913. Dhespotin Gjermanos e emociononte shumë kjo datë. Mallëngjehej. Dëshironte shumë të vdiste në këtë qytet, mundësisht edhe varrin ta kishte aty te Shën Maria në fund të Korçës, nën hijen e rrepave, që kur të vinte behari të mos përvëlohej nga vapa. Ndoshta edhe Anastasia do t’i vinte çdo ditë të qante aty te varri i tij. Për këtë grua, herë thoshte se e kishte shoqe, herë thoshte se e kishte mbesë, herë thoshte se e kishte motër, por kjo pak rëndësi ka, mjafton që dhespoti t’i ndjente lotët e saj kur t’i binin pikë-pikë përmbi varr.
Zëri i saj edhe të vdekur do ta drithëronte. Eh, dhespoti i famshëm i Korçës, ishte i gatshëm të largohej nga kjo botë në çdo çast, pa asnjë brengë në shpirt, vetëm ta shihte këtë qytet pa asnjë mysliman. I donte të gjithë të vdekur, në një varrezë të madhe pa anë e fund të mbuluar nga bari dhe harresa e gjatë. Nëse gabimisht mbetej ndonjë mysliman i gjallë, shpirti i tij do të mbetej i plagosur e nuk do të gjente dot prehje. As dhelkat e Anastasisë nuk do ta shëronin dot. Por myslimanët e Korçës nuk e ndihmonin dot në plotësimin e dëshirës së tij.
As Korçën nuk ia dhuronin dot se nuk vlente sa një puthje e Anastasisë. Megjithatë, atë mëngjes dhespoti i Korçës u ngrit shend e verë. Ishte dita e përvjetorit të parë që kishin pushtuar Korçën, dhe ja, ai do vazhdonte të ishte akoma aty. Do ta festonin atë ditë. Edhe Anastasisë i pëlqenin festat. Thuhej se ajo e tradhtonte me kolonelët dhe oficerët grekë, po dhespoti sillej sikur nuk dinte gjë. Ç’mund të bënte? E kishte një defekt: kishte një këmbë dhe një patericë. Shpesh Anastasia trembej nga këmba e drunjtë, i dukej sikur e kishin futur në një arkivol dhe flinte me një të vdekur.
Megjithatë dhespoti nuk mund ta linte pa festuar atë ditë. Do të mblidheshin të gjithë te vendi i quajtur “Teboja” diku aty mbi parkun “Rinia” ku gjendet sot. Vendi rrethohej nga një pyll i vogël. “Ti nuk do të vish”- i tha Anastasisë, më prit këtu te Mitropolia. Në festimin e përvjetorit do të vinte edhe komandant Kondulis, njeriu i besuari Mbretit grek, Kostandinit. Konduli ishte i gjithëfuqishëm dhe mund të bënte çfarë të donte dhe askush nuk e ndalte dot. Do të vinte edhe kapedan Vardha, ai njihej si një nga kapedanët grekë më të çmendur, nuk e kishte frikë vdekjen. Thuhej se nuk e zinte plumbi, por profecia nuk doli e vërtetë. Devollinjtë ia morën jetën me një breshëri plumbash, më 24 prill 1914 (Nejse, histori tjetër kjo).
Në festën e madhe do të vinte edhe një komision i veçantë që ishte krijuar nga anëtarët e Mbrojtjes Nacionale (“Ethniqi Amina”) me kryetar vetë dhespotin. Në kodrën e bukur si një parajsë e vërtetë, ushtarët e batalioneve të shenjta do të betoheshin mbi bibël. “Do të vdesim të gjithë dhe Korçën nuk do ta lëmë në dorë të shqiptarëve”! “Do të vij edhe unë” – këmbënguli sërish Anastasia, por dhespoti i mbështetur mbi patericë, iu lut që ajo të qëndronte në Mitropoli, sepse ishte kohë lufte dhe nuk i dihej çfarë mund të ndodhte…! Festa u përcoll me madhështi.
Kënaqësia e përvjetorit të pushtimit të Korçës nuk zgjati shumë. Ngjarjet rrodhën me shpejtësi. Më 24/6 shkurt 1914, në “Ethniqi Amina”, (Mbrojtja Nacionale) e Korçës, që kryesohej nga dhespoti, mbërriti një telegram nga Gjirokastra, ku thuhej se në këtë qytet do të organizohej një mbledhje e përgjithshme, ndaj duhej të ishte edhe Korça. U vendos të shkonin në Gjirokastër K. Polena, (doktori), Spiro Bimbli dhe Papa Petroja. Udhëtimi që kishte ndërmarrë Venizeloja në Evropë për çështjen e Korçës, kishte dështuar. U thirrën në Athinë kolonel Konduli dhe shefi i divizionit, (Merarqisë), Mattheopuli.
Venizelloja i kërkoi Kondulit dhe gjeneral Papullas që gjendej në Janinë, të ktheheshin në Korçë dhe t’ua dorëzonin atë shqiptarëve. Ushtria greke duhej të tërhiqej dhe Ethniqi Amina, duhej të dorëzonte armët dhe të shpërndahej. Gjeneral Papulla erdhi urgjentisht dhe u largua po atë ditë duke u gdhirë 15/28 shkurti. Kolonel Konduli do të kujdesej për tërheqjen e ushtrisë greke. Artileria u dërgua në Kolonjë, ndërsa gjithë materialet e tjera u transportuan drejt Follorinës. Mitropolia nisi të thurte një plan tjetër të zi për Korçën
Më 17/2 mars 1914 ushtria shqiptare, prej 250 vetash e kryesuar nga Mustafa bej Aranitasi dhe nga oficeri hollandez Leopold de Ghilard, hyri në Korçë. Koloneli grek Konduli, me sytë që nuk i ngriti për asnjë çast, me dëshpërimin që nuk i hiqej nga sytë dhe me dorën që i dridhej sikur të ishte epileptik, nënshkroi dorëzimin e Korçës. (Nuk e kishte menduar se mund t’i ndodhte kështu). Një çast më vonë kolonel Kondulin e panë të shoqëruar me kolonelin tjetër grek Nikolaon, të niseshin drejt Kolonjës me një automobil që ngjasonte më së shumti me një makinë vdekjeje.
Po largoheshin si dy hije, për të mbërritur më pas, ndoshta në Janinë. Mbi ndërtesën qeveritare të Korçës u ngrit flamuri shqiptar. Mustafa beu krijoi qeverinë e parë shqiptare në Korçë. Po atë natë, Mustafa beu dhe kapiten Ghilardi vizituan dhespotin Gjermanos. Edhe ai ua ktheu vizitën të nesërmen. Mori me vete edhe dhimogjerondët. U thanë fjalë të mira për qeverinë e re shqiptare. Edhe dhespoti nuk i kurseu fjalët e bukura, por shpirti i tij nxinte ashtu si rrobat që mbante veshur. Ishte betuar: shumë shpejt do të godiste pas shpine, me andartët dhe grekomanët. Mustafa beu nuk kishte kohë të priste.
I ndihmuar nga patriotët më të njohur të krahinës, formuan Këshillin e Qeverisë. Nga Vlora erdhën edhe dy oficerë holandezë: major Johan E. Snellen van Vollenhoven dhe Kapiteni Jetze Doorman. Ata do të organizonin xhandarmërinë shqiptare. Major Snellen u caktua Komandant i Mbrojtjes së Korçës, i cili vuri në përdorim vulën zyrtare me një shqiponjë dy krenare në mes, që mbante nënshkrimin “Comission de Controle Provisore Korça” (Komisioni i Kontrollit të Përkohshëm, Korçë). Prefekt u vu Pandeli Vangjeli, ndihmës-prefekt Abdyl Ypi, shef policie Themistokli Gërmenjin dhe komisar policie Hysen Nikolica.
Mustafa beu u nis drejt Kolonjës, do të ngrinte edhe atje qeverinë shqiptare. Ato ditë Major Snellen van Vollenhoven i kërkoi dhespotit t’i shkrinte të ashtuquajturat “batalione të shenjta” ose siç quheshin ndryshe “Ierus loqus” dhe të visheshin xhandarë dhe policë për qeverinë e re të Korçës, por a mundej ta pranonte dhespoti këtë kërkesë, ai kishte muaj me radhë që përgatiste vëllavrasjen e madhe të 2 prillit.
Qeveria shqiptare e Korçës organizoi trupën e parë të xhandarmërisë. Njerëzit vetë-ofroheshin të ishin në shërbim të Korçës. Për këtë arsye ata u quajtën “vetëdashës”. Gazeta “Koha” përshkruan paradën e parë ushtarake të tyre: “Kurrë s’do të harrohet dita e diel që, për të parën herë në histori të Përlindjes së Shqipërisë, nacionalistët mundën të shikojnë një nga dëshirat e gjalla që ëndërronin; kurrë s’do të harrohet, themi, se të gjithë që muarrë këtë detyrë ishin me gjithë zemër vetëdashës dhe jo zordashës si ishte në kohët e kaluara vinin nga frika e kërbaçit dhe e bajonetës. Vetëdashësi i dëshiruar na siguron plotësisht nga pamja e fytyrave gazmore (të gëzuara), na ngjall dhe na rrit jetën, kur secili s’vonon për të mbushur detyrën e vet, na vërteton se në Korçë asnjë propagandë e huaj s’mund të gjejë vend dhe mbështetje…!
Të diel që u bë paradë përpara shkëlqesisë z. major Snellen van Vollenhoven, numri i xhandarmërisë arrinte në 120 veta. Atje përpara Gjykatores, shkëlqesi e tij i salutoi dhe më pas shfaqi gëzimin duke mbajtur një fjalë patriotike të nxehtë mbi nevojën e xhandarmërisë”. Gazeta “Koha”, 5/18 mars 1914). Nga kjo trupë vetëdashësish, (xhandarë) do të dilnin edhe qëllonjëtarët më të mirë ose siç quhen sot, snajperët. Nuk i dimë të gjitha emrat e tyre, por në shtypin e kohës, (me të njëjtën renditje) përmenden këta zotërinj: Kristo Pema, Qerim Butka, Koli Kaluci dhe Zenel Plasa. (Gazeta “Koha”, 4/17 prill 1914)./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













