Nga Eugen SHEHU
Memorie.al / Bjeshkët e Tropojës, kanë përkundur në djepat prej drurëve të tyre, qindra trima. Ato bjeshkë, i patën mësuar këta djem, se si të donin prindërit, vëllezërit, motrat, lugjet e lulet e livadheve. Po më së shumti u mësuan nëpër shekuj, se si këta të donin, atë më të shtrenjtën, lirinë. Ngase në supet e këtyre bjeshkëve, u derdhën nëpër mote sa e sa rrebeshe luftërash, ata u kumtuan bijve të tyre se në dashurinë e madhe për lirinë, do të ishte vetë jeta dhe ardhmëria e trojeve. Natyrshëm, me këto ndjenja, të rritej edhe Ali Ibra. I lindur në fshatin Shipshan të Tropojës, më 1830, ky djalë do të gëzonte sidoqoftë të atin, Ibër Nezën, ngase shtëpisë do t’i shtohej një burrë e një krah për punë. E vërteta është se Ibër Neza, pak tokë kishte dhe derën u përpoq ta mbante hapur me djersën e ballit, duke punuar ditë e natë. Shipshani për vetë gjeografinë e tij, i ndodhur prej shekujsh në zemër të bjeshkës, do të kishte kullota të shkëlqyera. Ndaj edhe Ibër Neza, pati vënë disa kokë bagëti dhe këto do t’ua besonte djemve të tij.
I rritur në këto mjedise (për shkollë as që mund të bëhej fjalë në Shipshanin e atyre viteve) Ali Ibra dallon ndër shokët e vet, sidomos për një mençuri e maturi, disi të rrallë për moshën. Ai krejt në heshtje i kryente të gjitha porositë e të atit dhe kurdoherë dallohej për atë çka punëve u shkonte deri në fund. Ani-pse nuk mund të mësonte të shkruante,netëve të vona, kur në kullë vinin shokë a miq të babait, Aliu një truphedhur dëgjonte me endje kuvendet dhe memoria e tij „regjistronte“ çdo trimëri. Vitet 1840 – 1845, ishin vitet e një varfërie të thellë dhe të një shtypjeje të rëndë të Portës së Lartë, ndaj trojeve arbërore. Në odën e zjarrit aty në kullë të Ibër Nezës, flitej tashmë hapur kundër këtij regjimi, mandej jepej edhe besa që të mos dorëzohej as një kile misër, ngase nuk dilte as për fëmijët.
Për më tej Ibër Neza, në krye të disa trimave të tjerë të malësisë së Tropojës (aso kohe quhej malësi e Gjakovës) kundërshtuan me armë në dorë, taksambledhësit e qeverisë osmane. Reformat e shpallura të Tanzimatit ku pos të tjerave kërkoheshin taksa të reja, u kundërshtuan me forcë pothuaj në të katër Vilajetet shqiptare të asaj kohe. Tashmë, Ali Ibra ishte një djalë i pjekur e trim. Ai merrej jo vetëm me punët e mëdha që kishte shtëpia, por edhe me zgjedhjen e problemeve që mund të dalin në Malësi.
Pushka e tij qëllon në shenjë dhe syrit e dorës së tij, i frigohen si taksambledhësit, ashtu edhe autoritetet vendore të Gjakovës. Vë vitet 1866, në pranverë, një grup trimash të Shipshanit, protestuan kundër masave shtypëse të qeverisë osmane. Porta e Lartë, duke para-ndjerë rreziqet që mund të kish kjo protestë, dërgon për shuarjen e saj disa taborë të armatosura, të komanduar nga Selim Pasha, komandanti i garnizonit ushtarak të Manastirit.
Mirëpo, Ali Ibra në bashkëpunim të ngushtë edhe me Binak Alinë, në krye të qindra burrave të Malësisë së Tropojës, u bëjnë pritë këtyre trupave duke nënshkruar në këtë mënyrë një qëndresë dinjitoze formacioneve të Selim Pashës. Mbas dy tri ditë betejash, kryengritësit u larguan për në bjeshkë ngase osmanlinjtë ishin dhjetë herë më të shumtë në numër e të armatosur më së miri. Sidoqoftë, shtrirja e kësaj kryengritjeje deri në Prizren,u kujtoi turqve se nuk do t’a kishin lehtë të shtrinin zgjedhën e tyre,në trojet arbërore. Një vit më pas,në marsin e vitit 1867, sërish shqiptarët e bjeshkëve të Tropojës, të udhëhequr prej Ali Ibrës, shpërthyen në kryengritje.
Mandej u lidh besa,deri në rrethina të Gjakovës që do të luftohej edhe me sëpata e thika veç „djemtë nuk i çojmë nizam“. E vërteta është se në ato vite, djemtë shqiptarë çoheshin në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, për të luftuar në Azi, ku pjesa më e madhe e tyre nuk ktheheshin më. Tragjedia e moskthimit, përcillej si mort nga kulla në kullë, ku emrat e harruar të djemve, nizamë, endeshin si klithma korbi. Në rastin e kryengritjes në fjalë, Porta e Lartë dërgoi aty, në krye të dy taborreve osmanlinj, Mahmut Pashën, por ky, pas dy jave luftimesh, të ashpra u kthye prapa me turp. Forcat kryengritëse të udhëhequra prej Ali Ibrës, i bënë disa prita mjaft të zgjuara duke i futur në grackë formacionet osmane, e duke u shkaktuar humbje të mëdha në njerëz e armatim luftarak.
Tashmë Ali Ibra, ky burrë trim e fjalëpakë, po fitonte besimin e një mase të tërë njerëzish. Edhe pse ai i ideonte vetë betejat, gjendej kurdoherë në frontin më të vështirë, aty ku rreziku ishte më i madh aty ku armiku kish hallkën e vet më të fortë. Betejat që erdhën më pas, zgjuan tek burrat shqiptarë, idenë e madhe të bashkimit. Të përçarë prej gjakmarrjes por edhe prej politikës osmane, këta prijës shqiptarë, e patën kuptuar se krejt ato rrebeshe të mëdhenj luftërash,mund të përballoheshin vetëm nëse ata do të bashkonin armët dhe mendimet, përndryshe rrezikohej vetë qenia e Shqipërisë.
Ali Ibra është ndër të parët trima që rreket të shkele zakonin e gjakmarrjes. Tek varret e Shalës, më 1876, në një tubim madhor, trimi i Shipshanit deklaron se gjaku i duhet falë Malësisë e, jo hakmarrjes. Tepër e guximshme për ato kohë,kjo ishte e pëlqyer prej mjaft trimave që lidhën aty besën për me luftue turkun. Po në këtë vit, së bashku me Mic Sokolin, Ali Ibra shkon në trevën e Shenpalit të Mirditës ku lidhet besa dhe merren vendime të përbashkëta për t’iu kundërvënë regjimit osman.
Traktati i Shën Stefanit, i marsit të vitit 1878, do të vinte tokat shqiptare, në pazarin e madh që Turqia kish bërë me Rusinë. Me 30 maj të këtij viti, Komiteti i Stambollit, kryesuar prej Abdyl Frashërit, u drejtoi një thirrje të gjithë patriotëve shqiptarë, ku i bënte thirrje të ngriheshin dhe të mbronin me çdo mjet tokat shqiptare. Pas kësaj thirrjeje, janë me qindra letrat, telegramet, memorandumet e protestat që atdhetarët shqiptarë u dërguan kancelarive të Evropës, duke u përpjekur të ruanin të pacenuar tërësinë territoriale shqiptare.
Në një prej tyre popullsia e Pejës, Gjakovës e Gucisë, i drejtohej ambasadorit të Francës në Stamboll,duke i thënë pos të tjerave; „Vendi në të cilin banojmë quhet vendi i shqiptarëve. Përse duhet t’i nënshtrohemi administratës së egër të bullgarëve ose më mirë të themi skllavërisë ruse? Cila ndërgjegje do ta pranonte këtë?… Ne nuk do t’ua lëshojmë malazezëve dhe serbëve asnjë pëllëmbë të tokës sonë“. (Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878 – 1912, faqe 14 ).
Natyrisht përpjekjet diplomatike,duheshin ndërthurur edhe me ato organizuese në rrafsh të veprimeve luftarake. Për këtë, trimat e krejt vilajeteve shqiptare, ndërmuarën hapa konkrete duke organizuar masat e gjëra e duke i ndërgjegjësuar ato për betejat që i prisnin. Kështu Ali Ibra e Sulejman Vokshi, gjenden tashmë në Malësi të Gjakovës. Ata ndezin flakë zemrat e gjakovarëve, duke dëftuar se vetëm pushka do mund t’i mbrojë kufijtë e shenjtë të atdheut.
Në këtë ngarendje drejt lirisë, është Ymer Prizëreni i cili ngroh shpirtrat e bashkatdhetarëve të vet, në Shkup, Tetovë, Dibër e Manastir. Ndërkaq, këta burra të mëdhenj, e patën kuptuar se koha kërkonte për shqiptarët një organizim tjetër, më të madh, çka do të kishte mundësi të përballej me fushatën e egër të copëtimit të trojeve amtare. Po binte kësisoj ora e madhe e krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. E vërteta është se për krijimin e kësaj Lidhjeje, u zgjodh qyteti i Prizrenit për dy arsye.
E para,ngase asaj kohe,ky qytet ishte ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë. E dyta, ngase propaganda qindravjeçare serbe e quante qytet të vetin dhe Lidhja, natyrisht do të humbiste mitin e rrejshëm serb. Ka qenë mëngjesi i bukur i 10 qershorit 1878, i cili hapi dyert e shtëpisë së vogël ku filloi punimet Lidhja e Prizrenit. Në këtë kuvend erdhën dhjetëra trima, nga krejt vilajetet shqiptare, duke dëshmuar jo vetëm dëshirën e ruajtjes së kufijve të atdheut, por edhe dashurinë midis njëri-tjetrit, pa marrë parasysh as ndarjet krahinore dhe as fenë. Pos të tjerave, në këtë kuvend, do të buçiste zëri i tribunëve Abdyl Frashëri, Ymer Prizëreni, Iljaz Pashë Dibra, Hasan Pashë Tetova, Haxhi Zeka dhe Sheh Mustafa Tetova, Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Binak Alia, Ali Pashë Gucia etj. Në ditën e parë të këtij Kuvendi historik, Abdyl Frashëri, do t’u kumtonte të pranishmëve; „Ne shqiptarët, rrjedhim nga pellazgët.
Jemi pra populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik, kurse sllavët erdhën vonë, por, duke qenë më shumë se ne, na shtynë në jugperëndim të Ballkanit, në këtë rryp të ngushtë ku ndodhemi sot. Nuk mjaftoi grabitja që na bënë atëherë, por po kërkojnë edhe sot të na shkëpusin toka të tjera. Po ashtu Greqia do një copë nga vilajeti i Janinës, që është pjesë e pandarë e atdheut tonë të shenjtë. Qëllimi i kësaj mbledhjeje, sot për sot, është t’ua presim hovin armiqve të egër, duke lidhur besën shqyptare e duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet tona, që na kanë lënë gjyshërit e stërgjyshërit tanë“. (Xh.Belegu, Lidhja Shqiptare e Prizërenit, faqe 20).
Në fund të punimeve të saj Lidhja Shqiptare e Prizrenit, zgjodhi Komitetin Qendror të saj me 13 anëtarë, Sulejman Vokshi dhe Ali Ibra u zgjodhën në komisionin financiar por ky komision jo vetëm do të siguronte financën e Lidhjes, por do të përgjigjej deri në fund për Forcat e Armatosura të kësaj Lidhjeje. Prej këtij çasti e në në krejt vitet më pas, dy burrat, Ibrën e Vokshin, do t’i shohim kurdoherë së bashku, si në log të burrave, ashtu edhe në flakët e betejave. Ata do të jenë ideatorët e parë të organizimit ushtarak në Kosovë, komandantët e parë të betejave ngadhënjyese për ruajtjen e trojeve etnike shqiptare.
Mund të merren lehtë me mend se në ç’far vështirësish u ndodhën krejt udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit. Porta e Lartë, edhe pse e detyruar të bëjë disa lëshime të vogla, nuk do të mund të pranonte kurrsesi këtë lëvizje autonomiste shqiptare. E pikërisht në këto momente, shkëlqeu edhe një herë vizioni atdhetar i Ali Ibrës. Ai mundi të shkonte në mjaftë vise të Kosovës e, të ngrinte aty ushtrinë kombëtare, e cila do të shërbente si krah i djathtë i Lëvizjes së Prizrenit. Reparte të tëra me vullnetarë u organizuan më së miri duke qenë kësisoj të gatshëm për të zbatuar çdo detyrë luftarake.
Në majin e vitit 1878, nisen disa pregatitje të malazezëve të cilët kishin pretendime të kahershme për viset e Plavës e të Gucisë. Për më tej, në qershor e korrik të këtij viti, malazezët siguruan edhe përkrahjen e Fuqive të Mëdha lidhur me pretendimet e tyre territoriale. Kështu, në gushtin e vitit 1878, Jakup Ferri, Mulla Jahja e Nuh Shahmani, në krye të disa trimave, shkojnë në fshatin Shipshan tek Ali Ibra. Pasi takohen me mikun e tyre dhe zëvendëskomandantin e forcave ushtarake të Lidhjes së Prizrenit, ata i dëftejnë atij rrezikun. Dy ditë më pas, biri i Shipshanit jep kushtrimin dhe mbi 1000 burra të armatosur, mblidhen tek varret e Shalës në breg të Valbonës. Pos të tjerave, me të dëgjuar kushtrimin e Ali Ibrës, aty kanë ardhur; Mic Sokoli, Qerim Delia, Binak Alia, Man Avdia, Halil Ibrahimi, Hoxhë Dollapi, Ali Hoxha e dhjetëra trima të tjerë me çetat e tyre.
“Mbledhjen e hapi Ali Ibra i cili sikurse e kemi cilësuar më lartë shquhej për oratori. Me fjalë të thjeshta e plot zgjuarsi, ai foli për situatën politike, gjendjen aktuale, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, detyrat dhe vendimet e saj, rrezikun e pushtimit nga shovinistët fqinj, detyrat që dilnin, bashkimin dhe dhënien e besës për të ndihmuar vëllezërit plavjenë e gucianë, për lënien mënjanë në ato kohë të vështira,të gjaqeve, grindjeve, hakmarrjeve”. (Xh. Gosturani, Ali Ibra dhe Lidhja Shqiptare e Prizërenit, faqe 42).
Më pas në këtë kuvend e kanë marrë fjalën edhe trima të tjerë të cilët ranë plotësisht dakord me mendimet e birit të Shipshanit. Ndërkaq në kuvend vjen një letër prej Sulejman Vokshit i cili lajmëron Aliun, se në Gjakovë po mësyn Maxhar Pasha. Fill pas leximit të kësaj letre, krejt trimat e mbledhur aty iu drejtuan Gjakovës. E vërteta është se Maxhar Pasha (Mehemet Ali Pasha) me të shkuar në Gjakovë, zuri vend në kullat e Abdulla Pashë Drenit, me të cilin kish patur lidhje miqësore të hershme.
Misioni i tij ishte të shuante lëvizjen kombëtare shqiptare, të shkonte në Mal të Zi e, pasi t’i dorëzonte Knjaz Nikollës, Plavën e Gucinë, të mbante frymën në sarajet e sulltanit. Dega e Lidhjes së Gjakovës, caktoi grupin e trimave që do të drejtonin sulmin mbi kullat e Abdulla Pashë Drenit. Këta ishin; Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Jakup Ferri, Ali Ibra, Ali Pashë Gucia dhe Ahmet Koronica. Secili prej këtyre prijësve, mori detyrën e vet dhe në krye të çetës së vet, u shpjeguan gjendjen luftëtarëve të tjerë.
Maxhar Pashës, iu dha krahë vetëm 24 orë që të largohej në paqe prej trojeve shqiptare, në të kundërtën, do të vendoste gryka e pushkës. Tepër sfidues ka qenë kjo situatë për Maxhar Pashën i cili kishte ardhur me planë të mëdha, e në Stamboll, pas këtij udhëtimi shtypës i qe caktuar detyra e ministrit të luftës. Njëzetekatër orë pasi mbaroi afati, rreth 3000 shqiptarë të armatosur mjaft mirë, deri edhe me artileri.
Në këtë betejë, shkëlqeu trimëria e dhjetëra prijësve shqiptarë, pos të cilëve edhe Ali Ibrës. Megjithëse u plagos rëndë, në bedenat e kullës, ai për asnjë çast nuk u ligështua por përkundrazi me plagën që i kullonte gjak, u jepte zemër trimave të tij. Dihet tashmë se Maxhar Pashën e vranë trimat Col Delia e Adem Selmani, të cilët pa marrë në sy fare rrezikun, u futën në oborr të kullës dhe qëlluan për vdekje “strategun” e madh osman.
Pas vrasjes së Maxhar Pashës,si edhe disa krerëve të tjerë tradhtar të lëvizjes kombëtare shqiptare,disa formacione vullnetarësh shqiptarë, donin të kryenin hakmarrje ndaj disa të krishterëve të Gjakovës. Mendohet që ky akt të jetë nxitur nga dikush,i shitur tek serbët apo malazezët, për të shkelur kështu në një prej pikave të marrëveshjes së Lidhjes që ndalonte luftën fetare. Pohime të historiografisë së huaj, dëshmojnë se ishte pikërisht mençuria e Ali Ibrës ajo që e shmangu këtë gjakmarrje të verbër.
Lidhur me këtë,konsulli anglez sirr Sen Xhons, pohon se; ”Udhëheqësi i shquar Ali Ibra deklaroi se persekutimet kundër të krishterëve në Shqipëri, kryen jo nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, por nga disa persona të pandërgjegjshëm që nxitën nga dy funksionarë fanatik të administratës osmane”. (Arkivi i Institutit të Historisë, Dokumenti 71/3,Prizren 2 tetor 1879).
Në nëntorin e vitit 1879, Mark Milani dhe Teodor Milani, po përgatiteshin për të sulmuar Plavën dhe Gucinë. Menjëherë dega e kësaj Lidhjeje për Plavë e Guci, lajmëron Prizrenin me ç’rast u njoftuan gati të gjithë krerët shqiptarë. Ishin me mijëra vullnetarët trima të Lidhjes së Prizrenit nga Dukagjini, Hasi, Shkodra, mandej edhe Tetova e Dibra të cilët nisën marshimin në drejtim të Plavës e Gucisë. Ali Ibra, në krye të 1000 burrave të Tropojës, u nis si rrufe dhe zë pozicionet më të vështira përballë malazezëve.
Dihet tanimë se ç’prej nëntorit 1879 e deri në fund janarin e vitit 1880, në trevat shqiptare të Plavës e Gucisë, u zhvilluan luftime nga më të ashprat. Me qindra trima shqiptarë mbetën të vrarë por ishin me mijëra trupa pa jetë, të ushtarëve malazez që lumi i Limit i përgjakur i çoi deri në Bosnjë. Betejat e Plavës e Gucisë tek e mbramja, u treguan Fuqive të Mëdha, se nacionalizmi shqiptar, vetëdija kombëtare e popullit tonë, ndonëse në dimensionet e para të saj, po formësohej në zjarrin e luftërave. Edhe këtu, roli i Ali Ibrës mbetet i padiskutueshëm.
Në mars të vitit 1881, mblidhet sërish në Prizren, kuvendi i jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë kuvend, u bënë debate të ashpra midis atdhetarëve me ide autonomiste dhe krerëve të tjerë shqiptarë, të cilët ende donin sundimin e Perandorisë Osmane. Mbas disa debatesh, duke parë edhe punën e secilit prej organizatorëve të vitit 1878, kuvendi i jashtëzakonshëm zgjodhi Qeverinë e Përkohshme Kombëtare.
Në krye të saj u zgjodh Ymer Prizëreni, nënkryetar Shuaip Spahiu, për punët e Jashtme Abdyl Frashëri, ministër i Luftës Sulejman Vokshi dhe si zëvendës i tij Ali Ibra. Menjëherë pas kësaj, Sulejman Vokshi dhe Ali Ibra, ideojnë një organizim të ri ushtarak, duke ia përshtatur ate situatave që kalonte krejt Shqipëria, në çdo pëllëmbë toke të saj.
Tashmë në drejtim të Kosovës, për të shtypur me zjarr e hekur çdo ide të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, drejtohet Dervish Pasha, në krye të 20 mijë ushtarëve e oficerëve të armatosur. Me dhënien e kushtrimit prej Sulejman Vokshit dhe Ali Ibrës, u tubuan rreth 4000 trima, gjithsesi të paarmatosur e të pangrënë. Luftërat e këtyre tri-katër vjetëve u suallën dëme të mëdha vullnetarëve shqiptarë. Përleshja e parë u bë në vendin e quajtur Slivovë me 20 prill 1881. Trimat shqiptarë, nën komandën e Sulejman Vokshit, mundën të gozhdojnë marshimin e Dervish Pashës, por vetëm dy ditë, ngase formacionet disa mijëshe osmane i çanë pozicionet e vullnetarëve duke arritur deri në luftime trup me trup.
Dy ditë më pas, u krye beteja tjetër e madhe, ajo e Shtimjes, në të cilën trupat vullnetare shqiptare,i komandonte Ali Ibra. Në këtë terren erdhi Dervish Pasha i cili u përpoq të përshtaste taktikën e luftës frontale, në brigjet e shkrepat e Shtimjes, si edhe të përballej me manovrat e zgjuara të Ali Ibrës. Beteja u zhvillua tejet e ashpër për 7 orë me radhë. Ali Ibra, hipur në kalin e zi, megjithë moshën e thyer, megjithëse i plagosur plot 12 herë, lëshohet i papërmbajtur në taborët osmane. Ardhur deri në ditët e sotme, kënga për te thotë:
“Ali Ibra n’vraç të zi’
Po i shkon gjaki për zingji,
Ali Ibra po pisket,
N’thik po i rrzon ka shtat e tetë”.
Në shtime burri i Shipshanit plagoset rëndë. Ai nuk ia tregon plagën askujt por vetëm lëshon kushtrimin. Bashkëluftëtarët e ngushtë të tij e kuptojnë nga zëri që po i venitej dhe e marrin për ta mjekuar. Kjo ish plaga e 13 e birit të Shipshanit. Por edhe kjo s’do ta heshte dot në shtratin e vdekjes. Pas dhunës mizore të Dervish Pashës, trimi ngjitet sërish në fshatin e vet, aty ku pat lindur, ku ish rritur, ku mësoi të shtije me pushkë, ku njohu besën e burrit.
Kullën e tij do ta mësynin kurdoherë Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Hasan Ferri e trima të tjerë. Ata do të dëgjonin fjalën e tij të mençur e të urtë, do ta respektonin trimin kurdoherë. Por sigurisht, plaga e 13, në pesë dekada lufte, nuk do të ishte aq e lehtë. Mbyll sytë, në dhjetorin e vitit 1893, në kullën e vet, në Shipshanin e përkundur nga shpresa e lirisë./ Memorie.al













