• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, October 25, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Art & Kulture

“Para se Kadare të fitonte jehonë të gjerë ndërkombëtare, lexuesit perëndimorë e njihnin Ballkanin, kryesisht përmes autorëve si Ivo Andriç dhe Nikos Kazantzakis…”/ Refleksionet e publicistit të njohur

“Ivo Andriç, u bë ‘de facto’ dhe ministri i Jashtëm i Jugosllavisë, sepse bllokoi promemorien e Dom Shtjefën Kurtit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, kurse Enveri, e pushkatoi dhe e la pa varr…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
“Para se Kadare të fitonte jehonë të gjerë ndërkombëtare, lexuesit perëndimorë e njihnin Ballkanin, kryesisht përmes autorëve si Ivo Andriç dhe Nikos Kazantzakis…”/ Refleksionet e publicistit të njohur
“Përbindëshi’, u publikua dhe më pas u ndalua, në periudhën e stalinizmit kishte shkrimtarë si Bulgakovi Maldestam, Ana Akmatova, që…”/ Intervista e panjohur e Kadaresë në “La Stampa”, maj 2010
“Laokoonti’ i heshtur: vuajtja, maskimi dhe disidenca e fshehtë e Ismail Kadaresë në regjimin komunist, është forma më e lartë e rezistencës, pasi…”/ Refleksionet e studiuesit dhe botuesit të njohur
“Pak ditë më pas, Kadare u takua me Todi Lubonjën, i cili i tha; më ke folur, se si priteshin kokat e pashallarëve turq, nëse ke vend në romanin tënd, shkruaj…”/ Historia e trishtë, e autorëve të festivalit 11-të!
Kadare dhe pëlhura e imtë e fatit

Nga Minella Aleksi

Pjesa e dytë

                                  -Shqipëria e Kadaresë: laborator pikënisjeje për pyetje universal –

Memorie.al / Në Shqipërinë komuniste, pak ngjarje arrinin të trazonin opinionin publik. Zakonisht ishin plenumet e Partisë ose botimi i një romani të ri të Kadaresë. Ndërsa të parat përcaktonin drejtimin zyrtar të regjimit, të dytat nxisnin te lexuesit përpjekje të pafundme për të kuptuar se çfarë fshihej pas alegorive, simboleve dhe ambiguiteteve të shkrimtarit. Regjimi dhe Ismail Kadare udhëtonin në kahe të kundërta: njëri kërkonte nënshtrim, tjetri liri. Rrugët e tyre kryqëzoheshin vazhdimisht në një duel të heshtur, ku asnjëri nuk arrinte ta mposhtte plotësisht tjetrin. Pas botimit në Perëndim, për shumë shqiptarë lindte pyetja: si mund të ishte një shkrimtar i madh dhe njëkohësisht të botonte në një sistem kaq represiv?

Gjithashtu mund të lexoni

“Në Perëndim, studiuesit mbetën të habitur, kur Kadare fliste për lirinë, pushtetin dhe fatin njerëzor, me një forcë artistike origjinale, të cilën kritikët francezë…”/ Refleksionet e publicistit të njohur

Si na ndihmoi Prof. Dhimitër Shuteriqi në vitin 1967, duke debatuar me ministrin Thoma Deliana, që të shpëtonim nga shkatërrimi shumë objekte të kultit, që i konsideruam si monumente kulture?

                                                          Vijon nga numri kaluar

Studiuesit bashkohen se, Kadareja i afrohet Dostojevskit, jo në formë, por në thelbin e shqetësimit: të dy kërkojnë të zbulojnë forcat e fshehta që sundojnë njeriun; njëri në labirintet e shpirtit, tjetri në labirintet e historisë dhe pushtetit. Dostojevski është më shumë psikolog dhe filozof. Te “Pallati i Ëndrrave”, pushteti nuk mbështetet vetëm te dhuna; ai kërkon të kontrollojë hapësirën më intime të individit. Stili i tij është më poetik dhe metaforik. Më shumë rrëfimtar i historisë dhe mitit përmes alegorisë politike.

Te “1984” e Orwell, njeriu rrezikon të shtypet dhe të manipulohet nga sistemi. Shteti ose ideologjitë mund të kontrollojnë mendimin e njerëzve. është i qartë, i drejtpërdrejtë, i kursyer në përdorimin e figurave letrare dhe elementeve estetike. Më shumë kritik politik dhe shoqëror. Para se Kadare të fitonte jehonë të gjerë ndërkombëtare, shumë lexues perëndimorë e njihnin Ballkanin kryesisht përmes autorëve si Ivo Andriç dhe Nikos Kazantzakis.

Perëndimi shfaqte interes strategjik për Ballkanin, nisur kryesisht nga faktorë politikë dhe gjeopolitikë. Për Andriçin, Ballkani ishte para së gjithash, histori e gjatë bashkëjetesë dhe tragjedi njerëzore. “Ura mbi Drin” bëhet simbol bashkimi, lidhjeje, Lindje Perëndim, i një bote ku myslimanë, ortodoksë, katolikë dhe hebrenj jetojnë së bashku për shekuj, derisa nacionalizmat dhe luftërat e shkatërrojnë atë ekuilibër.

Për Kazanzaqin, Ballkani nuk është aq shumë objekt historik, sa hapësirë e përplasjes shpirtërore dhe ekzistenciale. Studiuesit e vendosin Kazanzaqin, së bashku me Andriçin, në traditën e një Ballkani skeptik ndaj rrjedhës së historisë moderne. Kadare solli një këndvështrim që deri atëherë ishte shumë më pak i njohur, përvojën shqiptare të historisë ballkanike, marrëdhënien me Perandorinë Osmane, mitet shqiptare dhe jetën nën diktaturë.

Në këtë kuptim, ai zgjeroi hartën letrare të Ballkanit në imagjinatën perëndimore. Ballkani për Kadarenë është shpesh dramë e historisë dhe identitetit. Hapësirë ku përplasen perandori dhe projekte qytetërimesh. “Ura me tre harqe”, nuk simbolizon bashkimin, si te Andriçi, përkundrazi, ajo paralajmëron pushtimin dhe ndryshimin e fatit historik të vendit. Andriçi kërkon të kuptojë si jetojnë popujt së bashku, Kazanzaqi si lufton njeriu me vetveten, ndërsa Kadareja si historia dhe perandoritë formësojnë fatin e kombeve.

Këndvështrimi dhe ndikimi i Kadaresë ishte më shumë kulturor dhe intelektual se sa politik. Kadareja ndryshoi mënyrën se si shumë njerëz në Perëndim e kuptuan Ballkanin. Sipas Kadaresë, Europa e ka parë shpesh Ballkanin si kufirin e saj të trazuar, një hapësirë ku historia shfaqet në forma më të ashpra dhe më dramatike. Por ai përpiqet ta përmbysë këtë këndvështrim: Ballkani nuk është një devijim nga historia evropiane, por një pasqyrë e saj.

Ajo që duket e jashtëzakonshme në Ballkan, është shpesh thjesht historia evropiane e përqendruar në një hapësirë më të vogël dhe më të ekspozuar. Kjo është një nga idetë më origjinale të Kadaresë: Ballkani nuk është “jashtë Evropës”; ai është një vend ku kontradiktat e Evropës bëhen më të dukshme. Para Kadaresë, për shumë evropianë, Shqipëria ishte pothuajse një “hapësirë e panjohur” në hartën kulturore të Evropës.

Kur përmendej Ballkani, shpesh dominonin stereotipe mbi prapambetjen, konfliktet dhe ekzotizmin. Përmes veprave si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur”, Shqipëria nuk u paraqit si një kuriozitet etnografik, por si një vend nga i cili mund të trajtoheshin tema universale: lufta, kujtesa, pushteti, identiteti dhe vdekja. Pas famës së këtyre romaneve, Shqipëria u bë subjekt letrar universal.

Ballkani u paraqit si pjesë e historisë evropiane. Totalitarizmi shqiptar u shpjegua nga brenda. Ndoshta ndikimi më i rëndësishëm i Kadaresë nuk ishte transformimi i mendimit evropian mbi Ballkanin, por të hapte hapësirë për një lexim më kompleks të historisë, kulturës dhe kontradiktave të tij. Lexuesit në Perëndim e vlerësonin Kadarenë sepse përvojën shqiptare ai e shndërronte në letërsi me rezonancë universale, ku e veçanta kombëtare bëhej vlerë universale.

Në vend që të shkruante thjesht kronika politike, Kadareja tregoi mekanizmat kulturorë dhe psikologjikë të pushtetit. Për shumë lexues perëndimorë, romane si “Pallati i Ëndrrave” dhe “Piramida”, ofruan një mënyrë të re për të menduar mbi kontrollin, frikën dhe lirinë. Shumë lexues perëndimorë e lexonin Kadarenë, sepse Shqipëria në veprat e tij, bëhej metaforë për probleme më të gjera njerëzore. Përshkruhej si laborator i historisë, që krijonte pyetje universale. Sepse një fshat shqiptar mund të përfaqësonte një komunitet të izoluar kudo në botë.

Një perandori osmane mund të simbolizonte çdo sistem të madh pushteti. Një gjakmarrje mund të ngrihej në nivelin e pyetjes universale mbi ciklin e dhunës dhe hakmarrjes. (“Prilli i thyer”, “Darka e gabuar”, “Hija”, “Aksidenti”). Prandaj, origjinaliteti i Kadaresë nuk qëndronte te shpikja e temave të reja, por te aftësia për të përdorur përvojën historike dhe kulturore shqiptare si një mënyrë të re për të parë çështje që i përkasin gjithë njerëzimit. Kjo është arsyeja pse veprat e tij mund të lexohen njëkohësisht si romane shqiptare, ballkanike, evropiane dhe universale.

Kishte aftësinë që një dëshmi historike lokale, e shndërronte në material letrar me kuptim të gjerë njerëzor. Fuqia e pa-limit e imagjinatës së tij, qëndron te fakti se ai përdor elemente shumë konkrete, një traditë si Kanuni, një konflikt historik, një qytet të izoluar, një kujtesë kolektive, një regjim shtypës, një dramë familjare, dhe i ngre ato në nivelin e pyetjeve themelore: si sillet njeriu përballë pushtetit? sa i lirë është individi përballë historisë? si trashëgohen frika dhe dhuna nga një brez te tjetri? si ndikon një shoqëri mbi fatin e individit?

Pikërisht kjo e bën të mundur që, për shembull, një lexues francez, gjerman, italian apo amerikan, të mos e lexojë një roman si “Prilli i Thyer”, vetëm si histori të një zakoni shqiptar, por si një tragjedi mbi ciklin e hakmarrjes (industrinë e gjakut) dhe fuqinë e rregullave shoqërore. Ajo shndërrohet në një hapësirë letrare ku trajtohen drama dhe pyetje që i përkasin njerëzimit në përgjithësi.

Ai nuk e heq Shqipërinë nga veprat e tij për t’u bërë “universal”; përkundrazi, arrin universalitetin pikërisht duke hyrë thellë në një përvojë konkrete shqiptare. Nga lexuesit perëndimorë letërsia e Kadaresë u “shijua” si e veçantë. Jo si një gjellë pa shije të veçantë, që mund të haet nga të gjithë, dhe që s’mbahet mënd. Një pjatë me përbërës shumë të veçantë, mund të ketë origjinë të caktuar, por pikërisht ajo veçanti mund t’a bëjë të çmuar për të tjerët.

Pra, pyetja nuk shtrohet: “kush shkrimtar është më i madh”, por: çfarë dimensioni të fshehur të pushtetit arrin të zbulojë secili tyre. Te Kadareja universalja del nga konkretja: “Një njeri shqiptar, në një qytet shqiptar, me një histori të caktuar, me kujtesë pushtimesh, me zakone dhe frikëra të trashëguara, përballet me një sistem që kërkon të kontrollojë jetën e tij”.

Këtu universalja del nga subjekti konkret. Ndryshe ndodh te vepra “Duke pritur Godonë”, e Samuel Beckett, ku personazhet janë pothuajse të zhveshur nga identiteti historik. Nuk dimë shumë për vendin ku ndodhen, nuk kemi një shoqëri konkrete, personazhet janë më shumë figura ekzistenciale, sesa përfaqësues të një kulture të caktuar. Kjo është forca e Beckett-it: ai e çon njeriun në një situatë shumë të pastër, pothuajse universale, pritja, pasiguria, kuptimi i jetës, ankthi. Një lexues nga çdo vend mund ta ndiejë këtë.

Por krahasuar me Kadarenë, ndryshimi është: Beckett heq shumë shenja lokale për të arritur te njeriu në gjendje pothuajse universale. Kadare futet thellë në një realitet tipik lokal për të arritur te njeriu universal. Një tjetër shembull është Kafka. Te “Proçesi”, sistemi që shtyp individin është qëllimisht i paqartë, nuk ka një shtet të emërtuar, ligji është një mekanizëm pothuajse metafizik, individi përballet me një pushtet anonim. Kjo e bën veprën universale, sepse mund të lexohet si çdo shoqëri ku njeriu ndihet i pafuqishëm.

Edhe Orhan Pamuk i vendos ngjarjet e veprave të tij në vendin e vet, kryesisht në Stamboll dhe në Turqi, Pamuku përqendrohet shumë te jeta urbane, identiteti turk, marrëdhënia midis Lindjes dhe Perëndimit, te transformimet kulturore të Turqisë moderne. Vendi dhe qyteti bëhen pothuajse personazhe më vete. Te Pamuku mbizotëron introspeksioni psikologjik.

Universalja kërkohet përmes ankthit personal dhe ekzistencial, Ndryshe ndodh te Kadareja, ku universalja është “e përshkuar me “erë historie”, perandori, diktaturë, traditë, kujtesë kombëtare, zakone konkrete. Mbizotëron alegoria dhe dimensioni historiko-politik. Te Nikolai Gogol, universalja vjen kryesisht përmes përshkrimit të dobësive dhe sjelljeve njerëzore që gjenden kudo dhe në çdo kohë: lakmia, kotësia, korrupsioni, ambicia, vetmia, absurditeti i burokracisë.

Te Kadareja universalja merr frymë përmes shtresave të historisë, hijes së perandorive, përvojës së diktaturës, peshës së traditës dhe kujtesës kolektive kombëtare. Universi i tij letrar ndërtohet mbi një rrjet të dendur alegorish, ku e shkuara dhe e tashmja dialogojnë vazhdimisht, duke i dhënë veprës një dimension të thellë historik, politik dhe njerëzor.

Dhe pikërisht kjo e bën interesant për shumë lexues perëndimorë: ai sillte një univers shumë të veçantë shqiptar, por brenda këtij universi gjendeshin pyetje që i përkisnin gjithë njerëzimit. Kur lexon shkrimtarë të mëdhenj, nuk po mëson vetëm histori apo personazhe. Po përballesh me përgjigje të ndryshme ndaj pyetjeve themelore: A është njeriu në thelb i mirë apo i prirur drejt së keqes? Sa liri i duhet individit?

A është shteti mbrojtës i qytetarëve apo kërcënim për lirinë e tyre? A duhet t’i bindet njeriu autoritetit apo ndërgjegjes së vet? Ndryshe nga shkencat që e studiojnë njeriun nga jashtë, letërsia hyn në përvojën e tij të brendshme dhe e shfaq atë në gjithë ndërlikueshmërinë e saj. Prandaj veprat e mëdha letrare nuk tregojnë vetëm histori; ato bëhen laboratorë të natyrës njerëzore dhe pasqyra ku njeriu vëzhgon veten.

Ky është thelbi. Mendoj se të krahasosh shkrimtarët e mëdhenj për të shpallur njërin, më të mirin, do të thotë të shpërfillësh vetë natyrën e artit. Ata ecin në shtigje të ndryshme krijuese, por synojnë të njëjtin horizont: zbulimin e së vërtetës njerëzore dhe shprehjen e vlerave universale që i tejkalojnë kohët dhe kufijtë.

Por është e vërtetë që, Kadare kishte edhe shumë detraktorë dhe polemika të forta rreth figurës së tij. Për disa, ai ishte një kundërshtar i heshtur i regjimit, që e shprehte mospajtimin përmes alegorisë dhe simbolikës artistike; për të tjerë, suksesi i tij u pa si dëshmi e një afërsie të caktuar me strukturat e sistemit. Kjo dilemë ka ushqyer për dekada debate të vazhdueshme mbi figurën dhe trashëgiminë e tij.

Kur një autor bëhet simbol kombëtar, kritikat ndaj tij nuk kanë të bëjnë më vetëm me letërsinë. Ai kthehet në një figurë mbi të cilën njerëzit projektojnë konfliktet e tyre politike, historike dhe ideologjike. Sa më i madh prestigji, aq më të mëdha bëhen edhe kundërshtimet. Xhelozia nuk është veçori vetëm shqiptare. Kadareja nuk krijoi një letërsi ngushëlluese, të destinuar për të ledhatuar vetëdijen kolektive apo për të ushqyer mite të rehatshme.

Një pjesë e shqiptarëve nuk e mirëpritën gjithmonë këtë qasje, sepse Kadareja i vendosi përballë një pasqyre të pazakontë. Ai nuk u ofroi portrete të stolisura me lavdi të rreme, por i përshkroi ashtu siç i shihte: me baltën që mbartnin mbi supe dhe me ndriçimin që rrezatonin gjithashtu. Në veprën e tij, shqiptari nuk është as figurë e idealizuar dhe as karikaturë e errët, por një qenie komplekse, e përbërë nga kontradikta, dobësi, qëndresë dhe dinjitet.

Pikërisht kjo pasqyrë e sinqertë, shpeshherë e pamëshirshme, ngjalli admirim te disa dhe pakënaqësi te të tjerë. Dhe e vërteta, kur është e zhveshur nga iluzionet, nuk pritet gjithmonë me pëlqim. Debati rreth Kadaresë nuk qëndron te vlerësimi i tij si shkrimtar, pasi rëndësia e tij letrare është njohur gjerësisht në arenën ndërkombëtare.

Çështja më e ndërlikuar lidhet me rolin e tij gjatë periudhës komuniste dhe me mënyrën se si vepra e tij, përmes simbolikës dhe reflektimit historik, nxori në pah të vërteta të thella mbi shoqërinë shqiptare, pushtetin, frikën dhe identitetin kolektiv./ Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 25 Tetor 2026

Next Post

“Në 1920-ën, në përcjelljen e vullnetarëve gjirokastritë për në luftën e Vlorës dhe në hedhjen në det të italianëve, ishte edhe djaloshi 12 vjeçar Enver Hoxha...”/ Zbulohet biografia e panjohur e vitit 1969

Artikuj të ngjashëm

“Me veprën e Kadaresë, ‘hipoteka’ e kulturës shqiptare, ka shtuar një pasuri të patundëshme, me vlerë për të gjithë njerëzimin, pasi…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, nga SHBA-ja
Art & Kulture

“Në Perëndim, studiuesit mbetën të habitur, kur Kadare fliste për lirinë, pushtetin dhe fatin njerëzor, me një forcë artistike origjinale, të cilën kritikët francezë…”/ Refleksionet e publicistit të njohur

October 23, 2026
Si na ndihmoi Prof. Dhimitër Shuteriqi në vitin 1967, duke debatuar me ministrin Thoma Deliana, që të shpëtonim nga shkatërrimi shumë objekte të kultit, që i konsideruam si monumente kulture?
Art & Kulture

Si na ndihmoi Prof. Dhimitër Shuteriqi në vitin 1967, duke debatuar me ministrin Thoma Deliana, që të shpëtonim nga shkatërrimi shumë objekte të kultit, që i konsideruam si monumente kulture?

October 3, 2026
Kujtime nga takimet e mija për Dhimitër Shuteriqin, apo siç e konsideronin në atë kohë, ‘Diogjeni shqiptar’!
Art & Kulture

Kujtime nga takimet e mija për Dhimitër Shuteriqin, apo siç e konsideronin në atë kohë, ‘Diogjeni shqiptar’!

September 26, 2026
“Mirush Kabashi ishte korifeu i artit skenik, zëri që u bë mendim, shpirti që u shndërrua në altar dhe…”/ Refleksionet e publicistit të njohur për aktorin e famshëm të skenës dhe kinematografisë
Art & Kulture

“Mirush Kabashi ishte korifeu i artit skenik, zëri që u bë mendim, shpirti që u shndërrua në altar dhe…”/ Refleksionet e publicistit të njohur për aktorin e famshëm të skenës dhe kinematografisë

September 17, 2026
“Gjatë përurimit të ekspozitës, Enver Hoxha takoi edhe dy artistët kinezë që e shoqëronin atë, piktorin Lao Çun Pin dhe skulptorin Çan Su In, por ata nuk ishin autorët…”/ Dëshmia e Kujtim Buzës
Art & Kulture

“Gjatë përurimit të ekspozitës, Enver Hoxha takoi edhe dy artistët kinezë që e shoqëronin atë, piktorin Lao Çun Pin dhe skulptorin Çan Su In, por ata nuk ishin autorët…”/ Dëshmia e Kujtim Buzës

September 13, 2026
“Kur binte shi dhe njerëzit mbylleshin në shtëpi, nga lagjja e ‘Tiranës së Re’, ai dilte për dore me nusen e re 17 vjeçare duke bredhur rrugëve dhe nën errësirën e pishave të Teatrit…”/ Historia e trishtë e aktorit të famshëm
Art & Kulture

“Kur binte shi dhe njerëzit mbylleshin në shtëpi, nga lagjja e ‘Tiranës së Re’, ai dilte për dore me nusen e re 17 vjeçare duke bredhur rrugëve dhe nën errësirën e pishave të Teatrit…”/ Historia e trishtë e aktorit të famshëm

September 7, 2026
Next Post
“Nga pema gjenealogjike me të parin e fisit Hoxha, Kol Gjonin, deri te dy djemtë, Iliri me Sokolin…”/ Zbulohen 3 biografitë e Enver Hoxhës në fondin e tij personal, të shkruara deri në 1969-ën, që s’u publikuan kurrë…!

“Në 1920-ën, në përcjelljen e vullnetarëve gjirokastritë për në luftën e Vlorës dhe në hedhjen në det të italianëve, ishte edhe djaloshi 12 vjeçar Enver Hoxha...”/ Zbulohet biografia e panjohur e vitit 1969

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme