Prof. Dr. Aleksandër Meksi
Memorie.al / Dhimitër Shuteriqi ishte një emër shumë i njohur për kohën, ishte personazh publik, shfaqej në televizion, gazeta, revista etj. Përveçse një studiues i Historisë së Letërsisë dhe shkrimeve të vjetra të gjuhës shqipe, ishte dhe studiues i Historisë Mesjetare, (një fushë që mua më interesonte), madje me kontribute, sepse mundohej që të shfrytëzonte burimet historike, duke spikatur shumë në këtë drejtim. Në atë kohë kishte një kontribut për shkrimet e vjetra dhe autorët e tyre, madje duke shkruar një monografi për to, por edhe për Historinë Mesjetare, konkretisht “Arbëri Mesjetar”, “Mbishkrimet e kishës së Gëziqit”, “Shtrirjet e Arbërisë Mesjetare”, dhe “Sundimtarët e Arbërit”.
Duhet të vërejmë se një studiues i mirëfilltë, të dhënat e reja që i përfitonte, i përmirësonte kur dilnin të tjera të reja, pra nuk ishte strikt, duke mbetur në ato që kishin dalë prej kohësh. Profesor Shuteriqi krahas detyrës si shkrimtarë e kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, kishte interesa të gjera edhe për Artin e Kulturën Mesjetare të Shqipërisë.
Këto ishin arsyet që drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës në atë kohë, Gani Strazimiri, e përfshiu në Këshillin Shkencor të Institutit të Monumenteve, ku gjatë shqyrtimit të shkrimeve për revistën dhe projektet, etj., etj., ai na ndihmonte dhe kështu pata rastin të njihesha nga afër me të. Veç kësaj, pra lidhjeve të punës që thashë më lart, kam pasur kontakte të shumta dhe biseda, sepse ai interesohej për botimin e përkthimin të plotë e të parë, të Dhiatës së Re, të Vangjel Meksit, (nga të fisit tim) dhe Prof. Shuteriqi ishte i pari që evidentoi këtë figurë të madhe, duke i dhënë autorësinë.
Më vonë, gjatë takimeve dhe bisedave, ai më ka treguar edhe për lidhjen tjetër që kishim, Kristoforidhin, motrat e të cilit, njëra ishte martuar te Shuteriqët, ndërsa tjetra tek Kapedanët, në Berat, një vajzë e së cilës, ishte gjyshja e nënës sime. Gjatë viteve kam pasur rastin të takohem shpesh dhe të bisedojmë për probleme të ndryshme, ku shquhej përzemërsia e tij dhe respekti për bashkëbiseduesin, që ai e trajtonte si të barabartë dhe jo nga lart poshtë.
Në kohën kur kishte filluar lufta kundër fesë (viti ’67) dhe filloj prishja e shkatërrimi në masë i objekteve të kultit, doli problemi i seleksionimit dhe evidentimit të këtyre objekteve që do të merreshin në mbrojtje nga Shteti, pra konkretisht nga ana e Institutit të Monumenteve. Pikërisht në këtë kohë, profesor Shuteriqi na ndihmoi gjatë një mbledhje në kolegjiumin e Ministrisë së Arsimi-Kulturës ku po shqyrtohej lista përfundimtare e objekteve të kultit që do mbeteshin në mbrojtje shtetërore, ku ishim dhe unë me drejtorin e Institutit, Gani Strazimirin.
Ne të dy gjetëm rastin përpara se të fillonte mbledhja dhe iu afruam Prof. Shuteriqit, e me zë të ulët që mos ta dëgjonte njeri i thamë: “Profesor, ka rezistencë nga ana e komisionit shtetëror, për ta ulur sa më shumë numrin e objekteve të kultit që do merren në mbrojtje nga shteti”. Prof. Shuteriqi na bëri me kokë, duke na lënë të kuptonim se ishte i qartë për sa po i thonim dhe sapo filloi mbledhja, hapur dhe pa frikë se ajo gjë do kishte apo interpretohej me ngjyrime apo karakter politik, iu drejtua me një pyetje direkt ministrit Thoma Deljana, duke i thënë:
“Shoku ministër, a ka të përcaktuar paraprakisht, se sa do jetë numri i objekteve të kultit që do merren në mbrojtje nga shteti, duke u shpallur monumente kulture. Pra a keni dhënë ju ndonjë urdhër të tillë që sa objekte duhen lënë…”? Kjo ishte një pyetje që e “çarmatosi” ministrin Deljana, pasi askush nuk mund të jepte një shpjegim, apo më saktë që të përcaktonte numrin e objekteve të kultit që do merreshin në ruajtje nga shteti, dhe kështu, ministri pak i hutuar nga ajo pyetje që nuk e priste, duke hezituar pak, tha: “Jo”.
Pas kësaj mbledhja vazhdoi me diskutime të shumta por ishte kjo ndërhyrje mjaft e mençur dhe shumë dashamirëse e Shuteriqit, e cila bëri që lista e objekteve të kultit që do shpalleshin monumente kulture nën mbrojtjen e shtetit, të mos reduktohej sikur ishte planifikuar, por përkundrazi, të mbetej ajo që kishim paraqitur ne. Kjo gjë, pra ndërhyrja me tepër takt dhe mençuri e Shuteriqit, në vendin dhe momentin e caktuar, bëri të mundur që të shpëtonin nga vala shkatërrimtare mjaft objekteve të kultit./ Memorie.al
Ky shkrim është marrë nga libri “Dhimitër S. Shuteriqi, rilindasi i fundit dhe regjimi komunist”, i autorit Dashnor Kaloçi, Shtëpia Botuese ‘Mediaprint’ Tiranë, qershor 2026














