Nga Minella Aleksi
Pjesa e parë
-Shqipëria e Kadaresë: laborator pikënisjeje për pyetje universal –
Memorie.al / Në Shqipërinë komuniste, pak ngjarje arrinin të trazonin opinionin publik. Zakonisht ishin plenumet e Partisë ose botimi i një romani të ri të Kadaresë. Ndërsa të parat përcaktonin drejtimin zyrtar të regjimit, të dytat nxisnin te lexuesit përpjekje të pafundme për të kuptuar se çfarë fshihej pas alegorive, simboleve dhe ambiguiteteve të shkrimtarit. Regjimi dhe Ismail Kadare udhëtonin në kahe të kundërta: njëri kërkonte nënshtrim, tjetri liri. Rrugët e tyre kryqëzoheshin vazhdimisht në një duel të heshtur, ku asnjëri nuk arrinte ta mposhtte plotësisht tjetrin. Pas botimit në Perëndim, për shumë shqiptarë lindte pyetja: si mund të ishte një shkrimtar i madh dhe njëkohësisht të botonte në një sistem kaq represiv?
Disa i konsideronin vepra konformiste ose trushplarje, në shërbim të regjimit, kurse një pakicë i shihnin si forma të sofistikuara kundërshtimi ndaj regjimit. Dy këndvështrime të ndryshme. Reputacioni jashtë vendit buronte nga vlera të veçanta letrare e estetike dhe nga trajtimi i temave si totalitarizmi, historia dhe identiteti. Reputacioni dhe dilema brenda vendit buronte nga gjykimi i rolit të shkrimtarit në sistemin e diktaturës së proletariatit. Lexuesve në Perëndim u tregonte se pushteti absolut mund të analizohej, të demistifikohej dhe të shëndrohej në objekt letërsie.
Për një diktaturë si ajo e E. Hoxhës kjo ishte e pakëndshme. Nuk ishte një sulm i drejtpërdrejtë politik, por aftësi e letërsisë që, përmes metaforave dhe alegorive të ngrinte pyetje mbi natyrën e pushtetit, frikës dhe lirisë,. Diversion ideologjik quhej atëherë, ose disidencë intelektuale sot. Ushtria, policia dhe burgjet mund të siguronin bindjen e jashtme të shoqërisë, por nuk mund të kontrollonin plotësisht mendimin. Në vetëdijen e njerëzve fillonte gradualisht gërryerja, ç’mitizimi i pushtetit dhe shembej miti se, ai ishte i pagabueshëm, historikisht i drejtë dhe i pakontestueshëm. Në Perëndim studiuesit mbetën të habitur.
Kadare fliste për lirinë, pushtetin dhe fatin njerëzor me një forcë artistike origjinale, të cilën kritikët francezë e konsideruan plotësisht europiane dhe universale. Jo vetëm që s’kishte asnjë lidhje me modelin e realizmit socialist, por shquhej për origjinalitet stilistik. P.sh., në shumë romane të kulturës perëndimore dhe ruse, historia shërben si sfond për ngjarjen. Te Hemingway, në romanet “Lamtumirë armë, Dielli do të lindë përsëri, Për kë bien kambanat” historia është zakonisht sfondi i madh mbi të cilin vihet në provë individi.
Autori është më pak i interesuar për lëvizjet e historisë dhe më shumë për mënyrën se si njeriu reagon ndaj tyre. Nikolaj Gogoli është mjeshtri i shkrirjes së realitetit historik rus me elemente sureale dhe absurde. Ai përdori sfondet e zakonshme (zyrat e Shën Pjetrit, fshatrat e Ukrainës) si një kanavacë për të goditur burokracinë, korrupsionin dhe hipokrizinë shoqërore përmes humorit të zi dhe magjisë. Te “Lufta dhe Paqja”, pushtimi i Rusisë nga Napoleoni është një ngjarje historike madhore, por romani fokusohet kryesisht te familjet Rostov, Bolkonski dhe Bezukhov.
Te “Getsbi i Madh” i F. Scott Fitzgerald, personazhi kërkon të realizojë një ëndërr, qendra është individi dhe iluzioni i tij. Te García Márquez, historia shfaqet si kujtesë kolektive dhe si proçes ciklik, ku e shkuara vazhdon të veprojë mbi të tashmen, ndërsa brezat përsërisin fate, gabime dhe përvoja që duket se sfidojnë rrjedhën lineare të kohës. Te James Joyce, historia zakonisht nuk është në qendër, por as thjesht sfond pasiv.
Ajo është e pranishme në mënyrë të tërthortë, përmes gjuhës, kujtesës, identitetit dhe jetës së përditshme. “Historia është një makth nga i cili po përpiqem të zgjohem”, është një shprehje e famshme te “Ulysses”. Jo si refuzim i historisë në vetvete, por si shprehje e ndjenjës se, individi është i ngarkuar nga pesha e së kaluarës, konfliktet politike, fetare, kombëtare dhe kulturore që trashëgon, pa i zgjedhur vetë ato.
Ndryshe ishte te romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Te Kadareja historia ishte diçka e gjallë, shpesh bëhej vetë personazh. Gjenerali dhe prifti jo vetëm udhëtojnë nëpër Shqipëri. Ata udhëtojnë brenda hijes së një historie që refuzon të vdesë. Në këtë kuptim, historia nuk është dekor i rrëfimit, por një forcë aktive që drejton ngjarjet dhe përcakton fatin e personazheve. Historia nuk rrëfehet si e kaluar, por si një fuqi që vazhdon të jetë e pranishme dhe të ndikojë të tashmen.
Te “Kështjella” e Kadaresë, lexuesi perëndimor nuk po lexonte vetëm për Shqipërinë e shekullit XV, ai po lexonte për raportin e përjetshëm midis qendrës dhe periferisë, të fortit dhe të dobëtit. Konflikti mes shqiptarëve dhe perandorisë osmane nuk është thjesht një episod ushtarak. Ai kthehet në një reflektim mbi rezistencën, identitetin dhe mënyrën se si komunitetet e vogla mbijetojnë përballë fuqive të mëdha.
Te “Kronikë në gur”, Lufta e Dytë Botërore nuk paraqitet vetëm si mjedis ku rritet një fëmijë; historia depërton në çdo aspekt të jetës së qytetit dhe bëhet pjesë e vetë mënyrës se si formohet kujtesa kolektive. Te “Dimri i vetmisë së madhe” kemi shkrirjen e historisë me letërsinë. Historia nuk paraqitet thjesht si kronikë politike, por si një forcë që ndikon drejtpërdrejt në jetën, psikologjinë dhe fatin e personazheve.
Realizmi (faktet historike, atmosfera politike, jeta e përditshme e personazheve të lidhur me kohën) kombinohet me përmasën metaforike (dimri nuk është vetëm stinë, por simbolizon vështirësitë, izolimin, tensionin dhe sfidat që kalon vendi). Në romanin “Pallati i Ëndrrave”, edhe pse ngjarja vendoset në një mjedis të ngjashëm me perandorinë osmane, historia përdoret si një mekanizëm për të shqyrtuar natyrën e pushtetit absolut dhe kontrollin mbi shoqërinë. E veçanta te Kadareja, qendra është njeriu përballë kohës, historisë dhe pushtetit.
Origjinaliteti stilistik i Kadaresë ishte një përzierje e tragjikes, groteskes, mitikes, absurdeve burokratike dhe humorit të zi, që u kujtonte studiuesve autorë si, Franz Kafka, George Orwell apo Milan Kundera, Si bashkëkohës që dolën nga blloku komunist dhe u bënë figura botërore, Kundera dhe Kadareja përbëjnë një çift krahasimi shumë të natyrshëm. Është më i natyrshëm sesa, p.sh., krahasimi i Kadaresë me Gabriel García Márquez ose i Kunderës me Franz Kafka, edhe pse secili prej tyre ka afri të caktuara me këta autorë.
Studiuesit bashkohen në argumentin se nëse flitet vetëm për risi formale të romanit, Kundera ishte më novator në strukturën e romanit modern.Por nëse flasim për zë unik stilistik, shumë kritikë do t’i jepnin përparësi Kadaresë. Arsyeja është se gjuha imagjinative, universi simbolik dhe mënyra si ai e shndërroi përvojën shqiptare në letërsi universale, janë jashtëzakonisht të veçanta. Për studiuesit ka shumë shkrimtarë që të kujtojnë Kunderën në metodën e të menduarit; është shumë më e vështirë të gjesh dikë që të kujton Kadarenë.
Kundera, më origjinal në mënyrën e ndërtimit të romanit si instrument filozofik. Kadare: më origjinal në krijimin e një universi letrar dhe një zëri të papërsëritshëm. Te Kundera, personazhet janë para së gjithash individë. Ata nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një komb, një epokë apo një mit. Janë qenie të veçanta, me dëshira, obsesione, dilema erotike, morale dhe ekzistenciale. Kundera është i interesuar për atë që e bën një njeri unik, dhe kontradiktat e tij të brendshme. Shumë prej personazheve të Kadaresë nuk janë vetëm individë të një kohe të caktuar, por mbartës të shtresave historike dhe kulturore.
Kadareja e vendos individin në një thellësi kohore, sikur pas një njeriu të vetëm të fshihet historia e një populli. Personazhet e Kadaresë shpesh janë “arkeologji” të gjalla, ku në një njeri të vetëm mund të bashkëjetojnë miti i lashtë, bota antike, mesjetare, perandoria osmane, zakoni, frika historike dhe njeriu modern. Për këtë arsye, personazhet nuk përfaqësojnë vetëm një kohë apo një shoqëri të caktuar, por vetë vazhdimësinë e përvojës njerëzore ndër shekuj. Kjo është arsyeja pse te Kadareja gjen më shpesh dimensionin epik dhe arketipal, ndërsa te Milan Kundera dimensionin filozofik dhe ekzistencial. Personazhet e tij janë më pak “bij të të gjitha epokave” dhe më shumë “bij të modernitetit”.
Kundera pyet çfarë ndodh me ndërgjegjen individuale. E kthen përvojën e Evropës Lindore në një roman të individit. Kadareja pyet çfarë ndodh me njeriun kur kalon përmes historisë, dhe atë përvojë të Europës Lindore e kthen në roman të historisë dhe mitit. Në këtë pikë Kadare ndryshon shumë nga Kundera, Kjo është edhe arsyeja pse disa studiues e konsiderojnë Kunderën një mjeshtër të madh të romanit evropian, ndërsa Kadarenë një fenomen më të veçantë e më pak të klasifikueshëm brenda letërsisë botërore.
Në “Pallati i Ëndrrave”, shteti nuk përpiqet të kontrollojë vetëm veprimet e qytetarëve, por edhe botën e tyre të brendshme, madje vetë ëndrrat. Kështu, ideja e pushtetit kalonte nga një realitet politik konkret, në një nivel simbolik dhe ekzistencial. Për lexuesin perëndimor, interesantja ishte se Kadare ngrinte pyetje universale: A mund të kontrollohet mendimi? A mund të ekzistojë liria e brendshme? Deri ku shkon vullneti i institucioneve për të ditur gjithçka?
Këto pyetje nuk bëhen e nuk i përkasin vetëm diktaturave; ato mbeten të rëndësishme sa herë që shoqëritë përballen me forma të reja kontrolli dhe mbikëqyrjeje. Sot amerikanët ballafaqohen me fenomenin Trump! Edhe demokracitë më të konsoliduara, si ajo amerikane, mbeten të brishta; ato janë vazhdimisht të ekspozuara ndaj rrezikut të abuzimit me pushtetin dhe prirjeve autokratike brenda vetë shtetit. Në letërsinë politike klasike, pushteti shpesh paraqitet përmes strukturave të dukshme të kontrollit: policisë, ushtrisë, administratës apo partisë.
Origjinaliteti i Kadaresë qëndron në thelbin se, e çon analizën e pushtetit te brendësia e njeriut. Pushteti te veprat e Kadaresë nuk paraqitet si një mekanizëm i ftohët dhe abstrakt. Ai mban “erë historie”. Që nënkupton se pushteti vjen i mbështjellë me kujtesë, me tradita, histori, zakone dhe përvoja konkrete të një shoqërie. Te Kadare pushteti ka një origjinë dhe një trashëgimi. Kjo do të thotë se personazhet e Kadaresë nuk përballen vetëm me një urdhër të kohës së sotme, mbartin edhe një forcë historike të ndërtuar në shekuj.
Një pushtet perëndimor modern mund të imagjinohet si administratë, ligj, burokraci, por, “ah”, tek populli i shkrimtarit ishte pak ndryshe, se pushteti hiqet se ka “fytyrë kulturore”, ngaqë krijonte besime dhe kuptime që e bëjnë sundimin të duket i natyrshëm, i drejtë ose i domosdoshëm. Pse kjo ishte interesante për lexuesin perëndimor? Sepse Kadare tregonte diçka shumë më komplekse. Se shtypja nuk lind vetëm nga një diktator ose një institucion.
Ajo nuk është vetëm një strukturë politike. Është edhe një forcë historike dhe psikologjike, që hyn në jetën e njerëzve dhe që ushqehet nga tradita. Tradita si diçka që e lidh një komunitet, mund të bëhet kufizim kur individi nuk ka më hapësirë të zgjedhë. Te Prilli i Thyer, “Kanuni” nuk është thjesht një ligj i shkruar. Ai është një autoritet moral që jeton në mendjen e njerëzve. D.m.th., tradita, si formë e padukshme pushteti bëhet më e fortë se sa liria e njeriut.
Personazhi “Gjorgu” mund të mos dëshiroj hakmarrjen, por ndjen se familja e pret prej tij, nderi e kërkon, komuniteti do t’a gjykojë. Refuzimi, si dele të zezë, do t’a nxjerrë jashtë shoqërisë. Pyetja thelbësore është: a mund të quhet i lirë një individ që nuk detyrohet nga forca e shtetit, por nga frika e gjykimit shoqëror? Në këtë rast, pushteti nuk ushtrohet përmes policisë apo ligjit, por përmes normave dhe zakoneve që pranohen pa u vënë në diskutim. Pothuajse të gjithë personazhet kryesore në veprën e Kadaresë kalojnë në këtë lloj “bankoprove” ose “test nën presionin e kontrollit zakonor”.
Problemi shfaqet kur pyetja “A është e drejtë?” zëvendësohet nga bindja se “kështu është bërë gjithmonë”. Atëherë tradita nuk vepron më vetëm si trashëgimi kulturore, por edhe si një mekanizëm i padukshëm kontrolli. Pra ideja kryesore është: Shtypja më e fuqishme nuk është gjithmonë ajo që të detyron me dhunë; ndonjëherë është ajo që, të bën t’i ndjesh mirë kufijtë e vendosur brenda burgut të vetes. Personazhet e Kadaresë jetojnë jo vetëm me atë që po ndodh, por edhe me kujtesën e asaj që ka ndodhur.
Ndjehet në heshtjen e njerëzve, në frikërat e tyre, në mënyrën se si i kontrollojnë fjalët, në zakonet e forta detyruese, në dyzimin e brenda-jashtë shtëpisë, në dyfytyrëshin e sjelljes. Është zanafilla e idesë se si një sistem i fuqishëm politik, mund të trashëgojë dhe të zhvillojë dëshirën njerëzore për kontroll. Kjo është frikë që njerëzit nuk e mësojnë nga një ngjarje e vetme, por e “trashëgojnë” nga historia. Do të thotë se prindërit kanë përjetuar frikë, natyrshëm ua transmetojnë fëmijëve; shoqëria ka përjetuar dhunë, për pasojë njerëzit mësohen të heshtin.
Edhe kur nuk ka më ndëshkim real, njerëzit vazhdojnë të kenë frikë të flasin, sepse “kështu ka qenë gjithmonë”. Shtypja në këto raste ndjehet si presion psikologjik, jo direkte. Një rregull i trashëguar nga e kaluara përcakton fatin e individit. Te Kadareja, pushteti shpesh është i pranishëm edhe kur nuk duket. Kjo është arsyeja pse personazhet e Kadaresë janë interesantë: ata nuk janë vetëm viktima të pushtetit.
Ata janë njerëz që jetojnë në një botë ku pushteti është bërë pjesë e historisë, zakoneve, frikërave dhe mënyrës së tyre të të menduarit. Për lexuesin perëndimor kjo krijonte një pyetje interesante: Sa prej zgjedhjeve tona janë vërtet të lira dhe sa përcaktohen nga traditat që trashëgojmë? Studiues të ndryshëm kanë treguar vëmendje krahasimore mes letërsisë së Dostojevskit dhe Kadaresë. Dostojevski i kërkon dhe zbulon “djajtë” (forcat e brendshme dhe idetë që pushtojnë njeriun) në thellësitë psikologjike të njeriut dhe dramat e shpirtit njerëzor.
Te Kadare, ato gjenden shpesh si fantazmat e historisë, fytyrat e fshehta të pushtetit modern dhe frikërat kolektive që depërtojnë në jetën e njeriut. Të dy qëndrojnë te letërsia që nuk tregojnë vetëm ngjarje, por hetojnë çfarë i bën njeriut frika, pushteti dhe ndërgjegjja. Te Dostojevski ndërgjegjja është fushë beteje e shpirtit, ku njeriu përballet me fajin, lirinë, mëkatin, fenë, arsyen dhe besimin, pasojat dhe përplasjet e tyre të brendshme. Te Kadare, ndërgjegjja lidhet më shumë me pozicionin e individit përballë historisë dhe pushtetit: si ruhet dinjiteti, kujtesa dhe e vërteta kur njeriu vihet “nën testin e presionit”./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












